Nga Shpendi TOPOLLAJ
– Një vështrim mbi librin “Kosmaçët” të autorit Vili Minarolli –
Memorie.al / Kur i nderuari Vili Minarolli, si nëntitull të librit të tij monografik “Kosmaçët”, ka vendosur fjalët “Saga e një familje”, pa tjetër që ka pasur ndërmend sagën historike, të shumë e shumë familjeve të ndershme e fisnike shqiptare, që fati dhe sidomos diktatura komuniste ku jetuan, u shkaktoi aq shumë telashe e vuajtje, pa arritur asnjëherë t`u cënojë sado pak, njerzillëkun, ndershmërinë, dinjitetin dhe dashurinë për njëri – tjetrin dhe atdheun. Me vlerat dhe virtytet e tij të larta, ku krahas mençurisë, spikat thjeshtësia, ai fare mirë mund të merrte si sagë, rrugëtimin e familjes së tij që provoi goditje të pamerituara nga regjimi i asaj kohe, por ai ka zgjedhur të përshkruaj atë të një familjeje tjetër, pak a shumë bashkëvuajtëse, me të cilën ndanin atë barangën me dërrasa në Shijak, ku i kishin internuar.
E ka bërë këtë pasi prejardhja e të parëve të Kosmaçëve, qysh nga Jaku prej Shkodre dhe shkuarja e tij në Plevlje, qendër e Sanxhakut të Novi Pazarit, bashkë me shokë të tjerë, në kohën e pushtimit austro – hungarez, i jep dorë që ta zgjerojë tematikën dhe të ilustrojë më bindshëm, gjithçka ndodhi me pasardhësit e tij dhe si ndikojnë rrethanat politike, ekonomike dhe ushtarake, në jetën e popujve.
Prandaj ky autor, (Minarolli), përpara se të ndalet te peripecitë e Jakut e, gruas së tij Danës, për të mbërritur tek i biri Antoni, na përshkruan me hollësi ngjarjet madhore të kohës dhe si precipituan ato pas vrasjes në 28 qershor të vitit 1914, të Princit trashëgimtar Franc Ferdinad dhe gruas së tij, dukeshës Sofie, nga dora e Danilo Princip-it, çka pasoi me atë Luftën e Parë Botërore, që mori jetën e dhjetë-milion njerëzve.
Përshkrimi dhe analiza që Vili Minarolli i bën ngjarjeve të fillim-shekullit të kaluar, janë si prej një historiani të vërtetë dhe jo prej një mësuesi matematike. Kjo vërteton kulturën e madhe që ky intelektual, politikan dhe diplomat zotëron dhe që di të futet deri në hollësi e kuriozitete nga ato që jo vetëm e bëjnë leximin mjaft tërheqës, por edhe mbahen mend gjatë.
Dhe këtu nuk është fjala vetëm sesi u prit Princi në Xhaminë e Madhe në Sarajevë, ku Kryemyftiu nuk e la të hiqte këpucët apo gjesti burrëror i tij, pas atentatit të parë me granatë, për të takuar kryetarin e Bashkisë, të cilin e përshëndeti me fjalët; “Ju faleminderit për mikpritjen me bomba” e, deri vajtjen në spital, për të vizituar kolonelin adjutant të plagosur, por për të na dhënë të shkoqitur mendimet e tij për kontradiktat dhe armiqësitë që kishin etnitë, vendin që zinin fetë ortodokse, katolike dhe myslimane, dhe mendimin e tij se shkak për kundërvënie ishin synimet ekonomike dhe etja për pushtime.
Sherret mes vendeve ballkanike, të nxitura nga interesat e Fuqive të Mëdha, natyrisht që do të përfshinin edhe Shqipërinë dhe në gjithë ato që autori na parashtron, shfrytëzon kujtimet e lëna nga vetë Antoni i cili, pasi braktisi seminarin për prift, vijoi studimet për Drejtësi, ku dhe mbrojti disertacionin, për të fituar gradën doktor.
Dhe Antoni në shënimet e tij është tepër i saktë në ato që thotë dhe për këtë mjaft të ndalemi te ndryshimet që shihte ai mes boshnjakëve dhe shqiptarëve, ku për të dytët, thotë se janë më të zgjuar: “Ai mburret dhe vdes si shqiptar”. Dhe shton se; “Boshnjaku ka arsye të tjera, që mund të jenë në radhë të parë fetare, mandej ato janë atdhetare”. Dhe në qoftë se shqiptari e ka ndryshuar ndonjëherë fenë, këtë e ka bërë për pragmatizëm, pra për mbijetesë.
Sipas tij; “Fshehja pas petkut fetar, shërben gjithnjë si motiv për shtresat e prapambetura të shoqërisë”. Dhe ja, këtë intelektual me prirje perëndimore, e thërresin në atdhe për të dhënë kontributin e tij, pasi Shqipëria kishte shumë nevojë për burra të tillë.
Ai, duke u kujtuar edhe se i kishte premtuar Arkipeshkvit të Shkodrës, Lazër Mjeda, që e kishte ndihmuar për akordimin e bursës, gjatë studimeve universitare, se do të kthehej, vjen në Tiranë ku e ngarkojnë me detyra të rëndësishme, si jurist në Elbasan, Kryetar Gjykate, Kryetar i Këshillit të Shtetit, sekretar ministrie, Prefekt dhe ministër Drejtësie.
Punoi me profesionalizëm dhe ndershmëri, por do përfytyruar koha kur shërbeu. Vendi u pushtua si nga italianët, ashtu dhe nga gjermanët. Dhe ata, (po të shohësh dokumentet që i boton në librin e tij, ish-drejtori i arkivave të shtetit zoti Gjet Ndoj Tarazhi), i lejuan qeveritë shqiptare, që të të kryenin funksionet e tyre. Kjo ishte mënyra më oportune, për të vijur normaliteti i jetës në vend.
Por edhe ata që nuk u përzien fare me kahjet politike, në ato kohë të vështira, sapo u çlirua vendi ose, e nuhatën hakmarrjen dhe u larguan, ose qëndruan ngaqë mendonin se nuk kishin bërë ndonjë krim. Dhe njëri nga këta, që nuk kishte pse ta vriste ndërgjegjja, ishte dhe Anton Kosmaçi. Ai tani do shihte punë tij dhe të familjes, ku kishte gruan Maria, hungarezja që lexonte libra pa fund dhe që e thërrisnin Mici dhe fëmijët; Xheku dhe Ana, ende të parritur.
Antoni kishte qenë dëshmitar në luftën për çlirimin e Tiranës dhe kishte parë edhe sesi arrestoheshin dhe pushkatoheshin intelektualë dhe nacionalistë, por as që dyshonte se shumë shpejt do t`i vinte radha edhe atij vetë. E thirrën tek ajo ndërtesa e famshme, te Selvia dhe e akuzuan si “armik të popullit”.
Ai ishte jurist dhe veç absurdit të akuzës, kur mendonte se kush do ta gjykonte, e ndau mendjen se jeta e tij, tani e tutje do të merrte një drejtim tjetër. Dhe merakun e kishte për të shoqen dhe djalin e tij.
E shihte sesi po venin punët me këto farsa gjyqësore, ku Enver Hoxha, që nuk kishte kursyer as jetën e kunatit të tij, Bahri Omarit, që e kishte strehuar, financuar dhe ndihmuar për t`u punësuar, dënimi për të dhe të akuzuarit e tjerë, do të ishte i pamëshirshëm. Analfabetët e zbritur nga mali, tani dënonin kokat e ditura të këtij vendi, duke i akuzuar; si “bashkëpunëtorë me armikun”.
Sot është e lehtë ta gjykosh, por të provoje hetuesinë barbare të atyre militantëve komunistë, që i urrenin për vdekje të pasurit, të shkolluarit, nacionalistët dhe antikomunistët, pra t`u nënshtroheshe torturave psikike dhe fizike të tyre, duke menduar jetën dhe atë se ç`do të ndodhte me familjet e tyre, atëherë, është më se i justifikuar qëndrimi që mbajti Antoni në gjyq dhe që na jepet nga proces-verbali i mbajtura me atë rast.
Ai e përshëndet Luftën Nacional – Çlirimtare, se fundja ashtu ishte, dhe shpreh mendimin se; nuk kishte ndonjë simpati për ‘Ballin Kombëtar’ që qëndronte në pritje. Por e thotë hapur se nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe, për popullin ose njerëz të veçantë, dhe se gabimi i tij ishte se; nuk e gjente me vend instalimin e komunizmit në Shqipëri. Nuk e pushkatuan, por i dhanë vite të gjata burgimi, në të tmerrshmin burg të Burrelit.
Dhe autori me të drejtë, nuk lë pa na kujtuar se ai regjim gjakatar, më pas i shkoi në plumb dhe burg edhe vetë ata që e gjykuan; Koçi Xoxen dhe Bedri Spahiun, të akuzuar edhe gjithashtu, si “armiq të partisë dhe të popullit”. Kjo qe tragjikomedia shqiptare e cila, do të çudiste edhe vetë Aleksandër Sollzhenjicinin. Vili na tregon sesi “…me Micin nuk kishin mbaruar ende.
Pa i dhënë asnjë shpjegim, e hipën në karrocerinë e një kamioni dhe pas disa orësh udhëtimi sfilitës, mori vesh se e kishin internuar në një vend që quhej Tepelenë. Asnjë lajm për djalin dhe të ëmën e sëmurë të lënë në mëshirë të fatit, në mes të rrugës”. Vetëm pas dy – tre vjetësh bashkohet me të birin, Xhekun, por përsëri vjen internimi tjetër, tani në Shijak.
Ç`kishte bërë ajo grua e huaj, që kishte sakrifikuar për dashurinë që të përjetonte drama të tilla shpirtërore?! Por për hir të së vërtetës, populli i Shijakut, me qëndrimin dhe trajtimin human, ua lehtësoi disi vështirësitë, me të cilët familja e Antonit u përball.
Mici, me sjelljen dhe kulturën që manifestoi, u bë shembull edhe për gratë e tjera të asaj qyteze. Ja sesi e portretizon Vili këtë grua: “Ajo u fliste të vegjëlve, për vendin e saj që e kujtonte me mall, për Sarajevën e bukur, për Vjenën dhe muzikën që rrezatonte ky vend, por mbi të gjitha, për letërsinë botërore, që ajo nuk hoqi dorë së lexuari deri në ditët e fundit të jetës.
Jo vetëm të gjithë pjesëtarët e familjes, kishin një dashuri të veçantë për të, por edhe qytetarët e Shijakut, kishin respekt për këtë grua me kulturë, prandaj ata të gjithë e quanin zonja Mici, megjithëse kjo fjalë para emrit ishte e huaj dhe e ndaluar të përdorej atë kohë”.
Në Shijak, Xheku krijoi familjen e tij, me grua Anën, me të cilën lindi dy fëmijët e tij, Aleksandrin (Sandrin) dhe Silvanën. Ana, vajzë e bukur nga Durrësi, kampione noti dhe gjimnastike e cila, u dashurua me Xhekun punëtor e simpatik dhe pranoi t`i qëndronte atij në krah edhe kur i caktuan të punonin atje te fabrika primitive e tullave.
Babanë e saj oficer, që kishte studiuar në Akademinë e Vjenës, pushteti komunist e shihte shtrembër; e kishin internuar në Shtyllas, deri sa arkeologu emër e shpirtmadh, Vangjel Toçi, e mori si roje te Muzeu i qytetit, (ku edhe unë e kam njohur), teksa me një buzëqeshje të trishtë, kujdesej për lulet e shumta që rrethonin oborrin. Në libër, një pjesë të mirë, autori ia kushton asaj, ikjes për jetë më të mirë, duke u ndalur te Sandri dhe vëllai i tij, Blendi.
Ata nuk kishin kohë për të humbur; ikën sapo iu krijua mundësia për një jetë më të mirë, pasi këtu e dinin se kjo nuk mund të vinte me shkopin magjik. Mjaft kishin vuajtur dhe tani donin t`i gëzoheshin lirisë. Asaj lirie për të cilën gjyshi i tyre, Antoni, kishte shkruar aq bukur. Asaj lirie për të cilën autori i librit, Vili Minarolli, shprehet teksa flet për shkuarjen e Sandrit, e më pas të gruas së tij, Ritës, në Kanada:
“Tani po e kuptonte se kuptimi i lirisë, ishte shumë më i gjerë dhe i ndryshëm nga ai që kishte menduar më parë. Tani të jesh i lirë do të thoshte të ishe i vërtetë, të mos ishe peng i gënjeshtrës, të ishe vetvetja dhe të mos shtireshe, për të qenë i dyfishtë, të mendosh ç`të duash dhe të thuash atë që mendon pa cënuar lirinë dhe krenarinë e tjetrit”.
Dhe falë asaj lirie, ata ditën ta rregullojnë për bukuri dhe pa kokëçarje jetën e tyre. Ky është edhe paradoksi që kërkon të na japë autori i librit:
Të njëjtit njerëz, vuajnë në atdheun e tyre dhe e gjejnë lumturinë në një vend tjetër. Mos kishin të drejtë romakët e vjetër kur thoshin; “Ubi bene ibi patria”, pra; “Ku është mirë, është Atdheu”?
Dhe ja kështu shkoi e po shkon jeta e kësaj familje të nderuar, nisur qysh nga Jaku e Dana e, deri te nipat e mbesat e fëmijëve të Xhekut dhe që aq mjeshtërish ka ditur të na i paraqesë autori Vili Minarolli, i cili me personazhe të tilla, na ka dhënë atë çka ngjau me shumë familje shqiptare. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016