Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetegjashtë
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË OFICERIT ALI ÇENO, ISH-PËRGJEGJËS I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA
PROCES VERBAL
(I pyetjes së të pandehurit)
Tiranë më 30.3.1983
Ne, Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rimarrim në pyetje të pandehurin Ali Çeno
Pyetje: Na jepni shpjegime i pandehuri Ali Çeno, se ç’dini rreth vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, dhe ç’veprime janë kryer nga grupi hetimor operativ, ditën e ngjarjes?!
Përgjigje: Në datën 18 Dhjetor 1981, unë kam qenë në dhomën e oficerëve, ku po prisja Mehmet Shehun, që të dilte për në punë. Rreth orës 8.00, ka njoftuar me interfoni Vladimir Shehu, që unë të shkoja urgjent në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Unë kam shkuar me vrap në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, e cila ishte në katin e dytë të ndërtesës. Në paradhomë, kam takuar Vladimirin, i cili më bëri me shenjë që të shkonim në dhomën e gjumit, duke më thënë; shko shikoje babin.
Unë, jam futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, dhe pashë që ai ishte i shtrirë në krevat, me fytyrë nga tavani, e i zverdhur në fytyrë. Unë, e kapa nga dora e pashë se ai ishte i ftohur. Mehmet Shehu, ishte i mbuluar me kuvertë e çarçaf deri në afërsi të grykës.
Unë, për t’i parë pulsin, e zbulova kuvertën dhe pashë se ai, i kishte duart i kishte të vendosura mbi gjoks, e të përthyera në bërryl. I pashë pulsin dhe konstatova se ai nuk punonte, kurse në krahun e majtë afër zemrës, pashë një njollë gjaku. Mbi krevat në krahun e djathtë, ishte pistoleta “Makarov”.
Mbas kësaj duke qenë i bindur se Mehmet Shehu, kishte vrarë veten, unë e kam mbuluar përsëri ashtu siç ishte më parë, kur e gjeta unë, dhe kam njoftuar mjekët Milto Kostaqi e Llesh Rroku. Kur kanë ardhur mjekët e janë futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, unë jam futur në studion e tij, e cila komunikon me dhomën e gjumit, dhe kam marrë në telefon për të njoftuar për ngjarjen Feçor Shehun, dhe shokët e Partisë. Së bashku me mua në studio tek telefoni kanë qenë edhe Vladimir Shehu e Jonuz Luto.
Mbasi mjekët e kanë parë kufomën e Mehmet Shehut, dhe ne bëmë njoftimet në telefon, unë e kam mbyllur me çelës dhomën e gjumit, dhe dhomën e studios së Mehmet Shehut, e kam dalë në korridorin e katit të dytë ku po prisnim.
Sqaroj se pas lajmërimit që më bëri Vladimir Shehu, me steriofoni, për të shkuar lart në katin e dytë dhe në korridorin e dhomës së gjumit, unë gjeta Fiqrete Shehun, Fatbardha Shehun, dhe Vladimir Shehun, ku Fiqretja me Fatbardhën u nisën për në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, kurse Vladimiri, siç shpjegova, më tha shko shiko babanë.
Kur unë isha tek krevati ku ishte vetëvrarë Mehmet Shehu, dhe po këqyrja veprimet që thashë më sipër, Vladimir Shehu duke qenë pas meje, zgjati dorën dhe mori një zarf mbi kokën e krevatit. Unë i thashë Vladimirit “çfarë more aty”?! Vladimiri më tha që Mehmet Shehu, para vetëvrasjes, ka lënë letër personale, ja ka lënë Fiqretes. Dhe e mori letrën.
Unë i thashë Vladimirit që ta linte letrën aty ku e mori, por ai nuk pranoi, duke më thënë se do ta mbante se ishte personale. Unë i thashë Vladimirit që ta mbante letrën, por të mos e hapte në asnjë mënyrë. Pak kohë pasi kemi dalë në korridor, aty ka ardhur Kadri Hazbiu, i cili u drejtua menjëherë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Derën, unë e kisha kyçur, prandaj kur Kadri Hazbiu shkoi tek dera e dhomës së gjumit, unë e hapa dhe Kadri Hazbiu u fut brenda dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, ku u step, u rrëqeth, pa rreth e rrotull, qëndroi pak dhe doli nga kjo dhomë. Sapo Kadri Hazbiu ka dalë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, unë i thashë që Mehmet Shehu ka lënë një letër, të cilën e mori Vladimiri dhe nuk pranoi që të ma jepte.
Kadri Hazbiu më dëgjoi, dhe nuk foli për këtë gjë, por më tha mua se; “Ku është Fiqretja” dhe unë i tregova dhomën. Ai, u fut në dhomën e Fiqretes e, i tha: “Përse o Fiqret e bëri këtë punë kështu ky, s’duhet ta kishte vrarë veten, se Byroja Politike e shumta një vërejtje në kartën e regjistrimit do t’i jepte”!
Fiqretja e shikonte Kadri Hazbiun, por nuk fliste. Kadriu, e pyeti për letrën, por ajo bënte sikur nuk kuptonte, prandaj ndërhyra unë e i thashë, se si ka lënë një letër të cilën e ka Vladimiri.
U thirr Vladimiri aty, e i dha letrën Kadri Hazbiut e ky i fundit, mbasi e palosi e futi në xhep dhe iku. Mbasi ka ikur Kadri Hazbiu, ka ardhur grupi hetimor, ku ishin Elham Gjika, Koço Josifi, Dhimitër Beshiri, Estref Myftari, e më vonë kanë ardhur mjekët Bashkim Çuberi e Fatos Harito.
Të gjithë së bashku, u futën në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut ku është bërë këqyrja e vëndit të ngjarjes ku si dëshmitar të pranishëm keni qenë, Milto Kostaqi dhe unë. Gjatë kohës që u bë këqyrja e vendit të ngjarjes, të gjithë personat që thashë më sipër, kanë qëndruar në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, dhe nuk janë larguar, me përjashtim të Elham Gjikës.
Ky nuk qëndroi bashkë me ne, por disa herë është larguar nga dhoma e gjumit. Se ku shkonte Elham Gjika, e se çfarë veprimesh kryente ai, unë nuk di gjë. Në dhomën e gjumit tek komodina e krevatit të Mehmet Shehut, ishin çelësat e tij të vendosura në një mbajtëse meshini.
Elham Gjika, i ka marrë këto çelësa në dorë, e më tha mua: “Këto çelësa, të kasafortës janë”?! “Po”,- ju përgjigja unë, – të kasafortës janë. Elham Gjika më pyeti mua se ku është kasaforta. Unë i thashë se kasaforta është në dhomën e studios së Mehmet Shehut.
Pasi ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes, të gjithë personat kanë dalë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut dhe janë ulur në katin e parë. Kurse Elham Gjika, Koço Josifi, Milto Kostaqi dhe unë, kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë, mbasi këtu jemi pyetur unë dhe Miltoja, nga Koço Josifi.
Këtu Elham Gjika i tha Koço Josifit që të na pyeste neve. Në kohën që Koço Josifi ka qenë ulur në kolltuqet korridorit të katit të dytë, dhe po shkruante ato që po i thoshte Milto Kostaqi, Elham Gjika u fut në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Kur unë e pashë Elhamin që u fut, i shkova nga prapa dhe kur u afrova tek dera, Elhami më tha; “Rri, mos u fut brenda se nuk është nevoja” dhe e ka shtyrë duke mbyllur derën pa çelës. Në këtë moment para se të mbyllej dera, unë i kam parë Elham Gjikës që në dorën e majtë kishte çelësat e kasafortës së Mehmet Shehut, kurse në dorën e djathtë, kishte çantën të cilën e mbante vazhdimisht në dorë.
Pas kësaj unë, jam kthyer tek korridori ku ishte Koço Josifi me Milto Kostaqin, dhe kur ka përfunduar pyetja e Miltos, jam pyetur dhe unë. Derisa jam pyetur unë, Elham Gjika, ka vazhduar që të qëndrojë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Kështu ai ka qëndruar në këtë dhomë, nga 20 deri në 45 minuta.
Mbasi ka dalë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, Elham Gjika ka ardhur aty ku isha unë, Milto Kostaqi, e Koço Josifi, dhe pasi pyeti Koçon, nëse kishte mbaruar e, Koço i tha; mbaruam, Elhami i tha Koços; “fillojmë nga dyllosja e dyerve”.
Nga ana e Elham Gjikës e Koço Josifit, është bërë dyllosja e dyerve dhe dritareve të dhomës së Mehmet Shehut. Ka qenë më duket dhe shoku Xhule Çiraku, e që të katërt kemi zbritur në katin e parë duke lënë roje në dyert e katit të dytë Pëllumb Rustemin. Kur zbritëm në katin e parë, Elham Gjika dhe Koço Josifi, kanë pyetur Fiqret e Vladimir Shehun.
Përveç kësaj Elham Gjika, ka ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut, edhe atë mbas dite kur u nxor jashtë dhome kufoma e Mehmet Shehut si dhe kur u bë eksperimenti hetimor. Dua të theksoj se mua, përveç pyetjes që më kanë bërë hetuesit atë ditë në shtëpinë e Mehmet Shehut, më kanë pyetur edhe në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Procesin e lexova, thëniet e mia, janë shkruajtur drejt, e firmos. Memorie.al
I pandehuri Hetuesit
Ali Ceno Bashkim Caka Sokol Koleka
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016