Nga SIMON MIRAKAJ
Pjesa e nëntë
“Kampeve nën hijen e Tomorrit, 44 vite internim”
– Kujtime –
H Y R J E
Memorie.al / Këto kujtime i kam hedhur në letër pas një periudhe të gjatë hezitimi. Kjo mbase, sepse subjektet i kisha gjithnjë të freskëta në mendje, që më ndiqnin pa mëshirë gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Por vjen një moment – kur koha bën të vetën – dhe pamjet e tmerrit dhe të pësimeve, erdhën duke m’u zbehur – thuajse pësimet kaluan në harresë. Atëherë vendosa t’i ripërsëris ngjarjet më mbresëlënëse – fillimisht në mendje – derisa morën trajtën e këtyre rrëfimeve. Sado të zbehta që mund të duken këto rrëfime – krijojnë idenë e realitetit të ashpër dhe mjeran të kampeve.
Hapje kanali
Mbarova punën mjaft i lodhur. Ishte punë e rëndë thellime vijë, të cilat shkonin tetëdhjetë cm. të thella. Ishte fund i muajt maj, të nxehtit e këtij muaji, ta rëndonte dhe më shumë punën. U ula në fund të vijës e, mora krusën për të pastruar lopatën që ta kisha gati për të nesërmen.
Më kishte marrë uria. Bukën e drekës e hëngra nga ora 11. Në mëngjes si zakonisht, haja bukë me çaj. Kisha një tenxhere të vogël si masë, që duhej ta haja patjetër, për të përballuar punën. Çaji nuk i bënte ballë dot lopatës. Aty nga ora 10.30, 11.00, gjunjët nuk të mbanin, nuk mund t’i rezistonin lopatës. Brigadieri vinte e thoshte, hidhe dheun, tetë metra larg.
Në orën 11.00 lashë lopatën e, fillova të ha drekën. Shkunda bukën prej mizave që kishin hyrë në çantë e, të dyndem me ujë që ishte bërë valë, si çaji i mëngjesit. Pushova pak që të më shkonte buka në vend, e fillova përsëri punën. Në të gjithë parcelën, shikoja punëtorët që vërvitnin lopatën në të njëjtën kohë, aq sa të dukej sikur dikush i dirigjonte, ndërsa dheu i lopatës, shkërmoqej nga përplasja në parcelën e mbjellë me misër.
Ndërsa gratë me çapat në dorë e gjysëm të kërrusura, çapitnin misrin që kishte zënë kore nga vaditja. Nga ora 12.00, të gjithë iu drejtuan strajcave të bukës, për të marrë energji, për të vazhduar e për të bërë normën, 12 metër kub, për të marrë 170 lek, ku dhjetë përqind na i mbante shteti, për t’i dhënë në fund të vitit, në fakt nuk i morëm as një vit. Të gjithë punëtorët mbas bukës, u shtrinë nën hijen e plepave, për të pushuar.
Unë, mbasi bëra normën, i kisha marrë leje brigadierit e, u nisa për në shtëpi, në sektor ku jetonim prej vitesh, në Gjazë. Rruga për në sektor, ishte afër dy kilometra, nga lodhja uria, e etja, më dukej sikur nuk do mbërrita kurrë. Rruga ishte gjithë pluhur e bosh. Vetminë e rrugës e theu një qerre me vërshëllimën e rrotave, që të dukej sikur rënkonin.
Kisha mbathur një palë gjysma çizmesh, i hoqa se më rëndonin, hoqa dhe kanatjerën, se dukej se më rëndonte dhe ajo, sytë po më errësoheshin nga uria, anës kanalit ishin parcelat me grurë, dëgjoheshin zhurmat e tanë qeve, bilbilave, që trembnin zogjtë, që i turreshin grurit me tufa.
“Po sikur të futem dhe unë bashkë me zogjtë, për të shuar urinë”! – thashë me vete, nuk m’u duk mendim i keq. Kalova kanalin, eca pak nëpër grurë dhe hapa një vend. Shkova në vijën e ujit e, mbusha një shishe dhe u ktheva te caku. Fillova të mbledh kalli, i fshija me dorë, kokrrat e shkoqura, i hidhja në kanatjerë. Gruri ishte i butë, nuk ishte i pjekur, bëra gati një gjysëm kg.
Kështu “shtrova sofrën”, kanatjerën me grurë, shishen e ujit. Fillova të ha, m’u duk sikur edhe stomaku, po ndjente kënaqësi. Te gryka e shishes, vendosa kanatjerën e pija ujë, duke njomur buzët, që pothuajse kishin zënë kore. U dynda mirë, barku më ishte fryrë më tepër prej ujit, nuk lëvizja dot.
U shtriva mbi grurë, hapa krahët e vështrimin nga qielli, krejtësisht i kaltër pa asnjë njollë. Duke ëndërruar, më zuri gjumi. Në të perënduar dëgjoj rojen që më thoshte: “Zgjoju Simon, se po të shkon vonë për në apel”. – U ngrita duke e falenderuar, lava pak sytë, e mora rrugën për në shtëpi.
Dita e Shiut
Një cipë e hollë si mjegull, e kishte mbuluar qiellin, nga ballkoni shikoja njerëzit që ecnin trotuarit me çadra të hapura, një shi i dendur kishte filluar.
Ndërsa sodisja shiun që binte pa pushim, kujtesa më mori rrugën për t’u ndalur në Gjazë, ku kalova plot 20 vjet, vite të rënda nga puna, vite të rënda nga pasiguria për jetën. Ishim cilësuar “armiq”, që në djep, çdo ditë përballeshim me padrejtësinë.
Ndërsa shiu vazhdonte me të njëjtin ritëm, kujtoja ditët e shiut atje në kamp në Gjazë. Kur binte shi, gëzoheshim se rrinim pushim, na pushonin brinjët nga lodhja, paguheshim 80 lek (të vjetra), atë ditë lexonim ndonjë libër, dëgjonim muzikë, loznim shah, mbasdite luanim poker, pra divertoheshim disi…!
Kjo pagesë që quhej ditë shiu, vazhdoi gjithë kohën por me një ndryshim, për ta marrë atë duhej të shkoje në ‘Këndin e Kuq’ e, “të dëgjoje veprat e shokut Enver”.
Një shpikje torturuese për ne, veprën e lexonte brigadieri që mezi i mblidhte germat, pastaj ai të bënte dhe pyetje, për atë çfarë kishte lexuar, pra t’i bëje koment. Frikë e torturë bashkë, duhej të kontrolloje mirë atë, se çdo fjalë, i bënin interpretim sipas injorancës së tyre, që të çonte edhe në burg.
Kështu që dita e shiut, nuk na jepte më kënaqësi, ishte më mirë të punoje e të shkoje në punë edhe pse binte shi, sesa të shkoje e të torturoheshe, duke dëgjuar atë që të kishte marrë jetën e, që jeta jote, ishte në rrezik në çdo moment.
Shiu edhe pse kishte filluar natën, vazhdoi pa ndërprerje edhe ditën. Mbas apelit, iu drejtova brigadierit, për të marrë planin e punës në ‘Këndin e Kuq’ e ai më tha se; “Nëse pushon shiu, do hapni vija në Kodolesh”. Kodoleshi nga kampi, ishte dy kilometër, kur binte shi, rruga ishte e vështirë për të ecur, terren rrëshqitës, duhej të ngulje lopatën, që të mos rrëshqisje.
Vendosëm bashkë me shokët e punës, që të shkojmë në punë edhe pse shiu vazhdonte të binte, se sa të shkonim në ‘Këndin e Kuq’. Kishim qepur nga një mushama, u mbërthyem mirë me lopata në krahë, çantën e bukës dhe u nisëm bashkë me vëllain, Sokolin.
Në të dalë të kampit, u bashkuam me Gjonin, Dinen, Tomorrin, Sazanin, Saliun, Xheladinin, Myftarin dhe Nexhatin, që kishte me vete dhe qenin “Belulin”. Shiu e kishte marrë shtruar, ne vazhduam rrugën drejt punës, me shpresë se koha do hapej.
Ecnim njeri mbas tjetrit, se rruga ishte e ngushtë, bankina e kanalit ishte e ngushtë, jo më shumë se 50 cm. gjerësi. Një orë zgjati rruga, shiu e shtoi dendësinë, si për inatin tonë, nuk kishim ku të rrinim, pasi pemët i kishin prerë. U ulëm galuç, për të pushuar pak, “çfarë të bëjmë”; pyesnim njeri tjetrin…?! Disa thonin; “të presim se mos pushon”, disa thonin; “të kthehemi”.
Ora po shkonte 11.00, në 11 e 30, u nisëm për shtëpi, nën reshjen e dendur të shiut. Shiu kishte depërtuar në trupin tonë, ishim bërë qull, mushamatë nuk kishin rezistuar, se shiu shoqërohej dhe me një erë të fortë.
Kur iu afruam sektorit, jo më shumë se 200 metra, kishim kanalin përpara, që ishte mbushur buzë më buzë nga fryrja, gjerësia i kalonte 4 m. dhe tani, ose duhej të hidheshim, ose t’i binim rrotull, që shkonte edhe një orë më shumë, për të mbërritur në shtëpi. Gjoni tha:
“Unë nuk mundem me u hedhë e, po i bije rrotull…” – e u nis. Ne u ndalëm, hodhëm lopatat, çantat i kishim boshatisë rrugës. Të parët u hodhën më të rinjtë, dy vëllezërit Agolli, Saliu me Xheladinin, u hodha unë, njëra këmbë më rrëshqiti e, u mbush plot me ujë, këmba-doras dola, u hodhën dhe të tjerët. Qeni kaloi me not, kishte mbetur Tomorri i fundit.
“Hë Tomi, çfarë do të bësh”?
“Ja do marr hov e do hidhem…- tha ai, – rashë brënda punë e madhe, në ujë jemi bërë, s’kemi çfarë të ruajmë më”. Tomi mori hov dhe ra mu në mes të kanalit, vetëm koka i dukej, na kapi të qeshurit ne dhe atë bashkë me ne, i zgjatëm lopatën e, kapi atë dhe doli.
Nuk ishte më shumë i lagur nga ne, të gjithë ishim bërë sikur i kishim rënë kanalit përmes. Kur hymë në kamp, gruaja e Tomorrit, Shkurta, kishte dalë në rrugë, kur na pa ne, nuk di, Tomorri ju duk më i qullosur, e i drejtohet:
“O Tomorr, si qenke bërë kështu, qenke lagur e bërë qull, po a është bërë tjetër njeri si ti”? Tomorri që kishte shumë humor, i kthehet:
“Po, rashë në kanal”.
“Po vetëm ti re në kanal”?
“Jo, ra dhe Beluli”.
“Po kush është ki Beluli”?
“Beluli është qeni i Nexhatit…”, – Shkurta dhe ne të gjithë, filluam të qeshim më lot, humori i Tomorrit, na u duk se na i thau rrobat e, na futi pak ngrohtësi në trup, që po dridheshim nga të ftohtit.
Festimi i Pashkëve në kampet e internimit
Gjithmonë i kemi festuar Pashkët, pavarësisht vështirësive ekonomike, kujtoj Pashkët, se ato shoqëroheshin me ngjyrosjen e vezëve, që për në fëmijët e asaj kohe, ishin kënaqësi e veçante, kjo është edhe arsyeja e mbetjes në kujtesën time, se në kampe, kemi festu edhe Krishtlindjet, edhe myslimanet festonin Bajramin.
Pashkët i kemi festuar edhe në kampin famëkeq të Tepelenës, ku nënat tona mundoheshin atë ditë, me ba apo me saju diçka, po ajo që ka ngelë në kujtesën time, janë dy priftërinjtë e kampit, Padër Jak Gardini e Padër Viktor Volaj, që ditën e Pashkës, dolën nëpër kamp me dy shporta, duke ju shpërnda fëmijëve vezët e kuqe.
Në kampin e Savrës, kur feja ende nuk ishte e ndaluar, për Krishtlindje dhe për Pashkë, bëhej meshë në mensën e kampit apo, nëpër koçekët e misrit, sigurisht duke marrë leje nga Dega e Punëve të Brendshme. Në kampin e Savrës, kishim Padër Marjan Prelën, që ka ngritë meshë, si dhe Dom Nikoll Mazrekun.
Nga Gradishti kanë ardhë me ngritë meshë në Savër, Dom Lazër Jubani, Dom Mikel Koliqi, Dom. Ndoc Sahatçia. Ne, edhe me vonë kur u prishën kishat e xhamitë, i kemi festuar Pashkët, Krishtlindjet, myslimanet Bajramin, por festimet ishin vetëm në shtëpi, nën masa të forta sigurie, për Pashkë i ngjyrosnim vezët me lëvozhgat e qepëve të ruajtura, ose me bojë që ngjyrosnin trikot.
Vezët, mbasi i hanim lëvozhgat, i futnim në sobë dhe fëmijët porositeshin që; mos të tregonin, se; “po treguat që kemi ngjyer vezë, ateherë ne na fusin në burg”.
Kudo që kemi qenë i kemi festuar Pashkët, Krishtlindjet, Bajramin, pavarësisht rrezikut, se besimi në zot, ishte për ne e vetmja shpresë, e vetmja mbështetje që na jepte forcë, të përballonim kalvarin e vuajtjeve. Në Gjazë, ku lufta e klasave në vitet 1973-1974, kishte arrirë kulmin, kishin arrestuar e dënuar me dënime kapitale dhe me burg, njerëz të pafajshëm, por festat fetare, u festuan gjithmonë.
Mbasi bëmë apelin e policisë në mëngjes, po shëtisja me Dedë Gjon Markagjonin, ishte njeri mjaft i këndshëm edhe pse kishim diferencë në moshë, ai ja gjente gjuhën, si të riut dhe te moshuarit, kur ora po afrohej 11.00, Deda më thotë:
“Simon, a ke shku për Pashkë, te Gjin Kaziu”?
“Jo i them. – A shkojmë bashkë”?
“Shkojmë me shumë kënaqësi”.
Gjini ishte një njeri fisnik prej Mirditë, i internuar me ne qysh në Tepelene, njeri i ndershëm e mjafte dinjitoz. Gjini kishte në shtëpi gruan, Dilen, djalin Palin dhe nusen e djalit, Gjysten, ishte njeri me mjaft autoritet në familje, ishte pak nevrik por edhe kur bëhej nevrik, ishte njeri simpatik.
Nusja e djalit edhe ajo prej Mirdite, shumë puntore, ashtu si dhe Pali (i shoqi), megjithëse ajo i mbante mjaftë mirë, si vjehrrin e vjehrrën, Gjinit i kishte ik pak autoriteti, qëkur kishte hyrë nusja në mes. Gjystja, ishte shumë nikoqire, kishte blerë speca të kuq, e i thante për dimër, i kishte shtrirë në soletën e një bunkeri, që kishte nja 20 metra gjatësi, mirë, po për t’i ruajtur nga pulat, kishte dërguar lalë Gjinin.
Ishte korrik, bënte shumë nxehtë, nxehtësinë e shtonte dhe betoni që ishte shtruar nga sipërfaqja e bunkerit. Gjini në atë vapë bënte xhiro mbi soletë me llullën e duhanit në goje, e me njërën dorë fshinte djersët.
Përballë bunkerit ishte shtëpia e Markagjonve, vapa e korrikut të përvëlonte. Frida që jetonte me Markagjonet, kishte dalë në oborr dhe po merrte rreze dielli, kur shikon Gjinin, që pinte duhan e, shkonte e vinte sipër bunkerit. Ajo e dinte që Gjini nuk e kishte qef, megjithëse respektonte.
Ai nuk e kishte qejf Fridën, se ajo mbante thonjtë e gjatë, lyente buzët, megjithëse i kishte kaluar të 70-at, ishte rritë e shkolluar në Perëndim në Austri dhe kishte bë dhe nja 15 vjet burg politik. Duke e njohë Gjinin dhe natyrën e tij, Frida e thërret:
“O Lal Gjini”, por ai nuk e kthen kokën fare e, vazhdonte xhiron mbi bunker, duke lëshuar nga goja shtëllungat e duhanit, që zhdukeshin në hapësirën qiellore. Ajo e thërret prap:
“O Lal Gjini”!
Ai pa kthyer kokën, e heq llullën nga goja e, i thotë:
“Çaf kije”?
“Sa nikoqire e ke nusen, të ka vu me rujtë specat”!
Gjini pa kthyer kokën, po duke turfullu, i thotë:
“Po nikoqire e kam, he i dhefsha specat e, i q… nanën”.
Frida kishte fillu me qeshe me të madhe, ndërsa Lal Gjini, vazhdonte tymosjen e, fshinte djersët. Kjo kishte ndodhur disa muaj përpara, se unë të shkoja për vizitë me Dedën për Pashkë. Ndërsa po i afrohemi shtëpisë të Lal Gjinit me Deden dhe futëm në oborr, Deda i thërret:
“O Lal Gjini”, dhe ai menjëherë hapi derën;
“Hajdi byrëm, mirëse u ka pru zoti”. Hymë brenda, i uruam Pashkët. Nanë Dila na vuni sofrën përpara e Gjystja pruni rakinë, vezë të zime, hudhra e djathë,
Gjini na mbushi gotat; “Mirse keni ardhë”. – “Kjoftë livdue Jezu Krishti”, – “Gjithmonë e jetës”, përgjigjet Lal Gjini. Filluam duke pi e duke bërë muhabet, unë nuk e kisha idenë e rakisë, veç pija e, më shumë i turresha mezes. Me i ba qefin Lal Gjinit, i them:
“O Lal Gjini, sa të mirë e paske këtë raki”?! – “Çaf thuo Simon, pi e trus by… se nuk ashte raki, po ashtë uzo”! Vuna buzën në gaz; “E ngatërrova – i thashë, – desha me thanë uzo, e thashë raki”. As Lal Gjini e, as nan Dila, nuk jetojnë, por për ne, janë të paharrueshëm e, do kujtohen gjithmonë me respekt, pasi ishin njerëz të mrekullueshëm, si familje.
Pema e Krishtlindjeve – Gjazë 1977
Ne, zbukurimin e pemës së vitit të ri, e bënim ditën e Shën Kollit në darkë (6 Dhjetor). Dhjetori ishte muaj i festave, si Shën Kolli, Krishtlindja e Viti i ri. Shënkolli e Krishtlindja, festoheshin brenda mureve të shtëpisë, ndërsa viti i ri, festohej pa dyer të mbyllura.
Isha ulur përballë pemës, ku im bir (Pali), e kishte vendosur dhe po merrej me zbukurimin e saj, në fillim vendosi dritat, pastaj filloi të vendosë zbukurimet e, mbasi e mbaroi, më pyeti: “E babi, si të duket”?
“Mjaftë mirë, të lumshin duart”. Nuk kishte se si mos të kujtoja pemën që bënim në kampin e internimit e, fëmijët që prisnin gjithë gëzim ndërtimin e saj e, vazhdimisht pyesnin: “Babi – axha, kur do filloni me ba pemën e vitit të ri”?
Nga mesi i muajt dhjetor, shumë nga punëtorët i shikoje në brez, që kishin nga një spat të vogël, ku mbas punës ngjiteshin pemëve për të sajuar e prerë pemën e vitit të ri. Siç thashë, ne fillonim vendosjen e ndërtimin e pemës së vitit të ri, në datë 6 Dhjetor. Në darkë, vendosnim pemën në një cep të dhomës dhe fillonim ta zbukuronim.
Fëmijëve ju shkëlqenin sytë nga gëzimi. Në fillim merrnim një dorë pambuk dhe e shpërndanim në pemë, pastaj vendosnim shirita letre me ngjyre, kartolina, karamele zana, afër pemës vendosnim nja dy qirinj dylli, që i bënim vetë, për ta ndriçuar pak pemën. Pema ishte e varfër nga zbukurimi, por fëmijët kënaqeshin dhe ne s’bashku me ta.
Për vitin e ri, na jepnin 5 kokrra vezë, 50 gr. gjalp ose, margarin, 100 gr., 2 kg. portokalla (portokallat nuk futeshin në goje, se ishin të thartë) 3 kg. mollë, ½ arra, ½ l. verë, ½ raki frutash, ose “Juniperus” dhe 100 gr. kafe 600-she. Ky ishte racioni i vitit të ri, që blinim në dyqan.
Më kujtohet se si e festuam natën e Shën-Kollit, në internim në Gjazë (Lushnje). Atë ditë dhjetori, u nisa për në punë me lopatë në krahë, për pastrim kanali. Kanali ishte i thellë, fillova punën balta e kanalit ngjitej mbas lopatës të cilën, duhej ta pastrojë herë pas herë, pastrimi i lopatës të jepte mundësinë, me marrë pak frymë.
Dola nga kanali me pi pak ujë, kur shoh se drejt meje, po vinte brigadier Feçorri (kështu e kishte emrin), siç kishte emrin kishte dhe shpirtin. Ai ishte shoqëruar me një tjetër, kur u afruan dallova se tjetri, ishte operativi Selfo, thonin se ishte nga Tepelena. Unë vazhdoja me gërmu kanalin, ata u ndaluan e bënin sikur bisedonin.
Feçorri ishte shumë i kënaqur që shoqëronte operativin e sigurisht i jepte dhe të dhëna për ne. Operativi Selfo kënaqej sigurisht, që më shihte mua duke punuar në kanal e, i mbuluar nga djersët e cirkat e baltës në fytyrë. Por mua nuk më bënte përshtypje e, vazhdoja punën, duke i mallkuar “Ju vraftë nata e Shën-Kollit, more katila”!
Ne darkë mblidheshim rreth tavolinës, ku në mes të saj shndriste drita e qiririt. Bënim kryq e thonim uratë. I luteshim Shejtit Shën-Koll, me na ruejtë nga çdo e keqe e, me na heq qafe këtë farë të keqe. Mbas urateve, fillonte darka ku mundoheshim me ba diçka si për festë e, me u dallue nga darkat e tjera. Ne i festonim të gjitha festat, sigurisht në masa të rrepta sigurie. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016