Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tridhjetegjashtë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– Në fillim të pimë kafen rehat, pastaj llafosemi…”, -tha kryetari i Komitetit me ton të rënde autoritar. – “Klubi ynë bënë kafe më te mirë se klubi i Komitetit të Partisë”.
– “Unë me shokët e mi zakonisht, e pimë kafen në lokalin ‘Lushnja’. Por për kafen tuaj kam dëgjuar…”, – ia ktheu shefi i Degës Ushtarake, pa dashur të bëjë krahasime mes dy klubeve.
– “Urdhrin për të hapur klubin në hapësirën tonë të Komitetit Ekzekutiv e dhashë unë, që nëpunësit e këtushëm te mos sorollaten lart e poshtë nëpër lokale të tjerë, ku harxhojnë orë të tëra me muhabete e thashetheme”, – shtoi me kapardisje kryetari, duke rrufitur një gllënjkë nga filxhani i kafes, që pruri këtë çast kamerierja.
– “Besoj e ke vënë re që në klub s’ka as tryeza e as karrige për t’u ulur. Mungesa e tyre i disiplinon nëpunësit, u thotë: e shumta pesë minuta në këmbë dhe rikthehuni sa më parë në punë, s’ ka kohe për pëshpëritje dhe muhabete boshe. Disiplina vendoset nëpërmjet rregullave të forta. Ju, si ushtarak, këtë e dini më mirë se civilët. E, të pëlqeu kafja? Banakieri ynë e qan me lot: gjëkundi nuk gjen kafe me ajkë si kjo!
Nuk e teproj të them, se ia kalon dhe Shtëpisë së Pritjes! Ndaj shumë rrallë shkoj atje, vetëm kur vjen ndonjë shef i madh nga Tirana. Sepse punët e shumta dhe telashet e përditshme, nuk na lënë kohë të bisedojmë lirshëm, si këtë çast. Besoj që ju të Degës Ushtarake, duke i patur detyrat më të ngjeshura e më të përmbledhura, se sektorët e tjerë, nuk keni të drejtë te ankoheni për mosrealizim plani.
Shmangiet sado të vogla ndodhin vetëm nëse vartësit tuaj tregohen më pak të kujdesshëm. Nga raportimet tuaja paraqiten dy raste të thyerjes së disiplinës: aty këtu bëhet një sy qorr e një vesh i shurdhet, nuk thirret nën armë në kohën e duhur rekruti, të joshur nga ryshfeti. Ose shtyhen me synime të caktuara afatet e përcaktuara nga Ministria e Mbrojtjes, kur prindërit kanë pretendime t’i dërgojnë djemtë në reparte me emër të dëgjuar dhe pranojnë të rrinë një vit në shtëpi, derisa të vijë kërkesa. Por ka një kategori rekrutësh, që ju i kushtoni fare pak rëndësi e vëmendje, sepse këta dhe familjet e tyre, nuk kanë asnjë përzgjedhje, pasi dihet që do shkojnë në repartet ushtarake të punës ose ne NBU, si quhen këto kohët e fundit. Sipas raportimeve, pikërisht në këtë drejtim çalon disi puna juaj, shoku shef dhe kjo ju vë përpara përgjegjësisë e ju rëndon me faj. Sepse papërgjegjshmëria ndaj kësaj kategorie rekrutësh, çon në gabim fatal, që dënohet nga kodi penal, duke i lënë disa kokrra tek-tuk në harresë, deri në moshën 27 vjeçare, kufiri i fundit që lejon ligji i thirrjes nën armë dhe nga kjo shpërfillje e pafalshme, rekruti i shpëton shërbimit të detyruar ushtarak.
Sidomos për individë të deklasuar të shoqërisë, bij kulakësh, djem nga familje me biografi blozë, të cilët edhe sot e kësaj dite, i kanë baballarët në shërbimet e fshehta kundër pushtetit tonë popullor ose, kanë ardhur nga Tirana në rrethin tonë, si të dënuar nga Komisioni Qeveritar i Dëbim-Internimeve, faji ndaj jush merr përmasat më ekstreme. Sipas raportimeve, kjo kategori rekrutësh, thërritet nën armë në pranverë. Apo me kanë njoftuar gabim”?
– “Jeni shumë i saktë, shoku kryetar. Vërejtjet tuaja janë të gjitha me vend. Ndjehemi borxhlinj ndaj pushtetit vendor dhe personalisht ndaj Jush, që e njihni kaq hollësisht gjendjen e Degës sonë Ushtarake dhe me vërejtjet e çmuara, na jepni udhëzime si të rritim vigjilencën revolucionare, sidomos ndaj rekrutëve të deklasuar. Në qoftë se vartësve të mi, u ka shpëtuar ndonjë emër konkret nga kjo kategori, do t’ju jemi shumë mirënjohës, të na e vini në dukje, që të bëjmë korrigjimin e duhur…”, – foli me një frymë nënkoloneli, i zbehtë në fytyrë dhe i bërë qull në djersë, nga përfytyrimi i kodit penal, duke pritur me ankth gabimin e rëndë.
– “Si drejtues i pushtetit vendor në rreth, shqyrtoj të gjitha problemet, përfshirë dhe ato ushtarake e të sigurisë. Jo më kot kam disa këshilltarë rrogëtarë, që paguhen për të ndjekur çdo fushë dhe raportojnë herë pas here. Po të bej një pyetje: e ka rrokur vëmendja dhe syri juaj, udhëzimin e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili thotë se; studentët që kanë ndjekur studimet në Bashkimin Sovjetik, janë të detyruar të thirren nën armë, jo në kurse trajnimi 6 mujorë, si studentët e Universitetit tonë, për të marrë dëshminë e oficerit rezervë, por njësoj si rekrutët e zakonshëm, sepse këtyre nuk u njihet edukata ushtarake që kanë mësuar gjatë dy viteve të para, ngaqë këto njohuri i përkasin Forcave të Armatosura të Traktatit të Varshavës? Kemi në rrethin tonë raste të tillë”?… – dhe kryetari i pushtetit, e gozhdoi me vështrim të sertë.
– “Jam në dijeni se kemi patur dy raste të studentëve mbetës, të cilët janë thirrur nën armë sipas ligjit…”!
– “E kam fjalën për një rast krejt të veçantë, që ndryshon nga gjithë të tjerët, sepse para së gjithash, bënë pjesë tek të deklasuarit. Edhe sikur dikush t’i ketë kryer studimet universitare, por më pas është damkosur me këtë nofkë, pa i mbushur 27 vjeç, udhëzimi i posaçëm urdhëron të kryhet shërbimi i detyruar ushtarak në NBU, si vazhdimësi e dënimit të caktuara nga Komisioni Qeveritar i Internim-Dëbimeve. Jam i saktë me ligjet dhe udhëzimet ushtarake”? – pyeti kryetari.
– “Do ta shikojmë me përparësi këtë rast. E ndjej për detyrë t’ ju shpreh mirënjohjen e gjithë oficerëve dhe nënoficerëve të Degës tonë Ushtarake, për këtë ndihmesë të çmuar! Pas dy ditëve, do t’ju raportoj personalisht, për rekrutët e rinj, që do thirren në pranverë për të shërbyer në NBU-të, ku vështirësitë e terrenit janë mjaft të ashpra dhe ndjehet nevoja për fuqi punëtore.
NBU-të janë hapur enkas nga prapavija e Ministrisë së Mbrojtjes, për rekrutët me njolla në biografi, sepse kanë leverdi të madhe ekonomike, prodhojnë patate dhe fasule, produkte me vlera të larta ushqimore, që janë baza e ushqimit për ushtrinë tonë. Nëse s’keni gjë tjetër për të shtuar, shoku kryetar, më lejoni të largohem? Ju falënderoj për këshillat e dhëna dhe pritjen e ngrohtë”!…- dhe nënkoloneli u ngrit në këmbë, me qëndrim gatitu.
– “Telashet e shumta të detyrës, nuk më japin mundësi për një takim të dytë, si ky i tanishmi. Prandaj do informoni ndihmësin tim. Ose më shkurt dhe më mirë, më telefononi sa për të raportuar veprimet e kryera, që lidhen me udhëzimin e fundit të Ministrisë të Mbrojtjes, dhe konkretisht, nëse i deklasuari që kam unë parasysh, do të inkuadrohet në grupin e rekrutëve të pranverës, të caktuar për të vajtur në NBU”.
– “Jam nën shërbimin tuaj, shoku kryetar”!
Nënkoloneli vuri kasketën në kokë, nderoi ushtarakisht me grusht, bëri një prapaktheu të shkathët dhe doli nga kabineti me një lehtësim të ndjeshëm të peshës ndrydhëse. Në kthinën e pritjes, futi “Beretën” në këllëfin e meshintë, përshëndeti me përkulje koke ndihmësin dhe u largua pothuaj tërësisht i çliruar nga makthet e panumërt, të cilët e brejtën përbrenda me orë të tëra, nga çasti kur kryetari i Komitetit Ekzekutiv, e ftoi të pinin bashkë kafe.
Pikërisht kur kryetari i Komitetit Ekzekutiv, përmendi udhëzimin e Ministrisë së Mbrojtjes (për përjashtimin nga kursi 6 mujor ushtarak të studentëve që përvetësuan programin e forcave të armatosura sovjetike, sidomos të atyre individëve me “fshikje e gërvishtje” në biografi, të cilët s’i plotësojnë kushtet klasore të marrin gradën e oficerit rezervë), ai e nuhati ku donte te dilte dhe se ftesa për të pirë kafe bashkë në kabinetin e tij, kishte si qëllim të vetëm, ta urdhëronte tërthorazi të përmbushë këtë kërkesë, pa u marrë vesh nga të tjerët, veçanërisht të bëjë kujdes, mos del ky sekret nga Dega Ushtarake dhe dikush njofton ndihmësin e sekretarit të parë.
(Si të gjithë shefat e tjerë me njëfarë peshe në hierarkinë e pushtetit, edhe nënkoloneli kishte dijeni për fërkimet ndërmjet kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe shefit të madh të Partisë në rreth, për shkak të qëndrimeve të kundërta ndaj ish-gazetarit të Radio-difuzionit. Se kryetari i pushtetit më sheh me sy armiqësorë, cilësohem prej tij i deklasuar, ndaj duhet të trajtohem i tillë. Përkundrazi, sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, i udhëhequr nga parime njerëzore, bën çmos për të më futur në rrjedhën normale të jetës, duke i shpjeguar e argumentuar plotësisht vendimet dhe veprimet, që të mos kundërshtohen as këtu në Byronë e rrethit e, as në organet më të larta, në kryeqytet).
Nëse qëndrimi i tij ndaj ish-gazetarit të Radio-difuzionit, do kushtëzohej drejtpërdrejt nga autoriteti dhe fuqia e postit, si shef i Degës Ushtarake, ky do vepronte ndryshe. Sepse mjaftonin peripecitë e llahtarshme që hoqën bashkë me nënën e motrën gjatë tre viteve në kasollen e lopës, përveç punës aq rëndë të hamallit, sa të mos bëhet shkaktar i shtimit të vuajtjeve. Ndaj duke ecur, filloi t’i rëndohej pesha e mëkatit, ngaqë detyrohej ta kryente një veprim kundër bindjes e dëshirës, në një çast mjaft të rëndësishëm për ish-gazetarin, kur këtij sapo ka filluar t’i buzëqeshë kthesa e mbarë dhe falë kësaj kthese, së shpejti fejohet me vajzën e zemrës.
Duke e parë këtë synim nëpërmjet këndvështrimit të moralshëm, i dukej tejet e turpshme dhe cinike këmbëngulja e kryetarit të pushtetit, në pragun e përmirësimit të jetesës së vështirë, ndaj vetvetiu i lindi pyetja: pse drejtuesi i pushtetit, nuk u kujtua për këtë ndëshkim gjatë këtyre tre viteve?!… Po sikur të mos kish ndodhur kërleshja e dy qëndrimeve të kundërta mes drejtuesve kryesorë në rreth, ndaj të njëjtit objektiv, do kujtohej vallë kryetari i Komitetit Ekzekutiv, për një hamall karburanti, i cili robërohet nga mëngjesi gjer në terr, për të nxjerrë kafshatën e bukës?…
Përse ky mllef kaq i egër ndaj ish-gazetarit, i cili ka punuar me përkushtim e devotshmëri në institucionin e rëndësishëm të Radio-difuzionit? Mos ndoshta ky qëndrim kaq i vrazhdë e aspak njerëzor, e ka zanafillën tek inati i dikurshëm, ndoshta ka patur fërkim mendimesh me kryetarin e familjes për çështje parimore dhe tani erdhi rasti të vjellë vrerin mbi të birin?… Nëse dikush në Komitetin Ekzekutiv, do kujtohej për këtë çështje para dy vjetëve, duke i thënë të thërriste nën armë ish-gazetarin e ardhur me dënim nga Tirana, nënkolonelit përgjithësisht do t’i dukej kërkesë pak a shumë e çiltër dhe arsyeshme, sepse po i vë në dukje diçka që këtij nuk i shkon ndërmend, ngaqë deri atë çast, s’ka patur ngacmime.
Kurse kështu si ndodhi, ish-gazetari u vu krejt befas në epiqendër të një diskutimi të ashpër të luftës klasore, u bë mollë sherri mes drejtuesve kryesorë të rrethit, u shprehën dy qëndrime diametralisht të kundërt, ku u zbulua fare hapur sedra e sëmurë e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, i cili jo vetëm nuk e pranoi këndvështrimin e sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, përkundrazi u shpreh si kundërshtar i rreptë hakmarrës, përdori gjithfarë marifetesh të mos përmbushen synimet fyese dhe poshtëruese të këtij mendjemadhi. Kryetari i ekzekutivit, s’duronte dot të trajtohej lufta klasore në pushtetin popullor, nëpërmjet prizmit me ngjyrime liberale.
Dhe kurrsesi nuk do lejonte të hidhej baltë e pluhur mbi autoritetin e pacenuar si kryetar pushteti! Sidomos xhindosja e tij mori përmasat e tërbimit, kur sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, përdori veton absolute, ia hoqi të drejtën e punësimit dhe strehimit për ish-gazetarin e Radio-difuzionit, i mori vetë përsipër, duke i vënë kapak betoni ndërhyrjes së pushtetit. Kulmi i arrogancës u shfaq kundër kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, kur mori vendimin e emërimit në arsim, duke përdorur klauzolat personale si drejtues i tërë veprimtarisë politike e shoqërore të rrethit. Në qoftë se rivendosja e sedrës së fyer, nuk do të bëhej synim i përditshëm, autoriteti i tij tek vartësit, do binte ndjeshëm.
Gjetja e kësaj mundësie për t’u hakmarrë, nëpërmjet Degës Ushtarake, edhe pse nuk e rrëzonte vendimin e emërimit në arsim të hamallit të karburantit, të paktën e shtynte dy vjet, kohë e mjaftueshme për të sajuar kurthe e intriga për të shpërbërë qëndrimin e mëparshëm, duke shpresuar që sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, transferohet në një rreth tjetër. Edhe sikur të hamendësohet e kundërta, se transferimi mund t’i vijë këtij më shpejt, shanset për të shijuar frutat e tanishme të hakmarrjes janë të sigurta, për shkak të kohës së pjekjes shumë të shkurtër. Kështu që kryetari i Komitetit Ekzekutiv, prapë do ndjehet i lumturuar që mori shpagim ndaj mendjemadhit me bindje liberale, për më tepër përdori një formë të kamufluar hakmarrje, mbështetur tërësisht mbi ligje e udhëzime qeveritare.
Me të mbërritur në Degën Ushtarake, nënkoloneli thirri sekretarin e tij, kapter Engjellin dhe e porositi të bëjë gati listën e rekrutëve të prapambetur, sidomos të atyre që janë në kufirin e fundit të moshës.
– “Këtu do të kesh parasysh edhe ndonjë tek-tuk me arsim të lartë, i ardhur nga Tirana, jo si i transferuar, por me vendim të Komisionit Qeveritar të Internim-Dëbimeve”.
– “E keni fjalën për kontingjentin e rekrutëve të NBU-së”? – pyeti kapteri.
– “Për të mos patur një ndarje të dukshme klasore, rekrutët e tanishëm, nuk do të jenë vetëm ata me biografi të njollosur. Në lista do të futësh dhe disa arsimtarë me institut dyvjeçar, përfshirë dhe kandidatë për anëtarë Partie apo komunistë, pasi këta janë të domosdoshëm, për të forcuar organizatën bazë të Partisë në NBU, si dhe do drejtojnë Komitetin e Rinisë të repartit. Nesër lista duhet të jetë gati e plotësuar me të gjitha karakteristikat”.
– “Po për ndonjë rast të veçantë, ku kam paqartësi”? – pyeti sekretari.
– “Aty ku ke paqartësi, do vësh pikëpyetje. Por sidomos kujdes me moshën e rekrutëve të prapambetur, që janë në kufirin 27 vjet. Përndryshe do bredhim nëpër gjyqe. U morëm vesh”?
Kapteri nderoi me grusht dhe shkoi në kthinën e tij të përmbushte urdhrin e shefit. Nga mënyra si ia parashtroi detyrën nënkoloneli, duke e ditur që po kthehej nga takimi me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, e nuhati menjëherë ku rreh çekani, se këtë radhë do të përfshihen në lista, inxhinieri i naftës, bashkë me ish-gazetarin e Radio-difuzionit, i cili kishte ardhur para tre viteve nga Tirana, si i internuar. Nuk e vinte në mëdyshje që urdhri për futjen e tyre në listën e rekrutëve, për kontingjentin e NBU-së, me siguri e ka dhënë kryetari i pushtetit, ndoshta nën shtysën e dikujt, apo të një shkresë e posaçme dhe enkas për këtë, e thërriti nënkolonelin në kabinet, që t’i japë udhëzimet si duhet të veprojë.
Ndjeu keqardhje që do t’i jepte ish-gazetarit kumtin e hidhur për shërbimin e detyruar ushtarak, pikërisht kur koha e lirë këtij i duhet si ajri, që të shijojë sa më këndshëm fejesën. Por ishte krejt i pafuqishëm ta ndihmonte, të paktën t’ia shtynte thirrjen disa muaj (gjë që do ta bënte me vullnet e dëshirë, po t’i lihej sadopak hapësirë dhe urdhri të mos kishte përmasat e formës së prerë). Ndodhej në gjendjen më të vështirë, sepse i dukej vetja si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në kurthin e ngritur kundër ish-gazetarit, ndaj do t’i vinte shumë turp ta shihte drejt ne sy.
Megjithatë shpresonte tek nuhatja e ish-gazetarit, se ky patjetër do ta kuptonte në ç’siklet të madh gjendet sekretari i Degës Ushtarake, i detyruar të përmbushë urdhrat e formës se prerë te eprorit, pa i dhënë asnjë mundësi të bëjë ndërhyrje. Fundja do t’ia shpjegonte se ky rast, futej tek përjashtimet e rralla, kur dhe vetë nënkoloneli ndjehet i pafuqishëm të ndihmojë mikun e afërt, e jo pastaj t’i shkojë mendja kapterit, për t’i kërkuar këtij një lëshim, shtyrjen e afatit deri në thirrjen tjetër, aq më tepër kur shqetësimi kryesor lidhet me kufirin e fundit të moshës. E shumta që mund të bëjë, është të vërë në dijeni ndihmësin e sekretarit të Parë të Komitetit te Partisë, meqë ka shoqëri me të, duke shpresuar se ky do gjejë mënyrën t’ia tejçojë këtë kumt delikat shefit të tij dhe ndoshta mund të bëhet një përpjekje, ndonëse barriera e limitit skajor pengon çdo ndërhyrje.
Përfundimisht, si sekretar i Degës Ushtarake, ka në dorë vetëm një detyrim shoqëror: të njoftoje gojarisht të njohurin e tij, ish-gazetarin, pasi listës t’i jepet miratimi i titullarëve, që të marre masat e duhura brenda kësaj kohe të shkurtër, duke patur parasysh se do shkëputet dy vjet nga trungu familjar dhe se hendeku i thellë kohor pas fejesës, shkakton dhe shkaktojë tronditje të rënde shpirtërore, përveç shqetësimit kryesor të mbijetesës, si do t’i shtyjnë ditët dhe netët nëna me motrën, gjatë mungesës së tij të gjatë…?! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016