Nga Dr. Etleva SMAÇI
Pjesa e parë
-Metamorfoza e “armikut të klasës” në radhët e Ushtrisë Popullore, nga “oficeri i deklasuar”, tek “oficeri puçist dhe oficeri poli-agjent”, në vitet 1954 – 1983-
Memorie.al / Ky punim, synon të analizojë metamorfozën e “armikut të klasës” në radhët e Ushtrisë Popullore, në periudhën kohore 1954 – 1983. Për të realizuar këtë analizë krahasuese, punimi do t’i referohet tri momenteve të rëndësishme, kur Ushtria u bë target për zbulimin dhe eliminimin profesional e, deri në atë fizik të “armikut”. Ushtria Popullore, ka qenë gjatë periudhës së diktaturës komuniste, një ndër mjetet më të rëndësishme ideologjike, në luftë kundër “armikut të klasës”. E megjithatë ajo nuk mundi t’i shpëtonte këtij “virusi”, por përkundrazi, prodhoi modelin e vetë të “armikut të klasës”, që u pa si kërcënim kryesor, për jetëgjatësinë e pushtetit popullor dhe diktaturës së proletariatit.
Periudha e parë që i përket viteve 1954-1956, lidhet me spastrimet që ndodhen në Ushtrinë Popullore, nën ndikimin e udhëzimeve të marra nga Bashkimi Sovjetik, për të larguar nga radhët e Ushtrisë, oficerët me përbërje jo të mirë klasore. Në këtë grupim, futeshin oficerët e që vinin nga familje që konsideroheshin borgjezë, tregtarë apo bejlerë. Periudha e dytë, kulmon në vitet 1970-1974, kur “armiqtë e klasës” në radhët e Ushtrisë, u konsideruan drejtuesit më të lartë të saj dhe u trajtuan si “grup puçist”, që synonin të dobësonin mbrojtjen e vendit, përmes teorive reaksionare të luftës.
Periudha e tretë, analizon “grupimin e fundit të armiqve” në radhët e ushtrisë, të etiketuarit; “poli-agjentë”, që “synonin të përmbysnin regjimin komunist në bashkëpunim me agjenturat e huaja në vitet ‘80-të, si dhe me ish kryeministrin e kohës Mehmet Shehu”. Si në të gjitha fushat e tjera edhe në radhët e Ushtrisë, qëndrimi ndaj “armikut të klasës”, pati efekte shumë të rënda psikologjike, duke çuar në tjetërsimin e individit, deformimin e realitetit e, deri në krijimin e një rrethi vicioz që prodhoi absurditet dhe viktima. Dallimi mes periudhës së parë dhe dy periudhave të tjera, është se armiku u gjend tek “xhelatët” që përfunduan në viktima.
Koncepti; “armik i popullit”, i huazuar nga gjyqet show të Stalinit kundër kastës ushtarake, në fundin e viteve ‘30-të, në Bashkimin Sovjetik, u adoptua mjeshtërisht nga regjimi komunist shqiptar e ithtarët e stalinizmit dhe gjeti zbatim drakonian në radhët e ushtarakëve të ish-Ushtrisë Kombëtare fillimisht, e më pas në radhët e Ushtrisë Popullore. Me përfundimin e Luftës dhe vendosjen e regjimit komunist në vend, Ushtria haptazi u pa si “ushtri politike” dhe përmes saj, zbatohej parimi i “vënies së politikës proletare në komandë, që do të thotë se faktori ideo-politik, kishte epërsi mbi atë ushtarak”!
- Nëse politika e zbatuar në Ushtri, nuk shihej nën prizmin e marksizëm –leninizmit, e kuptuar ndryshe do të thoshte se politika e zbatuar në Ushtri “ishte gabim”.
- Shikimi i problemeve në prizmin politik dhe ideologjik, nuk mund të bëhej me dy qëndrime: “një për Ushtrinë dhe një tjetër për masat e gjera të popullit”.
- Në këtë punim, do të sillen fakte dhe do të hidhet dritë mbi dokumentet që kanë përcaktuar rrugëtimin e etiketimit; “armik i popullit” në radhët e Ushtrisë. Rrugëtim që ka njohur një metamorfozë të frikshme edhe brenda asaj që konsiderohej si; “Arma më e fuqishme e Diktaturës së Proletariatit”.
Punimi ndalet në tri periudha spastrimesh të Ushtrisë, nga “armiqtë e popullit”, që përkojnë me egërsimin e shtetit totalitar në tërësi dhe përpjekjet e mbajtjes së pushtetit, përmes eliminimit të “grupeve armike”, edhe në ushtri si në çdo fushë tjetër të jetës. Platforma e spastrimit të Ushtrisë nga “elementet e padëshiruar”, 1953.
Periudha e parë që merret në shqyrtim, është 10 vjeçari i parë i pasluftës, duke u ndalur në shqyrtimin e dokumenteve arkivore të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, mbi spastrimet e bëra nga radhët e Ushtrisë, nga elementet e padëshirueshëm.
- Kësaj periudhe i përket hartimi i platformës së spastrimeve që fillimisht u trajtuan në mënyrë të zbutur, si “të padëshiruar”, por që në thelb kultivoi, konceptin e armikut dhe përcaktoi eliminimet e njëpasnjëshme të atyre që në rrethana të caktuara, u konsideruan; “armiq të partisë dhe të popullit”.
Në dhjetëvjeçarin e parë, theksi u vu në origjinën shoqërore të efektivëve të Ushtrisë Popullore (fshatar të pasur, qytetar të pasur, tregtar), që përbënte dhe boshtin e luftës së klasave. Ky kriter, do të shërbente si një vijë ndarëse, deri në fund të regjimit komunist.
I vendosur në platformë në vitin 1953, ai do të rishfaqej egërsisht, sa here që regjimi do të kishte nevojë për eliminimet e radhës. Katër vjet pas eliminimet të “Grupit puçist” të ‘74-ës, më 10 korrik 1978, në fjalimin e mbajtur me student dhe kuadro ushtarakë, Enver Hoxha do t’i rikthehej edhe njëherë idesë se; përfaqësuesit e shtresave të pasura, ishin ta papranueshëm në radhët e Ushtrisë Popullore.
“As më i vogli pasanik, nuk duhet të vërtetohet në gjirin e Ushtrisë edhe të populli tonë dhe jam i bindur se një gjë e tillë nuk do të ngjasë, për arsye të edukimit politik dhe ideologjik të mbarë popullit tonë ushtar”. Ata ishin pjesë e “armatës së armiqve”, të cilët për udhëheqësin komunist, nuk ishin hipotetikë.
“Ata jetojnë, janë në këmbë, janë agresorë. Ata mund të na sulmojnë me armë, mund të zhvillojnë edhe diversion, mund dhe bëjnë përpjekje që të na kalbin nga brenda”. Po cilat ishin konkretisht, pikat e platformës spastruese të vitit 1953?
Kriteri i parë, përfshinte oficerët që kishin marrë pjesë në organizatat kundërshtare të regjimit, si Legaliteti e ‘Balli Kombëtar’, ose oficerët që kishin shërbyer në kohën e Zogut dhe të okupacionit’ në radhët e xhandarmërisë, karabinierisë, policisë, rojës së financës, milicisë fashiste’ me gradën e oficerit ose pa grada dhe referuar platformës së Drejtorisë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore; “kanë luftuar kundër popullit tonë dhe popujve të tjerë për interes të okupatorëve”.
Këtu nuk bënin përjashtim oficerët, të cilët “kanë pasur t’afërmit e tyre eksponentë të organizatave reaksionare, funksionarë të shtetit ose, oficerë të lartë të Ushtrisë së Zogut dhe t’okupatorëve, që kanë njerëzit e tyre eksponentë të organizatave dhe grupeve reaksionare, të zbuluara mbas çlirimit dhe që kanë njerëzit e tyre të dënuar nga gjyqet si armiq të popullit, ata që familjet e tyre janë cilësuar si kulakë dhe mbajnë qëndrim të keq politik”, pavarësisht qëndrimit të tyre të pastër.
Kësaj platforme, nuk kishte si t’i mungonte elita e vjetër, pa parti, e shkolluar në Perëndim (sipas pikës 3 të platformës, kuadri oficer që ka studiuar në shkollat civile dhe ushtarake në vendet imperialiste, që kanë kryer kurse të ndryshme perfeksionimi në këto vende, që kanë mbaruar kurse për polici, kuesturë, karabinieri, ose roje financës), por të njëjtën rrezikshmëri mbartin edhe kuadrot e Ushtrisë, që kishin kryer studime fetare ose, kanë shërbyer si fetarë, si dhe ata që kanë studiuar në shkollat amerikane si teknike, në shkollën Bujqësore të Kavajës dhe në gjimnazin e priftërinjve në Shkodër, para Luftës së Dytë Botërore.
Të dyshuar ishin gjithashtu edhe ata që ishin martuar me gra me kombësi të huaja dhe mbanin lidhje me familjet e tyre (kriter që do të përdorej për spastrimin nga Ushtria, të ushtarakëve me gra ruse, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, në vitin ‘60–të), si dhe “ata që kanë punuar si përkthyes me funksione zyrtare, gjermane, italiane, amerikane, angleze, greke, jugosllave, etj., si brenda dhe jashtë vendit.
Që kanë qenë kafaze, roje, kuzhinier, kamerier në legatë dhe përfaqësitë e huaja në Shqipëri. Që kanë shërbyer si përkthesa dhe ndërmjetësa pranë misioneve dhe organizatave të huaja, si; amerikane, angleze, italiane e të tjera, ushtarake ose civile si (M.L UNRRA)”.
E meqë kjo platformë vinte pas prishjes me Jugosllavinë, në klimën e tensionuar armiqësore mes dy vendeve ishte e kuptueshme që brenda saj të vendosej një pikë e veçantë për “oficerët që kanë studiuar në shkollat e ndryshme ushtarake politike ose civile në Jugosllavi, ata që para Kongresit të I-rë të PKSH-së, kanë pasur lidhje të ngushta me të dërguarit jugosllavë pranë Ushtrisë Popullore, ose me personelin tjetër jugosllav në Shqipëri dhe që më vonë u janë shfaqur shenja sado të vogla të mungesës së vigjilencës dhe besnikërisë ndaj partisë, popullit dhe Bashkimi Sovjetik (i njëjti argument, do të përdorej gjatë vitit ‘74-të, për gjeneralët e lartë që kishin pasur lidhje me përfaqësuesit e Traktatit të Varshavës dhe Bashkimit Sovjetik).
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme për nga pasha, për t’u etiketuar “armik i popullit”, platforma vendoste “në rreth të kuq”, përmes pikës 6, “ata oficerë që kanë qenë të internuar në kampet e përqendrimit në Gjermani, Itali, Greqi, e gjetkë, që kanë rënë në duart e amerikanëve, anglezëve, grekëve dhe kanë bashkëpunuar me ta, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, si dhe janë riatdhesuar nga fundi i Luftës ose, mbas çlirimit dhe që për shumë kohë kanë jetuar në vende imperialiste por, që besnikëria e tyre, nuk është provuar dot”.
Drejtoria Politike e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, propozonte në mbyllje të këtij dokumenti, që; “oficerët e kategorive të përmendura edhe nëse do të plotësonin konditat për të qëndruar në Ushtri, nuk do të lejoheshin të punonin në Drejtorinë Operative, Organizim-Mobilizim, Zbulim, Tanke në Marinë, Aviacion e depo, n’organet politike dhe të Kuadrit”. Bazuar në këtë dokument, Drejtoria e Kuadrit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, hartoi pa humbur kohë listën emërore të 17 oficerëve, që sipas kritereve të platformës, nuk kishin garanci politike.
Krahas listës për të 17 oficerët e propozuar për lirim, gjendet në dosjen arkivore edhe karakteristika e secilit. Vlen të theksohet fakti, se disa nga anëtarët e komisionit ishin; si p.sh., Petrit Dume, apo kryetari Sadik Bekteshi, të cilët do të ishin viktima të platformës të hartuar dhe miratuar nga vetë ata, në spastrimin e dytë e më të madh të Ushtrisë, në vitin 1974.
Mendojmë se lista e 17 oficerëve të liruar nga Ushtria, jo vetëm paraqet interes, për ndërthurjen e emrave sipas kritereve të ndryshme, por edhe për faktin se pjesa dërmuese, ishin pranuar dhe mbajtur në Ushtri, deri në vitin 1953, jo nga mirëbesimi, por nga të qenurit të pazëvendësueshëm, gjë që anëtarët e komisionit, nuk hezitojnë ta pranojnë, madje edhe vetë Enver Hoxha, i mëshon këtij fakti, në mbledhjen e Byrosë Politike, më datë 16 shkurt, 1953.
Ai shprehet se; platforma është e mirë dhe zbatimi i saj do të bëjë që të pastrohet ushtria nga elementet jo të mirë. “Përsa i përket elementeve, do të kemi mundësinë t’i shohim një e nga një, kur të na paraqiten për aprovim”. Porosia tjetër, lidhej me faktin, që shqyrtimi të bëhet me shumë kujdes dhe në mënyrë sekrete. Ai i drejtohet Sadik Bekteshit që; kur të mbledhë komisionin, t’u thotë se; “këtë çështje e dimë vetëm ne dhe udhëheqja që e ka vendosur”.
Duket se fletë-anketat që figuronin në shënimet biografike të 17 oficerëve të propozuar nga komisioni, nuk ishin element bindës për Byronë Politike, ndaj iu rekomandohet; “të merrej eksperiencë nga ata të MPB-së, d.m.th., të mos rin me letra, por të hetojnë jashtë flët-anketave që figurojnë në biografitë e këtyre njerëzve”.
Duket se spastrimet u bënë jetike, sidomos pas bisedimeve që Enver Hoxha pati, në Komisionin e formuar për spastrimin e kuadrit oficer t’Ushtrisë nga elementë që nuk kanë garanci, propozon t’qiten në lirim.
N/kolonel, Filip Cin Geci
Major, Ndoc Shan Luli
Kapiten I-rë, Teki Hasan Luarasi
Kapiten I-rë, Qazim Faslli Zylaj
Kapiten II-të, Raqi Spiro Pergjika
Kapiten II-të, Ali Shuaip Bendo
Kapiten II-të, Dragush Hiqmet Delvina
Kapiten II-të, Vangjel Mihal Masha
Toger, Anastas Dhimitër Dhimitri
N/toger, Hetem Habil Sulo
N/toger, Bektash Arif Muhameti
N/toger, Selman Abaz Karoshi
N/toger, Sabah Xhemal Meçe
N/toger, Mahmut Vehap Përllaku
N/toger, Dhori Naun Shore
Aspirant, Ramiz Asllan Fejzullaj
Civil, Thoma Plasa
Edhe pse nuk ka dokumenta arkivore, që të tregojnë lidhjen mes kësaj platforme dhe kritereve që ndoqi Stalini, për spastrimin e Ushtrisë së Kuqe nga elementi “armik”, me gjyqet e mëdha të viteve 1937-‘38, disa ngjashmëri janë shumë të dukshme. Le të rendisim disa prej tyre. Së pari, në radhët e Ushtrisë së Kuqe, bënin pjesë një numër oficerësh, që kishin shërbyer në regjimin carist dhe ishin bërë pjesë e Armatës së Kuqe, gjatë luftës civile më 1920, për shkak të të qenurit ekspert. Por ata konsideroheshin si; “armiq të brendshëm”.
Së dyti, ish gardistët e bardhë, të cilët kishin luftuar bolshevikëve. Së treti, “ushtarakët në shërbim të agjenturave të huaja”, që kishin lidhje me gjermanët, britanikët, japonezët, polakët, etj. Së katërti, ushtarakët që vinin nga shtresat e pasura fshatare. Besnikëria e tyre ndaj regjimit ngelej gjithmonë e dyshimtë. Duket se këto kritere, ishin tepër të përshtatshme, për të krijuar tipologjinë e armiqve në radhët e Ushtrisë Shqiptare. Tipologjia e 17 oficerëve “armiq”. Për emrat e listës emërore, mund të bëjmë një klasifikim si më poshtë:
- a) Të domosdoshmit
Në këtë grup bënin pjesë, nënkolonel Filip Geci, major Ndoc Luli dhe kapiteni Qazim Zylaj, ku theksohej se; “këta do të përjashtoheshin nga Ushtria, si elemente të padëshirueshëm, në rast se zëvendësoheshin”. Të tre ushtarakët ishin pjesë e seksionit të Gjeodezisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, me profesionin topograf.
Që të tre ishin thirrur në radhët e Ushtrisë Popullore, pas vitit ‘45 dhe ishin ngarkuar të kryenin vetëm punë teknike, në mungesë të njerëzve të besuar. Lirimi i tyre kërkohej’ pasi “tani Ushtria jonë ka kuadro me garanci politike dhe të përgatitura në shkollat e Bashkimit Sovjetik, për topografi ushtarake, kështu që zëvendësimi i tij është i mundshëm. Komisioni për të propozon qitjen në lirim”.
Bazuar në kriteret e platformës, ata përmbushnin disa pika si: shkollimi në shkollat ushtarake jashtë vendit, kishin shërbyer si oficerë në ushtrinë e Zogut, në ushtritë okupatore. Që të tre sipas karakteristikës së përgatitur nga komisioni, nuk e donin Ushtrinë Popullore dhe më shumë e pengonin punën dhe e dëmton atë dhe nuk jepnin asnjë garanci për të punuar në Ushtri.
Në karakteristikën e Ndoc Shan Lulit, theksohet fakti se ai; “edhe që shpreson ndryshimin e situatës”, kurse për Qazim Zylajn, shënimet biografike janë dhe më të zeza. Dyshimet për të ishin edhe më të mëdha sepse, shumë të afërt të familjes së tij, ishin dënuar me burgim të përjetshëm (kushëriri i tij, Rasim Zyla), e njëjta gjë thuhet edhe për rrethin familjar të së shoqes, ku ishin disa të dënuar me burgim të përjetshëm ose, që kishin vdekur në burg. (Isuf Hysenbegasi, Faik Hysenbegasi, etj).
Ai përshkruhet si; “një oficer i vjetër, i cili e urren pushtetin dhe Ushtrinë Popullore dhe i prekur nga reformat, si ai dhe e shoqja. Por puna e tij klasifikohet si shumë e keqe, nuk punon, nuk përgatitet. I pakënaqur, pëshpërit dhe shoqërohet me element armiq”. Këta tre emra, u bënë objekt diskutimi në mbledhjen e Byrosë Politike, më datë 20 prill, 1953. Në fjalën e tij, Mehmet Shehu shprehet se; “Për sa i përket tre oficerëve topografë, ata do të mbaheshin në qoftë se nuk gjendeshin kuadro zëvendësues”, duke shtuar se; “ne e dimë cilët janë”!
Madje ai parashikon edhe të ardhmen e tyre. “Në rast se kemi kuadro dhe mund t’i zëvendësojmë, atëherë t’i dërgojmë në ndërtim”. Zgjon interes ndërhyrja e Enver Hoxhës, i cili zbulon dhe thelbin, përse këta oficerë i kishin shpëtuar spastrimeve klasore. “Unë jam dakord me Mehmetin, në rast se janë të pazëvendësueshëm. Pastaj të kihet parasysh, që këta njerëz mos t’i fushim në burg pas dy muajsh, por të futen në punë, të punojnë, se janë njerëz me eksperiencë”.
- Mjekët ushtarakë të deklasuar
Tre mjekët ushtarakë, që janë në listën e spastrimeve, janë padyshim përqafues të klasave të pasura të shoqërisë shqiptare, të periudhës paralufte. Ata janë; Ali Shuaip Bendo, Dragush Hiqmet Delvina dhe Vagjel Mihal Masha. Të tre mjekët, karakterizohen si qytetar të pasur, ose origjinë bejlerësh.
Gjithashtu ata akuzohen se janë përfaqësues të klasave reaksione, që ju janë shtetëzuar pasuritë, pasardhës i nëpunësi të lartë siç ishte rasti i Dragush Delvinës, i biri i ministrit të Drejtësisë Hiqmet Delvina, apo me lidhje familjare me emigracionin, siç thuhet për mjekun Vangjel Mihal Masha (Mban korrespondencë të rregullt me vëllanë në Australi).
Të tre janë përshkruar, se punojnë pak dhe nga frika; “ka mundësi të na dëmtojë dhe luftojë në çdo çast”. “Si mjek reparti, ay në çdo kohë mund t’i shërbejë armikut, me çdo lloj informacioni, mbi gjendjen shëndetësore dhe moralo –politike, luftarake dhe materiale të repartit.
Nga të dhënat e dokumentit, del se Ali Shuaip Bendo, ishte i vetmi që kishte guxuar të kërkonte largimin nga Ushtria, madje kishte bërë 8 lutje. Ndërsa Dragush Delvina, ishte marrë si mjek ushtarak, me gradën toger, më 1947. Ai u burgos në periudhën 1947- 1949, i akuzuar për punë armiqësore, por më u lirua si i pafajshëm.
Për të thuhet në karakteristikë, që “e urren pushtetin. Mban lidhje me elementet armiq. Në punën ushtarako –politike, që bëhet në rrepat paraqitet dobët. Nga ana ushtarake është shumë dobët”. Memorie.al
Lektore në Akademinë e Forcave të Armatosura, Departamenti i Strategjisë dhe Historisë Ushtarake
Vijon numrin e ardhshëm