Nga Sokrat Shyti
Pjesa e gjashtë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
“Sa pa filluar hyrja e pasagjerëve, hip lart bashkë me gruan hallemadhe malësore dhe rregulloje diku në hapësirën para rreshtit të fundit, le të ulet përsipër hejbeve, mbi ato që nuk dëmtohen nga pesha, pasi ndenjëset janë të gjitha të zëna. Dhe i thuaj të mos bëhet merak, se do ta zbres aty ku duhet. Ndërsa ti, do ulesh këtu përsipër kapakut të motorit…”, – tha ai! Nuk e di pse këtë radhë qyteti im i vendlindjes, ku kalova fëmijërinë, m’u duk i largët dhe jo mikpritës?!
Edhe pse gjatë këtyre dy viteve, që jetoja në qytetin verior, pamja e tij e jashtme, nuk kish pësuar ndryshime të ndjeshme, m’u krijua ndjesia e një ftohtësie dhe mungesa e dëshirës, për të kaluar këtu tre muaj gjatë pushimeve të verës. Ndoshta kjo zbrazëti krijohej nga shterpësia e forcës tërheqëse të viteve të fëmijërisë, e cila na mbante lidhur fort pas familjes, lagjes e qytetit.
Shumica e shokëve dhe shoqeve, nuk ndodheshin këtu, qenë shpërndarë nëpër qytete të tjerë, për të ndjekur studimet në shkollat e mesme. Ndërsa për kalamajtë e dikurshëm, që tani na kishin zëvendësuar, nuk ruaja kujtime mbresëlënëse. Sepse edhe atëherë kur vazhdonim shkollën shtatë-vjeçare, brezi pas nesh më dukej i cekët në mendime e, i plogët në veprime, krahasuar me ne, ndonëse dy tre vite ishim më të rritur. Përgjithësisht vija re një zhvillim të vonuar të arsyetimit: dukeshin më kalamaj se mosha e tyre, kryenin veprime të nxituara, pa shenja pjekurie.
Dhe akoma më i thelluar po bëhej ndryshimi mes nesh, me kalimin e kohës, në vend të viheshin re shenja zbutje, po ndodhte e kundërta: ndërsa ne tregoheshim të përmbajtur në marrëdhënie me njëri tjetrin, dinim t’i përcaktonim qartë kufijtë e shoqërisë, pa shkaktuar acarime e mëri, këta zemëroheshin njësoj si më parë, për një fjalë goje, përdornin shprehje fare të lehta, me peshën e puplës, prandaj dhe formonin krisje të pakuptimta mendjemadhësie nga mungesa e përgjegjshmërisë.
Kësisoj u krijua një ndarje si me thikë, në arsyetime e pjekuri mes dy moshave fare të afërta, edhe pse kushtet e jetesës ishin të njëjta, varfëria qe ulur këmbëkryq në familjet tona dhe do na mbante për shumë kohë të ndrydhur, në trysninë e saj të skëterrshme. Rrugës nuk takova asnjë të njohur nga lagja ime, që ta pyesja tërthorazi apo drejtpërdrejt, si ishin me shëndet prindërit e mi. Por në fakt nuk doja të përballesha me asnjë, sepse i trembesha pohimit të dikujt dhe e ndjeja që s’do duroja dot, të dëgjoja një kumt te hidhur befasues, pa mbaruar ai rrëfimin, do shpërtheja në ngashërim.
Duke u pështjelluar nga kjo gjendje kaq e stresuar, më rëndonte këmisha në trup, sepse trysnia e brejtjeve shqetësuese, po bëhej gjithnjë e më gërryese, prej dy ditësh kishin filluar të më sfilitnin përbrenda, sa s’do duroja dot goditje të tjera. Megjithatë i jepja kurajë vetes, se duhet mbledhur mendja, sepse sado të tronditem e, sido ta përjetoj dhembjen, çfarë ka ndodhur, nuk zhbëhet më. Prandaj e vetmja mundësi për të lehtësuar tronditjen, ishte forcimi i kurajës, duke patur parasysh vërejtjen kryesore, se pikërisht mua më takonte para së gjithash, të ngushëlloja nënën, më të plagosurën në familjen tonë.
Befas dora e majtë, që mbante valixhen, u çlirua plotësisht nga ngarkesa që barte dhe këtë çast dikush më përqafoi nga prapa. Pastaj doli para meje, që të më shihte më mirë e të çmallej, duke më parë kaq pranë. Unë mbeta i hutuar disa sekonda, kur syri rroku uniformën ushtarake të kapterit, sepse në farefisin tonë dhe në shoqëri, nuk kishim asnjë nënoficer. – “Ke të drejtë të befasohesh, meqë më sheh për herë të parë me uniformë ushtarake”, – foli ai me të qeshurën e tij babaxhane. – “Sado të ndryshohet pamja e jashtme e njeriut, zëri dhe e qeshura mbetën të përhershëm, dhe këto dy veçori mjaftojnë për të përcaktuar identitetin”, – ia ktheva unë duke e përqafuar.
– “Kur je veshur ushtarak”?! – “Pasi kreva shërbimin e detyruar ushtarak, një miku ynë i familjes, më këshilloi të punoja si magazinier në një repart ushtarak, këtu në rrethin tonë. Meqë doli ky shans i mirë, pasi përveç rrogës bazë përfiton veshje falas dhe disa lehtësira të tjera, pranova menjëherë. Ti e di sa ngushtë kemi qenë nga financa. Jeta duhet përballuar, ashtu si na paraqitet”. – “Por ty të shkon uniforma ushtarake”, – shtova unë. – “E kuptoj që e thua me shaka”, – ndërhyri ai me qeshjen e tij babaxhane. – “Nuk e kam fjalën për pamjen e jashtme, por sepse uniforma, të dallon nga pjesëtarët e tjerë të grupit tonë. Jo më kot të quanim Komandant”!
– “Atëherë kishte lezet. Dhe të them të drejtën me vinte mirë, kur ju më drejtoheshit: shoku komandant! Kurse kapter, ma vret veshin”, – theksoi ai pa e ndërprerë të qeshurën. – “Por, përderisa pranova të jem bari në këtë stan, duhet të më shijojë bulmeti i tij. Tani kam një kërkesë: hajde pimë një kafe, llafosemi shtruar dhe çmallemi, pasi jemi rritur bashkë. Nënë Kadea të ka dashur e të do më shumë se mua, që më ka djalin e saj. Dy familjet tona në kohën e Luftës, ishin si një familje e vetme. E mban mend si të merrte kalipiç Kadea ime, kur nisnin bombardimet, dhe vraponim tek gryka e posit…? E mban mend”?
Edhe pse isha tre vjeç, më kujtohet si më pushtonte dhe më mbulonte me trupin e saj sa më zihej fryma, ndaj¡ thosha: “Ngadalë se më sype, moj nëna Kade”! Kjo ankesë më kish mbetur në kujtesë, bashkë me zhurmën e tmerrshme drithëruese të avionëve bombardues, që fluturonin mbi kokat tona. Mukja u shkri së qeshuri nga mënyra ime e të folurës, tamam si fëmijë trevjeçar, sidomos kur përdora foljen; “sype”, në vend të; “më shtype”! – “Ajo kohë nuk harrohet kurrë. Nëna Anë, Kadea dhe xhaxhesha Nurisha, duheshin si motra të dhembshura: ndanin bashkë kafshatën e bukës, hallet dhe dertet”!
– “Edhe baballarët tanë respektonin shumë njëri tjetrin! – shtova unë i kënaqur”, kur mbërritëm tek klubi në sheshin e qytetit. Menjëherë sa zumë vend tek një tryezë, pranë dritares së madhe, porositëm dy kafe. Mukja më hodhi një vështrim të thellë dhe vazhdoi mendimin e nisur: – “Prindërit tanë ishin burra të fjalës dhe besës, u kishte lezet kur e nxirrnin llafin nga goja! Por babai yt i nderuar, shquhej mbi të tjerët, sepse zotëronte një dhunti të mrekullueshme, që s’e kishte askush: ai nuk lodhej e nuk mërzitej së bëri bamirësi! Të gjithë e thonë: nuk gjendet në rrethin tonë, burrë i dytë me shpirt kaq fisnik, si xha Thanasi!
Sepse ushqeu fukarenjtë e vetmuar të qytetit, i veshi, i mbajti në strehën e tij, me muaj të tërë! Ishte me të vërtetë mrekulli, kur shihnim sa shumë përkujdesje tregonte për Kalien e shkretë, Vasilin e Anës, Pilon që robtohej duke mbushur ujë, për një copë bukë, Varvarën fatkeqe! Dhe sa herë binte rasti, nuk përtonte të këshillonte bashkëbiseduesit, të mos tallen me Aliun e Hysniut dhe Mahm’utin, duke e shoqëruar këtë kërkesë me shpjegimin e mençur, se; këta janë viktima të mangësisë natyrore mendore e lajthitjes.
Si besimtar me kulturë të gjithanshme, bindte cilindo se sjellja e mirë ndaj tjetrit, zbukuron dhe fisnikëron njeriun, qenien e vetme me vetëdije. Se trupin dhe trurin, dy pjesët kryesore të organizmit tonë, i kanë dhe kafshët, por jo mendjen. Pikërisht mendja, që rrezatohet nga truri, na dallon dukshëm jo vetëm nga bota shtazore, por krijon dasitë nga njëri – tjetri, përcakton individualitetin e secilit. Prandaj mendimet e babait tuaj, janë skalitur në kujtesën e brezit tonë. Ju, fëmijët e tij, jeni fat-mëdhenj që kishit një baba kaq të ditur e bamirës të ndritur! Është për të ardhur keq, që shumë rrallë ndodh ajo çfarë na bënë të ndjehemi krenar: të vlerësohet nga shteti dhe shoqëria mendja e ndritur, aq sa e meriton!
Cili burrë tjetër në rrethin tonë, i brezit të prindërve tanë, ka mbaruar Gjimnazin Zosimea të Janinës, me medalje ari?! Kur e mora vesh nga im atë, mbeta pa frymë! Edhe kur emigroi në Amerikë, krahas punës shumë të rënde, vazhdoi studimet në Universitetin e Pensilvanisë. Na vjen keq që këto dije, nuk i vuri dot në përdorim, në dobi të shoqërisë! Do thuash: ku? Të paktën profesor në një shkollë, duke filluar nga më e ulëta, shtatëvjeçare. Burrat e ditur në Shqipëri, që zotërojnë gjuhë të huaja sa gishtërinjtë e dy duarve, i kemi shumë të rrallë, jashtëzakonisht të rrallë…”! – theksoi Mukja, me sy të përlotur.
Për herë të parë e dëgjoja “komandantin” e grupit tonë të fëmijërisë, të fliste kaq gjatë dhe me dashuri të jashtëzakonshme, për tim atë. Edhe atëherë kur binte rasti, që vinim në dukje meritat e prindërve tanë, sidomos të baballarëve, nuk mbaj mend të ketë përmendur e renditur kaq shumë dhunti, duke e quajtur si këtë çast, bamirës të mrekullueshëm të qytetit dhe erudit të lënë në harresë të plotë nga shteti dhe shoqëria! Sigurisht ndjehesha krenar që isha djali i tij! Por në këtë takim të rastësishëm me fqinjin e afërt, më dukej e çuditshme dhe ky e filloi bisedën drejt me dëshirën, për të shfaqur mendime e vlerësime për babanë, pa patur pikë interesimi për ecurinë time shkollore, duke e nisur me pyetjen e rëndomtë: “Vazhdon sukseset e tua në Gjimnaz, si këtu? I ke treguar atje aftësitë”? Dhe vetëm pas pyetjes së tretë: “Ecën në gjurmët e babait tënd erudit”, mund të dilte fare natyrshëm, tek vlerat e rralla të tim eti, nëse gjatë bisedës përmendej si shembull konkret, një veçori e rrallë njerëzore, si bamirësia!
Ndërsa kështu si u tor muhabeti, nuk e vija më në mëdyshje, që fqinjin tim, e shtynte një ndjesi e brendshme shumë e fuqishme, për të theksuar vlerat e jashtëzakonshme të babait tim, ndjesi që zakonisht shfaqet kur dikush ikën nga kjo botë, dhe natyrshëm ngushëlluesit e vërtitin muhabetin, rreth virtyteve të rralla që ka patur i ndjeri, si të bënte për vete me urtësinë dhe maturinë e tij, si shquhej për vetëpërmbajtjen në rastet më të skajshme, kur nervat skuqen flakërimë nga nxehtësia shumë e lartë, e diskutimeve kundërshtare jashtë kontrollit. Dhe në fund të këtij pohimi, përmendet vlerësimi përgjithësues: “Shumë rrallë takohen njerëz që nuk përdorin sharje në fjalorin e tyre. Një nga këta shumë të rrallët ishte i ndjeri”!
– “Por pavarësisht nga mendimi i mëparshëm, se Shteti dhe shoqëria shumë pak vëmendje e kujdes tregonte ndaj vlerave të njerëzve me kaq virtyte, banorët e këtij qyteti e treguan veten, sa shumë e donin dhe e nderonin atin tuaj”, – vijoi pas pak Mukja, pasi fshiu lotët me shami. – “Përcjellja për në banesën e fundit, u bë madhështore! Të kujtohet kortezhi i pa fund, kur vdiq vëllai yt i mrekullueshëm, Llazari, para nëntë vitesh”?
– “E kam të regjistruar me të gjitha hollësitë në kujtesë, nga çasti i vdekjes së befasishme, në gjumë, pasi unë flija me të…” – fola unë mjaft i tronditur, duke përfytyruar ato skena drithëruese, që më rishfaqeshin me javë e muaj, herë në ëndërr e, herë nëpërmjet imagjinatës.
– “Qyteti ynë nuk kishte parë varrim kaq madhështor, si ai i vëllait tënd: kur koka e kortezhit mbërriti në kishën e Golemit, dy kilometrat e xhadesë, qenë mbushur me shoqëruesit përcjellës, sepse të gjithë donin të shprehnin dhimbjen dhe dashurinë, për djalin zemërartë, që mortja e mori tinëzisht në fillimin e lulëzimit rinor…! Po i njëjti varrim madhështor për nga përmasat, u përsërit pas nëntë viteve për atin e këtij djali të mrekullueshëm, babanë tuaj, kur vdekja e mposhti, ia rrëmbeu fijen e vetme të frymës…”!
– “Kur ndodhi”?… – e pyeta me zë të dridhur. – “Në fund të marsit. Ato ditë bëri një athëtimë tmerrësisht e hidhur, që shëndeti i tij, nuk e përballoi. Ishte në grahmat e fundit. Mjekët bënë të gjitha përpjekjet, por s’e parandaluan dot vdekjen! Menjëherë sapo u përhap lajmi i vdekjes, u ngrit në këmbë kolektivi i rrobaqepësisë dhe formoi komisionin për varrimin e usta Thanasit, ashtu si i takonte këtij burri të shquar, me virtyte kaq të rralla”.
– “Po nëna e gjorë si e përballoi këtë goditje”? – “Vajtimi i saj, filloi dhe mbaroi me emrin e djalit div. Na pikonte shpirti kur e dëgjonim t’i drejtohej birit, që ishte ndarë prej nesh para 9 viteve. Fliste me të, sikur ta kishte aty pranë përpara syve! S’kam zemër ta përshkruaj në këtë çast, vajtimin e saj tronditës. Në fillim i drejtoi pyetjen: Pse e more babanë pranë vetes, more bir?
Pastaj i ktheu përgjigjen: E more se e doje ta kishe pranë, ngaqë u mërzite i vetmuar, në majë kodrës së Golemit! Gjithë dhimbjen për ndarjen nga jeta të babait tuaj, e derdhi përmes kujtimit të djalit, si kavak, të cilin Perëndia e mori në Mbretërinë e tij, për ta bërë engjëll. Nena ime dhe gratë e tjera, nuk reshtën së derdhuri lot. Të gjithave u kujtohej gjëma e llahtarshme e para 9 viteve, kur vëllai yt ishte shtrirë për të fjetur gjumin e përjetshëm dhe asnjërës nuk i besohej se nuk do zgjohet, qoftë një herë të vetme, për ta ngushëlluar nënën Anë, t’i thotë kësaj, se; Zoti do më kthejë pranë teje, pasi nuk i duron dot piskamat e shpirtit të shqyer nga dhimbja!
Pikërisht në këtë çast të nderë, mbërritën në shtëpi dy priftërinjtë e nderuar, Papa Petro dhe Papa Kostandini. Këta u futën drejt në dhomën ku ndodhej kufoma e të ndjerit, për të kryer ceremoninë e shenjtërimit të shpirtit. Të gjitha gratë u ngritën në këmbë dhe vajtimi u ndërpre. Uratat e nderuar filluan të këndojnë me zë të ulët psalmet, sipas liturgjisë, spërkatën trupin dhe fytyrën e të ndjerit me ujë të bekuar, iu lutën Perëndisë t’i japë bekimin, ashtu si e meriton ky besnik i devotshëm, që vite me radhë i shërbeu kishës si psaltës i parë, u bëri shërbim të palodhur besimtarëve të këtij qytetit, përçoi porositë e çmuara të Zotit, deri në zemrat tona.
Për të nderuar emrin dhe veprën e tij, me porosi të Dhespotit të Beratit dhe me vendim të Sinodit të Shenjtë të Kishës tonë, sot në Kishën e Golemit, ku do bëhet varrimi i të ndjerit, do kryhet një meshë përcjellëse. Arkivoli i mikut tonë të nderuar, i cili me këshillat dhe bamirësitë e mrekullueshme për të ndihmuar fukarenjtë, na ndriçonte rrugën, për të mos rënë në ngasje, do qëndrojë gjatë gjithë kohës së meshës, përmbi epitaf. Ky nderim kaq i veçantë, bëhet edhe me kërkesën e besimtarëve ortodoksë të qytetit, përfshirë dhe dëshirën e gjithë banorëve të feve të tjera.
Prandaj në mjedisin e Kishës së Golemit, do jenë të pranishëm ortodoksë, myslimanë, bektashinj dhe plot të tjerë, që e kanë dashur dhe e kanë respektuar Thanasin tonë të shtrenjtë, i cili do të mbetet në kujtimin e qytetit, lapidar i mendimit përparimtar dhe fanar udhërrëfyes, për t’i dhënë shoqërisë, gjithçka të mirë nga vetja, pa kërkuar asnjë lehtësim për shërbimin e palodhur në dobi të njerëzimit”! Pas këtyre fjalëve, kapaku i arkivolit u mbyll dhe dhjaku, drejtuesi i komisionit të varrimit, u bëri shenjë djemve të caktuar ta bartin në duar, që ta vendosin në shtratin e makinës, pasi erdhi koha e nisjes. Një organizim i përsosur…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016