Nga Sheradin BERISHA
Pjesa e parë
– Ndjekjet, burgosjet dhe persekutimi i shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, nga regjimi i Titos, në vitet 1948–1968! –
Memorie.al / Në qershor të vitit 1948, pas acarimit të raporteve politike në mes të Beogradit dhe Moskës, Partia Komuniste e Jugosllavisë, u përjashtua nga organizata e partive të shteteve komuniste ”Informbyro” dhe me këtë rast prishen marrëdhëniet e BRSS-së (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) dhe aleatëve të saj, me Jugosllavinë e AVNOJ-it. Në këtë situate, Shqipëria mbajti anën e organizatës: Informbyro, dhe mbetja e saj në pozitat pro-sovjetike, bëri që t´i prish marrëdhëniet e “mira”, që kishte me Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë, që nga viti 1945.
Ndonëse gjatë periudhës 1945-1948, pozita e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera etnike ishte e keqe, prishja e marrëdhënieve Jugosllavi-Shqipëri, vetëm sa e ka nxitur edhe më shumë përkeqësimin e pozitës së tyre. Regjimi jugosllav, i drejtuar nga binomi Tito – Rankoviq, duke e shfrytëzuar këtë situatë, riaktualizoi projektet antishqiptare të Vasa Çubrilloviçit (të marsit 1937 dhe fillim nëntorit 1944), për asgjësimin, asimilimin apo shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.
Kjo politikë antishqiptare shtetërore që kishte nisur akoma pa përfunduar mirë lufta e dytë botërore (1944), në këtë periudhë mori përmasa të reja gjenocidale. Vetëm në vitin 1948 regjimi komunist, arrestoi dhe nxori përpara gjyqit 306 shqiptarë, të akuzuar për vepra penale kundër shtetit. Pasi që Shqipëria u përcaktua për “Informbyronë”, regjimi i Tito-Rankoviqit, të gjitha kuadrot shqiptare në Kosovë, që konsideroheshin si armiq të Jugosllavisë, i cilësonte si “informbyroistë”. OZNA-a / UDB-a famëkeqe, përmes bashkëpunëtorëve të saj shqipfolës, me kohë kishte krijuar një dosje të veçantë, duke i vënë në syrin e përgjimit rreth 120.000 shqiptarë.
Një dosje të tillë UDB-ja kishte hapur edhe për Xheladin Shyqyri Hanën, luftëtarin e orëve të para kundër nazifashizmit, ish-anëtarin e KNÇK-së, njëri nga bashkautorët e hartimit të dokumenteve bazë të Konferencës së Bujanit dhe së fundi drejtor i gazetës “Rilindja”. Atdhetari Xheladin Hana, u arrestua në mënyrë sekrete, kinse po dërgohej me shërbim diku, ndërsa brenda mureve të OZN-së/UDB-së, i bëhej presion që të tradhtonte bashkëveprimtarët e tij të idealit.
Mirëpo Xheladini nuk u gjunjëzua për asnjë moment para presioneve dhe torturave çnjerëzore të kriminelëve udbash. Meqë Xheladini i qëndroi torturave mizore, xhelatët e Tito-Rankoviqit, më 15.12.1948, ia shuan jetën mizorisht. Më 15 prill 1949, arrestohet nënkryetari i qeverisë së Maqedonisë, Nexhat Agolli nga Dibra e Madhe dhe pas dy javësh (saktësisht në natën e 27-28 prillit 1949) mbytet nga torturat mizore të UDB-ës.
Ndërsa përndjekja dhe numri i të persekutuarve shqiptarë shtohej pamëshirshëm gjithandej viseve etnike shqiptare, të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, në maj 1949 në një ekspeditë ushtarake-policore të drejtuar nga udbashët: Çedo Topalloviç dhe Çedo Mijoviç, synohej arrestimi i Kryetarit të Frontit Popullor krahinor: Rifat Latif Berisha, nga fshati Berishë, i njohur për urtësi e qëndresë kombëtare, por në atë moment nuk arritën ta kapin dot Rifatin.
(Rifati ishte njëri nga organizatorët e Konferencës së Bujanit, në të cilën u zgjodh edhe nënkryetar. Nuk u pajtua kurrë me tradhtinë që iu bë vendimeve të Konferencës së Bujanit – që pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova t´i bashkohet Shqipërisë. Për këtë edhe Rifati u vu në shënjestër të OZN-ës/UDB-së.).
Rifat Berisha meqë nuk pranoi t´i binte në dorë regjimit gjakatar të Titos, zgjodhi qëndresën deri në vdekje. Në këtë situate, Rifatit iu bashkuan edhe bashkëluftëtarë të tjerë.
Njësiti përbëhej prej gjashtë vetash, krejtësisht nga djemtë të familjes Berisha: vëllezërit Rifat, Mustafë e Islam Berisha, Brahim Berisha i biri i Islamit dhe Halit e Jahir Berisha, kushërinj të parë të tyre. Ky njësitë i prirë nga Rifati, më 17 maj 1949, u gjend i rrethuar tradhtisht në fshatin Gajrak nga i zoti i shtëpisë, Ismail Gajraku (ku ishte i strehuar).
Në një dokument thuhet se; Rifat Berisha me bashkëluftëtarët e tij “luftoi një ditë të tërë. Në orën 10 të natës, Rifati me njësitin e tij sulmuan rrethimin e trefishtë të udbashëve, por mbasi çanë dy rrethimet e parat, ra i vrarë”! Rifat Berisha gjatë kësaj beteje të përgjakshme, u vra së bashku me tre bashkëluftëtarët: Islam, Mustafë e Brahim Berishën, ndërsa Halit e Jahir Berisha, ndonëse të përgjakur, arritën të dalin nga rrethimi dhe i shpëtuan vdekjes.
Në dimrin e acartë të vitit 1950 në zonën kufitare me Shqipërinë, vritet atdhetari Sabaudin Gjura nga Shipkovica e Tetovës. Një fat të tillë e pësoi edhe Isuf Torozi nga Dibra e Madhe, anëtar i Komitetit të Partisë në Dibër. Torozi u arrestua nga organet e UDB-së në vitin 1949, si njeri me pikëpamje nacionaliste, dhe e pamëshirshëm udbashët e Titos e mbytën mizorisht në tortura. Në mars të vitit 1949 ishte arrestuar dhe më pas është zhdukur pa gjurmë, Cenë Shyqriu nga Gjakova.
Në vitet e para pas përfundimi të Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare, nën pushtimin e Jugosllavisë, llogaritet se regjimi titist, ka likuiduar rreth 49.000 shqiptarë. Në Kosovë janë likuiduar në forma të ndryshme, 28.400 shqiptarë; në viset shqiptare në Maqedoni, 7.000 shqiptarë; në viset shqiptare në Mal të Zi, 8.300 shqiptarë; ndërsa 5.000 shqiptarë të tjerë. janë likuiduar nëpër viset tjera, si të marrë peng nga OZN-a, gjegjësisht UDB-a.
Në këto rrethana për t´i shpëtuar përndjekjeve, burgosjeve dhe likuidimeve fizike, shumë shqiptarë janë detyruar të shpërngulen nga trojet e tyre stërgjyshore. Dihet mirëfilli se, vitet 1949-1966, të cilësuar si; ”koha e Rankoviqit”, ishin vitet më të rënda për popullin shqiptar, në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë kësaj periudhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare, ishte e organizuar në shumë forma, si: vazhdimësia e veprimtarisë së LNDSH-së (“Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare”) nga grupe të ndryshme me emërtime tjera, “informbyroistët”, organizimi i grupimeve nga Sigurimi Shtetit shqiptarë, kundërshtimi i rekuizitave “otkupit“, kundërshtimi i asimilimit të shqiptarëve në turq dhe luftimi i marrëveshjes xhentëlmene “Tito – Qyprilli 1953”, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, luftimi në forma të ndryshme i kolektivizimit, etj.
OZN-a, përkatësisht UDB-a, gjatë viteve 1945-1948, zhvilloi një luftë të pa kompromis, për shkatërrimin e organizatës patriotike shqiptare “Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare” (LNDSH) dhe të grupimeve tjera ilegale shqiptare. Dhe në vazhdën e kësaj fushate, ky shërbim persekutoi dhe burgosi mijëra shqiptarë edhe pas vitit 1948.
– Kështu, në fillim të vitit 1949, në gjyqin e Qarkut në Prishtinë, dënohen 9 anëtarë të LNDSH-s, si: Xhavit Gafurri (djali i patriotit të shquar Nazmi Gafurri), Ahmet Malisheva, Rexhep Kurteshi, Menduh Maksuti, Enver Shala, Mehmet Pozharani, Safie Feta, Igballe Cuni dhe Karolin Fraki.
– Po në këtë Gjykatë, dënohet edhe grupi i Drenicës, i përbërë nga 6 anëtarë të Lëvizjes, si: Hasan Jashari-Likoci, Mehë Zeqiri, Dan Zeqiri, Qerim Rrypi, Halim Rrypi dhe Sylë Berisha.
– Gjatë vitit 1950, u dënuan edhe disa grupe të LNDSH-së dhe veprimtarë tjerë, që e kundërshtonin aksionin e rekuizimeve “Otkupit” dhe veprimet diskriminuese ndaj shqiptarëve, në çdo lëmij të jetës.
– Më 3 nëntor 1950, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nga Kolegji i Tupit gjykues: Arif Korapi, kryetar i kolegjit dhe nga gjyqtarët porotë: Ali Abdullahu dhe Ismail Xhemaili, si dhe të proces-mbajtësit Abdyl Doda, pas disa seancave gjyqësore (më 19.IX.1950, 10.X.1950, 1.XI.1950 dhe 2.XI.1950) në “emër të popullit”, dënohen anëtarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”: Konstandin Vasilaca – Skënder Skënderi, oficer i armatës shqiptare, me 15 vjet burg të rëndë; Xhemë Latë Sadriu, me 8 vjet burg të rëndë; Hajrullah Gorani, me 6 vjet burg të rëndë; Hamdi Devolli, me 8 vjet burg të rëndë; Rashit Gorani, me 8 vjet burg të rëndë; Ramë Geca, me 3 vjet burg të rëndë ; Ymer Fazliu, me 2 vjet burg të rëndë.
– Në shkurt 1950, u burgos grupi i LNDSH-ës “Lidhja e Prizrenit” i formuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1949. Ky proces gjyqësor, mbahet në Prishtinë nën kryesimin e gjyqtarit Shukri Begiq, nga Pazari i Ri. Me këtë rast, dënohem: Shaban Derguti dhe Mustafë Nixha, me nga 20 vjet burg të rëndë, Shaban Mazreku dhe Hafez Jakupi, po ashtu me nga 20 vjet burg të rëndë, Bitër Dehalla, Tomë Mjeda dhe Zekë Bajraktari, me nga 17 vjet burg të rëndë, Nezir Hoti, me 15 vjet burg të rëndë dhe Ismet Dehiri, me 3 vjet burg të rëndë.
– Në grupin e dytë të LNDSH-së “Lidhja e Prizrenit” dënohen: Arif Hoxha, me 12 vjet burg të rëndë, ndërsa me nga 3 vjet burg të rëndë, dënohen: Zeki Ahmeti, Isuf Dellova, Islam Fisheri, Zenel Kabashi, Gjokë Spaqi, Ibrahim Gashi, Ramiz Rexhepi dhe Shahide Kabashi, Shemsedin Gashi, Rexhep Hoti, Malush Duraku, Halim Voci, Bajram Dehiri, Mustafë Derguti, Maliq Gashi e, shumë të tjerë.
– Në 6 muajt e parë të vitit 1950, për sabotim të mbledhjes së rekuizitave “Otkupit” dhe me akuzën si bashkëpunëtorë të Sigurimit Shtetit shqiptar, në Prishtinë dhe Prizren, dënohen: Rizan Bajram Xhoxhaj, nga Vërmica e Prizrenit, Sefer Tafil Elezkurtaj dhe Ibish Avdi Rizanaj, nga fshati Zhur, Xhafer Selmani (Vërmicë), Hajdar Bytyqi (Piranë), Nazif Hoti (Krushë e Madhe – i ati i Mr. Ukshin Hotit), Hamit Nuredini, Sali Mehmeti, Haki Malushi, Xheladin Gashi, Vesel Gashi, Avdyl Kryeziu, Ali Kryeziu, Zenun Kryeziu, Mahmut Abazi, Isa Dina, Qamil Qollaku, Xhafer Idrizi, Adil Afezi, Enver Beluli, Gani, Avni e Naim Zajmi, Muhedin Hadri, Halit Çollaku, Bije Vokshi, Lutfi Spahiu dhe Arif Randobrava.
– Po atë vit në Prishtinë, burgoset dhe dënohet grupi i dytë i Drenicës, i përbërë prej 11 anëtarësh të LNDSH, si: Ibrahim Tahiri, Hysen Hyseni, Sylë Mulliqi, Osman Beqiri me nga 10 vjet burg të rëndë, Smajl Ferizi dhe Milazim Hyseni, me nga 7 vjet burg të rëndë, Hajredin Sadiku, Nebi Nuredini dhe Fetah Bogiqi, me nga 5 vjet burg të rëndë, Rashid Obria dhe Hamit Hoda, me 15 vjet burg të rëndë (ky i fundit në burg, u zbulua se ishte në shërbim të UDB-së dhe u bojkotua plotësisht nga anëtarët e LNDSH-ës).
– Asokohe u dënua edhe Hasan Rema nga Gjakova, me 17 vjet burg të rëndë (z. Rema kishte qëndruar 3 vjet i arratisur në Shqipëri dhe pastaj Sigurimi i Shtetit Shqiptar, e kapi dhe ia dorëzoi UDB-së në Kosovë!!) – Në vitin 1950, në Gjyqin e Qarkut në Pejë, dënohet edhe grupi prej 9 vetash, i LNDSH-s: Sylë Mehmeti i Rugovës, Sali Kelmendi i Ruhotit, Ali Fetahu i Veriqit, Bekë Tafili i Ruhotit, Ramë Bislimi i Nabërxhanit, Gani Kastrati i Pejës, Salih Hasani dhe Sylë Shala nga Peja, Fatmir Goranci i Gjakovës dhe Ramë Isufi i Lubeniqit…! Këtë vit u dënuan edhe: Sami Peja, Ibrahim Berisha, Musa Gjuka, Faik Basha, Qazim e Enver Berisha e, shumë të tjerë.
Në vitin 1951, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, u dënuan 11 anëtarë të LNDSH-s nga Mitrovica (të arrestuar në shtator 1950). Ky grup, përbëhej nga: Bejtulla Sahiti, nga Gushefci, Hajrullah Halili, nga Doberlluka, Sinan Alija, nga Broboniqi, Imer Ajeti, nga Koshtova, Avdyl Haliti, nga Rahova, Shefqet Kamberi, nga Broboniqi, Zejnullah Mehmeti, nga fshati Lip, Zejnel Shabani, nga Mikushnica, Hajzer Ferizi, nga Qabra, Zeqir Rashidi-Rashica, nga fshati Studime dhe Bislim Fazliu, nga Vidishiqi.
– Gjatë vitit 1952, në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, dënohet grupi i tretë i LNDSH-s nga Drenica, si: Qazim Zogu, Hamdi Gruda, Bajram Dervishi, Abdullah Cakiqi, Isuf Cakiqi, Jakup Biçinca, Smajl Hoxha, Shaqir Hoxha, Idriz Obrija dhe Milazim Gradica.
– Në vitet 1949-1953, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, u dënuan më qindra vite burgim, edhe shumë veprimtarë të tjerë (në grupe dhe veç e veç) si: Ramiz Osmani, Shefki Osmani, Nuhi dhe Musli Osmani, Zylfi Musliu, pastaj Hamdi Gashi, Ramadan Rexha, Raif Halimi-Cërnica, Xhemil Fluku, Mark Gashi, Ramë Sejdia, Rexhep Dajkoci, Bajram Alija, Rexhep Presheva, Ali Aliu – Presheva, Adem Elshani, Fazli Bega, Kadri Halimi (etnolog), Qamil Luzha, Rexhep Balidemaj (ushtarak nga Martinaj i Gusisë), Mulla Zekë Berdynaj, Omer Qerkezi, Rexhep Rifati, Brahim Gashi, Haxhi Sylejmani, Bajram Zuka, Xhemë Lah Gashi… e qindra të tjerë dhe për ndriquar veprimtarinë e tyre kombëtare kërkohet një studim i veçantë.
– Po në vitin 1953, burgoset dhe (sipas akt-akuzës K.nr 76/53), dënohet grupi i anëtarëve të LNDSH-së, nga Llapi: Sabit Kapiti-profesor i Gjimnazit në Besianë (ish-Podujevë), Ibrahim Demolli, Xhafer Meta, Nexhmi Sejdiu, Fetah Babatinca, Jusuf Humolli, Shaban Zhjeqi, Shaban Shala, Nuhi Gashi dhe Isuf Ismaili. Atdhetari Shaban Shala, mbytet nga torturat e UDB-së.
– Gjatë Aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve (1955-1956), në Prizren u organizua një proces gjyqësor, kundër Njazi Malokut, etj. Në fakt, “Procesit të Prizrenit” i parapriu një proces tjetër politik (korrik 1955), i ashtuquajtur “Grupi i shehlerëve”, prej 14 vetash, të cilët qenë akuzuar për lidhje me Komitetin Shqiptar në Romë dhe për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit shqiptarë. Në këtë proces qenë përfshirë: Sheh Myhedini, Sheh Rama, Sheh Hasani (i cili në rrethana enigmatike vdes), Qazim Gojani, Hysen Prushi, Din Zhubi, Bekë Haxhija, Hajredin Vuçiterna, Muhedin Miftari, Dërgut Ekremi, Sinan Dërguti, Qazim Miftari, etj.
Në procesin e Prizrenit, në saje të akt-akuzës së përpiluar nga prokurori Publik, Radoslav Cerovçanin, të mbështetur tërësisht në montimin e “fakteve” nga UDB-ja, më 12-19 korrik 1956 (në fshehtësi nga opinioni), u mbajt procesi gjyqësor në Gjykatën e Qarkut në Prizren, dhe me këtë rast, u dënuan: Njazi Maloku, me 12 vjet burg të rëndë; Sedat Dida, u dënua me 5 vjet burg të rëndë; Shani Hoxha, me 4 vjet burg të rëndë; Demush Cahani, me 5 vjet burg të rëndë; Ibrahim Moni, me 3 vjet burg të rëndë; Rexhep Muhadri, me 2 vjet burg të rëndë; Hasan Bajrami, me 2 vjet burg të rëndë; Muhamet Emini, me nga 2 vjet burg të rëndë dhe Sali Mehmeti (Meta), me 9 muaj burg të rëndë.
– Për aktivitete patriotike, kundër regjimit titist, në vitin 1955 në Tetovë, dënohet mësuesi Mehmet Gega, Muharrem Jusufi dhe Abdulla Kalishta, me nga 10 vjet burg të rëndë. Në vitin 1956, me burgime të rënda dënohen disa intelektualë tjerë nga Tetova dhe Gostivari.
– Më 1957, dënohen edhe 8 anëtarë të LNDSH-së në Prishtinë: Rexhep Latif Abdullahu, Qemal Novokazi, Shemsi Perani, Rexhep Parteshi, Ibrahim Galimuna, Islam Mumxhiu, Vehbi Ruva dhe Kadër Deva. Të gjithë këta, dënohen me burg në kohëzgjatje prej 2-12 vjet burg të rëndë, me përjashtim të Islam Mumxhiut, i cili lirohet.
– Po këtë vit, burgoset dhe dënohet grupi i dytë 9 anëtarësh, nga Prishtina: Nusret Novokazi, Rashid Krasniqi, Osman Krasniqi, Emina Krasniqi, Nikë Kajtazi, Ibrahim Binaku, Fehmi Henci, Neki Shehu dhe Mazllum Novokazi.
– Në vazhdën e ndjekjeve të atdhetarëve të LNDSH-së, në Shkup burgoset dhe dënohet grupi 14 anëtarësh nga Tetova, Gostivari, Dibra e Ohri: Raif Malaziu, Sherafedin Agai, Adnan Agai, Abaz Dukagjini, Burhan Pasholli, Abdurrahman Taravari, Remzi Pustina, Eshref Hoxha, Naxhi Purde, Abdylaziz Taravari, Mevaip Purde, Rifat Palloshi, Hadi Imami dhe Zeqir Lisi.
Në vitin 1957, pas aksionit të armëve, kur u intensifikua numri i të shpërngulurve shqiptarë, Metush Krasniqi, si udhëheqës i organizatës “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, së bashku me veprimtarët tjerë të kësaj organizate, përmes veprimeve konkrete, shpërndarjes së trakteve dhe bisedave të drejtpërdrejta me qindra familje shqiptare, arritën të ndalojnë shpërnguljen nga trojet e tyre stërgjyshore.
Në fund të vitit 1958, UDB-ja i bjen në gjurmë aktivitetit të kësaj organizate dhe me këtë rast, arrestohet Metush Krasniqi me disa bashkëveprimtarë të vetë. Pas katër muaj hetimesh, prej 1-7 mars 1959, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, u mbajt gjykimi i 6 anëtarëve të “Partisë Revolucionare…”! Trupin gjykues e përbënin: Ratomir Patërnogiq-kryetar, Mustafa Hoxha-gjykatës, Vehbi Mehmeti, Sejfë Sherifi e Tuna Tomiqi – anëtarë, ndërsa aktakuzën e përfaqësonte, Tahir Ibrani – prokuror i Gjyqit të Qarkut në Gjilan.
Në bazë të “provave” të nxjerra gjatë hetuesisë dhe akuzave të prokurorit, Tahir Ibrani, më 7 mars 1959, trupi gjykues i të pestëve, në “emër të popullit”, dënoi: Metush Krasniqin, me 18 vet burg të rëndë; Mark Gashin e Sejdi Kryeziun, me nga 10 vjet burgim të rëndë; Mehmet Nuredin Dermakun, me 2 vjet burg të rëndë; Qemajl Kallabën e Mehmet Ajetin, me nga një vit e gjysmë burg të rëndë. (Akt-gjykimi K. nr. 19/59, 7 mars 1959). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm