Nga Ibrahim Kabili
Memorie.al / Një motiv më shumë që më ka nxitur, për të bërë këtë shkrim modest, për doktorin ‘hero’ të asaj periudhe, Besnik Hazbi Lamçe, ka qenë babai im Zijai. Ky në vitin 1985, pësojë një aksident nga ku dëmtoi njërën dorë, duke humbur tre gishta të saj. Doktor Besniku e ktheu dhomën e vizitave në sallë kirurgjie, e operoj dorën, i qepi gishtat në kushte tepër të vështira dhe e shoqëroj për në spital. Falë ndërhyrjes në kohë të doktor Besnikut dhe më pas të mjekëve kirurg në spital, u minimizua dëmtimi i mëtejshëm i dorës nga ai aksident. Ky qe doktori i përkushtuar, specialisti i gjithanshëm dhe njeriu i mirë, Besnik Lamçe. Si ky rast ka me dhjetëra dhe qindra të tjerë. Fjala mjeku “hero”, nuk është një gjetje e imja, por një atribut i shumë merituar i tij.
Njerëz të tillë si Lamçja, janë të rrallë. Ai ka lënë në memorien e banorëve të zonës, kujtimet dhe mbresat më të mira, si një mjek i përkushtuar, si njeri shumë i mirë dhe human. Unë si bashkëkohës i tij, në një front tjetër pune, kam bashkëpunuar me të dhe ruaj kujtimet më të mira. Ai megjithëse qe i persekutuar prej babait, kjo gjë nuk e pengoj, ai shkëlqeu në punë dhe banorët e vlerësonin shumë. Më datën 25.05.2022, rasti ma dha të zhvilloja një bisedë të gjatë afër shtëpisë së tij, tek “Komuna e Parisit”. Biseda qe tepër miqësore, e shtrirë në kohë, shumë tërheqëse, dhe mbi të gjitha, ringjalli shumë kujtime të kohës…!
Besnik Hazbi Lamçe ka lindur në Tiranë, më 13.11.1950. Familja e tij qe e thjeshtë, shumë arsimdashëse, me tradita dhe e mirënjohur në Krahinën e Mallakastrës. Shkollën fillore e kryen te Shkolla “Çajupi” në Tiranë, me nota shumë të mira. Arsimin 8-vjeçar, e përfundon te Shkolla “Partizani”, me rezultate shumë të mira dhe fletë nderi. Edhe arsimin e mesëm e përfundoi me rezultate shumë të mira, në shkollën “Sami Frashri”, në vitin 1970. Duke kujtuar këtë shkollë, doktor Niku, shton: “Kjo shkollë qe mjaft e afirmuar për arsimin e atyre viteve. Profesorët tanë, ishin njëri më i mirë se tjetri. Ato na dhanë njohuri të qëndrueshme në arsim dhe na edukuan me ndjenjën e atdhedashurisë dhe atë të punës.
Në atë periudhë, kemi kryer katër aksione, në ndërtimin e Hekurudhës Rrogozhin-Fier. Kujtoj me shumë nostalgji, shokët e shoqet e mrekullueshëm, si: Bashkim Isufi, Çlirim Poro, Eduart Ypi, Fatos Nano, Skënder Rexha, Edvin Resuli, Zerina Barbullushi (Kuke), Valentina Çakçiri, Valentina Dango, etj”. Fakultetin e Mjekësisë, e fillon në vitin 1970 dhe përfundon në vitin 1976. Gjatë kësaj periudhe, ka bërë edhe 6 muaj stazh mësimor dhe praktike profesionale. Për këtë, doktori shton: “Pedagogët tanë kishin një përgatitje shumë të lartë akademike, reflektonin tek ne një moral dhe edukatë të lartë. Ata me punë dhe përkushtim të imponon respekt dhe dashuri të pafundme. Laboratorët dhe baza materiale e anatomike, plotësonin gjithë ciklin e programin mësimor.
Leksionet që jepnin në auditor të mahnitnin dhe mësoheshin aty për aty. Vlen të theksohet Profesorët: Josif Adhami, Skënder Dauti, Petrit Gaçe; Rushen Golemi, Fatos Harito, Ylli Popa, Pandeli Çina, etj. Kemi fituar atë dije, që ishte e barabartë me një specializim. Ata na pranonin të asistonim në operacione dhe në konsulta, duke na trajtuar si të barabartë me to. Vlen të theksoj, se ndër ne studentët nuk ekzistonte xhelozia apo ambicia. Ne kishim një mirëkuptim dhe dashuri të sinqertë dhe ndihmonim shumë njëri tjetrin. Edhe në aksionet, jo pak por edhe gjashtë të tilla në një muaj, ndihmonim dhe i gjendeshim pranë njëri tjetrit”.
Kjo qe pamja e shkollës dhe e shkollimit të atyre viteve. Mendoj se duke hequr politizimin e skajshëm të saj, ajo shkollë nuk mund të kthehet më…! Shpresoj në të kundërtën, por kjo kërkon kohë…! Shkolla në programin e saj, kishte edhe përgatitjen ushtarake. Për këtë doktori, na thotë: “Në zboret ushtarake, ishim pranë njëri tjetrit. Zbori për ne qe i vështirë në atë kohë, por duke qenë bashkë, e kalonim duke ndihmuar njëri tjetrin. Vlen të përmend shokët e mi: Asqeri Xhani, Nimet Gjika, Fjodor Kallaxhi, Agim Xhumari, Teuta Buxheli, etj”.
Pas mbarimit të stazhit,, në qershor të vitit 1977, doktorin e diplomuar Besnik Lamçe e emërojnë mjek në zonën e Zall-Bastarit, Tiranë. Për këtë, ai kujton: “Pasi arrita aty, takova doktor Astrit Alimehmetin, i cili ishte Përgjegjës i Qendrës Shëndetësore. Me atë njiheshim që më parë. Ai përfaqësonte një djalë Tirane, ishte i edukuar, i qetë dhe tepër dashamirës me njerëzit. Doktor Astriti, më shoqëroj tek Kryetari i Këshillit Popullor të Bashkuar, Sadik Kosova.
Ai më komunikoj të filloja punë në fshatin Zall-Mëner, ku do të mbuloja edhe dy fshatra të tjerë, Bulçeshin dhe Mëner i Sipërm. Pasi u ndamë me dashamirësi dhe me këshillat e vyera të tyre, u drejtova për në Zall-Mëner. Atje më priste infermierja veteran, Lule Haxhia. Pasi u përshëndetëm, ajo më drejtoi për tek godina e ambulancës, ku do të punoja”.
Këtu sistemohet në një dhome të godinës dhe fillon punë doktor, Lamçe. Ai qe i ri në profesion kur erdhi këtu, por dëshira për punë, përkushtimi në gjashtë ditët e javës pranë pacientëve e bënë doktor Besnikun të dashur dhe të respektuar për to. Lidhur me këtë, ai kujton: “Aty në një dhomë flija dhe jetoja për gjashtë ditët e javës, nga e hëna, deri të shtunën mbas dite.
Të shtunën pasdite, ktheheshim pranë familjes, dhe fillonte prap rituali të hënën, deri në të shtunën tjetër. Fillimi është gjithmonë i vështirë për shumë arsye”. Detyra e mjekut të fshatit ishte shumë e vështirë. Terreni i largët që do të mbulohej, infrastruktura e keqe e kohës, largësia nga qendra, si edhe nga Tirana, e vështirësonin shumë punën e mjekut.
Pasioni, këmbëngulja, përkushtimi dhe dëshira për tu ardhur në ndihmë njerëzve, triumfonin mbi çdo vështirësi. Doktor Besniku gjithnjë, u është gjendur njerëzve, duke u zgjidhur në kohë hallet dhe problemet e tyre shëndetësore. Për fillimet e punës dhe detyrat e mjekut, ai shton: “Detyra e mjekut të fshatit, ishte gjithëpërfshirëse.
Ajo fillonte që me Obstetrikën e Pediatrin, ku nënkuptohet, me diagnostikimin e hershëm të gruas shtatzënë, vizitat periodike, analizat, konsultat me gjinekologun në Tiranë, mjekimin profilaktik dhe deri në asistimin e lindjes. Po kështu edhe për Pediatrin, ndjekja periodike e të porsalindurit, vaksinimi me të gjitha vaksinat e kohës, si: B.C.ZH-ja kundër tuberkulozit, Tri-vaksina diftero-tetaniko-pertusike, Lijes, Fruthit.
Mjekimi i patologjive të ndryshme e, deri tek sistemimi në çerdhe. Trajtimi i vizitave dhe mjekimi i të rriturve, ishte shumë me e lehtë, pasi kishte Farmaci në Zall-Bastar. Vlen të theksoj se popullsia e gjithë zonës, ishte shume dashamirëse, mikpritëse, por edhe kuadrot e zonës, ishin bashkëpunues dhe interesoheshin për rezultatet e punës. Për mua organizimi i punës dhe kërkesa e llogaris, ishte në nivelin më të kënaqshëm. Çdo kuadër, ndjente përgjegjësinë në realizimin e detyrave”.
Në vitin 1980, me shtimin e personelit mjekësor, me Doktorët: Luan Krutani, Dhimitraq Prifti, Violeta Gracari, doktor Besnikun e kaluan në fshatin Vilëz. Këtu ai do të mbulonte fshatrat; Mëner i Sipërm, Bastari i Mesëm dhe Bastar-Murriz. Edhe këto fshatra i mbuloj shumë mirë me shërbimin e tij mjekësor, duke u shërbyer pacientëve në çdo kohë dhe në çdo skaj të krahinës. Për këtë, ai kujton: “Ishte zonë malore dhe ashpër, ishte larg, gati dy, orë nga Zall-Bastari.
Po të filloja vizitën në Mëner i Sipërm dhe të dilja në Bastar-Murizë, duheshin 4-5 orë në këmbë. Në dimër situata bëhej edhe më e vështirë”kujton Doktor Besniku. Me gjithë kushtet e vështira dhe terrenin e hapur që mbulonte doktor Besniku, i ndihmuar edhe nga personeli i mesëm, e kreu me sukses punën e tij si mjek, në këtë fshatra.
Në vitin 1986, pasi mjeket e tjerë u larguan dhe mbeti vetëm ai dhe Dr. Vjoleta Gracari, doktor Niku emërohet përgjegjës i Qendrës Shëndetësore, Zall-Bastar. Këtu ai punoj edhe më shumë. Brenda një kohe mjaft të shkurtër, ai i ndryshojë pamjen, pajisjet dhe mënyrën e shërbimit Qendrës Shëndetësore. Çelës i suksesit të tij, këtu qenë; përgatitja, aftësitë profesionale, përkushtimi në punë dhe mënyra e komunikimit me personelin dhe popullin.
Për këtë, doktori shprehet: “Emërimi në këtë detyrë, për mua qe privilegj, por dhe përgjegjësi e madhe. Edhe këtu vazhdoja punën po thuajse në të gjithë zonën, me vizitat e urgjencës dhe kontrollet periodike, sipas nevojave që kishin banorët e zonës. Kisha dëshirë të madhe edhe u mundova të le gjurmë për mirë, në Zall-Bastar.
Në maj 1986, bie në kontakt me drejtorin e Qendrës Elektro-mjekësore në Tiranë, pasi e kisha mik të vjetër. Mbasi mora vesh se ishte një aparat i vjetër radiografie në magazine, ju luta ta rregullonin dhe të ma jepnin mua për Zall-Bastarin. Ramë dakord në parim. Unë rregullova dhe bëra një trajnim tre mujor për Radiologji, në Institutin e Ftizio-Pneumollogjis në Tiranë. Në shtator 1986, pasi u rregullua kabineti i Radiologjisë, në Qendrën Shëndetësore Zall-Bastar instaluam aparatin dhe fillova punën ne të. Ishte një kënaqësi e madhe dhe krenari për mua, që arrita ta bëja realitet, premtimin që u pata dhënë drejtuesve të qeverisjes vendore të Zall-Bastarit”.
Ky qe heroi, dhe mjeku i persekutuar i sistemit, që punoj me përkushtim në këtë zonë të bukur, me njerëz të mrekullueshëm. Radiografia në Zall-Bastar, ishte një ëndërr! Por doktor Niku, e bëri realitet. Me ikjen e tij prej këtu, “iku” edhe radiografia! Ndaj banorët që u shërbeu e kujtojnë me nostalgji, e respektojnë e mbajnë lidhje edhe sot me të. Doktor Besniku ka shumë kujtime për zonën dhe banorët e saj, ndër të tjera, ai thotë: “Ju jam shumë borxhli popullit të gjithë zonës, të shtatë fshatrave ku punova, për sjelljen dhe mikpritjen që më ofruan.
Edhe unë u mundova dhe mendoj se u’a shpërbleva disi, me shërbimin tim. Unë punova ditën dhe natën, në shi dhe në dëborë. Pavarësisht se unë isha i goditur nga sistemi, nga çështja e babait, atje nuk kam ndjerë asnjëherë persekutim, nga ana e drejtuesve të pushtetit lokal. Vlen te theksoj se kam pasur mbështetjen e Sekretarit të Byrosë Partisë, zotit Sulejman Pëllumbi, kryetarit të Kooperativës Bujqësore, zotit Rexhep Cani, edhe shumë e shumë kuadrove të tjerë, që kishin ofiqe partie e pushteti në atë zonë”.
Sa bukur tingëllojnë sot këto fjalë, kur jemi në demokraci. Këto fjalë burojnë nga shpirti dhe zemra fisnike e doktorit të persekutuar, Besnik Lamçe! Doktori ka kaluar shumë sfida dhe me çdo kusht, ka dëshirë të nxjerr në pah, vlerat e personelit shëndetësor. Ai u është mirënjohës banorëve të zonës që e mbështetën, shumë familjeve që e mbajtën atë si birin e tyre. Për këtë këmbëngul dhe shton: “Në Zall-Bastar, u krijua një shërbim gjithëpërfshirës, duke filluar nga Pediatria, Patologjia, Radiologjia-Skopia dhe Grafia Cilësore, Mikrokirurgjia, Opsetrika, etj.
Personeli i zonës, duke filluar me; Ali Bajramin, Kujtim Mali, Mehmet Balliu, Lirie Visha, Hatixhe Hoxha, Sabrie Duka, Zoje Bajrami, etj., kanë bërë një punë shumë të mirë. Dua të veçoj në mënyrë të veçantë të ndjerët, Selim Shkopi dhe Hasan Gjiku, që qenë të parët që shërbyen në zonë dhe me nder e mbyllën punën e tyre në shëndetësi, deri në fundin e jetës së tyre. Këto të dy do mbeten si ikona në historinë e zonës…!
Po kështu vlen të theksoj se në Zall-Mëner, kam hyrë si në shtëpinë time, tek familja e Pol Lilës, Sulejman dhe Kurt Limanit; në Vilëz tek Ramazan Mali, Gëzim Flora, Nuri Bumja; në Zall-Bastar, tek familja e ndjerit Beqir Kabili, tek ajo e Zija Kabilit, Beshir Koçit, Ymer Sitës, Mexhit Isakut etj., etj.
Këto familje dhe të tjera si këto, na hapën derën për ne jabanxhinjtë, ishin njerëz me dinjitet, tepër dashamirës me ne, i kishim në krah, për çfarëdo problem apo evenimenti. Atje punova 16 vite punë në shërbimin shëndetësor dhe kam kujtimet më të mira. Kjo ka qenë për mua një ‘aventurë’, që s’besoj të përsëritet nga asnjë personel shëndetësor i kohëve te sotme…! Shpresoj dhe dëshiroj të kundërtën e kësaj që thashë, në fjalinë e mësipërme. Mirënjohje dhe dashuri të pakufishme për banorët e mrekullueshëm të Zall- Bastarit”.
Mirënjohja është reciproke, doktor Besniku! Ne janar 1992, doktor Besniku fillon punë në Urgjencën e Tiranës dhe në të njëjtën kohë, është mjek i shërbimit mjekësor, me helikopter. Në këtë detyrë të vështirë, ai ka shpëtuar shumë jetë! Në ADN-n e mjekut, boshti kurrizor mbetet humanizmi…! Në vitin 2015 del në pension. Ai është i martuar me Zanën dhe kanë dy fëmijë. Ato kanë mbaruar arsimin e lartë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Doktor Besniku, ka edhe një merak të fundit.
Duke qenë modest, ai thotë: “Unë nuk jam i vetëm, që kam punuar në atë zonë. Këtu kanë punuar një plejadë kuadrosh si mjekë, stomatologë, infermier, mami, etj. Duhet të shkruhet edhe për to. Trimi i mirë me shokë shumë” – përfundon, Besniku. Natyrisht kjo është e vështirë! Arrihet, por duhet angazhim intelektual, ndihmë konkrete, mbështetje financiare. Meqenëse qëllimi i shkrimeve të mia, është evidentimi dhe promovimi i vlerave, më poshtë po jap disa emra, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në fushën e shëndetësisë, për Zonën e Zall-Bastar, Zall-Dajt:
Si mjek në vite, kanë punuar: Ylber Berberi, Bexhet Dërrasa, Dhimitraq Prifti, Avdi Draçi, Xhorxhi Jani, Bektash Hasho, Skënder Xharo, Azem Nela, Preng Marku, Vladimir Janushi, Luan Krutani, Astrit Alimehmeti, Besnik Lamçe, Lule Çali, Violeta Gracari, Enver Çuçka, Skënder Xhelili, Sinan Alushani, Sajrie Çuni, Bajram Lami, Bashkim Murati, Eqerem Baxhia, Mestan Harizi, Dritan Korumi, Klevisa Kola, Emirjeta Durmishi, etj. Kurse si mjek stomatologë e dentist, kanë punuar: Tuç Zyma, Artan Nishku, Vllado Gjini, Nazif Tollja, Islam Tafa, Ismail Elezi, Adem Muça…!
Si ndihmësmjek dhe mami në vite, kanë punuar: Mejte Abazi, Liri Visha, Gjyze Lami, Meleqe Hasa, Rabie Nela, Rabie Doka, Lule Haxhia, Zenepe Luka, Hidushe Hala, Hasan Gjiku, Selim Shkopi, Lule Haxhia, Hatixhe Hoxha, Naile Pëllumbi, Mehmet Balliu, Hike Sula, Anife Muça, Nazmie Dajti, Ibrahim Limani, Ibrahim Muça, Meleqe Hoxha, Feride Alla, Bejdulla Kodra, Haxhire Dajti, Menxine Muça, Hanke Memaçi, Drita Sida, Xhevrie Tola, Florinda Mansaku, Ali Bajrami, Kujtim Mali, Sabrie Duka, Esma Lami, Nadire Limani, Merita Aruçi, Xhevrie Tafa, Mehmet Balliu, Zoje Bajrami, Xhevrie Tola, Sadete Kuka, Florinda Ballaçi, Rabie Lila, Lirie Totri, Fatmira Disha, Sabire Popshini, Lime Sita, Nazmije Dajti, Hamide Sefa e Rabie Nela.
Në shërbimin farmaceutik, ka shërbyer Gjyze Lila dhe Haxhire Bylyku Pëllumbi. Aktualisht, kemi një numër të konsiderueshëm kuadrosh të lartë të mjekësisë si: Mjekë, infermierë të lartë, imazhistë, stomatologë, okulist, etj., që kanë mbaruar shkollat e larta pas vitit 2012. Këto shërbejnë dhe japin kontributin e tyre në; Q.S.U. “Nënë Tereza” Tiranë; qendra të tjera shëndetësore; në spitale të specializuara brenda dhe jashtë vendit deri në SHBA-ës. Kjo përbën një vlerë që rrallë zona e kanë! Memorie.al