Nga Dr. Andi Pinari
Pjesa e dytë
-Aleks Buda, një dijetar europian, në totalitarizmin shqiptar-
– Metodologjia –
Memorie.al / Ky prezantim i shkurtër do të përpiqet të pasqyrojë veprimtarinë shkencore dhe administrative, si dhe rrethanat në të cilat u ngrit dhe veproi personaliteti i profesorit, do të përqendrohet në çështjet e lidhura me marrëdhëniet e këtij studiuesi, si pjesë e elitës intelektuale në vitet 1945-1954, me modelin totalitar shqiptar. Këto vite mund të konsiderohen, si vitet më të ashpra të totalitarizmit shqiptar, sepse janë vitet e para të instalimit të një modeli të ri politik dhe shtetëror, që kishte si parim luftën e klasave dhe si mjet dhunën shtetërore. Veprimtaria e tij akademike e këtyre viteve, mund të ndihmojë për të kuptuar deri në çfarë mase orientimi i hulumtimeve shkencore, vinte nga tradita e Rilindjes Kombëtare dhe e periudhës mes dy luftërave, imponohej nga lart, apo varej nga studiuesi.
Kontributi i prof. Budës, nuk ka qenë vetëm në grumbullimin e fakteve historike dhe në paraqitjen e argumenteve që zunë vend edhe në fjalimin e Enver Hoxhës para Konferencës, por edhe në hartimin e dokumenteve të tjera, në mbrojtje të kufijve shqiptarë. Prof. Buda dhe kolegu i tij Pepo, morën pjesë në mjaft debate të hapura, që organizoheshin jashtë Konferencës dhe kundërshtuan pretendimet greke. Në shënimet që ka lënë, ai kujtonte se; “dëgjuesit u kushtonin vëmendje çështjeve që ngrinim ne, që i ndriçonim në një dritë të re”. Pjesëmarrja e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, ishte e suksesshme, sepse arriti të vërtetonte renditjen e saj, përkrah vendeve antifashiste.
Aleks Buda si studiues në Institutin e Shkencave
Instituti i Shkencave ishte një nga strukturat e reja që u ngrit me ardhjen në pushtet të komunistëve. Sidoqoftë, u mor për bazë përvoja ekzistuese në këtë drejtim, e nisur në vitin 1940, me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, ku u përfshinë studiues të njohur shqiptarë dhe italianë, të gjuhës, letërsisë dhe të artit.
Menjëherë pas çlirimit, u ngrit Instituti i Studimeve (1946) dhe më 1948, ai u riorganizua si Instituti i Shkencave dhe u bë vatër e kërkimeve dhe veprimtarive shkencore të organizuara. Krahas punonjësve nga instituti i paraluftës që, në fakt, filluan të spastrohen pak nga pak, u përfshinë shumë punonjës të rinj dhe u rrit numri i tyre; drejtues i parë i këtij institute, ishte Selahudin Toto. Instituti përbëhej nga 3 seksione:
a) i gjuhësisë e i letërsisë;
b) i historisë dhe i sociologjisë;
c) i shkencave natyrore dhe biologjike.
Në vendimin e qeverisë, të janarit të vitit 1947, shprehet qartë edhe qëllimi i krijimit të këtij institucioni, i cili do të kontribuonte shumë, në studimin dhe zgjidhjen e problemeve aktuale që lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të vendit. Ky institucion, do të vihej në varësinë direkte të Këshillit të Ministrave dhe në krye të institucionit, u vendos një përfaqësues i rëndësishëm i qeverisë. Këtë detyrë e mbajti në fillim Dr. Manol Konomi. Prof. Buda u emërua në krye të seksionit të historisë, sociologjisë dhe shkencave ekonomike. Instituti në vitin 1947, kishte 23 anëtarë, ndër të cilët vetëm dy prej tyre, kishin qenë edhe më parë pjesë e tij, Aleksandër Xhuvani dhe Eqrem Çabej.
Vitet formuese të regjimit komunist, u karakterizuan nga mobilizimi masiv dhe represioni në një shkallë të konsiderueshme. Ishte një periudhë kur dhuna u përdor për të riformuar marrëdhëniet shoqërore. Megjithatë, një operacion i tillë i madh, nuk mund të kryhej vetëm nga organet represive, por mbështetej në pranimin ose bashkëpunimin aktiv të atyre që përfitonin – ose që shpresonin të përfitonin – nga rendi i ri. Kjo ishte gjithashtu një periudhë, kur u hapën mundësi për lëvizje në rangjet më të larta të shoqërisë, duke u bërë pjesë e administratës së re shtetërore, për shumë punëtorë, fshatarë dhe aktivistë.
Sjellja e modelit totalitar shqiptar, në raport me njerëzit e shkencës gjatë viteve 1945-1954, është vetëm një nga elementet e shumta të marrëdhënieve të reja, që krijohen mes shtetit dhe individit pas vitit 1945. Përpjekjet për kontroll total të aktivitetit publik dhe privat të studiuesve, kanë karakterizuar edhe modelin shqiptar, duke krijuar profile të ndryshme, që mund të grupohen në këto ndarje kryesore:
Së pari, intelektualët që iu kundërvunë hapur, ishin ata që me qëndrimet e tyre, reaguan ndaj modelit totalitar dhe për këtë u dënuan ashpër ose u mënjanuan.
Së dyti, ishin intelektualët që qëndruan në heshtje, duke mbajtur distancë nga politika dhe duke zgjedhur të fokusohen te jeta akademike.
Së treti, ishin intelektualët që u formuan më vonë dhe u vunë në shërbim të pushtetit, duke qenë mjaft aktivë. Ky grupim i tretë, ka gjasa të mos jetë ende aktiv, në vitet e para të funksionimi të institutit.
Si kudo në vendet totalitare, mund të themi se shteti totalitar, kishte marrëdhënie të dyfishtë me studiuesit. Nga njëra anë, ata mbaheshin nën kontroll dhe iu diktoheshin tematikat që përkonin me interesat e pushtetit, ndërsa nga ana tjetër, ata kishin privilegjin që të shiheshin me admirim nga pushteti, si intelektualë me vlera dhe me autoritet të padiskutueshëm në publik.
Këto marrëdhënie mes shtetit dhe studiuesve, zhvilloheshin në një atmosferë mjaft të ngarkuar, ku dënimet ndaj intelektualëve kundërshtarë, ishin mjaft të ashpra, sepse ata konsideroheshin si më të rrezikshmit dhe si opozitarë politikë, të komunistëve.
Gjyqi i Deputetëve dhe dënimi i Selahudin Totos, drejtori i Institutit të Shkencave, në vitin 1945, por edhe mjaft dënime të tjera, treguan hapur natyrën e sistemit të ri politik dhe sjelljen ndaj intelektualëve kundërshtarë. Pasi eliminoi ata që i shihte si kundërshtarë, shteti totalitar kishte nevojë për të pasur një grup studiuesish me emër, që ishin të shkolluar jashtë vendit, që do të punonin për të ngritur lart kulturën kombëtare.
Kjo ishte edhe pika lidhëse mes atyre studiuesve që, ndonëse mbështetën luftën, nuk mund të ishin dakord, me masat e ashpra represive të regjimit të ri. Interesi akademik i këtij grupit të dytë të studiuesve dhe pamundësia për të reaguar, bëri që ata të qëndronin neutralë dhe të ruanin gjatë gjithë periudhës, profilin e studiuesit të papërfshirë në politikë aktive. Edhe prof. Buda, bën pjesë në këtë profil. Në lidhje më këtë qëndrim, na vijnë në ndihmë edhe opinionet e historianëve të tjerë që e kanë vlerësuar, veç aktivitetit akademik, edhe këtë qëndrim politik thuajse neutral.
Profesor Kristo Frashëri, pasi vlerëson punën e madhe të prof. Budës, në hedhjen e bazave dhe ngritjen në nivele shkencore të historiografisë shqiptare, thekson se ai; zgjodhi rrugën e mesme të cilën ia diktoi nevoja që kishte vendi, për punë kulturore dhe edukata rilindëse që kishte marrë në familje. Ai vendosi të vazhdonte punën në fushën e kulturës, duke qëndruar sa më larg temave ideologjike, hapësirë të cilën e gjeti te historia e së kaluarës së largët, që nga ilirët, te Skënderbeu dhe te Rilindja Kombëtare.
Profesor Paskal Milo mendon, se prof. Buda i qëndroi larg angazhimit politik, për shkak të formimit të tij perëndimor, bindjes së tij se shkenca e historia, ishin fushat e tij të veprimit dhe kënaqësia e jetës. Prof. Buda i ka shërbyer Shqipërisë, historisë, shkencës e kulturës shqiptare. Nëse në momente të caktuara, këto shërbime të çmuara kanë përkuar edhe me interesat e regjimit komunist, ose janë shfrytëzuar prej tij, këtu nuk ka asnjë faj e përgjegjësi historiani i madh, apo shkrimtarë, shkencëtarë e artistë të tjerë, të mëdhenj.
Ndërsa profesor Pëllumb Xhufi mendon, se prof. Buda i shfrytëzoi marrëdhëniet e mira që kishte me regjimin, për të ndikuar në promovimin e shkencave albanologjike, duke filluar nga formimi brenda dhe jashtë vendit, i specialistëve të latinishtes, greqishtes së vjetër dhe osmanishtes. Instituti i Shkencave u bë një mburojë, ndoshta i vetmi vend ku mundën të punësohen apo të përfshihen në projektet shkencore, përfaqësues të atyre që konsideroheshin si “klasat e përmbysura”.
Në këto vite, puna kryesore që bëri sektori i sociologjisë, ishte e organizuar në drejtim të kërkimeve arkeologjike, kërkimeve gjuhësore të përqendruara në etnogjenezën ilire, mesjetën, Rilindjen, pra një punë e shtrirë në një hark kohor, mjaft të gjerë. Duhet thënë se niveli i kërkimit shkencor në histori u rrit, pavarësisht ideologjizimit që pësuan të gjitha shkencat, por mbi të gjitha historia. Pavarësisht kësaj, prof. Buda arriti të studionte tema që mbulonin të gjitha periudhat historike me një profesionalizëm të lartë.
Tema e tij e preferuar në ato vite, ishte historia e Skënderbeut, temë e cila ishte edhe punimi i parë shkencor si historian i prof. Budës. Ky punim u prezantua në konferencën e parë për Skënderbeun, të mbajtur më 17 janar 1949, me rastin e 481-vjetorit të vdekjes së heroit, në sallën e Teatrit dhe materiali u botua pas tre ditësh në shtyp. Duke qenë se regjimi i ri kishte në bazë urrejtjen ndaj bejlerëve, ata që ishin personazhe historike me këtë prejardhje, shiheshin me dyshim, ku nuk shpëtonte dot as edhe heroi kombëtar, që ishte pjesë e aristokracisë feudale dhe mbante titullin “bej”.
Ky qëndrim dogmatik, e dëmtonte historinë kombëtare dhe prof. Buda në prezantimin e tij, hodhi bazat e trajtimit të historisë së heroit kombëtar, duke e trajtuar atë në kuadrin e kohës kur jetonte dhe kontributit të jashtëzakonshëm në bashkimin e shqiptarëve në luftën kundër osmanëve. Kjo do të ishte linja bazë që do ta çlironte heroin kombëtar nga paragjykimet klasore.
Në shtatorin e vitit 1952, u zhvillua një konferencë nga Instituti i Shkencave që kishte dy tematika kryesore. Tema e parë, ishte formimi i kombit shqiptar, ndërsa tema e dytë, ishte fillimet e lëvizjes kombëtare shqiptare. Organizatori i konferencës, ishte prof. Buda, i cili kishte arritur të vendoste në sallën e madhe të Bibliotekës Kombëtare, ku edhe mbahej konferenca, një citat të Stalinit, ku thuhej: “Asnjë shkencë nuk mund të zhvillohet e të përparojë, pa luftë mendimesh dhe pa liri kritike”. Parulla e vendosur, dukej sikur ishte një mesazh edhe për studiuesit, që të diskutonin lirshëm në konferencë, por edhe për partiakët vigjilentë, që të mos i kundërviheshin thënies së Stalinit.
Një çështje tjetër e diskutuar, ishte maketi i historisë së Shqipërisë, diskutimi i parë i së cilës, është bërë në shkurt të vitit 1952. Në këtë mbledhje prof. Buda, hedh një nga parimet e rëndësishme metodike të shkrimit të historisë. Ai fillimisht këmbëngul që të krijohen skedarë sipas rendit kronologjik, i cili duke u plotësuar, përbën skeletin e punës. Por gjithashtu kërkon që të krijohet edhe një skedar i dytë, që duhet të jetë i radhitur sipas problemeve, sepse ka materiale që nuk mund të rreshtohen në formën kronologjike, sepse përmbledhin faza të mëdha.
Kështu del në pah edhe perceptimi mjaft i gjerë dhe i saktë për historinë, si një shkencë që kërkon jo vetëm trajtim kronologjik, por edhe problemor e mbi të gjitha, në bashkëpunim të ngushtë me shkencat e tjera ndihmëse. Për çështjen e maketit të historisë së Shqipërisë, ka pasur informacion edhe Sigurimi i Shtetit. Ja se ç’thuhet në një raportim nga bashkëpunëtori “Dhelpëria”, për Budën: Raport i B.p. “Dhelpërija”, marrë nga P.Operativ R. Zavalani, Tiranë, më 24.12.1953.
“Në seksionin e Historisë: Aleks Buda është shefi i seksionit. Bën përpjekje për të përvetësuar Marksizëm-Leninizmin, njeh mjaft çështjet e Historisë, po ka konfuzion në kokë. Puna kryesore e Seksionit, është Historia e Shqipërisë, që po përgatitet. Nga sa kemi biseduar me Aleks Budën, monografitë e ndryshme, nuk janë bërë në bazë të një modeli të përbashkët dhe as që janë biseduar përpara tezat e çdo monografie (siç bëhet fjala vjen në Bashkimin Sovjetik), po cilido ka vepruar sipas mendjes së tij. Veç kësaj edhe niveli i çdo monografie, nuk është i ngritur, disa janë të dobëta. Kështu që kemi përshtypjen se Historia e Shqipërisë, nuk do të dalë e gjitha e një niveli dhe me boshllëqe”.
Mjaft prej studiuesve të kohës, ishin edhe deputetë të Kuvendit Popullor. Në dy legjislatura, të viteve 1950-1954 dhe 1954-1958, edhe prof. Buda, ishte deputet i Kuvendit Popullor. Ai nuk ishte i vetmi nga Instituti i Shkencave, që u bë deputet. Veçanërisht në qarkuan e Elbasanit, spikasin disa prej emrave më të rëndësishëm të kulturës dhe dijes, si; Aleksandër Xhuvani, Kolë Paparisto, Petraq Popa, Dhimitër Shuteriqi. Sidoqoftë, pozi cioni i deputetit dhe i vetë Kuvendit Popullor, ishte i parëndësishëm, sepse zgjedhjet ishin formale dhe pushteti real, ishte i papërfillshëm.
Në biografinë e tij, që ndodhet në fondet e Kuvendit në AQSH-së, rezulton se ai ishte përfshirë në listën e deputetëve, si një punëtor i palodhur në fushën e kulturës. Aty thuhet: “Me plot të drejtë populli i zonës elektorale nr. 43, të qarkut të Elbasanit, ka propozuar për Kuvendin Popullor, kandidaturën e këtij intelektuali patriot, që energjitë e tija i ka vënë në shërbim të zhvillimit dhe të përparimit të kulturës sonë nacionale”.
Ai ka kontribuar edhe për filmin e madh artistik mbi heroin kombëtar Skënderbeu dhe për punën që bëri, u dekorua me Urdhrin e Punës të klasit të parë. Është dekoruar gjithashtu, me Urdhrin e Punës, të klasit të tretë. Ndërkohë ka edhe një varg elementesh të tjera, që tregojnë vështirësitë e mëdha që iu krijuan atij dhe familjes së tij, gjatë kësaj faze të parë të vendosjes së modelit totalitar. Në kohën kur po nisej në Konferencën e Paqes, në vitin 1946, dy kunetërit e tij, ishin arrestuar dhe ndodheshin në burg.
Në letrën që prof. Buda i dërgon së shoqes Vasilikës, para se të nisej për në Paris, i thotë se kishte qenë në burg dhe i kishte takuar të dy kunetërit, të cilët ishin mirë, por trembeshin për ndonjë transferim në burgun e Burrelit. Në vitin 1948, i arrestojnë vëllain e tij, Stasin, sepse si trashëgimtar i farmacisë së babait të tyre, nuk kishte arritur të shlyente tatimin e jashtëzakonshëm.
Tatimi i vendosur ishte jashtë çdo logjike, sepse nuk përputhej me të ardhurat e farmacisë. Siç rrëfen prof. Buda, aty do të kuptonte se sa e fortë ishte dora e diktaturës së proletariatit. Pasi ishte dërguar që të punonte edhe në kënetën e Maliqit dhe autoritetet ishin bindur se nuk kishte mundësi të paguante, Stas Buda, u lirua pas një viti e gjysmë në burg.
Të gjitha këto fakte, tregojnë për një pozicion të dyzuar mes shkencës, angazhimit politik dhe problemeve familjare ,të diktuara nga regjimi i ri. Sidoqoftë, prof. Buda, arriti të fokusohej gjithnjë e më tepër në çështjet e shkencës, duke gjetur hapësirën e tij të lirisë së brendshme, në atë kohë të vështirë.
Përfundime
Prof. Buda ishte, mbi të gjitha, një erudit i përmasave europiane, që ua kushtoi jetën studimeve dhe shkrimeve mbi albanologjinë. I edukuar në një familje patriotike, në një qytet mjaft aktiv, ai u mbrujt me atdhedashuri. Jetoi dhe studioi jashtë vendit, për 18 vjet. Sidomos gjatë viteve të studimeve në Austri, u orientua drejt studimeve filologjike dhe historike, duke njohur mirë latinishten dhe greqishten e vjetër.
Gjatë viteve të studimeve të larta, bëri shoqëri me shumë intelektualë të tjerë, patriotë me prirje të majta dhe filloi të kishte prirje të majta politike e, të simpatizonte marksizmin, ende pa e njohur fytyrën e vërtetë të aplikimit të ideologjisë në praktikë. Sidoqoftë, ndihej shumë më tepër social-demokrat, me respekt për humanizmin dhe demokracinë parlamentare. Kthimi në atdhe, mund të thuhet se e radikalizoi politikisht, sepse nga njëra anë, vendi ishte i pushtuar e, nga ana tjetër, ai dhe familja e tij, vuajtën nën regjimin e pushtimit.
U burgos dy herë dhe u dërgua forcërisht të bënte ushtrinë në Itali, ndonëse ishte profesor. Veç kësaj, edhe e ëma e tij u burgos për pak kohë si rezultat i përfshirjes së të vëllait në rezistencën antifashiste. Si pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë, ai nuk mund të pajtohej me pushtimin e vendit dhe për këtë arsye krejt spontanisht, u bë pjesë e Lëvizjes Antifashiste.
Statura e tij prej intelektuali të spikatur dhe me bindje të majta, bënë që të afrohet nga pushteti i ri, duke u emëruar në poste të rëndësishme, si nënkryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Elbasanit, si drejtor i Bibliotekës Kombëtare, si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit, si anëtar dhe drejtues i seksionit të sociologjisë e historisë dhe ekonomisë, në Institutin e Shkencave dhe më pas si deputet i Kuvendit Popullor.
Të gjitha këto pozicione, i arriti dhe i pranoi, sepse thellë-thellë, ishte njeri i dijes dhe do të përpiqej të jepte maksimumin e tij, për të ndriçuar dhe për të lartësuar historinë shqiptare. Mbi të gjitha, hodhi bazat e historiografisë shqiptare. Ndërkohë, jetonte në një sistem, ku i vëllai iu burgos për pak kohë, se nuk mund të paguanin tatimin e jashtëzakonshëm të vendosur pas luftës. Kunetërit e tij po ashtu, u burgosën. Liria e shprehjes ishte e kufizuar dhe shumë intelektualë u burgosën e vranë.
Ai e dinte mirë pasojat nëse rebelohej, ndonëse në heshtje nuk pajtohej me luftën e klasave, me mungesën e lirive, me persekutimet politike dhe me kufizimet drastike të kontakteve njerëzore, shkencore e kulturore me botën e jashtme. Kjo duket në përpjekjet që bëri për përfshirjen në institut të atyre që, ndonëse kishin njolla në biografi, u përfshinë në projekte shkencore. Për shkak të aftësive të tij si studiues, u shndërrua gradualisht në përfaqësuesin më të shquar të kërkimit shkencor në Shqipëri, ndoshta ndër të vetmin që mbante kontakte dhe takohej me kolegë të huaj, në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Memorie.al