Nga Sokrat Shyti
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Prandaj të gjitha rregullat dhe përcaktimet, do jepen gojarisht shqip, ndërsa në dërrasë të zezë do shkruhen rusisht, sepse ju jeni nxënës të klasës së tretë, dini të shkruani e lexoni”, – shtoi ajo.
– “Po tani, e more vesh përkthimin”? – i thash kokulur Xhavitit.
– “Ndoshta e dëgjoni për herë të parë këtë metodë, nga që mësuesja juaj e dy viteve të para, ishte ruse, nuk dinte shqip, ndaj e niste dhe e përfundonte orën e saj të mësimit, në gjuhën e saj amtare, pa patur pikë shqetësimi, nëse ju nuk e merrnit vesh”, – theksoi ajo me njëfarë mllefi.
Por pohimin e saj, asnjë nxënës nuk e pranoi. Sepse kur futej në klasë bukuroshja nga Odesa, me atë portret magjepsës, na mahniste me krelat e flokëve si fije ari dhe sytë blu, ku përzihej kaltërsia e qiellit, me thellësinë e detit! Me atë trup të derdhur, si balerinat e “Balshoj Teatrit”, neve na dukej sikur hynte një shtojzovalle, ndaj e mbanim frymën pezull e shikimin të ngërthyer mbi këtë krijesë të përsosur femërore, që të përthithnim me etje çdo fjalë të saj! Kishte zë të ëmbël, si mjalti, dhe të ngrohtë si fllad pranvere! Kur fliste me atë timbër ledhatues, na dukej sikur na përkëdhelte e na përqafonte! Prisnim me padurim të niste ligjërimin si kanarinë. Na dukej sikur recitonte e këndonte, kur fliste dhe shpjegonte rusisht!
S’kishte orë mësimi të mos dëgjonim nga goja e saj, të interpretuar mjeshtërisht poezi të mrekullueshme nga Pushkini dhe Lermontovi! Veshi ynë brenda dy viteve, i kishte kapërcyer vështirësitë e fillimit, që ndesh secili kur dëgjon një gjuhë të huaj. Në njëfarë mënyre, na kishte futur brenda në gjak dëshirën për ta mësuar rusishten, sidomos kur ushtronte të folurin gojor, nëpërmjet pyetjeve e përgjigjeve, duke fiksuar çdo fjalë me theksin përkatës. Për shumë nxënës ishte mrekulli, që pas mbarimit të vitit të dytë mësimor, vetëm me dy orë në javë, lexonim dhe kuptonim libra artistikë!
– “E di ku rreh çekani”? – më pëshpëriti Xhaviti kokulur, që të mos tërhiqnim vëmendjen e saj dhe të na qortonte. – “Ajo po na paralajmëron se rusishtja, do shpjegohet me partishmëri…”!
– “Në ç’kuptim”? – ia ktheva unë pa lëvizur buzët.
– “Që këto dy vjet, do na bëhet koka dangall me parullat dhe citatet e fjalimeve”, – u përgjigj ai.
– “Përcaktim i saktë”, – pranova unë.
Por fjalimi i gjatë i “mësueses fshatare”, sipas Xhavitit, edhe pse vazhdoi deri në mbarim të orës së mësimit, nuk ia arriti synimit. Sepse të gjithë nxënësit qëndruan të ftohtë, u dëshpëruan dhe shfaqën pakënaqësi të hapur, që “shtojzovallja” mahnitëse, nuk do hynte më në klasën tonë.
Megjithatë, pavarësisht ndërprerjes së marrëdhënieve të mësimdhënies, grupi ynë rusisht-folës, nuk i këputi lidhjet me bukuroshen mahnitëse. Përkundrazi, i forcuam më tepër për të mbushur boshllëkun që na krijonin orët mësimore të rusishtes, me atë shpjegim parak, pa tharm. Grupi i teatrit të shkollës, nën drejtimin e “shtojzovalles” sonë, vazhdonte provat intensive për të vënë në skenë Rusallkën e Pushkinit, në rusisht, përpjekja e parë serioze për regjisoren, si artiste dhe mësuese, një ndërthurje e mrekullueshme, për të treguar aftësitë e saj në skenën e Teatrit “Migjeni”, një sukses me të vërtetë i madh, që pati jehonë të gjerë. – “Gjetje e bukur për ta sfiduar”, – tha Xhaviti, kur i tregova për vënien në skenë të “Rusallkës”.
Ecuria ime në gjithë procesin mësimor, pati të njëjtin ritëm, si në dy vitet e para. Fotografia ime e zmadhuar, futur në kornizë me përmasa të mëdha, binte menjëherë në sy, sapo futeshe në hollin e madh të shkollës! Përveç këtij suksesi, që natyrshëm me jepte kënaqësi, ndjehesha i lumtur që shokët dhe shoqet, nuk më respektonin e më donin vetëm për këtë: këtyre u pëlqente veçanërisht vullneti dhe gatishmëria ime e papërtuar, për t’u shpjeguar mësimet më të vështira e, t’u zbërtheja detyrat më të ndërlikuara të fizikës e matematikës.
Këta ndjeheshin krenarë që shoku i tyre i klasës, kreu me sukses detyrën më të vështirë e të ndërlikuar për moshën e brishtë, atë të mësuesit, për më tepër kur nxënësit ishin oficerë me grada të rënda, dhe profesorët tanë, do viheshin para një provë të rrezikshme. Këta e theksonin herë pas here, kur binte rasti, se marrja përsipër e kësaj barre kaq të rëndë, shpëtoi disa profesorë nga goditja e ndonjë ndëshkimi me pasoja të pathyeshme, duke patur parasysh gjeneralin e tmerrshëm në krye të Degës së Brendshme, i cili kishte nisur një operacion të egër spastrimi, kundër Klerit Katolik, me synim ta gjunjëzonte.
Ndërkaq, tërheqja ime pas teatrit, rritej nga dita në ditë. Bashkë me disa shokë konviktorë, të pasionuar pas teatrit, i krijuam vetes një shans të privilegjuar: gjetëm një shteg sekret, si të futemi tinëzisht në galerinë e teatrit të vjetër “Migjeni”, pa u vënë re dhe pa dëmtuar murin ndarës mes ngrehinës së teatrit dhe konviktit tonë.
(Si tunel hyrës, na shërbeu një vrimë e harruar, mbyllur nga të dy anët me karton të trashë, të cilën e zbuluam fare rastësisht nga rritja e ndjeshme e frekuencës së zërit në këtë pjesë të murit. Nën shtysën e kureshtjes, zbuluam “ngushticën e Gjibraltarit” dhe si klandestinë, filluam të shihnim pa pagesë të gjitha kryeveprat e Shekspirit të Madh, të vëna në skenë me sukses dhe të interpretuara mrekullisht, nga një kastë aktorësh brilant!)
Pothuaj në këtë kohë lindën fillesat e mia të fuqishme të krijimtarisë letrare, shkruaja skica dhe tregime të shkurtra, të cilat i “botoja” në gazetën e shkollës. Këto dy veprimtari, arti skenik dhe krijimtaria letrare, e vendosën dëshirën time mbi dy shina, pavarësisht që ende mbetej i papërcaktuar drejtimi që do projektonte vazhdimësinë e jetës, pas përfundimit të gjimnazit.
Edhe pse kushtëzimin e të ardhmes e formojnë rastësitë dhe befasitë, unë kurrë s’do ta besoja që do goditesha nga një ngjarje e tmerrshme keqdashëse, në fundin e semestrit të parë të maturës, kurdisur kundër meje, nga disa nxënës intrigantë, me synim të skëterrshëm; të përjashtohesha nga e drejta e marrjes së bursës për studime të larta, nën shtysën e ambicies së egër, të nxinin e zhvlerësonin përfundimet e shkëlqyera në mësime dhe ta detyronin Këshillin Pedagogjik, të më hiqte titullin; “Krenaria dhe nderi i shkollës”!
Askush s’do ta besonte se mund të sajohet një kurth i mbarsur me ligësi hakmarrëse, nga një ngjarje fare e thjeshtë: Një mbrëmje mesjave, i kisha marrë leje gojore kujdestarit të konviktit, për të parë një film italian në kinemanë e qytetit dhe po kthehesha prej andej me përshtypjet e ngjarjeve të skenave. Krejt befas më dalin përpara në gjysmë errësirë disa hije.
Në fillim u tremba, i pandeha keqbërës. Pas disa sekondash ravijëzova siluetën e trupit të bëshëm të drejtorit të konviktit dhe e kuptova se ishte përgatitur kurth, për të më goditur në pikën me nevralgjike, thyerjen e disiplinës proletare, e cila parashikon dhënien e një ndëshkimi mjaft të rreptë.
Të nesërmen u mblodh urgjent Këshilli Pedagogjik i shkollës, me urdhër të drejtorit të konviktit. (Këtë të drejtë, ia jepte posti i sekretarit të organizatës bazë të Partisë). Pa marrë fare parasysh kundërshtinë e shumë profesorëve, drejtori i shkollës, u detyrua të shpallë para gjithë nxënësve të rreshtuar në oborr, vendimin e tmerrshëm: “Maturantit Sokrat Shyti, i thyhet nota në sjellje, për moszbatimin e disiplinës proletare, ikje pa leje nga konvikti për qëllime argëtimi, gjatë orarit të studimit të detyruar”!
Vështrimet e nxënësve u ngërthyen mbi sytë e mi të trishtuar për të më dhënë kurajo, që të mos bija në dëshpërim, duke patur besim se profesorët tanë të mrekullueshëm, me në krye drejtorin, burrë shpirtmadh e me vizion të guximshëm, patjetër do ta gjejnë mënyrën, si të ma heqin kularin e këtij ndëshkimi mizor, që më privonte të drejtën të kërkoja bursë studimi.
Megjithatë, pavarësisht nga përkrahja e tyre, shpirtërore e morale, brenda meje u thye shpresa e çdo ëndërrimi, ndaj nuk paraqita kërkesë me shkrim, për studime te larta. Drejtori i shkollës më thirri me urgjencë në kabinetin e tij, më tërhoqi vërejtje të rreptë dhe më urdhëroi të dorëzoja sa më shpejt kërkesën, për tre degët e dëshiruara, të shoqëruar me autobiografinë.
Krejt e natyrshme, që muajt e semestrit të dyte të maturës për mua qenë tejmbushur me makth gërryes, deri ditën e fundit të mbylljes së procesit mësimor dhe daljes së vendimit përfundimtar të Këshillit Pedagogjik, për futjen e maturantëve në provimet e shtetit. Shokët dhe shoqet e klasës dhe të tre maturave, thërritën; “Urrraaa”, kur lexuan emrin tim, si pjesëmarrës në Provimet e Shtetit! Kulari i ndëshkimit qe’ hequr! Por befasitë vazhduan: në provimin me gojë të matematikes, erdhi ministri i Arsimit, pikërisht në çastin kur do përgjigjesha unë! Mjedisi i klasës, u elektrizua.
Duke kapsitur sytë (më vonë e mora vesh se kapsitja i shkaktohej nga nervozizmi), ai m’u drejtua me dialektin lab: – “Lëri përgjigjet e tezës dhe na zgjidh disa problema me yll”! Drejtori më beri shenje me sy, ta përmbushja me sukses këtë kërkesë, duke buzëqeshur lehtë, me nëntekst se; “punët, do ecnin mbarë, ndaj mos u emociono”. Pas zbërthimit me detaje të tre problemave në dërrasë të zezë (dhe miratimit të plotë nga profesori i matematikës, i cili më tha: të lumtë!), ministri m’u drejtua me një ton të papërcaktuar:
– “Tani më dëgjo me shumë kujdes, more djalë! Partia po të bën një nder shumë te madh: do të të çojë për studime të larta në Universitetin më me famë të botës, në Universitetin ‘Lomonosou’ të Moskës, që të dalësh shkencëtar në Fakultetin e Kimisë, për degën Kimi-Fizike! Ndaj ty të takon t’ia shpërblesh Partisë këtë nder të madh, me rezultate të shkëlqyera…”!
Pas këtij pohimi, ai u ngrit në këmbë për të ikur. Doli hijerënde dhe autoritar nga klasa e provimit, i shoqëruar nga drejtori i shkollës dhe sekretari i tij, duke më lënë të shtangur, me këtë kumt befasues kaq të çuditshëm, që më dukej si ëndërr e fantazi! Për disa minuta, në mjedis u vendos qetësi e thelle. Profesorët, anëtarët e komisionit, i ngërthyen vështrimet mbi mua, me shikim pyetës: Si e ndjen veten? Të lumturoi apo, të dëshpëroi ky vendim i papritur i ministrit”?… As vetë nuk e kuptoja, si ndjehesha në këtë çast.
Sytë e mi qenë rrëmbushur me lot, nga kjo kthesë befasuese, që më vuri përpara një fakti drithërues të pa imagjinuar, i cili më detyronte të braktisja përfundimisht dy ëndrrat e mia, aktrimin dhe letërsinë, dhe tërë jetën time, t’ia përkushtoja shkencës! Urdhri i ministrit qe i formës së prerë. Kjo do të thoshte se pandehma më e vogël e mospëlqimit, sillte pasoja të tmerrshme rrënuese për mua dhe familjen. Kështu qe fati im, krejt befas u paracaktua mbrapsht! Isha i vetmi maturant në rrethin e Lushnjes, që e dija ku do studioja, para daljes së vendimit të Komisionit Qeveritar!
Pas një muaji fluturova drejt Moskës, një qytet gjigant krejt i panjohur, kryeqendra e Kampit të Socializmit, ku drejtoheshin ëndërrimet e hovshme të të gjitha moshave të asaj kohe. Nuk e vija në mëdyshje, që shumica e studentëve fillestarë, më shihte me lakmi, sikur unë beja pjesë tek ata që kanë kapur qiellin me dorë. Dhe sigurisht asnjë nuk e besonte që brenda meje, qe thyer dhunshëm shpresa e të ardhmes, pasi ende nuk e dija as vetë, si do rrokulliseshin më tej ngjarjet…!
Për të zbehur sadopak varfërinë e tejskajshme të shtetit tonë, në sytë e studenteve tanë dhe që të mos krijohej një imazh mjeran tek rusët, neve, studentëve konviktore, na dhanë dy copa stofi të cilësisë së tretë, por që për ne ishin copa luksi: njërën për pallto të madhe, tjetrin për kostum.
Sepse, duke përjashtuar të përkëdhelurit e “Bllokut”, që visheshin me petka të shtrenjta lindore e perëndimore, (sipas modës), studentët rishtarë me prejardhje fshatare, binin në sy me veshjet e tyre parake dhe dukeshin mjaft të hutuar, pasi për herë të parë shihnin avion me sy, e për më tepër, ende nuk besonin se do udhëtonin me aeroplan, drejt shteteve më të zhvilluara të Demokracive Popullore!
(Sidomos kur u ngjitëm në bordin e avionit ‘TU 104’, hutimi mori përmasa çoroditëse dhe habia u tjetërsua në mirazh fluror krejt të parrokshëm, sepse ne fillestarëve, na dukej sikur po shihnim ëndërr me sy hapur, ngaqë kurrë s’e kishim imagjinuar veten të përjetonim një çast kaq tronditës, të fluturonim mbi retë e bardha!)
Në aeroportin gjigant të Sheremetovës, vështrimet e habitura të studentëve fillestarë, morën pamje hutaqësh: na dukej vetja sikur gjendeshim brenda mjedisit të një filmi imagjinar! (Mendjet e pamësuara me pamje kaq marramendëse, që projektohen çdo sekondë e minutë në aeroportet ndërkombëtarë të superfuqive botërore, e kanë të pamundur të rrokin e përthithin brenda një kohe të shkurtër, morinë e larmishme të imazheve dhe mirazheve fantastike!)
Ndërsa udhëtonim me autobus për të shkuar në qendrën e pritjes së studentëve rishtarë, nga ku do bëhej shpërndarja, më dilnin para sysh filmat me përrallat ruse, që kisha parë në kinema. Por befasia më tronditëse, me përmasa fantastike, m’u shfaq kur u gjenda para Universitetit gjigant, me 34 kate, veshur me mermer, ku studionin 26 mijë studentë! (Thuhej se brenda hapësirave të kësaj ngrehine gjigante, kishte kaq shumë kthina, sa foshnja e porsalindur, dilte gjashtëdhjetë vjeç, po të flinte çdo natë në secilën! Dhe po kaq e habitshme dhe fantastike: në këtë tempull gjigant të dijes kryheshin vazhdimisht me dhjetëra e qindra veprimtari mjaft të larmishme shkencore, të rangut botëror!…)
U sistemova në zonën Zh, e caktuar për studentët e Fakultetit të Kimisë. Luksi dhe shkëlqimi marramendës, rikthyen përsëri në përfytyrimin tim, personazhet e përrallave ruse. Madje m’u duk atë çast, sikur kisha ardhur enkas për të zbuluar ku e kanë burimin fantazitë tërheqëse të shkrimtarëve dhe përrallave…! Të nesërmen, kur shkova në Fakultetin e Kimisë (ngrehine e veçantë jashtë ndërtesës qendrore, me përmasat e Universitetit të Tiranës), i thashë vetes se duhen flakur tej ngurrimet dhe druajtjet parake të madhështisë së shtetit gjigant, për t’u lëne hapësire të lirë aftësive të mia natyrore, që këto të shfaqen në të gjitha drejtimet.
Por brejtja e të ardhmes, mbeti brenda meje e pandryshuar. Sepse, duke qenë faktikisht student i Fakultetit të Kimisë, në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, paraqitej pothuaj i pamundur ndërrimi i degës së studimit. Megjithatë, nën shtysën e këshillave të disave, se ndërrimi i degës së studimit, mund të bëhet edhe në ambasadë (sado më dukej utopike), mora guximin ta provoja: kërkova takim me ambasadorin. Ky më dëgjoi me vëmendje dhe më sugjeroi të mos i hapja telashe vetes e familjes, me shpjegimin se, një kërkesë e tillë, shihej në Tiranë me syrin e njerkës kundërshtare, njësoj sikur kërkon qiqra në hell.
“Prandaj, – vijoi ai më tej: – Në vend të vësh vetulla, do nxjerrësh sytë! Flije mendjen. Pretendimi yt, nuk qëndron edhe për një arsye tjetër: ‘Në jetë ka plot shembuj konkretë, që shkrimtar mund të bëhesh, edhe kur ke mbaruar studimet për degë shkencore. Për shembull: Anton Çehovi i madh, ishte mjek. Dostojevski gjenial, inxhinier. E sa e sa të tjerë”!
Ky bashkëbisedim më bindi përfundimisht, se s’kisha rrugë tjetër zgjidhjeje. Prandaj vura në përdorim imagjinatën, për të gjetur një shteg, përmes të cilit të shpalosja aftësitë e mia të aktrimit. Shumë shpejt mora pjesë në grupin artistik të studentëve të huaj, si prezantues i programit artistik në gjuhën ruse.
U aktivizova gjithashtu edhe në grupin artistik të studentëve shqiptar të Moskës, si paraqitës programi dhe kërcimtar në vallet popullore, nën drejtimin e kompozitorëve Tonin Harapi, Vath Çangu dhe balet-maestros Gëzim Kaceli, asokohe studentë në Konservatorin “Çajkovski”. (Nga fillimi i muajit tetor, deri në fillimin e dhjetorit, grupi ynë artistik, jepte shfaqje në të gjitha akademitë dhe institucionet e Moskës, ndërsa shfaqjen e fundit në KNER, për nder të festave kombëtare, të 28 dhe 29 Nëntorit).
I veshur me kostumin popullor të krahinës së Malësisë së Madhe, duke mbajtur në duar flamurin tonë kombëtar, me shqiponjën krenare në sfondin gjak të kuq, parakalova mbi një makinë në “Sheshin e Kuq”, si përfaqësues i shqiptarëve, në festën e bujshme të Revolucionit të Tetorit, rast i vetëm që pashë drejtpërdrejt në afërsinë më të mundshme, udhëheqjen më të lartë sovjetike dhe krerët e delegacioneve partiake e qeveritare, të Demokracive Popullore.
Por gjëja me interesante u shfaq më pas, kur po kthehesha. Edhe pse përsipër kostumit popullor, kisha veshur pallton e madhe për t’u mbrojtur nga temperaturat e ftohta të vjeshtës, kur u futa në metro për të udhëtuar këndshëm dhe ngrohtë, vura re se mbi mua, u ngërthyen vështrime të shumta kureshtare, dhe filluan të shkrepen aparate fotografike. Pastaj, meqë për herë të parë shihnin veshje kaq interesante, më drejtuan pyetje kërshërie: “në ç’krahinë të cilit vend përdoren? Si prodhohen”? Unë u shpjegova në rusisht, aq sa dija, se burrat e Malësisë sonë, brez pas brezi, kështu janë veshur.
Madje në raste të veçanta, edhe gratë trimëresha, si Shote Galica, visheshin kështu që të luftonin përkrah burrave më të shquar. Disa filluan të mbanin shënime nëpër blloqe, ndërsa gratë shihnin me vëmendje qëndismat interesante. Kur dola nga metroja, në stacionin e Universitetit, një tufë turistësh në Lluzhnjiki, vrapuan drejt meje, duke shkrepur aparatet fotografike. Unë i lejova të fotografojnë. Këta më shoqëruan tërë qejf, deri në korpusin qendror. Dhe para se të përshëndeteshim, u thashë të më fotografonin edhe me aparatin tim. (Fatmirësisht, këto fotografi gjenden në albumin tim!). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016