Nga Agron Çobani
(Rreth romanit “Luani i Kafazit”, të autorit Shpendi Topollaj, kushtuar jetës së gjeneral-lejtnant Abaz Fejzo)
Memorie.al / Kohët e fundit, një sëmundje e rëndë më mbërtheu cep më cep dhe më zbërtheu brinjë më brinjë, sa që vajta deri te dera e botës tjetër dhe çuditërisht u riktheva edhe për ca kohë. Në fazën e parë të sëmundjes, pata një përmirësim disa ditor dhe pikësht këtë kohë lexova një nga librat e autorit Shpendi Topollaj “Luani i kafazit”. Me mendje e falenderova shkrimtarin për kënaqësinë që më dha në këtë periudhë të vështirë të jetës time, ku veç të tjerave, edhe psikologjikisht isha tepër i rënduar. E lexova pa e hequr librin nga dora, për një serë arsyesh: ku e para është se autori i librit, është miku im dhe sigurisht që e prisja prej tij, një gjë të mirë dhe të bukur.
Isha i bindur se libri ishte shkruar mjeshtërisht, pasi ia njoh talentin dorës që e kishte shkruar, ngaqë prej tij kam lexuar edhe disa libra të tjerë. Të them të drejtën edhe një merak e kisha: si është trajtuar figura e një gjenerali me vlera të jashtëzakonshme, i cili ka jetuar, luftua, punuar dhe është ndëshkuar tragjikisht në kohën tonë.
Një gjeneral që si shumë të tjerë, vunë gjithçka kishin në shërbim të atdheut, por pa mundur ta çojnë deri në fund kontributin e tyre. Ata, aftësitë dhe mundësitë e tyre, fillimisht i shpalosën në luftë dhe falë trimërisë që treguan, merituan pllakat e arta të gradës më të lartë në ushtri.
Veç pagëzimit në drejtimin e formacioneve luftarake në zjarrin e betejave për liri, u shkolluan nëpër uçilishtet dhe akademitë me emër dhe më pas u shquan për komandimin e trupave dhe modernizimin e forcave të armatosura. Ata treguan nivel shumë të lartë profesional dhe ndër vite spikati talenti i tyre në stërvitjet taktiko – operative dhe strategjike të ushtrisë.
Por mbi të gjitha tek ata u vu re besnikëria ndaj Atdheut të tyre. Ndaj dhe u përpoqën me gjithë mundësitë, për t`u bërë sa më të devotshëm për të, duke u kulturuar pareshtur. I tillë ka qenë dhe personazhi kryesor i këtij libri mjaft tërheqës, Komandanti i Mjeteve të Blinduara, Abaz Fejzo.
Qysh fare i ri, ai la kërrabën e bariut në fshatin e tij të lindjes, Tragjasin e traditave atdhetare, dhe brodhi për t`u shkolluar, për t`u bërë njeri i vlefshëm në jetë. Por edhe studimet i ndërpreu, për të rrokur pushkën më të gjatë se vetja. Aso kohe, nuk kishte grada, por ideale.
Ndaj dhe e kisha këtë merak; si e kishte trajtuar autori rritjen e këtij djaloshi, i cili me gjithë fatin e tij të mirë, por dhe tragjik, u bë përfaqësues i gati gjithë atyre heronjve dhe gjeneralëve që ishin në krye të ushtrisë dhe që fshesa e hekurt e marrëzisë së kohës, i katandisi ata dhe familjet e tyre si mos më keq.
Mirëpo, mjeshtri që është mjeshtër, di ta terezisë punën siç duhet dhe të dalë besueshëm në shtegun që do dhe që lexuesi e pret. Kështu ka bërë edhe Shpendi me figurën e gjeneral Abazit, tek i cili autorit, në fund të fundit nuk i kanë interesuar shumë gradat dhe nishanet, por jeta e njeriut që me ndershmëri dhe devocion kreu detyrat e ngarkuara.
Kjo sot mund të tingëllojë si diçka sentimentale, madje do të thosha romantike dhe e pabesueshme, por ja që ky ka qenë realiteti ynë i atyre viteve dhe që ky shkrimtar në librin e tij, na e ka dhënë aq bukur artistikisht. Kjo mendoj se ka qenë vështirësia, por dhe merita më e madhe e këtij romani.
Nuk e kam njohur personalisht Abaz Fejzon. Jam takuar nja dy a tri herë me të, në ceremoni të ndryshme zyrtare, jemi përshëndetur dhe kaq, por duhet thënë se kam dëgjuar shumë për të. Flitej shpesh për kulturën e tij të gjerë dhe jo vetëm ushtarake, që zotëronte, për gjuhët e huaja që dinte.
Përmendej shkathtësia dhe gatishmëria e tij për t`i dhënë përgjigje çfarëdo lloj problemi që shtrohej për diskutim. Mesa mbaj mend, ai ishte trupvogël, por fjalën e kishte të rëndë dhe me peshë. Kjo i jepte shumë autoritet, por dhe respekt në sytë e vartësve dhe të kolegëve. Këto cilësi të tij, që i përmenda, i gjeta të materializuara në këtë libër kushtuar atij.
Heroi i romanit, pas një lufte dhe jete gjithë shkëlqim, përfundon tragjikisht, si të gjithë shokët e sërës së tij ose së paku, si shumica e tyre. Është vlerë e madhe e këtij autori që di të kapë dhe të trajtojë tema kaq delikate dhe që arrin të demaskojë me mjete artistike, krimet e komunizmit. Është me të vërtetë e paimagjinueshme, makabre, antinjerëzore ajo që ka ndodhur në vite te ne.
Kalonin njerëzit në kosore, dhe sikur të ishin presh Lushnjeje, u pritej koka dhe e gjithë kjo me përligjjen absurde se; kështu Partia bëhet më e fortë. Këtë paradoks të pashpirt, sigurisht që nuk e hante kush, por ama e pësonin disa jetë të vyera njerëzore dhe e pësonin disa familje të pafajshme që çoheshin internimeve, shkatërroheshin dhe vegjetonin me shpirtrat e sakatosura në kushte mjerane.
Skenat nga jeta e tyre ku i detyruan të qëndrojnë për një kohë shumë të gjatë, ndeshim plot në këtë libër. Autori ka ditur të na e përshkruaj, vuajtjen dhe psikologjinë e tyre në mënyrë të mrekullueshme dhe me shumë dhembje. Ai ka bërë kujdes që ata të na i japë ashtu siç ishin; si njerëz me shumë dinjitet dhe të papërkulur.
Gruaja e Abazit, vajzat Eliza dhe Pranvera, portretizohen me shumë dashuri. Vdekja e motrës së tyre Tamarës, duke lënë djalin e vogël, të krijon trishtim të madh dhe të brengos. Dhe mendoni sesa e brengosur është zemra e vetë Abazit, luanit të mbyllur në qelitë e errëta dhe të ftohta të burgut të Burrelit.
Shpendi, ashtu si në tregimet, novelat dhe romanet e tjera të tij, na bën të jetojmë me shqetësimet dhe vuajtjet e heronjve të këtij romani. Duke lexuar librin, dashje pa dashje, ne marrim pjesë në dhimbjen e tyre. Duam apo s`duam ne në heshtje vajtojmë fatin e tyre, pra derdhim lot së bashku me ta.
Ngjarjet të rrëqethin mishin, të revoltojnë dhe mes një lëmshi që të mblidhet në grykë, të bëjnë të mendosh. Edhe pse e dija prej kohe atë që i ndodhi familjes së nderuar Fejzo, përsëri më bëhej se e dëgjoja për herë të parë. Dhe pyesja veten: si ka qenë e mundur të ngjasin këto?
Dhe më vinte ndërmend ai plenumi kobzi i vitit 1980 – të, kur Enver Hoxha që e drejtonte, si zakonisht duke dredhur zinxhirin rreth gishtit të tij të dorës, nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas, lëshoi frazën e tij, sklerotike dhe prej rrugaçi plak: “…sikur se dimë ne se kush ishte Beqir Balluku, një m. – m. ishte…” dhe vazhdonte më tej me broçkullat e tij. Po pse ishte i tillë ish ministri i mbrojtjes për Enverin?!
Apo pse pa mbushur ende 20 vjeç, u rreshtua në njësitet guerile, duke vënë disa herë në rrezik jetën e tij, e më pas duke drejtuar njësi të rëndësishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, apo se në vitet 1947 – ’48, i vuri kufirin te thana divizioneve jugosllave të cilat Tito, deshi t`i dislokonte në Korçë, duke realizuar përfundimisht ëndrrën e tij për ta kthyer Shqipërinë në Republikë të shtatë të Jugosllavisë, apo se në vitin 1956, kur Enver Hoxhës po i rrëshqiste toka nën këmbë dhe delegatët e Konferencës së Tiranës, desh e hodhën me këmbëpërpjetë, ai e lajmëroi urgjentisht duke i thënë: “Hajde se ike!
(Ah! të kishte ikur!) apo se në gusht të 1960-ës, kur udhëheqësit sovjetikë e provokuan, ai doli në mbrojtje të tij? E pra për të gjitha këto dhe të tjera, se nuk është vendi të thuhen, paska qenë Beqir Balluku, një m. – m. që duhej pushkatuar? Nuk kam ndërmend t`i dal në mbrojtje Beqir Ballukut me shokë.
Këtë nuk e bëj se sa e kam qëllim dhe aq më tepër nuk kam mundësi. Tani flas në funksion të asaj që përshkruan libri. Ata ishin njerëz, shqiptarë që nuk kërcyen asgjë për vendin e tyre, ashtu sikurse bëri dhe Abaz Fejzo. Shumicën prej tyre i kam njohur personalisht. Ishin njerëz me një të kaluar të lavdishme që kishin ende në trup plagët e luftës.
Nuk përjashtohet që me kalimin e viteve, atyre u pëlqeu rehatia. Privilegjet që u ishin dhënë, ndofta i squllën disi, i miklonin, por nuk mendoj se kishin pasur ndonjëherë ndër mend, të rrëzonin Enver Hoxhën. Apo se ishin kundër sistemit socialist e komunist, që pretendonim se po ndërtonim. Përkundrazi, dua të besoj se ata mendonin se të mirat i kishin nga Enveri dhe marksizëm – leninizmi. Unë kam pasur anëtarë të familjes time, ose shumë të afërt, që kryenin funksione të larta në ushtri. Ata ishin gati për çdo sakrificë, se me Partinë dhe Enverin, identifikonin Atdheun.
Dhe Enveri ua shpërbleu: “Ti je puçist, të pushkatohesh”! “Ti je prepotent, të burgosesh”! “Ti ke dijeni për materialin e zi, të internohesh”! “Ti ke ngrënë më shumë qengja se ç`duhet, të përjashtohesh nga ushtria”. “Ti tjetri ke bërë këtë dhe atë…”, dhe merrte krahë fantazia dhe poshtërsia. Dhe të gjithë kokë ulur si delet shkonin nga urdhëronte ai.
Ku e lanë gjithë trimërinë dhe burrërinë e luftës? Ku e çuan krenarinë? Dua të më kuptoni drejtë! Tani është kollaj të flasësh, por atëherë puna ndryshonte kryekëput. Ama duhet bërë diçka që gjërat të sqarohen, brezat të mësojnë dhe historia të mos përsëritet më, pavarësisht se vetë jam i bindur se kjo marrëzi historike, s`ka për të ndodhur kurrë.
E vërteta është se edhe pse ka kaluar gjithë kjo kohë, ende ka pikëpyetje dhe subjektivizëm ndaj këtyre figurave. Letërsia jonë është marrë pak me to. Por ajo ka me shumicë materiale, shpesh dhe groteske, për t`u nxitur që të shkruajë. Kujtdo i kujtohet absurdi i akuzës ndaj zëvendës ministrit të Mbrojtjes Nazar Berberi, në fillim të viteve 1980 – të, se na paskish prodhuar një bastun – pistoletë të cilën, do t`ia bënte dhuratë Mehmet Shehut, që kur ky të dilte shëtitje me Enverin, fap… do ta kthente në armë, për ta vrarë.
Shpendi është ndofta nga të rrallët që ka përcaktuar rolin dhe vendin e kësaj shtrese e cila besoi, luftoi, sakrifikoi, studioi, punoi me përkushtim dhe besnikëri, por dhe e pësoi mjaft rëndë, pra u zhgënjye si pak të tjerë. Them si pak të tjerë, pasi nuk ka nevojë për koment, padrejtësia dhe mizoria me të cilën u goditën kundërshtarët e sistemit.
Tmerret që ata provuan janë të panumërta dhe ata meritojnë respektin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë popullit tonë. Por ata që i qëndruan pa asnjë mëdyshje pranë atij regjimi, duke menduar se po bënin diçka të mirë dhe shkrinë jetën për të, me fundin e tyre dhe të familjeve të tyre, janë akuza më e fuqishme, janë vet-demaskimi më kokëfortë që i bëhet komunizmit primitiv dhe barbar shqiptar që hante edhe bijtë e vet.
Te romani historik “Luani i kafazit”, autori Shpendi Topollaj, e ka përshkruar jetën e Abaz Fejzos me shumë dashuri, gjë karakteristike në të gjithë shtrirjen e krijimtarisë së tij të bollshme letrare. Duke qenë dikur vetë oficer dhe duke e pësuar si ai, si i ati, po ashtu oficer, ndofta Shpendi, ka qenë shkrimtari më i përshtatshëm, për t`u marrë me figura dhe jetë të tilla.
Dhe ai ia ka dalë me sukses të plotë kësaj detyre aspak të lehtë. Ai, siç pohon vetë heroin e ka njohur pak ose aspak; është takuar me të dhe ka drekuar vetëm një herë. Kjo, është pak, shumë pak, për t`i ngritur atij një monument, me saktësinë e fizikut, të karakterit, të mendjes, të njohurive kulturore dhe profesionale të tij, apo me kurajën për të pranuar hapur gabimet sado të parëndësishme të ishin ato.
I koklavitur ka qenë dhe proçesi i metamorfozës së bindjeve të Abazit dhe shokëve të tij, të dënuar. Por ai me intuitën e pagabuar të shkrimtarit tashmë me përvojë, ia ka arritur të na japë aq të vërtetë Abaz Fejzon, sa me të drejtë një miku im, Sazan Bitri, u shpreh; “Abazi e ka mbaruar me medalje ari akademinë, por dhe Shpendi e ka shkruar me penë ari, jetën e tij”.
Për ilustrim po citoj meditimin e Abazit, në vetminë e qelisë: “Tani më duhet të luftoj, që të shpëtoj nderin tim. Deri dje luftova për nderin e Atdheut, por nuk qenka e mjaftueshme, për të treguar besnikërinë dhe devotshmërinë e individit. U dashka dhe kjo provë. Dhe unë do e kaloj.
E di që është vështirë të dal gjallë nga ky telash ku na kanë futur, por nderin do ta ruaj të paprekur. Trupi një ditë do të vdesë, kurse nderi jo. Ai rron tërë jetën. Le të më kujtojnë, ashtu siç isha në të vërtetë. Asgjë nuk mund t`i fshihet historisë. Turpi do mbulojë, atë që na katandisi ne kështu.
Kjo ka ngjarë në shekuj me shumë e shumë të tjerë, ama në fund, gjithkush ka marrë emrin që meriton. Dhe ai që e bëri këtë ligësi me ne, shokët e tij, do quhet Neron dhe do tallen brezat me të. Sido që duhet të ngjasë e kundërta: Neroni duhet quajtur Enver. Madje edhe këta që sot po sillen kështu me ne, kur ai të mos jetë, do t`i kthejnë krahët.
Ndofta Hitleri e kishte një arsye, pas komplotit të Shtaufenbergut, që të bëhej egërsirë dhe ta detyronte Romelin të vriste veten. Por me ne, si mund të veprohet në këtë mënyrë? Si u bënka kështu njeriu? Të paktën të zbatojnë ato që lejon ligji”.
Duke e lexuar këtë libër, sepse m`u krijua përshtypja se heroi dhe autori, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Të dy pjesën më të madhe të jetës e kanë kaluar, siç thashë, në ushtri.
Njëri është nga Tragjasi i Labërisë dhe tjetri nga Kolonja (me nënën vlonjate), vende të ashpra këto dhe me njerëz pak të sertë, por me kontribute të mëdha në favor të çështjes kombëtare. Të dy ushtarakë me aftësi të spikatura dhe dashuri të madhe për librin. Për pasojë, të dy këta, kulturën e madhe nuk e kanë parë si stoli a zbukurim të jashtëm, por domosdoshmëri, për ta vënë në interes të punës dhe të jetës, pra të shoqërisë.
Është për t`u theksuar, gama e njohurive të tyre për artin, historinë, letërsinë dhe veçanërisht njohuritë e tyre nga bota e antikitetit, aq sa m`u duk se një garë po zhvillohej midis heroit të librit dhe autorit të tij. Një garë se kush do të rrëfente më shumë për heronjtë mitologjikë, por jo përralla nga e kaluara, por për t`i pasur për paralelizëm me kohët që jetojmë.
Kujtoj këtu dialogjet e Abazit me drejtorin e Muzeut, të Bibliotekës apo në burg, me Pjetër Arbnorin, Uran Kalakullën, Halim Ramohiton, etj. apo letrën që ai i dërgon gruas të tij të dashur, Filloretës. Dhe kjo ia shton rëndësinë, si Abaz Fejzos, ashtu dhe vetë këtij romani, ku gjithçka është me sensin e masës dhe e vendosur ku duhet.
Me këtë roman, letërsisë shqipe i shtohet një vepër mjaft e rëndësishme. Për të do të flasin specialistët. Sa për stilin, frazën e përpunuar, fjalën e zgjedhur, figuracionin letrar dhe sasinë e pafund të informacionit që gjejmë këtu, nuk dua të zgjatem, pasi ato tanimë njihen nga të gjithë ata që kanë lexuar krijimtarinë e Shpendi Topollajt në poezi, prozë a kritikën letrare.
Nuk më mbetet tjetër, veçse ta përgëzoj autorin, t`i uroj suksese të më tejshme dhe ta falenderoj me mirënjohje se m`u gjend me romanin e tij, në një kohë të vështirë, kur kisha shumë nevojë për ilaç shpirtëror, gjë që m`i lehtësoi shumë dhimbjet e sëmundjes së pabesë. Memorie.al
(Ky artikull u shkrua pak kohë, para se autori i nderuar, Agron Çobani, të ndahej nga jeta).