Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjete gjashtë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Me Karafilin nga Devolli, kishin të ngjashëm jo vetëm emrin dhe akuzën, por edhe fundin. Domethënë, vdekjen e pashmangshme në burg, prej dënimit mbi mundësitë e moshës fizike. Karafil Laholli nga Bozhigradi, ishte rreth tetëdhjetë e dy vjeç, kur dënuan. Një ditë të ftohtë fund-dimri të 1970-ës, e sollën në Reps, në “Kapanonin e rrozhgove”.
Ishte një plak topolak me trup mesatar, që s’e tregonte moshën vërtetë. Fytyrë rrumbullakët, me faqet buçko, përherë i qeshur; majat mustaqeve të përdredhura i ciknin veshët. Mbi sytë e shndritshëm bojë hiri, i ndeheshin një palë vetulla të gjera, si flatra zogu në fluturim.
Meqë ishim afër me jatakë, me kalimin e muajve u miqësuam. I bëja ndonjë shërbim të vogël, si fjala vjen: kur shkoja në çezmë për ujë, mbushja edhe paguaren e tij; kur vija te kazani për gjellën, merrja dhe racionin e tij; në darkë i ngrohja ndonjë kovë ujë, për të përvëluar këmbët, sepse si i moshuar, vuante nga reumatizma, dhe me gjithë përpjekjet e tij, ai çapitej me zor.
Këto hyzmete të vockla, që për mua s’ishin kushedi ç’mundim i madh, i jepnin kënaqësi plakut. Sidomos kur ia çoja kafen të ngrohtë te shtrati, krekosej, i bëhej si të ishte në shtëpi me plakën; përkëdhelte mustaqet e mëdha me gishtat e trashë, ngrinte lart vetullat shpatuke dhe më thoshte; “paç uratën, biro”, me gjithë shpirt.
Kjo përsëritej pothuaj përditë, saqë, një herë, Refat Arixhiu i thotë me shaka: – “Xha Karafil, na i mbushe thasët me aq shumë urata, sa kushdo që hyn në depo, për tesha, në vend të tyre gjen uratat. Or, po na le miletin lakuriq, mo”! – “Ah, more Refat Kurbati, atë e ke xhins tinë, se buzë lumit ke lindur, jo ky djalka”! – ia kthente me të njëjtën gjuhë plaku hokatar. Ai ishte bashkëbisedues i vëmendshëm dhe hazërxhevap, i këndshëm, a kur binte fjala për dënimin, i bënte bisht përgjigjes. Ngaqë e kisha bezdisur shumë herë me të njëjtën pyetje, një ditë ma ktheu:
– “Ce ore, të tjerët që janë këtu, për ça i kanë dënuar? Po, kot ore, kot! Edhe mua kot më shtinë këtuzë, për… mutnë, bre”! Heshta, s’e ngava më tej. “Lere, është i vjetër e s’di ç’thotë! Mbase edhe shkarë pak nga fiqiri”! Më pas, nuk e hapëm më këtë temë. Por një ditë Namik Hoxha, një bashkëfshatari i tij, erdhi t’i bënte një vizitë te shtrati. Meqë xha Karafili ish mësuar me shërbimet e mia, më tha mua, t’u bëja kafenë.
Kështu bëra. Vajta në kuzhinën private, zjeva kafen në një sapllake marine, sepse xhezve s’kishim, dhe ua çova të nxehtë. Kur bëra të largohesha për te jataku im, më ftuan të ulesha. Ne bisedë e sipër u hap muhabeti për familjen e plakut. Aty mësova se ai jetonte vetëm me plakën. Një djalë që kishte, ish i arratisur në Greqi, që herët.
Plaku i rrëfente Namikut të rejat që kishin bërë vaki në fshat, ato tetë vjet që ai dergjej në burg. I tregoi për ata që kishin vdekur, për ata që in martuar, për ata që ishin bërë komunistë, për ata që ishin arratisur, Si bashkëfshatarë, personat i përmendnin me emra, meqë i njihnin të gjithë, por mua s’më tërhoqën vëmendjen, ngaqë s’përbënin interes.
Mirëpo kur në muhabet e sipër erdh llafi te dënimi i plakut, në çast u bëra gjithë sy e veshë dhe u përqendrova në bisedë. Ai rrëfente se si ia kishin ngritur kurthin, Kryetari i Këshillit të Bashkuar dhe sekretari i partisë së fshatit.
Atë çast, nxori nga xhepi i jelekut një letër të palosur, shumëfish, e ma zgjati mua: – “Na, more djalkë, lëçite! Ngaqë të ka mbetur kedh, shihe, të bindesh, që më kanë futur për… mutin! U ndjeva i turpëruar prej asaj që po dëgjoja në prezencë të Namikut, megjithatë e mora fletën e palosur, e hapa me kujdes, se mos e grisja; gati ish ngjitur si palëza duhani. I hodha një sy të shpejtë. Shumë herë pashë të përsëritej fjala “mut”.
Aty nga mesi i fletës ishte edhe një strofë poezie. Kureshtar, për ç’shkruhej, iu ktheva me nge, nga e para. Më poshtë po riprodhoj, me aq sa mbaj mend, atë ç’më është ngulitur në tru, prej tekstit të kësaj akuze qesharake. Fillonte me të dhënat personale, të parëndësishme për t’u përmendur, si: datëlindja, vendlindja, vendbanimi, e të tjera, gjëra të njohura, për këdo që ka kaluar në hetuesinë e Sigurimit.
Mandej vazhdonte akuza konkrete: “I pandehuri Karafil Laholli, në rrugën konsekuente të tradhtisë, si armik i betuar i Partisë dhe i popullit tonë liridashës, s’ka lenë mjet pa përdorur, që të realizonte qëllimet e tija të mbrapshta. Ai ka abuzuar me lirinë e pakufishme që garanton kushtetuta jonë demokratike e popullore.
Ka bërë haptas propagandë kundër Partisë dhe pushtetit, ka fyer në vazhdimësi kuadrot e kooperativës bujqësore, ka njollosur me damkën e turpit figurën e gruas dhe të rinisë, është tallur ligsht me frymën revolucionare që ka përfshirë masat e gjera, që janë hedhur në sulm për ndërtimin e Shqipërisë së re dhe veçanërisht, ka denigruar moralin e vullnetarëve të hekurudhës Rrogozhinë-Lushnjë.
Parullat e përhapura prej tij, se gjoja, rininë tonë heroike e çuakërkan në aksione për ta degjeneruar, kanë indinjuar, tepër rëndë, bashkëfshatarët e tij. Njërit, syresh, na i ka thënë konkretisht, këto fjalë: Tani s’po u dalkan më brigadierët e kooperativës, por po kërkuakan damazë të rinj, të na përmirësuakan edhe racën! Na i shpënkan çupkat në aksione rinie, që të na i kthekërkan plleja! Mos e ço çupkën, o t’u mbylltë e mendjes’!
I pandehuri Karafil, si armik dhe baba armiku, nëpërmjet djalit të arratisur, është vënë kokë e këmbë në shërbim të Asfalisë Greke, mban kontakte të përhershme me kundërspiunazhin e monarko-fashistëve. Nga burime konfidenciale, na rezulton se spiunët dhe diversantët e kanë furnizuar me ndihma në ushqime, veshmbathje, të holla. Sepse, si mund të shpjegohet ndryshe, të përballosh atë jetë luksoze, ç’bën i pandehuri, kur në dyqanet e fshatit s’i japin asgjë, ngaqë as vetë, as plaka, s’pranojnë të punojnë në brigadë? Le të na përgjigjet i pandehuri:
Ku i gjen paratë që na harxhoke çdo javë në pazarin e Korçës dhe ngarkoke gomarnë me ushqime dhe veshje?! S’besoj se kërkon shumë mënt! Përgjigja e kësaj pyetje, del vetvetiu: dhrahmitë dhe dollarët që i paguajnë monarkët; për shërbimet që u kryen ky. Pra, na rezulton: i pandehuri Karafil, është katërcipërisht i zhgallavitur me shërbimet sekrete perëndimore, pavarësisht se s’pranon dhe përpiqet i mbulojë. Kush ka parë ndonjë armik, të thotë: Unë jam armiku?! Jo, or jo, s’është parë e s’është dëgjuar. Sepse ata janë të betuar në rrugën e tradhtisë.
Por Partia dhe Udhëheqësi ynë i ndritur, i sprovuar në aq e aq përballje, ua kanë çjerrë dhe do t’ua çjerrën maskën, do t’i demaskojë he shpartallojë përfundimisht. Të kthehemi te veprimtaria e këtij armiku, që po dridhet si miu në hokan, para drejtësisë sonë. Rekrutuesit i kërkonin vepra të mirëfillta armiqësore, me çdo mënyrë, ndaj edhe i pandehuri s’la formë pa përdorur. Le t’i referohemi vetëm rastit të fundit, kur i pandehuri u kap me presh në dorë (më falni, domethënë me mut)!
Në datën aq, të muajit kaq, ai kthehej nga pazari i Korçës bashkë me një grup fshatarësh të tij. Në të hyrë të fshatit, shkëputet nga tufa, me pretekstin absurd se, me demek, donte të dilte jashtë, ngaqë ndihej keq ga barku. Por synimi i vërtetë s’ishte ky, pasi kishte marrë tjetër detyrë nga financuesit e tij: të përhapte trakte me frymë antiparti, ku të fyheshin dhe denigroheshin figurat e larta të Partisë dhe Shtetit, përkatësisht shokët kryesor të udhëheqjes, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.
Dhe ja se ç’shkruan ai në traktin famëkeq: ‘Po le prapa, te kjo ferrë, / dy topilë, dy menderë. / Lule që t’iu merrni erë, / një për Mehmet, një për Enverë’! Siç e dëgjuat nga kjo që cituam më sipër, urrejtja e verbër e këtij armiku i kapërcen caqet e arsyes së shëndoshë dhe e tradhtoi bartësin e vet! E ndillte e kaluara armiqësore që e çoi deri atje, sa të pëgërë edhe mbi udhëheqësit kryesorë. Besoj e keni dëgjuar atë fjalën e urtë që thotë: Kur i vjen ngordhja qenit, vete përmjerr në derën e xhamisë’. Kështu pra, i ndodhi dhe këtij, po s’mundi t’i shpëtonte vigjilencës revolucionare dhe syrit të popullit.
Pavarësisht pallavrave të të pandehurit, se gjoja nuk na e paska patur me udhëheqjen, po me kryetarin e Këshillit Popullor të Bashkuar dhe me sekretarin e byrosë fshatit, që gjoja na e ndalokërkan t’u furnizoka me bukë dhe ushqime pa plotësuar numrin e ditëve të punës në kooperativë. Natyrisht, këto fantazira s’i ha kush, se po të qe vërtetë ky shkaku, do t’i kishte emërtuar thjeshtë Meti dhe Veri, siç i thërret krejt krahina.
Dhe tani, vini re sa poshtërsisht e pabesisht vepron armiku: Si burracakët na ndahet nga bashkëfshatarët e fshihet pas ferrës, me synim që në veprën e tij kriminale, të implikonte edhe të tjerë. Atje, si skile e vjetër, na shkruan traktin dhe na e vendos majë shkopit, që të dukej nga të gjitha drejtimet dhe në fund, na e ngulkërka atë në mes të pilafit të mutit! Besoj e kuptoni, kjo ka vetëm një emër: përdhosje e shokëve te Udhëheqjes kryesore! Por Partia jonë syshqiponjë, nëpërmjet syrit dhe veshit të saj të pagabueshëm, Sigurimit të Shtetit, e zbuloi dhe ja tek e keni këtu para, duke u përpëlitur si urithët.
Erdhi dita të japë llogari edhe për të shkuarën e lashtë kriminale, për djalin që e nisi ushtar te Papadhopulli në Greqi, për allishverishet e pista me diversantët, për pritje përcjelljet në kufi, të trafikantëve; pra, për gjithë ato vepra të pandëshkuara deri tash. Ta marrë vesh njëherë e mirë ky dhe kopukët e tjerë si ky, se Partia e kap lepurin me qerre. Atyre që iu vret synë drita e së vërtetës marksiste- liniste, le të verbohen, fundin e kanë pa derman, në litar, në plumb dhe burg”.
Me këtë frymë legjendohej akt-akuza, deri në fund. E lexova dhe një herë nga fillimi, po sy të më ngelën mbi strofën e vogël. Rilexova disa herë këtë bejte naive dhe e fiksova ashtu si e riprodhova më sipër. Medet, një bejte banale, kish shërbyer si shkaku i arrestimit dhe dënimit! T’a rrasje brenda një plak të kësaj moshe, për një bejte pa kripë dhe për më tepër këto banalitete, t’i hidhje në letër, e zeza mbi të bardhë e, ta arkivoje dhe përfundimisht, nëpërmjet saj, të jepje dënime pothuajse me vdekje, ishin kulmi i marrëzisë komuniste, që vetëm në Shqipërinë e Enver Hoxhës mund të ndodhte.
E palosa dhe ia ktheva. Plaku e mori dhe e copëtoi në grimca të vogla: – “E ç’më hyn në punë kjo fije kartë! Ptyh, lanet qoftë, më mbyti era menderit! Më bëhet se fle me mutin në xhep”! – dhe i flaku dromcat e letrës, si të hiqte prej trupit një parazit të bezdisshëm. Grimcat e bardha bënë ca pirueta fluturore në ajër e ranë mbi çimenton korridorit. Për të fundit herë, pashë ca copëza që kishin rënë së mbari që kapnin diçiturën: “mut”. Plaku ndoqi shikimin tim, fryu bulçitë dhe hodhi mbi to një gulsh gëlbaze: – “Ptuh, larg e tutje mutit dhe mutërve”! – shfryu me neveri.
Doja të mësoja diçka më tepër mbi jetën e tij, ndaj e ngacmova plakun: – “Paske qenë i fortë, xha Karafil! Me tërë këto batërdira, që paske katranosur për kaq vjet, ja paske hedhur paq, me një dhjeçe! Ore, po paske vënë në lëvizje tërë Sigurimin e Shtetit?! Me spiunë e me doktorë, bënin analizat e feçes, për të vërtetuar autorësinë e bejtes”! – “Jo bre, jo, as analiza më bënë dhe as në xherah më shpunë, po dreq e në hapsanë”. I kishin bërë hesapet sagllam ata, këtuzë e kisha strofkën, edhe pa bërë gjësendi! Kish vite që më qenë qepur, me operativ, me kryetar e me sekretar. Ma prunë mu këtuzë, bre”! – me majën e gishtit, tregoi hundën.
“Vërtetë atë ditë, isha cazë keq, u ftoha bre! Po, kisha mo, tutje-tëhu, fshat-pazar e pazar-fshat, u lodhç e më la takati! Më priste, mender barku dhe nuku po e mbaja dot; doja të liroheça. U shkëpuç nga shokët e dreq e prapa ledhit. Pa po, sa u zbrazç e po lidhja ushkurë, se ç’më zunë, gjene, të prerat, u ulçë aty afër. E rri e shtërngou, e shtrydhu e rrënxou, se ç’mu shkrep e nxuarç paqetën nga xhepi, ta ndez njëherë – thashë, – mos harroj prerjet.
Mirëpo do tinë?! Në vend të lirohesha nga barku, m’u shtrënguan trutë, e seç ma dha rradakja dhe nxuarç edhe kalemnë, e shkrova në kartën e paqetës, ato që lexove. Fashikullin që ngaja gomarë, e kisha në dorë, e çava në majë me biçak dhe si ngeca fletën, e ngula mes topilit. E meritonin ata bre, që të dy, edhe Mehmeti edhe Enveri! Për Allah, ma nxinë ymrin mo!
Po, s’e paç me ata birbot në Tiranë, bre, po me këta lanetët, këtuzë! Ma bënë fshanë si varr kurbati, bre! Ce mo, ç’punë u prishja unë atyre? As bukë e as sheqer, e as oriz, e asnjë mall, nuku iu kërkoja, ce e dija bre, s’më nepnin në dyqanë e fshatit. ‘Jeni parazitë, nuku punoni’! kështu më theshnin kryesia. – ‘Po robi do të hajë, bre! – ua kthenja.
Po me kë të llafosesha, me murnë? Ata më kthenin kurriznë e bënin tutje; unë pa bukë se pa bukë ngelesha. Kur mbesja keq, gomarnë e, dreq e në pazar, në Korçë. Shisnja ato pak gjëra që m’i fuste plaka në hejbe, si tërhan, petka, mollçinka të thata, pa, po çoja edhe ndonjë barrë dru, blinja ato që më nevojiteshin, e gjene mbi gomar dhe kthehesha në shtëpi.
Kështu e shtyrja bashkë me plakën, që mbetmë garrip ne, me një tufë kalamaj! Djalkën e kam në Greqi, çupkat, po me burra dhe me nga një skotë kërthinjsh në garametet e tyre, ca andejza e, ca këtejza. Po edhe për punë nuku ja thoshim më, as unë e as plaka! Me sa mundja bëja tutje, ca vetë e ca ndër miqtë, që kanë mbetur gjallë, dhe e shtynja. Njeriu do çalltisë bre, barku do mbushur e trupi do veshur! Po hajde mbushu mendjen cave, or të kam rixha! Ce e duan popullin skllav, ata!
Kjo që bënja unë, nuku na i pëlqente kryetarkë Mehmetit dhe sekretarkë Enverit! S’lanë gur e kusur pa luajtur, të më bënin keq dhe e arritnë vallahi! Më shtinë këtuzë, qafirët! Më futnë një dhjeçe”, – heshti, iu dha një të lëpirë, me shputën e dorës, vetullave të gjera dhe shtoi:
– “Janë qerratenj të mëdhenj këta komunistët bre, e dinë që do rrojë edhe mbi njëmbëdhjetë vite! – u kollit fort, pastaj teshtiu dhe e mbylli: “E gjene, do dal me firomë, do ta nxjerrë xhanë në shtëpi, te plaka. T’a shohim”! – një nënqeshje optimiste, i ngriti cepin e mustaqeve, vetullat si flatra zogu u luhatën dhe sytë i shkëndijuan me një dritë shprese.
Por profecia nuk u realizua. Parashikimi i plakut ngeli vetëm dëshirë, si të gjitha ëndrrat e mbyllura në burg. E kishin dënuan tej kufijve të moshës fizike, ndaj me gjithë vullnetin e hekurt, xha Karafili s’mund të bënte përjashtim e t’i kapërcente ato limite.
Mbas ca vitesh, mësova lajmin e hidhur për vdekjen e tij, në burgun e Ballshit. E groposën në varrezat pa emër, të Panahorit. Por shumë vite e vite më pas, do mësoja edhe për fundin e atyre që ia kishin bërë “fshanë varr kurbati”, plakut të mirë. “Kryetarka”, do përfundonte kufomë, në malet e Kosturit, ndërsa “sekretarka” edhe më zi: nusja e djalit të tij, do therte fëmijën e të dashurit dhe do ta fshihte në pus; nga namuzi “sekretarka”, do ta mbyllte jetën në çmendinë. /Memorie.al
FUNDI I PJESËS SË PARË
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016