Nga Selim Mustafë Hasanaj
Pjesa e tretë
Memorie.al / Do shkruaj nga kujtesa ime, sado që kanë kalue gati tri dekada nga koha. Asht ky nji tregim pak a shumë biografik, personal në të cilin, me sinqeritetin dhe respektin ma të madhë, do shkruaj edhe për të tjerë persona, që fati na caktojë që t’i takojë, t’i njof dhe të ndajë përditshmërinë me ta. Unë isha i varfën. I vetmi në familje, që isha në marrdhanje pune. Kjo edhe ishte shkak që me vite i bana eskivazhe shkumjes në shërbimin ushtarak jugosllav, sa herë që merrja ftesën. Në mbrendin e shpirtit e dëshiroja që atë shërbim, kurr mos ta bajë, sepse nuk doja t’i shërbejë armatës e cila, për katër dekada më kishte pushtue dhe më sundonte. Disa herë më shkonte mendja edhe ta lëndoja veten, që pastaj të shkaktohet ndonji handikap, invaliditet i cili, do më lironte nga shkumja në ushtrinë e pushtuesit. Zoti shpesh ndëgjonë mendjet tona.
Plot nji javë kalojë derisa kapiteni Ljubomir Cvetkoviq, na mori të gjithëve neve ushtarët shqiptarë në bisedat e tij informative. Sot derisa po i shkruej këto ngjarje, çuditem se sa perfid kanë qenë eproret ushtarak serbo-sllav. Edhe rregullimin ashtu si duhet të mbiemrit, e kanë marrë për pretekst me i ba dikujt presion, terror.
Atë mbiemën e pata rregullue unë vetë, së bashku me vjehrrin tim, pasi u martova dhe kur deshta të bajë kunor, pashë se mbiemni i grues time, asht i shkruem në të folmen slave; Hoxhiq. Kështu ofiqaret serbo-malazez, na i kanë bastardue dhe sllavizue emna e mbiemna, me dekada.
Vjehrri im dhe kunetërit, që të gjithë e kishin mbiemnin Hoxha, por si ishte e zakonshme në familjet patriarkale të asaj kohe, dhe meqënse zonja ime, posa kishte mbarue pesë vite shkollim fillor, kishte ndërpre shkollimin dhe ju kishte bashkangjitë vajzave tjera të familjes së saj, sepse jetonin në bashksi me tre axhallar dhe familjet e tyne, gjithsejtë 75 antarë familje, asaj askush nuk ja rregullojë mbiemnin.
Djemët e kanë rregullue, posa kanë regjistrue shkollat e mesme, për vajzat nuk asht kujdes askush. Andaj tash kur unë doja të bajë kunoren, e rregullova vetë. Kunati im Enveri, kur kapiteni Cvetkoviq më pyeste për të, ai ishte nxanës i shkollës fillore.
Athue kishte ba ndonji plan djallzor shteti mizor kunder kunatit tim, që ishte vetem 14 vjeç dhe që nuk e kishte asnji fajë, pse e kishte emnin Enver dhe mbiemni Hoxha?! Edhe këte e dinte eprori i shërbimit sekret ushtarak të Jugosllavisë. Do të kisha shumë telashe ma vonë, për atë punë. Kjo në takimin e parë ishte vetëm fillimi.
Meqense neve pothuej të gjithë sa ishim aty në Bihaq, pas pak do shpërndaheshim nëpër të gjitha anët e Jugosllavisë, pas asaj dite (pra pas 7 marsit 1981), nuk na thirren ma në biseda informative, sikur i quenin bisedat torturuese e tepër provokuese, që i banin me neve, eprorët tanë serbo-sllav.
Personalisht mezi pritsha të iku nga ai vend dhe pandërpre më mbante shpresa, se pasi të shkojë në Zagreb, atje do ja dal të lirohem nga shërbimi i matejmë, për shkak të problemit që kisha me kambën time.
Erdhi edhe dita për të ik nga Bihaqi. Ishte 8 prilli 1981. Për çudi vetëm unë do të shkoja në Zagreb, na shpërndanë e na banë pik e pesë. Mbaj mend se Adem Zekajn, e patën dërgue në Rijeka, të tjerët, as që pata arrijtë të marr vesh, se çka u ba me ta!
Shefketin nga ana e Shkupit, e patën dërgue me mue per në Zagreb, por jo për të shërbye atje, por në spital sepse, te ky djalë u konstatue se lëngon nga tuberkulozi.
Ai ishte i ri, më tregojë se ishte fshatar i varfën dhe se jetonin me dru, që i bartin nga mali me gomar dhe i shisin pastaj tek qytetaret dhe te ndonji bukëpjekës. Ai mërzitej shumë sepse, i kishin thanë se me shumë gjasa, do e lirojnë nga shërbimi ushtarak, si të paaftë.
Tuberkulozi konsiderohej si sëmundje e rrezikshme dhe ata që lëngonin, liroheshin nga shërbimi në ushtri. Unë atë ditë, udhëtova për në Zagreb dhe me veti ma dhanë edhe Shefketin. Me ngarkuen që ta shoqnojë, deri në spitalin “SHALLATO” dhe t’i përkthej atje. Ai mërzitej dhe herë pas here, edhe syt ju mbusheshin me lotë.
Dikur u shlirue dhe më tha; “More, të ta thamë të drejten, as mue sikur edhe ty, nuk më rrihet dhe nuk dëshrojë t’i shërbejë kësaj ushtrie e këtij shteti, por more vëllau i jem, unë vijë nga nji rreth, ku mbretnojnë disa zakone të pamëshirshme. Nese më lirojnë nga ushtria, unë do mbetem përjetë beqar, sepse atje nga neve, askush nuk i jep nuse djemve që nuk i pranojnë në ushtri, apo i lirojnë nga atje”.
Mbaj mend se aty për aty, më pat shkue mendja te fati, diçka kjo që e cakton dikush tjetër e, jo njeriu vetë. Unë luftoja me të gjitha mjetet për t’u shpall invalid dhe për tu lirue nga shërbimi ushtarak dhe vetem Zoti e dinte, a do ja dalë, ndërsa ky i shkret, banë gjithçka që ta kryejn shërbimin, qoftë edhe me vujtje dhe smundje, sepse perndryshe, do jetë me damkë, si i paaftë për jetë të jetve.
Në Zagreb mbrrimë në mbramje. Shkuem në “Shallato” dhe aty na pranuen, na dhanë nga nji krevat për të fjetun atë natë dhe unë kalova pothuej tanë natën, tue lexue revistën kroate “ARENA”, atë serbe “DUGA” dhe zgjidhja fjalkryqet në “EUREKA” dhe “ENIGMA”, dy këto revista enigmatesh, që i doja shumë dhe i kisha hobi. Më kishte marr malli të lexojë diçka nga jeta civile e, jo vetëm material ushtarak e partiak, sikur që më imponohej në Bihaq.
Të nesërmen, pra me 9 prill 1981, për nja dy orë, pata punë me përkthime, tue i ndihmue Shefketit, e pas kësaj, mora tramvajin nr. 11, me të cilin shkova në kasermën “BORONGAJ”. Unë e njifsha mirë qytetin e Zagrebit dhe nuk kisha probleme për t’u orientue.
Derisa tramvaja ikte në drejtim të Dubravës e të Borongajit, mue mu kujtue rasti i Marka Musës, që në atë tramvaj kishte vra nji serb para disa viteve dhe rapsodi Augustin Ukaj, i kishte këndue nji rapsodi të cilën, e kishte shkrue mësuesi i mirnjohun nga Berkoci i Gjakovës, z. Prenkë Bezhi.
Në orën 15 e 20 minuta, arrita në kasermen “BORONGAJ”. Aty më priti kapiteni i klasit të parë, Lubiq Zheljko. Më dërguen në dhomën ku do e kaloja kohën e ardhshme dhe u gëzova kur aty pash se kishte ushtarë shqiptarë. Aty takova këta ushtarë: Sylë Haziraj, nga fshati Orroberrdë, komuna Istog. (Këtij i njifsha babën, axhallarët dhe dija se kush janë). Pastaj ushtari Rexhep Sumiqi, nga Rashani i Stari-Tërgut.
Qamil Gashi nga Ujzi i Hasit, njifar Myrtezi nga Shkupi, si dhe nji serb, me mbiemën Otasheviq, që ishte nga fshati Bellopojë afër Rakoshit të cilin, e njifsha ma parë. Pra disi u ndjeva mirë kur pash se aty ka njerz të mirë, të cilët i njifsha dhe padyshim do e kaloja mirë kohën me ta.
Atë natë fjeta si ma mirë, sepse u ndjeva mirë, pasi takova këta ushtarë. Në realitet ata ishin në prag të përfundimit të shërbimit, por unë nga ta mora vesh se aty, ka mbi 1200 ushtar shqiptarë dhe se gjithsejtë në atë kasermë, ishin diku katër mijë ushtarë.
Më treguen se çeta e bukëpjeksëve, ka komandant kolonelin Filip Koteli, për të cilin thojshin se asht shqiptarë i malësisë së Tuzit. Ma treguen si të rrept dhe të rrezikshëm atë kolonel. Aty në atë kaserm, por në nji gjini tjetër, dija se kamë edhe kunatin tim, Skënder Hoxhën dhe mezi pritsha ta takojë të nesërmen.
Pasi na zgjojë tingulli i trumpetës, neve shkuem dhe u rreshtuem si zakonisht, për ta përshendet ngritjen e flamurit. Pas kësaj, shkuem për të ngran mëngjesin. Shkonim me radhë dhe pritja e gjatë, nuk më pëlqejë fare, do delja nga radha dhe do shkoja diku tjetër, por kisha uri dhe nuk kisha çka bajë. Ishte nji torturë në veti, kjo pritje.
Eprorët trushpërlam serbo-sllav, të indoktrinuem me komunizëm, shfryenin në praktikë ato që i kishin mësue në teori, përgjatë shkollimit të tyne. Ata, për shkak të nji ushtari që nuk ishte mirë në sjellje, në pamje vizuale, që prishte qetsinë, etj., etj., dënonin komplet çetën. Nëse dikush reagonte pse, çeta merrte edhe nji dënim nga eprori.
Dhe pasi ata shprehnin dënimin dhe e jetsonin atë në praktikë, ata nuk harronin të thonin; “Ja, juve tash e psoni për shkak të këtij e atij, juve i dini metodat e juaja të hakmarrjes. Qebe keni mjaftë në dhoma të fjetjes….”! Kjo puna e qebes, ishte nji “lojë” e rrezikshme që ushtarët të grupuem në grupe, e luanin bukur shpesh, kundër dikujt që ata e urrenin apo, që donin t’i hakmirren për diçka.
Pra me nji qebe në dorë, nji ushtar mshifej pas dere dhe kur ushtari që duhej të dënohej hynte mbrenda, ai i hudhte qeben në krye dhe atë moment, kërcenin disa të tjerë dhe e grushtonin pamëshirshëm e, besa shpesh përdornin edhe këpucet, çizmet e gjana tjera të forta, për ta qellue.
Pasi viktima rrëzohej dhe humbte fuqinë për t’u mbrojtë, ata iknin dhe derisa ai hiqte qeben nga kryet, asnji nga sulmuesit nuk ishte mbrenda. Kështu sulmuesit nuk diheshin dhe shpëtonin pa u ndëshkue.
Pra eprorët komunistë serbo-sllavë, më perfiditët, nxitnin që ushtarët të përdorin kundër njani-tjetrit metoda, që ndoshta janë përdor vetëm në kohënat e sistemit skllavo-pronar, me gladiatorët.
Viktima të tilla në ish – Ushtrinë Popullore të Jugosllavisë komuniste, zakonisht ishin ushtarët e kombit shqiptarë dhe pse ata ishin, janë këto shkaqe:
- Shumë nga ta, nuk e dinin gjuhën serbo-kroate dhe nuk kuptonin komandat dhe urdhnat e eprorve, për çka ata edhe banin gabime të ndryshme. Për ato gabime, dënohej komplet çeta dhe normal që ushtaret e tjerë e, posaçërisht ata serb, kroat, malazez dhe maqedon, irritoheshin dhe pastaj i hudhnin qeben ushtarit shqiptarë, në rastin e parë.
- Kishte edhe të tillë që kishin ardhë në shërbim me dosje të përgatitun nga rrethi dhe komuna ku ai kishte lind, pra me dosje dhe reputacion të llojeve armiqësore, si p.sh.: “Djalë i nacionalistit, balistit, revizionistit”, “ka rreth miqësor irredentist”, “shoqnohej me këtë e atë”, etj., etj. Edhe këtyne u përgatiteshin dhe inskenoheshin llojë llojë trillimesh, për t’i dënue ata edhe me qebe në krye.
Unë të gjitha këto, i kisha ndëgjue ma herët, nga miqtë dhe kushërinjët e mijë, që kryenin shërbimin në ushtri dhe pranojë edhe tani, se nuk i besoja. Mirpo tash i shifsha pothuej për çdo nat, me syt e mi.
Dhe kjo mue më irritonte tej mase, sepse pash se janë vetë eprorët, që nxisin këtë terror kundër djemve të nanave shqiptare, të cilet të vetmin fajë e kanë, pse janë shqiptarë, se perndryshe janë ushtarët ma të mirë dhe ma të disiplinuem. U binda se neve jemi të pambrojtun dhe se për neve ligjet e shtetit të cilit i shërbenim, nuk vlenin dhe nuk na mbronin.
I preokupuem me kqto mendime, unë ma në fund mora ushqimin e mëngjesit që ishte nji tas i madh me çaj, nji djath “ZDENKA” dhe nji fletë e hollë e sallamës.
Kur zgjata dorën ta marr sallamën, nji rreshter më piskati; “BRKO TO JE SVINJSKA SALLAMA, NEMOJ DA POKVARIS VERU” (O musteqok, ajo asht sallamë e mishit të derrit dhe rueju se po e prish fenë).
Më irritojë kjo tepër dhe ja dredha; “Ti nuk e din fare fenë time, andaj banë mirë, mos me provokue”. “Po, a nuk jeni turqi, juve albanasit”?! – më tha. “Jo zotni, – i thash. – Neve jemi shqiptarë dhe me turqit e me Turqinë, nuk kemi asgja të perbashkët, pos që kemi kujtim pesë shekuj robin”.
Fola prerazi dhe as që i kisha frigen këti njeriu. Ai ishte epror, por jo i çetës sime dhe unë i rrethuem nga ushtarët e vjetër shqiptarë, disi u ndjeva ma i fortë dhe guximi im, disi u shtue.
Mbajë mend se Rexhep Sumiqi, më doli në krah dhe më tha; “Eh ty ta lumsha, po trimi që koke”. Sylë Haziraj fishkllojë dhe piskati; “SITNO” JOS 13 DANA” (Imtësi edhe 13 ditë). Papritmas si në kor filluen fishkllimat dhe ajo SITNOOOO….e ushtarve të vjetër dhe kjo e trembi rreshterin e, iku, por nuk harrojë të ma përkujtoj, se unë dhe ai, do shifemi prap.
Pasi u ula ta ha mengjesin, përpara më doli Skënderi, kunati im. Oh sa u gëzova, ju hodha një përqafim. Ai asht nga natyra njeri i heshtun dhe pak sa vetjak. U gëzue edhe ai dhe më priti derisa ngrëna dhe së bashku dolëm e shkuem në kantinë. Bleva nji birrë, ndërsa Skënderi mori nji coca-cola. Posa filluem muhabetin, na rrethuen ushtar të rinjë.
“Unë jamë Zef Ndrecaj, – më tha nji djalosh ftyrëskuqun dhe flok kaçurrel, – jamë nga Krusheva e Madhe, afër Klinës”. “Unë jamë Idriz Musliu dhe jamë nga Gjilani”, më tha nji tjetër.
“Unë jamë Haqif Maliqi, poashtu nga Gjilani”, Gani Pllana nga Prishtina, Metë Cacaj, nga Deqani, Samiri nga Podujeva, Mehmet Bajramaj, nga Strellci, Nazmi Shehu, nga Prilepi i Deqanit, Avdullah Vokshi, nga Peja, Shaban Dreshaj, nga Prigoda dhe perçudi mes tyne, pash se asht edhe nji komshi i imi, e përqafova me mallë. Ishte ky Enver Pepaj.
U bashkuem të gjithë dhe dolem jashta e shkuem në nji lëndinë, për të ba muhabet. Pas pak andej kaloi nji ushtar me foto-aparat. “A doni t’u bajë nji foto kështu të bashkuem si jeni, – na tha, jamë nga Foto-Klubi këtu në kasermë”. Na i bani disa fotografi, të cilat do na kushtojnë shumë ma vonë. Memorie.al
Sarpsborg-Norvegji: 6.11.2010