Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzetepesë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Pa zënë të shtatëmbëdhjetat, më shtinë në burg, me akuzën absurde Për politikë. Ç’politikë dija unë?! Asgjë ose pothuaj, asgjë! Përjashto një gjë që të gjithë pa përjashtim e kishin të qartë: “Mjerë kush përgojonte figurën e njëshit, mjerë kush dyshonte në vërtetësinë e vijës marksiste-leniniste të Partisë, mjerë kush bënte shaka me shakanë e të Madhit, qoftë dhe pozitivisht. Mjerë të mjerët që binin në kthetrat e Sigurimit të Shtetit, se qumështi i nënës u dilte për hundësh”! Kujtova moshatarët e mi që ende loznin futboll e, kut e cingla, sokakëve me kalldrëm, ndërsa unë kokëqethuri, dergjesha qelive të errëta të Degëve Brendshme dhe më pas, m’u desh të shtyja ditë-netët, muajt dhe vitet në barangat prej pupuliti, mes pocaqillëkut e parazitëve, me çimkat pleshtat, morrat, minjtë; nën shfryrjet përbuzëse të policëve injorantë, me një numër pas kurrizit. Një ankth më ligështoi zemrën.
Vështroja rrethe-qark dhe shihja shumë burra të vjetër, që për nga mosha, mund të ishin etërit e mi, po edhe vërsnikë të gjyshit tim dhe pak, fare pak të rinj bashkëmoshatarë të mitë, po edhe ata të thinjur para kohe, atëherë ankthi më kthehej në makth të pa kapërdishëm e vrastar. Por ata burra zemërdhembshur e të zgjuar, përpiqeshin t’i zbusnin efektet negative të diferencës moshore, nëpërmjet trajtimit human që më rezervuan, sikur të isha i barabartë mes tyre. Kjo më stimuloi idenë, se isha edhe më i madh, nga ç’isha në fakt.
Praktikisht kalërova etapat, s’isha më shtatëmbëdhjetë, po njëqind e shtatëdhjetë vjeçar! Ndodhia e mësipërme, më përforcoi bindjen, se këta njerëz të dashur, meritonin respekt pa kufi. Në kushte privimi nga gjithçka materiale, ata bënë atë që s’do më shlyhej nga kujtesa, sa të jetë jeta. Edhe pse pata fatin t’iu mbijetoj burgjeve dhe më pas të festoj e përkujtoj, shumë data e ngjarje të veçanta në jetë, si; ditëlindje, fejesa, martesa, lindje fëmijësh, nipash dhe mbesash, gëzime të ndryshme në familje e në farefis, asnjëra s’i afrohet emocionalisht, për nga madhështia, thjeshtësia, vullneti i mirë, dashamirësia pa kushte, vendi ku ndodhi; kësaj ngjarje pa luks, mes mjerimit total dhe gjendjes së pazakontë.
Më qëlloi të festoja dyzetvjetorin, kur shpresa po rilindte, në momentet kulmore të luftës për ndryshimin e sistemeve politike; pesëdhjetë vjetorin, në kapërcyell të ndërrimit të shekujve, në liri politike, por me ngushticë ekonomike, mes njerëzve të mi më të afërt e më të dashur. Mbase, familjarët e ekzagjeruan paksa me festime, për të krijuar atmosferë romantike, më vunë para tortë me qirinj! Por gjithsesi ajo ditëlindje në burg, mbetet më origjinalja për nga spontaniteti, si u ideua dhe si u “sponsorizua”, prej atyre që s’kishin ç’të me dhuronin tjetër, veç zemrës e dashurisë atërore. Dhe m’i blatuan ato, pa kushte! Ju falenderoj, për jetë të jetës, o burra fisnikë!
Prova e zjarrit, ose banka e provës…!
I izoluar në birucat e kampit, po mbushja afër dy muaj. Me daltë e çekan, çaja betonin dhe suvatë e mureve të laboratorit. Gjatë kësaj periudhe, shumë koncepte mbi rendin dhe rregullat e jetës, ndryshuan. Ndryshoi edhe mentaliteti, lindën e po zhvilloheshin ide të reja. Në kushtet e mjedisit të ri, po kristalizohej një tjetër gjendje emocionale, që po farkëtonte një karakter të ri, me tipare më burrnore. Pasigurinë e ditëve të para, tashmë e kisha kapërcyer.
Ditë pas dite shtohej numri i të njohurve, që me dashamirësi më pranonin në rrethin e tyre. Me mbështetjen e miqve dhe këshillat e pashtershme të të njohurve të familjes, m’u rikthye besimi që më ish lëkundur tepër, në momentet e para. Edhe fizikisht ndihesha më mirë, muskujt m’u forcuan, duart s’më dhembnin si atëherë kur i mbështillja me straxhio; puna e çdoditshme me daltë e çekan, shtresëzoi mbi to një dermë të trashë kallosh. Shëndeti u përmirësua, zbehtësia bardhoshe e muajve të izolimit, si dhe ajo debolesa ngatharake e ditëve të fillimit, u kapërcyen njëherë e mirë. Mbase mjekimi i kujdesshëm i doktor Çitozit dhe ilaçet e Dilos së gjithë-gjindshëm, e dhanë efektin.
Falë vëmendjes së pareshtur të pleqve, çdoherë do kisha ushqim paksa më shumë se të tjerët. Pra, urinë e theva disi, edhe pse zgafella në stomak s’po mbushej që s’po mbushej. Avash avash po ambientohesha me rregullin e jetës në kamp, në një farë mase u përshtata me orarin e veprimeve. Natyrisht kjo s’u arrit përnjëherë, po ditë pas dite, javë pas jave. Monotoninë që më gërreu shpirtin, e kapërceva në biseda me të njohurit e rinj, nga të cilët dëgjoja të reja mjaft interesante. Po ç’histori s’dëgjoje atje! Nga më të zakonshmet, deri te më fantastiket po të guxoje t’i merrje si të mirëqena, të duhej të hyje nën lëkurën e protagonistëve, ngaqë shpesh shëmbëllenin me fantazitë e shfrenuara të “Njëmijë e një Netëve”. E para, më çudisnin ato që dëgjoja, po më shumë habitesha me i protagonistët. Shumë rrëfenja më dukeshin të pabesueshme, madje përralla që do ishte mrekulli e njëmendët, nëse do ndodhnin në jetën kruciale. Gjithsesi e dëgjoja me vëmendje tregimtarin.
Thoshte të vërteta? Tregonte sajesa? Një Zot e merrte vesh! I besoja apo jo? S’di ç’të them! Në atë farë mjedisi të deformuar, siç qenë burgjet komuniste, mund të lindnin vetëm mendime kontroverse, që si pasojë prodhonin efekte kontradiktore. Ndoshta këto pasoja, përjetonin këta tipa. Mos vallë edhe unë do katandissha në atë derexhe?! “O Zot, ruamë mendjen”! lutesha me shpirt. Por desh Zoti, do ambientohesha, vetë vendi do më mësonte t’i dalloja, të vërtetën nga sajesat. Nisa të studioj karakteret. Mandej në rrjedhën e kohës, do arrija të analizoja edhe ndryshimin që ndodhte në subkoshiencën e individit, në kushte izolimi të detyruar. Në logjikën time fëminore, u sëritën një mori pyetje: “Si lindnin dhe shtjelloheshin në brendësi të laboratorit njerëzor, proceset psikologjike de-natyrale? Si varionte përfytyrimi për ngjarjet, ku pleksej e vërteta me rrenën? Si përthyheshin në pasqyrën sinusoidale të imagjinatës, faktet duke marrë shpesh përmasa paranojake, që në kushte normale as mund te mendohen?
Si rritej ndenja e ekzistencializmit dhe dyzimi i personalitetit, te i ndryri brenda në kafaz? Pse liria shndërrohej në obsesion, dhe robi e dëshironte atë deri në kufijtë e marrëzisë?” Pra ishin një mori pyetje që kërkonin përgjigje. Natyrisht unë s’e zotëroja as aftësinë, as intelektin, t’iu jepja secilës shpjegimin korrespondues por, duke shfrytëzuar ndihmën e pakursyer te miqve të mi, një çik nga një çik, po ja arrija. Po bëhesha pak sociolog, pak psikolog, pak filozof.
Në kontakt me këta individë, duke dëgjuar historitë e tyre personale, arrija të përcaktoja në një farë mase edhe personalitetin e bashkëfolësit, të kuptoja mentalitetin, të analizoja me sa mundja, deformimin e karaktereve. Mbërrita të perceptoj se si mund të lindnin papritmas vetitë apo veset, si në një mendje malinje, zhvillohet mitomania, telepatia, narcizmi. Pra, mbërrita në deduksionin që dikush mjafton të vozitëte mbi flatrat e fantazisë së shfrenuar dhe ta vinte veten në epiqendër të universit; tjetri të mëtonte se vazhdonte fillin e jetës në të shkuarën, atje ku dikur ja kishin këputur dhe një tjetër ende, të fantazonte bukurinë iluzive e, këtë t’ja atribuonte vet-vetes; përfundimisht, individi me logjikë të shëndoshë, pësonte transformime thelbësore.
Por sa më tepër arrija të zhbiroja brenda labirintit psikologjik të laboratorit njerëzor, aq më shumë më çudiste fakti, se mjaftë nga këta tipa ëndërrimtarë, besonin përnjëmend se jetonin në atë realitet iluziv, për të cilin flisnin. Sa më e paarritshme e mundshmja, sa më i thellë hendeku i pakapërcyeshëm, që na ndante me realen, aq më shumë zhytej në i realitet, i çorodituri. Në këtë kaos të rrëmujshëm, vetëm realistët mund të ajgëtonin kthjellët. Ndaj, pikërisht ata, u bënë timonierët e orientimit. Lavdi Zotit, rasti e solli që miqtë e mi të moshuar, të ishin ndër më realistët në ato kushte. Me eksperiencë të gjatë, ata zotëronin aftësinë të ndanin mëdyshjen nga pasiguria, të gjykonin ngjarjet e faktet e përditshmërisë, pa pasione dhe me gjakftohtësi mahnitëse. Këto veti u rrekën t’i injektonin tek unë, edhe pse s’e patën fortë të lehtë. Me këtë e shpjegoj orientimin tim, pa dilema. Asnjëherë s’fluturova në labirintet fantazmagorike, kur mjaftë të rinj të moshës sime, endeshin pa synim dhe më pas zhgënjeheshin ligsht, nga realiteti i ashpër ku përplaseshim përditë.
Kush s’arriti të mirë-organizonte përballjen me vështirësitë, shpesh përfundonte, o mbi telat me gjemba, i grirë nga automatikët e ushtarëve, o ne pavijonin shtatëmbëdhjetë, pa shpresë kthjellimi. At Vaska më foli qartë, kur më shpjegonte filozofinë e mbijetesës: “Këtu, or bir, në këtë realitet zeheri, njeriu i zgjuar, duhet të orientohet e ta shoh të vërtetën në sy, sado e egër qoftë; të arsyetoi me gjakftohtësi mbi realitetin e frikshëm dhe në fund, të nxjerrë konkluzionin nevojshëm. Po a mundesh t’i mbyllësh sytë dhe t’i lësh fushë të lirë fantazisë? Natyrisht, mundesh! Fundja, askush s’të pengon të gjezdisësh imagjinatën, në krahët e lirisë! Ama, gjene do kthehesh këtu, brenda këtyre telave me gjemba, ku na kanë ndryrë forcërisht!
Fantazia është shpresa për njerëzimin! Por realizimi, në kushtet ku gjendemi, mbetet objektiv i perspektivës! Ce bre, e kush s’e dashkërka lirinë!? Të gjithë, pa dallim! Madje edhe unë plaku, dëshiroj ndonjëherë t’i hip Pegasit! Por, jo, or bir, gjithçka na e kanë kondicionuar brenda këtij qerthulli. Duam s’duam, këtu na zuri, këtu do t’a shijmë lëmin! Kur harron ku je dhe me kë ke të bësh, mund të kolovitesh për pak në mjegullnajën iluzore të botës ireale, po kjo zgjat fare pak, kur të të lërë Pegasi, do gjakosesh rëndë! Po, ore, do lëndoheshe në shpirt dhe plaga më të hidhur është e padukshmja. Mjerë kujt i vriten ëndërrta, ai është i humburi i të humburve! Plagët e epërme, lenë vraga të zemrës, që s’të shqiten për jetë”! – heshti një çast, puliti sytë pastaj vazhdoi: – “A e di kush e ndjen më thellë dhimbjen?! Ata që kanë humbur shpresën dhe motivin për jetën, ata që fluturojnë me presh nëpër ëndërrime fantazmagorike dhe të dërrmuar ligsht, zgjohen përtokë.
E pra, kush s’gjen dot forca t’i mbijetoj burgut, vritet. Po, po, vritet! Mbase jo fizikisht, po mendërisht apo moralisht. Fundja, e njëjta gjë është! Mandej, kërkon t’iu shpëtoj përgjithnjë halleve të kësaj dynjaje, dikush iu hidhet telave, një tjetër humb logjikën e, mbetet mumie e pavetëdijshme mbi dhe, të tjerë ende, humbin dinjitetin e katandisen, o spiunë, o imoralë! Por njeriu përpiqet të ngrihet, edhe në rëntë! I rrëzuari lufton të përmirësohet, me çdo mënyrë. Kujt i mungon kuraja dhe nisiativa e s’e arrin dot këtë, e vuan dhimbjen më thellë. Dobësinë morale, kërkon ta kompensoj, duke e injektuar te të tjerët, që të mos e ndjej braktisjen dhe inferioritetin. Ata e ndjejnë se janë të ndryshëm nga të shumtët, ndaj kërkojnë shokë. Këtë kënaqësi, ndjenin lebrozët e mesjetës së hershme, të ndryrë në karantina, sikur i lehtësonte ideja, që shihnin edhe të tjerët të infektuar si veten.
Komunizmi është një lloj epidemie, një gërbulë që ka zaptuar gjysmën e botës, që nëpërmjet doktrinës ideologjike, mëton të induktoj mendime subvencioniste e, të deformojë karakteret. Ndaj, gjithkujt i del detyrë, të luftoj kundër kësaj të keqeje, të ruaj të afërmin, po kur s’mundet, së paku të ruaj veten. Të këshilloj, bir, t’i ngulësh këmbët në tokë, se vetëm ashtu mund ta përballosh këtë virane jetë”! – “Or Vask, po ç’m’i bije gjatë, or mik! Thuaja çunit açik, bre, jo spiun, jo imoral, e pikë! – e ndërpreu xha Esherefi, që po gdhendte mbi një copë bushi, leksionin e gjatë të priftit. Pastaj, pa doreza, shtoi: – “Or mec, njitu kan mbledh turli mileti, pjesa ma e madhe janë burra zamani, por ka ene krunde për thinj. E pra, nga këto krunde, larg e tutje! Ndigjo axhën tëj, ba me t’zanë udhën, thyejua meçkat! E more vesh!? Nji kjo pra, asht filozofia e sotit! Për mbrapa, ka Allahu”!
Ndërkohë, isha afruar me patriotët e mi, vëllezërit Dyli. Ata ishin sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm mes tyre. Rizai, më i moshuari, ishte shtatmadh, i qetë, i shtruar; arsyetonte çdo veprim dhe çdo fjalë e peshonte mirë, para se t’a shprehte. Për mençurinë e jashtëzakonshme, sidomos për logjikën e shëndoshë dhe racionale në gjykimin e fenomeneve dhe ngjarjeve të ndryshme, të gjithë e respektonin. Muharremi ish i kundërt; pak më i shkurtër në shtat, po më i mbushur, një kokoroç fytyrë-zeshkët, me nofulla të dala dhe hundështypur, si boksierët. Kokëshkëmb, tip koleriku, aty ndizej shpuzë, aty qetohej si dele. Mjerë kush në inat e sipër, i binte në dorë! Ish guximtar e sypatrembur, por shpesh e humbte logjikën dhe, si çdo trim i çartur, s’i llogariste pasojat.
Më qëlloi jo një herë, ta shihja si bishë të tërbuar, të çakërdisur, me sy të skuqur. Por kur qetohej, mund të luaje me të, si me një fëmijë të padjallëzuar. Ishte besnik e i gjindshëm, sakrifikonte për më të dobëtit dhe për ata që e konsideronte mik, apo mik të mikut. I urrente spiunët e imoralët, madje shpesh urrejtja i terte arsyen, saqë te secili prej tyre, shihte drurin e shtrembërt që prishte varricën dhe pa dallim, i quante: “shkaktarët kryesorë, për gjithë të këqijat në burgje”. Nëse Rizai kish trurin, Muharremi kishte hurin. Njeri jepte shenjën, tjetri bënte gjëmën! Si patriot nga i njëjti qytet, po më shumë si miq të babait tim, m’u bënë mbështetje morale e, fizike. Ndihesha mes tyre, si veshka mes dhjamit, njëri më furnizonte trurin me dije, tjetri zemrën me kurajë. Kur më provokoi spiuni, këta dy vëllezër, në bashkëpunim me pleqtë, planifikuan mbrojtjen time, pa më implikuar mua. Me këtë veprim u treguan të tjerëve, se gjendesha nën kujdesin e tyre, që të mos guxonte tjetërkush, të provonte të më provokonte.
Rizai më nxiste drejt librave, më jepte leksione morali e drejtësie; të kundërtën bënte Muharremi: “Jemi në xhungël këtu, or babuç, ligjin e bën luani! Kaprojtë janë të destinuar si ushqim për ujqit! E more vesh, apo jo”! – ngulmonte ai. “Kështu Muharrem”! – e qortonte vëllai i madh. – E more në qafë djalën, po e çon në birucë”! “Ri or ti, rri! Të gjithë, kemi bërë biruca! Eh, ç’na gjeti! Ja, ku jemi”! – kthehej Muharremi me vrull. – “Fundja, tani në fillim i nevojitet kjo, se e vonë, s’ia mban kujt t’i dalë para. Dëgjo vëllaçkon ti, pa s’të del keq”! dhe shkundte grushtet e mbledhur, si të kërcënonte ndonjë hije të padukshme. Të ngacmoi kush, mos prit, mbytja i pari, se po ndodhi ndryshe, ta la! Të kanë përfundi, pastaj hajde merre veten! Pa, po, edhe neve na ke krahë, s’të lemë vetëm ne, or babam! Lëre Rizanë, është për baba teqeje ai! Jemi në burg, or xhan, s’i dole zot vetes, të marrin zvarrë! Dëgjo vëllaçkon ti”! dhe kryqëzonte llërët, si për të thënë se ky muhabet ish i mbyllur.
Shprehjet; “dëgjo vllaçkon ti” dhe “babuç”, si dhe gjestin e kryqëzimit të krahëve, i përdorte shkak e pa shkak. Nën këtë siguri, po edhe i kriposur me yshtjet trimërore, mora zemër. ndërsa vetë mosha, m’i bënte më të lehta veprimet. As që e vrisja mendjen edhe për rrjedhojat. Sidoqoftë, ngjarja që do pasonte, i dha të drejtë Rremos, në një farë mënyre, vërtetoi se mësimet ala-Muharrem, nuk vanë dëm. Një ditë, mbeta vetëm brenda një aneksi në laborator, në gropën që më kishin piketuar të hapja. Qysh në sabah, nisëm punë me Maqon, njëri me kazëm, tjetri me lopatë, por mbas ndonjë ore, kolegun e thirri usta Gaqka, për ca punë të tjera, më profesionale. Mbeta vetëm.
Rëmija me kazëm qylyke, kur bëhej shumë material, e pastroja me lopatë. Gropa duhej hapur rreth dy metra thellësi, sepse siç më porositi ustai, aty do të groposnin dy shufra bronzi, për tokëzimin e pajisjeve laboratorike. Tabani ishte i ngjeshur, shtresat e zhurit të kalçifikuara si beton, s’i hante lopata belçe, kështu u detyrova të rëmija njëherë me byzylyk e, pastaj ta qëroja me lopatë. “Inshalla na del dhë i shkrifët”! – luti Maqua kur nisëm punën në mëngjes. – “Se po vazhdoi zhur deri në fund, do hamë dynjanë, do na dalë bytha një kut”!
– “Mos e vra mendjen, fundja s’u bë qameti, po s’e mbaruam sot, e mbyllim nesër! Se mos do na nxjerrin nga burgu, po e përfunduam më shpejt”! – ja ktheva me të qeshur. – “Ore, edhe të shoçë veshin pa pasqyrë, s’të nxjerrin nga burgu këta, e di mirë atë punë! Po, më porositi ustai, se do mbyllur sot, ngaqë na qenkan nisur ata nga Tirana”! Sa me kazëm, sa me lopatë, kisha avancuar mbi një metër e gjysëm thellë dhe vazhdoja të gërmoja ende. Në anë të gropës, naltohej një kukumale, sa me zor shihja matanë. Isha zhytur në të, doja ta përfundoja, qoftë edhe i vetëm. Kujtoja ditët dimërore aty brenda ndërtesës, kur shokët u kallkanosën në athëtimën e Repsit. Mandej doja të justifikoja edhe ustanë, që në një farë mënyre, qe treguar shpirt njeriu me mua; s’më binte në qafë, edhe kur s’e kryeja punën që më ngarkonte. Biles, më justifikonte edhe para policëve, e merrte mbi vete përgjegjësinë.
– “Kur të vijnë policët, ti mos u ndje”! – më porosiste ai. – “Për punën tënde, përgjigjem unë”! – “Po unë…”?! – e ndërprisja me shpoti. – “Or, po, a jam, apo s’jam brigadieri, bre”?! – “Po, ti je”! – pohoja me të qeshur. – “Dakord, bre, e more vesh? Ce ata të provokojnë, tine, po nuku di ç’t’ju thuash! Kurse unë i di të fshehtat e zanatit dhe ua kthej vet xhevapnë, nuku”! – e mbyllte këshillën. I zhytur në gropë gjer në fyt, dëgjova nga pas kurrizit një zë: – “Dre, dre, çfarë cope! Po, qenke si kukull”! Lashë lopatën dhe rrotullova qafën, të shihja. “Cilët mund të kenë hyrë, pa u ndjerë”?! – “Gjynah moj, të paskan shtënë aty”
Dikujt po i drejtoheshin në gjininë femërore, kjo më bëri të xhiroja kokën rreth e qark. Mendova se të nisurit nga Tirana, kishin mbërritur dhe mund të kishin me vete ndonjë femër. Normalisht kjo ishte e pabesueshme, sepse në ambiente burgu, s’lejonin të futeshin femra. “Po s’i dihet, ç’farë s’bënte vaki? Mund të jetë inxhiniere, laborante apo kushedi çfarë!” Kukumalja e dheut ndanë gropës, më pengonte të vëreja qartë. Gjithsesi, më kapi syri një të burgosur me kapele të bardhë e me mustaqe të prera spic, ala Raxh-Kapurçe. Ngaqë s’pashë tjetër, zura sërish lopatën e vazhdova të hedh dheun mbi kukumale. Në thellësi, shtresa sikur u bë pak më e shkrifët, u lehtësova disi.
Përfitova nga qylykja, ndaj e vërvita matanë. “Ti’ or bukurosh, na vrave a i vrarë”! Nuk i ktheva xhevap, po vazhdova të ngulja lopatën. “Folë mo, apo je memec”? – mustaqespici ala Raxh-Kapur, u qas ndanë ku isha zhytur unë. “Me mua e ke”?! – e pyeta, jo pa çudi. “Pse mo, sheh ndonjë tjetër këtu, ti”!? “Jo, s’mund të shoh, se jam këtu brenda”! “Po pse o, aty do rrish ti, a derëzi! Hajde, dil jashtë, se të ngre unë”! dhe ngriti dorën drejt meje, po në vend të dorës që i zgjata, më kapi për faqe, si të më ledhatonte siç përkëdhelet një fëmijë apo një femër. Mga dialekti duhej të ish lab, po fytyra s’më binte në hatër ta kisha ë ndonjëherë.
– “Dre-e-e, dre-e, po qenke yll fare, ti mo”! – dhe kaloi dorën në faqen e tij. – “Ik o bela, lërmë rehat në hallin që më ka zënë, këtu në këtë gropë të mallkuar”! – i fola si me shaka. Mendova se kisha të bëja me ndonjë të çekuilibruar mendërisht. Nga këta tipa, që nën efektin e depresionit, s’dinin ç’bënin, kishte me shumicë nëpër burgje. “Mjerani ky, do jetë i sëmurë psikik”! mendova dhe ngrita lopatën menjëherë. “Lëre lopatën, o! Hajde, mor këtu! Apo të futem aty, se më vdiqe”! – dhe fërkonte organet gjenitale. Që nga thellësia ku gjendesha, e mata me sy. “Hej dreq, ç’më zuri belaja!” Ai, ish purpurosur në surrat, si speckë djegëse ose, i turpëruar apo i djersitur. Atëbotë s’dija ku ta klasifikoja këtë individ, ish krejtësisht i panjohur për mua. – “Hiqmu qafe, bela”! – iu ktheva sërish me të butë, sepse ende besoja se isha të bëja me një të marrë.
– “Or, po s’marrke pyka ti, a derëzi! Do bëhesh kurva ime, o”! – nisi të gulçonte. – “Sa të jem unë, s’të zë dot njeri tjetër! Pastaj me mua ja hedh burgut, mos më thënçin Sali Nela! E kam grurë me të gjithë unë, o kuçkë- ë”! – shtoi shpejt e shpejt me një frymë, pa më lenë kohë ta ndërprisja. – “Si the, si the? Sali Nela! – o Zot, ç’emër drithërues?! Ky emër më shtiu mornicat në gjithë shtatin. M’u rëngjeth sharra e kurrizit e flokët e ngjethur si gjemba drize, gati shpuan cohën e kapelës. Njeriu më i urryer në historinë e burgjeve shqiptare, më qëndronte mbi krye. Çdo i dënuar politik, kish dëgjuar të përfliteshin gojë më gojë, historitë e pista të këtij imorali, ndaj vetëm emri, të kallte krupën. Sigurisht dhe unë i kisha ndjerë bëmat e tij, po s’kisha patur rast ta njihja personalisht. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016