Nga Dr. Andi Pinari
Pjesa e parë
-Aleks Buda, një dijetar europian, në totalitarizmin shqiptar-
Metodologjia
Memorie.al / Ky prezantim i shkurtër do të përpiqet të pasqyrojë veprimtarinë shkencore dhe administrative, si dhe rrethanat në të cilat u ngrit dhe veproi personaliteti i profesorit, do të përqendrohet në çështjet e lidhura me marrëdhëniet e këtij studiuesi, si pjesë e elitës intelektuale në vitet 1945-1954, me modelin totalitar shqiptar. Këto vite mund të konsiderohen, si vitet më të ashpra të totalitarizmit shqiptar, sepse janë vitet e para të instalimit të një modeli të ri politik dhe shtetëror, që kishte si parim luftën e klasave dhe si mjet dhunën shtetërore. Veprimtaria e tij akademike e këtyre viteve, mund të ndihmojë për të kuptuar deri në çfarë mase orientimi i hulumtimeve shkencore, vinte nga tradita e Rilindjes Kombëtare dhe e periudhës mes dy luftërave, imponohej nga lart, apo varej nga studiuesi.
Përfshirja në karrierën administrative, duke mbajtur poste shtetërore, ishte një tjetër veçori që tregon për pozicionin e dyfishtë si studiues dhe zyrtar shtetëror, në disa pozicione të rëndësishme. Burimet kryesore që janë shfrytëzuar, janë dokumente të AQSH-së, si dhe dokumente origjinale, si letra apo shënime, që na janë vënë në dispozicion me shumë dashamirësi, nga zonja Tatjana Haxhimihali, e bija e prof. Budës. Me shumë vlerë për këtë punim, ka qenë edhe libri ‘Kujtime’ dhe ‘Kujtime 2’, ku jepen të dhëna me vlerë për jetën dhe karrierën e tij.
Po ashtu me mjaft interes, është edhe përmbledhja e kumtesave të konferencës Aleks Buda, “Një jetë për albanologjinë”, e organizuar nga Akademia e Shkencave, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, e zhvilluar në vitin 2010 dhe e botuar në vitin 2012. Në këtë konferencë, kanë marrë pjesë dhe kanë shprehur mendimet e tyre, studiues të historisë dhe bashkëpunëtorët e tij, që kanë pasur njohje personale me të.
Në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të vëna në dispozicion nga Autoriteti për Informimin me Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në emrin e tij, nuk rezultoi asnjë dosje personale, ndonëse përmendet në dosjet e kolegëve të tij, që ishin nën mbikëqyrje. Sidoqoftë, ky punim nuk mund të jetë shterues, sidomos lidhur me të dhënat nga materialet e panjohura arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, një fushë e gjerë kërkimi, që kërkon kohë dhe ndoshta në vitet në vazhdim, do të ketë edhe më tepër informacione nga këto dokumente të panjohura.
Formimi akademik dhe politik
Aleks Buda lindi në familje të shtresës së mesme, të shkolluar dhe të pajisur me një formim intelektual të nivelit të lartë, duke pasur parasysh nivelin e shoqërisë shqiptare të kohës. I ati, Dhimitër (Taq) Buda, ishte diplomuar në Greqi, si farmacist, me këmbënguljen e babait të tij, që ishte doktor i diplomuar në Itali.
Pasi përfundoi studimet në Selanik, Taq Buda ngriti një farmaci në qendër të qytetit, të cilën e drejtonte me profesionalizëm. Siç dëshmohet edhe nga një artikull i vitit 1913, të një gazetari austriak, të quajtur Kraus, që citohet te ‘Kujtime’-t, gjatë vizitës në qytet, i ra në sy një farmaci e pajisur në mënyrë moderne, me barna që vinin nga Selaniku dhe Trieste.
Taq Buda ishte mjaft aktiv në jetën publike të vendit, ende nën pushtimin osman, duke ndihmuar Rilindjen Kombëtare drejt finalizimit të pavarësisë së Shqipërisë. Ai ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe ndihmoi në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, si kontribuues me të holla, në ‘Normalen’ e Elbasanit. Ishte edhe një prej pjesëmarrësve aktivë në lëvizjen kombëtare, si aktivist politik dhe një prej firmëtarëve të dokumentit të shpalljes së pavarësisë në qytetin e Elbasanit, më 25 nëntor, qytet i cili e shpalli i pari pavarësinë.
Kjo tregon, ndër të tjera, edhe peshën e madhe që mbajti elita e qytetit të Elbasanit në jetën politike të vendit, elitë e cila ishte mjaft e angazhuar dhe zotëronte të gjitha aftësitë për përfaqësim dinjitoz në nivel kombëtar. Më pas, ai ishte deputet në dy legjislatura të parlamentit shqiptar, në vitet 1921-1924.
I lindur në vitin 1910, Aleks Buda u ndikua së tepërmi në formimin e tij patriotik qoftë nga familja, qoftë edhe nga atmosfera e viteve ’20-’30, ku mbizotëronte atdhedashuria e diktuar nga kushtet specifike të shtetit të ri, kur vendit i duhej medoemos të ngrinte dhe të forconte institucionet e tij. Taq Buda i dërgon fëmijët e tij në shkollë, duke ndjekur shembullin e të atit dhe duke besuar se investimi më i mirë për ta, ishte vetëm shkollimi.
Aleksi ndjek disa vjet shkollën në qytetin e lindjes, pastaj largohet, për të vazhduar studimet në Itali dhe më pas në Grac të Austrisë. Pasi përfundon gjimnazin në Salzburg, ku edhe mëson latinishten dhe greqishten e vjetër, pjesë e rëndësishme e kurrikulës shkollore në gjimnazin klasik, me nga 8 orë në javë, Aleksi regjistrohet në Universitetin e Vjenës, fillimisht në degën e farmacisë, duke pasur ndikimin e të atit. Pas vetëm një semestri, ndërron degë, duke u regjistruar në Fakultetin e Filozofisë, për të vazhduar studimet në degën e historisë dhe të letërsisë.
Ky drejtim që ai mori me vullnet të plotë, ishte rezultat i pasionit të tij për shkencat shoqërore, pasion që iu shtua më tepër, nga niveli i lartë i profesorëve të tij, ku veçohen albanologët e shquar; Karl Patsch dhe Norbert Jokl, me të cilët krijoi edhe marrëdhënie shoqërore, për shkak të njohjes së thellë që ata kishin për Shqipërinë. Gjatë viteve të studimeve në Vjenë, shoqërohej me studentët e tjerë shqiptarë, si Skënder Luarasi, Krist Maloki, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, etj.
Në ato vite fillon të formohet edhe ndërgjegjja politike, duke qenë bashkëkohës i një periudhe mjaft të trazuar për historinë europiane, si kriza ekonomike botërore, revolucioni bolshevik apo, ngritja e fashizmit dhe e nazizmit. Siç shprehet në kujtimet e tij, në Austri ai jetoi 18 vjet, që i konsideron si vitet më vendimtare të jetës, ku njeriu formohet intelektualisht dhe zhvillohet nga ana kulturore e, fillon të piqet si personalitet. Në vitet ’30-’40-të, Vjena ishte gjithashtu një qendër e rëndësishme e shumë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë, kryesisht e diasporës antizogiste, ku më të rëndësishmit, ishin Fan Noli, Sejfi Vllamasi, Azis Çami, Ali Këlcyra, etj.
Ndërkohë Tirana zyrtare mbikëqyrte me kujdes, të gjithë studentët shqiptarë jashtë vendit, veçanërisht ata të Vjenës, për të pasur nën kontroll diasporën antizogiste të këtij qyteti. Siç shprehet prof. Buda në kujtimet e tij, konsulli shqiptar merrte informacione mbi shqiptarët e atyshëm, ndër të tjera edhe për Aleksin, i cili së bashku me të vëllanë, Mihalin, konsideroheshin si të dyshimtë, sepse shoqëroheshin me profesorin e njohur Skënder Luarasi. Në dokumentet e Ministrisë së Arsimit, gjenden informacione të hollësishme mbi studentët shqiptarë, qoftë bursistë të shtetit shqiptar, qoftë studentë shqiptarë që i përballojnë vetë shpenzimet.
Një formular që plotësohej nga nëpunësit e Ministrisë dhe që firmosej nga prindi i studentit, vërtetonte statusin e studentit, për autoritetet shqiptare. Aty ndodhen edhe emrat e vëllezërve Buda, qyteti ku studionin, dega përkatëse dhe ecuria e studimeve. Miqësia e ngushtë me Skënder Luarasin, të cilin e quan me krenari edhe “mësuesi im”, duket se ka qenë një nga momentet vendimtare për formimin e tij. Aq i fortë ishte ndikimi i Luarasit në rrethin e studentëve shqiptarë, saqë në një letër të shkruar e të nënshkruar prej tyre, rreth 15 studentë, i drejtohen Ministrisë së Arsimit, në vitin 1930.
Ata u kërkojnë autoriteteve, që t’i rikthejnë bursën e studimit, Skënder Luarasit. Kjo bursë ishte ndërprerë në vitin 1929, pasi Luarasi akuzohej pa të drejtë nga konsulli Çatin Saraçi, si i përfshirë në aktivitet politike, kundër vendit të tij. Ky fakt hidhet poshtë nga nënshkruesit e letrës, të cilët shprehen se kjo akuzë kaq e rëndë, nuk qëndron, sepse karakteri i tij, nuk e lejonte kurrë, të punonte kundër atdheut të tij. Letra është nënshkruar nga Mihal e Aleks Buda, si dhe studentë të tjerë, mes të cilëve edhe Eqrem Çabej.
Fryma e solidaritetit të krijuar mes studentëve shqiptarë të Vjenës, ishte karakteristikë e atyre viteve të rinisë. Në këtë linjë dhe me pasoja të konsiderueshme, ishte vizita e vitit 1938 në Vjenë, e Ali Kelmendit, që ishte një nga veprimtarët e parë komunistë shqiptarë, i cili u strehua në dhomën e Aleksit, për disa javë. Ky episod bëri që policia e Vjenës, të ushtronte kontroll në dhomën e tij.
Këto elemente nga jeta e prof. Budës, tregojnë për një prirje politike drejt së majtës në vitet e studimeve, duke pasur si model social-demokracinë europiane, ndonëse kishte simpati për marksizmin, për shkak të polarizimit të skajshëm që diktonte koha. Vetë Luarasi, u ishte bashkuar vullnetarëve ndërkombëtarë në Luftën Civile spanjolle, që prej vitit 1936.
Buda diplomohet në vitin 1938 dhe fillon të merret me gjuhësi, me ndihmën e albanologut të shquar Norbert Jokl, në atë kohë profesor në Universitetin e Vjenës. Me pushtimin e Austrisë nga nazistët, Jokli filloi të vuajë persekutimin dhe Buda tashmë i diplomuar, kthehet në Shqipëri në vitin 1938. Me të mbërritur në atdhe, merret në pyetje nga policia për lidhjet me ata që përhapnin ide bolshevike dhe me Ali Kelmendin, dhe autoritetet shqiptare, e burgosin në Elbasan për 20 ditë.
Aleks Buda, si pjesëtar aktiv në rezistencën kundër pushtuesit
Pushtimi fashist i 7 prillit 1939, e gjen në Elbasan, ku merr pjesë në demonstratën spontane kundër pushtimit, që u zhvillua në qytet. Në shtator 1939, fillon punë si profesor i letërsisë në Gjimnazin e Tiranës, ku gjendet i rrethuar nga një mjedis intelektual dhe nga një atmosferë mjaft e ndezur, për shkak të pushtimit. Veç mësimdhënies, u përfshi edhe në shumë aktivitete me sfond politik, si shprehje e rezistencës spontane të intelektualëve shqiptarë, ndaj pushtimit italian.
Si profesor i letërsisë, ai drejtoi dhe vuri në skenë pjesën teatrore “Vilhem Tel”, ku aktorët kryesorë ishin studentët e tij. Kjo pjesë u perceptua prej tyre, si një model i rezistencës ndaj pushtimit ku, veç të tjerash, gjatë shfaqjes u këndua, edhe pse nuk ishte fare pjesë e dramës, kënga patriotike; “Për Mëmëdhenë”. Shfaqja u pezullua dhe prof. Buda u thirr në Ministrinë e Arsimit, për të dhënë shpjegime.
Në vitin 1940, e transferojnë në Liceun e Korçës, ndonëse autoritetet nuk e lënë të qetë dhe pasi i kontrollojnë shtëpinë ku ishte vendosur në Korçë, e shoqërojnë në Tiranë, drejt burgut. Atje merret në pyetje, lidhur me arsyet e qëndrimit të tij kundër pushtimit dhe pjesëmarrjes së tij, në manifestimin e 28 nëntorit 1939. Pas pak ditësh lirohet nga burgu, pa ndonjë akuzë dhe rikthehet në Korçë. Në verën e vitit 1940, rekrutohet me forcë në ushtrinë italiane dhe dërgohet në Itali, bashkë me shumë mësues të tjerë.
Kjo ishte një nga mënyrat e fashizmit, për të bindur e për të nënshtruar inteligjencën shqiptare. Arrin të shpëtojë nga shërbimi ushtarak, duke siguruar një raport mjekësor dhe në gushtin e vitit 1941, rikthehet në Liceun e Korçës, ku qëndron vetëm 6 muaj, pasi kishte arritur të regjistrohej në Universitetin e Padovës. Aty ndjek kurse kualifikimi në gjuhësi dhe punon pranë linguistit italian, Taliavini, duke studiuar linguistikën e përgjithshme ballkanike.
Në verën e vitit 1942, kthehet përfundimisht në Shqipëri, sepse gjendja e krijuar në familjen e tij, nuk e lejon më të udhëtojë drejt Padovës. I vëllai, Sofokli Buda, ishte përfshirë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke qenë një nga anëtaret më aktivë të njësitit gueril të Elbasanit. Për këtë arsye, atij i arrestojnë nënën, të cilën arrin ta lirojë pas pak kohësh.
Rifillon punë në Gjimnazin e Tiranës dhe lidhet përfundimisht me Lëvizjen, duke u përfshirë në Këshillin Nacionalçlirimtar ilegal të Tiranës. Në shtëpinë e tij, organizohen takime të këtij këshilli. Prej vjeshtës së vitit 1943, ai shkon në Elbasan, sepse ishte caktuar të merrte pjesë në Këshillin Nacionalçlirimtar, të qytetit të Elbasanit.
Ndonëse i angazhuar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, gjë që do t’i jepte mundësi të angazhohej më pas edhe në poste shtetërore, ai ishte një intelektual, që kishte krijuar reputacion mes studiuesve shqiptarë. Ndër të tjera, ky bashkëpunim, duket edhe në marrëdhëniet me Arshi Pipën, me të cilin ishin kolegë për një kohë në Gjimnazin e Tiranës dhe i lidhte pasioni për dijen e librin.
Në një letër që Pipa i dërgon Budës, në mars të vitit 1944, i kërkon të shprehë mendimet e tij, lidhur me botimin e librit ‘Lundërtarë’ të Pipës, si dhe për numrin e parë të revistës ‘Kritika’, që ky i fundit kishte filluar të botonte. Pipa i thotë, ndër të tjera: “Është e tepërt të shtoj se bashkëpunimi yt, do të jetë një ndihmë e madhe dhe se pres prej teje, më tepër se prej të tjerëve”.
Një tjetër letër me interes e kësaj periudhe, është edhe letra që i dërgon At Zef Pllumi, në vitin 1944, ku ndan mendimet e tij mbi veprën e albanologut Lambertz dhe trajton çështje që kanë të bëjnë me historinë e lashtë të Shqipërisë, sidomos në zonat e Veriut. Këto komunikime na flasin shumë, për profilin e lartë prej studiuesi që kishte krijuar prof. Buda, që në fillimet e karrierës së tij.
Sidoqoftë, formimi i tij intelektual dhe patriotik, si dhe ndikimi i familjes së tij, me emër në qytet, bëri që ai të shndërrohet në një përfaqësues të rëndësishëm të intelektualëve, në luftën kundër pushtuesve. Në shtator 1944, u zgjodh nënkryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të qarkut të Elbasanit. Në fund të vitit 1944, shkon në Kongresin e Beratit dhe thirret për të punuar në Ministrinë e Kulturës.
Në krye të Bibliotekës Kombëtare
Në vitin 1945, ai emërohet në krye të Bibliotekës Kombëtare. Këtë detyrë e kishte marrë gjatë mbledhjes së Beratit, nga Sejfulla Malëshova, i cili do të bëhej ministri i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, e gjeti Bibliotekën Kombëtare Shqiptare, me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Fillimisht biblioteka ndodhej në një ndërtesë të vjetër dhe të amortizuar tiranase, që ishte dëmtuar edhe më tepër gjatë çlirimit të kryeqytetit. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot, si “aneks” i saj.
Kjo ndërtesë e re ishte ndër ndërtesat më madhështore të qytetit dhe gjatë pushtimit, kishte qenë selia e Luogotencës. Ai caktohet për të marrë në administrim librat e Mid’hat Frashërit, që ishte larguar në Itali. Koleksionet me karakter albanologjik, u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit edhe të disa librarive dhe bibliotekave private, të personaliteteve të kulturës, si; Lef Nosi, Mustafa Kruja, Lazër Shantoja, Vangjel Koça dhe biblioteka e pasur e jezuitëve, që prof. Buda, i quante; ajka e inteligjencës së Shqipërisë.
Në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Puna në bibliotekë, filloi me studimin, formimin e kartotekës dhe hartimin e një bibliografie, duke e shndërruar në bërthamën e një institucioni shkencor. Prof. Buda, konsultohej me Sotir Kolean, që kishte qenë drejtori i mëparshëm i bibliotekës. Ndërkohë, nëpër qilarët e bibliotekës u gjet arkivi i Luogotencës italiane, me materiale shumë të rëndësishme të kohës së pushtimit fashist, materiale të cilat me krijimin e Institutit të Shkencave, kaluan në sektorin e arkivit të seksionit të historisë, duke shërbyer si bërthamë e Arkivit të Shtetit.
Gjatë kohës që punonte me zell për Bibliotekën Kombëtare, por edhe si lektor i letërsisë për aktorët e Teatrit të sapo ngritur, prof. Budës i ngarkohet një detyrë e vështirë dhe e rëndësishme, që tregon edhe për vlerësimin që kishin për të si historian, autoritetet e reja. Ai përzgjidhet si pjesë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Në verën e vitit 1946, së bashku me një grup pune, ishte caktuar në komisionin që do të trajtonte çështje të historisë, etnografisë dhe gjuhësisë, sido-mos në raport me pretendimet e qeverisë greke ndaj Jugut të Shqipërisë. Puna kërkonte studimin e literaturës dhe dokumenteve të pas Luftës së Parë Botërore, veçanërisht të Konferencës së Versajës, të viteve 1919-1920, ku qenë trajtuar çështjet e kufijve.
Profesor Buda, së bashku me kolegun e tij, Petraq Peppo, studiuan urgjentisht në ditët e fundit të korrikut dhe në dhjetëditëshin e parë të gushtit, literaturë e dokumente për çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes të Parisit, 1919-1920, veçanërisht për kufijtë shqiptarë. Ishte koha kur qeveria greke, kishte ngritur pretendime në Konferencë, për kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe për ndëshkimin e saj, si shtet aleat i Boshtit fashist.
Detyrë kryesore e delegacionit shqiptar ishte, që të hidhte poshtë me fakte dhe argumente pretendimet greke, të cilat kishin edhe mbështetjen e hapur të disa qeverive perëndimore. Këto fuqi, do të shënonte në atë kohë prof. Buda, “na kanë mohuar të drejtat tona. Qëndrimi i anglo-saksonëve, nuk asht i drejtë; e njohin realitetin, megjithatë, nuk na ndihmojnë…”!
Kjo vështirësi e bënte edhe më të rëndësishme detyrën e dy historianëve, për t’i dhënë udhëheqjes së delegacionit argumente, sa më të mbështetura e bindëse. Sipas rrëfimeve të tij, ai u befasua kur dëgjoi në radio, se do të ishte pjesë e delegacionit të kryesuar nga Enver Hoxha dhe Hysni Kapo, në përbërje të të cilit, ishin edhe Behar Shtylla, si diplomat, Manol Konomi, si jurist, Pëllumb Dishnica, si ushtarak, Misto Treska, si Prokuror i Përgjithshëm, Kahreman Ylli, si ministër fuqiplotë i legatës shqiptare në Francë, Dhimitër Popa, si diplomat i vjetër dhe Petraq Peppo, si historian.
Si drejtor i Bibliotekës Kombëtare, rrëmoi e gjeti në fondet e saj, gjithçka sa kishte, ndërsa Pepo shkoi në Korçë, e mori nga biblioteka e qytetit, gjithë dokumentet, letrat e memorandumet e Konferencës së Parisit, 1919-1920, që ndodheshin aty. Në Paris delegacioni zyrtar shqiptar qëndronte në të njëjtin hotel dhe hanin të gjithë bashkë. Ishte momenti i takimit me Enver Hoxhën, emrin e të cilit, e kishte dëgjuar gjatë luftës, por nuk kishte pasur rastin ta njihte më nga afër.
Buda shprehet se në atë kohë, dukej i hapur dhe bisedonte me ta në tryezë, si një njeri i thjeshtë, sepse ende nuk kishte filluar kulti i individit. Më 21 gusht delegacioni shqiptar u paraqit në Konferencë, ku u përballën me argumentet greke, sipas të cilave Shqipëria nuk mund të konsiderohej një shtet fitues i luftës, pasi kishte qenë pjesëmarrëse në sulmin italian ndaj Greqisë në vitin 1940. Pikërisht për këtë fakt duhej qe t’i paguante Greqisë njëfarë dëmshpërblimi, pra tokat në Jug. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm