Nga Njazi Xh. Nelaj
Pjesa e pestë
Memorie.al / Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit, Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv ‘MIG’-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë. Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Boston-in e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij, ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet. Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e, nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore. Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e, nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirëmenaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës, të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.
Autori
Tekniku i avionëve, pensionisti Ismail Harizaj, e kujton kështu këtë situatë: “Në dispozicion të komandës së regjimentit u vu një banesë prej një dhomë e gjysmë kuzhine; ajo duhej ndarë. Kërkesë për strehim kishin bërë 25 kuadro dhe punonjës. Kuptohet sa të vështirë e kishte komanda e regjimentit ta ndante këtë kontingjent. Niko Hoxha trokiti në çdo familje të atyre që kishin bërë kërkesë. Për të parë, nga afër ku e si jetonin oficerët dhe familjet e tyre. Erdhi dhe në shtëpinë time. Pa motrën, të rritur e më pyeti: ‘Po këtë, çfarë e ke’? Është motra, – i thashë, – e kam në ngarkim’.
U afrua tek tenxherja me gjellë, që po vlonte, hapi kapakun dhe pyeti gruan time: ‘Çfarë i ke bërë Ismailit, për të ngrënë’? Këtë sondazh komandanti e bëri në çdo familje. U ndanë shtëpitë dhe u vendos që atë sipërfaqe banimi ta merrja unë. U gëzova unë, gëzuan dhe anëtarët e tjerë të familjes. Më në fund do të merrnim frymë pak më lirë. Në mbledhjen ku u shpall vendimi i komandës, dikush nga hallexhinjtë, si puna ime, reagoi kundra, me shpirt, i dhashë të drejtë. Niko e dëgjoi, u mendua pak dhe tha: ‘Kur të flerë djali yt me nusen, ti mund të mbulosh kokën, që të mos ta shikosh, por motra e Ismailit, nuk e bën dot këtë gjë’. E bindi argumenti oficerin ankimtar e ai, pas kësaj nuk u ndie më.
Ndodhte që ndonjë avion të kishte defekt. Punonim me orë të zgjatura për likuidimin e defektit, pa shkuar në familje, as për të ngrënë. Niko qëndronte aty, tok me ne, sa të likuidohej defekti teknik. Për të na krijuar lehtësi neve teknikëve e specialistëve që punonim, dërgonte makinën e repartit shtëpi më shtëpi e na sillte ushqimin. Ndoshta atij njeriu, i cili i kishte në shkallën më të lartë, si kujdesin për njerëzit dhe kërkesën e llogarisë për zbatimin e detyrave, mund t’i shkonte bukur për shtat përcaktimi: ‘njerëzor, i rreptë’.
Koloneli i përcillte situatat, me korrektesë e ishte rigoroz në vendimet që merrte. Kur ishte fjala për të zbatuar rregulloret ushtarake e ato teknike Niko Hoxha nuk të falte. Kur ai ishte ulur, me të mund të bisedoje lirshëm, si shok, ama, sapo ngrihej në këmbë, ai shndërrohej në zgalem e me të mund të komunikoje vetëm me ‘urdhëro’! ‘si urdhëron’, me gjuhën e rregulloreve”.
Pensionisti Pajtim Elmazi, i cili, në vitet 1962-1965 ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në regjimentin e Rinasit dhe e ka njohur kolonelin nga pozitat e ushtarit kujton: “Një të hënë, si në çdo ditë të tillë të javës, regjimenti ishte në shikim rreshtor. Komandanti bënte kontroll personalisht, duke kaluar nga nënreparti në repart. Kur erdhi përpara meje, urdhëroi: ‘ushtar (nuk ma dinte emrin), dy hapa para’! Përmenda mbiemrin, u paraqita ushtarakisht dhe zbatova urdhrin e tij, dola dy hapa përpara shokëve. Urdhrat nga koloneli s’kishin të sosur; ‘Gjimnastorkë zbërthe’! ishte urdhri që pasoi.
E zbatova urdhrin përsëri dhe koloneli pa qaforen time të bardhë. Vura re një kënaqësi të lehtë në sytë e tij. Pastaj më dha urdhër të heq këpucën e majtë e më pas të hap çantën e shpinës. I pa e i gjeti të gjitha pajisjet individuale të mijat në rregull, i erdhi mirë që unë isha konform rregullores së disiplinës dhe aty për aty i dha urdhër komandantit tim: ‘dërgoje ushtarin shtatë ditë, me leje shpërblim, pranë familjes’! U hutova por më zuri veshi përgjigjen e prerë të komandantit tim: ‘si urdhëron shoku komandant i regjimentit’! Kjo që ndodhi, më ngrohu e më gëzoi. Nuk e di përse mendova se e kisha rregulluar me kolonelin, vajta në familje e u ktheva në kohë. Por fati nuk më ndihmoi në një rast tjetër. Nuk thonë kot se dardha e ka bishtin prapa. Pa kaluar shumë kohë, koloneli erdhi në thirrjen e mbrëmjes, të cilën e bënim çdo natë. U bë apeli.
Unë, së bashku me disa shokë kishim shkuar për të parë një film, në repartin fqinjë. U lexua emri e unë nuk isha aty. M’i thërrisni, urdhëroi koloneli e ne u gjendëm përpara tij, si të zënë në faj. Më njohu dhe urdhëroi komandantin tim: ‘Jepi shtatë ditë ndalim disiplinor’. Më hoqën kapelën, rripin e mesit, lidhëset e këpucëve e më çuan në dhomën e izolimit, e cila ndodhej në truprojë. Duhet të flija mbi disa dërrasa, pa shtrojë e pa mbulojë. E kisha për herë të parë, nuk më zuri gjumi. Pas mesnate erdhi koloneli, më gjeti zgjuar e më pyeti: ‘po ti melun, përse nuk fle’?! Nuk i fola por tregova me kokë kushtet. Ai urdhëroi oficerin e rojës të më çonte në fjetinë, në krevatin tim. Nga të dyja ndodhitë mësova shumë. Komandant Niko, siç i zbatonte vetë rregulloret, kërkonte që dhe vartësit e tij të bënin të njëjtën gjë”.
Me Niko Hoxhën, asnjeri nuk mund të bënte kompromis, në kurriz të rregulloreve. Për Niko Hoxhën, motoja e punës ishte: “Bëni si bëj unë e hajde ta bëjmë së bashku”. Hipokrizinë dhe servilizmin koloneli nuk i njihte, gjithashtu as punën për t’u dukur. Mburravecët dhe “kaposhët kokëboshë” Niko Hoxha i kishte inat. Piloti veteran nga Starja e Kolonjës, Haki Jupasi, kur flet për ekzigjencën e Nikos ndaj disiplinës ushtarake dhe asaj teknike kujton: “Në marrëdhënie në repart, me Nikon mund të komunikoje vetëm me: ‘urdhëro’ e ‘si urdhëron’. Në mjedise shoqërore, ai të bëhej shoku më i afërt. Niko, me tregimet e tij të pashtershme bëhej qendra e muhabetit.
Më kujtohet fare mirë kur koloneli vinte pasditeve në repart, për të luajtur volejboll, sport të cilin e kishte shumë për zemër. Komandanti ishte shtatlartë e i shkathët. Kishte qejf të gjuante dhe parakrahu i tij, kur çohej për të gjuajtur topin, dilte mbi rrjetë. Kishte qejf që në ekipin e tij të ishte Kosta Dede, Anastas Ngjela, Sulo Gorica e të tjerë truplartë, si ai. Koloneli luante dhe futboll. Në Valias, ku banonte së bashku me familjen, ai bënte pjesë në ekipin e qytezës dhe luante kundër ekipit të Fermës Shtetërore të Kamzës. Ai, në lojë ishte tepër korrekt e i thjeshtë e nuk e dalloje dot nga lojtarët e tjerë. E kujtoj dhe si futej mes oficerëve e ushtarëve të regjimentit për të mbledhur misrin që kishte mbjellë në aerodrom ekonomia ndihmëse e regjimentit.
Niko Hoxha kishte shoqëri të gjerë e kudo, por atë nuk e shikoje kurrë të qëndronte klubeve, të ulur pranë gotës me alkool, me orë të tëra, si të tjerë. Koloneli nuk ishte as lamash, as qelepirxhi. Tek ai ‘gjella ishte me kripë dhe kripa me karar”. Siç e kujton kolonelin veterani i aviacionit Osman Bozhiqi; “Me Niko Hoxhën kam punuar në një repart e në të njëjtin aerodrom, por afërsi nuk kemi patur. Hierarkia ushtarake na kishte distancuar. Por Nikon e kishe në familje, si në gëzime dhe në raste fatkeqe. Ai nuk vinte re nëse shkonte për vizitë në familjen e një ushtari, punëtori, kapteri, nëntogeri apo më lart. Për atë, të gjithë ishin të njëllojtë. Çdo njeriu i gjendej pranë dhe e ndihmonte me gjithë shpirt”.
Më tej Osmani theksoi: “Kur të gjente në gabim, Niko Hoxha nuk të bërtiste kurrë, në rrugë por të thërriste në zyrë, veç të tjerëve, t’ i thoshte ato që kishte, në fytyrë e të kërkonte llogari. Ai secilit i jepte hakun”. Kolonel Niko Hoxha kishte një zakon të veçantë, të cilin nuk e praktikonin të tjerët. Në ditë feste e në gëzime, ai ftonte në familjen e tij, kuadro të ndryshëm, natyrisht, të dalluar, për të drekuar apo darkuar, së bashku me ta. Kjo praktikë, jo vetëm e afronte atë me njerëzit por ata, me këtë rast çliroheshin nga ajo tendosje e nga ai stres që përjetonin gjatë gjithë kohës në repart. Kjo falë mjedisit që u krijonte Niko Hoxha të ftuarve të tij.
Me rastin e Vitit të Ri 1960, komandant Niko ftoi në familjen e tij, në “Qytetin Stalin”, dy oficerë të rinj, pilotin Kapo Selmanaj dhe teknikun Xhevair Shega. Këtë ndodhi të rrallë, në jetën e tij, Xhevairi na e sjell kështu: “Niko doli tek porta e shtëpisë e na priti me buzëqeshje të çiltër. Ishte i veshur me uniformë civile. Neve na pëlqente ta shikonim të veshur me uniformë ushtarake, se ajo i shkonte më bukur trupit të tij azgan. Gjatë gjithë drekës na krijoi një mjedis të gëzuar e gazmor. Ishte mjaft i këndshëm. U shkri duke bërë shaka me Kapon, të cilin e njihte familjarisht. Që të mos ndihesha i mënjanuar, Niko i ruante vetë ekuilibrat. Meqenëse unë jam Kuçiot e ai kishte qenë në fshatin tim, në kohën e luftës, kur ishte partizan, bënte shaka dhe me mua e i kishte lezet humori që bënte me ne të rinjtë”.
Në një rast tjetër, kur erdhi komandant i regjimentit të aviacionit në Rinas, Koloneli ftoi për drekë, në shtëpinë e tij dy nga pilotët më të dalluar të vitit. Ishte 1 janari i vitit 1964. Shansi atë ditë ishte me pilotët Anastas Ngjela e Çobo Skënderi. Ja si e kujton atë ditë Çobo Skënderi: “Dreka jepej në shtëpinë e tij, në Valias. Këtë nuk e bënte asnjeri. Unë kam qenë drejtues në repartet e aviacionit, por nuk e kam bërë këtë gjë. Atë ditë, në drekën e shtruar nga kolonel Niko Hoxha, ishte i pranishëm edhe vjehrri i tij, gjenerali Spiro Moisiu, ish- komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë”.
Niko Hoxha, me mençurinë dhe me shpirtin e tij të gjerë, si “melhem” që shëronte plagët e të gjithëve. Fjala e mençur e Nikos e thënë ëmbël, në një dialekt të gjuhës labe, të kulluar, nuk i linte “plagët “e atyre që kishte në vartësi apo thjesht të atyre që ndodheshin pranë tij, të mahiteshin por i shëronte e i përmirësonte. Ai njeri nuk e hidhte dëm, kollaj, fjalën. Fjala e kolonelit “ngjiste”, nuk “griste”. Në qershor të vitit 1964, kur po ngrihesha, në formacion çift, me cilësinë e komandantit të formacionit, në aerodromin e Rinasit, me aeroplanin ‘MIG’-17 F, me numër anësor 227, ndërpreva ngritjen dhe si rrjedhojë e veprimeve të ngathëta, për uljen e shpejtësisë, përfundova, në një kanal kullues, në fund të brezit të sigurisë, së bashku me avionin që pilotoja. Fati im bëri që ngjarja e jashtëzakonshme të mos përfundonte në katastrofë.
Siç doli nga analizat e mëvonshme, përvoja e pakët si fluturues dhe përgatitja e pamjaftueshme, në detaje, për atë detyrë ajrore, bënë atë që unë të lejoja gabime të rënda, të cilat për pak sa nuk më kushtuan jetën. Qëndrova në spital, një muaj dhe një muaj tjetër pushova në Konvaleshencën e Ushtrisë. Pas kësaj veprimtarie rehabilituese, u ktheva në repart. Atë kohë isha beqar e banoja në hotel. Një ditë koloneli erdhi në dhomën time e më gjeti aty, të vetëm. Siç e kërkonte disiplina ushtarake e siç ishte në edukatën time, u ngrita në këmbë dhe e përshëndeta “mysafirin” tim. Më befasoi e më mrekulloi sjellja e komandant Nikos. Ai, me një buzëqeshje të ëmbël e me ton mjaft shoqëror, më tha: “Njazi, gëzohem që të shikoj shëndoshë e mirë”!
U gjallërova, dola nga gjendja emotive që më shkaktoi ardhja e atij “gjiganti njerëzor “dhe si i zënë në faj i ktheva përshëndetjen. Nga mënyra si mu drejtua e si më përshëndeti, koloneli më bëri me dije se nuk më kishte marrë inat e nuk më mbante mëri, edhe pse kisha dëmtuar rëndë një aeroplan, për riparimin e të cilit u deshën 10 ditë e netë punë intensive nga forcat inxhiniero-teknike të regjimentit, nën drejtimin e tij. Për këto e të tjera cilësi të rralla me të cilat ishte gatuar koloneli, të cilat shfaqeshin çdo ditë e vazhdimisht, Niko Hoxhën e donin dhe e respektonin gjithë sa e njihnin atë njeri. Le ta shprehim këtë konsideratë me fjalët e një specialisti të thjeshtë, i cili ka punuar gjatë nën drejtimin e komandant Nikos, në regjimentin e “Qytetit Stalin”. Osmani, në një bisedë mes shokësh të hershëm, më tha: “Niko Hoxha ishte njeri për së mbari. Atë e kishte gatuar zoti me të gjitha të mirat. Me njerëz të tillë, hidhesh edhe në zjarr, po të jetë nevoja”.
Me të dëgjuar e kam, por nuk mund ta mbaj për vete një veprim tepër human të komandantit të regjimentit të “Qytetit Stalin”, Niko Hoxhës, në vitet e largët ’50-të të shekullit të kaluar. Ajo që do t’u tregoj, ka të bëjë me kujdesin dhe dashurinë njerëzore të kolonelit për vartësit, pavarësisht nëse ishin pilotë, teknikë, specialistë apo të tjerë njerëz që punonin pranë tij. Ndodhinë e hershme, dikush e rrëfen si të jetuar, ndonjë tjetri ia ka ënda ta dëftejë si barsoletë. Punë e tyre, nuk u futem në pjesë. Ajo që dua të theksoj me forcë, ka të bëjë me atë shpirt human e dashuri të pamat të atij njeriu, për njerëzit. Ishte koha kur mjaft kuadro, të profileve të ndryshëm ishin në moshë optimale për të krijuar familje, por jo të gjithëve u kishte buzëqeshur fati.
Një pilot i ri, i suksesshëm në detyrë e tepër simpatik, në pamjen e jashtme, ishte në siklet e nuk po “ngjiste” kollaj për t’u lidhur seriozisht me ndonjë vajzë. Kuptohet, profesioni dhe pozita shoqërore e tij, bënin që djali ynë simpatik të mos ishte fare pa pretendime lidhur me cilësitë e vajzës që synonte ta bënte nuse. Por, kandidati për dhëndër, për hir të së vërtetës nuk ishte pa të meta. Ai ishte flokërënë, e kishte kokën “zbathur”. Vajzat, kur e shikonin me kapelë në kokë, i afroheshin e miqësoheshin me të, por me ta parë pa kapelë, d.m.th., ta themi me fjalë popullore, kur i shikonin “tullën”, largoheshin prej tij, sikur të kishte sëmundje ngjitëse. Hall i madh e kishte gjetur kolegun tonë. Kishte bërë disa herë tentativa, por kishte dalë “bosh”.
Telashi nuk kishte mbetur vetëm tek ai, e vuante i gjithë efektivi i regjimentit të “Qytetit Stalin”, e përjetonte i shqetësuar edhe koloneli. E mendoi thellë “gjënë” komandant Niko dhe e gjeti zgjidhjen. E thirri pilotin beqar, në zyrë e i tha: “Do të nisesh me leje, shko ku të duash e ktheu kur të kesh kryer punë, por në repart dua të të shikoj të më vish, me nuse”. Oficeri zbatoi urdhrin e komandantit dhe e gjeti nusen. Në këtë rast, si përherë koloneli gjykoi e veproi si prind i mirë. Ka të ngjarë që mbasi të kenë kaluar shumë vite të tjerë e brezi i Nikosa po ne, nxënësit e tij të mos jemi më në jetë, edhe rrëfimet tona, ashtu do të tregohen, si barsoleta e si anekdota.
Pak biografi, kush ishte kolonel Niko Selman Hoxha?
E kam thënë qysh në krye të herës se nuk jam biograf dhe se e kam mjaft të vështirë të hedh në letër tërë ato gjëra që duhet thënë për atë gjigant të aviacionit shqiptar. Të afërm, bashkëkohës të Nikos dhe njerëz të thjeshtë që kanë jetuar pranë tij, më kanë dhënë një ndihmë të vyer për ta bërë këtë punë. Mund të themi se pa një përshkrim të shkurtër biografik të heroit dhe jetës së tij, doemos që do të ishte e paplotë kjo “monografi” modeste. “Udhëtimin” tim, për këto radhë e nisa nga Vlora, vendlindja e heroit tonë. Krejt rastësisht, në gjysmën e qershorit të këtij viti, shkova për pushime e u vendosa në shtëpinë e mbesës të Niko Hoxhës, gjashtëdhjetëvjeçares Nurhan.
Një emër i rrallë, mjaft domethënës e i rrallë njëkohësisht. Ajo është e bija e Sinan Xhuvelit, nga Tragjasi i Vlorës. Nënën e saj, koloneli e kishte vajzë xhaxhai, por, meqenëse ajo ishte rritur në shtëpinë e Selman Hoxhës, Niko e ka trajtuar si motër.
Nurhana u lumturua kur mësoi se unë kam qenë pilot dhe më rrëfeu gjëra që unë nuk i dija, për fëmijërinë dhe adoleshencën e heroit tonë, të cilin ajo, në çdo rast e quante dajë. Gruaja fisnike labe, më emocionoi e më impresionoi mjaft, kur më rrëfeu një të fshehtë të saj, të cilën ajo e ruante me fanatizëm. Rrëfimi i saj ka të bëjë me një amanet qe i ka lënë e ëma, para se të largohej nga jeta. “Po të takosh shokë të Nikos, i kishte thënë e ëma, do ti mbash në pëllëmbë të dorës”.
Një obligim i qenësishëm ky për Nurhanën por dhe një detyrim i madh për mua që kam vendosur të shkruaj diçka për kolonelin. Kjo shtysë më nevojitej për të nisur nga puna dhe ajo më erdhi papritur. Në ditët që pasuan, me ngutësi shkrova diçka për heroin dhe ia lexova fisnikes labe, burrit të saj, Bardhoshit dhe djalit të tyre njëzetvjeçar, Oltit. Teksa lexoja atë pjesë të shkrimit, në prani të tre miqve të mi të rinj, vura re se Nurhana u bë “sy e veshë”, Bardhoshi tregohej disi i mënjanuar por jo i pa interesuar. Nuk bëhet fjalë për djalin e tyre, i cili vetëm sa ka dëgjuar për dajën e nënës së tij. I dhashë fjalën asaj gruaje kapedane se do ta shpejtoj shkrimin kushtuar dajës së saj dhe se një kopje të tij do t’ia përcjell patjetër. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm