Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Gjenerali i burgosur Halim Xhelo: “Në anët tona, shpotitë i këndojnë me iso. I fyeri s’duronte dhe, o vetë ai, o ndonjë çakmak nga të fisit, ngrinin koburen dhe nisnin hasmëritë që asnjëherë s’iu dihej fundi. Ana tjetër nashti. Kur në një familje ndodh një vaki, mblidhet gjithë farefisi nga janë e s’janë, grumbullohen miqësia, krushqia, shoqëria, fshati po se po dhe kokë ulur, ja behin në shtëpinë e të ndjerit. Mbasi ngushëllojnë fëmijët dhe të afërmit, ofrojnë ndihmën e tyre sipas takatit dhe rastit; dikush me të holla, dikush me mend dhe dikush me krahë.
I lenë mënjanë hatër-mbetjet e vjetra, madje harrojnë edhe hasmëritë e momentit dhe të gjithë bashkë, i bëjnë nderet e fundit meitit. Pastaj vazhdojnë adetet, pritje përcjellje për të shtata e për të dyzeta, për gjashtë muaj e, për një vit e, me radhë. Përfundimisht, sido të ketë qenë merhumi, i mirë apo i keq, i urtë apo sherrxhi, vdekja si kapak floriri, shërben si urë bashkimi për të gjallët.
Tashti morali i këtyre fabulave: ne komunistët që jemi këtu, ashtu si kokoshët e fabulës, kemi votuar për dënimin e sho-shoqit. E dyta: duke qenë fitimtarë, ne të gjithë synonim qoshen, domethënë të ishim krushq të parë, mirëpo siç thotë fjala e urtë: ‘Un aga e ti aga, po gomarin kush e mba’? nisëm bërrylat ndaj njeri-tjetrit. Kush tregohej më i aftë për intriga, ja fuste shokut, fitonte simpatinë e njëshit dhe i zinte vendin. Në fillim këto ndodhnin në emër të idealizmit, më vonë për pragmatizëm.
Idealistët e pandreqshëm si puna ime dhe ca të tjerë, përfunduan para togave të ekzekutimit apo, pas hekurave, në burgje dhe kampe internimi që i ngritëm vetë. Ana tjetër: jeni ju të tjerët. Por më duhet ta pranoj, jeni vetë fisnikëria. Toleranca juaj është veti e karaktereve të mëdhenj, këtë po e vërtetoj vetë, këtu në burg. Për hir të së vërtetës, juve u dënoi fati dhe gjeopolitika, që i përkisnit kampit humbës, domethënë ju ra mbi kokë një fatkeqësi që u bashkoi dhe bëri më solidarë, ndaj shkoni kaq mirë, edhe pse u përkisni rrymave të ndryshme politike”.
Ai heshti, më bëri përshtypje kjo logjikë. Këndvështrimi nga i këqyrte anët shoqërore ky gjeneral hundëçyçk, ishte i jashtëzakonshëm.
Pyetja tjetër që ka lidhje me temën.
Unë. – “Zoti Halim, si e parashikoni të ardhmen? Edhe sa mund të zgjasë hegjemonia komuniste”?
Halim Xhelo – Që të dalësh në një konkluzion për të ardhmen e afërt e një çik më të largët, duhen analizuar një sërë faktorësh, që në njërën mënyre ndërvaren nga njëri tjetri. Por fenomenet që determinojnë zhvillimet dhe ndikojnë në përshpejtimin apo ngadalësimin e ngjarjeve, në politikat rajonale apo globale në rang superfuqish. Jam përpjekur të arsyetoj, këto muaj vetmie në qeli, mbi ngjarjet e ndodhura në kampin socialist, veçanërisht zhvillimet e fundit në Pragë, ku trupat ruse ndërhynë forcërisht dhe me gjithë rezistencën e popullit çekosllovak, “Pranvera e Pragës”, u mbyt në gjak. Amerika dhe Perëndimi, mbetën te retorika e fjalëve dhe, me gjithë kundërshtimin dhe retorikën demokratike, s’guxuan apo s’deshën të ndërmerrnin veprime më konkrete. Kjo të lë të nënkuptosh, se s’duan të prishin balanca.
Përfundimisht, ekziston një ekuilibër i pranuar në heshtje. Mendoj se kjo s’do jetë e përjetshme, mbas nja dy dekadash qendra e gravitetit, mund të zhvendoset drejt Perëndimit. Lindja Komuniste, për shkaqe hegjemone, është e përçarë thellë, edhe pse në aparencë ruan fasadën e unitetit. Mbi të tjera, sistemi socialist, është i papërsosur politikisht dhe i dështuar ekonomikisht, për t’u përballur me rendimentin në rritje të shoqërisë kapitalisto-perëndimore. Padyshim, dikur do prishet balanca, do nisin garat në fushën e modernizimit të armatimeve ushtarake, që kanë kosto shumë të lartë dhe pasojat do japin reperkusione në ekonomi. Parashoh një impakt negativ në mentalitetin e masave, si pasojë, Lindja Komuniste, do të vazhdojë të humbë imazhin e “tigrit” dhe besimin te popujt e vet, nga ana tjetër ekonomia do vazhdojë të bjerë me ritme të shpejta. Por, sidoqoftë për inerci, kjo gjendje do zgjasë edhe nja dy dhjetëvjeçarë”.
Heshti sërish. Ai ishte mjaftë i prerë; tamam ushtarak karriere. Po edhe unë e ngacmova prapë.
Unë. – “Zoti Halim, konkretisht edhe sa vite, se dy dekada më duken si tepër”?!
Halim Xhelo – “Dëgjo, a derëzi, po të papërfillshme, por në këtë rast, do doja të shtoja, se jo të gjithë do kenë shansin t’a mbrijnë atë ditë! Kjo, jo vetëm për shkak të jetëgjatësisë fizike, po s’do na lenë gjallë këta, i njoh mirë unë, kam ngrënë në një çanak! Prandaj edhe fola, që ti dhe këta pak të rinj që i dëgjuat, t’ua transmetoni brezave. Mbase do dalën! Padyshim janë tepër, për jetën e historinë e një kombi, që t’ju buzëqeshë fati, të dilni gjallë, sidoqoftë u mbetet detyrim t’ua përçoni të tjerëve”.
Heshti, këtë herë përfundimisht. Edhe unë s’e pyeta më tej. Kaluan vite dhe vite nga ajo ditë, gjenerali prepotent, nuk rron më, por kishte gabuar pothuaj; zero përqind; plot njëzetenjë vjet më vonë, komunizmi ra. Parashikimet e tij dolën; sistemi politik i papërsosur dhe ekonomia e pa konsoliduar nga njëra anë, gara e armatimeve, me kulm luftën e yjeve, të iniciuar nga Regani dhe të vazhduar nga Bushi i vjetër, nga ana tjetër, e çuan socializmin drejt falimentimit e, kapitullimit final. Unë e përkujtoj me respekt atë, për rrëfimin dhe besimit që tregoi ato ditë, në burgun nga s’arriti të dilte më i gjallë. Sipas parashikimeve të bëra nga vetë gjenerali, ish shokët e armëve dhe të prapësive të mëvonshme (domethënë kokoshët), ia prenë jetën në mes. S’duhej të mbetej pas; ai dëshmitar i gjallë, dinte shumë!
Ndoshta parandieja, se s’do më jepej kjo mundësi përsëdyti, i bëra ato ditë edhe një mori pyetje të tjera dhe gjenerali cinik, foli si rrallëherë. Por për momentin, do mjaftohem vetëm me këto që rrëfeva, në m’u paraqitët rasti më pas, mund t’i rikthehem kësaj interviste me përgjigjet e pyetjeve të tjera.
* * *
Rasti tjetër i përket një parashikuesi të çështjes kombëtare.
Kisha mbushur vitin në Reps. Tashmë më ishte hapur rrethi i intelektualëve, jo aq si meritë e imja, se sa për koniunkturën e miqve që më mbështetnin. Me ndërmjetësimin e tyre, u njoha me të dënuarit e vjetër, prej të gjitha trevat dhe ngjyrimeve politike që ekzistonin atje. Njoha mes të tjerësh, një kosovar që siç thuhej, kish qenë kolonel i U.D.B.-së jugosllave, zoti Hashim Toplica. Hashimi ishte i arratisur politik nga Jugosllavia. Mbas prishjes së Titos me Stalinin, ishte larguar për bindjet staliniste. Sapo shkeli në tokën amë, i rezervuan një pritje “të “posaçme; drejt në burg, tashmë si spiun i Titos!
… Kjo fyerje e pakapërdishme, i preku pa kthim dinjitetin këtij burri, me bindje të thella komuniste. S’thonë kot: ekstremet puqen! Paskëtaj, krejt pasioni dhe idetë utopike komuniste, iu kthyen në të kundërtën, iu shndërruar në një flakadan të pashuar nacionalist. Thebembra e Akilit, për gjithë nacionalistët pa pa përjashtim, mbetej çështja shqiptare dhe veçanërisht problemi i pazgjidhur kosovar. Te Hashimi, ky ish edhe më i mprehtë, për faktin e origjinës së tij, po sidomos, mbas dështimit të utopisë së; “bashkim-vëllazërimit”.
Sa herë diskutohej për problemin kosovar, Hashimi ishte personi që fliste me kompetencë dhe të tjerët e dëgjonin me vëmendje e respekt të veçantë. Kur e njoha, Hashimi ishte mbi pesëdhjetat, një koleksion i tërë sëmundjesh, ia kish drobitur trupin. Vuajtjet e gjata dhe mal-trajtimet pafund, ia kishin rrënuar shëndetin, por ishte rezistont, i durueshëm dhe mbi të gjitha, i qetë dhe komunikues. Dijet që zotëronte, mënyra se si i shtronte dhe mbronte tezat, qetësia olimpike, tipike për një diplomat, e bënin edhe më interesant, edhe më të besueshëm në sytë e mi, ndaj çdo diskurs të tij, e ndiqja me vëmendje të posaçme.
U miqësuam shpejt nëpërmjet të njohurve të mi; bisedoja dhe dëgjoja me kërshëri mendimin e tij, për probleme të ndryshme. Në vitin 1968, në Kosovë shpërthyen revoltat për përdorimin e simboleve kombëtare. Mijra studentë dhe intelektualë të universitetit të Prishtinës, u vunë në ballë të kësaj lëvizje. Represioni i autoriteteve jugosllave qe i paparë, por edhe rezistenca e popullit kosovar, qe po aq e admirueshme. Mbas këtyre trazirave masive, politika e Beogradit, ndryshoi kurs, u detyruan të pranonin ca lëshime, lejuan për gëzime dhe hidhërime të shpalosej Flamuri kombëtar, por ai zyrtari, me yllin e komunizmit.
Kjo, në mjaftë rrethe intelektualësh, u konsiderua fitore shumë e madhe për kohën. Ishin të paktë ata që e vunë re këtë mangësi heraldike dhe më të pakët ata që u shprehën. Një ndër ta, që s’mund ta pëlqente këtë “harresë” simbolike dhe që u shpreh qysh në krye, ishte Hashimi. Pavarësisht se i izoluar në burg, ai shfrytëzonte burime të ndryshëm informimi dhe kish grumbulluar goxha informacion. Siç kam treguar më sipër, rrugët përthithëse të informacionit në burgje, kalonin në ca kanale, që çuditërisht askush s’mund t’i besoj, përjashto ata që i kanë kaluar vet. Me Hashimin, kam folur për këtë temë, ekzaktësisht më 28.11.1969, ditën e 57 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, gjatë vizitës që i bëmë me këtë rast, në shoqërinë e Daut Runës, Izet Gumenit dhe At Vaskës.
Dhe ja biseda, shkurt:
“Gëzuar festën e Flamurit, së shpejti me një Shqipëri të lirë e të bashkuar! Sa më shpejt pranë familjes dhe të afërmve”! – e urova. Më ktheu urimin. Pastaj gjuha vajti atje ku dhimbte dhëmbi, te çështja kosovare. Ndërsa unë shpreha entuziazmin për fitoren e vëllezërve kosovarë, që arritën të gëzonin të drejtën të valëvisnin Flamurin Kombëtar, në çdo eveniment familjar. E konsiderova këtë fakt, një ngjarje të shënuar për popullin shqiptar, në veçanti për Kosovën, duke përfunduar:
“Besoj se pas kësaj fitore madhore, do përshpejtohet zgjidhja e problemit të bashkimit me vendin amë”! Hashimi u mendua pak, e me qetësinë e zakonshme, u shpreh: “Shpresoj të jetë zgjidhje e momentit. Ngaqë është gjysmake dhe shumë e rrezikshme; me anë të saj zyrtarët jugosllavë kapërcyen situatën. Do kalojnë edhe shumë vite të tjerë, deri sa të mbërrinte te qëllimi final. Ndërkohë, brezat e të rinjve në Kosovë, do jenë ambientuar me këtë Flamur të përdhosur, me yllin komunist. Druaj se do ta konsiderojnë arritje madhështore dhe si të tillë, do ta shohin Enver Hoxhën, si perëndi, do t’i mveshin atij meritën e kësaj fitoreje dhe kështu do gabojnë dy herë. Së pari: po valëvitin një flamur të përdhosur, së dyti: do përjetojnë kultin e Enverit! Kur t’a kuptojnë lojën e Titos dhe Enverit bashkë, do jetë tepër vonë, dëmi do jetë bërë dhe gabimi do dojë shumë mund e kohë, të riparohet. Më falni, s’dua të bëj pesimistin, që të them se s’do riparohet ndonjëherë”!
Më çuditi ajo logjikë.
E kundërshtova. E kundërshtuan edhe të tjerët, duke e ftuar të tregohej një realist, të pranonte faktin se edhe shqiptarët, arritën të barazoheshin me popujt e tjerë, në hapësirën mbarë jugosllave, ku s’konsideroheshin aspak si njësi shtetformuese. Ai, u detyrua t’i futej një analize të thellë dhe na dha një leksion që atë kohë, për mungesë informacioni, e mora si lajthitje të Hashimit, por që s’më vinte më pas, fatkeqësisht do rezultonte i saktë.
“Të arsyetojmë me radhë. – argumentoi Hashimi. – Flamuri s’është dhuratë i zemërgjerësisë së Titos, po një finalizim i përpjekjeve të popullit kosovar. Për të arritur këtu është derdhur shumë gjak, janë sakrifikuar disa breza, dhjetëra mijëra shqiptarë janë depërtuar kufijve, në Europë, në Turqi e gjetkë. Zotërinj, për këtë ditë, janë terrori të shumta, ka tash njëqind vjet, që derdhet gjak! Mbi popullin shqiptar, është ushtruar gjenocid i pandalshëm. E nisën me Toplicën, nga ka origjinën familja ime, qysh më 1878 dhe e vazhduan me Çamërinë, mbas vitit 1924. Ende edhe sot e kësaj dite, vazhdon. Po, po, vazhdon! Ndaj e konsideroj fitoren gjysmake!
Këqyrni thjeshtë marrëdhëniet që kanë ndërtuar Titua dhe Enveri, e do bindeni. Çdo kosovar që kërkon strehim politik këtu, e kthejnë mbrapsht, kur e kërkojnë autoritetet jugosllave, ose çohet në internim, apo më keq ende, i dënojnë si agjentë të atij që urrejnë më tepër, Titos. E njëjta ndodh edhe me shqiptarët e këtushëm, sapo arratisen atje, i torturojnë dhe i kthejnë të popullojnë burgjet e Enverit. S’besoj se do komente! Mjaftojnë statistikat, shihni sa të dënuar gjenden këtu për këtë shkak!
Tjetra, duke dhënë këtë të drejtën gjysmake, për gjasme përdorimin e simboleve kombëtare, kërkojnë t’iu hedhin hi syve, botës demokratike, po edhe vetë shqiptarëve, për gjoja të drejta të plotësuara e të realizuara, në kuadër të vetëvendosjes dhe nga ana tjetër, të margjinalizojnë dhunën mbi inteligjencien kosovare, të cilët i akuzojnë për separatizëm dhe arrogancë shtet-shkatërruese. Pra, duhet të dalloni synimin e vërtetë; japin pilula gjumi dhe përjetësojnë kësisoj pushtimin e Kosovës, domethënë ruajnë statukuonë aktuale. Mundësisht përgjithmonë”!
Sërishmi e kundërshtuam, i vumë para faktin se çështja kombëtare dhe etniteti shqiptar, kërkon sakrificat dhe kontributin e të gjithëve, sado i vogël në të parë, po me vlera madhore; me synimin final, bashkimin e trojeve shqiptare.
“- Po, të dashmit e mi! – arsyetoi Hashimi. – Pikërisht këtu synojmë të gjithë, që një ditë, që s’besoj se do jetë e afërt, kur me të vërtetë do realizohet ëndrra mbarëshqiptare, të arrijmë bashkimin e munguar fizik, po dhe atë të cunguarin, shpirtëror. Por, ç’po ndodh në fakt?! Asgjë më shumë, se sa po mbjellin farën e përçamjes, për të na ndarë përjetësisht! Shihni praktikën! Të mëdhenjtë e Europës, na ndanë fillimisht në pese shtete, tani po kultivohen, pesë mentalitete. Është për të vënë kujën ky fakt! Sepse edhe vetë shqiptarët, kanë hyrë në këtë lojë me pasoja vrastare!
Vini re të këtushmit! Një shqiptari nga hapësirat ndër-jugosllave, e emërtojnë jugosllav dhe një çami, i thonë grek. Më keq akoma, shqiptarët e atjeshëm, e thërrasin njeri tjetrin, me emërtimin e njësisë ku bëjnë pjese, si: shqiptar i Sërbisë, i Maqedonisë, malazias, grekë për çamët, etj. Dhe, mbi këtë superstrukturë, ndikon formimi intelektual i diferencuar që po ndodh, si këtu edhe në Kosovë. Po rritet një elitë e zhveshur nga ndjenjat nacionaliste. Inteligjencia në Kosovë, po edukohen nën ndikimin e frymës filozofike Lindore, po edhe Perëndimore, që predikon botën e hapur pa kufij, pra rrjedhimisht, edhe pa kredo nacionale.
Natyrisht, kjo teori është e bukur, mjaftë atraktive për evropianët dhe kombet e kultivuar, po për ne shqiptarët e pa konsoliduar, që jetojmë për ibret nën diktatin e të huajit e, nën thundrën e hekurt të komunizmit, aq më tepër pa tradita shtetformuese dhe të pa civilizuar mjaftueshëm, kemi nevojë më shumë se kurrë, për një shtet të përbashkët, ku si vëllezër të mësojmë të duhemi e, të falim njëri tjetrin. Por serbët, grekët dhe ata që qëndrojnë pas tyre, madje edhe ndonjë shqiptar, po fusin pykat e përçarjes mes dy pjesëve të popullit, duke nxitur ndjenjat antikosovare te rinia e këtushme dhe kozmopolitizmin atje.
Mjafton t’iu hedhësh një sy programeve mësimore në shkolla, të rinjtë dinë më mirë historinë, gjeografinë e zhvillimet ekonomike në Kinë e në Kubë, se sa në vendin e tyre. Ju siguroj, do vij një ditë, kur rinia e këtushme do urrej pjesën tjetër të popullit, atë të krahinës së Kosovës, madje edhe vet Shqipërinë. Po hapen hendeqe të thella, që dikur do japin efektet negative. Ndoshta kjo mund të merret për disfatizëm, po të paktën kështu më rezulton nga vëzhgimet e mia. Qofsha i gabuar, po të ardhmen na e kanë projektuar të ndarë në dy shtete, që shqiptarët të mos jenë faktor i fuqishëm e determinues në Ballkan, ashtu si na takon realisht. Më e keqja do të jetë se edhe një pakicë shqiptarësh, do ta pëlqejnë dhe do përfitojnë nga kjo gjendje, ndërsa pjesa tjetër, edhe pse s’do pajtohen kurrë me këtë status, për arsye konjukturash, s’do kenë mundësi zgjidhjeje tjetër. Në një të ardhme jo të largët, do na mallkojnë pasardhësit tanë, kur të na shohin të ndarë në dy pjesë”.
Kur e pyeta se kur mund të realizohej kjo profeci, ai bëri një rrotullim krahu, si të donte të thoshte: “Ehu-uu, sa larg”! po me gojë, më tha: “Të shpresojmë të ndodhë sa më parë. Por unë dhe brezi im, s’kemi me ja mbërrit. Me ç’tregojnë bathët, do jenë larg pashkët! – e ilustroi e këtë shprehje të njohur disfatiste. – Do duhen edhe nja njëzet apo tridhjet vjet, mund të ndodh më shpejt apo, më vonë. Inshalla”!
Varet kur të bjerë komunizmi që të shpërbëhet, së pari Jugosllavia, si sajesë e natyralizuar. Ngado që ta këqyrësh problemin, jemi produkt i shkaktuar nga Fuqitë e Mëdha, në zanafillën e çështjes, janë vendimet e mbrapshta të Kongresit të Berlinit, të pasuara dhe nga traktate të tjerë. Ka qenë vendi-marrje shumë e gabuar e Europës politike, të gati njëqind viteve më parë, që vetëm shkaktarët mund ta riparojnë, kur kushtet të kenë ndryshuar dhe ujërat të jenë qetuar. Konjukturat politike dhe gjeostrategjia ndërkombëtare, mund ta përshpejtojnë zgjidhjen e kësaj situate. Sidoqoftë, ti je i ri dhe do kesh gjithë kohën në dispozicion, t’ia mbërrish asaj dite…”!
Dhe e mbylli pa e ezauruar temën deri në fund, për arsye se vizitorë të tjerë erdhën ta uronin. Ne që ishim aty, u ngritëm t’u lironim të porsaardhurve jatakun, që shërbente edhe si sallon pritjeje. Vërtetë isha i ri asokohe. Ia mbërrita ditës fatkeqe, të shihja afër një milion shqiptarë të merrnin arratinë nga vatrat amtare, të dhunuar mizorisht nga çetnikët e Millosheviçit. Të masakroheshin dhe të përdhunoheshin masivisht, nën sytë e gjithë komunitetit ndërkombëtar. Po njëkohësisht, ia mbërrita edhe ditës fatlume, të përjetoja ndërhyrjen deçizive të forcave ushtarake të Atlantikut të Veriut. Po vinte haka te i zoti! Ata që shkatërruan Shqipërinë, në fillim-shekullit e njëzetë, po riparonin gabimin, në mbyllje të këtij qindvjeçari.
Për të shpëtuar një popull të tërë, që po shfarosej barbarisht, në vigjilje të shekullit të ri, shtetet demokratike dhe sidomos Amerika, u detyruan të ndërmerrnin masa urgjente dhe ekstreme, deri në intervenim të armatosur, për mbrojtjen e jetës së civilëve të pafajshëm. Natyrisht, për të përshpejtuar procesin, kish ndikuar dhe kundërpërgjigja e djemve dhe vajzave më të guximshëm të Kosovës, të inkuadruar në radhët e U.Ç.K.-së, që për t’iu dalë zot vëllezërve e motrave të tyre, ndërmorën veprime luftarake, ndonjëherë edhe të dhunshme, por kjo ishte e vetmja formë të tërhiqnin vëmendjen e ndërkombëtarëve.
Në fillim-vitet nëntëdhjetë, qe realizuar një pjesë e profecive të Hashimit, kish nisur shpërbërja e Jugosllavisë, e kësaj krijese të “de natyralizuar”, siç e quante ai. Po i vinte radha edhe plotësimit të pjesës tjetër të parashikimeve të tij, shkëputjes së Kosovës e daljes nga zgjedha qindvjeçare e Sërbisë. Natyrisht, propaganda e “Stara-Serbska”, u sfumua para syve të ndërkombëtarëve, masakra e Reçakut dhe krime të tjera makabre, që u bënë me gjakftohtësi barbari mbi popullsinë e pambrojtur civile, kishin zgjuar ndjenjën humane të personaliteteve që drejtonin fatet e botës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016