Nga SIMON MIRAKAJ
Pjesa e dymbëdhjetë
“Kampeve nën hijen e Tomorrit, 44 vite internim”
_ Kujtime –
H Y R J E
Memorie.al / Këto kujtime i kam hedhur në letër pas një periudhe të gjatë hezitimi. Kjo mbase, sepse subjektet i kisha gjithnjë të freskëta në mendje, që më ndiqnin pa mëshirë gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Por vjen një moment – kur koha bën të vetën – dhe pamjet e tmerrit dhe të pësimeve, erdhën duke m’u zbehur – thuajse pësimet kaluan në harresë. Atëherë vendosa t’i ripërsëris ngjarjet më mbresëlënëse – fillimisht në mendje – derisa morën trajtën e këtyre rrëfimeve. Sado të zbehta që mund të duken këto rrëfime – krijojnë idenë e realitetit të ashpër dhe mjeran të kampeve.
Osman Kuçuku
Osmani ishte me origjinë nga Gjirokastra. Ishte i martuar me zj. Dilfo nga Kolonja, nuk kishin fëmijë. Dilfo për disa vite, deri sa u martua, ishte kujdesur për Valin.
Më vonë Vali u rrit të daja. Në vitet 1960-të, e internojnë në Savër. Mbas pak vitesh internimi, çifti Kuçuku vendoset në Lushnje, në shtëpinë “Kongresi Lushnjes”, pronë e patriotit Kaso Fuga. Valbona në kampin e internimit, njihet me vëllain tim dhe në 1964 martohet. Martesa na dha mundësinë e njohjes me Osman e Dilfo Kuçukun. Na deshën e i deshëm.
Nga viti 1975, Dilfo ndahet nga jeta prej sëmundjes së azotemisë në veshka. Osmani mbeti vetëm, ishte njeri shumë i rregullt e dinjitoz. Në vitin 1960, në Lushnje bie një tërmet i fuqishëm. Mbas disa ditësh në Lushnje, mbërrin diktatori Enver Hoxha i cili, kishte qenë shok fëmijërie me Osmanin, i cili në atë kohë punonte punëtor në nyjen e llaçit. Enver Hoxha shkon atje për të parë masat e marra për të përballuar dëmet e tërmetit dhe kur ishte te nyja e llaçit, shikon një burrë që ju duk si shoku i fëmijërisë.
Osmani e pa që ai po e shikonte dhe heq kapelen e, atëhere “Komandanti” e njohu dhe shkoi e u përqafua me Osmanin e, i thotë:
“Çfarë do nga unë”?
“Nuk dua asgjë, jam shumë mirë”.
Të nesërmen, Osmanin e thërrasin në Komitet të Partisë së rrethit të Lushnjes dhe i thonë:
“Çfarë kërkon nga Partia”?
“Nuk kërkoj asgjë, vetëm të më jepni triskat e frontit”.
Kur ne na transferuan në internim në Gjazë, Osmani vinte një herë në muaj, na sillte ushqime (se ne i kishim me racion), si kafe, etj. Kaloi disa kohë që nuk po vinte dhe ne u bëmë merak. Sokoli i thotë kunatës (Valit): “Shko në Lushnje e shiko çfarë i ka ndodhur”. Vali shkon në Lushnje dhe e gjen Osmanin të shtrirë në krevat, pasi ishte paralizuar. Kthehet në Gjazë e i thotë Sokolit, se; Osmani është paralizuar.
“Çfarë do bëjmë”? Sokoli i thotë kunatës; “Ta marrim e, t’i bëjmë ne shërbim sa të mundemi, po duhet të pyesim dhe Simonin”. Sa u ktheva nga puna e hyra në shtëpi, pyes Valin:
“Si ishte Osmani”?
“Osmani është paralizuar”. Sokoli më thotë; “Po sikur ta marrim ne me i shërby – si mendon”?
“Unë jam plotësisht dakord, veç mua s’më vjen përdoresh me e ndihmu, veç lopatës”.
Të nesërmen, ambulanca mbërrin me Osmanin dhe e vendosim në dhomën ku rrija unë me fëmijët. Unë dola në kasollen me kallama. Sokoli çdo ditë kur kthehej nga puna, i bënte gjimnastikë Osmanit, i cili arriti me u përmirësu. Në mbrëmje merrnim shishen e rakisë, Osmani kishte qejf me e pi një gotë. Merrnim shishen e shkonim te dhoma e Osmanit.
Kunata na pregatiste pak meze. Osmani me ndihmën tonë, ngrihej e fillonim me pi. Në një moment Osmani merr shishen e përplas në tavolinë e thotë:
“E Pal Biba, djemtë i bëre ti e, po i gëzoj unë”!
Nën kujdesin tonë u përmirësua shumë, filloi të ecte duke e mbajtur përkrahësh. Mbas gjashtë muajsh, ndërroi jetë. Ne i bamë të gjitha shërbimet, ndërsa varrimin ia bamë në varrezat e Lushnjes.
Pushofshin në paqe.
Dedë Marka Gjoni
Deda është i biri Kapidan Gjon Marka Gjonit. Me Dedën jam njoftë në kampin e internimit, Savër. Ndërsa me familjen e Kapidanit, jemi bashkue në kampet e internimit, që në vitin 1945, në Berat, Turan, Tepelenë, Savër, Gjazë. Në Savër me Dedën, nuk na jepej rasti të shkëmbenim biseda, kjo për shkak të moshës, takoheshim në mëngjes e në darkë, kur bënim apelin.
Deda, sapo hynë komunistët në fundin e ’44-ës, arrestohet e mbahet në hetuesi tre vjet, aq sa siç më tregonte Deda, se; “Kur e kam pa veten për herë të parë në pasqyrë, pashë flokët që më ishin ba bardhë si bora, isha thinjë.
“Më nxjerrin në gjyq e më dënojnë 5 vjet, e me nisin direkt e në burgun e Burrelit. Burgu i Burrelit ishte vërtet shumë i rëndë, por aty ishin ajka e kombit, ish-ministra si; Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Gjergj Kokoshi, Kudret Kokoshi, profesor Arshi Pipa, Foto Bala. Klerikë si Padër Pjetër Mëshkalla, Hafiz Ali Kraja, etj. Pra në atë kohë, burgu i Burrelit ishte për nga niveli i të burgosurve, Universitet”.
Deda, megjithëse kishte vuajtur shumë, si në hetuesi e, në burg, ruante fisnikërinë e derës madhe princërore e, kishte dhe humor. Vendi që bënim apelin, ishte afër me klubin. Paga, nga puna që bënim, merrej njëherë në 15 dit. Mbas marrjes së pagës, shkonim në dyqan, me marrë ushqimet.
Nana e Dedës, i merrte edhe një shishe raki me ushqimet. Siç thashë, mbasi bënin apelin, Deda, Fatbardh Kupi e Tomorr Dine, kur merrnin pagën, ktheheshin në klub e, pinin ndonjë gotë raki.
Nanë Mrika rrinte te dera, duke prit djalin, kur Deda i afrohej shtëpisë, e ama e pyeste:
“Po pse u vonove or bir”?!
“Piva një gote raki me Bardhin e Tomorrin, në klub”.
“Po pse bre me nanën, me pi raki në klub, nana ta ka ble rakinë e, pije në shtëpi”.
Deda qetë-qetë i përgjigjej:
“Eh moj nanë, rakija nuk pihet me nanën”.
Kur na hoqën nga Savra e na dërguan në Gjazë, takimi me Dedën ishte i përditshëm, o vinte Deda, o shkoja unë te Deda. Unë punoja me Gjonin, në një brigadë. Kishte raste që ishim dhe me Dedën në një brigadë. Kur vinte Deda në shtëpi, e bënte mjegull nga duhani. Ai e pinte me çibuk, e megjithatë, ne kënaqeshim. Duhanin në shumicën e kohës e pinte me të dredhur e, duhan të mirë. Nga një herë i thonim:
“Ded, po lene një herë duhanin, se të ban dam”.
“Me e lanë duhanin unë sëmurem”. Deda, mbas apelit, nuk shkonte në shtëpi, o ndalej te Dinajt, o te Ismail Spahiu, ose vinte te ne. Ndryshe ishte i nipi, Gjoni, ai s’para dilte nga shtëpia, tepër rrallë. Për nipin, Deda thoshte: “Ky nipi im, as din me ardhë e, as din me u çue”. Këtë ja thosh xha Selamiut.
Kishim shkue me lujtë shah. Gjoni po luante me Afrimin, djalin e xha Selamiut, po kishte shkue ora 24.00. “Nipi im, as din me ardhë e, as din me u çue”! Atëhere Deda, i thote xha Selamiut:
“Ky nipi, mbas revoltës së Spaçit, e di se nga Vermoshi në Konispol, filluan arrestimet”.
Ne, çdo ditë shkonim në punë, përqafoheshim me vëllain (Sokolin), përqafonim fëmijët, përshëndeteshim me kunatën (Valin), se nuk e dinim, a ktheheshim në shtëpi. Kjo pasiguri zgjati tetë vjet, nga vitet 1973 – 1981.
Kishim blerë nga një kapotë ushtarake dhe i kishim shkurtuar te rrobaqepësi. Çdo ditë i merrnim me vete, madje edhe në mes të korrikut, hidhnim kapotat krahëve. Kjo, sepse ngaqë na kishin thënë ish të burgosurit, se në biruca është ftohtë.
I fundit u arrestua Fatbardh Kupi, në tetor të vitit 1981. Mbasi bënim apelin, unë bisedoja me Dedën dhe i thoja:
“Ded, ba me me ra lotaria me u arrest, si duhet me qendrue”?!
“Asgjë, duhet me pranue, duhet me u trem, duhet me durue ndonjë dajak. Por po të them, se ma kollaj e kanë me më arrestu mue, se e kanë dosjen gadi”. Mbas disa muajsh, kur po kthehesha nga puna, na thanë që arrestuan Dedën. Mbas dy muaj hetuesie, e nxorën në gjyq, e dënuan me 10 vjet burg, me fletë të bardhë. Një ndër akuzat, ishte se; ke thënë se Gjermania, është me e zhvilluar se Shqipëria. Dëshmitar në gjyq, i dolën disa persona, që Deda nuk kishte folur kurrë me ta, se nuk i përkisnin shtresës tonë.
Deda nuk e kishte bërë vitin në burgun e Ballshit, kur Sokoli sheh një ëndërr e, më thotë se; “Deda, nuk ka me bë ma shumë se dy vjet burg”. Vërtet, Dedën e kapi amnistia e vitit 1982 e, u liru (mbas dy vitesh). Ne kishim dalë në rrugë, duke e pritur, ishte një gëzim i madh për ne. Të nesërmen shkuam te shtëpia e, filluan pyetjet:
“Si e le Mojsin, etj.”?!
“Mojsi, – tha Deda, – mërzitej shumë e, s’ kishte faj, se kishte lanë gruan me dy fëmijë të vegjël. Po shëtisnim një ditë me Mojsin, në oborrin e burgut. Ishte i mërzitur, ndërsa unë i them: ‘O Mojs, shyqyr që ramë në burg, se ishim t’u mbarue kanaleve’! Mojsi qeshi”:
“Po çfarë thue o Ded”?!
Deda është ndare nga jeta. Do kujtohet me mall e respekt, Deda ishte një Princ i vërtetë.
Deda thoshte: “Ata që dolën pa u njollos prej diktaturës komuniste, ata janë njerëzit ma të mirë, ata janë heroit e vërtetë”. Deda ishte një nga ata heronj.
Kur na u komunikua lirimi. 4 korrik 1989
Afrimi i muajt të nxehtë i korrikut, me ngacmon kujtesën, e cila vrapon për të kapur të martën e 4 korrikut 1989. Kjo ditë na freskoi pak nga të nxehtit përvëlues që kishte sjellë korriku. Gjithmonë shpresa për lirin, e munguar prej dekadash, ishte prezente në shpirtin tonë. Tani ishte më afër realitetit, si asnjëherë tjetër. Perandoria e së keqes, po shembej.
Unë dhe vëllai im Sokoli, kishim mbushur plot 44 vjet, internim. Se çfarë do të thotë internim, po e shpjegoje shkurtimisht. Internimi fillon me fjalën apel, që do të thotë thirrje. Pra; ne paraqiteshim dy herë në ditë në apel. Që zakonisht na e bënte një polic i Degës së Punëve të Brendshme. Kishte raste të shpeshta, që apelin e bënim tre herë në ditë, kur vinin delegacione në Tirane apo, ditët e festave komuniste. Pa shpjegu presionet e tjera psikologjike, ekonomike.
Pra, ky është internimi. Izolim i detyruar e punë të rëndë fizike, për të mbijetuar. Dënimin e internimit, na jepnin çdo pesë vjet. Me 27 qershor të vitit 1990, ne mbushnim pesëshen e nëntë, e cila kishte filluar në qershor të 1945-ës. Ishin shumë korrekt me datat. Në mbas-ditën e qershorit të 1989-ës, përgjegjësi i apelit, një djalë shumë i mirë, i quajtur Vangjel, na thërret mua dhe vëllain Sokolin.
“Ju kërkon operativ Rexhepi”.
Menduam se ka ardhë të na komunikoje lirimin para afatit. Se data ishte e saktë, 27 qershor. Shkuam por jo shumë entuziast. Mbasi u përshëndetem, ai nxori nga xhepi një letër, filloi ta lexojë. “Komisioni i Internim Dëbimeve, u mblodh dhe vendosi të shtojë dënimin edhe pesë vjet të tjera’. ‘Dakord firmosni”.
“Ne s’kemi qenë asnjëherë dakord. Keni ardhë para kohe. Ne dënimin, e mbushim në 27 qershor të vitit 1990”.
U larguam, kjo ishte pesëshja e dhjete. Nuk u mërzitëm, se shikonim dhe ndjenim se komunizmi po jepte shpirt. Por, frika ekzistonte, ne e njihnim mirë ligësinë e tyre. Atë ditë të 4 korrikut të ’89, brigadieri më kishte caktuar të punoja në lëmë, bashkë me Gjon Markagjonin, në kthim gruri.
Ishte punë me shumë pluhur. Lëmi ishte i shtruar me çimento e, ta shtonte të nxehtit. Herë pas here, uleshim duke diskutuar për situatën që po ndodhte në Europën Lindore. “Po me ne, çdo te ndodhë”?! Kjo ishte pyetja.
Emisarët e kuq bërtisnin; “Ne nuk jemi në ‘Traktatin e Varshavës’ ne nuk jemi Lindje”. Po afrohej ora për te lenë punën. U nisëm për në shtëpi. Mbasi u lava me ujin e lambikut që kishim vendosur jashtë, hyra brenda, u shtriva në minder, për të pushuar. Ashtu si përgjumshëm, i them Sokolit; “Më dukët se dikush, thirri; o Sokol”.
“Le të thërras prapë”.
Pa mbaruar mirë fjalën Sokoli, në derë u shfaq përgjegjësi i apelit, Vangjeli.
“Kam ardhë të ju them një lajm të mirë” dhe sytë ju mbushën me lot.
“Ti Sokol e, ti Simon, jeni liruar. Ka ardhë një oficer madhor nga Ministria e Brendshme e, do ju komunikoje lirimin. Ju lutem, ju bëni sikur nuk dini gjë”.
“Po të tjerët”? e pyetëm!
“Të gjithë jeni liruar, me përjashtim të Xhevat Tarushës e, Gjon Markagjonit, por edhe ata do lirohen mbase tre muajsh. Do mblidhemi te vendi i apelit të gjithë, e pastaj do shkojmë në zyrën e Këshillit Popullor. Atje do ju bëhet komunikimi i lirimit. Unë po iki të lajmërojë të tjerët”.
Kunata i nxori një llokum, ai e mori e u largua. Ne ishim topitur pak, fëmijët e kunata qanin nga gëzimi. U bashkuam të gjithë te caku, vendi që bënim apelin. Ded Gjon Markagjoni, Tomor Fiqiri Dine, Sazan Fiqiri Dine, Xhevit Hamit Matjani, Sokol Pal Mirakaj, Simon Pal Mirakaj, Xhevat Tarusha e, Gjon Markagjoni. Ju drejtuam zyrës së Këshillit. U futëm brenda, duke përshëndetur me kokë, parinë e vendit.
Zyra e Këshillit, kishte një tavolinë dhe stola, aty u ulëm. Në tavolinë, ishte sekretari i partisë, kryetari i Këshillit, kryetari i “Frontit Demokratik”. Po i shikoja me vëmendje, njeri më i shëmtuar se tjetri e, më të shëmtuar e sterrë të zi, kishin shpirtin. Qëndrimi i tyre ndaj nesh, kishte ndryshuar. Ata më tepër ishin të shqetësuar, për qëndrimin tonë ndaj tyre.
Kishin filluar të na thonim se; “Ne e dinim që jeni njerëz të mirë, por i kishim udhëzimet që të ju luftonim. Ne nuk kemi faj”, ne vetëm i dëgjonim. Ata dukët dinin diçka për sistemin e tyre që po jepte shpirt, nga mbledhjet që bënin. Sekretari i Partisë nxori paqetën e, na ofroi nga një cingare, ata që e pinin e ndezën. Në këto moment hapet dera, paria çohet në këmbë. Ne nuk lëvizëm, nuk e njihnim, por e morëm me mënd, se ky do ishte oficeri madhor, se mbas tij ishte operativi dhe Vangjeli. Ai zuri vend te karrigia që e priste.
“Hë mo, si jeni”? – por ne nuk ju përgjigjëm fare. Ndërkohë, Vangjeli nxori listën e apelit dhe thirri emrat, për të vërtetuar prezencën tonë. Menjëherë ngrihet në këmbe oficeri që kishte ardhë nga Ministria e Brendshme. Ishte i veshur civil dhe me një palë syze të zeza të cilat nuk i hoqi nga sytë, filloi të lexojë shkresën;
“Komisioni i Internim Dëbimeve u mblodh dhe mbasi mori në shqyrtim sjelljen tuaj të mirë, vendosi të ju heqë masën e internimit, duke ju liruar”. Sa shpejt paskëshim ndryshuar për mirë:! Se në datë 27 qershor, ky komision na dha pesëshen e dhjetë të dënimit, si armiq të klasës! “Sa shpejt u përmirësuam”, thashë me vetë!
Oficeri madhor filloi duke lexuar emrat. Bëri një pauzë në këmbë, duke menduar se ne do ta falenderonim për këtë vendim. Kishte raste të rralla, që kur bënin lirime, nga gëzimi thonin: “I faleminderit Partisë”. Ai duket e kuptoi se, po të qëndronte gjithë ditën e gjithë natën në këmbë, ai falenderim nuk do t’i vinte kurrë, e vazhdoi:
“Nga ky moment, ju jeni të lire, të shkoni ku të doni brenda territorit Shqiptar. Kam edhe një porosi, mos u merrni me politikë, mund të largoheni”. Dolëm, përsëri pa ju dhënë dorën, por duke ju thënë; ditën e mirë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016