Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Ngjarja e datës 22 maj 1984, e njohur ndryshe si; “Revolta e Qafë Barit”, e ndodhur plot 40 vjet më parë, përmban një dosje voluminoze që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, nga ku herë pas here janë bërë publike në media një numër dokumentesh, që hedhin dritë mbi atë revoltë, e cila duhet theksuar se asokohe tronditi jo pak regjimin komunist të Tiranës. Kjo dhe për faktin se, vetëm pesë ditë pas asaj revolte të të dënuarve politikë që vuanin dënime të rënda në atë kamp pune të detyruar me kushte nga më të vështirat, më datën 27 maj 1984, komanda e ‘Repartit 311’ të Qafë – Barit, bëri analizën për ngjarjen ,duke renditur kronologjikisht gjithsa kishte ndodhur aty, (me emrat e të dënuarve dhe efektivave të policisë e kuadrove drejtuese të atij kampi), si dhe arsyet që çuan në atë ngjarje dhe masat e marra me detyrat përkatëse, që do të zbatoheshin nga efektivat dhe komanda e atij reparti, në të ardhmen.
Kjo gjë, pra në dokumentet me analizën për atë ngjarje e cila ndodhet në dosjen në fjalë, ajo që bie në sy dhe mendojmë se paraqet sadopak interes për studiuesit e historianët që mund të merren një ditë me “Revoltën e Qafë-Barit”, apo edhe për publikun e gjerë, (kur tema e krimeve të komunizmit në këto dhjetë vitet e fundit, vazhdon të mbetet nga më të diskutuarat), është mënyra se si e kanë shtrembëruar dhe deformuar ngjarjen në fjalë, në raport-informacionet e tyre. Veç të tjerash kjo gjë vihet re dhe në atë pjesë e dokumentit, ku në analizën përkatëse të Komandës së Repartit 311 të Qafë-Barit, midis të tjerash thuhet: “Mbas kësaj u lexuan emrat, ku i pari ishte Kostandin Gjordeni, i cili sapo doli jashtë goditi murin me kokë dhe bërtet me të madhe dhe sikur gjoja e goditën”.
Sa më sipër, kjo gjë ndryshon, jo vetëm me dëshmitë publike të vetë Kostandin Gjordenit, (si p.sh. për dokumentarin “Revolta e përgjakur e Qafë Barit”, realizuar nga D. Kaloçi dhe M. Stafa, prodhim i Radio-Televizionit Publik Shqiptar, në bashkëpunim me zyrën e Prezencës së OSBE-së në Tiranë e ambasadën gjermane, i transmetuar fillimisht në vitin 2018), por edhe të mjaft nga ish-bashkëvuajtësit e tjerë të atij kampi, (si; Dine Fratari, Dalip Zhaboli, Haxhi Baxhinovksi, Bajram Vuthi, Agron Hoxha, Pjetër Luli, Lek Frroku, Bedri Blloshmi, etj.), të cilët në kujtimet e tyre me shkrime dhe libra, si dhe prononcimet publike, japin versione krejt të ndryshme nga sa thuhet në dokumentin sekret, me analizën e Komandës së Repartit 312 Qafë Barit, lidhur me ngjarjen në fjalë.
Nisur në vijim të këtij shkrimi dossier, përveç dokumenteve në fjalë të sipërcituara, do të publikojmë edhe një pjesë nga dëshmia që i kemi marrë Kostandin Gjordenit, lidhur me ngjarjen e Revoltës së Qafë Barit si dhe plagosjen e tij, ku ai akuzon një oficer, dhe jo ushtarët e vendrojës Nr. 1, siç thuhet në dokumentin sekret, me analizën e komandës së atij reparti.
DOKUMENTI SEKRET ME ANALIZËN E BËRË NGA KOMANDA E REPARTIT 311 TË QAFË BARIT, PËR NGJARJEN E REVOLTËS SË TË BURGOSURVE TË ATIJ KAMPI, NË DATËN 22 MAJ 1984
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S e k r e t
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.
KOMANDA E REP. 311
Qafë Bari më 27 V.1 984
Analizë
Mbi ngjarjen e ndodhur më 22.5.1984 në regjimin e të dënuarve të Repartit 311, në Qafë Bari.
Më datën 22.5.1984, aty nga ora 7 e 30, kur u kthye turni i tretë nga puna, roja e punës njofton se të dënuarit Ndue Martin Pisha, vjeç 19, dënuar me 23 vjet heqje lirie për diversion, në shkurt të vitit 1984 dhe Ndrek Geg Nikolla, nga rrethi i Lezhës, vjeç 35, i dënuar me 16 vjet heqje lirie, për tradhti ndaj atdheut, në vitin 1976, nuk kanë realizuar normën e punës.
Komanda e repartit, duke e patur problem kohët e fundit mos realizimin e normës nga disa individë të veçantë, urdhëroi rojen e punës, që këta dy të dënuar, mbasi të hanë bukë, të shkojnë 2 orë dhe të punojnë me turnin e parë, për të bërë normën ditore.
Oficeri i rojes dhe roja e punës, kur bënë gati turnin e parë për në punë, thirrën dhe dy të dënuarit, që do të rishikonin në punë, të cilët fillimisht ishin dakord.
Më vonë këta dy të dënuar, u kapën nga të dënuarit Sokol Sokoli dhe Sokol Progri, të dy nga Tropoja dhe u thanë që do të refuzonin daljen në punë, ndryshe; nuk kini vend në këtë repart. Nga ky presion, dy të dënuarit dhe sidomos Ndue Martin Pisha, refuzon të zbatojë urdhrin.
Në këtë moment, rojet e punës, policët Fiqëri Çakalli dhe Islam Dega, e thërrasin në zyrat e këshillit të riedukimit Ndue Pishën dhe i thanë që duhet të shkonte në punë, ose ndryshe do të shkonte në dhomën e izolimit, por Nduja të dyja këto i refuzoi dhe ndërkohë tek dy policët që kishin thirrur Nduen, shkon i dënuari Tom Ndoja dhe ua merr nga duart dy policëve të dënuarin Ndue Pisha, duke u thënë se; ju s’keni punë me këtë dhe largohen të dy.
Policët menjëherë veprojnë për t’i kapur, por kur dalin jashtë shikojnë, se bashkë me këta dy të dënuar, ishin bashkuar dhe të dënuarit, Sokol Sokoli e Sokol Progri dhe u kundërvihen policëve, duke patur në duar tulla, për t’i qëlluar.
Në kushte të tilla të kundërshtimit masiv, policët njoftojnë menjëherë oficerin e rojes dhe ky i fundit, pasi merr masa të plota për forcimin e sigurimit të jashtëm të repartit, së bashku me një grup prej 5 vetash dhe komandantit të togës së policisë, të pajisur me shkopinj gome, futen në regjimin e të dënuarave dhe u bëjnë thirrje të dënuarve Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolli, që të zbatonin urdhrin e tyre, por këta refuzuan.
Atëhere grupi i policëve ndërhyri forcërisht, për t’i kapur e për t’i çuar në dhomën e izolimit, por ndërkohë, 12-13 të dënuar, siç ishin: Sokol Sokoli, Sokol Progri, Tom Ndoja, Martin Leka, Ded Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovski, Lush Bushgjoka e Kostandin Gjordeni, të pajisur me tulla dhe me gurë në duar, në pozicion dominimi mbi grupin e policëve, ju bëjnë atyre presion që t’i lëshonin.
Duke u ndodhur përpara një kundërshtimi masiv dhe të organizuar, oficeri i rojes vendosi anulimin e këtij urdhri dhe marrjen e masave të tjera për stabilizimin e gjendjes.
Mbas kësaj, komandanti i togës së policisë, urdhëroi që të gjithë të dënuarit, të grumbullohen dhe të futen në mensë për të bërë apelin, urdhër që u zbatua nga të gjithë dhe menjëherë.
Për këtë situatë të krijuar, u njoftua menjëherë Kryetari i Degës dhe Komandanti i Repartit, që kishte shkuar me shërbim në Fushë-Arrëz.
Mbasi i futën të dënuarit në mensë, u mendua që duke bërë apelin një nga një, kur të dënuarit të dalin jashtë, ata që kundërshtuan, të kapeshin dhe të futeshin në dhomat e izolimit.
Gjatë apelit, kur i erdhi radha të dënuarit Kostandin Gjordeni të dalë jashtë, ai refuzoi në mënyrë demonstrative, kështu refuzoi të dalë vetë edhe i dënuari Sokol Sokoli, i cili morri me vete të gjithë grupin e tij dhe dolën forcërisht jashtë, duke çarë rrethimin e policëve, nga kjo rrëmujë u arrit që të mos mbahej apeli dhe të dilin jashtë të gjithë të dënuarit që ishin në sallë rreth 350 vetë.
Kur dolën jashtë, midis të dënuarve u bë vetvetiu një diferencim, ata që nuk u përzien me ngjarjen, shkuan nëpër lokalet dhe dhomat e tyre, kurse 20-24 të dënuar, u grumbulluan tek sheshi mbi fjetore, u pajisën me gurë e tulla dhe leva hekuri, që i morën nga një ndërtesë që po ndërtohet, lopatat dhe barominat të futura dhe të fshehura në regjimin e brendshëm dhe me to, po kërcënonin dhe po u bënin presion grupit të policëve, që të mos afroheshin, se do të derdhet gjak dhe herë mbas here, qëllonin me gurë dhe tulla në drejtim të policëve.
Efektivi i policëve ju bëri disa herë thirrje që të zbatonin urdhrat e tyre dhe të shkonin në dhomat e izolimit, por këta të dënuar, kërkonin lëshime dhe kompromise, që të mos merreshin masa disiplinore ndaj tyre, gjë të cilën efektivi i policisë, e refuzoi në mënyrë kategorike.
Mbasi gjendja në këto kushte, kur ishte bërë diferencimi i të dënuarve, kuadrot që ishin aty vendosën që përsëri, të gjithë të dënuarit të futeshin në mensë për të bërë apelin, që nuk u bë më parë/
Të dënuarit në përgjithësi e zbatuan urdhrin, kurse këta që kishin dalë në kundërshtim me urdhrat e policisë, në fillim hezituan, por më pas lanë për tokë mjetet që mbanin në duar dhe u futën në mensë, duke qëndruar të gjithë së bashku, në fund të sallës.
Në këtë moment vjen në sallë Kryetari i Degës dhe Komandanti i Repartit, të cilët mbasi u konsultuan me kuadrot që ishin aty, u futën brenda rreth 20 kuadro dhe polic, me në krye komandantin e repartit dhe mbasi marrin masa jashtë dhe brenda, për t’i kapur dhe lidhur pjesëmarrësit e këtij kundërshtimi, gjatë bërjes së apelit të dytë.
Me qëllim izolimi, u bëjnë thirrje të gjithë të dënuarve që do të dëgjonin emrin, të dilnin jashtë dhe të tjerët të mos lëviznin nga vendi, komandanti i repartit u bëri thirrje Këshillit të Riedukimit, që të afrohen në krye të sallës dhe të ndihmojnë efektivin e policisë, për të vendosur rregull.
Mbas kësaj u lexuan emrat, ku i pari ishte Kostandin Gjordeni, i cili sapo doli jashtë, goditi murin me kokë dhe bërtet me të madhe, sikur gjoja e goditën.
Ndërkohë grupi i tij që ishte brenda në mensë, u çuan dhe filluan të bërtasin dhe të bënin përpjekje për t’i shkuar në ndihmë, kur efektivi nuk i lejoj, filluan të shtyjnë dhe të marrin e thyejnë stolat e mensës dhe disa paterica që kishin disa të dënuar dhe filloj një përleshje ndërmjet policisë dhe grupit të dënuarve, kurse Këshilli i Riedukimit, me kryetar Dalip Zhabollin, nuk e përkrahën dhe as e ndihmuan fare efektivin!
Në këto rrethana, komandanti i repartit dhe urdhër që të tërhiqej efektivi i policisë që po përleshej me të dënuarit dhe kështu dalin jashtë gjithë grupi i të dënuarave dhe u ngjitën lart te sheshi mbi fjetore, rreth 24 të dënuar, të cilët muarrën përsëri veç tullave dhe gurëve, edhe disa hekura që i kishin fshehur në tokë, mbas lavanterisë.
Po kështu 2-3 prej tyre, nxuarrën edhe thikat që u panë se u nxirrnin nga muret e godinës që ndërtohet, të cilat i kanë pas fshehur dhe përgatitur që më parë.
Në këto momente, dy pjesëtarë e efektivit të policisë që po shoqëronin të dënuarin Kostandin Gjordeni, për në dhomat e izolimit dhe një pjesë tjetër, të pengonin efektivët e policisë, i cili po shkonte në ndihmë të policëve që po shoqëronin të dënuarin për në dhomat e izolimit, pasi po rrezikoheshin nga sulmi i të dënuarave.
Duke parë këtë situate, komandanti i repartit urdhëroi që Kostandin Gjordeni, të lëshohej nga dhomat e izolimit dhe efektivi të tërhiqej gradualisht, duke u mbrojtur nga goditjet e të dënuarve me gurë dhe tulla, në mënyrë që të mos dëmtoheshin.
Në këtë kohë, instruktori politik që shkoi për të ndihmuar policët e dhomave të izolimit, u kap nga 3-4 të dënuar, njëri prej tyre, Haxhi Baxhinovski, e plagoset lehtë me thikë në bark.
Po kështu, kur u tërhoq efektivi për të dalë tek porta e infermierisë, si mbas urdhrit të komandës, pasi në këtë situatë efektivi ishte tepër i revoltuar dhe i papërmbajtur, nëse të dënuarit ishin në pozicion dominues, mund të dëmtonin efektivin, tre të dënuar, siç ishin; Martin Leka, Kostandin Gjordeni dhe Tom Ndoja, ndoqën efektivin me gurë, deri tek porta e daljes, atëhere Kryetari i Degës, urdhëroi që vend roja Nr.1, të përdorte armën, ndaj këtyre tre të dënuarve, për të parandaluar sulmin e tyre me gurë dhe tulla, urdhër të cilin vendroja menjëherë e zbatoi, duke plagosur lehtë në krah të dënuarin Kostandin Gjordeni.
Po kështu qëlluan me nga një breshëri në ajër, të gjitha vendrojat e sigurimit të jashtëm të repartit. Kjo masë e marrë nga Kryetari i Degës, i futi në panik të gjithë të dënuarit të cilët, u grumbulluan menjëherë dhe tulatën në sheshin e rreshtimit mbi fjetoret, duke kërkuar të dorëzoheshin, për t’i çuar në Degën e Punëve të Brendshme.
Kryetari i Degës dhe komanda e repartit, morën masa që të dënuarit që ktheheshin nga fronti i punës, të mos futeshin në regjim pa u stabilizuar gjendja, duke marrë masa për sigurimin e tyre edhe në galeri.
Në këto situate, morëm njoftimin se ishin nisur për në repartin tonë, zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Drejtorisë së Zbatim Vendimeve Penale dhe nga ana jonë, nuk u kryen më veprime ndaj të dënuarve, që qëndronin në regjim dhe nuk kryenin ndonjë veprim konkret. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016