Nga Eugen SHEHU
– MASAKRA E BLLACËS NË KARADAK TË SHKUPIT DËSHMI RRËQETHËSE E ANTISHQIPTARIZMIT SLLAVO-MAQEDONAS –
Memorie.al / Banorët e Maqedonisë shqiptare, ashtu sikundër gjithë populli ynë, në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore, ditën të orientoheshin në kahjen e forcave që luftuan nazifashizmin, për liri, pavarësi, kufij etnikë, sipas të drejtave të botës së qytetëruar. Aspirata e ligjshme për bashkimin kombëtar, nuk do t’i dhurohet askurrë kombit tonë, përkundrazi do t’i privohej në çdo moment edhe atëherë kur forcat politike brenda shtetit amë dhe jashtë tij, do të rreshtoheshin përkrah aleatëve. Kështu, ndërsa shqiptarët ishin rreshtuar në frontin e madh të luftës për liri dhe derdhnin gjakun e tyre, udhëheqja e Partisë Komuniste Jugosllave, ideonte në Beograd të tjera pranga robërie në duart e shqiptarëve, të tjerë kalvare të pafund vuajtjesh.
Mendoj se rishikimi në mënyrë serioze i të ashtuquajturave Federatë Ballkanike dhe Shtabi Ushtarak Ballkanik, me pjesëmarrjen e komunistëve sllav, grek dhe shqiptarë, do të na çojë tek ideja e një shovinizmi krejt të hapur, qysh përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Sipas vetë memuareve të Tempos, përfaqësuesi jugosllav në këto takime, Beogradi në lidhje me vijueshmërinë e Shtabit Ndërballkanik, kërkonte pos të tjerave;
“Zhvillimin e luftës nacionalçlirimtare në Kosovë dhe Maqedoni.
-Krijimin e unitetit të aksionit ushtarak të të gjithë fuqive nacionalçlirimtare komuniste të vendeve ballkanike.
-Kërkon që të evidentohen përçarjet shoviniste mes popujve të Ballkanit, deri tek fitorja e plotë e demokracisë komuniste dhe krijimi i Konfederatës Ballkanike.
-Kërkon angazhimin e njësive shqiptare për ta ngritur në luftë popullin shqiptar të Kosovës dhe atë të përfshirë në Banovinën e Vardarit.
-Kërkon që shtabet supreme të shteteve ballkanike të deklarohen për pranimin e të drejtës së popullit maqedonas për vet-vendosje”
(Tempo, “Revolucija koja teçe”, libri III, Beograd, fq.85)
Pra, pavarësisht propagandës të rrejshme në Kosovë e vise të Maqedonisë shqiptare, Beogradi shoven, e kishte shumë të qartë të ardhmen e popujve që do të udhëhiqte, përmes butaforisë groteske të internacionalizmit proletar. Është e lehtë të kuptosh se pas togfjalëshit “përçarje shoviniste”, Beogradi shoven, nënkuptonte pikërisht luftën e drejtë të nacionalizmit shqiptar, për të jetuar i lirë në trojet e veta etnike. Ai e parashihte si shovinizëm, krijimin e një qeverie kombëtare në shtetin amë, siç parashihte po të tillë krijimin e Komisariatit të Lartë Civil, për Tokat e Lirueme, formacionet e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare në duart e udhëheqjes së Lidhjes së Dytë të Prizrenit, etj.
Njëherazi përfaqësuesit jugosllav, në takimin tri palësh në fjalë, kërkuan të firmoset vendosja e popullit sllavo-maqedonas, kur aty jo vetëm që mungonte përfaqësuesi i tyre, por në përgjithësi si komb as që njihej. Dhe paradoksi më i skajshëm, ishte e ashtuquajtura “demokraci komuniste”, çka nënkuptonte luftë vëllavrasëse midis shqiptarëve, për të vendosur Beogradi shoven, pushtetin e vet në Kosovë, përmes klikës komuniste të Fadil Hoxhës e Ali Shukriut, më pas kolonializimin e Maqedonisë shqiptare, duke duke shpallur si “komb”, një popullatë së cilës si emër i përshtatet emri i fëmijës së lindur pa babë, i hedhur në një garbiçe, por që në rritje do të shndërrohej në azhder. Nëse ky do të ishte vetëm qëndrimi i palës jugosllave, kjo do të ishte vetëm gjysma e të keqes.
Por në mënyrë krejt të turpshme dhe absurde, ky ishte edhe qëndrimi i klikës komuniste të shtetit amë në Tiranë,klikë e cila po forconte pozitat e saj, falë përkrahjes pa rezerva (në rrafshin ideologjik), të Beogradit e Moskës. Kështu, ndërsa Enver Hoxha dërgonte Haxhi Lleshin në “Banovinë të Vardarit”, midis të tjerave e porosiste që formacionet nacionalçlirimtare shqiptare, duhet demaskonin të gjithë ata që trumbetonin çështjen e Shqipërisë Etnike, pasi këtë do ta vendoste vetë populli pas luftës. Ndërsa komisari politik i Divizionit të Parë Sulmues, Hysni Kapo, me radiograme të veçantë, porosiste komunistët shqiptarë të luftonin me çdo mjet (nënkupto edhe me dhunë), shfaqjet e nacionalizmit në radhët e nacionalçlirimtarëve shqiptarë.
Dihet tanimë se në prag të kapitullimit të Bullgarisë, gjendja politike dhe ushtarake në vise të Maqedonisë shqiptare, do të pësonte përthyerje të tjera. Të gjendur përballë faktesh të tillë, çubrilloviqët nuk mund të rrinin në heshtje. Shtabi Suprem i Jugosllavisë, në mënyrë urgjente dërgoi në këto vise një aradhë të tërë kuadrosh politikë dhe ushtarakë, të cilët me përvojën e tyre, do të merrnin në duar qeverisjen vendore, pas largimit të trupave bullgare, si edhe do të përpiqeshin të zvogëlonin ndikimin e nacionalistëve në këtë trevë shqiptare.
Në të vërtetë, me rrënimin e plotë të monarkisë bullgare, shumë kriminelë lufte apo antishqiptarë të lindur e të tërbuar, që deri asaj kohe i patën shërbyer Bullgarisë, tashmë ngarendën të rreshtohen në radhët e “nacionalçlirimtarëve maqedonas”, pavarësisht se i njihnin mirë krimet e bëra nga ana e tyre, ata jo vetëm që u pranuan në radhët e komunistëve sllav në aradhat e tyre kriminele, por u dhanë edhe grada të larta në hierarkinë ushtarake, me ç’rast këta të fundit, do të ishin në radhët e para të terrorit ndaj popullsisë së pambrojtur, në viset etnike shqiptare të Maqedonisë.
Më 2 shtator 1944, shtabi Suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave, mori vendimin famëkeq për shndërrimin e Shtabit kryesor të Kosovës në Shtab Operativ dhe gati dy javë më pas, me një tjetër vendim arbitrar Shtabi Operativ në fjalë, u vu nën varësinë kryesore të Shtabit Kryesor të Serbisë. Menjëherë pas këtyre dy vendimeve, në vise të Maqedonisë shqiptare do të ngarendin mijëra e mijëra ushtarë të rregullt, të formacioneve ushtarake serbe, çetnikë e kriminelë gjithfarësh, vetëm e vetëm që të shpartalloheshin e asgjësoheshin plotësisht qëndresën e shqiptarëve, e cila po organizohej më së miri prej nacionalistëve, si në shtetin amë, ashtu edhe në Kosovë e, Maqedoninë shqiptare.
Në librin e tij “Organizimi ,përbërja dhe veprimi i aradhave partizane në vitet 1943-1944”, Aleksandër Spasovski, me një rrëfim urrejtës ndaj nacionalistëve shqiptarë, ai pranon krimin komunist sllav, kur thotë se në verën e vitit 1944, në Karadak të Shkupit e rrethina, vepronin njësitet çetnike të Drazha Mihajlloviqit, të komanduara nga Nikodin Urdareviq. “Gjatë shtator-tetorit, këto formacione luftarake kanë zhvilluar luftime të rrepta dhe të suksesshme, kundër forcave balliste”, sipas tij.
Kësisoj, për të ardhur tek masakra e kryer në natën e Bajramit më 16 nëntorin e vitit 1944. Por përse u gjet pikërisht ky fshat, për t’u kryer krejt ai terror fizik?! Kjo pyetje mund të sjell hamendje nga më të ndryshmet, por gjithsesi po të vrojtosh teatrin e veprimeve luftarake të asaj kohe, në vise të Maqedonisë shqiptare, lehtësisht bindesh se vepra në fjalë, ka qenë vazhdim i dhunës sistematike ndaj shqiptarëve për shkombëtarizimin e tyre, aneksimin e tokave shqiptare dhe mbi të gjitha këto krime, hapnin rrugë për ngritjen e një kombi të paqenë. Por natyrisht, këtë masakër mund ta ketë shpejtuar edhe sukseset që patën forcat nacionaliste të udhëhequra nga Mulla Idriz Gjilani, të cilat çuan në qindra të vrarë dhe të plagosur, numrin e aradhave partizane dhe atyre çetnike.
Madje i këtij mendimi rezulton të jetë edhe B. Gola, ish oficer në aradhat nacionalçlirimtare, i cili duke folur mbi shkaqet e masakrës së Bllacës, shkruan; “Aty muarëm vesh se luftëtarët e Mulla Idriz Gjilanit, Brigadën e 17 maqedonase, e kishin zmbrapsur në shenjë hakmarrjeje për krimet e kryera ndaj popullit të pafajshëm dhe se Brigada e 16 (ose siç i thoshin atëherë; brigada serbo-çetnike e Malit të Zi dhe Shkupit), ishte shpartalluar fare. Brigada e 16 maqedonase, ashtu e shpartalluar, mbërrin në një fshat shqiptar të Shkupit, në Bllacë dhe në shenjë hakmarrjeje, i shfaros pothuaj të gjithë meshkujt e fshatit, ndonëse ata nuk kishin lidhje me ngjarjet luftarake, që ishin përjetuar në Gjilan”. (Gazeta “Flaka e Vëllazërimit”, 27 shkurt 1997, Shkup).
Pra, ndonëse të shpartalluar, serbo-çetnikët dhe vëllezërit e tyre sllavo-maqedonas, ashtu sikundër ajo bisha në grahmat e fundit, që kërkon vetëm gjak, kanë mundur të hyjnë në Bllacë, me rreth 300-350 forca të armatosura mirë, aty kanë bërë thirrje që të gjithë meshkujt të mblidhen në shesh të fshatit, se do t’u komunikohej diçka. Tentativa e fshatarit të parë, që ka dashur të çajë rrethimin, ka përfunduar me pushkatimin në vend. Pas kësaj banorët e Bllacës, e kanë paraparë se ishte e pamundur të kundërshtoje. Pasi janë mbledhur të gjithë, janë lidhur me tela me gjemba apo rripa të pushkëve dhe kush ka kundërshtuar, është mbushur me gjak prej rrahjeve.
Tek vendi i quajtur Arat e Bardhëve, dikush ka pyetur një oficer sllavo-maqedonas, se ku po i çonin. Dëshmitarët okularë të ngjarjes tregojnë, se ai u qëllua menjëherë dhe ngase ishte lidhur me birin e vet, duke e qëlluar edhe atë për vdekje. Pas kësaj, secili prej fshatarëve të pambrojtur të Bllacës, e ka kuptuar kasaphanën që i priste. Njëri prej dëshmitarëve të ngjarjes, Haxhi Emin Bardhi, midis të tjerave rrëfen; “Nuk shkuam as 10-15 metra dhe përsëri i merrnin të lidhurit ushtarët e parë dhe aty, në një grop, i pushkatonin, kurse ne nga radhët e fundit në thonin:-Shikoni se si i pushkatojmë, edhe juve do t’ju vijë radha.
Edhe mua më erdhi radha. Më urdhëruan të ndalem dhe shtien drejt meje. Unë u ndera në tokë, dhe shihja se si plumbat më vinin përreth, po nuk më qëlluan. Është interesante, se nuk ndjeja kur farë frike nga vdekja. Frikën e vetme e përjetova kur pash se drejt meje, po vinte një ushtar. Më ra me shkelm, (unë u shtjeva si i vdekur) dhe u largua. Aty ikën, së pari në lumë, Nuhi Koka, Sadriu i Bislimit, Mustafë Zeka dhe Sali Kovaçi. Ashtu i shtrirë dëgjoja krismat e pushkëve afër Ujit të Thartë dhe e merrja me mend, se po vrisnin. Afër meje kishte qenë Fasli Amati, të cilit ia kishin vrarë babanë dhe vëllain.
Nuk mund ta këpusja litarin. U përgjaka shumë në duar. As brezin nuk e arrija dot. Sakaq dëgjova psherëtimë, ishte Fasli Amati. E kuptova se ishte gjallë. Atij ia kishin lënduar krahun. E luta ta kthej shpinën. Ashtu veproi. Unë zvarritshëm, hypa mbi të vdekurit pranë meje dhe ia zgjidha litarin Fsliut. Pastaj ai donte të më zgjidhë mua, por meqë dorën e djathtë e kishte të plagosur, kurrsesi me një dorë, ta zgjidhte nyjën. Mua mu kujtua se kisha një brisk (thikë të vogël) në xhep. Fasliu atë e kapi me dhëmbë dhe ma këputi brezin. Pasi u lirova, Rasimin e sapo vdekur e bëmë xhenaze dhe ikëm në mal” (F. Curri “Fati ynë në peshojë”, Shkup 1994, faqe 32-33).
E shoh të udhës të sjell në këto shënime, emrat e një pjese të konsiderueshme të fshatarëve të pafajshëm të Bllacës, të cilët u martirizuan nga dora gjakatare të komunisto-çetnikëve sllavo-maqedonas. Janë disa burime ku mund të gjenden këto emra, por gjithsesi, historiografia e jonë pajtohet në idenë, se për arsye të viteve që kanë kaluar, varrit kolektiv apo mungesave të theksuara të regjistrimeve në këto zona, kjo listë assesi nuk mund të jetë e plotë. Sidoqoftë ato martirë që dihen, janë;
1-Qamil Jakupi 32-Sami jahiu 63-Sabedin Sinani 94-Avdil Bardhi
2-Shabi Jakupi 33-Mustafë Aliu 64-Jonuz Beqiri 95-Zelfi Bardhi
3-Haki Jmishi 34-Mirtezan Mynishi 65-Rushit Qahili 96-Rustem Bardhi
4-Tahir Jmishi 35-Ziber Sefa 66-Jahi Qahili 97-Mustafë Bardhi
5-Eshref Jmishi 36- Xhevid Osmani 67-Mehmet Toçi 98-Zajdin Bardhi
6-Sinan Luçi 37-Behar Sula 68-Rrahman Ahmeti 99-Hebib Bardhi
7-Daut Luçi 38-Lush Elmazi 69-Osman Ahmeti 100-Kurtish Bardhi
8-Hamid Luçi 39-Brahim Rahmani 70-Naip Ahmeti 101-Idriz Ferra
9-Sherif Luçi 40-Rrahman Kovaçi 71-Beran Ajeti 102-Xhevit Ferra
10-Tanush Metushi 41-Miftar Kovaçi 72-Hazis Shima 103-Brahim Ferra
11-Halim Metushi 42-Hamdi Hasani 73-Rushan Isufi 104-Milaim Ferra
12-Mustafë Shehu 43-Qazim Hasani 74-Azem Bislimi 105-Hasan Ferra
13-Mihal Domi 44-Muharrem Berani 75-Ismail hasani 106-Qamil Ferra
14-Sejfulla Shehu 45-Shaban Sinani 76-Islam Saliu 107-Rushit Ferra
15-Ali Shehu 46-Hamdi Sinani 77-Sabit Saliu 108-Shukri Ferra
16-Ali Tahiri 47-Nebi Brahimi 78-Rushit Nuredini 109-Daut Ferra
17-Beram Kurtishi 48-Rifat jahiu 79-Xhelil Nuredini 110-Nuhi Ferra
18-Hazis Sefa 49-Alush jahiu 80-Vehbi Ismaili 111- Riza Doçi
19-Halit Sefa 50-Jonuz Hasani 81-Sinan Haliti 112- Hazis Doçi
20-Ramadan Ibrahimi 51-Rasim Hasani 82-Kasam Haliti 113-Islam Doçi
21-Betush Ismaili 52-Naip Mysliu 83-Memish Amati 114-Muharrem Doçi
22-Hamil Hasani 53-Jehi Ferati 84-Halil Amati 115-Shaqip Doçi
23-Ismail Veliu 54-Shukri Beqiri 85-Arif Amati 116-Emin Doçi
24-Mehmet Veliu 55-Sabedin Ramadani 86-Rasim Amati 117-Xhemal Doçi
25-Refat Brahimi 56-Latif Ramadani 87-Ibish Amati 118-Nebi Doçi
26-Abedin Bafti 57-Fariz Saliu 88-Metush Amati 119-Avdi Doçi
27-Raif Elmazi 58-Bektash Rustemi 89-Hashim Amati 120 deri më 127 ??
28-Halim Avdyli 59-Nezir Miftari 90-Zylbejar Amati
29-Junuz Elmazi 60-Beram ramizi 91-Fasli Bardhi
30-Metush Islami 61-Zenun Fetahi 92-Sahit Bardhi
31-Xhemal Sula 62-Asllan Fetahi 93-Ali Bardhi ………………………
Masakra e Bllacës, assesi nuk mund të shihet e shkëputur nga maskara të tjera shnjerzore të kryera prej sllavo-maqedonasve në vise të Maqedonisë shqiptare. Në të vërtetë, ajo filloi në nëntorin e vitit 1944, për të vijuar më pas dekada të tëra. Propaganda komuniste serbo-sllavo-maqedonase, e pse jo dhe ajo e komunistëve shqiptarë, u përpoq të mbante në errësirë këtë masakër, duke shkruar në shtypin e vet për “disa të vrarë në Bllacë, pjesëtarë të ‘Ballit Kombëtar’ dhe bashkëpunëtorë të armikut”. Në të vërtetë, lista e emrave, ku nuk mungojnë moshat pothuaj fëmijërore, rrëfen për të kundërtën e asaj që rreket të shpjegojë historiografia sllavo-komuniste.
Menjëherë sapo u vendos pushteti komunist sllavo-maqedonas në janarin e vitit 1945, në Bllacë u dogjën dhjetëra shtëpi, u mbyllën shkollat në gjuhën shqipe dhe kush prej fshatarëve të mbetur, kërkonin të flisnin mbi tragjedinë e Ujit të Thartë, ai burgosej dhe torturohej mizorisht në kaza-matet e Idrizovës e, deri në Goli Otokun e largët. Eshtrat e martirëve të Bllacës, tashmë do të ngritën në lapidar martirësh, ata tashmë i nderon kombi i nderon dhe Zoti, megjithatë ende sot, thërrasin për shpagë. Krimet sllavo-maqedonase, ndonëse jo në këto dimensione, por ende sot, shfaqen të rrezikshëm në viset etnike të shqiptarëve, në Fyromin e sodit. Memorie.al
Bern-Zvicër
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016