Nga Keze Kozeta Zylo
Memorie.al / Jadigjar Luzaj, i persekutuar politik që në moshën 6 muajsh, pasi rridhte nga fisi i njohur nacionalist, Agaj, të rrethit të Vlorës, ku pjesa më e madhe e tyre gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944, aderuan në radhët e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, gjë e cila u bë shkak që në nëntorin e vitit 1944, një pjesë e tyre të largoheshin nga Shqipëria, për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistëve të porsa zbritur nga mali, që erdhën në pushtet. Një nga ata që u largua nga atdheu, ishte dhe babai i Jadigjarit, gjë e cila u bë shkak që ai dhe gjithë familja e tij të persekutohej nga regjimi komunist i Emver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, deri në vitin 1990, ku pas ngjarjes së ambasadave, ai më pjesëtarë të tjerë të familjes, u largua nga Shqipëria, duke u vendosur fillimisht në Itali, e më pas në SHBA-ës, ku jetojnë dhe sot. Për të gjitha këto, etj., z. Luzaj na njeh në intervistën që po publilkojmë në këtë shkrim.
Zoti Luzaj, a mund të na flisni ju lutem, për familjen tuaj dhe si e keni përjetuar fëmijërinë në Shqipëri?
Zonja Zylo, në radhë të parë dëshiroj t’ju falenderoj për interesimin tuaj ndaj meje dhe familjes sime. Jeta ime është ashtu si dhe e qindra e mijëra fëmijëve të brezit 1944, të cilët mbetën jetim apo, gjysmë jetim si unë. Unë linda me fat të keq për vete dhe atdheun. Babai, mbas ardhjes në fuqi të diktaturës së egër komuniste në nëntor të vitit 1944, me dy kushërinjtë e parë, Profesor Isuf Luzaj dhe vëllain e tij, Ifraim Luzaj, u larguan nga atdheu. Në atë kohë, unë isha vetëm gjashtë-muajsh. Qysh atëhere filloi kalvari i vuajtjeve tona.
Babai juaj u arratis, çfarë u bë me familjarët që nuk u larguan dot nga Shqipëria?
Pothuajse të gjithë më të mëdhenjtë, përfunduan nëpër burgje, që nga gjyshi dhe deri te xhaxhallarët. Unë dhe nëna, kur në shtëpi mbetën vetëm gjyshja dhe dy hallat, na u desh të shkonim të jetonim tek vëllezërit e nënës, në Kaninë. Shteti i diktaturës komuniste, shtetëzoi gjithçka, dhe na la shumë pak tokë, sa për t’u ushqyer. Unë bëra tre vjet të shkollës fillore tek dajot, deri sa doli gjyshi nga burgu. Në vitin 1954, shkova në Vlorë me nënën.
Gjyshi na kish bërë një kasolle në oborrin e shtëpive tona, mbasi në ato jetonte sekretarja e Gaqo Neshos, (sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Vlorës), me familje. Aty, me rrogën e nënës, punëtore me 4.300 lekë, m’u desh të kaloja të gjithë fëmijërinë time, deri ne mbarim të shkollës së mesme, në vitin 1962. Megjithëse jetonim në qytet, unë studioja me kandil. Për arsye të rezultateve të mira, kur diktatura dhe lufta e klasave ra një farë soji, m’u dha e drejta e studimit për fizikë, ashtu si edhe shumë fëmijë të tjerë të persekutuar.
E ushtruat profesionin tuaj pas mbarimit të studimeve?
Menjëherë pas mbarimit të studimeve, u emërova në Vlorë nga Ministria, por që Vlora më la pa punë. Arsyeja dihej, kondita të këqija politike. Më dhanë tri herë fletë pune, për elektricist, por asnjëherë nuk më pranuan në punë. Kjo ka qenë një nga periudhat më të vështira për mua, në këtë kohë vazhdonte të më ushqente nëna. Kur mbarova universitetin, ne të persekutuari, na çonin jo në zborë tre-mujor, si gjithë të tjerët, por dy vjet ushtar. Unë bëra vetëm një muaj e gjysëm dhe u lirova, pasi në 1965-ën, kisha kaluar një koncesion polmonar, dhe isha shtruar në Sanatorium. Kështu që, mbasi shkova në spital ushtarak, u lirova dhe i shpëtova fermës ushtarake, në Kakrruk të Skraparit.
Cilat kanë qëne tmerret, që ju keni ndjerë dhe parë me sytë tuaj?
Pasi dola nga spitali ushtarak, më kërkuan të shkoj si arsimtar në Zhep të Skraparit, sepse kishte nevojë për arsimtar. Më kujtohet udhëtimi gjashtë-orësh, nëpër malet e Skraparit, në Grykën e Dëvriut. Më zuri një dëborë e madhe, që më arrinte deri në brez,nga Çorovoda dhe deri në Gjerbës. Isha i shoqëruar nga postieri i asaj zone. Me një çadër dhe një valixhe, mbërrita në Gjerbës dhe, një ditë më vonë, në Zhep.
Zhepi ishte dy orë e gjysëm larg Gjerbësit, mbasi kaloje lumin e Tomorricës. Në atë zonë të ashpër, ku shihje një qindarkë qiell me sy, (siç thosh një mësues i persekutuar gjirokastrit), fillova punën si mësues. Atje gjeta mikpritje bujare të familjeve skrapallie, dhe dashurinë e nxënësve, që ishin më të mjeruar se “Lulat e Migjenit”. Ato ishin fytyra të bukura, por të zvenitura nga ushqimi i keq. Më dalin përpara syve këpucët e tyre të hapura, dukeshin sikur do kafshonin mësuesin. Rrobat me aq shumë ëndrra, nuk kish ku t’i kafshonte as qeni.
Atje, në Gjerbës, njoha mësuesin dhe mikun tim të persekutuar, Ksenofon Dilon dhe një plak tepër fisnik, mbi të ‘80-at. Plaku, gjysmë i kërrusur, ishte larguar në emigracion, që nga 1900-ta, deri në 1912-ën, në Turqi. Pastaj, ai kishte shkuar në Amerikë, deri në 1930-ën, kur dhe u kthye në Shqipëri. Po e përmend këtë plak, për dy tregimet historike të tij: Ai dhe disa të rinj shqiptar, kishin pritur me duartrokitje Ismail Qemalin, në 1911-ën dhe ai iu kishte thënë: “Mos duar-trokisni djema, se nuk kemi bër atë që duhet akoma për Shqipërinë” dhe që edhe sot nuk është bërë akoma ajo që duhet për Shqipërinë.
Ndërsa Abdyl Frashëri, tregonte plaku, kur shkoi te Bismarku, ky i fundit e pyeti: “Ka shumë Shqipëria, njerëz të mësuar si ti”? Dhe Abdyli iu përgjigj: “Po”! Ndërsa Bismarku i tha: “Ai komb, do 100 vjet me kërbaç dhe 100 vjet arsim dhe dituri, pa të hyjë në radhët e kombeve”!
Sa kohë qëndruat në Zhepë?
Aty qëndrova deri në vitin shkollor 1969-‘70, kur më transferuan më afër, në fshatin Kakrruk, midis Çorovodës dhe Poliçanit. Kjo m’u bë, për hir të respektit që fitova nga populli i Zhepës, dhe nga shefi i Seksionit të Arsimit të Çorovodës. Kakrruka, qe një fat për mua, se dhe u fejova, dhe realizova një nga ëndrrat e bukura të mijat. Gjeta personin më ideal në jetë, që nuk do ta krahasoja, as me një anëtare të Komitetit Qendror, apo të Parlamentit, bij e një të burgosuri të dënuar me pushkatim, që për mungesë faktesh, iu kthye me burgim të përjetshëm. Ajo pati njohur babën e vet, përmes hekurave të burgut të Burrelit.
Ai kishte qenë i dërguar politik i “Ballit Kombëtar” për zonën e Lumit të Vlorës, me pseudonimin “Besniku”. Ai ishte Neim Sheka, nga Smokthina. Pas burgut, u internua në Smokthinë të Vlorës, në Bashaj. Bashkëshortja ime, Engjëllushja, është edhe mbesa e familjes të dëgjuar të Agaj-ve. Ajo u adoptua nga halla e saj, që të vazhdonte shkollën në Durrës, aty ku unë e pashë dhe e njoha për herë të parë. Ne ditën e parë kur u fejuam, unë desha t’i thosha dy gjëra, ndërsa ajo më ndërpreu: “Nuk kam nevojë, i di të gjitha”. Ajo ishte e zgjuar, e mençur, dhe shumë e shkathët. Më ka qëndruar besnike hap pas hapi, asnjëherë nuk më është ndarë, e cila ka qenë shkaku kryesor që i kam shpëtuar burgut.
Po ju, u internuat?
Internimit i kam shpëtuar në 1965-‘67-ën, për arsye se isha student dhe i sëmurë. Dhe nënën, si grua plakë, nuk e prekën. Internuan vetëm xhaxhanë, me familje, dhe kushërinjtë e mi, fëmijët e Profesorit. Por unë, persekutimin më të madh, e pata që nga 1973-shi, kur u pushova me motivacion që të punoja si punëtor në një ndërmarrje periferike, Bonifikim, dhe pikërisht në kavë të gurit, për 17 vjet rresht, deri në 1990-ën. Shokët, kur më shihnin që kthehesha nga puna, më thërrisnin “Zhan Valzhan,” (Jean Valjean) si personazhi kryesor i Hygoit, veprat e të cilit i lexoj gjithmonë. Kështu ndjehesha më krenar. Nuk më vinte keq, që nuk ushtroja profesionin tim. Unë isha i kënaqur që kisha marrë me dije dhe kulturë, për të jetuar jetën.
Kur e krijuat familjen tuaj, a mendonit se një ditë do t’i realizonit ëndrrat për fëmijët tuaj?
Për këtë, një motivim i parë në jetë ka qenë qysh në klasën e pestë, një thënie e akademikut të madh rus, Micurin, që thoshte te teksti i Nina Potapovës: “Mej nje mozhjem, zhdat millostiej ot prirodi, nasha zadash, zjatu njehjo”. Që do të thotë: “Ne nuk duhet të presim lëmoshë nga natyra, detyra jonë është t’ja marrim asaj”. Unë dhe ime shoqe. jetuam në kushte shumë të vështira. Ajo në fabrikë të çimentos me tre turne, dhe unë në gurore. Krijuam një familje të përvuajtur, por të lumtur. Me gjyshen dhe nënën, dhe xhaxheshën. që një vit para se t’i dilte i shoqi nga burgu (mbas 14 vitesh), ra nga ulliri dhe u paralizua. Zoti na dha tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, të cilët janë kompensim i lumturisë tonë. Ëndrra jonë gjithmonë nuk ka gjetur prehje, ajo ka vazhduar përmes sakrificash të shumta dhe të vazhdueshme.
Ku ju gjeti përmbysja e diktaturës dhe si e përjetuat hedhjen e bustit të diktatorit nga populli dhe klasa juaj?
Përmbysja e diktaturës, na gjeti në Itali. Fill mbas ngjarjes së ambasadave në korrikun e 1990-ës, me dhënien e pasaportave, tentuam të iknim, me përjashtim të gjyshes që ishte 100 vjeçe. Por, dikush na kish spiunuar, dhe Sigurimi na ktheu, duke na thënë që mund të ikte gjysma e familjes (me pretekstin tonë për të takuar xhaxhanë dhe babanë në Itali) dhe mbasi të kthehej gjysma, të shkonte gjysma tjetër. Mbas një jave, ika unë me dy fëmijët e mëdhenj, dhe xhaxhanë, me një peng në zemër, që lash nënën, gruan, dhe vajzën e vogël gjashtë-vjeçe, Blerinën.
Pa i humbur shpresat se e njihja mirë time shoqe, unë zbrita me tragetin e Otrantos në Otranto, dhe të nesërmen mbërrita në Venecia, me tren. Me vete kisha $ 100 që m’i kish dhënë një kushëri. Gruaja, me 80.000 lekë (të vjetra) që i kisha lën unë dhe me shkathtësinë e saj, erdhi pas meje, pas disa kohësh. Ajo i dha lekët një miku të xhaxhait, për të mundësuar ardhjen, pa e marrë vesh Sigurimi. Vetëm dy njerëz të besuar, e dinin për ikjen e gruas, vëllai dhe një kushëri i saj, nga Agajt. Dy ditë pas mbërritjes tonë në Itali, erdhi gjysma tjetër në Brindisi. Gruaja takoi xhaxhanë në Leçe, dhe u bashkua me ne, në Mestre, ku jetuam pesë muaj e gjysmë.
Italianët u treguan shumë human, dhe na ndihmuan. Ata na gjetën shtëpi dhe punë për mua dhe për time shoqe. Në Itali, përjetuam rënien e bustit të diktatorit me lot gëzimi. Aty e pamë që diktatura në lëngim po binte, po fitonim një gjë të madhe: lirinë. Atë e ëndërronte edhe Ezopi. Nuk është pak. Por që kombi ynë të vihet në rrugë të mbarë, do kohë. Amerika është një komb i madh, që ka parë një luftë civile të tmerrshme.
Dy gjeneralët e saj, i Veriut dhe i Jugut, i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe thanë; do bëjmë Amerikën, dhe e bënë. Nuk quajtën asnjë tradhtar, dhe i quajtën të gjithë dëshmor të kombit. Nuk ka ndonjë ditë feste për këtë, kanë vetëm festën e Pavarësisë. Ne në Shqipëri, duam dy festa. Harrojmë që ajo që na bashkon, është 28 Nëntori dhe ajo që na ndanë, është 29-ta. Kjo e fundit, nuk na dha liri, na dha diktaturë, robëri, gjysma e shqiptarëve u arratisën, internuan, pushkatuan, apo burgosën.
Në ç‘rrethana u takuat me babain tuaj dhe a mund të na thoni disa nga kujtimet tuaja për kohën që jetuat me të?
Nga Italia, u larguam në 5 mars 1991, ditën e eksodit të madh, me ndihmën e autoriteteve Italiane, pa garanci. Babai nuk guxoi të na bënte garanci, për shkak se ishte rimartuar dhe bashkëshortja e tij, ishte një person, jo dashamirëse me ne. Dhe për këtë, unë babanë e lajmërova kur po nisesha nga Fiumicino, Aeorporti i Romës. Pasi mbërritëm në Amerikë, ai na priti në Sarasota, Florida dhe jetuam së bashku me të për dy-tre javë. Më pas, shkuam në Clearëater, ku na ndihmoi dajua i sime shoqe, Daver Agaj.
Daveri na gjeti një shtëpi me qira dhe punë në një restorant. Ne kishim kursyer aq para në Itali, sa për të filluar jetën. Restoranti ishte shqiptar, sepse ne nuk dinim as një fjalë anglisht. Prioriteti ynë kryesor, ishte shkollimi i fëmijëve. Blerina filloi klasën e parë, për të cilën kishte bërë një javë në Shqipëri dhe tre muaj në Itali. Djali, Gentiani, vazhdoi shkollën e mesme. Vajza e madhe, Enkeleida, hyri në kolegj. Në Florida, jetuam nga 1991-‘93, dhe më vonë u vendosëm në Michigan me punë, shkolla, dhe të ardhura më të mira.
Babai më tha një ditë në telefon: “Unë e prisha në pleqëri, por e di që ti do ecësh, se ke familje të mirë, të shëndoshë dhe grua të mirë dhe të zonjën”. Dhe kështu ndodhi. Dy fëmijët e mëdhenj, mbaruan studimet te Universiteti i Michiganit, e vogla te Universiteti Wayne State. Ne vazhduam punë deri sa dolëm në pension, në 2008-ën. Fëmijët u punësuan rreth zonës së kryeqytetit amerikan, me punë të mira. Janë martuar me shqiptarë dhe shqiptare. Enkeleida dhe Blerina, secila kanë një vajzë, Emma dhe Alba.
Dhe djali ka një djalë dhe një vajzë, Andy dhe Sarah Shqiponja. Këto na kanë larguar stresin, na japin gëzim, dhe jetojmë të lumtur në vendin e Perëndisë, pa harruar Atdheun tonë. Në vitin 1993, unë e çova babain në Shqipëri, dhe u takua me nënën e vetë. Ajo ndërroi jetë në 1996-ën, kurse babai një vit më pas, në 1997-ën. Nuk arriti të na vizitonte dot në shtëpinë e parë që blemë në Grosse Pointe Park, Michigan.
Ju jeni nipi i prof. Isuf Luzaj, një figurë intelektuale poliedrike. Sa ka ndikuar xhaxhai juaj në jetën tuaj dhe a shpresoni se një ditë, të gjithë figurave të rëndësishme intelektuale kombëtare do t’u jepet vendi i nderit në atdhe, pasi deri tani vazhdon historia si më parë, tejet e cunguar?
Me Profesorin kemi komunikuar që në Shqipëri, që i kthente përgjigje sime shoqe, me një letër të gjatë, ku i thoshte: “Në qoftë se je e bija e atij që kam njohur unë, Neim Shekës, je me të vërtetë një bijë labe, trime dhe e zgjuar”. Profesori dhe babai, e donin shumë Engjëllushen. Ne jemi krenar për xhaxhanë. Një kundërshtar në debate, do më thoshte: “Ai nuk është vetëm i juaji, është i të gjithëve ne”.
Ai ishte një luftëtar trim, sa një herë do më thoshte mua në telefon: “Të gjitha fjalët e këqija, mi kanë thënë, vetëm frikacak, s’më kanë thënë”. Por ishte edhe një intelektual i shkallës sipërore, apo siç e quajnë “Filozofi Shqiptar”. Profesori ka qenë shumë largpamës. Ai më thoshte shpesh se; Demokracia në Shqipëri, do konsolidohet vonë, aty nga viti 2025- 2030. Në varrimin e të vrarëve të Luftës së Dukatit, do hidhej në një brinjë, dhe do thoshte: “Dëgjoni vëllezër, ne luftën do t’a humbasim, por ne do të kthehemi fitimtar, mbas 10, 20, 30 apo 40 vjetëve”!
Këtë thënie, e kamë në një incizim të babait. Ai ka qenë deciziv në Konferencën e Mukjes, që shpesh nuk e përmendin. Kur në një kohë, përmendnin ndonjë person, jo pjesëmarrës. Ku në fund të Marrëveshjes, Ymer Dishnica do t’i thoshte: “Ti e ke vendin nga ne”. Dhe Profesori iu përgjigj: “Dhe ti e ke vendin nga ne”. Janë munduar të hedhin baltë mbi të, këto i di nga babai im, që nuk iu nda asnjëherë. Një fjalë e urtë thotë: “Shqiponja mund të ulet dhe të hajë ushqim, bashkë me pulat në tokë, por pulat nuk fluturojnë dot, deri atje lart në re”. Prandaj, me plot besim, të gjithë njerëzve që kanë kontribuar për atdhe, do t’u jepet vendi i nderit.
Unë u rrita gjysëm jetim pa babë, por pata fatin e mirë që pata një gjysh të mirë, të mençur, të urtë, bujar, pjesëtar në Luftën e Janinës, dhe për të cilin Profesori do më thoshte një ditë në telefon: “Rrapo Meto Vranishti, Rrapo Çelo Sevasteri, dhe Qazim Luzi nga Kanina, janë tre filozofët natyral të Labërisë”!
Ju sot jetoni në Amerikë, në vendin më demokratik të botës. A mendoni se ky vend i lire, ju ka kuruar sadopak plagët që morët nga vendi ku u lindët dhe u rritët?
“Amerika”, – thoshte xhaxhai, – “është vend i Perëndisë. Mos vidh, mos u merr me drogë, mos u merr me spiunllëqe, dhe ajo të ka në pëllëmbë të dorës”. Amerika është ajo që po demokratizon gjithë botën. Është ‘Shtëpia e Pritjes’, së planetëve të tjerë. Atë oportunitet që të jep Amerika, nuk ta jep as një vend tjetër në botë. Ajo na ka kuruar shumë gjëra, por atë që na thosh xhaxhai që; “ju jeni komunistë, pa e ditur që jeni komuniste”, dhe kjo nuk kurohet sepse, komunizmi na ka futur në shpirt urrejtjen, që është vështirë ta çrrënjosësh.
Këtu, nuk do të lë pa përmendur një thënie të Gëtes, te “Vuajtjet e Djaloshit Verter”, që simbolizon vetë autorin: “Unë linda njeri, dhe dua të vdes njeri.” Këtë thënie e kam pasur si prioritet në jetë dhe e stimulojë dhe tek fëmijët e mi. Memorie.al
Faleminderit zonja Zylo!