Nga Prend Ndoja
Roli i kishës shqiptare “Zoja e Shkodrës” në SHBA-ës, për çështjen kombëtare –
Memorie.al Disa nga ata që nuk u pajtuan me komunizmin në Shqipëri, përjetuan vuajtjet më çnjerëzore nën kthetrat dhe egërsinë kriminale të atij regjimi, ose u ekzekutuan pa mëshirë. Ndërsa një pjesë tjetër mori arratinë. Të gjithë e dimë rrezikshmërinë e një akti të tillë. Por atyre u kishte shkuar thika në asht dhe, në momentin e ikjes, përveç vetes së rraskapitur, çdo gjë tjetër e lanë pas, familjen, të afërmit, atdheun. Me vete morën pasigurinë e së ardhmes, por edhe shpresën që lindte sapo kaloje kufirin, peshën e vuajtjeve dhe të mallit, kujtimet e një jete të vështirë, lotët e nënës e të familjarëve. E mbi faqe një pikë lot që nuk e thante lehtë, as era e udhëtimit të gjatë.
Hija e zezë komuniste gllabëronte jetë njerëzish, kërkonte krerët e rezistencës, në veçanti i kërkonte krerët e panënshtruar ndonjëherë më parë në trevat e Mirditës. Në Malin e Shenjtë të Mirditës, kishte hyrë shpata e “djallit të kuq”, tronditjet i ngjanin tërmetit të një shkalle të lartë, që rrënonte male dhe çante gurët e bjeshkëve; rrëzonte lisa me rrënjë shekullore, që u kishin bërë ballë të gjitha stuhive dhe kohërave të mëparshme. Ishte viti 1951, kur mbi 200 trupa të forcave komuniste, e kishin rrethuar Mirditën. Urdhri ishte dhënë drejtpërdrejt nga kreu komunist, Enver Hoxha, për të likuiduar priftin e fshatit, Dom Zef Oroshin. Për të zbatuar atë urdhër, ishte ngarkuar njeriu famëkeq, i ashtuquajturi “Toger Baba” (Hodo Habibi nga Kuçi Vlorës), me shokë.
Në atë ditë të rëndë, gjatë ceremonisë së meshës, Dom Zef Oroshi e kishte nuhatur që jashtë mureve të kishës, se po e priste vdekja. Për ta shmangur vdekjen, ai e shkurtoi predikimin dhe e mbaroi meshën para kohe. Ndërsa jashtë, efektivat e Forcave të Ndjekjes po prisnin që ta prangosin, apo dhe ta pushkatonin, duke inskenuar arratisjen e tij. Por prifti inteligjent, i ndihmuar edhe nga bashkëfshatarët, doli nëpërmjet një dere sekrete, iku maleve dhe iu bashkëngjit forcave antikomuniste të Mirditës.
Pastaj më vonë e kaloi kufirin shtetëror për në Kosovë e, në Itali, për t’u larguar pastaj përfundimisht, drejt SHBA-ës. Deri në vitin 1969, shqiptarët e besimit katolik në New York, i zhvillonin lutjet e ceremonitë fetare në kishat katolike amerikane, në lagje të ndryshme të qytetit me rrethinat e tij. Gjatë atij viti, me kujdesin e drejtpërdrejtë dhe me kryesimin e krye-meshtarit mirditas, Dom Zef Oroshi, themelohet Kisha e parë Katolike shqiptare në Amerikë, në këtë adresë: 4221 Park Avenue, Bronx, New York. Mesha e parë u celebrua natën e Krishtlindjes, në po të njëjtin vit.
Gjatë viteve ’70-të, udhëtimet nga Shqipëria drejt Amerikës, ishin të rralla. Në atë udhë të largët, më shumë kishte udhëtarë nga shqiptarët që jetonin në trevat e Malit të Zi. Me ardhjen e Dom Zef Oroshit në SHBA-ës, lidhja me figura të larta të shtetit të New Yorkut, filloi të zinte vendin e duhur, që pa dyshim ishte në të mirë të kombit dhe, në veçanti, të komunitetit tonë në qytetin e madh metropolitan amerikan. Prezantimi i popullit tonë në syrin dhe mendjet e vendësve, filloi të marrë pamjen e merituar. Gjatë këtyre viteve, përreth kishës “Zoja e Këshillit të Mirë”, ishte një komunitet i vogël, por unik, e, pothuajse të gjithë e njihnin njëri – tjetrin.
Themelimi i Kishës së parë shqiptare në Amerikë, u bë në baza të shëndosha fetare dhe kombëtare. Dom Zef Oroshi kishte afërsi vëllazërore me të gjithë vëllezërit dhe motrat e tij, të të njëjtit komb, pa marrë parasysh besimin apo rajonin nga vinin. Ngaqë shumë prej tyre e kishin luftuar komunizmin, ata vazhdonin të qëndronin të bashkuar edhe në mërgim. Dom Zefi, pas vdekjes së Abaz Kupit në vitin 1977, çdo javë, për dy vjet radhazi, lutej në meshën e shenjtë, për shpirtin e Abaz Kupit. Gjithashtu lutej edhe për shpirtin e Mit’hat Frashërit. Të shpeshta ishin edhe vizitat që bënte te varri i tyre. Mbi rrasën e varrit të Abaz Kupit, ishte gdhendur numri 444, që simbolizonte Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.
Në mbledhjen e të hollave për blerjen dhe ndërtimin e kishës, kishin marrë pjesë edhe vëllezërit e besimit islam. Jehona e një vëllazërimi të tillë, do të përcillej shumë vite më vonë në Shkodër, në prag të rënies së komunizmit, kur prifti i dalë nga burgu, Simon Jubani, tek kisha e vogël e Varreve të Rrmajit, mbajti meshën e parë nën rrethimin e Sigurimit të Shtetit. Por ai rrethim nuk i pengoi qindra e qindra besimtarë katolikë, myslimanë e ortodoksë të Shkodrës, që të shkonin e ta ndiqnin atë meshë. E njëjta gjë ndodhi po në atë qytet pak ditë më vonë, kur u bë ceremonia fetare tek Xhamia e Plumbit dhe morën pjesë besimtarë të tri besimeve në Shkodër. Xhamia e Plumbit ndodhet pranë kalasë së Rozafatit, në hyrje të Shkodrës. Po në faqen e kodrës, mbi të cilën ngrihet kjo kala, ndodhet edhe Kisha “Zoja e Shkodrës”. Edhe kjo një dëshmi e vëllazërimit midis besimeve fetare midis shqiptarëve.
Në shumë aspekte, Kisha “Zoja e Shkodrës” e New Yorkut, jepte pamjen e një qendre shqiptare, ku mërgimtarët gjenin një pjesë të atdheut të tyre. Aty organizonin mbrëmje festive, pas diskutimeve që mbaheshin për hallet e tejskajshme të atdheut dhe familjarëve në vendet e tyre. Skenat mbusheshin me simbole kombëtare, muzikë dhe valle shqipe. Kishën e vizitonin shumë personalitete të larta vendore, si dhe personalitete të kombit tonë, si Nënë Tereza, Mbreti Leka i I-rë, me familjen e tij, etj. Në fillim të viteve `60-të, në Amerikë Dom Zefi ishte njeriu i afërt i Fan S. Nolit.
Shoqata Pan-shqiptare “Vatra”, e themeluar nga Noli, ishte vërtet një vatër që i ngrohte të gjithë shqiptarët dhe i bënte bashkë nën një çati të përbashkët. Gjatë gjithë atyre viteve e deri më tani, “Vatra” vijoi ta ruante lidhjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Kishën shqiptare. Te “Vatra” dhe tek gazeta “Dielli” mbahej gjallë realisht dhe me një vizion të palëkundshëm fryma kombëtare. Aty, kombi dhe bindjet fetare, përqafoheshin si engjëj mes vetes. Andaj “Vatra” dhe Kisha, shfaqeshin të përbashkëta në shumë manifestime kombëtare.
Siç e kam theksuar edhe në librin tim “Udhës së mërgimtarit”, mërgimi i atyre viteve ishte i rëndë. Mërgimtarët e pafajshëm, ishin të dënuar me peshën e rëndë të mërgimit të asaj kohe. Ata u farkëtuan përmes shkreptimave të kohërave të vështira. Në mendjet e tyre, rëndonte pesha për vëllezërit dhe motrat e lënë nën kërcënimin e rrezikshëm dhe persekutimin e egër komunist. Shumë nga ata e kishin humbur shpresën, se një ditë do të takoheshin me familjet e tyre dhe me atdheun. Në një gjendje të tillë, ata idealisht qëndronin të fortë, nuk u lëkundën nga vuajtja dhe malli. Punonin me ndershmëri, për t’u integruar në jetën amerikane, shtrëngoheshin pranë njëri-tjetrit, ndihmonin njëri-tjetrin, duke u gjendur pranë në ditë të mira e të vështira.
U dhimbte shpirti kur dëgjonin për vuajtjet e vëllezërve dhe motrave të tyre në atdhe. E përqafonin atdheun prej së largu, e, më shumë e urrenin komunizmin, si shkaktar vuajtjesh. Aty nga fundi i viteve ’80-të, i ftuar nga L. Ndreca, në lokalin e Ramiz Danit në “Queens”, së bashku me L. Nokaj, me origjinë nga Laçi Kurbinit, që ishte i ikur nga Shqipëria që në fillimet e para të komunizmit, ishim pjesë në një tubim, ku merrnin pjesë shumë nga luftëtarët dhe udhëheqësit që kishin luftuar kundër komunizmit në Shqipëri. Tek i shikoje, binte në sy guximi i tyre për ta luftuar komunizmin, si dhe respekti ndaj autoritetit të eprorëve të tyre të pranishëm.
Me kalimin e viteve tek njeriu, dihet që zemra e humb ritmin e dikurshëm të rinisë, e ndien peshën e viteve të kaluara udhëve në kohë të rënda. Kështu edhe tek Dom Zef Oroshi, mirditori me zemrën gur, në vitet e pleqërisë, ajo ishte bërë si një shpuzë e mbetur pas flakës së rinisë. Një ditë, në vitet e fundit të jetës së tij, ishte mërzitur shumë për dy vëllezërit, motrën dhe Shqipërinë. Ishte duke shëtitur brigjeve të Oqeanit përreth New Yorkut. Diku u ndal dhe duke e drejtuar dorën nga Jugu, në hapësirën mbi valët e detit, e pyeti shokun që e shoqëronte: –
“Tomë, a i bie të jetë andej Shqipnia”? Dhe një buzëqeshje ia shndriti fytyrën si një rreze dielli, pasi në një moment, iu duk se e afroi më afër vetes Shqipërinë. Por, Shqipëria ishte e paarritshme, ishte e humbur atje larg, përtej oqeanit dhe maleve, në rrethimin e hekurt të diktaturës komuniste. U ndal dhe pas një frymëmarrjeje të thellë, mallkoi armiqtë që ia shkaktuan ato plagë popullit dhe vendit të tij e, shpërtheu në vaj me zë të madh, duke i përmendur anëtarët e familjes dhe atdheun e tij.
Dr. Monsinjor Zef Oroshi doli në pension, në vitin 1985. Në vitin 1973, Dom Rrok Mirdita, kishte ardhur nga Tivari në SHBA-së. Nga pozita e ndihmës-meshtarit, që kishte ushtruar për disa vite më parë, kaloi si zëvendësues i plotë i punës së Dr. Monsinjor Zef Oroshit. Pak vite pas pensionimit, me një mall sa një oqean për vendlindjen e familjen, Dom Zef Oroshi kaloi në amshim, më 15.03.1989. Dom Rroku vazhdoi si meshtar i mrekullueshëm, në një bazë të përgatitur mirë nga paraardhësi i tij, Dr. Monsinjor Zef Oroshi.
Dom Rroku ishte i përkushtuar, që përmes predikimit ta ruajë edhe traditën tonë të krishterë të besimit, që ishte luftuar me mbylljen e kishave nga pushteti komunist. Pra, ta sillte dhe ta kultivonte traditën tonë të vjetër të krishterë, në një kontinent të ri. Mbante tubime dhe manifestime me karakter fetar dhe kombëtar. Më 26 shtator të vitit 1989, është blerë toka për ndërtimin e kishës së re “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York. Më vonë, Kardinali O’Connor, e shpalli famullinë e parë katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Në simpoziumin që u mbajt për nder të përvjetorit të Pjetër Bogdanit, mori pjesë edhe Dr. Ibrahim Rogova, i cili që nga ai moment, ishte vizitor i pandashëm i Kishës Katolike shqiptare në New York sa herë që vinte në SHBA-ës.
Don Rrok Mirdita, më 25.12.1992, në moshën 53 vjeçare, u emërua Ipeshkëv i Argjipeshkvisë Tiranë-Durrës. Pas shërbimit të suksesshëm në atë detyre fisnike dhe të shenjtë, ai vdiq më 7 dhjetor 2015, në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Me largimin e Dom Rrok Mirditës nga New Yorku për në Shqipëri, vendin e tij e zuri Dom Pjetër Popaj, që shumë kohë më parë ishte ndihmës-meshtar në Kishën “Zoja e Shkodrës”. Dom Pjetër Popaj, edhe pse vazhdonte një vizion të së kaluarës, solli me vete frymën e aktualitetit.
Ai ishte bekuar nga Nënë Tereza dhe mendoj se është i vetmi shqiptar, tek i cili Nënë Tereza kishte ndjerë hirin e Zotit. Ishte ulur në gjunjë, duke ia puthur duart e duke kërkuar bekimin e tij. Në predikimet e don Pjetrit reflekton thjeshtësia; tonet e ulëta të zërit i fuqizon arsyeja dhe saktësia e fjalës. Horizonti i diturisë së tij ngjan me bibliotekat e mirë-pajisura me shkrime e libra, që nga zanafilla e këndej.
Nga ai, shpesh i kam dëgjuar këto fjalë:
– “Populli shqiptar ka dhënë mjaft dëshmi se e do Zotin”.
– “Ka dhënë mjaft dëshmi se e do atdheun”.
– “Nuk ka shqiptar/e në botë, që nuk e do vendlindjen”.
– “Nuk ka vend në botë, të cilit i kushtohen këngë dhe lutje më të mira se sa ato që shqiptarët i kushtojnë dhe i këndojnë vendit të tyre”.
– “Asnjë tokë në botë, nuk mund t’i prodhojë frytet më të mira se sa toka jonë për ne”.
– “Ne nuk e kemi zgjedhur të jemi shqiptarë, është dhuratë nga Zoti. Të gjithë së bashku duhet që ta kultivojmë këtë dhuratë”.
– “Çdo përpjekje për ndarje, është kundër dhuratës që Zoti na e dhuroi”.
– “Asnjë sukses nuk mund të arrihet, nëse jemi të ndarë”.
– “T’i lutemi Zotit, në shenjë falënderimi që e kemi njëri-tjetrin”.
Në sallën e Kishës “Zoja e Shkodrës”, mbahen manifestime fetare dhe kombëtare, si dhe tubime për çështje të ndryshme mbarëkombëtare, apo të komunitetit tonë në New York. Kishën “Zoja e Shkodrës”, mund ta quajmë Kisha Shqiptare – derë e hapur e çdo njeriu që shpreh dëshirën t‘i afrohet kishës dhe kombit. Me organizimin e Kishës shqiptare të New Yorkut, janë të shpeshta rastet, kur aty celebrohet mesha e përbashkët nga predikuesit e fesë katolike, islame, ortodokse e bektashinj. Kam marrë pjesë shpesh në celebrimin e meshëve të tilla dhe mund të them se ishte një kënaqësi e madhe, por edhe krenari kombëtare, të shohësh raste të tilla, që prezantonin harmoninë fetare para të gjitha kombeve të tjera. Ky është vërtet një shembull me të cilin mund të krenohemi dhe që e theksoi edhe Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Kur nuk i kishim senatorët tanë dhe imazhit tonë kombëtar i kanosej ndonjë rrezik nga gabim-qarët tanë, Dom Pjetri ishte përballë medieve me fakte bindëse, duke i treguar botës, se ne nuk jemi terroristë, apo racistë, siç pretendohej ndonjëherë të paraqiteshin shqiptarët. Mediet kishin filluar me nxitim të jepnin një pamje shumë të dëmshme, për imazhin e kombit tonë, por Dom Pjetri ishte aty me praninë e tij, duke i sqaruar vuajtjet që i kishte përjetuar populli ynë, i shtypur nën sunduesit okupatorë të pamëshirshëm. Ai thoshte: “Si popull, jemi gjithmonë pranë dhe krah i popujve që vijnë nga origjina e vuajtjes dhe e robërisë, sepse të tillë ishim edhe ne, të robëruar. E kështu vijon të jetë akoma një pjesë e kombit tonë. Pra, me një fjalë, nacionalizmi nuk është dukuri që ekziston në bashkësinë tonë kombëtare”.
Mbrojtja dhe krijimi i një atmosfere të tillë rreth Kishës, ka ndikim të madh në unitetin e bashkatdhetarëve tanë në Nju Jork. Kisha Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në New York, është një bërthamë e lidhur ngushtë me burimin e të mirave tona kombëtare, e njëkohësisht, përmban rreth vetes të gjallë, atë që ne mërgimtarët e lamë pas kur mërguam. Aktivitetet në fushën e kulturës kombëtare,, janë të panumërta, duke filluar që nga kori i kishës, që ka filluar në gjuhën tonë amtare që në vitet `60-të e gjer te “Rozafati” i sotëm në Qendrën ”Nënë Tereza”. Në këtë Qendër, përveç përgatitjes së talenteve të reja për përdorimin e instrumenteve tona muzikore kombëtare, përgatiten edhe shfaqje teatrale dhe koncerte të shumta. Për vite me radhë, janë mbajtur e vazhdojnë të mbahen festivale të ndryshme për komunitetin e New Yorkut, si dhe ato me përmbajtje mbarëkombëtare, ku marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në ditët festive, që nga Uashingtoni dhe qendrat më të mëdha, në veçanti New Yorku, mbulohen me flamuj shqiptarë. Është nder dhe krenari kur shikon se flamuri ynë kombëtar mbahet në zyrat e senatorëve e presidentëve dhe me dorën e tyre ngrihet lart, për festat tona kombëtare. Ky është respekt për kombin tonë, por edhe për komunitetin shqiptar në Amerikë, që është bërë jo vetëm një faktor i rëndësishëm ekonomik, por edhe një faktor bashkimi, një faktor që ka ngritur imazhin e vendit tonë në kontinentin amerikan. Sot, të thuash që je shqiptar në New York, pa dyshim që është krenari. Shumë nga kombet e tjera na shikojnë me lakmi për arritjet dhe imazhin e lartë që i kemi dhënë popullit dhe kombit tonë. Shkollimi dhe emancipimi i hovshëm në të gjitha sferat i shqiptarëve në Amerikë, është një arritje e shpejtë e të mirave që koha e sotme na i ofron, gjë që i shërbeu dhe po i shërben kombit tonë.
Nëse politika në trojet tona vazhdon të jetë pengesë e zhvillimit të një jete të begatshme me standarde të kohës, komuniteti shqiptar në Amerikë, është derë e hapur për të evituar të keqen. Mendoj se në një të ardhme mund të mbështetemi tek modeli i funksionimit të shtetit të Izraelit, i cili udhëzohet nga kokat e atyre njerëzve të përgatitur dhe të mençur që i kanë në Amerikë. Roli i Kishës Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në New York, me punën dhe kontributin e dhënë për bashkatdhetarët e saj, për kombin si dhe për vetë shtetin e New Yorkut, është një shembull i mirë, është mirësi, është shpresë, është ushqim i pastër për qelizat dhe palcën e kombit tonë. /Memorie.al
Long Island, NewYork