Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË LIRIM PËLLUMBIT, ISH-ZV/DREJTOR I SIGURIMIT TË SHTETIT DHE KRYETAR I DEGËS SË BRENDSHME TË RRETHIT TË DURRËSIT, QË VUANTE DËNIMIN ME 10 VJET BURG POLITIK, NË SPAÇ, NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME, FLORIAN KOLANECI
PROÇES – VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Tiranë, më 30.5.1983
Unë Florian Kolaneci, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, Lirim Ismail Pëllumbin, i datëlindjes 1943, me arsim të lartë, i martuar, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, vuan dënimin në Repartin 303 në Spaç.
Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH-së, për dëshmi të rreme.
DËSHMITARI
Lirim Pëllumbi
Në lidhje me sa pyetem, kam për të thënë:
Nga bisedat dhe qëndrimet kontradiktore që dalin qartë më sipër të Feçor Shehut, unë e kuptova se ai po gënjente, se Partinë në fakt nuk e kishte informuar. Gjithashtu theksoj se: atë ditë që ishim të sekretari i Parë, kur zbritëm te Hotel “Adriatiku” në plazh, për të ngrënë drekë, unë pashë Marjetën me të shoqin dhe një shkrimtar me gruan e tij (Ismail Kadare me Helenën, shënimi im), në mes të të huajve, duke ngrënë drekë, dhe i thashë Feçorit se; shikojë vetë dhe bindu për ato që të thashë në Komitet të Partisë.
Ai më tha: “e shoh, e shoh, por s’kemi ç’i bëjmë”?!- duke më lënë të kuptoja unë, që; edhe ti, kot merresh me këto punë! Një ditë tjetër të verës 1980, Hasan Caslli, po i shpjegonte Feçor Shehut, se Marjeta Shehu, nuk është fare në terezi, vjen e rri me…………..në mes të të huajve dhe një i huaj i kishte drejtuar steriogypin në drejtim të…………të Marjetës, dhe u detyrova unë tha Hasani, dhe vajta e i fola Marjetës, që të qëndronte mirë!
Feçori përsëri u përgjigj: “Ç’tu bësh”?! Po kështu Feçorit i thamë njëherë në verën e vitit 1981, se fëmijët e Mehmet Shehut, shëtisin tërë ditën me motoskaf, me shpejtësi nëpër popull dhe do të na vrasin ndonjë njeri ndonjë ditë dhe i treguam me dorë motoskafin që po ecte me shpejtësi në këtë kohë midis popullit, por Feçorit nuk i bëri ndonjë përshtypje kjo dhe s’kthehu ndonjë përgjigje! Nga të gjitha këto, unë kuptova se Feçorit i pëlqente kjo mënyrë jetese që bënin fëmijët e Mehmet Shehut, prandaj nuk revoltohej dhe s’mbante qëndrim kritik!
Koha nuk më kujtohet se cili muaj ka qenë në vitin 1980, kur është bërë një seminar në Tiranë me shefat e seksioneve të Tretë. Në këtë seminar, Feçor Shehu kishte dhënë urdhër që Komitetet Ekzekutive në rrethe, të merren objekt i rëndësisë së veçantë nga sektori i Sigurimit, me qëllim që të ruhej sekreti dhe Komiteti, nga tentativat e armikut. Kur erdhi në Durrës shefi i Seksionit, Bajram Doçi, më transmetoi këtë urdhër, unë i thashë; ta shikojmë njëherë këtë punë, se kjo është në kompetencën e kryetarit të Degës, dhe s’ka pse ta bëjmë me urdhër nga lart, se mbetëm duke hapur dosje, në vend që të merremi më zbulimin e spiunëve.
Në fund të muajt gusht 1980, erdhi ekipi kompleks i Ministrisë dhe një ditë erdhi edhe vetë Feçor Shehu, për të parë punën e ekipit, aty nuk mbaj mënd se kush nga shokët e ekipit ja raportoi Feçorit, që ne nuk e kishim marrë Komitetin Ekzekutiv, objekt të rëndësisë së veçantë! Feçori më kritikoi mua se pse nuk e kam zbatuar porosinë, unë i thashë se; mbetëm duke hapur dosje, dhe jo me detyrat tona kryesore! Ai më tha mua se kjo porosi është dhënë në seminar dhe ju nuk keni zbatuar urdhrin, prandaj ta merrni si objekt të rëndësisë së veçantë Komitetin Ekzekutiv. Me kaq u mbyll muhabeti me Feçorin.
Mbasi iku ekipi, e zvarrita dhe aty nga muaji prill-maj 1981, kur vjen kryetari i Degës së 8-të të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit dhe konstatoi që s’e kishim marrë objekt të rëndësisë së veçantë Komitetin Ekzekutiv, raportoi në Ministri. Pas këtij raportimi, Feçor Shehu më mori në telefon: “se pse nuk e keni zbatuar urdhrin për marrjen e Komitetit Ekzekutiv, objekt të rëndësisë së veçantë, kokë më vete jeni ju”?! dhe më urdhëroi në mënyrë të prerë, që pasi ta zbatoja urdhrin, ta njoftoja. Mbas kësaj, unë e pranova vendimin dhe në mos gaboj, tërhoqëm një bashkëpunëtor, për ruajtjen e sekretit.
Në muajin dhjetor 1981, mbi bazën e një shkrese të ardhur nga qeveria, u bë një konsultë mbi metodën e punës, luftën kundër shfaqjeve burokratike, në shkallë dege. Midis mendimeve u tha edhe për marrjen e Komiteteve Ekzekutive, objekt të rëndësisë së veçantë, se është një punë formale. Kjo u ngrit edhe në analizën e Sigurimit në Janar 1982.
Më 11 janar 1982, të deleguarit që ishin në këtë analizë, i kishin raportuar Feçor Shehut për këtë problem dhe ai (Feçor Shehu), më mori tre herë në telefon, duke dashur të më bindte, se këtu s’ka ndonjë gjë të keqe, se e Platforma e lejon. Unë ju përgjigja se; Platforma mund ta lejojë, por ne e ngritëm duke u thelluar në porositë e Byrosë Politike të 31 janarit 1981, ku u tha që: “ta kuptojmë drejt varësinë tonë, nga organet e pushtetit”!
Ai, pas insistimit tim, më porositi që; bëheni me shkrim mendimin tuaj dhe ta shohim dhe unë e trajtova gjerë në raportin konkludiv që i dërgova ministrisë në janar 1982. Shtoj se; nuk më kujtohet, nëse ka ardhur apo jo urdhri me shkrim, për marrjen e Komiteteve Ekzekutive, si objekt i rëndësisë së veçantë. Në muajt gusht-shtator 1981, erdhi në Durrës kryetari i Degës së tetë të Drejtorisë së Parë, për të parë formulimin e vendimit për marrjen Komiteteve Ekzekutive si objekte të rëndësisë së veçantë.
Por meqenëse ne i kishim formuluar në rregull, nuk u bë ndonjë ndryshim, po ai më shpjegoi se: “në disa rrethe, formularët ishin bërë në mënyrë të tillë, që binin era trockizëm, sikur Sigurimi kontrollonte pushtetin dhe për këto konstatime unë i bëra një material Feçor Shehut, dhe bashkë me zv/drejtorin dhe drejtorin e Drejtorisë së Parë, ja çuam Feçor Shehut, i cili pasi e lexoi, pyeti: “kujt i ka lindur kjo ide, që të bëhet ky material”, unë i thashë se e kishim në planin e Degës për ta parë, se mos na ishte bërë ndonjë gabim nga rrethet dhe në fakt gjetëm shumë gabime parimore.
Feçori m’u drejtua, duke më thënë: “ku do vejë ky material pastaj”, unë i thashë se; mbasi ta shihni ju, do kaloj në arshivë, ai i nxehur tha: “ju s’jeni në vete” e grisi materialin katër copa dhe ma hodhi mua përpara dhe urdhëroi që të shkohet në të gjithë rrethet dhe të rregullohen formulimet e vendimeve për marrjen e Komiteteve Ekzekutive si objekt të rëndësisë së veçantë dhe ne kështu vepruam.
Mbas shkarkimit të Feçor Shehut, zëvendësministri që mbulonte Sigurimin, më kërkoi që të riprodhoja informacionin që grisi Feçor Shehu, unë e bëra dhe ju dërgua Komitetit Qendror të Partisë dhe me porosi të këtij të fundit, u hoqën masat e marra në drejtim të Komiteteve Ekzekutive të rretheve, duke u konsideruar ky veprim shumë i gabuar dhe jo parimor, nga ana e Feçor Shehut!
Nga fundi i vitit 1980, erdhi në Durrës oficeri i drejtimit që mbulon Portin dhe tha se; me urdhër të ministrit, do të merret objekt i rëndësisë së veçantë Dogana. Unë e kundërshtova, duke i thënë se atje, nga tetë veta, shtatë janë komunistë, çfarë agjenture do ngre atje, veç të kontrolloj organizatën bazë të Partisë, prandaj kjo nuk bëhet me urdhër, por të shihet rast pas rasti, tek ne nuk është problem, dhe kjo është në kompetencën time dhe jo të ministrit, prandaj ne nuk e zbatojmë.
Ai, me të ardhur në Tiranë, për kundërshtimin tonë, i bën informacion Feçorit dhe ky i fundit, pa pyetur fare se përse e kundërshtonim, lëshon urdhër qarkor me telegram, që Doganat të merren si objekt të rëndësisë së veçantë, dhe unë urdhërova shefin e seksionit të Portit, të bëj veprimet. Nuk më kujtohet muaji, kur na ka ardhur në zyrë shefi i seksionit të Portit, Flamur Sinoimeri, por ka qenë viti 1981, ai kërkoi nga unë që të mobilizoja tërë Punëtorët Operativë të Degës, për të bërë vërtetimet biografike të punonjësve të Flotës Tregtare, për rreth 600 veta.
Unë e pyeta se; nga të ka lindur kjo punë, ai m’u përgjigj se; më ka thënë Dhimitër Bonata (ish kryetar i Degës së IX-të të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit), që është porosi e Feçor Shehut. Unë i thashë se; për cilët persona bëhet vërtetimi biografik, përcaktohet qartë në urdhrin ekzistues të ministrit, prandaj po ka mendime që të bëhen vërtetime edhe marinarëve të Flotës, ministri të ndryshojë urdhrin dhe pastaj të veprojmë ne, ti mos bëj asnjë veprim, dhe Flamuri u largua. Këtë porosi, Dhimitër Bonata ja kish përsëritur edhe njëherë Flamurit dhe ky i fundit erdhi përsëri tek unë.
Në këto kushte, e porosita Flamurin që t’i bënte shkresë ministrit, dhe u bë kjo, ku ne të ngrinim se porosia e dhënë me gojë, binte ndesh me urdhrin përkatës që është në fuqi, prandaj ne nuk mund ta zbatojmë, pa u ndryshuar urdhri. Me të mbërritur shkresa në ministri, më ka marrë në telefon Dhimitër Bonata dhe më tha: “pse e keni bërë kot atë shkresë, ajo është porosia e ministrit dhe unë ja thashë Flamurit, që t’i dalë punës përpara, me që janë shumë biografi për t’u bërë, por kjo porosi do t’ju vijë edhe me shkrim”.
Unë i thashë se; ne do të fillojmë ta zbatojmë kur të na vijë me shkrim dhe e porosita Flamurin, që të mos bëjë asnjë veprim dhe në fakt mbas urdhrit tim, nuk u bë asnjë veprim. Edhe urdhri verbal i dhënë nga Feçor Shehu, në një seminar në 1980 në Tiranë, për ulej në maksimum të bashkëpunëtorëve femra, kërkesa me shkrim që ne të analizonim këtë problem dhe të ulnim numrin e tyre, nuk është jo vetëm në përputhje me vijën e Partisë, por dëmtoi edhe punën agjenturalo-operative, mbasi ne kishim vende ku puna duhej të kryhej me bashkëpunëtore femra, siç ishte Turizmi në Durrës, ndjekja e kontingjenteve femra të policisë, etj.
Nga analiza që i bëmë problemit, ne përjashtuam një numër bashkëpunëtoresh femra, por se sa, nuk më kujtohet dhe njoftuam ministrinë me shkrim. Këtë punë e pa edhe ekipi i ministrisë në vitin 1980 dhe e vlerësoi se ishte zbatuar drejt, porosia e Feçor Shehut.
Gjatë periudhës kur Feçor Shehu ishte ministër, kur vinte në plazhin e Durrësit, ose thirresha unë në mbledhje në Tiranë, më kanë bërë përshtypje këto momente: Megjithëse dy-tre vitet e fundit, udhëheqësi kryesor i Partisë ka shkuar disa vepra, Feçori asnjëherë nuk i ka zënë me gojë në bisedat me mua, ose me shokët e tjerë, për të na hapur horizont. Kur na thirri në një mbledhje në Tiranë për ngjarjet në Kosovë, na foli fare shkurt, me 4-5 fletushka në dorë. Unë vura re se përgatitja e tij ishte e cekët dhe nuk na përcaktoi qartë dhe thellë, detyrat që na dilnin nga situata e dhënë.
Po kështu në një mbledhje tjetër, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, përsëri foli shkurt dhe autokritika e tij për fajet që kish, duke mos informuar Partinë për biografinë e Qazim Turdiut, ishte shumë e cekët. Këto momente mua më kanë bërë përshtypje që në atë kohë por nuk i kam vlerësuar me syrin e sotëm kur Feçor Shehu u zbulua si armik i Partisë! Në muajin shtator, ose fillimi i tetorit të vitit 1981, Feçor Shehu erdhi në Durrës te Hotel “Adriatiku” në plazh. Atë ditë ishte e dielë, ai njoftoi se do të vinte në orën 9.00, por erdhi në orën 10.00.
Me të na takuar, më tha: “u vonova se na penguan durrsakët tuaj” dhe filloj të më shpjegonte, se vajza e Hetem Gjinushit, (gruaja e B.K., i cili ka qenë instruktor për Arsimin në Komitetin Ekzekutiv të Durrësit, e kish takuar (Feçorin), para shtëpisë së tij dhe i kishte shpjeguar, se Dega e Durrësit, po na merr kot në përgjegjësi penale burrin, se ai nuk ka faj. Feçori, duke m’u drejtuar mua, më tha se; siç ma shpjegoi ajo shoqja, B.K., nuk duhet të ketë përgjegjësi, prandaj mos e merrni në përgjegjësi penale.
Në këtë kohë ndërhyn Bardhyl Çuçi dhe thotë se; edhe gruaja ime që punon me Bajram Keçin, kështu më ka thënë. Në këtë moment i them Bardhylit, se ti nuk e njeh fare këtë problem, se me të jam marrë unë, prandaj mos fol pa përgjegjësi, dhe duke u drejtuar nga Feçor Shehu, unë fillova t’ja argumentoj atij problemin, se B.K., ka marrë pesë mijë lekë ryshfet nga një arsimtar, për të sjellë me transferim, nga Ishmi në Shijak.
Komiteti Ekzekutiv i rrethit, e ka pushuar nga puna B.K. dhe na e ka denoncuar për ndjekje penale, kurse organizata bazë e Partisë, e ka përjashtuar nga Partia, Komiteti i Partisë së rrethit, na ka porositur që të hetohen të gjithë personat, që lidhen me vjedhjen e Kantierit Detar, pastaj sa do çojmë në gjyq, e shohim në fund, në Durrës ka fjalë, se për të zgjidhur një punë, duhet të japësh rrushfet, kështu që e kemi këtë rast në dorë ta hetojmë, ne si Degë, s’kemi pse veprojmë ndryshe, nga sa ka vepruar Partia dhe pushteti në rreth.
Në këtë kohë, në prezencë të Bardhyl Çuçit dhe Hasan Casllit, Feçor Shehu m’u drejtua mua dhe më tha: “Ju ngelët të merreni me B.K., shikoni se keni veprimtari armiqësore në Komitetin e Partisë dhe Komitetin Ekzekutiv të rrethit”. Unë i thashë se ne si Degë, nuk e dimë të kemi veprimtari armiqësore në këto organe që na udhëheqin, po ta dini ju si Ministri, është tjetër punë! Feçori heshti dhe pasi ndenji nja pesë minuta, u nis për në Tiranë. Në momentin që Feçor Shehu u shpreh armiqësisht për Komitetin e Partisë dhe Komitetin Ekzekutiv, Bardhyli me Hasanin të habitur, panë sy më sy njëri tjetrin, por nuk ndërhynë për të mbajtur qëndrim.
Meqenëse ndihmësi i sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë, për organet e Punëve të Brendshme, më datën 4 dhe 9 janar 1982, erdhi me punë në Komitetin e Partisë të rrethit të Durrësit, për t’u takuar me mua lidhur me disa probleme që kisha për t’ja ngritur Partisë, që kishin të bënin me Feçor Shehun, e shqetësoj këtë të fundit, saqë më 10.1.1982, i shoqëruar me Bato Karafilin, erdhi në Hotel “Adriatiku” në plazhin e Durrësit dhe më kërkuan që të takohesha me ta.
Unë shkova në plazh me Hasan Casllin, ndërsa Bardhyl Çuçi erdhi me vonesë, gati një çerek ore para se të largohej Feçori nga Durrësi. Kur hymë në korridorin e Hotelit, Hasan Caslli u shkëput për te telefoni, ndërsa Feçori, Batua dhe unë, vazhduam rrugën drejt sallonit, duke e çuar, Batua më pyeti: “ a i bije peshku, o Lirim”, unë ju përgjigja sel nuk jam qejfli peshku dhe nuk e di. U futëm në sallon dhe filluam të bëjmë një dorë letra, Feçori, Batua, Hasani dhe unë, Feçori më pyeti: “i bije peshku o Lirim” dhe pastaj kaloi në pyetjen tjetër: “po ndihmësi i sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë, për peshk kishte ardhur dje në Durrës”?
Unë i thashë se kishte vajtur në Komitet të Partisë. Pastaj Feçori më pyeti përsëri: “po dje, ku ishe”, unë i thashë në zyrë, duke korrigjuar raportin e analizës vjetore. Ai vazhdoi: “gjithë ditën në zyrë ke qenë”? Po, i thashë unë. Gjatë gjithë lojës, Feçori bënte shenja për letra me Bato Karafilin dhe Hasan Caslli i thotë Feçorit: “mos bëjë shenja, se ti vetë na ke këshilluar, të mos bëjmë në lojë”! Feçori, duke parë nga unë dhe Batoja, u shpreh: “eu sa kam këshilluar unë, por varet sa më kanë kuptuar”!
Biseda e bërë më 10 janar 1982, si nga Batua dhe nga Feçori, ishte e gjitha me nëntekste. Edhe përgjigjja që i dha Hasanit, me sa kuptova unë, nuk kishte të bënte me shenjat e lojës së letrave, por ai qëllonte diku gjetkë. Unë kuptova se Feçor Shehu, meqenëse nuk kuptoi të vërtetën nga unë. Mbi ardhjen e ndihmësit të sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë në Durrës, e lëshoi shprehjen e mësipërme, që unë dhe Hasani ta kuptonim (Bardhyli akoma nuk kishte ardhur), se gjërat që ka folur ose shprehur me ne Feçori, nuk duhet t’i ngrinim para Partisë! Memorie.al
Dëshmitari H e t u e s i
Lirim Pëllumbi Florian Kolaneci
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016