Nga Islam Spahija
Pjesa e pestë
XHELAL KOPRENCKA
Memorie.al / Nuk besoj të ketë ndonjë që sot dëgjon këtë emër, e mos t’i kushtojë vëmendje. Nuk besoj që të ketë ndonjë që mjafton ta ketë njohur sado pak e mos të ruaj respektin për të. Nuk besoj të ketë ndonjë, që vetëm se ka ndodhur me të shok rrethanash, mos ta ketë për nder këtë gjë e më me siguri, s’besoj të jetë ndonjë mik zemre i tij, mos ta kujtojë me lot mallëngjimi. E në të vërtetë, sapo dëgjohet ky emër, krijohet një stepje, si ajo kur ballafaqohemi me madhështinë, pastaj vjen një fjalë respekti, adhurimi e më në fund malli e brenga, siç do të na thoshte Mitrush Kuteli.
E gjithë kjo dëshmon për atë karakter, atë burrë, hero, mikun, shokun, mësuesin, bashkëvuajtësin tonë, krenarinë e shtresës së ish-të përndjekurve politikë, që ka emrin Xhelal Koprencka. Nga jetëshkrimi i tij, mjafton të përmenden pak të dhëna, e vetiu të përcaktohet dinjiteti i origjinës. Ai rrjedh nga një familje fisnike, me veprimtari të shquar patriotike.
Gjyshi, emrin e të cilit trashëgoi vetë Xhelali, bashkë me vëllezërit, qenë luftëtarë të penës e të pushkës. Ai mori pjesë me rastin madhor të shpalljes së Pavarësisë, në ngritjen e Flamurit kombëtar më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ndërsa i ati, ka qenë nëpunës i lartë në administratën e Monarkisë së Mbretit Zog i Parë në Tiranë. Këtu u lind Xhelali dhe këtu mbaroi shkollën 7 -vjeçare.
Me ardhjen e regjimit komunist në fuqi, atij iu burgosën të dy prindërit (babë e nënë), duke mbetur ky vetëm me të motrën, fëmijë, në mëshirë të fatit. Dallga e persekutimit i hodhi nga kryeqyteti në Shkodër. Atje, me mund e sakrifica arriti të marrë maturën dhe të ushtrojë profesionin e hidraulikut. Por me këtë, nuk do të merrte fund formimi i tij ideo-kulturor.
Ai qe autodidakt i shkëlqyer dhe mund të themi pa dyshim që; e arrinte shkallën e një intelektuali me arsim të lartë. Cilësitë natyrore nuk vonuan të spikatin tek ai, e kështu do të shquhej shpejt në rrethin shoqëror ku jetoi e punoi.
Persekutimi i pandërprerë e shtyn disa herë në burg djaloshin e paepur. I sajuan lloj-lloj akuzash, derisa ta mbyllnin për të mos dalë më, me akt-akuzën e agjitacionit e propagandës, pika më nevralgjike e inkuizicioni të kuq. I dënuar kështu gjithsej me 25 vjet burg, u dënua në kampin e Spaçit, kampin me numrin fatal 303. Ky kamp qe bërë një Bastijë e regjimit.
Aty, në vitin 1973, plasi revolta historike, që tronditi themelet e diktaturës e po aty, për herë të parë gjatë robërisë gjysmë-shekullore, u ngrit flamuri kombëtar, pa simbolin ideologjik, yllin e përgjakur. Me këtë rast aty, regjimi komunist, pushkatoi katër të burgosur politik, që do të mbesin martirë të demokracisë dhe heronj të rezistencës antikomuniste. Kështu ky kamp, ishte shndërruar në një kështjellë rezistence e, kjo qëndresë, në një farë mënyre, do të kishte prijësit e saj.
Po të eliminohej një, zëvendësohej me një tjetër. Kjo ishte bërë jo me ceremoni, apo organizim, por vetiu, me një farë vetëdije të heshtur. E sigurisht rezistenca, pasi ligji fizik është qëndrueshmëria ndaj shtypjes. Në vazhdën e kësaj tradite, doli në pah figura e Xhelal Koprenckës, vetitë morale të tij reflektonin, duke ushtruar influencën e tyre mbi masën e të burgosurve.
Respekti ndaj tij, si i të mirëve dhe të këqijve, i kishte krijuar një autoritet të tillë, sa të eklipsonte dhe komandën. Opinioni i përgjithshëm ishte, që ai ishte vënë në shënjestër, për t’u eliminuar. Këtë e dinte edhe ai vetë, megjithatë nuk u lëkund asnjëherë. Ai tashmë ishte bërë mësues dhe komandant, dhe si filozofët e lashtësisë, idetë i shfaqte me gjeste personale. Ai e kërkonte kënaqësinë në sakrificë.
Ishte një stoik i paepur. Ata që e kanë njohur, nuk mund ta harrojnë zërin e tij kumbues, burrëror; nuk mund ta harrojnë atë shprehësi fytyre që të impresiononte dhe nuk të linte të vije re vogëlsinë e trupit të sfilitur, por të shihje madhështinë, jo materiale, atë të shpirtit. Kjo dukej përmes syve të larmë, rrezatues, që spikatnin në sfondin e errët të fytyrës vezake.
E ky kontrast mes trupit dhe shpirtit, përbën atë harmoni sublime, që kanë përshkruar me kureshtje biografë të njohur për figura gjeniale të historisë, siç ishin Napoleoni i I-rë apo, admirali Nelson. Është interesant të vësh re, se si fati çudibërës, këtë pinjoll të jugut e hodhi në veri, në metropolin e kulturës dhe atdhetarisë shqiptare, në Shkodër; në Shkodrën e Fishtës, të Mjedës, të Kardinal Koliqit e, të shumë figurave të tjera madhore, me të cilat ka qenë aq pjellor ai truall.
Po atje, militanti i ndritur Arshi Pipa, i cili, edhe ky nga jugu, e pati quajtur Shkodrën; vendlindjen e tij të dytë. Duke menduar kështu, nuk mund të mos kujtosh fjalimin monumental të Patër Anton Harapit, me rastin e përcjelljes së eshtrave të heronjve legjendarë, Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qullit (Leskovikut).
Kleriku i lartë epik, atëherë pat thënë: “Me të vërtetë ju, ju lindi Gjinokastra e Leskoviku, ato kjenë nanat tueja të natyrshme, që u dhanë qumështin e gjinit dhe dritën e diellit; por grimë ma pak, s’asht për ju nana Shkodër, sepse atje u lindët si njerëz, kurse këtu si heronj”! Këtë mesazh dha edhe Xhelali me jetën e tij, e ky le të shërbejë si paralajmërim për ata pseudo-demokratë apo neokomunistë, të cilët po mbjellin farën e përçarjes jug-veri.
Historia na ka mësuar që këta, as kanë pasur dhe as nuk do të kenë ndonjëherë sukses. Do të vinte një ditë, që ndjenja e tij atdhetare e humanitare, të kurorëzohej me aureolën e martirit. Për të frymëzuar kurajon tek të tjerët dhe shpresën për shpëtim, ai vendosi të vetësakrifikohej, duke sfiduar diktaturën më të egër, që mund të ketë parë historia. Ai shkroi një letër protestë për diktatorin, në adresë të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Të tërbuar nga kjo e papritur, ata reaguan së pari me reprezalje aty në kamp, e pastaj do të bëhej arrestimi i tij spektakolar, që do të mbetej i pashlyer në kujtesën tonë dhe të historisë. E ja se si:(……..) Ishte një mëngjes pranvere. Sapo kishte dalë dielli. Oborri i kampit të Spaçit, ishte mbushur plot e përplot me katrorin e masës së të burgosurve të heshtur, si gurët. Në të katër qoshet, ishin vendosur policë.
Përballë, mbi një mur që shërbente si podium, ishte rreshtuar komanda e kampit, bashkë me zyrtarë të Degës së Punëve të Brendshme dhe të Prokurorisë së Rrëshenit. Një nga këta, ndonjë hetues besoj, një i ri fodull, që mbante një çantë zyre në dorë, na shikonte i ngrysur, duke tundur kërcënueshëm kokën e tij, me flokë kaçurrela të zezë.
Pasi “u vendos gjithçka sipas rregullit”, komisari i repartit, shqiptoi formulën makabre: “Për vazhdimësi të veprimtarisë armiqësore, Xhelal Koprencka dhe Veis Ceci, arrestohen në emër të popullit”! Menjëherë pas kësaj, kumboi zëri prej luani i Xhelalit:
– “Çfarë populli more!… Në emër të armiqve të popullit”!
– “Fjalë arit!…”, – u dëgjua një zë tjetër.
Ishte djaloshi trim shkodran, Ramiz Memçe.
Mbretëroi një heshtje varri. Si me magji u duk sikur u ul për tokë ajo tribunë xhelatësh e, në të njëjtën kohë, u ngrit vigani, figura prej heroi e Xhelalit. Fytyra e komisarit u zbeh, u bë gëlqere. Brejtje ndërgjegjeje vëlla?! Të gjithë u shtangën e, asnjë nuk bëzëjti më. Qiejt sikur ishin copëtuar: Jeta kishte sfiduar vdekjen.
Xhelali dhe Veisi, shoku i tij i pandarë, i një pastërtie të thuash primitive, njëri pas tjetrit kaluan me kokat lart para kampit të rreshtuar. Ishte hera e fundit, që po i shihja këta shokë vuajtjesh e ideali. Më vonë dëgjuam se ata, u dënuan me maksimumin e nenit për agjitacion e propagandë. Mirëpo kjo nuk mund të kalonte aq “lehtë”!
“Me urdhër nga lart”, Xhelali do të veçohej nga grupi; ai do të gjykohej përsëri me nen tjetër, atë të tradhtisë së lartë, gjoja paskësh formuar qeveri brenda burgut dhe na e paska “rrezikuar pushtetin popullor”. “O turp, ku e ke skuqjen”! (Shekspiri). Vajti dhe nëna e Xhelalit te Prokurori i Përgjithshëm, Aranit Çela, dhe i kërkoi t’i falej djali i vetëm, por inkuizitori pa shpirt, iu përgjigj me cinizëm: “Mori dënimin e merituar”!
Mbesa e vogël që nënokja mbante prej dore, lëshoi kujën. “Pusho! – e qortoi nëna shqiponjë. – Mos ia bëj qejfin këtij xhelati”! Kjo nënë tregoi madhështinë dhe trimërinë e saj. Ajo mund të krahasohet fare mirë, me nënën italiane, e cila kaloi nga Salerno e, arriti në malet Samarkand të Azisë, në kërkim të birit të saj. Aq sa madhështor u tregua Mbreti i tartarëve, aq i vogël e meskin, qe prokurori pa dinjitet, që dënoi Xhelalin te ne.
Nëna e sfilitur u kthye në shtëpi, me një durim mbinjerëzor. Sidoqoftë, ajo vdiq pa e marrë vesh ekzekutimin e të birit. Asaj, siç thuhet, i sajuan një “gënjeshtër të shenjtë”. I thanë se djali kishte arritur të shpëtojë dhe të dalë jashtë shtetit. Një ngushëllim të tillë, e meritonte ajo zemër e madhe, e shumëvuajtur.
Në kamp njoftimi u bë zyrtarisht, ndërsa pjesëtarëve të grupit të ri dënuar, iu treguan fotografitë e ekzekutimit të shokëve të tyre. Po në këtë kohë, u ekzekutuan edhe dy martirë të tjerë: Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të cilët ndonëse nuk patën lidhje me Xhelalin, e përballuan vdekjen, ashtu siç e përballoi ai. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm