Nga Feti TUNUZLIU
KONTRIBUTI I AKADEMIK GAZMEND ZAJMIT NË HARTIMIN E AKTEVE BURIMORE PËR SOVRANITET DHE PAVARËSI TË KOSOVËS –
Memorie.al / Akademik Gazmend Zajmi, i takon ajkës së figurave të spikatura historike, kombëtare, shkencore e universitare të Kosovës e jashtë saj, të gjysmës së dytë të shekullit XX-të, si jurist e politolog i shquar i cili, la pas një trashëgimi të çmuar kombëtare dhe shtetformuese. Me prejardhje nga një familje gjakovare me tradita patriotike, akademik Zajmi lindi në Krumë (Shqipëri) 86 vite më parë, më 20 qershor 1936, ndërsa u nda nga jeta në kufirin e 59 viteve, me 10 mars 1995. Në Prizren kreu shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa në Beograd diplomoi e magjistroi në Fakultetin e Drejtësisë dhe doktoroi në Fakultetin e Shkencave Politike.
Ushtroi një gamë funksionesh. Ndër to, veçojmë: Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK); Rektor i Universitetit të Prishtinës, Shef i Katedrës së Shkencave Politike dhe profesor në Fakultetin Juridik të UP; gjyqtar dhe Kryetar i Gjyqit të rrethit në Prizren, Kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë; si dhe anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave në Salzburg (Austri).
Përpos kontributit të tij të madh, ai do të mbahet në mend për shkarkimin nga pozita e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në vitin 1981 dhe përjashtimin nga profesorati i Juridikut për shkak të mosdistancimit nga kërkesat e studentëve dhe nxënësve apo, “nga lëvizja shqiptare anti-jugosllave”, siç thuhej në publicistikën serbe, si dhe për përjashtimin nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë në vitin 1984, sepse – paskësh rënë ndesh me ‘Dokumentin e diferencimit ideo-politik’. Ndërkohë që, ishte shprehur: “Aksioni i diferencimit ideo-politik, paraqet një sadizëm politik”! Tutje, do të kujtohet si kundërshtues i ndërprerjes së Prorokolit të Bashkëpunimit te Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, kur ishte Rektor dhe bashkë-nismëtarë, bashkautor dhe nënshkrues i “Apelit 215 të intelektualëve shqiptarë”, ku pos tjerash kërkohej edhe zgjidhja e problemeve politike e kombëtare, në shoqërinë kosovare.
Duke shënuar këtë përvjetor, të theksojmë se akademik Esat Stavileci (1942-2015), e quajti akademik Zajmin; ”arkitekt i mendimit politik dhe juridik, për Kosovën dhe në përmasa ndërkombëtare”. Pretendonte se; “askush më mirë se ai, nuk ka argumentuar çështjen e mëvetësisë së Kosovës”. Andaj, “pikëmbështetje i kemi pikëpamjet e studiuesit Gazmend Zajmit”, për argumentet “kryesore në favor të pavarësisë së Kosovës”, thoshte ai. E këto pikëpamje dhe argumente, Prof. Stavileci i përimtoi në librin autorial: “Çështja e Kosovës, në veprën e Gazmend Zajmit” (1997).
Puna dhe shëmbëlltyra e përshkuar me ide të stërholluara akademike, që hedhin dritë në procese politike, juridike, historike e nacionale, gjendjen e pakicave kombëtare dhe pozitën e gjuhëve e autonomisë së federalizmit jugosllav, e shquajnë Prof. Zajmin si natar dhe vizionar. Më vete ose në një kuadër më të gjerë, këto ide zunë vend në opusin krijues të tij, në: vepra, monografi, studime, artikuj, ligjërata, kumtesa, diskutime e leksione të tij. Te gjitha tok e zbulojnë atë si dijetar të llojit të vet, pa një të dytë në të drejtën kushtetuese e, sistemin politik në Kosovë i cili, kishte ngel peng i leximit dhe pagjumësisë.
Ndryshe, ai kishte trajtuar aspektet shoqërore politike e juridike të barazisë së gjuhëve në Kosovë, në temën e magjistraturës (1971) dhe mbrojtjen kushtetuese-juridike e tretmanin e gjuhëve të pakicave kombëtare në Europë gjatë dy luftërave botërore, në temën e doktoratës (1972). Ndaj, vepra e tij është pikë referimi për studiues. Ne do i referohemi atyre vijimisht, duke i vënë brenda thonjëzave.
Duke nderuar kujtimin e Prof. Zajmit, të themi se ky ishte ndër krye protagonistët e drejtpërdrejt të zhvillimeve dramatike politike e kushtetuese, që nga viti i bujshëm 1968. I vlerësuar për mirësinë dhe sensin e tij pozitiv, ai kapte gjërat shumë shpejt dhe ishte zëri që shpaloste kritikisht dhe guxim të tepruar kërkesat politike: për vetëvendosje, për statusin e Republikës për Kosovën, për statusin e kombit, për shqiptarët dhe për lidhjen direkte Kosovë – Federatë, për t’u barazuar me republikat tjera. Vetëkuptohet se këto kërkesa që trandën shumë kë në ish-Jugosllavi dhe ngjallën huti në shtetet fqinj, i faktonte me prova bindëse shkencore e historike.
Gjatë shpalosjes së ideve që meritojnë vëmendje të posaçme, merrte shkas nga realitetet e prekshme shoqërore politike në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, prej para Luftës së Dytë Botërore, deri në dekadat e komunizmit. Me Prof. Zajmin, u rreshtuan: Fehmi Agani, Ali Hadri, Bardhyl Çaushi, Hajredin Hoxha, Syrja Pupovci, Ramadan Vraniqi, Dervish Rozhaja, Rezak Shala, etj. Por, pas shpërfilljes së prerë të kërkesave të tilla nga autoritetet pushtetore dhe partiake serbe e jugosllave, reflektuan studentët e nxënësit shqiptarë, më qartë se asnjëherë. Vuan gjithë guximin e pamposhtur dhe energjinë e tyre dhe organizuan demonstrata gjithandej nëpër qytete kosovare, por ja që, u shuan paskrupull me dhunë shteti.
Kërkesat e mësipërme politike, për të cilat përsiaste ky dijetar i shkathët, patën efekt të shpejt pozitiv. Ja disa arritje: në vitin 1969, u soll Ligji kushtetues për Kosovën (zëvendësoi Statutin); emërtimi Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, (zëvendësoi atë; “Kosova e Metohia”); u legalizua gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, u lejua përdorimi i flamurit kombëtar; në vitin 1970, u themelua Universiteti i Prishtinës. Në vitin 1971, ndryshimet kushtetuese zgjeruan dhe barazuan Kosovën me republika tjera, posaçërisht në politikën ekonomike. Në vitin 1972, amendamentet në Ligjin Kushtetues të Kosovës, forcuan pozitën kushtetuese të Kosovës në federatë. Në vitin 1974, u miratua Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në vitin 1975, u themelua ASHAK (Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës).
Përkitazi me këto arritje, profesori i së të drejtës kushtetuese dhe sistemit politik, kishte qëndrim mohues për tezën se; – “Kosova është pjesë e Serbisë”. Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë, por si identitet politiko-territorial i vetvetes, me kushtetutë të veten, ishte njësi konstituive – njësi federale e Federatës multinacionale të Jugosllavisë dhe vetëm si e tillë, në bazë të prezumpcionit konstitucional të interesit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë, ajo si; “corpus seperatum”, me sovranitet të vetin politik dhe kushtetues ishte edhe në kuadër të Serbisë”, shpjegonte ai. Në funksion të këtij koncepti, kredoja e tij shkencore sillte në vëmendjen e opinionit argumentin e vet burimor juridiko-historik, duke pretenduar se: “Baza konstituive e gjetjes së Kosovës, në kuadër të Republikës së Serbisë, është Rezoluta e Prizrenit e vitit 1945, e cila si e tillë u dërgua me Deklaratën kushtetuese të Kosovës, sipas principit; “Lex posterior derogate lex prior”.
Por, erdh viti 1981. U rishfaqen demonstratat në Kosovë. E me karakterin dinamik dhe energjik, Prof. Gazmendi përkrahte rininë, për vendosmërinë e tyre. U përsëritën kërkesat: “Kosova Republikë”, “Republikë, ja me hatër ja me luftë”, etj. Për fatin e keq, edhe këto demonstrata do të shuhen egërsisht nga shteti gjakatar serbo-jugosllav. Për Beogradin zyrtar, akademik Zajmi, specifikonte disa mundësi trajtimi të çështjes shqiptare: e para, përmes “heqjes dorë nga territori kontinuel i shumicës etnike shqiptare në Jugosllavi që do të çonte në bashkim me Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore”; e dyta – përmes “konstituimit të Republikës Shqiptare në territorin kontinuel të shumicës etnike shqiptare, në kuadër të Federatës së Jugosllavisë; e treta – përmes “statusit republikë të Kosovës”.
Por, si kundërpërgjigje ndaj demonstratave të ‘81-it, në vitin ‘89-të, pasuan amendamentet kundër-kushtetuese të Serbisë, “për ta mbërthyer Kosovën (por edhe Vojvodinën) në hallkat e strukturës të Serbisë, para ç’gjymtyrëzimit (demembrimit) të mundshëm të Jugosllavisë”, vërente akademik Zajmi. Ai kishte vërejte formale dhe përmbajtësore, lidhur me substancën e fuqizimit të vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës. “Pëlqimi për amendamentet kushtetuese të Republikës Socialiste (23 mars 1989) as që ekzistonte”, theksonte ai. Ky paradoks,“mund të konfirmohej edhe me proces-verbalin e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, kur as nuk qe konstatuar ekzistimi i kuorumit për të punuar dhe as për t’u marrë vendime”, sipas tij…!
Me zhbërjen e ish-Jugosllavisë, ky personalitet i thellë në vepra e mendime, insistonte që Kosova dhe populli shqiptar në territorin e ish-Jugosllavisë, të jenë “subjekt i vendosjes për fatin e vet historik, në rrethana të reja historike, sipas principit të vetëvendosjes kombëtare”. Megjithatë, ndodhi e kundërta. Nisma e shembjes së autonomisë së Kosovës, përkatësisht e suspendimit të subjektivitetit juridik e politik të Kosovës si njësi federative në ish-Jugosllavi që u forcua me nxjerrjen e disa ligjeve serbe (1990), sipas tij, rriti “moderueshmërinë e opsionit të pavarësisë së Kosovës kundrejt opsionit të bashkimit territorial të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera të shumicës etniko-territoriale shqiptare në Ballkan”.
Në këtë vazhdë, pena e tij e mprehtë shprehte largpamësi politike: “nëse do të hartohej ndonjë projekt i madh mbi stabilitetin afatgjatë në Ballkan, është e sigurt se problemi i zgjidhjes parimore të çështjes shqiptare, me kritere objektive etnike dhe demografike, do të zinte një vend qendror në te”, shkruante ai. Ai ka qenë njeriu që ka hedhur tezën për “policentrizmin subjektor të kombit shqiptar” viteve të ‘90-ta. “Policentrizmi subjektor i kombit shqiptar në Ballkan, në këtë stad të rrjedhave n’Evropë, nuk është faktor i ndarjes kombëtare por përkundrazi, në kushte të trashëguara të ndarjeve gjeopolitike të kombit, është faktor i ngritjes së subjektivitetit kombëtar, integrimeve kombëtare dhe i proceseve të bashkimit kombëtar”, gjykonte ai.
Sa për informimin e lexueseve, vetëm kalimthi të përmendim, se si plasohej (me ironi!) roli dhe ndikimi i akademik Gazmend Zajmit, gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese në shtypin serb të kohës. “Dihet që ka qenë shumë aktiv, si këshilltar profesional dhe konsultant” edhe në shqyrtimet e fundit kushtetuese dhe i dërguar si aktivist në qendra të ndryshme komunale (edhe në ekrane televizive, është pa në Aktivin e Gjakovës), prandaj as nuk është çudi që kundërshtimet për ndryshimet kushtetuese, ishin aq të forta dhe këmbëngulëse”, thuhej ne shtypin serb.
Ndryshe, ishin: Deklarata kushtetuese të Kosovës (2 korrik 1990), Kushtetuta e Republikës së Kosovës (7 shtator 1990) dhe Rezoluta mbi pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, (18 tetor 1991), ato projeksione formale juridiko-politike të mëvetësisë së Kosovës, të cilat binin ndesh me amendamentet në Kushtetutën e Serbisë, të 23 marsit 1989). Të artikuluara edhe në Letrën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të dhjetorit 1991, arsyeve për sovranitetin e Kosovës, nuk iu kishte bindur as Konferenca e Paqës dhe Komisioni Badenter. Këta e lanë çështjen e Kosovës jashtë diskutimit, e lanë si sfidë të kombësive e grupeve dhe nën tutelën e Serbisë.
Ndërkohë që, akademik Zajmi, në mënyrë brilante shprehej se “nuk ekziston asnjë ligjësi objektive dhe asnjë kornizë sociale-psikologjike e përbashkët që këto dy individualitete të veçanta etniko-territoriale, Serbia dhe Kosova, tërësisht pra të ndryshme, për nga kompozicioni etnik i tyre, të jenë apo të vihen nën pushtet një etnik i tyre, madje edhe sikur pushtetin një etnik serb, mos ta shquante fare brutaliteti i tij i sotshëm etnokratik”. Këtej, kur flitej në Serbi për Kosovën, si çështje e brendshme e saj dhe ishin të barabart nga aspekti kushtetues, “si mund të jetë fati politik i një populli, çështje e brendshme e një populli tjetër”, pyeste akademik Zajmi.
Me shkathtësinë intelektuale solli në vëmendjen e opinionit vlerësimin se; “Federata ia ngarkoi vetes, jo vetëm vazhdimin e padrejtësisë ndaj kombit shqiptar në Ballkan, por vetë ia ngarkoi edhe nukleusin themelor të jo stabilitetit të lartë” dhe mjeshtërisht konkludoi: “artificialiteti i një krijese të re shtetërore, mund të jetë i lidhur dhe me padrejtësitë në themelet e asaj krijese shtetërore, sikundër që edhe padrejtësitë në themelet e saj Federatës i përçojnë karakterin artificial të saj”. Këto problematika rreth federatës, u intensifikuan dramatikisht në një pjesë të hapësirës jugosllave, pasi Serbia e Mali i Zi, shpallën Republikën Federale të Jugosllavisë (1992).
Janë të pafundme kundërvëniet profesionale të Prof. Zajmit, atribuuar tezës serbe se; – liritë themelore dhe të drejtat njerëzore përbëjnë spektrin krucial të çështjes së Kosovës. Ky personalitet vizionar, paralajmëronte se këto çojnë te “rreziku i shpërthimit të luftës”, siç edhe do të ndodh (1998/99) tri vite pas vdekjes së tij (1995), ngase, sipas tij, çështjen e Kosovës e shpreh “karakteri etnik, historik, politik dhe ndërkombëtar i Kosovës, mëvetësia e saj dhe pozita e saj”. Si pjesë integrale e çështjes shqiptare, Prof. Zajmi porosiste që çështjen e Kosovës, duhet kuptuar përmes “raporteve ndërmjet kombit serb dhe kombit shqiptar në Ballkan, si dy ndër kombet e mëdha në relacione ballkanike, me peshë jo më të vogël se raportet e popujve tjerë në Ballkan, për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në këtë pjesë të Europës Juglindore”.
Ai identifikoi “boshte strumbullare”, që ravijëzojnë individualitetin dhe mëvetësinë e Kosovës, si vlera emblematike. I pari: “realiteti kombëtar demografik-territorial i popullit shqiptar të Kosovës”; i dyti: “individualiteti kompleks historik, gjeografik, struktural-kombëtar dhe politik i Kosoves”; i treti: individualiteti dhe barazia e kolektiveve nacionale për pavarësi” dhe i katërti: “vullneti politik dhe demokratik i popullit të Kosovës, për pavarësi”. Kështu Kosova po i shmanget çdo lloj lidhjeje me shtetin serb. “Akademik Gazmend Zajmi, është intelektuali i parë në trojet etnike që përmend nocionin “okupues” për shtetin serb ndaj Kosovës, në punimet e tij të natyrës juridiko-politike”, pohon Prof. Dr. Osman Ismajli, ish-student dhe koleg i Prof. Zajmit.
Kujtoj se perlat e këtij profili të rrallë akademik, përgjatë misionit me krye-temë shtetësia e Kosovës, rrezatojnë kontributin e tij të trefishtë e, që shoqëruan hartimin e akteve burimore të vetë-përcaktimit politik të Kosovës, për sovranitet e pavarësi. Shprehur me gjuhë lakonike dhe shteruese, këto mbase do përmblidheshin kësisoj: Kontributi i parë i referohet – autorësisë së tij për hartimin e tekstit të cilin e titulloi: “Deklarata kushtetuese për Kosovën, si njësi e pavarur dhe e barabartë, në kuadrin e federatës (Konfederatës) së Jugosllavisë”, që u bë sinonim i emrit të tij. Ky akt që e kishte promovuar së pari më 14 qershor 1990, në Kuvendin e ASHAK-ut, ngeli konfidencial për dy javë, deri më 2 korrik 1990, kur e miratuan 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës, në hyrje të këtij objekti të mbyllur.
Me këtë Deklaratë, veç tjerash, “shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi, si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë”. Kontributi i dytë i referohet – protagonizmit të akademik Zajmit, duke u cilësuar prijëtar i grupit të intelektualëve, sepse nën përkujdesjen shkencore e pragmatike të tij, u hartua projekti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që u miratua fshehurazi nga 112 delegatë legal e legjitim të Kuvendit të Kosovës, më 7 shtatorit 1990 në Kaçanik. Me këtë vepër monumentale, u jetësua themel-vënia e shumëpritur e shtetit të Kosovës dhe e kombit shqiptar në Kosovë. Aureola intelektuale dhe shoqëria kosovare e konsideronte si; një ekspertizë të lartë të shtet-bërjes që aspironte ndërtimin e ardhmërisë së shoqërisë, në krye me shtetin e konsoliduar.
Kontributi i tretë dhe i fundit i referohet – pyetjes së ideuar nga akademik Gazmend Zajmi e, të parashtruar në fletëvotimin e referendumit të fshehtë gjithë-popullor, mbajtur prej 26-30 shtator 1991, që solli Rezolutën mbi pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, më 18 tetor 1991 me “po”-në e 87,01 % të votuesve të popullsisë së Kosovës. Dhe në fund fare: këto tri dokumente historike, sikur kumbuan si përgjigje ngjyrimesh juridike politike e demokratike, të përfaqësuesve dhe popullit shqiptar të Kosovës, vizave grishjes për luftë nga Millosheviqi, anticipuar më 28 qershor 1989, në tubimin e serbëve në Gazimestan, ku kremtohej 600 vjetori i “Betejës së Kosovës”. Memorie.al