Nga Dr. Gjelosh Nikolla
Memorie.al / Një fjalë e urtë e popullit e trashëguar brez pas brezi dhe shekull pas shekulli, thotë: “Amanetin nuk e tretë as dheu”. Të heshtim “NE”, për ato që vetë At Shtjefën Gjeçovi, ka thënë me shpirtin dhe mendjen e vetë, dhe duke lënë të shkruar me dorën e vet, është pabesi që i bëhet, ashtu siç e vranë në pabesi. Ne nuk duhet ta vrasim për së dyti, me heshtjen tonë por, as të ndryshojmë ato që ka lënë vet të shkruara dhe as ato që kanë shkruar të tjerët për të. At Gjeçovi. ishte dhe mbetet tempull më vete, që ndriçon pa ndërprerë, brez pas brezi. Ai ishte dhe mbetet një njeri i madh dhe burrë-shtetas i ditur.
Ja si shkruan At Gjeçovi, në shkrimin e tij: “Koha e Zgjetave” (Koha e shigjetave). “Duke shkuar në Shkodër, i pari i Thaçit më emrin e vetë, “THAÇ”, në Vaun e Dëjes (Deja), takon një djalosh që ishte vetëm dhe nuk dinte së ku po shkonte. Kur pa të parin e Thaçit mbi kalë shale, e pyeti, se për ku ishte nisë të shkonte. I pari i Thaçit, ju përgjigj; në Shkodër, më vulos disa gjyqe dhe pleqëni, që bëheshin prej të parëve të secilës krahinë në Shkodër, përpara Krye-zotit. Më merr me veti, i tha djali, sa me të mbajt kalin, mbasi nuk kam njeri dhe jam i varfër.
I pari i Thaçit, pasi e pyeti së nga ishte, ky i tregoj se kishte dalë nga fshati i “KOLONJES”. E mori më veti dhe shkuan në Shkodër. I pari i Thaçit, pasi pat shkuar disa herë me të Kolonjasin (por tani i lodhur nga pleqëria), e burrat e vllazënisë së Thaçit, rreth 50-60 veta, por jo në nivelin e duhur, për të përfaqësuar në pleqëri dhe gjyqe.
Prandaj i pari i Thaçit, shkoj edhe një herë në Shkodër me kolonjarin dhe mbasi i vulosi pleqënit e gjyqet, së bashku më pleqtë e tjerë, i kërkoj Krye-zotit të Shkodrës, që t’i jepte leje me dërgue kolonjarin me vulë të flamurit e, të vendoste emrin e atij në gjyqe e pleqni, që do të bëheshin përpara atij, sepse vetë, nuk mund të lëvizte nga mosha, lart e poshtë.
Kërkesa e të parit të Thaçit, u pranua nga Kryezoti i Shkodrës dhe që nga ky moment, filloj kolonjari të bënte lidhjen Thaç-Shkodër, për të gjitha gjyqet dhe pleqnitë, te Kryezoti i Shkodrës. Pasi u bë kolonjari si i shtëpisë, në vllazëninë e Thaçit, kërkoj të fejohet më të bijen e Thaçit. Pasi u këshillua i pari Thaçit më njerëzit e shtëpisë, ranë në një mendje (dakord), me ja dhanë kolonjarit vajzën e vetme, që kishte në shtëpi.
Pasi u martua kolonjari, pas 3 vjetësh, Thaçi (i pari i Thaçit vdes), kurse kolonjari vazhdonte rrugën si më përpara, pa i kërkuar kush, as arsye as vulë. Këtij i linden 3 djem”. Sipas At. Gjeçovit, emni “Kryezi”, i mbeti katundit, prej emnit të të birit të kolonjarit, i cili kishte qenë shumë i idhet (kokë fortë). Si zuni vend në Kryezi, ky u ba më Kabash, e kështu i mbeti vula në dorë Kryeziut, (mbasi nuk u intersuan thaçjanët), pra i mbeti pleqnia në dorë. Prandaj mbeti fjala; “Kryeziu pleqnusja” e Kabashit.
Pra, vula e gjyqeve dhe pleqve, ishte e Thaçit, por që i mbeti në dorë Kolonjarit (dhëndërrit të Thaçit), pas vdekjes së Krye-pleqnuesit të Thaçit, sepse nuk u interesuan pasardhësit e Thaçit, për vulën e fisit. Pra, për sa u tha, arrihet në përfundimin, se: fshat i Kryeziut, ka qenë i banuar me Thaç.
Biseda e At Gjeçovit, në kolegjin e Troshanit, me një prift
Në vitin 1928, me 13 janar, At Shtjefën Gjeçovi-Kryeziu, tregon: Më bije në mend kur isha fëmijë në shtëpi e, kur ndonjeni nga ne ishte i idhët (kokë fortë) e kryeneç, plaku Pepa (Petar) Gjeçovi, i bërtiste duke i thënë: “Ah Kryezi breh”! Ja biseda e At Gjeçovit, në kolegjin e Troshanit, me një prift të shkollës.
“Si të quajnë”, e pyeti burri me veladon?
“Hilë”, i tha shkurt djaloshi.
“Hilë kush”? E pyeti po ai zë.
“Hilë Gjeçi”, iu përgjigj djaloshi.
“Nga je”?
“Nga Janjeva e Kosovës”.
“Si ta quajnë babën”?
“Mat, Mat Gjeçi. Ai më ka thënë, së të parët tanë, janë nga Kryeziu i rrethit të Pukës. Gjeçi e kanë quajtur të parin e fisit tonë. Në Janjevë, prindërit e Gjeçovit, gjyshi apo ndoshta stërgjyshi, kishin ardhur përpara shumë vitesh. Ata u detyruan të largohen nga malësitë e Pukës, për të siguruar kushte më të mira jetesë. Për një kohë të gjatë, ata ruajtën mbiemrin “Kryeziu”, për të treguar fshatin e lindjes, por pastaj filluan të mbi-emëroheshin, më emrin e të parit të familjes apo, të fisit të tyre, “GJEÇI”.
Gjeçovi, shumë vjet më vonë, fjalën “Kryezi”, do ta përdorë përsëri si mbiemër të vet, dhe vitet e fundit, kur jetoi e punoi në Kosovë, do të shkruaj diçka më tepër. Vet Gjeçovi, në vitet e fundit të jetës së tij, na jep disa sqarime, për origjinën e emrit të fshatit Kryezi, të rrethit të Pukës, për të cilin folëm më sipër. Ndryshimi i emrit, kishte të bënte me një traditë të vjetër kishtare, që e shpjegon Rrok Zojzi, në monografinë e vet.
“Kur një njeri, pranohej pjesëtar i urdhrit françeskan, duhej të ndërronte emrin e, të merrte një emër të ri, për të treguar kështu, se shkëputej nga jeta e mëparshme, nga lidhjet fare- fisnore, nga e drejta e trashëgimisë, e pronës, etj. Sipas kësaj traditë, edhe emri i Mëhill Gjeçit, u shëndrrua në Shtjefën Kostandin Gjeçov. (Ruzhdi Mata- “Gjeçovi, Nderi i Kombit”, Tiranë, Reklama 2000, fq. 5-10).
Na duket me rëndësi, që etnografi ynë i njohur, pas llagapit (mbiemrit) Gjeçov, shënon “Kryeziu”. Ndre Mjeda, më 1935, shkruante se; “Arqipeshkvi i Shkupit, Carev dhe fretërit; Shishkoviç e Brkiç, përhapen sa mundën gjuhën sllovene, me anë të predikimit e të shkollës, jo vetëm në Janjevë, ku humbi gjuha shqipe, por edhe në Prizren, Shkup, Letnicë e Gjakovë”.
Shtjefën Gjeçovi, i përkiste vëllazërisë Përgjeçaj (Prend Gjeçi) të Janjevës, një degë e fisit të vjetër Kryezez, mjaft i përhapur në Kosovë, Pukë, Lezhë, etj. Autoritet fetare e regjistruan në shkollë, me llagapin (mbiemrin) Gjeçoviç. Kur ai u bë i vetëdijshëm për këtë falsifikim, nuk qe në gjendje të bënte më tepër, veç të hiqte atë-iç e, të mbetej Gjeçov.
Këmbëngulja e Shtjefën Gjeçovit, për të përdorë llagapin (mbiemrin) Kryeziu, që e shohim në disa dorëshkrime, si edhe në kokën e shkopit që e mbajti në dorë, deri ditën e vrasjes, tregon shqetësimin e tij, për të çuar në vend një të vërtetë, që ka të bëjë me kombësinë e tij, thjesht shqiptare. (Kahreman Ulqini.- Dy dorëshkrime të Shtefën Gjeçovit-Kryeziut, Etnografia shqiptare, nr.10, viti 1981 f.244).
Prejardhja e Gjeçovit, trajtohet te “Koha e zgjetave” (Koha e shigjetave), në vol. Gjeçovi – VEPRA 3, (‘Rilindja’-Prishtinë, 1985. fq. 261). Në vitin 1935, në revistën “Hylli i Dritës”, ku Dom. Ndre Mjeda shkruan për Fulgens Carev, O.F.M. në Dioqezën e Shkupit, thotë se: “Kazarev (Carev), ishte ai që i dha shkas përhapjes së gjuhës Serbo-Kroatishte, në Janjevë.
Përveç gjuhës, ata përdorën dhe liturgjinë sllave, nëpërmjet dy Boshnjakëve, ish-fratit Shishkoviç dhe me ndonjë mësues shkolle të atij katundi e, të At. Frano Brkiç. Po këtu mes të tjerave, edhe disa fretenve në Shqiperi, që për emen vllazenije, kishte Pergjeçaj (Prend Gjeçi), i ju zevendsua me Gjeçoviq e, Gjeçov. Pra; Përgjeçaj (Prend Gjeçi), paraardhesit i Gjeçovit, ketë mbiemer e kishte dhe në Janjevë. (Dom. Ndre Mjeda: Hylli i Dritës. Viti 1935, nr.1, fq.33-37).
Në një studim për fisin e Thaçit, Paulin Zefi (historian. Drejtor i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore, pranë Bashkisë –Lezhë), shkruan se; “Prendi gëzon atributet e stërgjyshit të pinjollëve më të shquar të fisit Thaç, ku bëjnë pjesë edhe para ardhësit e të madhit Fishta”. Po në të njejtin materjal të studimit historik për fisin e Thaçit, shkruan: “Kujtojmë së At. Shtjefën Gjeçovi, mbiemrin e tij të vertetë, e kishte Gjeçi dhe emrin Mëhill. Pra Mëhill Gjeçi”.
Pak më lart, Dom. Ndre Mjeda thotë, se nga Përgjeçaj (Përend Gjeçaj), serbo-sllavet e tjetërsuan, në Gjeçoviç dhe Gjeçov. Duke u bazuar në dokumentet e më sipërme, vërtetohet së edhe At. Shtjefën Gjeçovi, është fis Thaçi, i vllazënisë Prend Gjeçi, të Iballës së Pukës, por dihet së kjo vëllazëri e fisit Thaç, ka jetuar edhe në Kryezi. Pra At. Shtjefën Gjeçovi dhe At. Gjergj Fishta, janë kushërinj të një gjaku, nga baba, të vëllazërisë Prend Gjeçi më qendër në Iballe-Pukë.
Duhet ta theksojmë se në fiset e veriut, ishte traditë ruajtja e afërsisë së gjakut në breza, si nga babai, ashtu dhe nga nëna. Kështu që At. Gjergj Fishta dhe At. Shtjefën Gjeçovi, ishin dajat e Dom. Ndre Mjedës, nga nëna, por është burrë Kryeziu (i biri i Kolë Zefit, Kryeziut dhe Luke Thaçit, të Iballës). Pra Dom Ndre Mjeda, e dinte shumë mirë origjinën e Gjeçovit, se ishte nga vllazënia e Prend Gjeçit të Thaçit Iballës.
Çdo manipulim i huaj apo vendas, nuk u shërben dimensioneve të këtyre kollosve të kulturës dhe patriotizmit mbarëkombëtar shqiptar, përkundrazi, i dëmton të vërtetat për këto figura.
Jetëshkrimi i shkurtër, i At. Shtjefën Gjeçovit
At. Gjeçovi, lindi në Janjevë, më 12 korrik 1874, ku mbaroj 3 (tre) vite shkollë. Në kolegjin françeskan në Shkodër ku u paraqit, e dërguan në kolegjin fraçeskan në Trashan të Lezhës, për të vazhduar mësimet, ku dhe i mbaroj.
Në vitin 1888, vazhdoj studimet në Bosnjë dhe Kroaci (këtu studioi për teologji dhe filozofi). Shërbeu si famullitar në Laç të Kurbinit, Troshan, Gomsiqe e Gojan, Theth, Shalë e Shosh, por shërbeu dhe në Pejë, Gjakovë e Prizren, si dhe në Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Zarë në Kroaci.
Ai ishte patriot (pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, në vitin 1920) shkrimtar, etnolog dhe arkeolg, përkthyes, klerik, dramaturg, ‘Mësues i popullit’, novelist, përhapës i arsimit shqip, etj. “Kanuni”, mbetët kryevepra e tij.
Laurimet:
- At Shtjefën Gjeçovi, është nderuar me “Medalja e Artë, e Lidhjes së Prizrenit” në Kosovë.
- “Monument i At Shtjefen Gjeçovit”. Për veprimtarinë e tij etnografike dhe arkeologjike, brenda dhe jashtë atdheut, Universiteti i Lajpcigut të Gjermanisë, i dha titullin “Doctor Honoris Cauza”.
Në Shqipëri, për veprimtarinë e tij patriotike, dekorohet më urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë.(F.E.SH.) Tiranë 2008, f.814.
Më 14 tetor 1929, At Gjeçovi vritet në Zym të Kosovës, nga një atentat serbo-sllav.
Në të vërtetë, ai ndërroj jetë, sepse, veprimtaria e tij patriotike, dashuria për atdhe, për pavarësi, për shkollim, dije dhe kulturë, studimet e tij bashkëkohore dhe ato në lashtësi, e bëjnë “TEMPULL” më vete, që nuk e lënë të vdesi kurrë. Memorie.al