Nga Pjeter Logoreci
Memorie.al / Po afrohet, ndër ditët në vijim, pesë vjetori i vdekjes së Dom Simon Jubanit, burrit të lavdishëm që me lëvizjet e veta bëri histori, e që ka mbetur i pashlyer në kujtesën e çdo shqiptarit. Mbasi e njihja nga afër dhe na lidhte miqësia, e ndjej si detyrim shpirtëror e qytetar, që me këtë shkrim ta përkujtoj këtë gjigant të lirisë, demokracisë e, të besimit në Zotin. Sa herë që vizitoja qytetin tim të lindjes, gjatë daljeve të mija në qytet, duke kaluar para katedrales, kontaktin e parë me njerëzit me rastiste që ta kisha me Dom Simonin, i cili sapo hapeshin dyert e katedrales, ndodhej aty për t’i shërbyer besimtareve të shumtë, që vinin posaçërisht për te.
Mund të them që, vitet e fundit ai ishte i pakënaqur, i zhgënjyer dhe i vrarë shpirtërisht, jo nga vuajtjet e burgut apo, nga shtrembërimet që vërente në ndërtimin e demokracisë së brishtë në vend, por nga kolegët dhe drejtuesit e kishës në Shkodër.
Në ato kohë, shtëpia e tribunit të lirisë e të besimit, Dom Simon Jubanit, ishte bërë një vend i rëndësishëm për shumë besimtarë, që vinin nga të katër anët e vendit, edhe nga besimet e tjera, për të biseduar e marrë bekimin e dishepullit të atdheut e të fesë.
Siç duket, popullariteti i Dom Simon Jubanit, brenda dhe jashtë vendit, takimi i tij (si i pari klerik shqiptar), me Papën në Vatikan, por edhe qëndrimi i tij kritik ndaj paaftësisë dhe mosnjohjes së problemeve tona (shqiptare), nga drejtues joshqiptarë të klerit, i verboj këto të fundit, të cilët “gjetën shkelje”, për të “marrë masa”, ndaj heroit të kombit, të demokracisë e të Kishës.
Shpirti dhe sedra e Dom Simonit, që nuk arritën t’i thyenin 26 vite të vështira burgu nën diktaturën më të egër të globit, u goditën nga padrejtësia e vendimit të pamerituar, nga drejtuesit e Argjipeshkvisë së Shkodrës, …për t’i hequr atij të drejtën e ushtrimit të disa shërbimeve fetare…., goditje që la një plagë të thellë e të pashërueshme tek ai.
Atij që në strofullën e bishave kriminale të diktaturës, në burgun famëkeq të Burrelit, kremtonte meshën shenjtë, për të gjithë të burgosurit, pa dallim feje, ju mohua e drejta që të shërbente në altarin e kishës.
Edhe pse i gjymtuar nga makinacionet e “eprorëve”, popullariteti i tij ndër njerëzit e thjeshtë, u rrit pa masë, mbasi çdokush ishte i bindur, në personalitetin dhe karakterin e tij të drejtë. Drejtësia mund të vonojë por jo të humbasë.
Kush ishte Dom Simon Jubani?
…Linda në Shkodër me 5 mars 1927. Prindit e mi, Zefi dhe Çilja, i falën kishës dhe atdheut një martir intelektual, Dom Lazer Jubanin, helmuar me arsenik nga policia sekrete komuniste me 1982…. – shkruan ai, në librin e tij autobiografik; “BURGJET E MIA”….., si dhe Simonin e Kinin.
Dom Simoni, filloren e bëri në shkollën françeskane si dhe (pas mbylljes së saj), në gjimnazin e shtetit në Shkodër. Mbasi mbaron në Tiranë, kursin për radiologji, fillon të punojë si radiolog, në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit. Në kohën e konfliktit me Greqinë, ai mobilizohet ushtar dhe dërgohet në front.
Pas tre vitesh shërbimi ushtark, kthehet në Shkodër dhe fillon të punojë në Sanatoriumin e qytetit, si radiolog, ndërsa , ….siç shprehet ai:…”Për ta mbajt trupin në formë, fillova sportin, që më pëlqente aq shumë: atletikën e lehtë e, më pas edhe futbollin. Më pranuen menjëherë si anëtar i ekipit të ‘Vllaznisë’ e, ma vonë, edhe të ekipit kombëtar të futbollit….”!
Për kënaqësinë e tij, në vitet 1957 (si xhakon) e 1958 (si prift), merr urdhrat e meshtarisë dhe dërgohet në Mirditë si famullitar, me qëllim të rindërtojë besimin dhe kishat e shkatërrueme nga dhuna komuniste.
“…Por çka më pëlqente mue, …shkruen ai, -….nuk i pëlqente komunistave, të cilët më vunë prangat e, më banë me u nisë për një rrugë të gjatë e të mundimshme (drejt burgut të Burrelit), ku u mbylla për 26 vjet me radhë, tue lanë kudo gjurmë gjaku…!
Në Burrel kam krye ‘Universitetin e Burgut Komunist’. Mësova me shkrue e me fol latinisht, greqisht, italisht, frëngjisht, anglisht, që ma vonë më shërbyen me i ba miq Shqipnisë, në tanë rruzullin tokësor, tue i tregue se çka ka ndodhë në vendin tem, tue fitue kshtu epitetin ‘Profeti’”….!
Për sa i përket jetës së tij, vuajtjeve në burg, ai shprehet: “Nëse ndonjë piktori do t’i tekej me pikturue simbolikisht jetën teme, do t’i duhej me ble nji kalë bojë të zezë…”!
Ai u lirua nga burgu në sajë të “Perestrojkës” dhe zhvillimeve politike në botë, me 13 prill 1989, së bashku me shumë klerikë të tjerë, duke i mbetur “borxh” Komitetit Qendror të PPSh-së dhe regjimit komunist, plot 14 vite burgu.
Të gjitha ato që e kanë njohur Dom Simonin, e dijnë që dita më e zezë e jetës së tij, nuk ishte dita e arrestimit, por dita e vdekjes së nënës, e cila përjetoj për së gjalli vdekjen e të birit, Dom Lazër Jubanit, (të helmuem nga Sigurimi) dhe zinxhirët e robërisë së djalit të vogël Simonit.
Me kthimin e tij në liri, ai nis përpjekjet dhe bën një aktivitet të dendur, për të rifilluar ushtrimin e lirë të fesë. Si rezultat i këmbënguljes dhe kurajos së tij qytetare, arrin që me 4 nandor 1990, të kremtojë Meshën e Parë publike, në varrezat e Rrmajit të qytetit të Shkodrës, në praninë e 200–300 besimtareve.
Kjo meshë, u pasua nga ajo e 11 nandorit, ku edhe pse nën represionin e terrorin e egër që ushtroj Sigurimi dhe policia e regjimit komunist, morën pjesë të gjithë qytetarët e Shkodrës, pavarësisht nga besimi.
Kush nuk e kujton këtë ditë të shënuar për lirinë e besimit dhe të fjalës, ku Dom Simoni, edhe pse belbëzonte fizikisht, mbajti një fjalim të mirëpregatitur programatik, që do të thyente heshtjen 23 vjeçare.
Për kontribut të çmueshme mbarëkombëtar, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni, në vitin 1991, i akordon titullin dhe diplomën “Doktor Honoris Causa”, në shkencat humane, me motivacionin: “PROTAGONIST I NJË EPOKE SE RE NE SHQIPËRI…”!
Më vonë, në vitin 1996-të, shteti i Miciganit, e nderoj me një diplomë të posaçme, me motivacionin: “NISMËTAR I LIRISË SE FJALËS DHE SHTYPIT…”!
Siç shkruan ai në shënimet e tija: “Jam i pari shqiptar, që pas Perestrojkes, së bashku me shumë personalitete të tjera botnore (senatorë, kongresmenë, ministra, Andreottin, Mbretin e Belgjikës), jam thirr në audience, nga Papa Gjon Pali i Dytë, në Vatikan.
Jam i pari klerik pa kurrfarë grade, që ftohet dy herë nga administrata amerikane, në Uashington, një herë nga parlamenti rus, një herë nga Spanja, Izraeli, Egjipti, Turqia, shumë herë nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania, ndërsa kam refuzue me vizitue Kinën, Taivanin, Meksikën, Argjentinën…”!
Gjatë punës së tij baritore, ai krijoj famullinë katolike të Spitenit, Kaftallit, si dhe qendrën (fetare, kulturore, shëndetësore, sportive) të Kalivaçit…!
“Për me ruejte pamvarsine e mendimit, nuk kam pranue grada – tregon ai – …nuk pranova kurrë, që prej altarit të kishës, të bajshe politike, që t’i bajsha thirrje popullit, të votonte për partinë në pushtet…! Unë baj pjesë në partinë e të vorfënve, të masakruemve, të viktimave të së djeshmes e të së sotmes…”! Memorie.al