Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetegjashtë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Pak më tej, tek rruga, na priste një “Gaz” – 69 tip i vjetër, (që nga koha e Luftës së Parë Botërore, i cili shërbente si mjet lëvizje për drejtorin e SMT-së), dhe pas tij një kamion “Zis”. Në “Gaz”-in 69, përpara me shoferin, hipi kryetari i Lokalitetit, ndërsa në ndenjësen prapa, unë me shefin tim. I Plotfuqishmi u fut në kabinën e kamionit.
Kur makinat lanë xhadenë dhe u futën në rrugën e baltosur tërë gunga e gropa të fshatit Ardenicë, më ngërtheu ngërçi i makthit të krahë-marrjes: mos sjellja e butë e shefit tim dhe pritja nga dy autoritetet e Lokalitetit, shërbyen si maskim për të më ngritur kurth?!… Sepse “Gaz”-i 69 dhe “Zisi” ndaluan në sop, (pikërisht aty ku tre vjet më parë, frenoi “Ifa”, ngarkuar me plaçkat tona!).
– “Hajde çuna, hidhuni dhe përvishni krahët, që me shpejtësi rrufe dhe pa dëmtuar asgjë, të kryeni detyrën e ngarkuar”! – u dëgjua zëri i të Plotfuqishmit, sa doli nga kabina e kamionit.
Dy djem të rinj, veshur me kominoshe, kërcyen me shkathtësi nga karroceria, dhe u drejtuan tek streha jonë.
– “Çfarë po ndodh”? – pyeta me zë të ulët të Plotfuqishmin, duke patur besim që ky do më tregonte të vërtetën.
– “E mban mend çfarë të thashë ditën e parë, kur erdhe në zyrën time në Kolonjë?… Atëherë nuk isha i pranishëm, sepse s’ma mbante zemra të shihja në atë gjendje. Kurse sot, jam i gëzuar që po të heq nga kjo pocaqi!.. Nuk e merr dot me mend si e priti Dhoksa ime, kur i thashë qe ju do banoni këtej e tutje në Kolonjë: më mbuloi me të puthura, njësoj sikur kjo mirësi, po i bëhej nënës së saj!… E di si tha: ‘Kur të vijë këtu, do më lejosh ta takoj e përqafoj, si dikur”!…
– “Me gjithë pashin tim”! – ia ktheva unë i kënaqur.
“Mos u bëj fare merak për plaçkat, pasi i kam porositur çunat të kenë kujdes”,- shtoi ai kur më vërejti disi të shqetësuar.
– “Edhe pa ma thënë, e di ku të rreh mendja: si do jetë banesa e re? Ndryshon si nata me ditën me kasollen e lopës, në të gjitha drejtimet. E para, e kanë ndërtuar apostafat për të jetuar njerëz dhe jo kafshë. Tani, nëse ke merak, hidh një sy të vëmendshëm brenda kasolles, mos ka mbetur diçka, meqë dy çapkënët e mi, më raportuan se e përfunduan detyrën”.
Kur u futa, kasollja e boshatisur m’u duk si gojë e stërmadhe e një përbindëshi! Nuk më besohej që brenda saj, kishim mbijetuar tre vjet pa marrë infeksione të tmerrshme, duke e ditur që ajri dhe mjedisi, qenë tejet të ngarkuar me miliarda mikrobe e viruse! Me siguri duhet të na i ketë ruajtur e mbrojtur organet, një mrekulli hyjnore, në se me të vërtetë provohet kjo gjë pas kryerjes së analizave mjekësore!
– “Prandaj dhe njeriu cilësohet qenia më e fortë në planetin tonë”! – mendova duke u kthyer tek makinat.
– “Hidh një gur prapa, që mos t’ia shohësh kurrë bojën”!…më tha i Plotfuqishmi, kur u qasa pranë tyre.
“Gaz”-i 69 dhe kamioni i ngarkuar me plaçka u nisën ngadalë, për të shmangur gungat dhe gropat, deri sa dolën në xhadenë e asfaltuar.
– “Akoma nuk e ke marrë veten?… më pyeti me zë të ulët shefi im. – Sonte do të duket si ëndërr e bukur, kur të shtrihesh në krevat për të fjetur. E kundërta e tmerrit, që përjetove natën e parë në kasollen e lopës”.
– “As këtë çast nuk dua ta besoj, që ndaj familjes time u përdorën forma kaq të skëterrshme ndëshkimi, kur ne jemi krejt të pafajshëm”!… – i ktheva unë duke u drithëruar.
– “Ndodh që bëhen gabime të rënda nga mendje të trazuara…”, – shtoi shefi im me vështrim të zgjuar, njësoj sikur të theksonte pohimin më të rëndësishëm: “Ndizi një qiri për gjalli sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë dhe Kryetarit të Degës së Brendshme, përndryshe në kasollen e lopës do kalbeshit”!
Kamioni ndaloi para një ngrehine me një kat, me pullaz të përbashkët çatie, (me dy hyrje përpara e, dy prapa), ndërtuar me gurë të bardhë, në buzë të rrugës së fshatit Kolonjë, rreth 100 metro nga xhadeja e asfaltuar. Ngjita me kureshtje të ethshme shkallët e jashtme, që shërbenin për të rrafshuar pjerrësinë e vendit, ku qe ngritur ngrehina. Hapësira e hyrjes kishte dy kthina: një 3 me 4, (e cila do shërbente për pritje dhe fjetje), tjetra 2 me 1.5, me oxhak e vatër, që kryente rolin e kuzhinës. Në të dy kthinat kishte musëndra të futura, mjaft praktike për të sistemuar të gjitha enët e kuzhinës dhe shtresat.
Menjëherë më lindi mendimi t’i pajis musëndrat me rafte, për të rritur ndjeshëm vëllimin mbajtës. Në kuzhinë vendosëm tryezën e bukës, dollapin e ushqimeve, krevatin e nënës, sobën ekonomike pranë vatrës dhe tre karrige. Brenda musëndrës futëm të gjitha enët, nga tenxheret e tiganët, deri tek pjatat, lugët e pirunët. Ndërsa në kthinën e madhe u sistemuan komoja me dollapin e rrobave, biblioteka, një divan dhe një nim. Mbi një qilim të përdorur vumë me radhë dyshekët e jorganët, batanijet e çarçafët, si dhe të gjitha shtresat e mbulesat e tjera.
Ende më dukej e pabesueshme që pas tre vjet jetese në kasollen e lopës, gjendesha në një strehë me tavan dhe dy dritare të mëdha, një për çdo kthinë, me hollin katror dhe banjë! Befas më vërshuan në grykë emocione të vrullshme, sa gati-gati desh u ngashëreva. Për të fshehur këtë çast dobësie nga sytë e dy djemve, të cilët rrinin pranë meje, për ndonjë urdhëratë të çastit, u futa dhe ndenja në musëndër, gjersa më kaloi kjo gjendje. Pastaj, kur e mblodha veten, dola jashtë të shihja çfarë bënin shoqëruesit e mi. Por këta kishin ikur!
– “Ku shkuan”? – pyeta unë dy djemtë.
– “Me siguri në klub, – u përgjigj njëri. – Çelësat e shtëpisë na i la neve kryetari i Lokalitetit. Prandaj kur të mbaroni punë, e mbyllni dhe mund të shkoni në klub t’u bëni shoqëri”.
– “Hajde shkojmë të tre! – u thashë unë. -Ju takon një qerasje”.
– “Sot jo. Një herë tjetër…- shtoi tjetri duke zgjatur dorën të përshëndetej. – Ta gëzoni shtëpinë! Boll hoqët në atë kasolle të tmerrshme! Qofshin me kaq mundimet”! – uroi ky.
– “Do shihemi shpesh, se ne në SMT punojmë. Hë për hë, jemi punëtorë të ngarkim-shkarkimit dhe po bëjmë kursin për traktoristë”.
– “Jua shpërblefsha së shpejti ndihmën e sotme”!
– “Ne kryem vetëm detyrën. Paguhemi për këtë. Jemi në orarin e punës. Por edhe sikur të ishim jashtë orarit, ne do vinim t’ju ndihmonim vullnetarisht, me dëshirën tonë! Tani që kamioni ka ikur, duhet të largohemi, pasi mund të kenë atje nevojë. Edhe një herë: ta gëzoni shtëpinë! Jeni në bashin e vendit: Stacionin e autobusit, e keni fare afër. Keni fushëpamje deri sa të rrok syri. Sidomos për nënën tuaj, që rri më shumë brenda gjithë kohën, i sheh ulur në krevat nga dritarja të gjitha lëvizjet e njerëzve, sikur të jetë në kinema. Pleqëria ka shumë nevojë ta kullosë syrin, pasi nuk del dot jashtë. Mirupafshim”! – thanë të dy me një zë, dhe zbritën shkallët.
Pasi provova çelësat e dy dyerve të brendshme, (dera e banjës mbyllej me grep), mendova të shkoja në klub për të qerasur bamirësit e mi. Por isha i vonuar, sepse kur dola në rrugë ata po vinin drejt meje.
– “Ne të dy e kemi rrugën bashkë, – m’u drejtua shefi im, – pasi ty të presin në shtëpinë e kulturës për prova. Për kaq kohë kemi marrë leje”.
– “Me që na u dha rasti, po bëjmë dhe ne një kërkesë, – ndërhyri i Plotfuqishmi, – them se na takon, kryetarit të Lokalitetit dhe mua, një biletë, për të parë shfaqjen e teatrit… Apo jo, shoku shef”?
– “Kjo detyrë i takon kryesisht Sokratit, – tha shefi me buzëqeshje. – Dhe ai do ta përmbushë me qejf. Ju falënderoj për bashkëpunimin e sotëm, shoku kryetar! Ishte organizim i përkryer”!
– “Ndjehem dyfish i kënaqur, kur ndihma e pushtetit vendor bashkëpunon dhe plotëson me sukses detyrën e dhënë nga shefi i madh i Partisë”! – ia ktheu kryetari i Lokalitetit, me vështrim krenar.
Ndërkohë që shefi dhe unë përshëndeteshim me të Plotfuqishmin dhe kryetarin e Lokalitetit, “Gaz”-i 69 ndezi motorin. Kur po zinim vend në ndenjësen prapa, shefi më tërhoqi vëmendjen për diçka që unë s’e kisha vënë re: përgjatë rrugës, në anën e fushës së sportit, qenë mbledhur mori kureshtarësh të moshave të ndryshme, sepse vendosja e familjes sonë në një banesë të përshtatshme njerëzore, pa asnjë mëdyshje përbën për ta habi të pabesuar, duke patur parasysh që para tre vjetësh, na rrasën si kafshë në kasollen e lopës!
– “Këtej e tutje do jesh në epiqendër të fshatit, dhe së shpejti të zonës…”, – më pëshpëriti shefi, kur “Gaz”-i u nis. – “Me këtë dua të them, se po të hapen portat e mikpritjes. Ndaj duhet t’i meritosh të gjitha përkujdesjet e shtetit dhe të banorëve”. – “Kur kthesat jetësore shfaqen të befasishme dhe bartin me vete premtime shprese, këto bashkërisht formojnë një ngjarje të pashlyer në kujtesë”! – ia ktheva unë me ton të sigurt, duke i hedhur një vështrim falënderimi.
– “Me këtë rast desha të vija në dukje dhe diçka tjetër të rëndësishme, që ta kesh parasysh, – shtoi shefi pas disa minutave, si kaluam kthesën e Bubullimës dhe Rrapëzën: – Zakonisht drejtuesit e lartë të Partisë në rreth, pak kohë qëndrojnë pa lëvizur në të njëjtën detyrë. Sepse qarkullimi i kuadrit, sjell freskim për vartësit. Me këtë dua të them, që ta përdorësh me zgjuarsi përkrahjen e sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë dhe kryetarit të Degës së Brendshme, sa kohë janë këtu. Sipas nuhatjes sime, sistemimi familjar në Kolonjë, me kushte përgjithësisht normale, tregon se qëndrimi juaj këtu do jetë shumë i gjatë…”!
– “Domethënë nuk do ketë kthim për në Tiranë”?!…- pyeta unë mjaft i shqetësuar.
– “Sipas meje, jo! – theksoi shefi me vështrim të trishtuar. – Janë disa ngjarje, të cilave u dihet vetëm fillim, por jo fundi…- shtoi ai me të njëjtin ton. – Ngjarje si këto që ju ndodhen ju, përqasen me ortekët. Por fatmirësisht orteku, që të rrëmbeu ty dhe familjen tënde me furinë e tij, deshi një pritë betonarmeje të fuqishme, e cila ndali të tatëpjetën drejt humnerës. Megjithatë, kjo pritë shpëtimtare e pazakontë nuk ka forcë të rikthejë në atë lartësi, ku ishe. Pasi kur rrëzohesh, pëson një apo disa dëmtime dhe shanset për ta ndjerë veten si në fillim, janë zero. Para tre vjetësh, ishe gazetar në Radio, në një institucion shumë të rëndësishëm të shtetit, dhe banoje në kryeqytet.
Por orteku i Luftës së klasave të çoi në kasollen e lopës! Dhe këtu do ishe për një kohë të gjatë, nëse nuk do shfaqej befasisht rastësia e teatrit, që e përcolli emrin tënd tek shefi i madh i Partisë. Pikërisht kjo rastësi, solli mbarësinë. Shefi i madh i Partisë, po bën maksimumin që ia lejon dhe ia mundëson posti më i lartë në rreth, për të të krijuar kushte sa më normale jetese, por gjithnjë brenda suazës së këtij sinori, sepse më tej, fuqia e tij zhvlerësohet. Vetëm një forcë madhore mund të të zhvendosë në të ardhmen nga ky pozicion i ri. Unë jam mësuar t’i shoh gjërat me syrin praktik, nga përvoja ime.
Sipas statusit të ri që të dha sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, të krijohet mundësia e punësimit në një sektor me pagë mesatare, dhe që shihet mirë nga shoqëria. Këndvështrimit të shefit të madh të Partisë, gjithnjë i jepet përparësi e plotë nga vartësit, sepse askush nuk del dot mbi të në rreth. Ama kjo përparësi i shtrin rrënjët vetëm brenda sinorit, jo jashtë tij. Me këto këshilla, nuk synoj të pengoj përpjekjet e tua për t’u rikthyer në Tiranë. Shpjegimet e mia shërbejnë, për të ecur me këmbët në tokë dhe të të tregojnë se ndihma e shefit të madh, zbehet pas transferimit të tij.
Prandaj përdori të gjitha mundësitë e tua, t’i krijosh shefit të madh një përshtypje sa më reale, njësoj sikur je emëruar këtu, ashtu si sillen shumë kuadro të lartë. Sepse kjo bindje, do të të ndihmojë dhe ty vetë të mos e ndjesh më peshën shtypëse mjaft të rëndë, i ‘deklasuar’, e cila herë pas here shfaqet vetvetiu në çaste të caktuara, kur keqdashësit tërheqin litarin…”!
M’u duk e çuditshme kur “Gaz”-i 69, frenoi para portës së hekurt të Degës së Brendshme!
“Kaq shpejt arritëm”?!…- pyeta veten duke zbritur.
– “Besoj me gjendjen e re shpirtërore, provat do ecin vaj… – tha shefi me vështrim të qeshur. – Kur të të pyesin shokët dhe shoqet për vonesën, nën shtysën e kureshtjes, do t’u kthesh përgjigjen që duhet…”- shtoi duke u larguar.
Në të vërtetë këtë çast doja të shkoja drejt në shtëpinë e motrës së madhe, që t’i tregoja nënës, kumtin e mrekullueshëm të strehës së re, i cili do t’i dukej si film i bukur, i sajuar për të ngazëllyer sado pak shpirtin e saj të sfilitur. Por shpjegimi im do hante të zgjatur, bashkë me pyetjet kureshtare të nënës dhe motrës sẽ vogël, ndaj ngjita shkallët e shtëpisë së kulturës dhe u futa në sallën e madhe të provave. Shokët dhe shoqet më pritën me duartrokitje, thuajse e dinin çfarë kishte ndodhur. Në të vërtetë, ata po bënin qyfyre, meqë regjisori kishte ikur i nxehur nga ngacmimet e Todit dhe Liria po i tërhiqte vërejtje të rëndë, që e tepronte me shakatë e trasha.
– “Ne po kënaqemi! Ta dini: s’kemi për ta gjetur një rast tjetër si ky, që të jemi bashkë dhe kaq të shpenguar…”, – Shtoi Todi duke qeshur. – “Si thua ti, Lika”?…- iu drejtua Arqilinit, me emrin e saj të shkurtuar, si e thërrisnin zakonisht. Por ajo e kishte ngërthyer vështrimin mbi fytyrën time, sepse donte të dinte shkakun e kësaj vonese të zgjatur, ndaj nuk u përgjigj.
– “Me siguri Sokrati do jetë lodhur, ndryshe nga ne që pushuam e bëmë gallatë, – ndërhyri Faslliu. – Prandaj le ta quajmë kohë dreke dhe të përtypim ushqimin që kemi marrë me vete”.
Ky propozim erdhi në kohë dhe u miratua nga të gjithë. Përveç meje, (meqë e kisha shtëpinë e motrës, gati ngjitur me shtëpinë e kulturës), të tjerët u ulën nëpër qoshe dhe hapën pakot e mbledhura me gazetë. Arqelini shkoi e vetme në cepin më skajor dhe më bëri shenjë ta ndiqja pas. Vajzat e tjera u grupuan dy nga dy: Liria me Zoicën, Liljana me Afërditën. Ndërsa burrat dhe djemtë, shtruan një parullë të madhe në anën e prapme, mbi dy karrige, në vend të mbulesës, dhe aty vendosën pakot e ushqimeve, që ishin pothuaj të njëjta: bukë, vezë të ziera dhe djathë.
– “Pati ndonjë ngacmim të paparashikuar”? – më pyeti e shqetësuar Arqelini, kur zura vend pranë saj.
– “Përkundrazi! – ia ktheva unë me vështrim të ngazëllyer. – Ende më duket ëndërr: u shpërngulëm nga kasollja e lopës”!
– “Fol pak më ngadalë dhe shpjegohu më qartë! – tha ajo me vështrim të tronditur. – Si duhet ta kuptoj fjalën; ‘u shpërngulëm’, kur nëna me motrën janë këtu? Apo edhe ato erdhën me ty, kur të njoftoi ai polici”?!…
– “Nëna dhe motra ende nuk dinë gjë. Shpërngulja qe organizuar në mënyrën më të çuditshme e, të përkryer”!…
– Dhe i shtjellova tërë ecurinë e ngjarjes.
– “Ky kumt qenka mrekulli, si i zbritur nga qielli!… – tha ajo e përlotur nga gëzimi. – Ja një provë tjetër bindëse e fatit tonë të përbashkët: tani kemi shtëpi”!… – shtoi me zë të ngashëryer. – “E sistemove”? – pyeti më tej.
– “Përkohësisht bëra njëfarë rregullimi”.
– “Qenke lodhur”, – tha ajo me vështrim përkëdhelës.
– “Jo dhe aq shumë, pasi më ndihmuan dy djem nga SMT-ja e Kolonjës. – Nuk e merr dot me mend, sa shpejt u kryen të gjitha, një organizim i përkryer! Shpërngulja u bë ligjore, në prani të tre autoriteteve: kryetarit të Lokalitetit, të Plotfuqishmit dhe shefit të internim-dëbimeve të rrethit”.
– “Shtëpia ku ndodhet”? – pyeti ajo me kureshtje. – “Në Kolonjë, njëqind metro nga xhadeja, në buzë të rrugës së fshatit, e ndërtuar me gur të bardhë dhe çati, pothuaj si tipi i shtëpive tuaja, por me katër hyrje nga një dhomë e kuzhinë, dy përpara e dy prapa”.
– “Jo vetëm nëna dhe motra jote do gëzohen nga ky sihariq kaq i madh, por edhe ata të mitë do ndjejnë njëfarë lehtësimi…”, – tha Arqelini me zë të dredhur.
– “Sipas meje, më tepër do shqetësohen, se sa do lehtësohen. Mos harro, që ende janë kundërshtarët më të drejtpërdrejtë të fejesës tonë”.
– “Le të jenë përkohësisht. Rëndësi ka që shpërngulja e sotme, e çimentoi themelin e jetës sonë të përbashkët”! – tha ajo me ton të vendosur.
– “Ke besim të plotë se nuk do thyhesh”? – e pyeta unë.
– “Këtë pyetje drejtoja vetes tënde, – ma ktheu ajo me vështrim serioz. – Sepse duhet ta kesh të qartë që ngacmimet e zyrtarëve, do vijnë njëherësh në dy drejtime, edhe tek unë edhe tek ty, me synim të mbjellin lëkundje në mendjet tona”.
– “Jam i sigurt që lëkundje dhe çarje mes nesh nuk do ketë”! – theksova në formë premtimi për ta qetësuar.
– “Energjitë dhe përpjekjet tona, duhet t’i përdorim për të bindur prindërit, se ne kemi forcën më kryesore e të rëndësishme, që mban gjithnjë të bashkuar një familje: dashurinë e pa-tjetërsuar njerëzore”!
– “Pikërisht këtë vura në dukje, por me fjalë të tjera më të thjeshta, kur më pyetën me ngulm, pse nuk pranon të fejohesh me njërin nga kandidatët e propozuar”- pohoi ajo. – “Të mitë shpresojnë mos thyhesh ti…”!
– “Shpresë e kotë, hamendje boshe”! – ia ktheva unë i nervozuar. – “Kujt i ka shkrepur në kokë kjo ide kaq absurd”?! – “Di vetëm që kjo hamendje qarkullon, por se kujt i erdhi të parit ndërmend nuk mund ta them”, – tha ajo e shqetësuar.
– “Këto janë profka për të të trembur ty! – theksova unë me të njëjtin ton. – Si e vetmja mundësi që krijon plasaritje dhe çarje në marrëdhëniet tona”.
– “Këtë s’kanë për ta arritur kurrë! – premtoi ajo. – I kam analizuar një për një të gjitha kushtet, që do kem në jetën bashkëshortore. Sigurisht disa janë shumë më të vështira se ato të qytetit, por sidoqoftë mund të përballohen”.
– “Më duket se të gjithë kanë përfunduar së ngrëni dhe presin të mbarojnë pëshpëritjet tona…” – i thashë unë me zë të ulët, pasi hodha një vështrim të shpejt rreth e qark.
– “Tashmë këta e dinë lidhjen tonë të fshehtë, prandaj nuk na qortojnë”, – tha Arqelini për të më qetësuar.
– “Në qoftë se e dinë këta dhe këto, atëhere duhet ta ketë marrë vesh gjysma e Lushjes, për të mos thënë e tëra…”, – shtova unë me buzëqeshje.
– “Meqë stomakun e mbushëm, muhabetet i tiganisëm dhe hallet i stisëm, mund të fillojmë provat pa praninë e regjisorit…” – tha Todi, duke u ngritur në këmbë. – “Detyrën e regjisorit do ta kryejmë vetë, pasi rolet tashmë i njohim mirë, më themel, dhe si thuhet për kësi rastesh, ne jemi futur nën lëkurën e personazhit. Por kujdes kur shqiptoni tekstin: mos i lini fjalitë pa kryefjalë ose, me kallëzues të cunguar….”, – shtoi në fund duke qeshur lehtë. Provat ecën mbarë, pa ndërprerje serioze. Para se të shpërndaheshim, për t’u mbledhur ditën e nesërme në orën 8.00, i thash Arqelinit, se nuk do ta shoqëroj deri në lulishten para shtëpisë, pasi më duhet t’i tregoja nënës ngjarjen më të rëndësishme, shpërnguljen e sotme të befasishme, nga Ardenica në Kolonjë.
Kur u futa në shtëpinë e motrës, nëna më pyeti e shqetësuar pse nuk erdha për të ngrëne drekë dhe menjëherë shtroi në tryezë pjatën me gjellë dhe tre feta bukë. Unë nuk i ktheva përgjigje dhe fillova të përtypem. Vura re se bashkëshorti i motrës më hidhte vështrime dashamirëse dhe të gëzuara, thuajse kishte dijeni për ngjarjen e sotme: ndoshta shefi e ka takuar enkas dhe i ka rrëfyer kumtin e mrekullueshëm, por ky ende nuk ia ka bërë të njohur vjehrrës dhe kunatës, sepse më ka pritur mua. Kështu doli. Kur unë mbarova së ngrëni, ai shkoi drejt bufesë, mori shishen e rakisë dhe disa gota, i mbushi e na tha të gjithëve të ulemi pranë tryezës, për të trokitur gotat.
– “Me ç’rast”?… – pyeti e habitur motra e madhe, duke vështruar të shoqin.
– “Këtë do na e thotë Sokrati…”, – shtoi ai me sy të qeshur.
– “Duhet të jetë ndonjë sihariq i madh, ore bir”!… – tha nëna me vështrim të hutuar.
– “I madh, sa s’ka ku të shkojë më shumë se kaq…”, – theksoi me bindje dhëndri. – “Apo jo”? – m’u drejtua mua.
Unë i përshkrova tërë shtjellimin e ngjarjes së gëzuar, pa shtuar asgjë nga vetja, sepse ajo ishte e tillë, s’kishte nevojë për arnime e zbukurime. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016