Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Kjo ishte vera më e trishtuar, që po kaloja në shtëpi. Nuk e kisha menduar se do ta ndjeja kaq thellë në qenien time mungesën e babait. Kur vëllai im i shtrenjtë ndërroi jetë në gjumë dhe unë që flija me të, vura re i pari si filloi të ftohet trupi i tij i ngrohtë, ndaj i llahtarisur vrapova tek nëna, t’i jepja lajmin e kobshëm, bota e virgjër fëminore, ende s’e kuptonte ç’pasoja të tmerrshme do sillte në familjen tonë kjo vdekje e befasishme, në pragun e lulëzimit rinor!
Por, duke qenë i lidhur pas prindërve e shoqërisë dhe kohën e kaloja me veprimtari të larmishme lojërash, dhembja e vrullshme e fillimit, sikur nisi të pakësohet pa u ndier, po e humbiste forcën e mëparshme të përfytyrimit tronditës e, po jepte shenjat e shërimit.
Pas nëntë viteve, dhimbja për vdekjen e kryetarit të familjes u shfaq tek unë krejt ndryshe, si rrjedhojë e pjekurisë së parakohshme. Në vend të kërkesave të dikurshme fëminore, nisën shqetësimet serioze të së ardhmes, të cilat morën përmasa tepër shqetësuese, dhe u formua përshtypja se kjo dukuri do kalonte nëpër labirinte mjaft të ndërlikuar, misteriozë e të paparashikuar.
Dhe akoma më e çuditshme: e ardhmja ime nuk do varej fare nga familja! Sepse sado prania e babait, të shërbente si forcë morale dhe busull drejtimi, me këshillat e mençura, ecuria e mëtejshme e jetës dhe rrjedha e saj, do përcaktohej nga forcat e errëta të politikës, duke shpërfillur çdo prirje e aftësi të natyrshme vetjake.
Kjo pandehmë nënkuptonte se në dy vitet në vazhdim të gjimnazit, do hidhen themelet e të ardhmes. Sepse s’përjashtohej mundësia që në vija të përgjithshme, të jetë skicuar diku dhe krejt papritur, mund të ndodhë befasia misterioze, në çastin e fundit vendimtar: ëndrra rinore të shkërmoqet si plis. Vija re me dëshpërim e keqardhje se familja prindërore po e humbiste rolin e saj parësor, për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Po ndodhte pothuaj e njëjta gjë si me zogjtë, të cilët pas daljes së puplave dhe forcimit të krahëve, kërkojnë fole të re.
Për të mos thënë që shumica, kur çiftohen, e harrojnë fare prejardhjen e tyre! Kisha njëfarë sigurie, aq sa e njihja veten, se me mua kurrë s’do ndodhe diçka e tillë. Përkundrazi, parandjenja më pëshpëriste herë pas here, se forca e gjakut do më mbajë vazhdimisht lidhur pas truallit të familjes prindërore, më tepër sa duhet, mund edhe të bëhet pengesë e pa kapërcyer për marrjen e vendimeve jashtëzakonisht të rëndësishme, gjatë kthesave jetësore të papërsëritshme, të cilat i japin fatit drejtimin e duhur.
Pas ikjes se babait nga kjo jetë e zhurmshme tinëzare, në kujtesën time do të mbeten vetëm këshillat e urta, si trashëgimia më e vyer, e cila bashkë me trashëgiminë gjenetike, do më japë forcën e duhur për të përballuar vështirësitë e mbijetesës. Përgjithësisht fëmijëria jonë, pati një farë pavarësie nga kujdesi prindëror. Ose e thënë ndryshe, mes nesh dhe prindërve tanë, ekzistonte një pavarësi e ndërsjellë, sepse ata s’kishin kohë të merren me ne.
Kështu që u mësuam ta drejtojmë vetë jetën tonë, duke filluar nga mbarëvajtja në shkollë, përgatitja në mësime, deri tek kalimi i kohës së lirë dhe kontrolli ndaj sjelljes. Pikërisht kjo pavarësi e dyfishtë, krijoi në mendjen tonë kristalet e para të pjekurisë së parakohshme, dhe na rrënjosi dëshirën për të punuar. Filluam të shijojmë kënaqësitë e para, kur provuam të nxjerrim vetë një të ardhur sado modeste. Unë një pjesë të kohës së lire, ia përkushtoja dyqanit të babait: mbaja pastër mjedisin, dërgoja veshjet e përfunduara në adresat e caktuara, (përveç punëve të shtëpisë, mbushjes së ujit e çarjes së druve).
Ndërsa njeri nga shokët e fëmijërisë tregohej më i shkathët e i guximshëm: shiste ujë tek fshatarët ditëve të pazarit, sidomos në periudhën e nxehtë të verës, kur dielli të digjte si saç dhe s’kishte hije ku t’u fshiheshe rrezeve përvëluese. Krahas kësaj, bënte një tregti të vogël, shiste gjilpëra qepëse dore e makine, pa patur ngurrim e druajtje, të reklamonte mallin e tij me zë të lartë:
“Gjilpëra çekosllovake, me bythë rrumbullake”! Varfëria e tejskajshme na detyronte t’i jepnim moshës tonë fëmijërore përmasat e të rriturve, na bënte t’i përjetojmë ditët e netët me mushtin e pakët të fantazisë, pa e lënë asnjë çast veten, të biem në prehrin e plogështisë e, ti kërkojmë qiqra në hell.
Duke përfytyruar veçoritë kryesore të fëmijërisë, sidomos pavarësinë e ndërsjellë me prindërit tanë dhe duke parë me sy kritik gjendjen financiare të familjes, (e ardhura e vetme ishte paga mujore e motrës, që punonte në postë, në sektorin e letrave), më lindi mendimi të kërkoja një punë të përkohshme dy mujore, që të siguroja vetë shpenzimet, për vitin shkollor në vazhdim.
Vështirësia e gjetjes, kishte të bënte me llojin e punës, që mos e kundërshtonte nëna. Se punë të rëndomta bujqësie, të shkoja në parcelat e sektorit të fermës, për të prashitur misër herët në mëngjes, sapo lindte dielli, e të kthehesha pas perëndimit në shtëpi, i lodhur deri në sfilitje, të jepnin lehtësisht, pa patur nevojë për ndërhyrje e shkresurina zyrtare. Por kështu, do mërzitja e dëshpëroja nënën dhe do ta fyeja motrën. Natyrshëm kësaj do t’i vinte rëndë nga shoqëria, dhe s’do ngurrojë të më tërheq vërejtje: – “Ti erdhe këtu të qetësosh nënën, apo të fitosh dy lek?! Me që kjo zgjidhje nuk shkonte, vazhdova të rrëmoja mos gjeja një mënyrë më të përshtatshme…”!
Befas më erdhi ndërmend pohimi i Mukes, se drejtorin e gjimnazit e njoftoi drejtori ynë i shkollës “Model”, dhe në çast më lindi shpresa, se ky njeri i mirë, mund të më ndihmojë. Ndaj pa e zgjatur dola nga shtëpia, duke i thënë nënës, se po bëj një shëtitje nëpër qytet, dhe mora drejtimin tek shkolla ime, ku kreva tre klasat e fundit. Ishte një ngrehinë e re gjatësore, me dy kate, e para shkollë që ndërtohej në qytetin tonë, pasi para kësaj, përdoreshin shtëpitë një e dy kate, të ish-bejlerëve të kamur, prona të shtetëzuara.
Menjëherë sa kapërceva portën e hekurt dhe u gjenda në oborrin e madh, (ku rreshtohen nxënësit sipas klasave para fillimit të mësimit, për të përsëritur në kor betimin e përhershëm “Gjithmonë gati”! pas shqiptimit të thirrjes nga komandanti i çetës: “Në luftë për çështjen e Partisë dhe popullit, të jeni gati!”), m’u shfaq para syve skena rrëqethëse e pesë marsit e vitit 1953, kur unë isha komandant çete dhe po prisja mjaft i shqetësuar në platformën e shkallëve, urdhrin e drejtorit që të jepja komandën e mëngjesit, por ky vazhdonte të ngurronte, ndaj mbi mjedisin e oborrit rrinte pezull një heshtje mbytëse, sfilitëse, aq sa nuk ngopeshim me ajër, na dukej sikur rrallohej e pakësohej, sepse prisnim të ndodhte diçka tmerrësisht e frikshme, e cila pas pak do na llahtariste!
Vëreja me bishtin e syrit, që drejtori bënte disa lëvizje të çuditshme, ngrinte kokën lart dhe e ulte, ndjente vështirësi për t’u shprehur, thuajse këtë çast për herë të parë provonte të fliste shqip ose, e pengonte diçka në gojë, ndoshta kishin filluar ta shtrëngonin shenjat e një paralize e befasishme. Kjo pandehmë më trembi, më krijoi përshtypjen e frikshme, mos e ngërthyen krizat e veçanta, që bllokojnë daljen e zërit bashkë me lëvizjen e nofullave, ndaj i dëmtuari detyrohet të bëjë sforcime të jashtëzakonshme, për të nxjerrë rrokje dhe fjalë!
Më në fund, pas shumë përpjekjesh, pasi ripërtypi e mbllaçiti rrokjet e copëtuara, ia doli në krye të formulonte fjalinë më të mundimshme në jetën e tij. Me zërin e tjetërsuar, që dridhej nga trembja, ai tha:
“Të dashur nxënës! Sot ka ndodhur gjëma më tronditëse dhe më e madhe në historinë botërore: U nda nga jeta Gjeniu i proletariatit botëror, Gjeneralisimi i Luftës së Dytë Botërore, Strategu i madhërishëm i fitores mbi Nazizmin e Fashizmin, Udhëheqësi i lavdishëm i popujve sovjetikë dhe i Kampit të Paqes, Mësuesi gjenial i mbarë njerëzimit, Josif Visarionoviç Stalini”! Pas këtyre fjalëve, fytyra e tij mori një pamje të papërcaktuar: përqasej me një maskë prej dylli, e zbehtë, pa gjak, me trajtë amorfe!
Më hyri tmerri mos i binte aty damllaja dhe do bëhej katrahure e llahtarshme, ngaqë ne të tjerët, nuk dinim ku ta mbanim mendjen më parë, tek gjëma e përmasave botërore, apo tek gjysmë kufoma e drejtorit! Por pas një minute, ai sikur erdhi pak në vete, ngriti kokën dhe hodhi shikimin mbi masën e nemitur të nxënësve. Ndoshta kjo gjendje e frikshme, iu shkaktua ngaqë ende s’e kish gjetur vazhdimin e fjalimit. Ose ndryshoi mendje, nuk qe i bindur se duhej shprehur pikërisht ashtu. Prandaj po i rishfaqeshin pengesat e fillimit, ngurtësimi i nofullave dhe trashja e gjuhës.
Kur e kuptoi se ngërçi nuk po i largohej, mendoi të bënte vlerësimin më të arsyeshëm. U tha nxënësve: “Në këtë ditë të kobshme, kur gjithë rruzulli ynë tokësor mban zi për humbjen e Udhëheqësit më të lavdishëm të shekullit të njëzet, ne do ta shprehim hidhërimin tonë të thellë duke ndenjur pesë minuta në heshtje. Lavdi e përjetshme Gjeniut Stalin”!
Dhe menjëherë pas kësaj thirrje, ndodhi çudia e pabesuar: ai ngriti dorën e djathtë lart, si nderimi nazist, duke na lënë të gjithëve të shtangur me këtë veprim të lajthitur! I trullosur deri në çoroditje hodha vështrimin e hutuar mbi mësuesit tanë, për të parë ç’qëndrim do mbanin këta pas këtij veprimi çmendurak, nëse ndonjëri do ndiqte shembullin e tij, apo do ta shpërfillnin me urrejtje. Kuptohet, nga qëndrimi i tyre, do të varej sjellja ime.
Por fatmirësisht zëri im i brendshëm, u tregua më i shpejtë e më i shkathët, më këshilloi të qëndroja me këmbët në tokë e, të mos ndiqja lajthitjen e drejtorit të shkarë nga mendja, prandaj bëra nderimin e pionierit, që nxënësit të ndiqnin shembullin tim. Vura re se jo të gjithë u bindën: disa, që nuk shihnin fare ç’po ndodhte rreth e qark tyre, rinin kokulur, pa nderuar, duke menduar se kështu shprehej më e plotë zija e thellë. Dhe, më e rëndësishmja, nuk do kenë pasoja të mëvonshme.
Drejtori më pëshpëriti me ton të nervozuar, të futeshin nxënësit nëpër klasa, pa shqiptuar betimin e mëngjesit. Unë u bëra shenjë me dorë dy mësuesve të klasave të para, të ngjitnin shkallët mes heshtjes së thellë. Kur oborri u boshatis dhe mësuesit e çoroditur nuk dinin si të vepronin, të futeshin nëpër klasat përkatëse, sipas orarit të mësimit, apo duhet të presin në sallën e këshillit pedagogjik, mos vjen udhëzim i veçantë për këtë ditë të pazakonte, dikush dha urdhër dhe mësuesit kujdestar të jenë në klasat e tyre, për të mbajtur nxënësit nën kontroll, dhe në tërë hapësirën e brendshme të shkollës, të mos pipëtijë as miza.
Mësuesi i gjuhës shqipe më tërhoqi veçmas, për të më thënë që hë për hë, nuk do futem në klasën time, sepse ashtu e do puna. Dhe unë qëndrova pranë dritares ballore, nga ku vëreheshin të gjitha hyrjet e daljet. Pas pak vura re tre vetë, që kapërcyen pragun e portës, dhe filluan të ngjitnin shkallët. Njërin prej tyre e njihja: ishte shefi i seksionit të arsimit, i cili një herë erdhi në klasën tonë për të parë çfarë mungonte dhe si duhet plotësuar. Tjetrin e dija që punonte në prokurori. Ndërsa të tretin, për herë të parë e shihja. Këta, të shoqëruar nga mësuesi i gjuhës shqipe, kaluan para meje pa më bërë asnjë pyetje dhe u futën në drejtori.
Megjithëse dymbëdhjetë vjeç, sapo kisha hyrë në moshën e adoleshencës, e mora me mend pse kishin ardhur. Me siguri do shqyrtohej veprimi i lajthitur i drejtorit të shkollës dhe do merrej një vendim, më i lehti – shkarkimi nga detyra që kryente, sepse nuk mund të ishte drejtues i mësuesve, pas nderimit nazist. Krahas kësaj, do përcaktohej gjendja e tij mendore: mund t’i besohet në të ardhmen detyra e nderuar e mësuesit, pas kryerjes së dënimit, apo duhet përjashtuar përfundimisht nga arsimi, për sjellje të padenjë, të cilën as armiqtë e hapur nuk guxojnë ta përdorin në një mjedis shkollor, para qindra nxënësve?!
Pas gati një ore, ata dolën nga drejtoria bashkë me drejtorin, zbritën shkallët, kaluan oborrin, kapërcyen portën dhe u futën në një “Xhip”, që ndodhej në rrugë, prapa murit rrethues. Në këtë çast mësuesi i gjuhës shqipe, u afrua pranë meje për të më këshilluar si duhet të veproj, nëse dikush më pyet; “çfarë ndodhi në shkollën “Model”, mëngjesin e 5 marsit dhe sidomos interesohet çfarë u tha për vdekjen e Stalinit. Pastaj në fund kureshtari, do të dijë saktësisht si i shkrepi drejtorit të nderojë kaq haptazi, si nazist. Por më e rëndësishmja, – theksoi ai, – nga goja jote s’duhet të dalë asnjë fjalë kush erdhi në shkollën tonë, gjatë kohës kur të gjithë ndodheshim nëpër klasa, mësues e nxënës bashkë”.
Kur shkova në shtëpi, pas mbarimit të mësimit, babai që ndodhej aty për të ngrënë drekë, më bëri shenjë të shkoja pas tij në odë dhe aty më kërkoi t’ia përshkruaja hollësisht, ndodhinë e çuditshme të këtij mëngjesi, i cili përbënte lajmin kryesor të ditës në qytetin tonë, ndaj me këtë çështje po merren të gjithë, (Komiteti i Partisë, Ekzekutiv, Bashkimet Profesionale, Kryesia e Frontit Demokratik, Dega e Brendshme, Prokuroria, Gjykata).
– “Sigurisht, së shpejti kjo çështje do shtrohet në çdo qendër pune, duke e vënë theksin tek ndikimet e shfaqjeve të rrezikshme, të cilat në raste të veçanta shpërthejnë si vullkane dhe shkaktojnë çoroditje ideologjike”, – shpjegoi im atë pasi dëgjoi përshkrimin tim. – “Hë për hë nuk jam në gjendje të japë ndonjë mendim, ç’gjë e yshti marrëzinë të dalë kaq hapur, ç’katrahurë e katandisi trurin e tij, deri tek lajthitja e këtyre përmasave të pabesuara!
Unë e njoh mirë ish – drejtorin e shkollës tuaj. (Them ish, sepse këtej e tutje, nuk dihet ku do përfundojë). Bashkë kemi biseduar shpesh për çështje të ndryshme dhe në asnjë rast nuk kam vërejtur shenja çoroditje e lajthitje. Përgjithësisht, mendimet i ka shprehur brenda kornizës ideologjike, pa mëdyshje prapavepruese. Meqë nuk shquhej për erudit dhe kulturë të gjithanshme, prej tij nuk priteshin përcaktime të zgjuara e të mprehta.
Por ndërkaq, kurrë nuk pritej të kryente rolin e të marrit përpara shkollës, pikërisht ditën më delikate, kur gabimi më i vogël, shumëfishohet me lente zmadhuese. Dreqi e merr vesh ç’shtysë e tmerrshme e ka detyruar trurin e tij, të bëjë atë lloj nderimi të frikshëm, kur asgjë nuk e kërcënonte! Për raste të tilla, çdokush mban qëndrim të ngrirë, me duar puthitur pas trupit dhe në fund thotë: I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Nuk di si ta shpjegoj… – përsëriti im atë. – Truri i tij atë çast, me siguri duhet të ketë pësuar shkarje të thellë mendore, që kreu atë veprim çmendurak! As psikiatri më i zoti dhe psikologu më i mprehtë, nuk e përcaktojnë dot çfarë ka ndodhur në sistemin e tij nervor, duke patur parasysh që përjashtimet e çuditshme, të rrezikshme janë pjesë përbërëse të botës tonë mendore. Kaq mjafton të dish. Për mua, si prind, dhe për ty, ka rëndësi të qëndrosh sa më larg interesimeve kureshtare.
Sepse këto ngacmime fryhen si ujërat e lumenjve gjatë shirave të rrëmbyer, të cilët dalin nga shtrati dhe marrin përpara me vorbullat e tyre, çfarë gjejnë përpara, duke shkaktuar katastrofa. Ti je fëmijë, nuk i rrok dot ambiciet e pushtetarëve. Pavarësisht nga përmasat e frikshme, që bart veprimi i çmendur i ish – drejtorit të shkollës tuaj, shtetit tonë, nuk i leverdis t’i bëjë jehonë kësaj marrëzie.
Prandaj, sipas meje, do ta nxjerrin përpara një komisioni mjeko – ligjor psikiatrik, që ky të vërtetojë gjendjen e papërgjegjshme të ish – drejtorit dhe në përfundim, të dalë me vendimin se: truri i tij e ka humbur plotësisht aftësinë të merret me veprimtari mendore, madje dyshohet dhe për punë të rëndomta, ndaj këtej e tutje, përjashtohet prej tyre. Për rrjedhoje, duhet mbajtur krejt i veçuar nga shoqëria, duke i caktuar një pension për mbijetesë, ose ndonjë punë zanati.
E quaj fat të madh për ty e, në këtë çast të nderë, të erdhi në ndihmë zëri i brendshëm, të tregoi si duhet të veprosh, përdore nderimin e pionierit. Përndryshe njerëz të caktuar, do merreshin me ne…”- shtoi babai i shqetësuar. – Sepse këta akoma s’janë ngopur, duke i dhënë ndëshkime familjes tonë!
Jo vetëm këtu, por kudo pushtetarët dhe partiakët, kanë urrejtje patologjike për shtetarët e tyre me prirje intelektuale, sepse tremben nga arsyetimet e mprehta, që zbulojnë mediokritetin dhe mashtrimet. Edhe ty ka për të ndjekur ky fat i hidhur- psherëtiu ai thellë. – Por ti ec në rrugën tënde të dinjitetit, sepse për cilindo ka rëndësi, t’i qëndrojë besnik ndershmërisë, sido të paraqiten rrethanat”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016