Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e nëntëmbëdhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
‘Partia jonë syshqiponjë, i di të gjitha gjuhët dhe i zbulon armiqtë edhe në bri të buallit po të futen. E more vesh apo jo? Dhe i bije para drejtësisë popullore, që t’iu japë dënimin e merituar’. Griu sa deshi. Më futën tre nene të Kodit Penal të Republikës Popullore të Shqipëri… më dhanë njëzet vjet burg dhe një pesëshe internim, e të më bën pulitikan. E more vesh, o’?
“T dëgjova, o i miri xha Ali, po vesh s’e mora”!
‘Kurrë mos e marrsh, o’…!
Metamorfoza
E liruan aty nga viti 1985. Që vitin e parë mbas dënimit, plaka i vdiq në çmendinë. Iku nga fiqiri qyqarja, sepse pasi e detyruan t’i delte dëshmitare të shoqit, s’mundi të jetonte më gjatë! Djemtë, nuset, nipërit dhe mbesat, pas njëzet vjetësh e harruan babanë e dashur, vjehrrin e mirë, gjyshin e dhimbshëm dhe u shpërndanë si zogjtë e korbit, nga sytë këmbët.
Pa prekur pragun e shtëpisë, e nisën në internim në Malinat, rreth dy orë larg fshatit, mes kurvave dhe hajdutëve faqezinj, ku u ndje si delja në tufën e dhive dhe iu duk burgu lule. Operativi dhe i plotfuqishmi e kalonin dy herë në ditë në apel, kurse kodoshët dhe putanat, e provokonin pareshtur.
Teksa koha rridhte, plaku zymtohej dhe u mbyll në guaskë si kërmilli. Tashmë, i braktisur nga të afërmit dhe i nëpërkëmbur nga zuzarët e pushtetarët, i dukej jeta pa kuptim. Atëbotë punoja në fermë, po gjatë periudhës fund-dimër-pranverë, punët shternin, ndaj forcat i përqendronin në sektorët ndihmës. Më çuan në Malinat për hunj domatesh.
Pas ndonjë jave më erdhi radha të mbushja ujë, në burimin e vetëm ku furnizohej fshati. Me gjymin në dorë, gjarpërova bërrylin dhe zbrita një dishezë, përfund së cilës rridhte përroi, që zinte fill në lartësinë e kullës së Tankut. Në një lirishte ndanë burimit, ish ulur një moshatar shtat-imët, veshur me shajak dalë-boje dhe një qylaf të rrjepur pelushi.
Po mbllaçitej këmbëkryq, me kosoren mbi gjunjë dhe një facoletë të vjetër, ndehur mbi dheun e rrahur nga mijëra këmbë. Duket kish zgjedhur burimin të regjte kafshatën e, të ngjëronte bukën e zezë. Në pamje të parë, më la përshtypjen e një endacaku të rrëgjuar, që s’di pse më kujtoi Ali Hoxhallarin.
E përshëndeta si çdo të panjohur, mbusha gjymin dhe bëra të largohesha, por bash në krye të rrëpirës më detyroi të ktheja kryet një kollë ndjellëse. Dyzimi zgjati një çast, i pasigurt shpejtova çapat dhe humba mes shkurreve, kur dëgjova: “Pse s’ndenje ta ndezim njëherë, o”?!
Ndala, hetova maret mos pikasja ndonjë shenjë dyshimtare dhe riktheva sytë nga figura e pakët. Nën mustaqet e zverdhura nga tymi i duhanit, u çelën një palë buzë të holla, që zbuluan ca dhëmbë të rrallë e të krimbur, teksa rrudhat skaj syve përvijuan do hulli horizontale, që prenë vertikalisht fytyrën zeshkane dhe humbën nën mjekrën thinjoshe të parruar prej ditësh. Avulloi çdo dyshim, ishte Aliu i plakur, mos o zot ato vite që s’ishim parë.
“Si të kam, o Ali”! – hapa krahët dhe e pushtova i malluar.
“Ejvallah, sa më gëzove o çun”!
“Si ke qenë, o Like”?
“Jetë me tukeq, hiqe mos e këput, o”!
“Shpresa vdes e fundit, xha Ali”!
“Ajo ka vdekur me vakt, nashti ka mbetur kjo rrangallë pa pikë vlefte”! – i ra gjoksit me grusht.
“Jeta vlen përherë”! – u rreka t’i ngjallja interesin plakut të vajtur.
“Dikur, po nashtithi, na mbyti pocaqia, o”! – fshiu ca thërrime që ishin pleksur nëpër qimet e parruara dhe vijoi: – “Ç’kemi, je martuar o”?
“Ka do kohë”!
“Vallahi, e kam ditur unë, je i zgjuar ti”!
“Si i ke fëmijët”? – pyeta për adet.
“Për ça i do, më mirë djepi bosh, se shejtanin brenda, o”!
U çudita, e gjeta të tjetërsuar Liken optimist, të qeshur dhe gazmor. Fytyra e rrudhosur, shprehte trishtim dhe dhimbje të thellë, kurse sytë e zgavruar, iu shëmbëllenin gacave që tentonin t’iu fshiheshin mizorive të botës, që e kishte flakur në Tartar.
“Me kë jeton, Like”? – ndërrova temë.
“Vetëm, o”!
“Po djemtë”?
“Një Zot e di, ku janë”!
“Nuk i takon”?
“Ç’t’i takoj, kur s’u bënë të gjallë kaq vjet, o”!
“Kjo shkreti na rrethon të tërëve, o Like”! – u rreka t’i lehtësoja barrën e derteve.
“Ti je i ri dhe e ke jetë përpara, o”!
“Edhe ti je ende i mbajtur”! – u orvata t’i jepja zemër.
“A-ha-a, iku vapa me gushtin, xhan i Likes! E hëngra çairin, po mudebari të kisha parë një sahat rehat”!
“Hum-hum”, m’u zgërdhi një qen i bardhë.
“Pusho balo”!
“Hum-hum”, vazhdoi qeni.
“Qasu biro, se qy është miku im, o”!
Qeni kaloi në krahun e kundërt, gllabëroi një çapë bukë, që i zgjati i zoti dhe iu fërkua pas shajakut.
“Gjezdise gjer njimë o, apo u bëre edhe ti zabërhanë, o”? – iu trys Aliu, si t’i fliste një robi.
“Ham-ham”, u gjegj qeni qenërishte.
“E di, ke qefin tënd balo xhani, po u plakëm nashti”! – hodhi sytë rreth e qark: “Ruhu, se vetëm ti më ke mbetur”! – i shkoi shputën e rreshkur mbi krye dhe e giciloi, qeni u shtriq më një krah dhe fërgëlloi nga kënaqësia që i jepte dora e të zot, pastaj hodhi drejt qiellit një; ham-hum-hhhëm, shtriu gjuhën një pëllëmbë dhe mbylli sytë.
“Fli biro, se je lodhur tërë natën”!
“Qeni yt është ky”?
“Nga gjithë të gjallët, qy ka mbetur”! – zgjati dorën e rrudhur si pergamenë mbi kokën e qenit. – “Të keqen, s’më tradhtove kurrë o Balo”! – qeni gërhiti sërishmi; gërr-rr dhe u dystua mbi truall.
“Nga të Greqisë është ky”?
“Jo, e kam të shtëpisë”.
“Ah-a, kujtova se ishte nga ata tradhtarët, që u arratisët bashkë”! – e cyta për t’i kthyer humorin.
“S’tradhtuam gjë, as unë as qentë, o”!
“Ama Greqinë, e shkelët apo jo”?
“O-u-ah, ta dija ç’më priste, s’do isha kthyer. Sado i hidhur të jetë kurbeti, është ku e ku, më mirë se burgu dhe internimi. Pastaj me treqind krerë dhenë dhe tre qenë, do ta kisha ngrysur pleqërinë rehat”. – nxori një “ah”, nga thellësia e gjoksit dhe thithi llullën.
“Si po kalon, o Like”? – doja ta ktheja në realitet.
“Për ibret jalem, me rrospi, kurvarë dhe zuzarë”!
“Si Zejnullai”?
“Ç’Zejnulla o, në fshat paç vetëm një, këtu kanë mbledhur gjithë horrat dhe putanat e dynjasë”!
“Lëri në të tyren dhe shih punën”! – tentova ta qetësoja.
“Mirë, mirë, po s’të lënë ata! Ah të keqen e burgut, o”! – shfreu plaku.
“Këtu je i lirë Like, pa policë pas”!
Për ç’liri flet, o? Atje kishe pas policët, ama para kishte burra zamani, që të ngjiste muhabeti! Këtu veç Balua më ka mbetur”!
“Hum-hum-hëm”, u tërhuz qeni sapo ndjeu t’i përmendnin emrin.
“Pusho se po bëjmë muhabet burrash nashti”!
“Të paktën ia di gjuhën këtij”! – e ngacmova unë.
“Më mirë Balua, se ky pis milet”! – hum-hum, gërr-gërr.
“Turçe? Arapçe”?
“Ha-ha-ha, s’e paske harruar, o”! – për herë të parë iu çel fytyra dhe një rreze i vetëtiu në sy.
“Ti je politikan i mbaruar, o Like”! – e ngacmova për të qeshur.
“Ç’pulitikan ziu, me dhelprat e marishtes, do bëj pulitikë, o”!
“Njeriu iu përshtatet kushteve”!
“Or ç’llafos qy-o, me këta s’po ujdiset Balua, jo më unë”?!
“Enver Hoxha, o tungjat’jeta, sa k’to male, o sa k’to shkrepa, zanin shqipes, o naltë ja ngrite, gjithëkët’ popull…në mut e qite”! e vazhdoi Likja këngën, e nisur nga ca zëra rinorë. “Hum-hum-ham-gërr”, i mbajti iso Balua.
“Ç’mut race këta horrat dhe kurvat që kanë mbledhur këtu”! – shfreu si t’i hakërrehej ndonjë hije pas kurrizit.
“Lëri, janë në dyzenin e tyre”! – doja t’ia fashisja inatin.
“I marrtë dreqi këta soj domuzësh, që i këndojnë gazepit, që iu shoftë fara dhe mos i mbettë rasat”! Ngjeshi pelushin e rrjepur, kapi kosoren me një dorë, me tjetrën tundi qenin dhe u ngrit.
“Erdhën malukatët, s’dua të të shohin me mua”!
“Qëndro Like”?
“Hap sytë, bir! Janë farë e helmët këta pizevengë, s’duan as etërit që i kanë pjellë”!
“Ptu-uh”, hodhi një këlbazë drejt zërave dhe iu ngjit rrëpirës me shkathtësi të habitshme për moshën, ngriti dorën dhe e tundi në boshllëk, si të më jepte lamtumirën, ndërsa Balua tundi bishtin leshatak dhe u zhdukën mes marishtes për mos t’i parë më…!
Ky qe takimi i fundit me Alinë, sepse do takoheshim sërish pas një duzine vitesh, po kësaj here…me eshtrat e tij dhe të Balos, të mbetura në shajakët e leshtë.
Skelete të përzier
Mbas fitores së Partisë Demokratike, u bënë reforma radikale në organet e policisë, po nxirreshin në lirim të parakohshëm sigurimsat dhe larot që shkatërruan jetët njerëzore. Më ngarkuan detyrën e shefit të personelit në Degën e Rendit në Berat. Si i mbijetuar i burgjeve, u interesova për fatin e bashkëvuajtësve që’ e mbyllën jetën të braktisur edhe nga familjarët, sa s’iu dihej varri.
Kur shefi i rendit I.S., më kërkoi takim, e kujtova ndonjë masë preventive, për t’i shpëtuar ndëshkimit demokratik, ndonëse kish më pak se një vit oficer, po mbi pesëmbëdhjetë vjet në polici. E kish nisur karrierën ushtar-polic, më pas polic efektiv dhe vonë kishte mbaruar Akademinë e Policisë, por duket s’gëzonte besimin e titullarëve për detyra të larta, sepse e lanë pas dore. Në fundvitin 1991, e titulluan oficer dhe në vigjilje të demokracisë, e emëruan shef rendi.
Shkëmbyem përshëndetjet dhe ai më shprehu konsideratë, po e mora me rezerva dhe e pyeta nëse kish ndonjë gjë që s’shkonte.
“Jo, besimi juaj më bën të ndihem i privilegjuar, sot kam ardhur të shkarkoj një barrë, të cilën e mbaj prej vitesh në shpinë”.
“Fol pa teklif”! – e nxita, madje e ftova për kafe për t’ia bërë më të lehtë.
“Do isha i lumtur, t’ua jepja unë”! – më ndërpreu. – “Jo për detyrën, as për servilizëm, po s’e imagjinoja se do vinte dita, të pinit kafe me mua”!
“Pse duhet të mendoje kështu”?
“Për shkak të së kaluarës sime, në këto organe”.
“S’ke pse kompleksohesh, kafen mund ta pi me gjithkënd, por nëse vërtetoj se je pleksur me afera politike dhe ke shkaktuar fatkeqësi, për motive të tilla, do largohesh si të tjerët”.
“Pikërisht për këtë kam ardhur, të pastroj shpirtin dhe të zbraz dertin. Deri tani s’kisha parë ndonjë shteg të volitshëm, të lirohesha nga ky makth”.
“Shprehu lirshëm”- e nxita.
“Mendoj është koha e duhur dhe ju njeriu i duhur”.
“Po dëgjoj me vëmendje”.
“Kur isha ushtar, më çuan ndihmës të plotfuqishëm në Tërpan, – ia nisi. – Mbulonim territor të gjerë, pa mundësi lëvizjeje me mjete transporti, detyroheshim të ecnim në këmbë dhe shpesh flinim andej. Ndodhte të rrija me muaj pa zbritur në qytet, sepse zona përfshinte Tërpanin, Malinatin dhe…”!
“E di, kam qenë në atë krahinë”.
“Pikërisht, aty dua të dal. Eprorët na kishin ngarkuar të mbanim nën kontroll të internuarit, sidomos ata politikë. Po ç’them unë? Tamam-tamam, mbikëqyrja e të internuarve politikë, ndonëse të paktë në numër, krahasuar me ordinerët, ishte detyra jonë.
Meqë isha i përditshëm, më njohën fshatarët, punëtorët e fermës, të internuarit, ordinerë e politikë, sigurisht edhe drejtuesit e Partisë. Fitova besimin e të gjithëve, për faktin se edhe familja, e kish prejardhjen nga ajo krahinë”.
“Bjeri shkurt”! – e ndërpreva, se m’u duk tepër e gjatë hyrja.
“Më fal, doja të krijonit një ide rreth asaj çka do t’ju tregoj”.
“Fol, gjithsesi”.
Do flas se plasa! S’ndihem i qetë pa e zbrazur këtë peng, që më peshon prej vitesh”! – i ra gjoksit.
“Fol pa teklif”.
“Atje është një varr pa shenjë, madje s’është fare varr, po gropë! Gropë e harruar, e dystuar! Në të dergjen eshtrat e një fatkeqi, madje dy, një robi dhe një qeni që rënkojnë, gulçojnë, ulërijnë…”!
“Ali Hoxhallari”!? – e ndërpreva pa vetëdije.
“Po! E ditke”! – shfreu i çliruar.
“Jo, s’di ndonjë gjë konkrete”!
“Atëherë është telepati”?
“Jo, hamendje”!
“Shumë e çuditshme”! – u skuq gjer në rrëzë të flokëve. “Mendoja se e dija vetëm unë”! – shfreu, mbase për të qortuar veten, pse ishte torturuar gjithë ato vite. – “Po s’paska qenë e fshehtë”!
“Kur përmende qenin, hamendësova Aliun, po s’e di që e kanë varrosur atje”.
“S’e kanë varrosur, e groposën! Prita, po s’u bë njeri i gjallë, tani që e rrëfeva ndihem i qetë”.
“Eja pimë kafe”! – e ftova të zbrisnim në lokalin ngjitur me ndërtesën e burgut.
“Të shkon tatëpjetë këtu”? – m’u drejtua. Mbase priste të merrte përgjigje mohuese.
“Pronarët janë njerëz të mirë”!
“S’flas për ata, vendi s’të kujton vuajtjet”?
“Më kanë dënuar në Shkodër, paçka se burgjet ishin kudo murdallëk”.
“E kisha fjalën për policët”?
“Edhe ata një surrat kishin, ndryshonin vetëm emrat”!
“Jo, s’ishim aq të ngjashëm! Mbase të tillë iu dukeshim juve, që na shihnit nga qelia apo ata nga jashtë, po na pyet neve, që shërbenim këtu”!
“Pse, ndryshonit”?!
“Kryekëput! Pjesa dërrmuese, ishin policë dhe oficerë hallexhinj, që s’i pyeste kush, i përbuznin dhe i trajtonin si zhele materniteti, që i hekurosin sa kohë shërbejnë dhe i djegin në krematorium, sapo përmbushin misionin. Neve na quanin; ‘polo’ në sy, pas krahëve ‘lolo’, na urdhëronin të shoqëronim njërin dhe tjetrin, pa na shpjeguar, pastaj përvetësonin çdo meritë, çdo shpërblim, çdo dekoratë dhe na faturonin dështimet, si të ishim gërbula apo shtupa, që fshin këpucët. Ndaj, policët mbështetën Partinë Demokratike”.
S’po doja ta besoja, një mendje më thoshte se po vetëmbrohej për veprimet e paradokohshme.
“Shef, e di ç’po mendon”? – më pa pjerrtas.
“Çfarë”?
“E marrë me mend, desha të them”!
“Si thua, a kam të drejtë”?
“Plotësisht, por mos na gjyko, pa u futur nën lëkurën tonë. Jo për t’u mbrojtur, por është realitet i panjohur për ju dhe ata që na shohin shtrembër”.
“S’iu fus të tërëve në një thes, pavarësisht se s’penetroj dot në ndërgjegjen tuaj, siç s’hyn dot ti në timen”.
“E pranoj. Po edhe ne, na brente ndërgjegjja kur shihnim që ju dënonin pa të drejtë. Ndonëse s’i kundërviheshim dot Sigurimit, gjenim forma të tjera”.
“Për shembull”?
“I kryenim mangët detyrat që na ngarkonin, ose s’i kryenim fare dhe e rrudhnim dorën në raportet që bënim, edhe pse personat e piketuar për t’u goditur, i njihnim nga afër”.
“Po bën avokatin, që të besoj”?
“Më lejo ta ilustroj me një rast, te përroi i Kroit në Malinat, kur ju dhe Ali Hoxhallari, deformuat një këngë për udhëheqësin”.
“Edhe këtë e paskeni shënuar”?!
“Ehu-u, s’linim gjë pa regjistruar ne”!
“Prapa ferrës, paske qenë”?!
“Informatori ynë”!
“Ta marr të mirëqenë”?
“Pa mëdyshje”!
“Po bën presion, apo do të më bësh borxhli”?
“Sa vlerë do kishte? E përmenda për të thënë, se s’i raportonim të gjitha, ne e kuptonim që edhe i survejuari edhe mbikëqyrësi, do kishin një fund, i pari burgun pa faj, i dyti koshin e plehrave”.
“Kaq i ndërgjegjësuar paske qenë”?!
“Përvoja, i dashur! S’ishim qorra të mos shihnim, si po ua hante kokën shokëve? Eprorët s’i donim, se ishin qelepirxhinjve, mburravecë, që shtonin dekoratat në gjoks dhe dashnoret në shtrat, me punën tonë”.
“Ashtu”?! – bëra të habiturin.
“Kur i kërkoi eprorit, t’i jepte detaje për objektin që kish nën survejim, shefi i dehur xurxull, na rreshtoi dhe iu shkreh një kolegu të devotshëm: Cili dashka të dijë më shumë? Ti? Ti? Ti? E dini kush jeni ju? S’e dini, ëh! Mirë, po ua them unë! Shkopinj haleje, që pastron mutin e llagëmit dhe e fsheh pas ferrës’!
Cili s’do poshtërohej veç spiunëve që na i kishin vënë pas? Pra, policët e bazës, e kishin kuptuar dhe vepronin pak a shumë njësoj, domethënë s’vepronin fare”.
“Po si u mbushën burgjet, me të pafajshëm”?!
“Sigurimi rekrutonte efektivë me prejardhje harbutërie, me të cilët përgatitën kontingjentin e të përbetuarve dhe i shpërndanë kudo. Ata furnizuan burgjet politike, sepse te ne s’kishin besim, na çonin roje institucionesh ose, na ndërsenin pas bixhozxhinjve, hajdutëve dhe kurvave si zagarë…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016