Nga Ndue Dedaj
-Si u persekutua nga regjimi komunist, mirditori Pal Nikoll Marku, i diplomuar në akademinë e Aviacionit Ushtarak në Beograd, eruditi që dinte përmendësh ‘Lahutën e Malcis’ të Fishtës…?!-
Memorie.al / Kohë më parë, në Patos, në një drekë miqsh, dy zotërinj të nderuar, profesori i letërsisë i gjimnazit të qytetit, Toli Shabani dhe fotografi i njohur vendës, Kozma Çuko, nisën të na rrëfenin me shumë emocion, histori nga jeta e një njeriu të pazakontë, erudit, me emrin jo fort të dëgjuar, Pal Nikoll Marku. Dhe ne veçuam njërën, që lidhet me kryeveprën fishtiane, “Lahutën e Malësisë”, duke i konsideruar dhe dy miqtë patosas, si bashkautorë të këtij shkrimi. Bashkë me studiuesin mirditor Mark Mesuli, autorin e monografisë kushtuar këtij zotërie elitar, ku jemi mbështetur për të dhënat biografike të protagonistit të pabujë kësaj historie, ndarë nga jeta para dy vjetësh. Sikur “Baca Pal” të rronte, këtë fundprill, me siguri që do të vente sërish në vendlindje, Mirditë, për të kumtuar në 100-vjetorin e “Qeverisë së Kimzës”, nën malin e Munellës, si një “skifter” i tij, siç e kishte pas pagëzuar veten qysh herët.
Por le të vijmë tek historia e tij tepër e veçantë me “Lahutën” e Fishtës.
Histori me disidencë, e kapitenit të Aviacionit Shqiptar
…Nëse ai njeri, atë çast, do ta kishte pasur të mundur, do të kishte bërë zakonin e murgjve të vjetër, të kopjonte me dorë librin, që nuk do ta kishte më. Librin legjendë, që nuk mund të fshihej më gjatë prej tij. Veprën që e kishte të ndaluar ta mbante, jo vetëm në bibliotekë, por as fshehur në hatullat dhe “trarët” e shtëpisë. Llogariti kohën dhe ajo ishte krejtësisht e pamjaftueshme, që ai të ulej në tavolinë dhe të kopjonte me dorë “Lahutën”, nga vargu i parë, tek i fundit! Nuk ishte e mundur. Po si do të bëhej atëherë? Ta fotokopjonte? Kjo ishte edhe më e pamundur.
Kishte një fotokopjues, vetëm në Komitetin e Partisë së rrethit dhe vetëm për materialet “Top sekret”, që dilnin me firmën e sekretarit të parë, për të parin e vendit, në Komitetin Qendror. Por kjo ishte, si të veje vetë tek porta e burgut. Të shkoje në selinë e Partisë dhe të thoshe: “Ju lutem, ma fotokopjoni pak këtë libër të nëmur, ‘Lahutën e Malësisë’ të Gjergj Fishtës, se më duhet ta zhduk nga faqja e dheut, domethënë ta asgjësoj, pasi gojë më gojë, më ka ardhur fjala, se me sot me nesër, do të më arrestojnë për agjitacion dhe propaganda”!…E kjo nuk është aspak një stisje historie me disidencë, që në kohën tonë qarkullojnë pa ndonjë vrarje ndërgjegje nga shumëkush, por një ngjarje reale, që i përket vitit 1975, njërit prej kulmorëve të luftës së klasave.
Kur “Lahuta” ishte armike e Partisë!
Ishte pra mesi i viteve ’70-të, në qytetin e naftëtarëve në Patos. Pal Nikoll Marku, më në fund ishte fonditor në uzinën mekanike. Në të vërtetë, nuk kishte qenë ky zanati i tij, por ashtu i kishin ardhur punët, poshtë e më poshtë. Pikërisht këtu zë fill dhe ajo ndodhia e tij me ‘Lahutën’, një histori më vete. Një roman si “Shakaja” e Milan Kunderës. Një sagë shqiptare nën diktaturë…!
Si duket në uzinë, kishin nisur të qarkullonin fjalë për arrestimin e tij të mundshëm, ndaj një ditë Palin, e tërheq mënjanë një punëtor i ri i shkritores, i cili gjithë merak i thotë: “Bacë, ruaju!… Ti mëke thënë se ke Lahutën”? Baca e kishte dëgjuar të riun inteligjent, që dëshironte të bëhej aktor, por që kishte kleçkë në biografi e, nuk i dilte e drejta e studimit. E quanin Kiço Londo…! (Vite më pas, ai do të bëhej regjisor i njohur i Teatrit Kombëtar dhe drejtor i tij). Pra, punët ishin keq.
Pali akuzohej, se kur kishte qenë drejtor i Bibliotekës Tekniko-Shkencore të Naftës (e vetmja e atij lloji në Shqipëri), kishte mbajtur libra të ndaluar, “të verdhë”, të hequr nga qarkullimi. Libra me damkë. Libra revizionistë! Ai kishte qenë themelues i asaj biblioteke, që kishte për qëllim të ushqente me literaturë profesionale, specialistët e shumtë në të gjithë rajonin naftëmbajtës të vendit. Në kohën kur kishte qenë drejtor i saj, vinin vazhdimisht shkresa, për të hequr nga qarkullimi librat e autorëve, që goditeshin ideologjikisht e politikisht, por pa thënë se ç’duhej të bënin me to, punonjësit e bibliotekës…!
Dhe Baca kishte përpiluar një letër, që ia kishte nisur Komitetit të Partisë, duke i kërkuar organit epror partiak, se si duhej vepruar konkretisht, pasi ato libra ishin në inventar, por nuk kishte marrë përgjigje…! Por pas goditjes së grupit “sabotator” në Naftë, Drejtorit të Përgjithshëm Lipe Nashi, e të tjerë, ishte kërkuar një akuzë edhe për Palin dhe ishte gjetur preteksti, pikërisht tek ato librat e ndaluar.
Dihej se hetuesit, pas arrestimit të tij, do të venin në shtëpi e të kontrollonin, do t’i gjenin “Lahutën e Malësisë” dhe nuk kishte nevojë për tjetër akuzë. E ku kishte asokohe libra më të “përbindshëm”, se veprat e Fishtës, të cilit i kishin tretur dhe varrin? Sa veta ishin dënuar, pikërisht për këtë libër të mallkuar?! Të mbaje në shtëpi fshehur “Lahutën”, ishte si të mbaje një bandë me diversantë, qysh nga vitet ’50-të. Por kjo sikur nuk po e trembte “kandidatin”, për agjitacion e propagandë.
Kur ai kandidati për aktor, i tha se mund ta arrestonin, prandaj ta fshihte a digjte sa më parë “Lahutën”, ky me një qetësi olimpike, ia kthen: “Po, miku im fisnik, por më duhen tre muaj, për ta zhdukur”!
“Si, tre muaj, Bacë? Çfarë po thua? As tre minuta…! E si u dashka kohë, për të djegur një libër”?! “Po, mor, po… mirë e ke ti dhe të falënderoj me gjithë zemër, që po kujdesesh kaq shumë… por ashtu asht puna”!
Kiço Londo nuk po e kuptonte Palin, edhe pse ia njihnin aq mirë gjuhën e fshehtë njëri-tjetrit. “Përse i duheshin tre muaj, kur ai mund ta digjte aty për aty”?! Për herë të parë miku i tij diturak, po i dukej disi misterioz. Sidoqoftë ishte i bindur se ai do ta gjente një zgjidhje, për të mos iu gjetur “Lahuta”, si provë. Dhe për fat, pasi ishin bërë gati prangat, kopja e asaj letrës së tij, që do të bëhej dhe shpëtimi, ishte gjetur poshtë xhamit të tavolinës së drejtorit të ri të bibliotekës…!
Më vonë, në një intervistë, Londo do të shprehej se; njohja me Palin, kishte qenë vendimtare në formimin e gjithanshëm të tij dhe se ai e konsideronte Bacën, si një njeri shumë të ditur, të zotin, human, i goditur nga sistemi komunist, po që diti të mbijetojë dhe t’ia dalë mbanë. Regjisori kujtonte se ishte trajtuar nga ai, njësoj si dy djemtë e tij, Gjergji e Sokoli, ndoshta dhe më i përkëdhelur se ata…!
Njeriu që ra bashkë me kampin socialist!
Një vit në pritje të përgjigjes së letrës drejtuar Enver Hoxhës, ‘75-a, nuk ishte rënia e parë e tij…! Ajo kishte ndodhur 15 vjet më parë, në gjashtëdhjetën. Kishte qenë një ushtarak karriere, i një specialiteti të veçantë, një njeri i qiellit, më shumë se i tokës, pasi fluturimet e avionëve luftarakë, nuk mund të bëheshin pa lejen e tij. Ai do të thoshte, nëse ishte ose jo moti i mirë për të fluturuar avionët, ndaj u emërua të shërbejë si oficer në aeroporte e aerodrome…!
Por me rënien e kampit socialit, bien një nga një dhe ish – studentët e shkolluar në ish-republikat e Kampit Socialist. Kështu, më 1961, papritur, Pali përjashtohet nga Partia dhe lirohet nga ushtria, duke u akuzuar “për bashkëpunim me armiqtë e popullit”?! Porse, pa thënë kurrë, se me cilët! Debati në regjimentin e tij ajror, kishte nisur lidhur për mbledhjen e famshme të 81 partive komuniste, në Moskë.
Pas kësaj, ai gjendet duke ngarë pendën e qeve e lëruar token, në vendlindjen e tij, Kalivare. Fshati i tij i lindjes, kishte qenë jo pak i dëgjuar në histori dhe ai ndihej mirë nga kjo, por s’e kishte menduar kurrë, se do të vinte puna që ai të “ngujohej” aty, si një bir plëngprishës i revolucionit. Pas përjashtimit nga Partia, ai ndihej keq! I shkruan një letër të gjatë Enver Hoxhës, me një gjuhë idealiste, prej shqiptari të kulluar, që e do vendin e vet, dhe në pritje të përgjigjes së asaj letre, qëndron i “arratisur” plot një vit, nën hijen e Munellës. Shpresonte se retë mbi kokën e tij do të davariteshin e, ai nuk do të shkonte me “njollë”, pranë familjes së tij, bashkëshortes Violeta, nënë Prenës, që ai e trajtonte me një përkujdesje hyjnore, por përgjigja nuk i erdhi kurrë, nga i madhi i vendit.
Pali aty ishte, si në pritje të Godosë së Beketit, por dihet që Godo-ja nuk vjen dhe njeriu erudit, zotërues i disa gjuhëve të huaja, po e provonte në kurrizin e tij, absurdin komunist, duke i mbetur thjeshtë të shtynte parmendën. Ishte një zhgënjim i pashoq. Si ishte e mundur që atë, një nga misionarët e kohës së re, e kishin flakur ashtu, nga ushtria, partia, sinoptika…! Tjetër ishin parullat e Partisë për “demokracinë popullore” dhe tjetër realiteti i vrazhdët politik shqiptar, i mbarsur me aq shumë luftë klasash.
Përgjatë gjithë jetës së tij, e kishin bashkëshoqëruar shumë visare autentike tëdheut të vet të lindjes, trevave veriore, ndër to “Lahuta…” e Fishtës, që ai e trashëgonte nga i ati, ndaj s’e kishte të mundur të ndahej prej saj. Pali, ndenji tre muaj, duke e mësuar përmendësh “Lahutën e Malcìs…! Ai, ato tre muaj, që i kishte “kërkuar” Kiço Londos, kishte mësuar “Lahutën e Malcìs” përmendësh. Në çastin që kishte dëgjuar kumtin, se libri i famshëm duhej zhdukur, kishte llogaritur me mend, se sa kohë i duhej për ta mësuar përmendësh.
Në kokën e tij do të rraseshin 16.000 vargje! Ky ishte një rekord. Mbase dhe vetë Fishta, nuk e kishte ditur të gjithin përmendësh, eposin e tij “homerik”. Ani se të mësuarit e “Lahutës” përmendësh, ishte një si modë e njerëzve të kohës, jo vetëm atyre veriorë. Dihet që “Lahutën” e dinin përmendësh dhe mjaft jugorë, si folkloristi i njohur Fatos Mero Rrapaj, e të tjerë.
Pas tre muajsh, pasi e kishte “fshehur” në kokë, më në fund i zoti i vihet ta djegë “Lahutën”. E kishte futur në stufë dhe i kishte vënë flakën, por libri, jo vetëm që po digjej ngadalë, por po çlironte dhe një aromë mbytëse, që gati sa nuk po i zinte frymën. Shpejt era dhe tymi, dolën nga dhoma e vogël e apartamentit, në korridorin e pallatit dhe në derën e tij, u dhanë komshinjtë. Po iu zihej fryma dhe atyre, ç’po ndodhte ashtu?! Çfarë po digjte Pali…?! Nuk ishte ndonjë magji natyrisht (edhe pse magjia, do të kishte hije në një rast të tillë), por libri ishte i vjetër dhe era e rëndë që çlirohej, vinte nga përmbajtja kimike e lëndës, me të cilën ishte bërë botimi.
…(Kishte dhe jo pak të tjerë, që i dinin përmendësh shumë këngë të “Lahutës”. Por nuk bënin zë. Rrallë qëllonte, që “dekonspiroheshin”…! Ishte viti 1984, kur ne, disa mësues të gjuhës dhe letërsisë, ishim ngarkuar të mblidhnim fjalë të rralla, në kohën e pushimeve të verës, për llogari të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Kur po flisnim për “sendet” e vjetra, në Kalor (Ungrej), në lëndinën para dyqanit të fshatit, një burrë hokatar më zë basi, nga katundi B., rreth 50 vjeç, nisi të thoshte përmendësh këngën e “Oso Kukës”…! I thashë si nën zë, se kishte lexuar “Lahutën” e Gjergj Fishtës, por në çast Marku, (kështu quhej) u step, sa nga unë, sa nga shitësi që ishte komunist, sa nga dy-tre persona të tjerë, që ishin mbledhur aty rastësisht, për të më “furnizuar” mua me fjalë të rralla.
“Jo, m’u kthye ai, unë thashë këngën e Oso Kukës, që e kam lexuar në tekstin e Folklorit të klasës së 11-të”! “Po kënga aty ka vetëm 15 vargje, kurse ti na the nja trefishin”?! – nuk u dorëzova unë, gjithnjë në mirëbesim të shitësit kashnjetas, me tesër Partie në xhep, i cili përpos se dashamir i tim eti, ishte njeri fisnik. Për të mos e zgjatur, iu afrova Markut tek veshi dhe i thashë, se nuk e “korisja” shkollën e lartë, që kisha kryer për Letërsi…! Kur ai më kthehet përsëri: “Po ti atje, ke mësuar vetëm tre rreshta, që Fishta është reaksionar”!
“Po, – i thashë, – por ka shkollë e mbi shkollë”, pa u shtyrë me tej, t’i thosha, se prej dy vjetësh, kisha nëpër duar “Lahutën e Malësisë” dhe “Anzat e parnasit”, dhënë nga im ungj (asokohe funksionar i prokurorisë së shtetit), veçse “Lahuta”, ishte e mbështjellë me kapakun e një romani rus, me titullin “Buka e bardhë”…)
Një monografi, për një personazh unik!
Studiuesi i përkushtuar Mark Mesuli, diplomuar për gjuhë dhe letërsi, gjeti një titull simbolik për monografinë e tij interesante, “Skifteri i Munellës”, një libër, që i bën nder çdo biblioteke, për atë çka sjell nga memoria e pashkruar e gjysmëshekullit të kaluar, përfshi dhe një tog fotografish, të zgjedhura. Më parë ai kishte kryer detyrën e kryetarit të komunës së Gjegjanit, dhe kur kishte rënë në “gjurmë” të Palit, kishte marrë udhën e largët, për ta takuar në Patos e, për t’ia “rikthyer” vendlindjes, përmes ftesës që Baca Pal, të ndihmonte për të bërë emblemën e komunës, ndonjë kumtesë, etj.
Kur i shkrepi që të shkruante dhe një libër për të, ai bëri shumë për t’ia ç’kyçur gojën Palit, i cili nga asgjë tjetër, nuk pengohej të fliste, përpos se nga modestia e tij brilante. Gjithsesi me mundim, po shkruhej një monografi për një njeri, me plot gojën disident, tjetër se ai nuk e mbante veten për të tillë e, nuk e dëshironte veten të afishuar, ndërkohë që po lulëzonin dhjetëra librushka biografike, për turlilloj nëpunësish mediokër që nuk kishin ndonjë gjë për të thënë, me jetën e tyre.
Pali kishte lindur me 28 prill 1926, në Kalivare. Pas mësimeve të para në konviktin “Mirdita” të Oroshit, kryen ‘Normalen’ e Elbasanit, në vitet 1938-1944. Përfshihet në forumet e rinisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga Ndrecë Ndue Gjoka, shefi i arsimit i Nënprefekturës së Mirditës, emërohet mësues, me 13 dhjetor 1944, bashkë me shumë të tjerë, por nuk fillon punë, pasi dërgohet për studime të larta.
Në vitet 1945–‘48 kryen Akademinë e Aviacionit Ushtarak në Beograd. Një vit më vonë, ai është i pari shef i Stacionit Qendror të Sinoptikës në Tiranë, pranë aeroportit të vogël të Laprakës. Bashkë me studiuesin bullgar, Isidorov, në vitin 1956, Pali kryen studimin për klimën e Shqipërisë, që vlerësohet nga Akademia e Shkencave e Bullgarisë. Shkon në Bullgari, për shkëmbim përvoje, por ai nuk dinte vetëm artin ushtarak të aviacionit dhe fluturimeve, po dhe të recitonte poezitë e Hristo Botevit. Në vitet 1956-‘61 shërben si oficer, me detyrën e shefit të stacionit meteorologjik, në regjimentin e forcave ajrore, në Kuçovë.
Me 1961, përjashtohet nga Partia dhe lirohet nga ushtria, por nuk dorëzohet, para sfidave të jetës. Me 1963, krijon bibliotekën e Naftës në Kuçovë, e cila më 1970, transferohet në Patos, në kohën kur për atje shpërngulet Instituti i Naftës e Gazit. Ajo bibliotekë, ishte me të vërtetë përrallore, me disa “kate” libra, 12 mijë tituj, përveç revistave, që vinin nga disa vende të Lindjes. Nuk mbetej prapa as biblioteka e tij vetjake, e cila kishte mbi 5 mijë tituj, në shqip e, gjuhë të huaj. (Shih: Mark Mesuli, “Skifteri i Munellës – Pal Nikollë Marku”, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 1999.)
Shqiptari erudit që u ndalua të ecte…!
Qysh herët, pasioni i tij kishte qenë libri, leximi, dituria. Punonte me zell shkencëtari, duke qenë i mirëpritur në Bibliotekën Kombëtare dhe rrethet shkencore e kulturore të Tiranës, së viteve ’50-të. Dukej qartë se ai ishte nisur për larg, në maja…! Po cili kishte qenë në të vërtetë faji i këtij njeriu idealist, që iu ndërpre udha e nisur? Vetëm se ishte njeri i elitës, i përulur pafundësisht ndaj dijes dhe urtisë, po kurrë ndaj diktaturës. Ai kishte kryer studimet jashtë vendit, në Beograd, pastaj ishte specializuar po jashtë, në Bullgari dhe kjo ishte e mjaftueshme, për të qenë përherë i dyshuar i regjimit. Pritej vetëm rasti dhe ai erdhi.
Jashtë i kishte kryer studimet e larta dhe i vëllai, Deda, dhjetë vjet më i ri, për inxhinier gjeolog, në Bashkimin Sovjetik, ku si student, kishte eksploruar Polin e Veriut, duke qenë i pari shqiptar, që shkelte atje. As Deda nuk do të bënte ndonjë karrierë shtetërore, do të mbetej gjithsesi në profesionin e tij, gjeolog në Pukë, pastaj në Tiranë, në institut, por duke u marrë dhe ai me punë kërkimore-shkencore, ku pati fituar gradën e doktorit të shkencave. Dy vëllezërit mirditas, kishin ndjekur udhën e shkollimit, falë të atit që kishte pas shërbyer në xhandarmërinë e Zogut në Shkodër dhe kishte kuptuar, se e ardhmja e breznive të reja, ishte shkollimi, ndaj një ditë e kishte marrë Palin për dore dhe e kishte çuar në Konviktin e Oroshit…!
Baca Pal, siç quhej me nderim nga bashkëqytetarët e tij jugorë, ishte njeridashës i madh, që rrezatonte fisnikëri, në çdo fjalë e në çdo gjest. Pas ‘90-ës, ai rikthehet te ajo elita e vjetër e viteve ’50-të, si dhe bën miq të rinj, në radhët e elitës bashkëkohore. Janë të shumta vlerësimet për të, nga njerëz të shquar të vendit, e ku nuk pati shkuar Pali tek ata, për t’u bërë i njohur, (kur ishte i ri) përmes tyre, por kishin shkuar ata tek ai, pasi kishin “zbuluar”, një nga ata njerëz që zor të besoje, se mund ta takoje ndonjëherë, në një vend jo pak të shprishur nga virtyti.
Mjafton të sjellim një pasazh të spikatur, nga një artikull i Mustafa Nanos me 2002, në “Shekulli”: “M’u aty (në galerinë e artit në Fier), rasti e deshi që të piqesha me një mirditor të ‘myzeqarizuar’, jeta e të cilit, ishte një roman i bukur tronditës. Emri i tij, ishte Pal Nikolla. I mbajtur, i gjallë, i kënduar e mendje-hapur, të ngjante me një monument shëtitës. Ishte një copë Mirditë, që gjendej shumë mirë, në fushëtirat e Myzeqesë, në të cilat kishte harxhuar tridhjetë vite të jetës. Pamja e jeta e tij, shkonte mirë, në atë bar-odë shqiptare…”!
Pali, si një ciceron i Myzeqesë, ishte kthyer në një pritës dhe përcjellës i të rinjve nga Mirdita, Puka, etj. Gjashtë muaj para se të ndahej nga jeta, në pranverën e vitit 2009, Pali shoqëron nëpër Apolloni, disa klasë gjimnazistësh të Rrëshenit, të cilët ndalojnë dhe para shtëpisë (muze), ku Jakov Xoxa shkruante romanet e tij. Një vit më pas, mësuesja e gjimnazit të Patosit, Mbaresa Nikolla, nusja e shtëpisë së Bacës, kur ai nuk do të ishte më, do t’iu printe nxënësve të saj, për një vizitë nëpër Mirditën e paharruar, të vjehrrit të saj.
Bredhi i Munellës, në Kuçovë si kujtim!
Sot e kësaj ditë në Kuçovë, është një bredh, që Pal Nikollë Marku, e pati marrë dikur nga bjeshkët e Munellës dhe e pati mbjellë aty. Në një nga ceremonitë kushtuar atij, pas vdekjes, një grup kuçovasish, sollën një fotografi të atij druri të blertë dhe kujtimet për Palin, që kishte pas qenë fort i nderuar në qytetin e tyre…! Historia e marrjes së filizave të pemëve diku dhe mbjellja e tyre diku tjetër, është aq e lashtë, qysh nga Pisha e Shën Françeskut…!
Njerëzit nga dashuria gjithnjë kanë mbjellë pemë, drurë, në rritjen e të cilave shihnin në njëfarë mënyre, rrathët e jetës së vet. Dhe Baca Pal, kishte marrë një bredh nga Munella, “Olimpi” i tij krenar dhe e kishte mbjellë rrëzë Tomorit…! Nuk ka mbase ritual më të bukur e domethënës, se pemë-mbjellja. Ata njerëz të ish-qytetit naftëtar, e duan fort atë pishë “malësore”, kujdesen për të, si për një monument të gjallë. Ata thuajse kanë krijuar një poemë të tyren, pa vargje, plot mirësi, për një njeri që e deshën shumë.
Baca nga Veriu, “Qytetar Nderi” në Patos!
Bashkëqytetarët e tij të Patosit, me kryebashkiakun Bardhi Meli në krye, u mblodhën një ditë dhjetori (2009), mbi treqind vetë, dhe e shpallën Bacën Pal; “Qytetar Nderi”. Ishte një nga ato rastet e rralla, kur një titull nderi, përputhej plotësisht me atë “titullin” jo zyrtar, që atij i kishte dhënë më parë qyteti i tij. Kishte në atë ceremoni, shumë naftëtarë, fonditorë, pilotë, meteorologë, shkrimtarë, artistë, gazetarë, etj. Nga Fieri dhe nga Tirana. Nga Mirdita dhe nga Berati. Se Baca Pal, ishte i gjithë Shqipërisë. Një dokumentar, një foto-ekspozitë, një botim, disa ligjërata, kushtuar atij…!
Gjithçka në vendin e vet. Ishte bërë lidhja me kohën e kaluar kur në gazetën “Luftetari”, me 1959, shkruhej për “Meteorologun” nga gazetari Vasil Gjylameti, “punën e tij të kualifikuar e shkencore”, në parashikimin e motit. Buletini i tij meteorologjik, ishte gjithnjë i pagabueshëm. “Që në të parë, Pal Marku duket se është nga malësitë tona, i gjatë dhe trupdrejtë, pak i hequr në fytyrën që ia hijeshojnë mustaqet e vogla, i shkathtë, i shpejtë dhe energjik”, do të portretizohej ai, nga publicisti ushtarak.
Por tashmë, a nuk duhet menduar dhe për ndonjë titull më të lartë? Ai është krijuesi i shërbimit sinoptik shqiptar (në fillim në varësi të ushtrisë), si dhe themelues i njërës prej bibliotekave unikale të vendit. Ai ishte mishërim i qendrestarit dhe sfidantit politik, të një regjimi antihuman, ndaj një akt-vlerësimi ndaj tij, do të ishte më shumë se për një figurë të radhës…! Padyshim që kësaj nisme, do t’i bashkoheshin plot intelektualë, që herët a vonë, kishin shkelur në “tempullin” e tij në Patos, e që natyrshëm, janë përfshirë dhe në albumin e tij fotografik, si:
Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Ismet Elezi, Alfred Serreqi, Luftar Pajo, Hajrie Rondo, Pirro Naçe, Fiqiri Sejdij, Baftjar Zeqo, Nuri Plaku, apo (nga mungesa), zëra si ai i aviatorit të famshëm, Niko Hoxha, apo Zenel Islamit, Ndrekë Lucës, etj. Një titull nderi për një “të Urtë” si Pal Nikollë Marku (Prendi), është një vlerësim për një shtresim intelektual të llojit të tij…! Që mbase më së miri, do t’iu shkonte përcaktimi: “Kalorës të urdhrit të dijes”.
Epilog
Ishte viti 1999 dhe Pal Nikoll Marku, po udhëtonte me traget nga Durrësi për në Bari, për tek i biri, Sokoli. Në traget ishte dhe një emigrant, që lexonte një libër të ri. Baca Pal, nuk mund të rrinte pa e shfletuar dhe i kërkon atij bashkudhëtari, që ta mbante ai ato dy-tre orë, që iu kishin mbetur…! Libri titullohej; “Toka e katedraleve” dhe në kapakun e tij, Pali shkruan një shënim të veçantë për veprën dhe autorin, që për rastësi, është ky i këtij shkrimi. Ngado që vente, ai bënte këso gjestesh prej fisniku, që askund nuk shkruheshin.
Përkthyes i sa e sa soneteve, ai në atë udhëtim, kishte shkuar dhe tek varri i Dante Aligerit në Ravenna dhe në një shirit të gjatë letre, me atë kaligrafinë e tij të përsosur, kishte shkruar vargun kozmik: “L’amor che muove il sol’e le altre stelle” (Dashuria lëviz diellin dhe yjet e tjerë), me të cilin poeti i madh fiorentin, përmbyll kryeveprën e tij, dhe e kishte lënë aty si një mbishkrim të rrallë simbolik, shkruar prej dorës së një shqiptari “dantesk”, që ashtu si “Lahutën”, kishte ditur përmendësh dhe “Ferrin”…!
S’kishte si të mos na kujtohej ky detaj atë mesditë në Patos, kur me Markun, Kozmain dhe Tolin, te varri i Bacës, vumë një tufë me lule, mbi gurin e sjellë nga Munella, siç ai e kishte pas lënë amanet në ditët e fundit të tij. Memorie.al