Nga Visar Zhiti
Pjesa e parë
– Kur do të ishte 90 vjeç –
Memorie.al / E dëshirueshme shumë, po dhe gëzueshëm normale do të kishte qenë që familja e Pjetër Arbnorit dhe miqtë, por dhe Shqipëria sot, të sillnin tortën e ditëlindjes së tij me qirinjtë me numrin 90 që do të tregonin moshën dhe ai në krye t’u frynte për t’i shuar mes haresë dhe brohërimave dhe të ngrinte gotën e verës si bashkëshort dhe prind dhe gjysh, por dhe si bashkëvuajtës i lartë në burgjet e rënda të një diktature barbare, si deputet më pas dhe krye-parlamentar dinjitoz por dhe si shkrimtar i veçantë. Po ai iku i qetë dhe me një heshtje të mistershme 19 vjet më parë duke i lënë të gjitha, edhe për të mos shqetësuar, por në rregull me veten dhe botë…!
RIKTHIMI I STATUJTË
Rikthimi si statujë i Pjetër Arbnorit para Parlamentit që udhëhoqi si Kryetari i parë i tij në Shqipërinë post-diktatoriale, pluraliste dhe demokratike ishte ngjarje me rëndësi, do të thosha, por jo se erdhi fryma e tij, s’ishte ringjallje, pavarësisht se në zemrën e familjes së tij ai është përherë si dhe te miqtë, bashkëvuajtësit dhe bashkëpunëtorët…! Edhe si statujë prapë Pjetër Arbnori është më i mënjanuari, për të mos thënë më “i persekutuari” i statujave aty përreth, pas lulishteve në rruginën ku rojet me armë nuk i lejojnë kalimtarët, përveçse deputetët, i vendosur para murit të ngrehinës së Parlamentit, që duket e ulët dhe fare e mpakur, jo vetëm pse në krah të saj është ngritur xhamia më e madhe në Ballkan, por dhe prej cilësisë së deputetëve brenda.
Statuja e Pjetër Arbnorit u duhej, por jo më Pjetër Arbnori dhe çuditërisht atë e sollën jo bashkëpunëtorët e tij, partia e tij, por kundërshtarët, ata të partisë, që kur ishte e vetme, e burgosi. Tashmë në bronz, statujë, gjithsesi na (ri)kujton atë se sa njeri ai ishte, e kundërta e bronzit, shumë njerëzor, ndërkohë dëshmitar dhe kundërshtar i paepur i së keqes, qendrestar në burgje dhe triumfator për të gjithë bashkëvuajtësit e tij. E sulmuan, e përfolën? Po. E deshën dhe e nderuan? Po, dhe më shumë…! E krahësuan me Nelson Mandelën, e ka patur më të vështirë se ai, them unë.
Mandelës i thoshin që po të ndërronte mendim e qëndrimet, e lironin nga burgu. Me të burgosurit shqiptarë nuk kishte tolerime të tilla dhe ishin të ndaluara rreptësisht idetë. Václav Havel në burg kishte makinë shkrimi në dhomën ku e mbanin mbyllur, për të burgosurit shqiptarë kishte vetëm makina torturash dhe punonin si skllevër kampeve, në miniera të tmerrshme, etj, etj.
* * *
Pjetër Arbnori është një dukuri, mund të themi. Sa e veçantë, po aq dhe shëmbëlltyrë. Erdhi nga terri i thellë i dënimeve dhe u bë i njohur në post-diktaturë, në tranzicionin e vështirë, që s’mbaron, teksa i ishte bashkuar lëvizjes për demokraci duke u bërë dhe lider i urtë. Ashtu mbeti, dinjitoz, me luftë të brendshme, jo revolucionar, që besoj se nuk e honepste më, por ai shkaktonte dhe shamatë përreth, jo vetëm nga opozita e tij. I ngadaltë, po i sigurt. I dijshëm, pa shumë fjalë, por dhe polemist dhe orator. Edhe shkrimtar Dha më shumë se ç’mori. Donin më shumë prej tij, por aq ishin mundësitë. Realitetit i dha praninë emblematike tonën.
Donin të harrohej, befas kur s’pritej, u kthye i statujtë. Që edhe ajo përflitej. Ai përsëri hesht, shumë e më shumë. Na ka lënë disa libra për të cilat një studiues në Itali, Prof. Giuseppe Gradilone, kur ishte Drejtor i Katedrës së Albanalogjisë në Universitetin “La Sapienza” në Romë, shkruante se Arbnorin nuk e çoi letërsia në liri, por robëria, burgu e çoi atë te letërsia. 29 vjet burg. Më shumë se mosha e shkrimtarit, bashkëqytetarit të tij, Migjenit. Qëndresa e Arbnorit, fati i tij, lartësimi dhe ndihmesa, të harruarit dhe rikthimi janë me interes, vërtet përbëjnë një dukuri, ku më shumë se sa Arbnorin, kuptojmë kohën, ecurinë e saj dhe të tjerët, ata që bëjnë kohë dhe si.
Dhe me Arbnorin kuptohet Shqipëria e sotme, demokracia e saj, mes traumave dhe shpresave, mashtrimeve dhe arritjeve, humbjeve dhe harresës, lirisë dhe kaosit në dyert e mbyllura të Europës. Ai, Arbnori, është pjesë e historisë bashkëkohore ashtu si mes atyre që e njohën dhe punuan, që e deshën dhe e sulmuan, atëhere dhe prapë që i përballi urtësisht në gjallje dhe ende më urtësisht i statujtë. Statuja e tij ashtu e mënjanuar, që sikur është bërë më shumë për të mos u dukur se sa për t’u dukur, prapë thotë dhe shqetëson kujtesën, jo vetëm parlamentare, të akademisë aty pranë, të rojeve me armë, të partisë së tij, që proteston, do të meritojë atë fitore kur kishte në gjirin e saj Pjetër Arbnorin, – e deshën apo u duhej (?!)
– Arbnori shqetëson gjithsesi pushtetin, qoftë dhe me atë thënien anekdodike që “socialistët nuk janë socialistë, por specialistë”, pra mungon idealet, etj., etj., por në fund të fundit Arbnori bëri që të bashkohen simbolikisht përballë statujës së tij. Por më shumë se sa statuja, Shqipërisë i duhet Fryma e bashkëvuajtësve të Pjetër Arbnorit, idealet e tyre dhe ëndrra, sepse dhe kundërshtarët e tyre janë të detyruan dhe kanë interes atë Shqipëri për të cilën ata u persekutuan, por qëndruan, u martirizuan, por triumfoi ideali i tyre dhe kryeministri tani mund ta thotë me zë të plotë se cilët ishin në anën e drejtë të historisë. Kurrsesi ata që sollën tiraninë. Prandaj dhe u desh dhe s’u pengua metamorfoza e tyre antikafkiane…!
ARBNORI-NJERI, NJËRI NGA NE
…E njoha dhe punova me atë, do të doja të thosha diçka, grimca ndodhish, që mendoj se shpjegojnë më përtej. Më thërrasin qendresa dhe dëshpërimi i tij i fundmë, triumfi dhe zhgënjimet, urtësia e tij thërret po aq shumë. Së pari emrin “Pjetër Arbori” e dëgjova në burgun e Spaçit, ma tha këngëtari Sherif Merdani… atje në Burrelin e zymtë, muretrashë është dhe ai… di shumë, i urtë…! Emri i tij më kumboi mirë, sikur bashkohej e shenjta me arbëroren. E si mund të futej në burg ai emër? Shkruante dhe përkthente, thoshin. Tregimeve dhe romaneve të tij u vinte emër shkrimtari të huaj, sikur ishin përkthime.
Me emër tjetër ai ishte regjistruar dhe në universitet, sepse nuk i lejoheshin studimet e larta për shkak të biografisë, ia kishin pushkatuar babanë. Pastaj dhe atë e dënuam me pushkatim se donte të themelonte një parti tjetër, klandestine, demokratike. Pushkatimin ia kthyen në burgim të përjetshëm…! Me emër tjetër universiteti, pastaj parti tjetër e fshehtë dhe me emër tjetër romanet e tij në burg, të gjitha për të mos u tjetërsua si njeri së brendshmi. Por s’ishin tjetër qëndresa e tij në një jetë pa jetë, guximi i të qenit sa më njeri dhe në ferr, kur s’lejohej, mbrojta e vetes, ngjitja e copave të thyera, dinjiteti i natyrshëm, grevat e urisë në burg dhe në parlament, drejtimi i tij me urtësi të hekurt, përballjet me sulmet e egra të kundërshtive dhe diabolike të të vetëve.
* * *
Dua të risjell këtu copëza rrëfimesh domethënëse, i nxora nga harresa. Njëra është te burgologjia ; “Rrugët e ferrit”.
1.
DUHANI I PJETRIT…!
Burrë i ditur në Burrel (në burg), thonë, është Pjetër Arbnori. Prift është ky? Jo, ka qenë mësues. Shkruan romane. Po ta pëlqeu shkrimin Pjetri, ta dish, ka vlera.
– “Kush do të bëjë poezinë më të bukur për dritën e hënës, do t’i jap atë 1 kg. duhan, që më ka ardhur nga shtëpia”, – u thotë Pjetri shokëve të dhomës së vet. Vërtet ç’ujëvarë drite, një tuberkuloz i florinjtë dergjej në frëngji! Kurse hëna s’dukej, jo se e kishin zënë retë, por muret ciklopike. Drita e hënës sikur gurgullonte nga ajo copë nate përtej.
U përzgjodh juria (me të burgosur). U mblodhën poezitë, copa letre, copa lëkure, shpirti… ca ishin gati, dikush po donte të përshtaste një tjetër a të bënte të re. Dhe si më e bukura u zgjodh ajo e kolonjarit Luan Burimi. “Po, ky e ka poezinë në mbiemër. Në emër ka luftën. Ngjan pak me të Alfred De Myse. Jo, jo, është origjinale. Ka frymëzimin popullor të krahinës së vet. Është stili i tij kështu. Urime, Luan”!
“E mrekullueshme ideja jote, Pjetër, për këtë konkurs në burg! Asnjë gazetë nuk do të shkruajë, s’do të flasin radiot, televizioni. Poetët jashtë, ata të realizmit socialist, marrin çmime të mëdha, me poema për diktatorin, për komunizmin, Partinë, u japin dekorata atyre, pará, studio, udhëtime jashtë shtetit. E ata asgjë nuk thonë, jo protestë, jo, por as një mërmërimë. Të paktën këtë konkurs poetik në burg, dhe s’është i pari, për një hënë që s’kursen ta derdhë dritën dhe për ne, të dënuarit, kujtoheni…”!
2.
Më pas, kur ra perandoria komuniste e Shqipëria mori tjetër udhë, do të na ndodhnin gjëra që as guxonim t’i ëndërronim. Ja, Pjetër Arbnori do të vendosej si krye-parlamentar pikërisht në zyrën e diktatorit Enver Hoxha, në ngrehinën ku kishte qenë Komiteti Qendror i PPSH-së e shndërruar tashmë në Kryesi të Kuvendit. Në burgologjinë time të dytë; “Ferri i çarë”, e rrëfej këtë, përjetim imi:
PJETRI NË ZYRËN E ENVERIT!
Kur hyra për herë të pa rë në zyrën e Diktatorit në ngrehinën e Komitetit Qendror, pata ankth dhe një frikë të tjetërllojtë, të mistershme. Kujtova se do të kapërceja mbi kufoma për të mbërritur në atë derë. Trokita. Ja, ja, nga kjo zyrë i vinin mynxyrat Shqipërisë. Shandani në tavan po më dukej si kokë e prerë, e kapur nga flokët e përgjakur. E pabesueshme. Në poltronën e tij qe ulur Kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit, Pjetër Arbnori, mbas 29 vjetësh burg. Prapë me rojë ai, dikur e ruanin si të burgosur, tani…!
“Pse, nuk u pushkatua ki? – pyeti fantazma e Enver Hoxhës. – Apo u kthie këtu pas vdekjes së vet, fantazmë si unë? Kot ia falëm atë dreq jete, na paska dashur të themelojë parti tjetër ki, është dhe katolik, do të më kenë mashtruar, vetëm tradhtarë kam pasur përreth, jo bashkëpunëtorë”!
– “Dua të punojmë bashkë, – më tha Pjetër Arbnori, – merru me bibliotekën dhe shtypin këtu. Pranon”?
– “A nuk është e tmerrshme”?… – e në vend të thosha ‘zoti’, desh mërmërita: – Shën Pjetër. Pashë në tryezën e tij telefonat. M’u dukën si mjete torture.
– “Nuk di t’i përdor, – më tha, – sidomos këta të brendshmit. Butonat kanë ende emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të ministrave të pushkatuar. S’dihej a u telefononte dhe atyre, i thërriste të vrarë. Poshtë ndërtesës është labirinti, bodrumet dhe kanalet e nëndheshme. Të çojnë nëpër vilat e gjithë udhëheqjes. Në punë do të vish me kravatë”.
Ndërsa po më përcillte, vura re se i tërhiqte si zvarrë këpucët e bardha, “ngaqë ka mbajtur gjatë vargonj ndër këmbë, – mendova, – dhe vazhdimisht ka ecur me shapka burgu”!
– “Dëgjo, po të duash, zbrit me ashensorin e Enver Hoxhës, del më shpejt”, – dhe më shtrëngoi duart.
Kur u mbyllën dyert, m’u duk se isha në një dhomë të ngushtë nga ku do të shpërthente gazi i vdekjes. Nëpër pasqyra më fanitej Enveri. Jo kaq pranë tij, o Zot! Ashensori po zbriste për në ferr.
3.
PARA SE TA BËNIN STATUJË DHE MË PAS
Nga të qenit simbol i vuajtjes dhe i qëndresës në diktaturë dhe deri sa u bë statujë në demokraci është në mes koha e Pjetër Arbnorit – njeri. Meqenëse ai i mbart dhe i bashkon këto dy kohë, le ta quajmë dhe ne atë “demokraturë”, me të gjitha kuptimet që i japin asaj…!
Kam ndjesinë se, e përsëris, që ta kuptojnë se e kemi kuptuar dhe e dinim, në fund të fundit më shumë janë dashur simboli dhe statujat e martirëve, të të pushkatuarve, atyre që vdiqën burgjeve dhe i përndoqën gjithë jetën, gjatë gjithë regjimit mizor që sundoi gjysmë shekulli e vazhdon ndryshe, se shpirti i tyre, idealet dhe porositë, fryma e te përndjekurve, e them shpesh, ajo është era që solli ndryshimet dhe rruga për t’u bashkuar me kulturën Euroatlantike.
Dukuri kësisoj kanë dhe kohë të tjera, dhe vende të tjerë, besoj, por jo kaq të rëndomtësuar deri në mosmirënjohje e pabesi sa tani në vendin tonë. Besoj se njerëz si Pjetri kuptonin ç’po ndodhte si promotorë të demokracisë dhe u vunë me shpirt në ndihmë të ndryshimeve, e kapnin veten që edhe po përdoreshin, por më e rëndësishmja se tërheqja ishte dhënia e moralit të tyre kohës, e të drejtës, bashkëpunimi me kundërshtarët, me të konvertuarit, s’kishte kusht tjetër, kjo bëhej për Shqipërinë.
* * *
Arbnorin unë e pashë të ishte i qetë, gjë që e bënte të dukej si me shumë heshtje, me një si tis trishtimi të pandarë, edhe kur buzëqeshte sokratisht. “Shef i shkëlqyer”, thoshim. -I palodhur. I drejtë. Si krye-parlamentari i parë në demokraci, në ngrehinën e Kryesisë kishte dhe punonjës të së kaluarës, kur aty ishte Komitetit Qendror i PPSH-së, që frika po u dilte shpejt nga ne. Pjetër Arbnori jo vetëm që nuk bëri luftë klase, por kur dilnin delegacione apo grupe jashtë shtetit, kujdesej vetë që t’u vinte radha të gjithëve dhe atyre që kishin 10 apo 20 vjet punë e nuk kishin dalë kurrë jashtë, me Enverin.
Arbnori u përball. Përgjigjej rrallë ose fare. Kujtoj kur e sulmoi një herë deputeti Azem Hajdari. Kishte filluar shpërdorimi i dosjeve, i atyre që kishin mbetur pas djegieve. Në media unë dola në mbrojtje të Pjetrit, jo vetëm si bashkëvuajtës i tij, se ne ishim vetë dosjet e gjalla, por në mbrojtje të së vërtetës. Azemi më erdhi në zyrë gjithë përzemërsi, jo vetëm që më dha të drejtë, por dhe më përgëzoi. Ishte rrezatimi i Pjetrit, që lëshonte mirësi. Drejt-peshues dinjitoz i çështjeve.
Mbaj mend që vizitoi në burg dhe vejushën e diktatorit, Nexhmie Hoxhën, të dënuar për shpërdorim të fondeve shtetërore në “Bllok” dhe jo të shpërdorimit të pushtetit, të rrënimit të Shqipërisë, të izolimit të saj, të vrasjeve dhe persekutimit gjeneral. Kushtet e burgut te vejushës së diktatorit ishin ku e ku sa herë më të mira, madje luksoze, po të krahasoheshin me ato të Pjetrit dhe të të gjithë burgosurve shqiptarë të regjimit të asaj.
Pjetri takonte me shumë dëshirë Shenjtoren Nënë Tereza, kur vinte në Tiranë, po e kisha parë të ikte me qejf dhe në takimin me atë aktorin komik anglez, i njohur si Pitkini, që kishte ardhur për një vizitë në Tiranë.
* * *
Te Pjetri ndjehej familja, përkujdesi, nëna dhe motrat në burg dhe tani bashkëshortja, ngazëllimi i dy fëmijëve të tij, vajza dhe djali që kishin emrat e prindërve të tij, i kishte ngjallur, – siç thuhet popullorçe. Sqima në veshjen e tij kishte dorë gruaje, ngjyrat e çelëta, jakat e bardha, këpucët e bardha. Ishte bashkëshort i mirë, gjithë kujdes si babai i dy vogëlushëve të bukur. I pëlqente të fliste për ta.
I shkoja shpesh në zyrë Kryetarit dhe i kërkoja takime të atyre që i kërkonin ndihmë, ndonjë grup për pronat që nuk po i merrnin dot, ndokush për shkollë për fëmijët e ish të persekutuarve, donte të futej në punë një tjetër, ish i burgosur. Dua në doganë, kërkonte njëri. Pse pikërisht atje, më thoshte Pjetri, mjafton të futesh në punë.
Kujtoj poetin Frederik Rreshpja, bashkëvuajtës me ne, mik imi, kur isha student në Shkodrën tonë, që më tha t’i thosha Pjetrit se po i konfiskonin shtypshkronjën, nga që kishte shtypur trakte, që bënin thirrje për të mos votuar referendumin për Kushtetutën e re dhe kundër Presidentit Berisha.
“Ç’të bëjmë? – më pyeti Arbnori, – ai s’është as me ne”, – buzëqeshi shpotitshëm. Po na bashkonin pranga dhe vuajtja. Dhe poezia… po dhe aq sa kishte të drejtë. Dhe Pjetër Arbnori si Kryetar i Kuvendit (s’e duronte fjalën “Popullor”) dha porosi me shkrim që të mos cënohej Frederik Rreshpja, as të përdorej zell politik e gjoba, jo më shumë se ç’e përmbante ligji, mundësisht më pak.
Në zyrën e tij hynin shpesh deputetët Uran Butka, Pjetër Pepa, mbaj mend dhe botuesin Shefki Hysa, po përgatitej vepra e radhës, etj., etj. Me Arbnorin kisha udhëtuar me helikopter për një takim të gjerë kulturor në Sarandë. Në kthim ai do të ikte në Shkodër, por unë doja të ndalja në Lushnjë, te ime më dhe ai u tha pilotëve që të uleshin ku të mundnin. Helikopteri zbarkoi në fushën ndanë stadiumit. Të rinjtë që po luanin me top, e ndërprenë…!
Nën helikat që krijonin vorbulla të forta ere, zbrita unë, ou, kush na qenka!… Arbnori erdhi dhe vetë në Lushnjë, për të parë në teatër një pjesë të tim eti, “Përqafime i dy kundërshtarëve”, rivihej në skenë pas gati gjysmë shekulli, që nga koha e luftës. “Por ne duhet ta dekorojmë këtë autor”, tha. Ne takimet zyrtare i pëlqente të thoshte se ai, si Krye-parlamentar, ishte katolik, Kryeministri ortodoks dhe Presidenti mysliman. Një rastësi kuptimplotë për ne, shtonte. I rëndonte koka si e Çurçillit. Memorie.al
Vazhdon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016