Nga Salajdin SALIHU
Memorie.al / Në vitet e ’30-të të shekullit të kaluar, gazetat serbe e vlerësonin përparimin e sportit dhe adhurimin e shqiptarëve, veçanërisht ndaj futbollit. Gazeta beogradase “Pravda”, e 25 nëntorit të 1933, botoi shkrimin: “Shqipëria punon me përkushtim dhe me qasje moderne në përgatitjen fizike të rinisë së saj”. Gazeta shkruante se; nga Shqipëria më nuk vinin vetëm lajme për hedhje guri, por kudo ndjehej përkushtimi i madh ndaj sportit.
“Skuadrat e sportit nuk paguajnë pulla takse, për kërkesa drejtuar institucioneve shtetërore. Nuk paguajnë as telefon, apo telegraf. Kur skuadrat udhëtojnë me avion jashtë shtetit paguajnë bileta me gjysmë çmimi”. Në artikull thuhej se sporti ishte nën mbikëqyrjen e motrës së Mbretit, princeshës Myzejen Zogu, e cila ndante shpërblime, dekorata dhe medalje të çmuara për sportistët, kurse Lidhja e përgjithshme e Sportit në Shqipëri, e themeluar më 1929, numëronte 5000 anëtarë, ndërkaq çdo disiplinë sportive, zhvillohej vetëm sipas rregullave ndërkombëtare.
Në Shqipëri ishin themeluar disa klube tenisi, kurse në Korçë dhe Durrës, kishte skuadra të vaterpolos dhe notit. Gjithashtu ishin themeluar klube çiklizmi, motoçiklizmi apo automobilizmi, ndërkaq organizoheshin gara me barka motorike dhe me vela. Kishte shumë adhurim për atletikën dhe si shembull i mirë, përmendet kampionati kombëtar i juniorëve, ku kishin garuar mbi 250 pjesëmarrës. Shteti e përkrahte shumë futbollin, i pranuar “me shumë simpati”. “Ka 50 skuadra të regjistruara. Kampioni në tre vitet e para ishte S.K. “Tirana”, kurse palmën tani ja ka marrë “Skënderbeu” i Korçës”. Qeveria i kishte urdhëruar komunat, që “skuadrave të reja, të cilat lindnin si kërpudhat, t’u jepte terrene sportive”, kurse “për ndërtimin e një stadiumi të madh në Tiranë, ishte ndarë një kredi prej 200 mijë dinarësh”.
“Shkurt, sporti po lulëzon në Shqipëri. Mbreti Zog, është adhurues i madh i kulturës fizike. Me nismën e tij, sporti është bërë lëndë e obliguar në shkolla, kurse rinia po garon me entuziazëm të pashoq”. Gazeta e theksonte se sportit shqiptar, i mungonin garat ndërkombëtare. “Deri tani vijnë skuadra futbolli nga Podgorica, Nikshiqi dhe Cetinja. Herë pas here, vjen ndonjë ndonjë skuadër nga Greqia dhe shumë rrallë nga Turqia. Kur duket ndonjë flotë franceze, angleze apo italiane, atëherë garohet me marinarët, por ata luajnë futboll mesatar dhe prej tyre nuk mund të mësohet shumë”. Kjo gazetë shkruante se; në Shqipëri vinin edhe trajnerë të huaj, që angazhoheshin nga skuadra të ndryshme sporti.
MARK TEMALI PËR SPORTIN SHQIPTAR
Në të njëjtën gazetë, pra në “Pravda”, të 23 gushtit 1934, u botua shkrimi; “Letër nga Tirana: Shqipëria para Lojërave Ballkanike” të Mark Temalit, që vlerësohet si “një prej figurave më kryesore të sportit në Shqipëri”.
Shkrimi i shkruar për gazetën “Pravda”, në prag të Lojërave Ballkanike, që mbaheshin për herë të pestë në Zagreb, është pasqyrë gjithëpërfshirëse e organizimit të sportit në Shqipëri. “Sporti në Shqipëri është ende në zanafillë. Thuhet se shqiptarët për herë të parë, kanë parë lojë futbolli gjatë okupimit, kurse atletika ka nisur të zhvillohet vetëm pas Luftës Botërore. Por sporti deri më 1920, zhvillohej me ritëm shumë të dobët. Pas këtij viti, mori hov të madh në Shqipëri”, shkruan Temali për “Pravda”.
“Shoqatat sportive nisën të themeloheshin nga viti 1927 dhe ishin nën përkujdesjen e qeverisë. Me këtë hov zhvillimi të sportit në Shqipëri, besojmë se shumë shpejt do të jemi të barabartë me popujt e tjerë të Ballkanit”, shkruan Temali, që si seli të sportit shqiptar e veçon Tiranën, ku organizoheshin kampionate në shumë disiplina sporti. “Këtu luhet futboll i shkëlqyeshëm dhe ka atletë shumë të mirë. Në secilën garë janë të pranishëm përfaqësuesit e qeverisë. Këtu ka disa fusha të bukura për ushtrime, kurse qeveria ka ndarë kredi për ndërtimin e një stadiumi të madh dhe modern, për 50 mijë shikues”.
Krahas Tiranës, qendra sportive ishin Shkodra e Korça. “Në Korçë, – shkruante Temali, – “ka një stadium shumë të bukur, ku futbollistët dhe atletët, ushtrojnë nën përkujdesjen e trajnerëve”. Korça kishte edhe sallë sportive dimërore. “Sporti në Korçë, ka kushte më të mira për zhvillim e përparim. Qytetarët janë shumë solidarë me sportistët e tyre”. Sipas autorit, edhe Durrësi kishte fusha të mira sporti dhe besonte se; “për disa vite do të bëhet qendër e sportit shqiptar”. Në Durrës, përveç futbollit, ishin të zhvilluar edhe sportet verore. Përparim kishin shënuar edhe Elbasani, Himara dhe Gjirokastra, kurse Pogradeci, organizonte kampionatin e notit.
“Skuadrat tona nuk marrin ndihmë nga shteti, por gëzojnë privilegje të mëdha. Rol më të madh luajnë bashkitë, ku dallohet Tirana”, shkruan Temali.
SKUADRA E TIRANËS, ME TRAJNER HUNGAREZ
Autori S. Iveziç, në shkrimin “Organizimi i sportit shqiptar në duart e shtetit”, i botuar në “Vreme”, më 18 nëntor 1934, veçonte organizimin e mirë të skuadrave sportive, veçanërisht S.K. “Tirana”. “Deri para do kohe kampioni i Shqipërisë, Sport Klub “Tirana” udhëhiqej nga trajneri hungarez z. Samuel Singer. S.K. “Tirana” ka 64 lojtarë, të ndarë në 6 ekipe. Kryetarit të S.K. “Tirana” Peki Selmanit, një sekretar shtetëror në kryesinë e qeverisë, i mungoi përkushtimi ndaj klubit, prandaj në vendin e tij erdhi avokati Dr. Shundi”.
Gazeta shkruante se për çdo vit, organizohej kampionati shtetëror i futbollit, ku garonin shtatë skuadra. Skuadra e fundit në renditje kalonte në kategori më inferiore, vendi i saj plotësohej nga një skuadër e re, që nuk kishte garuar në kampionat. “Vitin e kaluar kampion ishte S.K. “Skenderbegu” nga Korça, kurse këtë vit, është S.K. “Tirana” nga Tirana. Në kampionatin e si vjetëm, garuan: S. K. ”Tirana”, “Bashkimi Shkodran”, “Teuta” nga Durrësi, Sport Klub “Vlora”, “Gjirokastra” dhe “Skënderbeu”.
Skuadër më e dobët ishte Gjirokastra, kurse vendin e saj e zuri S.K. “Elbasani”. Skuadrat shqiptare shquheshin për disiplinën sportive. “Të gjithë e dëgjojnë trajnerin, komisarin apo referentin. Çdo gabim dënohet me 3 javë mos-lojë, gabimi i dytë, është njëvjeçar, kurse për gabimin e tretë, lojtarit i merret e drejta për sport”. Skuadrat shqiptare gjithashtu zhvillonin përballje ndërkombëtare, kryesisht me skuadra nga Mali i Zi.
“TIRONA”, SIPAS GAZETAVE SERBE
Skuadra që përmendet shumë herë në mediat serbe, është S.K. “Tirana”, për të cilën thuhet se ishte themeluar më 15 gusht 1920 (ose më 16 gusht 1920, sikurse qëndron në faqen zyrtare të skuadrës). Në vitet e ’30-të të shekullit të kaluar, kjo skuadër shpesh zhvillonte përballje ndërkombëtare, duke mposhtur skuadra të njohura nga Jugosllavia e atëhershme. Gjatë raportimeve, shpesh theksohej loja cilësore e skuadrës shqiptare. Sivjet kjo skuadër, përjetoi rënien nga Kategoria Superiore. Një gazetë serbe e kohës, shkruan se e njëjta i kish ndodhur edhe në vitin 1933, por atëherë situata dukej ndryshe, sepse skuadra e parë, ra në kategorinë e dytë, por ishte skuadra rezervë që u ngjit në kategorinë superiore.
Në shkrimin; “Kjo nuk ka ndodhur! Zëvendësimi shpëtimtar”, të botuar në “Vreme”, më 21 maj 1933 shkruhej: “Këtu ka ndodhur e pazakonshmja. Në Shqipëri ka ndodhur që skuadra e rangut më të lartë, të luajë në rang të dytë. S.K. “Tirana” me ekipin e parë, zuri vendin e fundit dhe u desh të garonte në rangun e dytë, kurse skuadra reserve, zuri vendin e parë në kategorinë e dytë dhe kaloi në kategorinë e parë! Përndryshe, këtu futbolli po përparon vazhdimisht. I ndihmuar shumë prej shtetit, futbolli merr shumë hov. Është interesant se deri tani më mirë qëndron Korça. “Skënderbeu” është i pari në kampionat, i dyti renditet “Bashkimi” i Shkodrës, i treti është “Sport-kKub” nga Kavaja dhe e katërta, është “Teuta” nga Durrësi”.
NGA SHTYPI I KOHËS
Në vazhdim, ua përcjellim edhe disa shkrime të kohës në gazetat serbe, që flasin për sukseset e klubit “Tirana”. TIRANA KAMPION I SHQIPËRISË “Tiranë, 1 gusht – Javën e kaluar përfundoi kampionati i futbollit në Shqipëri. Këtë vit kampionatin e fitoi klubi i sportit “Tirana” dhe së shpejti do të fillojë përgatitjet për një turne nëpër Jugosllavi” (Pravda, 2 gusht 1934) S.K. TIRANA – S. K. CERNOGOREC 7:0 “Cetinjë, 7 gusht – Sot në stadiumin e Cetinjës, u luajt ndeshja miqësore ndërmjet S.K. “Tiranës” dhe S.K. “Cernogorecit” nga Cetinja. Ndeshja u ndoq me shumë interesim. Në stadium erdhën numër i madh shikuesish, për të cilët ky atraksion sporti, paraqet ngjarje të rrallë. Në tribunë ishin ngritur flamuri jugosllav dhe ai shqiptar.
Para orës 5, arritën lojtarët shqiptarë, që u pritën me muzikë ushtarake(…) Saktësisht në orën 5, gjyqtari z. Vllado Mitroviq, e filloi lojën. Në pjesën e parë, të dy palët luajtën lojë të mirë, me shumë momente interesante. Pjesa e parë megjithatë, përfundoi me barazim 0:0. Pjesa e dytë ishte katastrofale për vendësit, sepse pësuan humbje, që askush nuk mund ta paramendonte. Golat vinin si rrëke shiu, sa publiku i revoltuar filloi ta braktiste stadiumin. Pas çdo goli të shënuar binin boritë ushtarake ,duke ekzekutuar marshin përshëndetës. Te shqiptarët u dalluan mbrojtja dhe portieri. Ata e prezantuan denjësisht sportin shqiptar. Ndeshja përfundoi me rezultatin 7:0 për Tiranën” (Vreme, 8 gusht 1937).
CERNOGORACI NË NDESHJEN E KTHIMIT E MPOSHTI KAMPIONIN E SHQIPËRISË ME 4:2 (2:2)
“Sot në stadiumin e S.K. “Cernogoracit” u luajt ndeshja e revanshit ndërmjet kampionit të Shqipërisë S.K. “Tirana” dhe S.K. “Cernogorac” nga Cetinja. Ky duel sportiv u ndoq nga një numër shumë i madh spektatorësh. Nuk kujtohet të ketë pasur ndonjë ndeshje me kaq shumë publik. Për ta parë ndeshjen turma erdhi me kamionë nga Boka e Kotorrit. Pas humbjes së djeshme katastrofale 7:0 në favor të “Tiranës”, për çka duhet të mbajnë përgjegjësi funksionarët e S.K. “Cernogoracit”, sepse nxorën në terren një ekip të dobët, sot me një ekip të shkëlqyeshëm ishim më atraktiv se sa “Tirana”. Shqiptarët dje i mbajtën leksion S.K. “Cernogoracit”, veçanërisht drejtuesve të skuadrës, që treguan se nuk duhet qenë oportunë ndaj përbërjes së ekipit, por duhet bërë një ekip me lojtarët më cilësorë.
Ekipi i ndryshuar i “Cernogoracit”, bëri gjithçka dhe ishte në lartësinë e sportit të dikurshëm malazez, kur lavdia dëgjohej deri në Maltë. Saktësisht në orën 5, referi Kiselev e filloi lojën. Menjëherë u vërejt se ndeshja do të jetë më interesante, se sa në ditën e djeshme. Që nga minuta e dytë, S.K. “Tirana” kaloi në epërsi. 1:0 për Tiranën. Në minutën e 10, “Cernogoraci” e barazoi rezultatin, kurse në minutën e 26, klubi nga Cetinja kaloi në epërsi 2:1.
Shqiptarët barazuan në minutën e 42 dhe me rezultatin 2:2, përfundoi pjesa e parë. Pjesa e dytë nisi me ritëm më të gjallë. Publiku i motivoi lojtarët. Në minutën e 15 (të pjesës së dytë – S.S.) vendësit avancuan 3:2. Shumë shpejtë e shënuan edhe golin e katërt dhe ndeshja përfundoi 4:2 për ekipin tonë. Pas çdo goli të shënuar, jehonin boritë ushtarake me një marsh përshëndetës. Te vendësit u dallua portieri Tahir Doda, por edhe Ivanoviqi, Peroviqi dhe Dule Vukçeviqi. Referi z. Kiselov, ishte në nivel” (“Vreme”, 9 gusht 1937).
JUGOSLLAVEN – TIRANA 4 : 3
“Sot përpara një numri të madh shikuesish u luajt ndeshja miqësore ndërmjet kampionit të Shqipërisë S.K. “Tirana” dhe vendësve S.K. “Jugosllaven”. Jugosllaven fitoi me rezultat 4:3 (4:0). Vetëm se fundi ishte dëshpërues dhe u mundësoi shqiptarëve që të shënonin tri gola. Gjatë golit të tretë të shqiptarëve, u lëndua një lojtar shqiptar, që u desh të dërgohej në spital. Te vendësit u dalluan dy mbrojtësit, kurse lojtarët e Tiranës, treguan lojë tepër të gjallë dhe me shumë kombinime. Ndeshjen e referoi Veçeviç ,që bëri shumë gabime. Nesër luhet ndeshja e revanshit” (“Vreme”, 11 gusht 1937).
“TIRANA” IU REVANSHUA “JUGOSLLOVENIT” “Kotor, 12 gusht 1937 –
Sot u zhvillua ndeshja e revanshit ndërmjet kampionit të Shqipërisë S.K. “Tirana” dhe klubit nga Kotorri S.K. “Jugoslloven”. Ndeshja përfundoi me fitoren e mysafirëve, me rezultat 3:1 (1:0). Shqiptarët treguan lojë mahnitëse për publikun e shumtë. Tek ekipi vendës, duhet përmendur mbrojtjen e fuqishme, veçmas Pozhegun. Për lojën e S.K. “Tirana”, mund të thuhen fjalët më të mira. Kampioni i Shqipërisë ishte partner dinjitoz edhe për klubet tona të ligës. Ndeshjen e referoi shkëlqyeshëm Marinoviq. Pas lojës, kryesia e S.K. Jugoslloven, organizoi për mysafirët një banket, që zgjati deri në agim” (“Vreme”, 13 gusht 1937, f.12). Memorie.al