Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetetetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Në shumicën e rasteve, mëndje ngushtësia qëndron krah për krah me shpirt-ligësinë, dhe të dyja bashkë, formojnë simbiozën e të keqes. Por ka dhe raste kur simbioza formohet nga dy të kundërta ekstreme, kur në të njëjtin organizëm ndodhen mëndja pjellore dhe shpirti i skëterrshëm, një aliazh tmerrësisht i frikshëm, i cili shkakton herë pas here ciklone! Mjerë kujt i rastis shansi të përfshihet në këto vorbulla!
Sepse ka raste kur natyrat njerëzore paraqiten si larmi tronditëse, sa të mençura kaq dhe të mbrapshta, dhe rreziku që bartin shkakton drama të thella, deri tragjedi tek individë të veçantë. Më duket aspak njerëzore dhe etike, që një kategori krijuesish, të cilëve u buzëqesh fati të bëjnë karrierë, kanë urrejtje patologjike ndaj pjesës tjetër të talentuar, të cilët për të shpalosur aftësitë, janë të detyruar t’i nënshtrohen me parë tekave të elitës. Kjo dukuri kaq e frikshme, shfaqet edhe në politike.
Por këtu mjetet e asgjësimit janë më të bollshme e të mundshme, se në fushat e tjera, ndaj sajohen e priten më shpesh koka turku. Ti pate fatin e keq qe u godite nga cunami në moshën e lulëzimit. Kushdo që qerthullohet me këto kushte, bënë përpjekje të sigurojë mbijetesën. Fatmirësisht, ti ke një mjet vetjak të natyrshëm dobiprurës, i cili do të shërbeje për një kohë të gjatë, si mjet jetese: Je ndër krijuesit shumë të rrallë letrarë, që zotëron shkencat ekzakte: matematikën, kiminë, fizikën.
Në kohën tonë, nevoja për këto disiplina vjen gjithnjë në rritje, ngaqë përhapja e arsimit të mesëm, po merr prioritet parësor. Së shpejti do hapen shkolla të mesme bujqësore e, të përgjithshme, në qendrat e kooperativave të bashkuara, si dhe në fshatrat kryesore. Por shpejtësia e përhapjes e tejkalon ndjeshëm numrin e mësuesve, për shkencat ekzakte. Duhen vite të plotësohen me kuadrin përkatës.
Pikërisht kërkesa urgjente dhe e ngutshme për mësues matematike, fizike e kimie, shërben si mbështetje kryesore, për të thyer tabunë e luftës së klasave, që Sokrat Shyti, ish-gazetar, dhe tani “i deklasuar”, të punojë si arsimtar! Sado i çuditshëm tingëllon ky vendim, mua m’u duk më i arsyeshmi, ndaj e mora sipas të drejtës që më jep detyra e lartë, pa mbledhur Byronë e rrethit.
Kur njoftova shefin e Seksionit të Arsimit për vendimin tim, ky çuditërisht shfaqi entuziazëm dhe theksoi se; Sokratin e njoh mirë që në gjimnazin e Shkodrës, sepse kur u emërova mësues atje, ishte maturant i shkëlqyer. U zgjata më shumë me sihariqin e dytë, për të treguar si na vjen në ndihmë, pikërisht aftësia e natyrshme, dikur e padëshiruar, kundër së cilës janë bërë përpjekje për ta shmangur.
Jam në dijeni, sipas rrëfimit të ish-ambasadorit tonë në Moskë, se ti ke patur prirje për shkencat ekzakte, krahas aftësisë natyrore për aktivitete artistike. Ish-ambasadori më tregoi një sekret: ke patur propozim nga drejtuesit e Universitetit ‘Lomonosov’, për të vazhduar më tej studimet aty, me perspektivën për t’u bërë shkencëtar, kur u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike e shtetërore, me Bashkimin Sovjetik.
Por ti nuk pranove, pasi të tërhoqën në vendin tonë ndjenja e fortë familjare dhe atdhedashuria, veçori që sot të nderon. Pas trajtimit çnjerëzor në kasollen e lopës për tre vjet rresht, punësimi në arsim, do ta ngrejë figurën tënde morale dhe dinjitetin e familjes, dhe do të fusin në grupin e intelektualëve të fshatit. Ndërkaq do shërbeje si ndihmesë e madhe për të përballuar më lehtë nevojat ekonomike me pagën bazë, duke patur parasysh që pas njëfarë kohe bashkëshortja juaj, do punojë në të njëjtin sektor.
Në Vendimin e Komisionit Qeveritar, më ra në sy dhe diçka tjetër, që më dëshpëroi: mungesa e kohës së dënimit! Ishte e njëjta gjë sikur të shkruhej: internim ose dëbim i përjetshëm! Kështu ma shpjeguan dy anëtarët e komisionit kur i pyeta”.
– “Domethënë për mua, s’ ka rikthim në Tirane”?!… pyeta me zë të drithëruar.
– “Sipas meje, ekziston një lidhje misterioze, mes pjesës së pashkruar të vendimit, dërgimit tuaj në kasollen e lopës dhe mospërcaktimit të kohës së dënimit. Të dy këto fakte të çojnë tek përfundimi logjik, se shpresa për kthimin tuaj, do mbetet vetëm në përfytyrim, si dëshirë. Sepse edhe sikur të dale fare rastësisht një funksionar me peshë, dashamirës ndaj teje, i gatshëm të bëjë shkresat për të të tërhequr në Tiranë, nuk të lejojnë ligjet tona, pasi pa miratimin e rrethit, nuk kryhet asnjë lëvizje dhe nga pasuesit e mi, s’ke për të patur asnjë përkrahje.
Me këtë dua të them se, me kalimin e kohës, ti do të bëhesh banor vendas, me familjen tënde. Prej meje do të gëzosh vetëm te drejtën për te punuar në arsim. Por kjo ‘mirësi’, do shoqërohet me një dhimbje të përhershme: nuk do kesh mundësi të shkruash për shkak të mbingarkesës javore, e cila mund të shkojë deri në 60 orë, trefish të normës, 6 orë paradite dhe 4 orë pasdite!
Do kesh 10 përgatitje, një për çdo lënde, pasi shkollat e mesme janë të vogla, s’kanë paralele dhe t’i do japësh të gjitha disiplinat ekzakte, përfshire dhe gjuhën e huaj, rusisht! Do të duhet çdo ditë të shkruash e pakta 30 faqe ditar, 3 faqe për secilën lëndë! Dhe këto nuk janë fraza e fjali të thjeshta, por problema, ushtrime, arsyetime të vështira.
Përveç kësaj, do të jesh vazhdimisht nën presionin e vazhdueshëm e mjaft të ashpër të organizatës bazë, kryesisht për boshtin ideologjik, pasi nga ana shkencore, janë mediokër të plotë. Krejt natyrshëm do jesh orë e çast, në shënjestër të kurtheve e intrigave. Prandaj bëj çmos të fitosh simpatinë e drejtuesve kryesorë të pushtetit vendor. Pasi këta janë përçuesit më kryesorë të vijës së Partisë në bazë dhe fjala e tyre ka peshë.
I përmenda të gjitha këto hollësi, që t’i kesh parasysh dhe të ndërgjegjësohesh se; “privilegji” për të punuar në arsim, bart me vete një kosto shumë të lartë: do marrësh vetëm një pagë, duke përballuar trefishin e normës javore! Dhe akoma më e rëndësishme për një shkrimtar: kjo punë e tej-ngarkuar, të privon nga pasioni për të shkruar, sepse të mungon koha e të sfilit lodhja mendore.
Por duke mos patur mundësi tjetër zgjidhjeje, pasi edhe kjo që po të jepet, vlerësohet si privilegj i jashtëzakonshëm, je i detyruar ta pranosh për të siguruar mbijetesën vetjake dhe të familjes. Sigurisht nuk jam i kënaqur nga vetja për zgjidhjen e gjetur. E kuptoj dhe e ndjej çfarë do të thotë për një shkrimtar, t’i privosh mundësinë për të shkruajtur: njësoj sikur i pakëson oksigjenin në ajrin që thith. Dhe pavarësisht që disa drejtues burokratë në rrethin tonë, e quajnë vendimin tim për ty, mjaft të guximshëm, “zbutje të luftës klasore”, (duke qenë i tillë, më rrezikon karrierën), unë prapë jam i pakënaqur.
Po të gjeja një mundësi praktike më të përshtatshme, që thith nga truri yt me pak energji dhe të jep kohë t’i përkushtohesh letërsisë, do pranoja të merrja mbi vete një risk akoma më të madh”.
Mbeta i shtangur nga madhështia e këtij zotimi të pazakonte, të cilin edhe pse e dëgjova me veshët e mi, me dukej sikur ky premtim, erdhi nga lartësitë qiellore, si jehonë e shpirtit të pastër njerëzor, që përhapet në hapësirë për t’i dhënë zemër njerëzve të dëshpëruar! Po të më kish thënë dikush se, sekretari i parë i Komitetit të Partisë në rrethin X, më priti me ngrohtësi në kabinetin e tij, dhe pasi më dëgjoi me shumë vëmendje, në fund me dha shpresë për ta zgjidhur çështjen, mua do më tingëllonte si trillim fantazie apo, sajese e qëllimshme, që shpërndahet enkas nën shtysën e propagandës.
(Ndoshta dhe disa lexuesve të këtij libri, mund t’i shfaqet i njëjti mosbesim, apo mëdyshje, ndaj pyesin veten: ka patur në vendin tonë shefa komunistë me vizione kaq liberale, që e ndjejnë thellë shpirtin tragjik të një të pafajshmi, vënë ne përdorim shtysën e brendshme njerëzore, që ndriçohet nga ylberi?!
Duke patur parasysh që në letërsinë e Realizmit Socialist, janë paraqitur personazhet të ndarë në dy grupime: pozitivet, që vishen me virtyte të jashtëzakonshme, të gatshëm për çdo sakrificë e vetëmohim, që vënë interesin e përgjithshëm mbi gjithçka, udhëhiqen për çdo mendim dhe veprim nga ideologjia dritëdhënëse e Partisë! Ndërsa negativët, përshkruhen si pjellat e Djallit, me njëmijë e një mëkate, pa din e pa iman, të prirë nga shpirtligësia, të hurit e të litarit!
Dhe mes këtyre gëlojnë parakët, pa bosht kurrizor, të cilët herë përdoren si vegla qorre nga demonët, bien pre të mashtrimit, kryejnë mëkate pa e kuptuar veprimin. Dhe vetëm kur kthjellohen nga shpjegimet e propagandistëve komunistë, pendohen, pranojnë që janë treguar të mefshtë, nuk e kanë përballuar dot tundimin e ryshfetit. Në këtë letërsi mungojnë intelektualët e dyzuar, me bindje vetjake të ndryshme nga ideologjia e Partisë në pushtet, sepse në fillesat e para i tërhoqi me pjesën e ndriçuar të Hënës, ndërsa më vonë, kur i futi në kurth, u ndjenë tejet të zhgënjyer, të qerthulluar me terrin e mashtrimit!
Dhe për të pastruar një pjesë të ndërgjegjes të kapur në lak, kur u jepet mundësia reale, kryejnë me forcën e pa infektuar të shpirtit, disa veprime njerëzore, të cilat bien ndesh me “parimet” themelore të pjesës se errët, marrin vendime të guximshme, duken të pabesueshëm, ngaqë lexuesit i shohin njerëzit dhe ngjarjet, vetëm bardhe e zi).
Por një shkrimtari dinjitoz me bosht kurrizor, nuk i lejohet t’i shtrembërojë faktet dhe ngjarjet, pse nuk i pranon botëkuptimi parak. Personazhet dhe njerëzit gjithnjë duhet të përshkruhen siç janë në të vërtete, me të gjithë veçoritë e tyre, të mirat dhe dobësitë. Sepse pikërisht, ndryshimet e veçorive dhe karaktereve njerëzore, shpjegojnë pse ndodhin kthesa të befasishme në rrjedhën e jetës për disa individë, të cilët fati i fut në shtjellat e tmerrshme të cunameve e tornadove, dhe nuk dihet si përfundojnë: i shpëtojnë pritat mbrojtëse, apo i përpin honi i vrimave të zeza”?!
Gjatë rrugës së kthimit për në shtëpinë e saj, ajo nuk e hapi fare gojën, sepse vazhdonte të përjetonte atë çfarë ndodhi: i dukej si ëndërr takimi dhe bashkëbisedimi me vjehrrën! Para se të vinte e përfytyronte një mundësi mjaft të vështirë, se cilës nuk i dihet përfundimi. Ndërsa tashme, jo vetëm nuk e vinte në mëdyshje, por e quante sukses befasues, kthesën e mbarë që mori biseda pas parashtrimit të gjendjes së dy familjeve, nga nëna Anë. Nuk i shkonte ndërmend dhe s’mund ta besonte, se do dëgjonte një mirëkuptim kaq të ngrohte nga vjehrra.
Përkundrazi, i trembej një keqkuptimi drithërues, mos ndoshta nën shtysën e ndonjë mllefi të brendshëm, nëna Anë derdhte një ankese të sertë kundër njerëzve të saj, pse këta i shqyrtuan të njëanshme çështjen dhe hallin e përbashkët, kur kjo gjë u përkiste njëkohësisht dy familjeve. Përveç kësaj, e frikësonte shpërthimi i befshëm i kunatës beqare, e cila me siguri do ta ndjente veten të fyer që vëllai e hidhte këtë hap, pa marrë miratimin e motrës, edhe sikur kjo të mos shprehej kundër e, ta jepte formalisht pëlqimin e saj. Sipas një gjykimi të ftohtë, edhe po të ndodhte ky shpërthim, kjo s’kishte fare të drejtë t’i mbante mëri kunatës, pasi dihet që ndjenja e xhelozie në të tilla raste, shkrep në trurin e çdo femre, në prag fejese.
Sidomos kur lidhja ngjizet me pjalmin e dashurisë, xhelozia fryhet në përmasat e perlës vezulluese, në thellësitë e oqeaneve, që u dhurohet pak çifteve. Por për hir të së vërtetës, kunata e saj mbeti e heshtur, nuk mori pjesë në bashkëbisedim, vetëm dëgjoi çfarë thoshte e ëma. S’përjashtohej mundësia të mos e ketë patur mendjen tek fejesa e vëllait, ngaqë nuk i intereson fare kjo ngjarje, ndaj qëndroi shpërfillëse.
Tek e fundit pse të përzihet në një çështje, që nuk ndikon për fatin e saj? Tjetër që, nëse do t’i kërkohej një mendim, (si të duket vajza me të cilën do fejohet vëllai yt?), dhe ajo do ta japë përshtypjen e saj. Ndërsa për rastin konkret, i dukej krejt e pakuptimtë të thoshte diçka, kur dihet që çifti dashurohet marrëzisht, dhe vajza ka kurajë e guxim të dalë kundër prindërve e farefisit, pranon kushtet më të vështira të jetesës, merr parasysh kleçkën në biografi, e cila do ta ndjek pas si hije. Ndoshta kunata beqare në këto minuta ka pyetur veten e saj: a do isha unë e gatshme, të mbaja të njëjtin qëndrim me kushtet e tmerrshme?
Sigurisht, kjo pyetje do mbetej pa përgjigje. Pasi vetëm një vajzë që dashuron me forcën dhe këmbënguljen e Arqelinit, përjeton ndjesinë e zjarrtë të vullkanit brenda shpirtit dhe vetëdijes. Dhora pranonte të kundërtën, se gjatë këtyre tre viteve të fundit, me të kishte ndodhur varfërimi i shpirtit: në vend të ndjesisë së vrullshme, iu krijua një boshllëk zhuritës dhe zbrazëtirë djerrine, që kurrë s’do gjelbërohet!! Fati i saj u stis ters që në fillim dhe i tillë do vazhdojë të tirret. Askush nuk e ndryshon dot rrjedhën e rrëmbyer të këtij fati kaq të mbrapsht!
– “Ja ku mbërritëm tek vendi ynë i takimit…”- i thashë unë, kur qëndruam tek lulishtja para shtëpisë së saj.
– “Meqë dita e sotme ndryshon nga të tjerat, unë pranova menjëherë të takohesha me mamanë dhe motrën tënde, pse të mos e provosh dhe ti, Kur një hap na ndan nga porta”? – më pyeti ajo, duke më vështruar drejt në sy. – “Je e bindur që do më pranojnë”? – ia ktheva unë
– “Ndërmjet dashnorit dhe të fejuarit, prindërit gjithnjë zgjedhin të dytin, pasi nga i fejuari një hap e ndan vajzën nga martesa, – tha ajo me zë lutës. – Prandaj s’ka kuptim të ikësh tani, pa takuar mamanë”!
– “Dakord, do ndjek shembullin tënd”! – i premtova.
– “Ec përpara”!
Sa kapërcyem portën e drunjtë dhe u gjendëm në oborrin e hijeshuar me mandarina e limona, dëgjuam nga veranda zërin qortues të nënës Ulë:
– “Po të ishit vonuar dhe pak duke pëshpëritur me njëri-tjetrin, do t’ju thërrisja prej këtu”!
– “Jam unë fajtori…”- ia ktheva unë duke ngjitur shkallët, që t’i puthja dorën. – “Ngurova një çast, për të pyetur veten…”!
– “Veten tuaj duhet ta kishit pyetur, para se t’i futeshit këtij avazi të rrezikshëm, e jo sot, që e ka marrë vesh tërë Lushnja”! – na tërhoqi të dyve vërejtjen nëna Ulë.
– “Ja që nuk e pyetëm dhe bëmë shumë mirë! – ia ktheva unë me buzëqeshje. – Merita që punët tona ecën mbarë, pavarësisht nga peripecitë e fillimit, i takon vajzës suaj, e cila me këmbëngulje përballoi një lumë të rrëmbyer me kundërshti”.
– “Tani që ia dolët mbanë, u paska ardhur goja…”?!
– “Edhe ju duhet të jeni të gëzuar, që lidhja jonë u kurorëzua me sukses”, – e ndërpreva unë. – “Nëna ime, për shembull”.
– “Prej andej po vini”?!… – pyeti mjaft habitur dhe e shqetësuar nëna Ulë. – “Paskeni qenë të dy në Kolonjë”?!
– “Jo në Kolonjë, por në shtëpinë e motrës së madhe”, – e sqarova unë. – “Meqë nëna ndodhet këtu dhe vendi ku bëjmë provat, një hap ndahet nga shtëpia e Stavrit, bëme një vizitë. Sepse na dukej krejt e pakuptimtë, të mos takojmë prindërit, kur së shpejti do dalim xhiro për krahu, si të fejuar”.
– “Domethënë e paskeni shkoqitur edhe kohën e fejesës”?!… – shtoi me ton të pakënaqur nëna Ulë.
– “Mendjet e nënave janë shumë më të thella se tonat. Ju në fillim na vini në dukje të metat, na qortoni për gabimet e bëra, na tregoni si duhet të ecim pa u nxituar, dhe na mësoni çfarë duhet të kemi parasysh”.
– “E paske brisk gojën! – tha nëna Ulë. – Prandaj ia prishe mendjen çupës time…”?!
– “Ndoshta nuk ju besohet, por dashuria jonë, e nderuara mama e Likës, lindi në heshtje, pa fjalë, nëpërmjet vështrimeve, pa premtime të bujshme dhe shprehje të ndërsjella. Si e tillë mund të quhet ndër dashuritë më të rralla e të veçanta. Për këtë duhet të jeni e bindur. Në fillim i shkëmbenim mendimet vetëm nëpërmjet shikimeve. Te dy tregonim maturi dhe kujdes, duke e ditur që na ndanin pengesa të pa kapërcyeshme, me lumenj të rrëmbyer, ndaj dhe nuk guxonim t’ia shprehnim ndjenjat njëri-tjetrit. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016