Nga Shpend Topollaj
-Disa mendime rreth romanit “Kojrillat” të Fatmir Terziut –
Memorie.al / Rusoi me të drejtë thoshte se: “Shkalla e vlerës së një libri, varet jo vetëm nga fakti se sa të emocionon, por dhe sa të bën të mendohesh”! Romani “Kojrillat” i shkrimtarit Fatmir Terziu, duke i realizuar më së miri të dy këta komponentë, pa tjetër që mbetet një krijim me shumë vlera. Vetë shkrimtari Fatmir Terziu, hyri në panteonin e letrave tona me dinjitet: pa zhurmë e bujë, fare natyrshëm, pa e kërkuar lavdinë, madje duke ua dhënë atë të tjerëve, duke inkurajuar këdo që guxon t`i futet rrugës së bukur të artit, duke i thënë botës, që shqiptarëve jo vetëm nuk ju mungon kultura, por ashtu sikurse përmendet diku në libër thënia e dikujt se; ata janë populli më inteligjent i Evropës.
Pra, mbi të gjitha, Fatmir Terziu është sipas kuptimit sartrian, një qenie e ndërgjegjshme të cilën ai e sheh dhe e përdor njëherësh, si dëshmitar dhe gjykatës. Ndaj dhe ashtu si Euhemeri i periudhës helenistike, pra aty nga fundi i shekullit të IV-të e fillimi i shekullit të III-të, para e.s., me romanin e tij “Historia e shenjtë”, ku pretendonte se në ishullin Panke, kishte gjetur mbishkrimin që shpjegonte origjinën e perëndive greke, edhe ai vihet në kërkim të “gralit tonë të shenjtë”, të disa letrave misterioze që brenda enigmës së tyre ,sqarojnë shumë paqartësira nga historia e Shqipërisë, e mbushur me intriga, pabesi, ambicie, padrejtësi dhe hile.
Ato letra i posedon një bukuroshe me emrin Zeinep Vlora, gruaja e Xhemil Vlorës, e cila nga ana e saj, fare mirë plotëson kredon e Albert Kamysë, se; “Absurdi mbizotëron, të shpëton dashuria”! Dhe tamam si te “Miti i Sizifit” edhe vetë Terziu kërkon të bëhet zot i absurdit, por pa i munguar qëllimi. Qëllimi i mundimit të tij sizifian, është rrjedhojë e përgjegjësisë qytetare dhe atdhedashurisë.
E në qoftë se ai nuk ia del, pas gjithë asaj lodhjeje ndër arkiva e faqe gazetash, së paku, ai arrin me dashurinë e tij, por edhe të shqiptares që me vetëvrasjen e saj u vu në qendër të vëmendjes mediatike, politike e diplomatike të viteve tridhjetë, të verë në lëvizje mendjet e njerëzve, për të bashkuar përpjekjet dhe forcat e tyre për t`ia dalë në krye një problemi jo të vogël kombëtar.
Rrugët për të trajtuar çështje të tilla, janë të ndryshme. Por Fatmiri nuk vesh petkun e historianit; ai bazuar në talentin dhe përvojën e tij, e sidomos pas romaneve të mëparshme “Grykësit” dhe “Bunari”, qëndron në qerthullin e letërsisë. A nuk kishte vepruar po kështu edhe vetë Fjodor Dostojevskij, për të cilin po Albert Kamy-ja, shprehej se; “… shumë shpejt, ndërkohë që fillova ta ndiej e ta ndërgjegjësoj dramën e epokës sonë, e dashurova atë shkrimtar, për aftësinë e pakrahasueshme që tregon në spikatjen dhe në paraqitjen e fatit tonë historik”! Dhe fati ynë historik, a nuk ka qenë i mbushur me mistere dhe enigma. Me të panjohura, që nuk morën kurrë përgjigje.
Mjafton të kujtojmë shekullin e fundit, atë me të cilin merret edhe Fatmir Terziu në këtë roman. Metaforikisht, ato i dinë vetëm kojrillat. Në fluturimet e tyre të paqta dhe të përhershme, në qiell të qetë dhe të trazuar, nga njeri shtet në tjetrin, ato kanë parë dhe mund të dëshmojnë. Se ato i kanë dëgjuar komplotet që janë thurur kulisave apo konferencave ndërkombëtare, nga të fortët, në dëm të interesave tona.
Por hajde dhe gjej gjuhën që t`i kuptosh ato. Intriga e pabesi kemi pasur dhe midis nesh. Dhe natyrisht që ato kanë ndikuar në tërë fatin tonë historik. Pra, kuptohet që tema që ndeshim në këtë libër është e gjerë, për të mos thënë e pafund. Por shkrimtari është përqendruar në simbolikë, në opinione, artikuj dhe në pak personazhe.
Ai nuk humbet kohë duke përshkruar as portretet e tyre, as karakteret dhe as veçoritë e tjera. Më së shumti, ata lëvizin si hije, vazhdimisht nën shikimin e kojrillave. Autori thotë: “Heroi ra! Viktima – njeri iku nga kjo botë. U la amanetin e palexuar kojrillave. Dhe ato ndoshta e kanë këtë amanet. Ndoshta. Po, po, kojrillat e kanë lexuar amanetin dhe fatin e Zeinepit”!
Gjen në libër edhe atë që autori e quan; E ujta edhe gurët që flasin me memecërinë e tyre, pasi; “edhe kur u shkulkan nga shtrati i tyre, paskan po të njëjtën peshë, në mos më shumë” (ama për çudi edhe E ujta, ashtu si edhe e gurta, e kësaj hapësire bëhen njësh në raste të tilla), edhe hetuesin anglez, edhe Lutfi Çelën, edhe … vetë autorin, tani Granit Jetoni.
Vetë kronologjia sikur humbet. Veç sado që të humbasë, shqetësimi mbetet po ai. Në këtë pike, nuk ka asnjë shmangie. Zeinepi, ashtu si kojrillat, kërkon të shtegtojë, por rruga e saj ka plot pengesa, pasi ajo sikur do të vërtetojë konstatimin e Konan Dojlit, se; “Gruas nga natyra i pëlqejë misteret dhe ka qejf të rrethohet nga një rrjetë sekretesh”!
Ajo, në luftën delikate, për të gjetur vetveten, vërtetë del e humbur, por gjithsesi fiton respektin e lexuesit. Një tis mjegullem e rrethon atë. Vetë bukuria e sajm ngjet me tablotë e impresionistëve francezëm të viteve 1867-1880, pra të asaj France, ku ajo donte të shkonte qoftë dhe si infermiere. Asgjë nuk thotë, pasi nuk bisedon me askënd, e përsëri mbetet personazhi kryesor.
Më shumë se sa për jetën e saj të re, të vjen keq për mënyrën e panjohur të vdekjes së saj. Pse i duhej bërë kjo kësaj gruaje e cila, si një princeshë e vërtetë, bënte që të shkëlqente ambienti, dhe që vlerësonte se pavarësia e atdheut, nuk kishte kuptim pa pavarësinë e saj, si femër? Kush ishte i interesuar që ajo të mos rronte më? Shqiptarë a të huaj qenë vrasësit?
Po ai burri, kufoma e të cilit u gjet në Tamiz, pak më vonë…? Mos vallë edhe këto, e ndofta më shumë këto, kishin lidhje me rrugëtimin tonë të stisur qorrsokakëve të mykur të historisë, sikurse shprehet vetë shkrimtari? Koha e komunizmit shqiptar, nuk i shpëton antipatisë të këtij autori, i cili i ka shpalosur me kohë bindjet e tij demokratike.
Ja, si duke luajtur me fjalët, ai në dialogun e një personazhi dytësor, thotë të vërtetën e madhe: “Dikur të parët, mendonin mirë për ditë të zezë…! Tani e zezë, është përditësia…”! Natyrisht kështu do të ndodhte, përderisa dikush më parë pohonte se ne heshtëm, por as në heshtjen tonë, nuk na lanë rehat. Jetonim në një vend ku “…njeriut i vërsulet në udhën e tij të jetës vetë njeriu”!
Në kompozimin e kësaj vepre, Fatmir Terziu ka operuar me figura, ngjyra, vende e ngjarje të ndryshme. Ato dhe personazhet që luhaten nga deputetë, e deri në njerëz fare të thjeshtë, duket sikur nuk kanë asnjë lloj korrelacioni. Por s`është kështu. Të gjitha janë të menduara mirë, aq sa të bëhet se je para një romani policesk.
Por jo; ky shkrimtar e ka lodhur shumë veten, derisa e ka përfunduar këtë libër. Nuk ka lënë asnjë të çarë, nga ana e tij. Në qoftë se nuk ka arritur të na japë përgjigje shteruese për sekretin që mbartin letrat e pazbuluara të madamës së hijshme Zeinep Vlora, nuk është aspak faji i tij. Pastaj, a mund të dalë dikush e të na mbushë sot mendjen, se Odisea qe biri i Laertit apo, i vetë Sizifit, që ra në dashuri me nënën e tij, Antiklenë, e cila gjithashtu vdiq nga hidhërimi i mungesës së gjatë, të të birit.
Ajo që dihet është se Khalil Gibrani, e ka thënë se; “Një nga gjërat më të bukura të jetës, është të gjesh dikë që mund të kuptojë, pa pasur nevojë, t`i japësh shumë shpjegime”! Fatmir Terziu, shkrimtari i talentuar dhe i ditur, dhe njeriu zemërmadh, por dhe atdhetari i shkëlqyer, i cili si ai guri i rëndë edhe kur është larg, që atje nga Londra ku jeton e punon, duhet të jetë i sigurt, se ka për ta gjetur lexuesin e vet. Një lexues që jo vetëm e kupton, por edhe pret me kënaqësi, të tjerë libra prej tij. Memorie.al