Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzeteshtatë
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË PERLAT ALI ÇAUSHI, DREJTOR I DREJTORISË SË ZBULIMIT ME JASHTË NË MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME, NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME, PERLAT KASAJ
PROÇES – VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot më datën 21.6.1983, në Tiranë.
Unë hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Perlat Kasaj marr në pyetje si dëshmitar në hetuesi:
Emri, emri i babës, mbiemri: Perlat Ali Çaushi.
Datëlindja, (dita muaji, viti), 23.4.1935.
Arsimi: Të lartë.
Vendbanimi: L.8, Rruga “Dora D’istria”, Pallati 12/1, Shk 3/24 Tiranë.
Detyra: Oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Anëtarësia në Parti: Anëtar P.P.SH.
A është i dënuar: I padënuar.
Numri i letërnjoftimit: EV Nr.219215.
Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka të bëjë.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K. P., për dëshmi të rreme.
FIRMA E DËSHMITARIT
Perlat Çaushi
Në lidhje me çështjen, mund t’u them si më poshtë:
Qysh nga viti 1955 e në vazhdim, kam punuar në organet e Sigurimit të Shtetit në funksione të ndryshme. Këtu jam njohur edhe me armiqtë e Partisë, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu. Ndonjë afrimitet me ta nuk kam pasur, përveçse marrëdhënie zyrtare.
Prej vitit 1980 e, deri në janar të vitit 1982, unë kam qenë nën vartësinë direkte të armikut Feçor Shehu, në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Zbulimit. Për evidentimin e këtyre armiqve të Partisë, po evidentoj këto momente:
Armiku Feçor Shehu, e trumbetoi me të madhe vlerësimin që armiku Mehmet shehu, i bëri veprimtarisë së organeve të Zbulimit, duke e konsideruar “30 vjet mbrapa” atë dhe se “nuk e ka krijuar personalitetin e tij si kuadër zbulimi”.
A ishte ky vlerësim i armikut Feçor Shehu dhe ja futi në vesh armikut Mehmet Shehu, që ta kishte si armë për të mohuar punën shumë vjeçare të Zbulimit, apo këtë vlerësim i bëri vetë Mehmet Shehu, kjo nuk dihet? Sidoqoftë ky vlerësim i kënaqtë të dy armiqtë.
Periudha 30 vjeçare koinçidonte me kohën kur Mehmet Shehu iku nga Ministria e Brendshme, kurse Feçor Shehu kishte vetëm një vit që kishte marrë në vartësi Zbulimin. Vetëkuptohet se një vlerësimi tillë (përfshi edhe vlerësimin që Mehmet Shehu i bëri punës së organeve të Sigurimit të Shtetit në seminarin e vitit 1980), mohonte punën e Partisë dhe të shokut Enver në këto organe.
Me sa gjykoj sot, qëllimi i Feçor Shehut ishte që çdo akt normative, të kish firmën e tij, qoftë edhe të mos kishte ndonjë ndryshim esencial, pra të krijohej përshtypja se baza e normave në Zbulim, u vendos me ardhjen e tij.
Kështu u ripunua rregullorja e evidencës agjenturiale-operative dhe kompetencat. Tani për tani mund të themi se ai kishte tendenca që të vinte shenjën e barazimit, midis punës së Zbulimit dhe Kundër-zbulimit. Kemi bërë propozim për të ndryshuar disa paragrafë të kësaj rregulloreje.
Tentativat e armikut Feçor Shehu për të ndryshuar disa orientime të dhëna më parë për punën agjenturiale-operative. Për të përpunuar më mirë organet e UDB-së, pikësynimi ynë është dhe ka qenë tërheqja në bashkëpunim edhe e udbashëve me kombësi shqiptare dhe me qëndrim të mirë.
Feçor Shehu u përpoq që neve të hiqnim dorë nga të gjitha problemet e kësaj natyre. Sa herë dilnin propozime në këtë fushë, ai nuk pranonte të dëgjonte. Në rrjetin tonë agjenturor, kemi edhe disa kryesorë të organizatave reaksionare si dhe disa kandidaturave me perspektivë. Feçor Shehu dha orientime se ne nuk duhet të merremi me kryesorët, se pastaj nuk kemi cilin të përpunojmë me ta.
Prej kohësh në zbulim, janë hedhur bazat dhe janë krijuar disa grupe agjenturore. Edhe për këtë çështje, pa argumente, Feçor Shehu na urdhëroi që të hiqnim dorë. Kur tradhtari Mehmet Shehu, tha se në Zbulim duhen vetëm 20 agjentë, armiku Feçor Shehu, urdhëroi që të bëheshin përjashtime në radhët e agjenturës.
Qëllimisht Feçor Shehu, nuk besonte në agjenturën e Zbulimit, madje dhe tek ata bashkëpunëtorë që ishin të sprovuar. Për mjaft bashkëpunëtorë, jepte orientimin se; “ai është tradhtar”, “është dopjo rrol”, “mos u merrni me të”, “përjashtojeni”, etj.
Feçor Shehu, pengonte dërgimin e informacionit, udhëheqjes së Partisë. Me gjithë informacionet e shumta, që i dërgonim atij, vetëm një përqindje e vogël, i shkonte udhëheqjes dhe ajo kryesisht i dërgohej tradhtarit Mehmet Shehu.
Kështu u privua udhëheqja e Partisë, nga mjaft probleme që kishin të bënin me veprimtarinë armiqësore që zhvillohej nga jashtë kundër vendit tonë. Ai, gjente lloj lloj pretekstesh duke thënë; “ky informacion s’ka vlerë”, “nuk është punuar me kulturë”, “bashkëpunëtorët tuaj janë gënjeshtarë”, etj.
Tipike janë informacionet që dha Zbulimi, për ngjarjet në Kosovë, ku në mjaft prej tyre flitej për gjendjen shpërthyese. Mund të them se vetëm data e shpërthimit, mungonte. Asnjë nga këto informacione, nuk i shkoi lart udhëheqjes.
Se cili ishte qëllimi i mos informimit të udhëheqjes për këtë çështje kaq të madhe, kjo tashmë dihet, por neve në atë kohë as që na shkonte në mëndje, se kjo bëhej me qëllim armiqësor. Më vonë për këtë çështje, urdhëroi të bënim një studim për udhëheqjen e Partisë, për ngjarjet që ndodhën në Kosovë.
Në pjesën e parë të këtij studimi, përfshiheshin edhe të dhënat që kishim para ngjarjeve. Feçor Shehu pasi e mbajti disa ditë, e dërgoi lart dhe tha se; “nuk e lexova, futeni në dosjen e objektit”. Mendoj se ai veproi në këtë mënyrë pasi, donte që të mos dilte në shesh se Zbulimi kishte të dhëna që ai, nuk kishte informuar në kohë Partinë.
Pas shpalljes së fejesës së djalit, nga armiku Mehmet Shehu, në shtator të 1981, dhe prishjes së kësaj fejese, bashkëpunëtori “Gruri”, kërkon me urgjencë që të vinte ilegalisht në vendin tonë, sepse kishte disa çështje shumë të rëndësishme, që nuk mund t’i raportonte jashtë.
I dalim me propozim Feçor Shehut, që bashkëpunëtori të sillet në vendin tonë, por ai nuk e miratoi. Shtoj se pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, informacionin që bënte fjalë për këtë bashkëpunëtor, si dhe të dhënën e tij se; “amerikanët, informohen me kohë për çka bisedohet në Byronë Politike”, Feçor Shehu, ja kishte dhënë Elham Gjikës, pa vënë në dijeni Drejtorinë e Tretë, dhe as shokun Hekuran Isai, gjatë dorëzimit të detyrës.
Po kështu ndodhi dhe me një bashkëpunëtor tjetër i cili, kërkoi takim vitin e kaluar, për të raportuar disa çështje të rëndësishme, por më vonë u tërhoq. Për këtë gjë veç shokëve përkatës në drejtori, dinte dhe armiku Feçor Shehu e ndoshta dhe tradhtari Mehmet Shehu.
Për këtë unë, kam bërë një informacion të veçantë. Në 12.9.1981, nuk më kujtohet a ishte prishur fejesa e djalit të Mehmet Shehu, Feçor Shehu indirekt, nëpërmjet Drejtorisë së Parë (Kadri Gojashit), tërheq dosjet e të arratisurve Ramazan Turdiu e Arshi Pipa, pa më thënë mua direkt.
Disa ditë më vonë, pasi ishte prishur fejesa, duke qenë në zyrën e Feçorit, për probleme pune, më pyeti; “çfarë kë dëgjuar ti, për fëmijët e Mehmet Shehut”. I fola për fejesën, duke i thënë se ai, ishte një hap i nxituar dhe se njeriu më i thjeshtë, në të tilla raste, pyet për biografinë, se u bë shumë mirë që fejesa u prish.
Pastaj i fola për qëndrimin jo të hijshëm të fëmijëve të Mehmet Shehut, jashtë shtetit, si rasti i Bashkimit në Itali, për shoqërimet e Skënderit, me një………….., për Marjetën, që është bërë shpërndarëse e modës perëndimore në Tiranë, etj.
Në vazhdim, për të gjetur ndonjë mbështetje për fajet që kishte Feçori, si “kodoshi” i kësaj fejese, më pyeti; “Si mendon ti Perlat, a kam kam gabim unë, në këtë çështje”?! I them se; “nuk jam në gjendje t’ju gjykoj, pasi nuk dii gjë, madje edhe dosjet e Ramazan Turdiut e Arshi Pipës, tani po e kuptoj se ishin për këtë çështje”.
“Po ja, – vazhdoi Fecor Shehu, – shoku Mehmet më kërkoi biografinë e Silvës dhe unë ja dhashë”. Unë i thashë se; “në rast se ju e morët vesh, se fejesa do të shpallej, duke njohur biografinë e vajzës, duhet ta kishit informuar shokun Enver”. “Pikërisht, – përfundoi ai, – këtu është gabimi im”! Aty nga muaji Gusht-Shtator, i vitit 1982, jam ngarkuar nga udhëheqja e Ministrisë, për të studiuar disa dokumente në arkivin e MPB-së.
Në dokumentet që studiova, gjeta dhe një letër me firmën e armikut Mehmet Shehu, të cilën (nuk më kujtohet ekzakt), jua drejtonte kryeministrave dhe ministrave të brendshëm të vendeve të Traktatit të Varshavës, me anën e së cilës ai, autorizonte organet e Punëve të Brendshme të atyre vendeve, për të marrë në lidhje agjenturën tonë, që ishte në radhët e studentëve shqiptarë, që vazhdonin studimet jashtë shtetit.
Se si është vepruar më tutje, unë nuk di gjë. Por këtë duhet ta dinë Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu, që kanë bërë letrën. Këto gjëra më kujtohen për veprimtarinë e këtyre armiqve, të cilët siç thashë në fillim mund të shërbejnë për të nxjerrë më në pah, veprimtarinë e tyre armiqësore.
Proces-verbalin, pasi e lexova, dhe pashë që thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos. Memorie.al
Dëshmitari Hetuesi
Perlat Çaushi Perlat Kasaj
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016