Nga Dine Dine
Memorie.al / “Ore, po qo ish për të vanur kujën, jo ta themi kshua, si burri burrit. Qy ish sabotim. Ke sabotuar aksionin dhe e di ku të shpie qo…?! Qo do të thotë të çoish ujë në mullirin e armikut…”! Kështu përpiqej të imitonte myzeqarët, Ahmet Kolgjini, ndërsa ishim drejtuar për në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale, për të dhënë llogari. Ndërsa Ahmeti s’ishte aspak i prirur për imitime, atë natë duket se e kish kapur një lloj dalldie, që e bëri të mos pushonte, derisa iu afruam derës së mbledhjes. E qeshte e qeshte pa pushim, duke përmendur ato dordolecë që do të përpiqeshin të na gjykonin për një mëkat, që në fakt nuk e kishim bërë. Të dielën kishim qenë në aksion, për krasitjen e barit të skrapatave të kolektorit. Të gjithë punonin në grupe. Unë punoja me Ahmet Kolgjinin dhe Sokol Mirakën.
Megjithëse, shumë nuk ia kishim haberin bujqësisë, pasi të tre punonim në ndërtim, të shtunën në darkë më erdhi në shtëpi Xhevit Matjani e, më tha që të nesërmen të merrnim edhe veglat e kalitjes, sepse e gjithë skrapata e kolektorit, ishte me gurë zalli. Do të na duhej që të paktën për çdo 10 minuta, të kalitnim lopatat, se ndryshe do të hanim veten me dhëmbë e, s’do të bënim dot asnjë punë. E kështu bëmë. Kjo gjë na e lehtësoi punën aq shumë, sa që e mbaruam në një kohë rekord dhe me cilësi edhe pse pothuaj gjysma e kohës, na shkoi duke kalitur lopatat. Por le të vazhdojmë të tregojmë ngjarjen, ashtu si ndodhi, për ta bërë më të kuptueshëm faktin, se si përfunduam të akuzuar për diçka që nuk e kishim bërë, por që na detyruan të jepnim llogari e të mbrohemi, si të ishim para një gjyqi.
Ditë e diel. Ishim në aksion si zakonisht. Një orë para se të mbaronte puna, kur dielli ishte në perëndim, papritur u duk përgjegjësi, hipur mbi një kalë. Pa i zbritur kalit, me një buzëqeshje që i dukej sheshit që nga larg, përshëndeste “vullnetarët”, herë herë me kokë e, herë herë me duar, si të shihte Bonaparti vetë. Por në fakt, ai ngjiste çuditërisht me Don Kishotin, jo vetëm fizikisht, por edhe në veprimet. Kishte edhe një dobësi, që e shfaqte në çdo rrethanë: kërkonte të respektohej me çdo kusht. E po mos t’i plotësohej kjo dëshirë, të nesërmen në mëngjes provokonte ndonjë mbledhje. Pasi thoshte ca fjalë për mbarëvajtjen në bujqësi e planet për të ardhmen, menjëherë delte te ajo pika e dobët. Pasi kritikonte ndonjë punëtor, i drejtohej i revoltuar, me një agresivitet të paskrupullt: “dhe ajo që dua të shtoj, është se; duhet të jeni më të respektueshëm, sepse gjithmonë e kam theksuar dhe ja ku po ua përsëris edhe këtu se; një bythë, duhet të ngrihet për një kokë”.
Kështu edhe e mbyllte mbledhjen, duke na uruar punë të mbarë. Ndërsa po kalitnim veglat e përgjegjësi po afrohej, u propozova shokëve, që të paktën të ngriheshim përgjysëm e, ta salutonim me kokë, ose me dorë. Ahmetit i shpërtheu një e qeshur, që s’po e mbante dot dhe ishte dakord, që të bënte ashtu siç thashë unë, ndërsa Sokoli e kundërshtoi kategorikisht: “Pse atij palaçoje, do t’i ngrihem unë?! Ne po na del shpirti këtu gjithë ditën ai, hipur në kalë, kërkon që t’i ngrihemi e t’i bëjmë referenca! Të betohem, në asnjë mënyrë nuk do t’ia jap atë kënaqësi”! Me përgjegjësin, Sokoli i kish vringëlluar shpatat disa herë dhe mund të them pa frikë, se asnjëherë nuk i kish lëshuar pe. Kjo e kish bërë përgjegjësin, që të ndërzehej edhe më tepër. Të dy kishin alergji për njëri tjetrin. Para një viti, pasi i kishin konsumuar në maksimum fjalët ndaj njëri tjetrit, përgjegjësi bëri të pamundurën, që ta vërviste nga ndërtimi në bujqësi, dhe ja arriti qëllimit! Por ama edhe shoku ynë, nuk ia fali kurrë atë lloj hakmarrje.
E injoronte totalisht. Ishte ndoshta i vetmi në sektor, që s’e përshëndeste kurrë. E kjo gjë e irritonte përgjegjësin tonë në atë masë, sa ia ngacmonte nervat. Një herë qëllova aty afër rastësisht, kur përgjegjësi në pushimin e drekës, me fjalë të matura e me një ton dashamirës, i kërkonte të shkarkonte një makinë plehu kimik, që shoferi mos të vonohej. Ndoshta përgjegjësi kërkonte t’i jepte një sinjal, se mund të pajtoheshin. Kjo ishte njëfarë tendence për pajtim, që ai kërkonte të bënte e tani, po gjente mënyrën që ta zbuste kundërshtarin, duke e detyruar që t’i bindej urdhrit të tij, kështu që përsëri do të ishte ai fitimtari, sepse edhe pse nuk ishte shumë i zgjuar, ndoshta e ndjente thellë. Kur u bind se Sokoli nuk po i shkonte pas avazit, e humbi durimin e në çast iu kërcënua: – “Të urdhëroj”! – “Ik ore! Nuk je ti nga ata burra, që mund të më japësh urdhër mua, në kohën e pushimit të drekës”! – “Të urdhëroj”! – bërtiste me sa kishte në kokë përgjegjësi – “Të urdhëroj të zbatosh urdhrin, se ndryshe do të kesh pasoja”!
Sokoli filloi të ngërdheshej me një farë lloj ironie, sikur ia plaste në fytyrë e i thoshte hapur, se; as desh t’ia dinte për urdhrat e tij. Dukej që të dy e kishin humbur durimin. Përgjegjësi vazhdonte të llomotiste me zë të lartë, që të kthehej e të zbatonte urdhrin, ndërsa Sokoli që kish marrë rrugën për në shtëpi, i përgjigjej: “Bjeri legenit ti bjeri, se po të dëgjoj shumë”! I çmendur nga reagimi i tij, përgjegjësi pasi llomotiti ca fjalë që ndoshta as vetë s’po i merrte vesh, me zërin të ngritur në qiell, i tha: “Unë kurrë nuk i kam rënë legenit, por ti do t’ia dëgjosh muzikën më vonë, këtij avazi” – “Në nuk i ke rënë kurrë, sot, ja ku po ta them hapur, që bash po i bie gjithë ditën”! Të dy u ndanë si të kishin bërë duel, njëri i lodhur nga puna e nga nervat, i ish prerë edhe oreksi për të ngrënë, ndërsa tjetri, për të menduar planet për një hakmarrje sa më të shpejtë.
Ky incident kish ndodhur para disa javësh, ishte ende i freskët në mendjen e përgjegjësit, dhe kjo ishte arsyeja që më dukej pa kuptim që, me atë rast, edhe bënim pak humor, edhe përgjegjësin e lumturonim, gjë që ia kishte ënda aq shumë dhe ne nuk na kostonte asgjë. Sidoqoftë, në ato rrethana, kur ai mezi priste rastin të hakmerrej, të nesërmen në mëngjes, sapo dolëm për të marrë planin e punës, na urdhëruan që të afroheshim pranë zyrave të sektorit, se kishim mbledhje. Për fat të mirë a të keq, atë ditë mbledhja nuk zgjati më shumë se 15 minuta, sepse që në batutat e para, të dy palët u acaruam dhe filluam të shkëmbejmë fjalë fyese. Përgjegjësi na akuzonte ne të treve, se në aksion, nuk kishim realizuar normën e, kishim bërë punë me cilësi të keqe, do të thotë; “të shpiesh ujë në mullirin e armikut”. Ishte një slogan që përdorej dendur nga nomenklatura komuniste. Ne ishim vetë armiqtë, për të cilët ai aludonte.
I pari e mori fjalën Ahmeti, duke u përpjekur t’i shpjegonte me fakte, se kishim bërë sasi e cilësi të mirë e, për këtë, mund të thirrej Fili (shkurtimi i emrit Karafil), tekniku i kanaleve, dhe të dëshmonte të kundërtën e asaj që akuzonte përgjegjësi. Ahmeti nga që ishte mjaft i edukuar, i tha këto me një ton të ulët e të matur. Përgjegjësi s’e la as të merrte frymë. Iu përgjigj me një batare fjalësh të shpejta, saqë u bind se ai kishte të drejtë pa asnjë dyshim e, ne duhej të bënim autokritikë në vend, para të gjithë punëtorëve, se vetëm ashtu mund të mbyllej ajo punë.
Sokolin s’po e zinte vendi. Dukej sikur po e përpinte me sy. Unë i bëra shenjë të mos të fliste, por ai më bëri një gjest refuzimi. Edhe pse e drejta ishte me ne, dihej që s’mund të fitonim. Përgjegjësi kishte pushtetin, atë pushtet që siç e përsëriste shpesh, se; “e kishin fituar me gjak e, me gjak do ta mbronin, po të ishte nevoja…”! Ti mund të kishe të drejtë, por sapo pretendoje që e drejta të ishte me ty, ajo automatikisht kalonte në anën tjetër dhe po të këmbëngulje me verbëri, atëherë logjika jote s’vlente as pesë para, sepse ajo ishte logjika e “armikut të klasës”. Sokoli mbahej me zor.
E dinte mirë që po ta fyente publikisht, s’ishte gjë me mend, dhe mund të shkonte si cjapi te kasapi. Nuk donte t’ia jepte atë kënaqësi. Të dënohej për fyerje, vetëm për ca çaste që do të shfrente, ta nxirrte përjashta gjithë mllefin e mbledhur prej vitesh… S’ia vlente barra qiranë. Për ta evituar atë incident e mora fjalën unë. Me një ton krejtësisht të qetë, sigurisht të shtirë, u përpoqa t’i argumentoj se e gjithë kjo mesele kish qenë thjeshtë një keqkuptim e, mund të sqarohej lehtë. Sasia dhe cilësia e punës, ishin aty. Nëse s’mund t’i besohej teknikut të kanaleve, që kish marrë punën në dorëzim, le të krijonte vetë, përgjegjësi një komision dhe ta verifikonte në terren.
Ne të tre ishim dakord. Fjala e urtë thotë: “Shurdhi më i keq, është ai që s’do të dëgjojë…”! Po përgjegjësi s’hante asnjë lloj pyke. Më ndërpreu e përmendi emrat e nja tre-katër vetëve, që të lëviznin e të diskutonin, sepse asnjë zë nuk pipëtinte, pasi 90% e punëtorëve, kishin qenë në aksion me “punë vullnetare” dhe e dinin që vetëm treshes sonë e, dy-tre të tjerëve, u qe marrë puna në dorëzim, e nuk kishin ç’të diskutonin.
I pari e mori fjalën një fshatar nga Krutja: Vendas denbabaden, ai kish pasur disa pozita në fshat, si; sekretar partie, kryetar fronti, etj. Nga fundi, i kishin dalë në shesh gjithë të palarat dhe si dënim e kishin përzënë nga kooperativa dhe kishte përfunduar punëtor në fermën tonë. Duhet thënë se, ishte më mirë të ishe punëtor ferme, se të kishe ndonjë lloj pozite në fshat. Këtu merrte para, ndërsa atje fitonte pikë! Pikët me parat, i ndante një mal. Me pikë nuk siguroje as bukën e misrit, ndërsa me para, blejë bukë gruri dhe mbaje tërë familjen. Puna e pikëve ishte si ajo puna proverbit: “Lepuri në mal, e tigani në zjarr”. Nuk plotësohej plani i shtetit… dhe pikët avullonin.
Kështu që Loni i detyrohej përgjegjësit aq shumë, sa s’dinte si t’ia shpërblente. Por edhe përgjegjësi, në fund të fundit, kish detyrime, se e kish edhe bashkëfshatar dhe kish ngrënë e kish ngritur dolli me të kushedi sa herë, sepse kishin lidhje të hershme. Prandaj ia kish bërë atë favor. Në fund të fundit “miku i mirë, në ditë të vështira”. Ishte radha e Lonit, që pa e bërë dysh, t’ia shpërblente mikut. Në fund të fundit, fjala s’i kushtonte para. Por në fakt, e pati të vështirë, sepse fjalët s’po i dilnin nga goja. Përtypej e mbllaçitej, dhe m’u duk se kurrizi i dalë edhe nga pleqëria, i ishte bërë edhe më i madh, si një gungë deveje nga tortura, nëse mund ta mbronte mikun e vet si duhej!
Në çast, përgjegjësi që padyshim e humbi durimin, iu gërmush me një ton të ashpër e të prerë: “Hë Lon Shtëmbari, fol se i gjithë qy milet që ke përpara, pret të ngjojë fjalën tënde”! U duk sikur po i këlthiste, me sa i mbanin kordat vokale: “Mos kërkon të mbrojç armikun e kllasës?! Gjer këtu ke arritur e Lon Shtëmbari”?! Pasi u mendua një hop, Loni filloi: “Po qysh ta gjykonj o shokë, ja… qysh ta them. Ish e drejtë ta themi, se përgjegjësi e ka gabim?! Arè, po qo ish evidente. Pse gënjeka përgjegjësi, ç’interes ka qy përgjegjësi, t’kritikojë?
Ai thjesht zbaton vendimet e Partisë. Pranaj e ka vënë qeveria e Partia, që të hapinj sytë e, t’i çojë vendimet deri në fund. Pse kshua do ecim përpara? Jo ere, kështu nuk ecet! Përgjegjësi flet me zërin e Partisë, e zëri i partisë do ngjuar o shokë. S’ka njeri që ka lindur nga barku i nanës e, t’i kundërvihet Partisë sonë! Pranaj e them dhe një herë, jam plotësisht dakord me vërejtjen që bari përgjegjësi, dhe u baj thirrje shokëve, qi ta pranojnë gabimin e bile, të bajnë edhe nji autokritikë, se në fun të funit, s’u bie rybja. Kaq kisha unë”. Sokoli qe zverdhur i tëri. Sapo desh ta hapte gojën, ndërhyra unë, vetëm për mos ta lënë të fliste: “Vetëm një pyetje kisha për Lonin.
Nuk dua t’i bëj biografinë. Shumica e di. Ai vetë e di mirë, se përse ia dhanë shkelmin nga kooperativa. Por kjo nuk hyn në pyetjen, që kërkoj t’i bëj Lonit. Dua ta pyes nëse ishte dje në aksion, apo flet kuturu? Nëse kërkon t’i bëhet krah përgjegjësit, pa pasur asnjë fakt kundër nesh, kjo tingëllon thjesht hipokrizi! Por edhe hipokrizia, ka një kufi. E di se mund ta dojë e, bile ta adhurojë përgjegjësin, dhe kjo është e kuptueshme se kanë lidhje e miqësira të hershme… por në vend që të bëjë autokritikë për veten, që s’ka pasur vullnetin e mirë, që t’i përgjigjej aksionit, vjen e na kritikon ne, se s’kemi bërë punë me cilësi…”?!
Sokolit nuk ju durua më, papritur më ndërpreu: “Ti dalësh në krah çdo njeriu, qoftë ky edhe përgjegjësi, pa e ditur të vërtetën dhe pa pasur asnjë fakt, kjo është një lajthitje, që edhe vetë përgjegjësin nuk e nderon. Përgjegjësi me siguri, as që e di që ti s’ke qenë fare në aksion, por edhe sikur ta dinte, vetëm fakti që asnjë punëtor s’po e hap gojën, sepse e dinë të vërtetën, dhe ajo, dihet, është në anën tonë, s’duhet t’ia lejojë vetes, që t’iu bëjë presion punëtorëve, t’i bëjnë jehonë gënjeshtrave. Dhe gjëja më paradoksale (Sokoli përdori një fjalë që me siguri asnjëri s’ia dinte kuptimin) është se…”!
Përgjegjësi u tërbua. E ndërpreu Sokolin dhe deklaroi solemnisht: “Sokol Miraka, Ahmet Kolgjini dhe Dine Dine, në mbrëmje të paraqiten në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale”. Mbledhja deklarohet e mbyllur! I zbehtë dyll, u zhduk si hije e përfundoi në zyrën që e kish aty pranë. Punëtorët bashkë me brigadierët, u shpërndanë për te vendi ku shpërndahej plani i punës. Ndjehej një pëshpërimë e përgjithshme, një si gumëzhimë bletësh. Po shkonte ora 7-të, kur dikush na lajmëroi se mbledhja ishte gati të fillonte.
Siç e përmenda në fillim, Ahmetit i kishte hipur një frymëzim për të bërë humor, qeshnim e qeshnim e papritur, Sokoli propozoi: “Ti axha Ahmet, të caktojmë si avokatin tonë, që të na mbrosh me dinjitet. Ke njohuri të gjëra, kulturë të gjerë, di gjuhë të huaja, je i martuar, ke edhe përvojë burgu, merr vesh edhe nga magjitë, kështu që mund edhe t’i hipnotizosh ata lolo e, t’ua qepësh gojën, që mos të jenë në gjendje të na përgjigjen, e të na akuzojnë. Me prezencën tënde, sidomos me vështrimin e syve që e ke disi të veçantë, do u dukesh si një qenie jashtëtokësore. Plus kësaj, do kesh rast të shpalosësh oratorinë tënde, që e mbulon vazhdimisht me heshtje.
Që në fillim do t’i bindësh ata, se kjo ngjarje është një absurditet, që s’i lejohet askujt e, në veçanti një përgjegjësi. Por ti, me siguri, meqë çështja është disi delikate, do të gjesh fjalët e duhura, që ata të mos fyhen se ndryshe do të turren e ti do të humbasësh toruan fare! Aq vuxhut ke ti! Po të shkoi ndonjë fjalë e pamatur, na mori lumi. Do të të përmendin burgun, do të fusin përsëri në burg o i shkretë, e për gjithë këtë katrahurë, unë që të propozova për avokat, mbaj përgjegjësi personalisht, – pastaj përsëri shtoi: – Hajt hajt se bëj shaka, mos u frikëso se nuk je nga ta që t’a ha qeni shkopin ti!”.
Ishim afruar pranë derës së sallës, o më drejtë stallës, dhe Ahmeti që kishte vetinë të mos të të ndërpriste, vetëm qeshte. Para se të shtynim derën, për një çast qëndroi dhe tha: “Me këtë leksion që më dhe, ndjehem i pazoti t’ju përfaqësoj, dhe e dyta, Partia këtu te ne, i ka hequr avokatët, se populli din të mbrohet vetë” dhe pa e lënë Sokolin të vazhdojë humorin, trokiti në derë. Stalla ishte mbushur plot. As miza nuk pipëtinte, e kjo i jepte mbledhjes një farë solemniteti. Në podium ishin ulur njëri pas tjetrit, kryetari i Këshillit, Sekretari i Partisë dhe Kryetari i Bashkimeve Profesionale, që ish njëkohësisht edhe gjykatësi popullor.
Fjalën e mori Kryetari i Bashkimeve Profesionale. Shkurtimisht ai iu referua ngjarjes në përgjithësi dhe akuzave që na bënte përgjegjësi i sektorit në veçanti, dhe kërkoi që fjalën ta merrnim ne. I pari u ngrit Ahmeti, pasi në radhë qëndronte i pari dhe kryetari e drejtoi gishtin drejt tij. Ahmeti foli shkurt, e njoftoi presidiumin se; “Mbrëmë tekniku i kanaleve, na e mori punën në dorëzim, dhe dy tre vetave të tjerë dhe kur u largua në prezencën e të gjithë punëtorëve, tha se: ‘Ata të ndërtimit, kanë bërë punë më me cilësi, se gjithë të tjerët’.
Kjo është e gjithë meseleja. Unë s’di asgjë më tepër”. I dyti foli Sokoli. Dukej i acaruar. Edhe pse përpiqej të mbante gjakftohtësinë, e tradhtonte fytyra. Ai akuzoi drejtpërsëdrejti përgjegjësin, si hakmarrës dhe pyeti presidiumin, se; “si ishte e mundur, që një njeri që mban një pozitë të lartë shtetërore, guxon të akuzojë pa argumente, pa fakte, vetëm e vetëm pse për një arsye a një tjetër, i teket të hakmerret”?!
“Shokë – shqipëroi Sokoli, jo pa një farë ironie – kjo është thjeshtë hakmarrje dhe për ta ilustruar këtë mund t’ju bie dhjetëra fakte, por këtu nuk është vendi për këto, prandaj informohuni mirë, bëjani përgjegjësit të kjarta faktet, sepse gjithë këta që janë prezent këtu në këtë mbledhje, e dinë dhe atëhere merreni mundimin e hajdeni të na gjykoni”! Ndërhyri sekretari partisë, duke e sugjeruar Sokolin, që ta ulte pakë zërin dhe mos të përdorte fjalë të tilla, si; “hakmarrës”. Ai në radhë të parë mbronte interesat e Partisë e të popullit, e ata s’mund të lejonin që të përbaltej emri i tij.
“Së dyti, duhet ta dini mirë, që sonte jemi mbledhur që t’ju gjykojmë juve e, jo përgjegjësin. Është më mirë të bëni një autokritikë e, t’i japim fund kësaj mbledhje, se sa të merremi me llafe e të rrimë gjithë natën, duke i rënë daulles, pa ardhur në asnjë përfundim. Sokolit, nuk iu durua përsëri: “Po sikur t’i thuhet përgjegjësit që t’i tërheq mbrapsht akuzat, thjeshtë, se ka qenë një keqkuptim dhe të na lejë rehat, me hallet e problemet tona…”?! Sekretari i partisë, e pa kjartë që nuk po dilnim kurrkund, veçse po rrihej ujë në havan, prandaj drejtoi gishtin tek mua.
U ngrita jo pa emocion, por me një vetëpërmbajtje të shtirur që ish jashtë natyrës sime, pasi Sokoli i kish shprazur bateritë të gjitha. Përsërita ato që kish thënë Ahmeti e Sokoli bashkë, pa përmendur fjalët hakmarrje e, as atë shprehjen që Sokoli e kish shqiptuar me një mllef të paparë; “që përgjegjësi t’i tërheqë mbrapsht akuzat”, gjë që ishte absurde dhe përfundova duke u thënë se; “si do që të bëhej, ne të tre nuk do të bënim kurrsesi autokritikë”, bile theksova që ta hidhnim çështjen në gjykatë, dhe aty të ndahej shapi nga sheqeri.
“Po që se neve vërtetë paskemi sabotuar, jemi gati të pranojmë përgjegjësitë tona, e pse jo, të bëjmë edhe një autokritikë, ashtu siç e kërkon partia”. Askush s’hapte gojë. Sekretari i partisë, iu drejtua të pranishmëve, nëse dikush kërkonte të marrë fjalën. Askush nuk e ngriti dorën. Bile, për çudinë e madhe, as Feçor Pirra, brigadier e dikur edhe sekretar partie, një nga njerëzit më negativë që kam hasur në përvojën time. Megalloman, hakmarrës, kritikues në çdo rast e ndaj cilitdo. Injorant i paprecedent.
Prototip i atyre njerëzve që s’dinë asgjë, e që kujtojnë se dinë shumë, cilësi këto, që e bënin të urrejtshëm, dhe ai i shfaqte vend e pa vend bile dhe mburrej me to. Po çudia nuk zgjati veç pak sepse, ai më në fund kërkoi të fliste. S’dua ta bezdis lexuesin me marrëzitë e tij. Foli gjithë kohën vetëm budallallëqe, por gjithmonë në emër të Partisë e të Popullit, si përfaqësues legjitim i tyre dhe kjo ishte ajo retorika që i jepte siguri dhe autoritet njëkohësisht. E gjithë fjala e tij u përqendrua tek pyetjet: “Si është e mundur që të shpifë përgjegjësi?!
Pse këta të tre nuk bëjnë autokritikë, ashtu siç e kërkon Partia dhe t’i japim fund mbledhjes, po merren me thashetheme, duke lënë pa gjumë gjithë këta punëtor të ndërgjegjshëm, që nesër që në mëngjes herët do të ngrihen e të realizojnë detyrat që u ngarkon Partia, për të mirën e popullit”?! Sokoli e kish humbur durimin përsëri. Unë gjithashtu. U ngritëm njëherësh të dy, po Sokoli u shpreh i pari: “A e kupton se çfarë marrëzish po nxjerr nga goja mor Feçorr? Për fat të mirë ti nuk e di, sepse do të të neveritej vetja”!
Po, po mos i hap sytë hiç…!! Sekretari i partisë, që situata mos të shndërrohej në një skandal, i ndërpreu të dy, por Feçorrit që e ndjeu veten të fyer nuk iu durua e, shpërtheu përsëri: “Ju kërkoni anglo-amerikanët”! –“Po ç’hyjnë këtu anglo-amerikanët more hajvan! A e kupton ti se herë hap gojën nxjerr budallallëqe me thasë”?… “Personaliteti” i Feçorrit, u përdhos si asnjëherë!! Sekretari i partisë, edhe pse pa shkollë, për hir të vërtetës, duhet të them se e kuptoj që po bëhej shumë zhurmë për asgjë, dhe deklaroi një pushim 10 minutash. Të gjithë, megjithëse përgjumshëm, dolëm jashtë. S’di pse, Hekurani, sekretari i partisë, më thirri në veçanti në një qoshe. “Dëgjo o Dino, po të flas si burri burrit.
Këto që po të them, ngelen midis nesh. Unë e di që përgjegjësi ish ofenduar, se ju s’u ngritët në këmbë ta përshëndesnit. Ta themi me sinqeritet… me këta shokët, i verifikuam të gjitha. Qemë te puna. Morëm edhe Filin me vete. Ja kshua kini të drejtë, ça t’themi. Ti je i quat. Bëje nji farë autokritike, si të duash ti dhe ne da pranojmë. Vetëm të përmendet fjala autokritikë. Kimi 6 orë, o Dino. Jimi rraskapitës. T’shkojmë e t’flemë gjumë se nesër do çohemi herët. Bëja si ta kish qejf vetë, se përgjegjësi s’ka interes ta zgjasë. Ai e di ma mirë se ti e se unë, që s’ka të drejtë. Pranaj futja e të hikim, se jemi telekosër. Ja ku po ta thomi, da bash për muan”!!
Nuk e kundërshtova, më së fundi e vendosëm dhe u futëm brenda. Të gjithë prisnin me ankth, se si do të bëhej autokritika. As Ahmeti dhe as Sokoli, s’e kishin idenë se çfarë biseduam me Hekuranin. Kur u ulën të gjithë, u ngrita në këmbë dhe pas një pauze, kur të gjithë prisnin se çdo të thuhej, së fundi u shpreha: “Shokë! Nuk dua të përsëris ato që u diskutuan për 6 orë rresht, sepse për të gjithë është e kjartë, që ne të tre, dje në aksion, kemi bërë një punë shembullore, që do të nderonte secilin. Kjo u vërtetua nga tekniku i kanaleve, që mori punën në dorëzim, kjo u verifikua edhe nga shokët që sonte drejtojnë mbledhjen e, nga të gjithë ju që qetë prezent, deri në minutat e fundit kur mbaroi aksioni.
Por ka edhe disa gjëra të tjera o shokë, që dikujt mund t’i duken të vogla e, pa rëndësi, por që në fakt kanë edhe ato rëndësinë e vet. Unë reflektova gjatë për të kuptuar se ku qëndronte kleçka, që përgjegjësi dukej aq i pakënaqur e arrogant me ne. Kur ai parakaloi, hipur mbi kalë, asnjëri prej ne të treve, nuk denjoi ta përshëndeste përgjegjësin. Dhe a e dini pse? Ishim të rraskapitur dhe po kalisnim veglat, sepse e gjithë vëmendja jonë, ishte përqendruar në cilësinë e punës, gjë që edhe e arritëm. Dhe jemi krenarë. Ja pra, kjo ishte arsyeja që ne s’arritëm as t’ia bëjmë edhe me dorë shokut përgjegjës. Kjo është e vërteta dhe në rast se kjo konsiderohet gabim edhe fjalët që shpreha, duhet të konsiderohen si ‘Autokritikë’”.
-“Po ja, qo ish! Qy e bari autokritikën. Me kaq mbledhja maron”! Kur po dilnim, iu afrova Ahmetit: “Doni më për Belulin”?! Ndërsa ai vazhdonte të qeshte me shpirt, kushedi ç’luhej në trurin e tij. Ndoshta një ditë do t’i përshkruante këto episode tragji-komike, me saktësinë dhe urtësinë që e karakterizonte. Sidoqoftë, kur u shpërndamë, të gjithë ngelën të kënaqur. Përgjegjësit iu tha: “Pranun, e banë autokritikën…”! Hekurani më ishte mirënjohës për fjalën që mbajta, edhe pse ajo fjalë e kish vënë në lojë përgjegjësin, si Don Kishot që ishte. Sokolit s’i ra më në qafë, si përpara…! Ai vazhdoi të punonte në ndërtim, deri ditën që u shemb diktatura. Memorie.al
Marrë nga gazetadielli.com