Nga Dr. Ledia Dushku dhe Doris Pasha
Pjesa e dytë
“Regjimi komunist dhe studiuesi”, rasti i biologes Sabiha Kasimati
Memorie.al / Artikulli ‘Regjimi komunist dhe studiuesi’: rasti i biologes Sabiha Kasimati, ka si qëllim të paraqesë aspekte thelbësore të veprimtarisë së Sabiha Kasimatit, si intelektuale dhe studiuese, të vendosura në kontekstin historik të kohës. Analiza në radhë të parë synon, t’i japë përgjigje pyetjes, se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte Sabiha Kasimati, para vendosjes së regjimit komunist, për të kuptuar në vijim sjelljen e regjimit karshi saj. Paraqitja në disa këndvështrime e personazhit, ndihmon lexuesin të kuptojë deri në çfarë mase sjellja e regjimit ndaj intelektualit, kushtëzohej nga veprimtaria shkencore, tiparet e profilit psikologjik, apo marrëdhënia me drejtuesit e lartë komunistë, në rastin e Sabiha Kasimatit me vetë Enver Hoxhën.
Për suksesin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke të posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo e kishte përgatitur tashmë. Krahas bibliotekës, Sabiha Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative. “Të gjitha këto, – evidentonte Kasimati, – përveç interesit shkencor, do të kishin edhe një rëndësi të lartë nga pikëpamja gjuhësore, mbasi do t’arrihesh të mblidheshin, të seleksionoheshin dhe të caktoheshin njëherë e mirë, në rast se nuk ekzistojnë emrat dhe termat teknikë shqipe, gjë që do të pasuronte mjaft gjuhën t’onë kombëtare”.
Në projektin e mësipërm, dukshëm vihet re mënyra shkencore dhe akademike e formulimit të tij. Ndonëse në fillimet e karrierës së saj si studiuese, propozimet e Kasimatit flasin për një intuitë dhe vizion shkencor, çka e bënte të ardhmen e saj akademike, tejet premtuese. Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare, në mbledhjen e 18 shkurtit 1943, në mbështetje të projektit të Kasimatit, vendosi të krijojë pranë tij një muze të shkencave, për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht atë.
Që prej 22 shkurtit, Sabiha Kasimati do të gëzonte statusin e punonjëses (me kontratë) pranë Institutit, me një shpërblim mujor prej 200 frangash. Gjithashtu, ajo do të kujdesej për të përgatitur një përshkrim të materialeve të nevojshme dhe të librave për bibliotekën e posaçme.
Përfundimi i studimeve në Itali, në një degë të veçantë siç ishte iktiologjia, përgatitja e një projekti të mirëfilltë shkencor dhe përgjegjësia e ngarkuar nga Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare, për ndërtimin e Muzeut të Shkencave, tregon se Sabiha Kasimati, kishte hyrë tashmë në radhën e studiuesve premtues.
Regjimi komunist dhe sjellja ndaj Sabiha Kasimatit
Sabiha Kasimati vijoi t’i përkushtohej kërkimit shkencor edhe në vitet e para të regjimit komunist, veprimtari që në analizë të fundit do të kushtëzojë marrëdhëniet e regjimit me të. Dokumentacioni arkivor na bën me dije, se Sabiha Kasimati ka qenë pjesëmarrëse në mbledhjen e datës 13 prill 1946, të Institutit të Studimeve Shqiptare, krahas figurave me zë të botës akademike shqiptare, si: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahudin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako.
Mbledhja e kryesuar nga ministri i Arsimit, Sejfulla Malëshova, bëri një analizë të veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantoi planin e ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri, që do të drejtonte Institutin e Studimeve. Sipas proces-verbalit të mbledhjes, nga viti 1945, deri më 1946, Sabiha Kasimati së bashku me Gjergj Komninon, kishte punuar në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës, një ide të cilën ajo e kishte pasur që dy vite më herët, në projektin paraqitur Ernest Koliqit.
Më 28 janar 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom, të lidhur drejtpërsëdrejti me Këshillin Ministror”. Instituti që do të funksiononte me një rregullore të përkohshme, do të kishte në përbërje të tij; “njerëz të shquar të artit dhe të shkencës, do të merrej me problemet aktuale të vendit në kuadër gjithmonë të zhvillimit ekonomik dhe kulturor, duke shfrytëzuar pasuritë natyrale dhe fuqinë prodhuese të vendit. Tri seksionet më të mëdha të Institutit, do të ishin gjuhësi e literaturë, shkenca të natyrës dhe pjesa e tretë, do t’i përkiste historisë, sociologjisë dhe ekonomisë”.
Në themel të punës së tij, do të ishte ideologjia marksiste-leniniste, do të përdoreshin planet e punës, ndërkohë që modeli sovjetik, do të ishte “filli i kuq”, që do të përvijonte ndërtimin e shkencës në Shqipëri. Manol Konomi, kryetar i parë i Institutit, në mbledhjen inauguruese do të shprehej: “Ne duhet të marrim nga Bashkimi Sovjetik, shkencën dhe teknikën. Duhet të studiojmë literaturën dhe artin e tij. Shkenca e re juridike, do të na shërbejë në ngritjen e sistemit tonë ligjor. Eksperienca e Bashkimit Sovjetik, do të jetë një ndihmë e madhe në zhvillimin e ekonomisë sonë dhe në organizimin e Shtetit tonë të ri”.
Ndërsa vetë Enver Hoxha, në vitin 1950, theksonte: “Për të përmbushur detyrat e mëdha që na vë përpara ndërtimi i socializmit në vendin tonë, shëmbëllen na e jep shkenca sovjetike, shkenca e pararojës. Sipas kësaj shëmbëlle së madhe, ne Ju premtojmë se do të dalim nga izolimi dhe kufizimi në të cilin, donin ta mbanin punën shkencore regjimet e së kaluarës, do t’i luftojmë me vendosmëri dhe do t’i flakim tej mbeturinat e ideologjive kallpe borgjeze, do të përvetësojmë sa më mirë të vetmen metodë shkencore, marksizmin-leninizmin dhe do të pajisemi me rezultatet e shkencës sovjetike”.
Po cila ishte marrëdhënia e Sabiha Kasimatit me këtë institut, që tashmë me përjashtim të emrit të pjesshëm, në drejtim nuk kishte gjë të përbashkët me Institutin e Studimeve Shqiptare, të periudhës së Luftës së Dytë Botërore?! Nga dokumentacioni i konsultuar, është e vështirë të zbulosh marrëdhënien e Kasimatit më Institutin e Studimeve, përgjatë vitit 1947. Ndërkohë që në qershor të 1948-ës, mbledhja e Asamblesë së Institutit të Studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi dhe miratoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve, ishte edhe Sabiha Kasimati.
Në Shqipërinë komuniste, studimi i shkencave natyrore do të merrte rëndësi të veçantë, si të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik të vendit. Profesor Sotir Angjeli, shef i seksionit të Shkencave të Natyrës, në referatin e mbajtur në inaugurimin e Institutit të Shkencave, krahas problemit të ujit, të pyjeve, e konsideroi të rëndësishëm edhe studimin e peshkut dhe të peshkimit në Shqipëri. Kështu, Sabiha Kasimati, e vetmja e specializuar në iktiologji, do të ishte femra e parë studiuese, që do të merrej me studimin e peshkut dhe peshkimit. Ajo do të botonte në Buletinin e Shkencave, nr. 2-3, 1948, një artikull shkencor mbi këtë aspekt, që çuditshëm nuk u pasqyrua në përmbajtjen e lëndës së revistës.
Artikulli merrte në shqyrtim pasuritë kombëtare ujore të Shqipërisë, duke theksuar faunën iktiologjike shumë të pasur, në sasi dhe në cilësi. Rëndësi u kushtohej faktorëve të larmishëm natyrorë, duke analizuar ndikimin që ata kishin pasur në shumëllojshmërinë e peshqve në ujërat shqiptare. Këtë larmi, studiuesja Kasimati e përshkruante në terma shkencorë dhe e vinte theksin në cilësinë e lartë të peshkut, në ujërat e ëmbla të bregdetit shqiptar.
Artikulli trajtonte edhe problemet e peshkimit, madje guximshëm evidentonte problemet e shumta me të cilat përballej ai, që nga mjetet primitive të përdorura nga peshkatarët, mungesën dhe përdorimin e kufizuar të barkave të peshkimit, mungesën e mjeteve dhe pajisjeve për konservimin e peshkut të gjallë, mungesën e mjeteve të transportit, pa anashkaluar edhe traditën e munguar të peshkimit dhe të një ligji të posaçëm për të.
Prodhimi i peshkut ishte një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtuar në artikull, pasi në bazë të raporteve të teknikëve dhe studiuesve të huaj, kapaciteti i ujërave të brendshme në Shqipëri rezultonte shumë më i madh, nga sa ishte prodhimi i momentit. Studiuesja Kasimati shfaqej kritike ndaj situatës në të cilën gjendej peshkimi në Shqipëri, por pa u mjaftuar vetëm me konstatime. Ajo kërkonte që përmes fakteve të identifikonte problemet dhe t’u jepte zgjidhje atyre, zgjidhje që sipas saj do të kontribuonin në mos varfërimin më tej të ujërave shqiptare dhe në shfrytëzimin e gjithë pasurisë iktike të vendit.
Pishikultura (degë e iktiologjisë) dhe organizimi i peshkimit në baza racionale dhe moderne, duke ruajtur sigurisht pasurinë iktiologjike të vendit; organizimi më i mirë i peshkimit, duke përdorur mjetet moderne e ligjet ndërkombëtare, ishin zgjidhjet që ajo propozonte. Kjo e bënte Kasimatin, një studiuese mendje hapur, në një regjim që diktonte gjithçka. Artikulli, që tregonte rritjen profesionale të Sabiha Kasimatit, ishte bazuar në kërkime shkencore të realizuara përmes ekspeditave dhe kërkimeve periodike. Si një studiuese e arsimuar në Perëndim, referencat e saj ishin po ashtu të tilla, duke mos pasur asgjë të përbashkët me ideologjinë marksiste-leniniste dhe referencat e shkencës sovjetike.
Artikulli do t’i paraprinte një bashkëpunimi të mëtejshëm me Institutin e Shkencave, ku krahas përgatitjes së monografisë ‘Peshqit e Shqipërisë’, ajo do të ishte pjesëmarrëse në ekspeditat e ndryshme kërkimore, si dhe në përgatitjet për Muzeun e Shkencave. Për herë të parë, informacionin për monografinë ‘Peshqit e Shqipërisë’, e gjejmë në planin e punës së Institutit të Shkencave për vitin 1948. Aty ishte parashikuar që “broshura Peshqit e Shqipërisë (rreth 100 faqe, 1.200 kopje), punuar prej zj. Kasimatit”, të botohej në shtator.
Ishte planifikuar edhe sasia e parave që do të shpenzohej për botimin e studimit. Duke u nisur nga koha e shkurtër për botimin e broshurës, priremi të mendojmë se botimi do të ishte në vija të përgjithshme, puna e tezës së diplomës së Sabiha Kasimatit.
Nga hulumtimet e kryera rezulton se broshura nuk doli nga botimi atë vit, ndërkohë që puna kërkimore në sektorin e zoologjisë, ku bënte pjesë edhe Sabihaja, përgjatë vitit 1949, vijoi me hulumtime edhe në ujërat e kripura.
Instituti i Shkencave raporton në buletinin e vitit 1949, se; “ekipi i zoologjisë ka mbledhur material iktologjik të Liqenit të Shkodrës, të Bunës dhe të Drinit, në ujërat e Rrethit të Shkodrës; ka mbledhur material të njëjtë të ujërave të kripura dhe të bregdetit të Shëngjinit. Njëkohësisht ekipi ka bërë vërejtje natyre shkencore, mbi zhvillimin e kulturës së peshqve, mbi llojet dhe vlerën ekonomike të këtyre”.
E gjitha kjo na bën të mendojmë se botimi i broshurës është shtyrë, mbase për mungesë buxheti, dhe Kasimati ka vazhduar punën kërkimore për ta pasuruar studimin e saj edhe me ujërat e kripura. Shtyrja e botimit vërtetohet lehtësisht pasi në Buletinin e Institutit të Shkencave, nr.1-2, viti 1950, bëhet me dije se; “në këtë vit. janë dhënë për në shtyp studimet origjinale ‘Ortografia e gjuhës shqipe’ kolektive dhe ‘Peshqit e Shqipërisë’ e Sabiha Kasimatit.
Informacioni në lidhje me sa më sipër, është më i plotë në projekt-planin e punës së Institutit të Shkencave për vitin 1950, në të cilin ishte parashikuar që të botohej: “Një vepër mbi ‘Peshqit e Shqipërisë’, hartuar nga Sabiha Kasimati. Vepra me 100 e ca faqe tekst dhe 50 e ca figura, do të vihet në shtyp në tremujorin e parë dhe do të dalë në tremujorin e dytë në 3.500 ekzemplarë”.
Studimi ‘Peshqit e Shqipërisë’ ka parë dritën e botimit, ashtu sikurse ishte parashikuar, në vitin 1950, pasi në raportin e bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Prurësja”, datë 27 prill 1950, tregohet se Sabiha Kasimati, në bisedë të lirë me të, ishte shprehur:
“…Tash kemi shpënë në shtypshkronjë një broshurë, për t’u botuar; është vepra ime, pjesën më të madhe më ka ndihmuar dhe Çabeu [bëhet fjalë për Eqrem Çabejn]. Sot këtë broshurë vajta dhe e mora nga shtypshkronja. Ju thashë atyre se e kërkon Komisioni i Kontrollit…”!
Fatkeqësisht për momentin ne nuk zotërojmë asnjë informacion mbi fatin e mëtejshëm të tij. Çuditshëm, nuk ka gjurmë as në Bibliotekën Kombëtare, ku nuk gjendet asnjë skedë që të vërtetojë ekzistencën e tij, madje as gjurmë në inventarin e regjistrimit të librave të kohës.
Studiuesi Leka Ndoja, hedh hipotezën se puna e Sabiha Kasimatit është përvetësuar pas pushkatimit të saj, në shkurt të vitit 1951 dhe është botuar në vitin 1958, me të njëjtin titull, nën autorësinë e studiuesit rus Anatolij Poljakov dhe të shqiptarëve Ndoc Filipi dhe Ndoc Rakaj. Është e vështirë për ne që ta pohojmë një gjë të tillë, në kushtet kur mungon një analizë krahasuese shkencore, midis librit ‘Peshqit e Shqipërisë’ të Sabiha Kasimatit dhe atij të botuar nën emrat e autorëve të lartpërmendur.
Për sa kohë nuk disponojmë broshurën e botuar në vitin 1950, kjo analizë krahasuese, nuk mund të jetë shteruese. Megjithatë, studiuesit e fushës, mund krahasojnë librin e botuar në vitin 1958, me temën e diplomës dhe artikullin e 1948-ës, punë të cilat Kasimati pa dyshim, që do t’i kishte bazike, në hartimin e studimit ‘Peshqit e Shqipërisë’. Petro Luarasi ka bërë një hap, ka përkthyer temën e saj të diplomës, në qendër të së cilës janë tipologjitë e ndryshme të peshqve, përkatësisht analiza e shtatë familjeve të tyre; përshkrimi gjeografik i mjediseve iktiologjike, si dhe përshkrimi i shkurtër i industrisë së peshkimit në Shqipëri.
Ndërkohë, studiuesi i zoologjisë, profesor Ferdinand Bego, ka bërë recensën shkencore, duke e vlerësuar tezën e saj si; “një punim të shkëlqyer diplome, i shkruar me një gjuhë të pasur dhe korrektësi shkencore, në të cilën ajo demonstron njohuri të thelluara mbi shkencën e iktiologjisë dhe të mjediseve me ujëra të ëmbla të vendit tonë”.
Mbetet e vështirë që nga dokumentacioni i momentit të arrish në një përfundim shterues në lidhje me përvetësimin e punës shkencore të Sabiha Kasimatit. Gjithsesi, nuk mund të mohohet fakti se në lidhje me këtë çështje ka dyshime të arsyeshme, të cilat të çojnë të mendosh se një përvetësim i tillë mund të ketë ndodhur, aq më tepër që studiuesit sovjetikë ishin ulur këmbëkryq në Shqipëri.
Në një regjim totalitar, kush konsiderohej “armik” dhe dënohej si i tillë, nuk meritonte asgjë. Familja i internohej, emri i zhdukej, vepra i përvetësohej dhe ai/ ajo dergjej në harresë. Siç thotë edhe Machiavelli te libri i tij Princi: “Kur është e nevojshme të dëmtohet një njeri, ai duhet të dëmtohet rëndë, në mënyrë që askush të mos druhet më prej hakmarrjes së tij”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm