Nga Rafael Floqi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Për shumë vjet është thënë dhe mbajtur se; Koli Kristofori (Rev. Nicholas Christopher), si emigranti i parë shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai hyri në SHBA-ës, në vitin 1886 (dhe në vitin 1908, figuron në dokumentet e Bostonit, si prift, anëtar Peshkopatës Shqiptare të Fan Nolit), por në fakt, shqiptari i parë që shkeli dhe banoi në tokën e Amerikës së Veriut, ishte Imzot Preng Doçi (Primus Docci ose Dochi, sipas shkrimit përkatës të emrit në gjuhët italiane, frënge dhe dhe angleze ), i cili më vonë u bë Abat i Mirditës dhe këshilltar i Kapedanit të fisit të Mirditës, Prenk Bibë Dodës. Ai ishte gjithashtu një patriot i shquar shqiptar, veprimtarinë e të cilit historiografia komuniste, e kishte mbuluar me harresë. Një rilindës shqiptar, i burgosur e syrgjynosur nga Turqia dhe promotori kryesor i alfabetit modern shqip, botues i veprave artistike e shkollore (duke shkruar me pseudonim), një luftëtar i mençur, siç e përshkruan Edith Durham.
“At Doçi pat lënë një përshtypje shumë pozitive dhe të favorshme gjatë punës së tij misionare në Newfoundland. Falë intervistave të çmuara dhe të lume të kryera nga White në fillim të viteve ‘60-të, ne kemi një informacion të dorës së parë, për kohën e qëndrimit të At Doçit në tokën amerikane. Znj Patrick Doucette nga Piccadilly, nga Gadishullit Port au Port, në Newfoundland u intervistua 5 mars, 1960, kur ajo ishte në moshën 86 -vjeçare. Ajo ishte lindur dhe rritur në Cove Benoit-së, Gjirin e Islands.
Znj Doucette u shpreh se: ‘Unë arrij ta kujtoj At Doçin. Ai erdhi në shtëpinë tonë në një rast, duke ecur me këmbë përgjatë murit të digës së detit. Ai ishte një burrë trup mesëm, i zeshkët, dhe në atë kohë kishte veshur mokasina. Ai më pa mua që po e shikoja përmes dritares dhe më përshëndeti me dorë. Duhet të shkruhet shumë për këtë njeri dhe për at Pat Brown, – tha ajo.
Vëllai im, William Benoit, pat udhëtuar shumë me këta dy burra në dimër dhe ata kaluan bashkë lloj-lloj vuajtjesh dhe vështirësish. Ai ishte udhërrëfyesi i tyre. Shumë net ata fjetën jashtë në fushë të hapur ku të përlante stuhia. Të dy burrat (At Doçi dhe Brown) ishin shumë miqësore dhe burra të muhabetit “.
Stephen Wheeler Sr., një ish-banor i Middle Arm, Bay gjithashtu e kujton At Doçin. Imzot. White e intervistoi Z. Wheeler në Ship Cove, Port au Port, Newfoundland, më 23 janar, në 1962, kur ai ishte 94-vjeç.
Wheeler tha se: “Unë u pagëzua nga Fr. Belanger në Sandy Point. Por Fr. Doçi, ishte prifti i cili dëgjoi rrëfimin tim për herë të parë. Unë nuk harroj, kur e dëgjonin, t’i thoshte Dom. Jennings (banor pionier i Middle Arm), se atij i duhej të linte vendin e vet Shqipërinë, për shkak të persekutimit fetar. Ai ishte hedhur nga kati i tretë i një ndërtese dhe pat vrapuar për të shpëtuar jetën. Ai qante kur tregonte historinë dhe sesi nuk kishte mësuar asgjë, për fatin e nënës së tij dhe xhakonit, një djali të vogël”.
Historia që rrëfen Imzot White për At Doçin në Newfoundland tregon; “Një shembull mjaft interesant se ai ishte njeri me këmbë në tokë dhe me ndjenja të thella për njerëzit dhe vendet”, aq më tepër që këto fjalë i kishin mbetur në mend e rrëfeheshin e mbaheshin në memorie nga një “qytetar mjaft i moshuar”, i cili nuk e mbante mend pamjen fizike të Doçit. White pat intervistuar Prime Power nga Shën Gjergji, në 1969, pak para vdekjes.
Power kishte lindur në ose rreth zonës së Curling, të Gjirit të Ishujve. At Doçi pat kryer shumë punë misionare në atë zonë, gjatë qëndrimit të tij në Newfoundland. Prime (Primus, Preng) më tha se ai ishte pagëzuar nga At Doçi dhe prindërit e tij, ai i pat informuar gjatë përgatitjeve për ceremoninë e pagëzimit, se: “Unë pres që të largohem shpejt nga ky vend dhe do të doja që të lija një emër pas meje. A mund të më lejoni, t’i vë emrin tim, fëmijës suaj”?
Power tha, se prindërit e tij, natyrisht ishin të kënaqur. Ata u ndjenë të nderuar dhe ia thanë këtë edhe atij. Edhe pse emri Prime, është shumë i rrallë në këto anë” (Prenk, shqip, Primus, latinisht, Primo, italisht, Prime, anglisht I pari. R.F.)
Nuk dihet shumë rreth veprimtarisë së Doçi-t në New Brunsëick. Z. Peter Murphy, asistent arkivor në Arkivat dioqeziane e Kryepeshkopatës Shën Gjonit, jep disa detaje të rëndësishme të qëndrimit Doçit atje. Regjistrat famullitarë të Katedrales së Konceptimit të Papërlyer, i referohen dorëshkrimeve të At Preng Doçit, më 1 nëntor 1881, kur ai administronte sakramentin e pagëzimit, për James Wilfred Murphy.
Shkrimi i fundit nga At Doçi, në dokumentet kishtare, është i datës 24 janar 1883. Gjatë kësaj periudhe dy vjeçare, ai pagëzoi 105 persona dhe lidhi 5 martesa. Aktiviteti fetar i At Doçit në Kishën e Shën Gjonit, përfshinte pjesëmarrjen në institucione të tilla dashamirëse, si shoqëria e Shën Jozef Sr, e cila mund të ketë qenë një shoqatë, për kundra përdorimit të alkoolit.
Në një artikull të botuar në St. John Weekend Freeman më 10 mars 1883, tregohet admirimi dhe respekti që Ati Doçi kishte fituar tek grigja e tij. Aty gjithashtu jepet një përshkrim zbavitës i praktikave të lamtumirës, të kohës që përzier me gëzim shpirtëror me fakte të jetës me këmbë në tokë të tij. “Lamtumira”. – Për takimin e rregullt mujor të Shoqërisë së Shën Jozefit Sr, të mbajtur në Sallën e Shën Malakias, shkruhet:
– “I për-ndershëm, At i nderuar. Ne, anëtarët e Shoqërisë së lartë të Shën Jozefit, kemi marrë vesh me shumë keqardhje se, pas kërkesës së eprorëve tuaj, ju jeni gati për ta lënë qytetin tonë, ndoshta për të mos u kthyer më kurrë”. Atë ditë u bë dhe pagëzimi i shoqatës, menjëherë para nisjes së Doçit më 1881, për në Romë. Ku ai udhëtoi me Rt. Rev tij superior. Thomas Sears.
Emri Doçi nuk del përsëri në Islands Bay, pas ditës së pagëzimit të Primus Power në 16 shkurt 1881. Deri më 19 shtator 1881, shënimet kishtare janë të nënshkruar nga Rev. Richard Phippard. Fr. Phippard mbërriti nga Roma në 1891, qe një shok i Doçit dhe i Imzot Sears, Prefekti i ri Apostolik. Duket se Doçi është kthyer në Gjirin e Ishujve, vetëm për pak kohë sa për të parë, se si ishte sistemuar Phippard e ri, ku e kishte njohur atë me gjithë territorin shumë të përhapur të famullisë.
Doçi shpejt u largua nga Newfoundland për një post të ri në një vend më të butë brenda tokës kanadeze të Shën Gjonit, në New Brunswick, në vend që të kthehej në Evropë. Detyrë e re mund të ketë qenë një kompromis i përkohshëm, që ai arriti me eprorin e tij në Vatikan. Gazeta “Morning Freeman” e Brunswick e datës 22 tetor-it të 1881, përmend se: “Priftërinjtë në Pallatin e Peshkopatës kohët e fundit ishin shtuar, me Rev Doçin, që është të zyrtarisht emëruar në qytet. Zotëria i për-ndershëm që është një shqiptar, ka studiuar për dhjetë vjet në Propaganda Fide. Ai kaloi disa vjet në vendin e vet me detyra të fetare dhe kohët e fundit ishte një prift misionar në Newfoundland”.
Pas kësaj periudhe të shkurtër, Prenk Doçi është nisur me anije për në Evropë, nga ku bëri rrugën e tij për në Romë. Më pas ai u dërgua në një detyrë misionare, si sekretar të apostolik në Indi. Ndërsa delegati, Kardinali Agliardi, më 1888, e zgjodhi atë në krye të Abbey Nullius e Shën Lleshit (Aleksandrit) të Oroshit, të Mirditës, në vendlindjen e tij në Shqipëri.
Prifti i çuditshëm me mustaqe
Famullia e tij ruajti kujtime të vyera nga puna e tij e dashur dhe të respektueshme në Kanada. Paragrafi në vijim është marrë nga libri; “Pionierët me Veladon të Purpurt”, ku në të tregohet historia e Kryepeshkopit Neil McNeil, i cili ishte peshkopi i Dioqezës së Shën Gjergjit, në mes të viteve 1895 dhe 1910. Skena që përshkruhet u zhvillua 10-20 vjet më vonë, pasi At Preng Doçi ishte larguar nga Kanadaja.
McNeil deklaron se: “Kur ai ishte në Romë, gjatë një muaji, kishte shumë për të bërë. Edhe pse vuante nga pagjumësia dhe lodhja, nuk e zbehu interesin e tij për të parë kishat e mëdha, historinë dhe arkeologjinë. Ai madje u takuan me një njeri që e njihte Bregun Perëndimor të Newfoundland. Një ditë, ai ishte ulur në një nga paradhomat e kardinalit prefekt, të Propaganda Fide. Po priste radhën e tij për të hyrë. Eci në paradhomë, por pamja e një Peshkopi e habiti.
Ai ishte një njeri i pashëm, por kishte mustaqe dhe pjesën tjetër fytyrës së tij e kish të rruar pastër. Peshkopi McNeil filloi një bisedë në lidhje motin me të, në italisht. Tjetri iu përgjigj po në italisht dhe së shpejti ata filluan të flasin. Pas pak, Peshkopi McNeil, e prezantoi veten në anglisht, dhe shtoi; ‘Jam nga Shën Gjergji i Bregut Perëndimor të Newfoundland’.
Peshkopi misterioz me mustaqe iu u përgjigj: ‘Si është George Gamier? Kjo e habiti më shumë Peshkopin McNeil, se George Gamier ishte pastruesi i Sandy Point dhe një personazh lokal, mjaft i njohur. Doli se ky njeri ishte ish- At Doçi, i cili në vitet e shkuara, kishte kaluar disa kohë në Bregun Perëndimor dhe tani po jetonte në Shqipëri (atëherë një pjesë e Turqisë), ku të gjithë klerikët kishin mustaqe”. Ky detaj tregon sesi, patrioti i shkëlqyer shqiptar, humanisti dhe njeriu i Perëndisë, ishte me të vërtetë “një karakter i mjaft i dashur”.
Në vitin 1883, Dom Prengën e kishin thirrur në Evropë, me shpresa kthimi për në Shqipëri. Kështu ai më 2 prill të viti 1883, u gjend në Romë. Për të qenë sa më afër Shqipërisë, Selia Shenjtë e dërgoi më 5 maj po të këtij viti, misionar në Tivar, ku ndejti plot gjashtë muaj. Por, përkundra përpjekjeve që bëri Selia Shenjte dhe kryeipeshkvi i Shkodrës Padër Guerrini, për t’ia mundësuar kthimin në vend-lindje, Doçi me plot hidhërim, u detyra të marrë anijen e, përgjatë brigjeve të Shqipërisë, të marrë rrugën për në Athinë.
Për shkak të shpifjeve të cilat i bënte Ipeshkvi i Lezhës, Malçinski, drejtuar si nga Stambolli dhe Roma, Dom Prenga në vitin 1884, u detyrua përsëri të largohej nga Evropa, për të marrë tashmë rrugën si Nëna Tereza më vonë, për në kontinentin aziatik, pikërisht në Bombei të Indisë, ku qe caktuar sekretar i kardinalit Antonio Agliardi. Atje, si njohës i mirë i italishtes, latinishtes dhe frëngjishtes, zuri një vend të merituar, mes të intelektualëve të Bombeit.
Rikthimi në vendlindje
Sado që ishte mirë nëpër vende të cilat ishin të lira, Doçi nuk gjente prehje e qetësi. Dëshira e tij e vetme, ishte të kthehej në Shqipëri. Kështu pas kërkesave të pareshtura nga ana e tij, nga Bombei dhe Roma, për t’u kthye në vend-lindje, më 6 nëntor 1888, i shoqëruar nga disa djem të Mirditës, i pritur katund më katund, tashmë si Abat i Abacisë Nullius (Abaci e veçantë) të Mirditës, mbërriti në Orosh.
Papa Leoni i XII-të me dekretin “supra montem Mirditarum”, datë 25 tetor 1888, e kishte përtërirë Abacinë e Shën Lleshit, duke e shkëputur nga juridiksioni e Ipeshkvisë të Lezhës, duke e lënë drejtpërdrejt të varur nga Selia e Shenjte. Sipas atij dekreti, Abacia që përbëhej prej famullive te Oroshit e të Spaçit, u shtoheshin edhe pesë famulli të tjera, të shkëputura nga Dioqeza e Lezhës: Ndërfanda, Kalivarja, Qafa e Malit, Blinishti e Fandi. Kongregacioni i Shenjt i Propogandës, me dekretin; “Ssmus D: N: Leo“, datë 27 tetor 1888 , lajmëronte Dom Prengë Doçin, së Papa Shejt, e kishte zgjedhur Abat të Mirditës.
Duhet theksuar se kësaj Abacie iu shtuan edhe disa famulli të tjera, me dekret të 30 shtatorit 1890, të Selisë së Shenjte: Vigu, Mnela e Gomsiqa, duke i shkëputur nga dioçeza e Sapës. Me dekret të 31 marsit 1894, Selia e Shenjte i shtoi edhe pesë famulli të tjera, shkëputur nga dioçeza e Lezhës: Kashnjetin, Korthpulen, Shën Gjergjin, Ungrejt e Kaçinarin dhe me dekret 2 korrik 1906, Abacisë iu shtua edhe Gryka e Gjadrit, që i përkiste Sapës. Abati qëndroi 28 vjet në detyrën e bariut të mirë.
Vdekja e Abatit
Me 17 shkurt 1917, duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të murrlanit, në oborr të Abacisë, abati ndjeu një dobësi! Rrëzohet! E ndien veten keq! E vizitojnë dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh, me ushtri. Diagnoza: bronkopneumoni e dobësim zemre! “I ka ditët e numëruara”! thanë mjekët! Lajmërohet kleri e të afërmit.
Abat Doçi kujtohet e thotë: “Dies annorum nostrorum septuaginta anni”, (jeta e një njeriu është normalisht shtatëdhjetë vjet”, të cilat i kishte mbushur e kaluar. Thërret Dom Zef Skanen; ai e rrëfen, ia ndan kungimin dhe sakramendin e vajimit. Kështu i bërë gati, vdekja i arriti me 22 shkurt 1917, në orën 14.30. Kështu vdiq bariu i mirë, letrari, atdhetari, misionari dhe shqiptari i parë që shkeli në kontinentin e ri, ditën në vigjilje të Krishtlindjes të vitit 1877. Memorie.al