Nga Veli Haklaj
Pjesa e pestë
PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK – PYETJET NGA SIGURIMI I SHTETIT, NË VITIN 1946
Memorie.al / Në historinë e kombit shqiptar, Kisha Katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shpeshherë shumë të çmuar. Fatkeqësisht, raporti që ndërtoi pushteti komunist në Shqipëri, me besimin në tërësi, solli si pasojë një valë represioni të paparë ndaj klerikëve të të gjitha besimeve në vendin tonë, veçanërisht ndaj udhëheqësve shpirtërorë të besimtarëve katolikë. Sipas përcaktimit që bën Imzot Rrok Mirdita: “Pavarësisht nga forca vigane, me të cilën kisha ka bartur peshën e kulturës kombëtare, pavarësisht nga drita e papërballueshme që ajo ka hedhur mbi hijet e historisë sonë të vjetër e të re, pavarësisht nga shpirti i flijimit që e ka shoqëruar orë e çast jetën e saj në vendin tonë, madje pikërisht për këto arsye, kundër Kishës Katolike në Shqipëri, janë lëshuar shumë rrebeshe, e njëri ndër më të tmerrshmit, ka qenë ai komunist, që bashkë me procesin e zhdukjes fizike të katolikëve më në zë, vuri në skenë edhe procesin e shtrembërimit të historisë, mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me Shqipërinë”.
Proces-verbali i pyetjes së Padër Filip Mazrrekut
Në një pretk që kam mbajtë në qendër (Lezhë) duke kopjuar prej nji libri kam thënë: “Jezu Krishti mblodhi dishepujt e tij në mal të Galilesë dhe i këshillon të predikojnë fenë e tij, në të katër anët e botës, etj”. Edhe këtu u ngrit një nëpunës i dyqanit të shtetit dhe më sulmoj mua duke thënë se (predikimet) janë reaksionare, se rrej popullin, etj. Këtë pretk e bëra në ora 9 dhe n’ora 11 të drekës, por në një ditë.
Po në Lezhë ka ardhë nji herë Padër Pal Dodaj. Ai na tha që së shpejti do të vinte një delegat amerikan, për të prurë n’ujdi qeverin me Klerin. Aty u takua me një sekretar të Nënprefekturës dhe ka biseduar në lug të kishës, për më se një orë e gjysmë.
Padër Pal Doda, nuk di me ç’mision ka ardhë, por ai donte të shkonte deri në Rubik, për t’u takuar me Padër Benardin Palaj e, Padër Rrok Gurashin. Mirëpo nuk i dhanë letër-njoftim në Lezhë dhe i trembur u kthye dhe ka fjetë në kuvend te Padër Serafin Koda.
Padër Palaj, ka pasë relacione të shpeshta para çlirimit, me Gjon Marka Gjonin. Në shtëpi të tij, ka shkuar shpesh dhe i kanë shkruar letra shoqi – shoqit. Me këto letra, ka pasë mbushë nji çantë dhe kur bëheshin kontrollime, disa i ka shkye, disa i ka djegë e, disa i ka akoma. Miqësi ka pasë edhe me Dan Hasanin.
Nga Lezha jam transferuar për në Hot, mbasi aty vendi kishte mbetë vakant, meqë Padër Gaspër Suma u transferua, pse ky kishte rënë në sy fort dhe donte të largohej. Ky u tremb, mbasi aty në Hot, pati mbajtë disa kohë kriminelin, Gjysh Pistullin. Gjyshi është në Jugosllavi.
Me të shkuar në Hot, zura vend në shtëpi të bajraktarit Kadri Delisë (vëlla i Mul Delisë). Atë natë ishim në shtëpi të Kadrisë dy të panjohur, por mua po më dukesh se qenë ish-oficera. Kadrija ka pasë të shkuar dhe takohesh shpesh me Lulash Ucin (Brigje – Hot) me Gjeto Prekën (Kushe – Hot), me Mëhill Zefin (Brigje – Hot), me Mark Lekën, (Stak – Hot).
Të Lulashi vinte shpesh edhe nji djalë nga Jugosllavija, nuk dij përse. Lulashi ka pasë në shtëpi edhe një Pal …nga Gurëzi (Milot). Ky ka ndenjtë disa ditë këtu, sepse mori vesh që u bën vrasje në Gurës dhe pati frikë të shkonte. Lulash Uci ka shkuar shpesh edhe n’at anë kufirit, me katundarin Bukoviq, te një farë kapitani. S’dihet përse.
Me Kolë Maçin, jam parë te Mark Leku (Stakë) rastësisht. Ky më kërkoi ndonjë gazetë dhe pastaj më tha se kishte marrë vesh në Jugosllavi, kur kish qenë nji herë, se aleatët do të prishen (me Frontin Nacional-Çlirimtar) dhe se kjo qeveri se ka të gjatë. Me Kolë Maçin, jam takuar edhe një herë në shtëpi të tij. Aty ishte një memec, i cili me shenja, dore donte të shprehej keq karshi pushtetit.
Me Zef Lukën (Brigje – Hotit), kam rënë shumë herë në bisedime. Ky ka qenë marshall dhe tash është i pakënaqun. Më ka prurë shumë lajme, të cilat i ndiente nga i vëllai që e kishte këshilltar. Pastaj më thoshte se ushtarët po shkojshin në front të Greqisë dhe ishte enthusiast, për luftën që do të fillonte. Në mendime të tij kam qenë edhe unë dhe i kam thënë se komunizmi ne Shqipëri, është njësoj si ai i Rusis, shkatërrimtar.
Duke ardhë prej Hoti në Koplik, së bashku me Gjelosh Prelën, kryetar i Këshillit Kushë, ky i fundit më tregoi se Kadri Bajraktari është kapë, mbasi ka pasë lidhje me një pasanik Gjylbegu …, këtu në Shkodër. Zef Luka e Kol Smaili, më patën thënë se, porsa të plaste lufta, Hoti do të hidhej në kryengritje. Zefi ka pasë lidhje me Kadri Delin, dhe Kadrija duhet të jetë kryetar.
Padër Ciril Canin, e kam vizituar tri herë në Bajzë. Aty kemi qarë hallin, se si do të vejë puna jonë. Ai thoshte se po ndejti kjo qeveri, ne se kemi të gjatë. “Kjo – thoshte ai – është një qeveri horash”.
Me Padër Benedikt Demën, kemi vënë në lojë dhe jemi munduar të diskreditojmë një person të Frontit, i cili doli një ditë të mbante një konferencë në lug të kishës. Edhe me Padër Benediktin kemi biseduar vazhdimisht, kundër pushtetit, por ndonjë lidhje t’organizuar, s’kemi pasë. Në kohën që bëhej gjyqi kundër grupit të “Bashkimi Shqiptar”, n’odë të radios u kam thënë, se duhet të punojmë edhe ne një organizatë Antikomuniste.
Gjithashtu, unë me xhakonin Zef Pllumi, n’atë kohë kemi pasë rregullue n’oborr të fretërve një autoparlant, msheftas, të cilin e lidhsha me fol për tel të radios dhe ajo e transmetonte fjalën brenda në fretën. Këtu u flitshim dhe u jepshim shpresa fretënve brenda, të cilët nuk e kuptojshin dredhinë t’onë dhe kujtojshin se ishin stacione të huaja. Ligjëratat i punonte Zef Pllumi dhe ai i ka edhe tashti ato të redaktuara.
Shok të ngushtë kam pasë Padër Agostin Ashikun, me të cilin kam jetuar së bashku dhe gjithë ç’kam ditë unë, ia kam treguar edhe atij. Ne kemi thënë se fëmija me këtë qeveri prishen.
Me rastin e vdekjes s’Arqipeshkvit, u ndodha në Lezhë. Më ka ardhë një telegram nga Prek Jakova, i cili më thoshte të nisesh urgjentisht në Shkodër, për të kënduar nji meshë me korin që kishim pasë.
Ne mbledhjen e korit e kemi pasë të ndaluar dhe unë nuk desha, por Dom Mark Hasi, tha; “e marr vetë përsipër” dhe e mblodhën. Unë porosita studentët e liceut, të mos shkojnë në shkollë dhe ata ikën nga liceu, pa urdhën të drejtorit. Iniciator nga nxënësit, ka qenë Tish Daja.
Anëtarët e shoqërive të ndryshme, sidomos t’asaj “Antoniane”, i ka mbajt afër vetit Padër Aleks Baqli dhe i ka grumbulluar në grupe. Kishte për qëllim, që shoqëritë të mbeteshin të gjalla.
Me Padër Antonin, kur ishte i arratisur në mal, ka mbajt korrespondenca të rregullta, Padër Mati Prenushi e Padër Çiprian Nikaj. E kam dëgjuar vetë Padër Matin, që tha; “e kam keq edhe vetë”, kur u kap Padër Antoni. Këtë na e ka thënë një herë mbas buke.
Te Padër Çiprian Nika, ka ardhë një katundar prej Shoshi, i cili kishte thënë se; partizanët kanë shkuar të kapin disa bajraktarë dhe populli është ngritë në këmbë. Edhe për këtë, më ka treguar vetë Çipriani.
Padër Mëhill Mirajt, i ka ardhë aty nga nëntori i 1945-ës, për tri herë me radhë, një katundar prej katundit Selcë, të Malësis së Madhe. Me këta ka pasë lidhje, kur ishte famullitar në Selcë. I ka pasë mbledhë në Lug të Kishës katundarët dhe u ka folur për bashkimin kundër këtij pushteti. Për këtë më ka thënë mua se; po të jetë gjë këtu në Shkodër, unë e kam gati Malësinë e Madhe, sidomos Kelmendin.
Padër Karl Serreqi (i burgosun), famullitar në Rajë (Dukagjin), ka pasë takime me ilegalë të Pashuk Bibës. Shtoj se të gjithë klerikët, kush me fjalë, kush me sabotime të tjera e, kush me takime me ilegalë, kanë veprue kundër pushtetit.
Në një seancë tjetër pyetjeje, Padër Folip Mazreku, do deklaronte:
“Ishte në kohën e votimeve, ku ne fretënit të gjithë së bashku, ishim mbledhë në dhomë të stufës. Rastësisht na foli Padër Gjoni, i cili na tha se këto ditë; është shkruar nji memorandum dhe iu dorëzua një englezi nga një Kurti, o Kolë, i Nino Kurti, kur do të delte në nevojë. Memorandumi kërkonte që të mos njiheshin votimet nga aleatët. Në këtë çështje, ka pasë gisht edhe Gjergj Kokoshi.
Për sa i përket votimeve, ne të rinjtë kemi votue fshehtas të moçmëve, mbasi ata jo vetëm që nuk votonin vetë, por na udhëzonin edhe neve, që të veprojmë kështu. Nuk ka votue Padër Mati Prenushi, Padër Pal Dodaj, Padër Pashko Bardhi, Padër Çiprian Nika, Padër Donat Kurti, Padër Frano Kiri.
Ne të rinjtë na mblodhi Padër Gjoni dhe na këshilloi ta hidhshim kundër, kështu që unë votën time e hodha në kasën kundërshtare. Për çështjen e votimeve, është bërë edhe një mbledhje e madhe në Arqipeshkvi.
Merrnin pjesë; Monsinjor Thaçi, Padër Mati Prenushi, Rektori i Jezuitëve, Monsinjor Volaj, Frano Gjini. Këta vendosën që ta lënë të lirë secilin të vepronte si të donte, për të shkarkuar përgjegjësinë, por nga ana tjetër, futën njerëz dhe bënë që gjithë xhakojtë të votojnë kundra.
Një i quajtur Luigj Marku, lagjia “Rus”, më ka thënë mua po me rastin e votimeve, se tri të katërtat e lagjes, jemi bashkue me votue kundër. Unë për vete i kam nxitë shumë të rinjtë, të bëjnë po këtë gjë.
Kolë Kiri (i burgosun) e Padër Frano Kiri, e kanë përcjellë Padër Antonin kur u arratis, deri në Kir. Kanë zënë vend nji herë në famulli të Kirit, ku ishte famullitar Padër Ludovik Kiri dhe ndërsa Padër Antoni ndodhej aty, ka shkuar një oficer me disa ushtarë për kontroll, mirëpo Padër Ludoviku i rrejti ushtarët e, i futi në një dhomë tjetër, pastaj e nxori n’anë tjetër Padër Antonin, ku shkoi edhe Lef Masi (Nosi).
Mbas do kohësh Lef Masi (Nosi) vendosi të kthehet në vend të vetë dhe drejtohet për në Lezhë, te Padër Sarafin Koda. Ky i fundit e ka pritë mirë, e ka mbajt disa ditë në sanë, pastaj e ka çuar në shtëpi të shërbëtores së vetë, Mrikë…! Qandej e ka kapërcyer në trap të lumit Drin, te Ura e Lezhës. Memorie.al