Nga SIMON MIRAKAJ
Pjesa e tretë
-Kampeve nën hijen e Tomorrit, 44 vite internim’ –
Kujtime
H Y R J E
Memorie.al / Këto kujtime i kam hedhur në letër pas një periudhe të gjatë hezitimi. Kjo mbase, sepse subjektet i kisha gjithnjë të freskëta në mendje, që më ndiqnin pa mëshirë gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Por vjen një moment – kur koha bën të vetën – dhe pamjet e tmerrit dhe të pësimeve, erdhën duke m’u zbehur – thuajse pësimet kaluan në harresë. Atëherë vendosa t’i ripërsëris ngjarjet më mbresëlënëse – fillimisht në mendje – derisa morën trajtën e këtyre rrëfimeve. Sado të zbehta që mund të duken këto rrëfime – krijojnë idenë e realitetit të ashpër dhe mjeran të kampeve.
Arrestimet në Savër – 1960
Në maj të vitit 1959, Shqipërinë e vizitoi sekretari i parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov. Një javë përpara se ai të vinte në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit në Lushnje, mori masa “për t’u mbrojtur nga armiqtë e klasës”. I dhanë detyrë Sekretarit të Parë, që të largonte nga qyteti disa individë, si; Seit Selfon, Vanko Lezon, Shahin Rushitin e, ndonjë tjetër, që nuk më kujtohet. Ata i izoluan në kampin e internimit në Gjazë, së bashku me disa të internuar nga kampi internimit të Savrës, duke i sistemuar në koçekët e misrit.
Ky “grup armiqsh”, qëndroi aty dy javë. Pa kaluar viti, filluan të qarkullojnë zëra se po prishen marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Prishja e marrëdhënieve do të thoshte ashpërsim i “luftës së klasave”, dhe eleminimi i “armiqve”. Kjo do të thoshte internime, arrestime dhe burgosje.
Në vitin 1960, u zyrtarizua prishja e marrëdhënieve, e cila u shoqërua me një valë arrestimesh, duke filluar me anëtaren e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Liri Belishovën, etj. Sigurisht që kjo valë do kapte dhe “armiqtë e klasës”.
Mbasi isha kthyer në shtëpi nga fusha e lojës e po laja këmbët në oborrin e shtëpisë (barakës), shoh që po vinte drejtë nesh, kapteri i kampit, Hekurani, me gjithë operativin e Sigurimit, Llazar Goga.
Kur pamë drejtimin e tyre u shtangëm. Nuk kishte shumë që ishte arrestuar Vasil Kokali (kunati im), i cili kishte një vit që qe martuar, duke lënë gruan me vajzën e vogël, Adrianën. Vasili ishte nga fshati Aliko i Sarandës, rridhte nga një familje e pasur dhe antikomuniste. Ai ishte internuar familjarisht që në vitin 1945, në kampin e Krujës.
Ministria e Punëve të Brendshme, kishte vendosur që familjet që ishin nga Jugu, t’i dërgonin në kampet e internimit në Veri, ndërsa verioret, t’i dërgonin në Jug. Me Vasilin ne u bashkuam në kampin e internimit në Tepelenë. Vasili binte në sy nga djemtë e kampit, ishte një djalë i rregullt e serioz dhe shumë merakli, si në të veshur, në të krehur, etj. Flokët i kishte të dendur e me onde. Shokët e tij thonin që Vasili u binte flokëve me krehër njëqind herë, ndërsa dhëmbët, i zbardhonin prej së largu.
Sigurisht që ky qëndrim i tij dhe situata e krijuar, bënë që ai të arrestohej, mbas një viti martese. Qëllimi i arrestimeve në situatatë tilla politike, ishte të fusnin terror në popull. Arrestimet bëheshin në punë, në rrugë, në shtëpi, pastaj me duar të lidhura mbrapa, e çonin në këmbë, për të ngjallur tmerr tek njerëzit, për t’ju thënë: “Rrini urtë, se do përfundoni me duart prapa, të lidhura me hekura”.
Ata ishin absolutisht të pafajshëm, si qindra e mijra të tjerë, që kishin mbushur kampet e burgjet, por ky ishte ushqimi i diktatorit Enver Hoxha dhe i atij sistemi, duke drejtuar vendin nëpërmjet dhunës e terrorit. Në ditën e caktuar, shkoja me motrën për t’i dërguar ndërresa e ushqime Vasilit, që ishte në hetuesi. Ai ishte në birucë, në Degën e Punëve të Brendshme të Lushnjes.
Kur vinte gardiani, Miti, me marrë ndërresat dhe ushqimin, Vasili zgjatej e kapte hekurat e birucës, që ta shikonim. Na përshëndeste me kapele, se kokën ja kishin qethur. E shikonim me vështirësi se para hekurave të dritares së birucës, kishte dhe një dërrasë. Kishte shumë pak hapësirë për ta parë. Kishte dhe raste që vinte gardiani, e nuk na i merrte ushqimet. “Nuk i marr, se nuk sillet mirë në hetuesi”, na thoshte ai!
Ne largoheshim mjaft të mërzitur, ishte vërtet një pamje që të trishtonte. Vasili me kokën e qethur dhe i zbehtë, nga mungesa e diellit. Për të na dhënë kurajo, e sidomos motrës Lajde, i buzëqeshte. Mbas një hetuesie prej nëntë muaj, doli në gjyq, ku ishim edhe ne familjarët, në një séancë që përfundoi me dënimin e tij, për “agjitacion e propagandë”, me 7 vjet burg.
Një ndër akuzat ishte: “Ke sharë Hrushovin”. Kur u prishën marrëdhëniet zyrtare me Bashkimin Sovjetik, filluan vetë ta shajnë. Shpresuam se do lirohej apo, do i ulej dënimi, por ai e plotësoi të gjithë dënimin, për shtatë vjet. Arrestimi i tij pati pasoja për familjen, vëllezërit që jetonin në Aliko të Sarandës. Ata i sollën familjarisht në internim, Miçon e Llambin, familjarisht.
Pasojat do të binin edhe mbi ne kunetërit e tij, Sokol e Simon. Mbasi u lamë e u futëm brenda duke u fshirë, kur dëgjojmë të trokasin në derë, hapim derën mjaft të tronditur shohim, kapterin dhe operativin. Kapteri pa gjendjen tonë e ndërhyri menjëherë: “Ti Sokol e ti Simon, nga sot e tutje, do të dilni në apel, apeli bëhet në mëngjes e në darkë. Ti Simon, do dalësh vetëm në darkë”.
Nuk i kisha mbushur të 15-tat e, as Sokoli të 17 vitet. Të dy ishim me pantallona të shkurta. Vetëm nëna punonte dhe e sëmurë nga zemra, që i mori jetën para kohe. Në darkë aty nga ora tetë, bëhej apeli. Në fillim kapteri lexoi emrat e grave, pastaj filloi emrat e burrave. Kur shikoja veten mes atyre burrave e grave, më dukej vetja burrë i madh e, ndihesha si i vlerësuar. Nuk m’u desh shumë kohë për të kuptuar, rëndësinë e këtij vlerësimi, që do të thoshte një hap larg nga burgu.
Kur në mëngjes dëgjoja zërin e nënës: “Çojuni, se shkoi ora për me dalë në apel”! Atëhëre apeli nuk ishte ma qejf, mes burrash e zonjash, por frikë që të ngjallte tmerr. Nuk kanë qenë të pakta rastet, kur kthehesha nga apeli me lot në sy, duke parë burrat që arrestoheshin e, me duart e lidhura pas, drejtoheshin pa asnjë faj e drejt burgut, duke lënë nënat pa djemtë e, gratë pa burrat, e fëmijët pa baballarë. Akuzat; “agjitacion e propagandë” në shumicën e rasteve, akuza të sajuara që merrnin jetë njerëzish të pafajshëm. Nga kjo pasiguri e ky tmerr, shpëtuam në korrik të vitit 1989, kur u liruam.
Gjatë kësaj periudhe, po sjell ndërmend ata burra që ishin në apel e, u arrestuan në Savër. Ahmet Kolgjini 16 vjeç, Haxhi Agalliu, Rexhep Hoxha, Ylli Tabaku, Sinan Hajdari, Vasil Kokali, Llambi Plasoti, Dheodhor Fili, Loli Mavro, Stefan Pollo, Zydi Kasa, Emeror Koleci (edhe ky për të dytën herë), Shanisha Dosti, Seit Taho, Musa Sina (për të dytën herë), Nikoll Mërnaçi, Elez Hoxha, Spiro e Kostandin Gjoka, Avdulla Nela, Fran Tina, e një 17 vjeçar, Agim Poda.
Këta janë emrat e të arrestuarve, vetëm në kampin e internimit Savër. I kujtoj me shumë respekt. Disa prej tyre, janë larguar nga kjo jetë, pa shijuar lirinë e ëndërruar prej tyre. Pushofshi në paqe.
Disidencë nëpërmjet humorit
Kumbara im, Musa Sina – Savër 1963. Gjatë udhëtimit tim në ferrin e Dantes, të imponuar nga diktatura komuniste, e pa dëgjuar në historinë e kombit tonë, kam njoftë shumë karaktere, njerëz fisnik, të shkolluar në Perëndim. Njerëz të thjeshtë, por shumë dinjitoz, për të cilët ndihesh krenar për kohën që ke kaluar pranë tyre. Unë kam marrë diçka nga mençuria e tyre, nga fisnikëria e tyre dhe ata ndiheshin të rinj, pranë nesh. Në momente të caktuara, ata parakalojnë në memorien time, madhështorë.
Shumë prej tyre nuk jetojnë më, kanë marrë udhën e gjatë e të pasosun, udhën e Parajsës. Në kujtesën time, desha të sjell pak kumarën tim të dashur, Musa Sinën. Musa, rridhte nga një familje nacionalistesh nga Dibra. Për shkak të qëndrimit antikomunist të kësaj familje e, të arratisjes se dy vëllezërve të tij, internohet me nënën e tij, Kafilen, një zonjë që shprehte vetëm mirësi, e me dy kunatat e tij, Hanën me tre fëmijë, e Dijen me një vajzë, Nadiren. Kampi i Tepelenës, më mirë duhet të përcaktohet, si; “Kampi i vdekjes”. Aty vdiqën mbi 300 fëmijë nga uria e sëmundje të ndryshme, por edhe pleq e të rritur.
Tre herë i lëvizën varret. Eshtrat e tyre nuk u gjeten e nuk do gjinden kurrë. Nga kjo gjendje e tmerrshme, Musa mendon të arratiset, notonte shpesh në Vjosë, notonte bukur edhe vetë ishte simpatik, ezmer, me pak mustaqe, që i shkonin shumë. Forcat e Ndjekjes e kapin e, fundi dihej.
Gjygji Ushtarak e dënon me 20 vjet, e përfundon në burgun e Burrelit. Aty kalon pothuajse te gjithë periudhën e burgut. Lirohet në në fillim të viteve ’60-të, tashme i sëmurë. Një gëzim i madh qe ardhja e tij, për nënën, kunatat, shokët e miqtë. Mbas një pushimi prej disa ditësh, fillon punë, duhej jetuar, por punët ishin të rënda. Respekti që kishin shokët, e mbanin afër, duke ja lehtësuar punën. Veçanërisht ndihmë i kanë dhënë vëllezërit Kaloshi, duke i caktuar një punë të lehtë, që t’iu sillte ujë për të pirë. Musa, siç ju thashë, ishte burrë simpatik por kishte dhe humor.
Një ditë kishte vendosur për të shkuar në një fshat te Beratit, që të takojë një mikun e vet të burgut. Vesh kostumin që ia kishte dërguar i vëllai nga jashtë dhe kapelën e republikës në kokë, kishte dhe bark të fryrë, nga sëmundjet që kishte kaluar në burg. Del në rrugë, i nxjerr dorën një makine e niset. Ndalet makina, bën pagesën dhe merr rrugën për tek miku i tij. Kur po i afrohej fshatit pa një grup fshatarësh që po bisedonin njeri me tjetrin.
U gëzua Musa kur i pa, se nuk e dinte shtëpinë e mikut. Vendosi të shkojë drejt tyre, për t’i pyetur. Fshatarët u gëzuan kur panë një burrë me kapele me kollare, po shkonte drejt tyre, menjëherë morën qëndrim, e i thonë njeri tjetrit; “po na vjen një shok nga Tirana”.
Musa i ndigjon e u afrohet, përshëndet e, ata gjithë qejf, i përgjigjen. Mbasi shkëmbyen përshëndetjet, Musa i pyet:
– “Ju lutem, a mund të më thoni ku e ka shtëpinë Agua”?
Ata u vërejtën e i thanë, se; ai është armik, si e kërkoni armikun?!
– “Ju lutem, a e dini ku e ka shtëpinë? Se unë jam ma mut se ai”!
Musa me këto, shprehte disidencën e tij, kundra regjimit. Kalon do kohë e, Musa krijon familje. Zoti i dha tre fëmijë të mrekullueshëm, Kafilen, trashëgoi emrin e nënës së vet, Markelen e Bashkimin. Gruan e mori nga Mallakastra, vajzën e një të burgosuri, Myrveten, një zonjë e vërtetë. Musa edhe pse shumë familjar, nuk harronte humorin therës, i cili u bë shkak për burgun e dytë.
Në fermë fekalet pastroheshin me qerre, pra saldoheshin dy fuçi, këtë punë e bënte një burr i vjetër, jo i internuar, një vendali. Kjo punë paguheshe mirë, 250 lek dita. Një ditë, na vdes xha Demiri. Musa vendos që të kërkoje këtë lloj pune. Më tepër për të shprehur pa kënaqësinë e tij, kundër regjimit. Në mbrëmje mbas apelit, që e bënim dy herë në ditë, drejtohet për në zyrën e Këshillit Popullor.
“Mirëmbrëma”! – në zyrë ishte sekretari i partisë e. gjithë paria e sektorit të Savrës.
“Hë mo, pse ke ardhur”? – i drejtohen ata gjithë arrogancë.
“Kam marrë vesh se ka vdekur xha Demiri, e desha meqë jam me raport i sëmurë, të më jepni qerren e mutit”.
“Jo, – i thotë sekretari i partisë, – Musë ju nuk mund ta merrni qerren, sepse nuk keni triska fronti”.
“Eu, – u thotë Musa, – edhe me hangër mut, u dashkan triskat e frontit”?! – e largohet. Për këto e të tjera, atë e arrestojnë për së dyti. Musa ishte nisur për në punë, afër urës së Sejmenes. “Xhip”-si ndalon. Zbresin dy oficerë Sigurimi e, i hedhin thesin në kokë dhe i thonë: “Në emër të popullit, je i arrestuar”!
Në darkë familja prit se po kthehet, s’ka. Shqetësimi i madh, për familjen, por edhe për ne. Mbas një jave, i thonë Myrvetes:
“Musën e kemi arrestuar si armik”. Atë e dënuan 10 vite burg, që i kreu me dinjitet. Fati e deshi, që të përjetojë dhe rënien e komunizmit. Kumara im u largua nga kjo botë, simpatik siç ishte, duke lënë mbrapa një kujtim të bukur, për të gjithë ata që e kanë njohë. Pushofsh në paqe, Kumara im.
Dita e parë e punës – 1965
Kur e kujtoj atë ditë më zë trishtimi edhe sot, trishtim e keqardhje, për rininë e humbur e të lënë fushave e kanaleve të Myzeqesë, me shatë e lopatë në krah, jo pak, por një çerek shekulli. Sa e sa të rinj e të reja, e lanë rininë kampeve e burgjeve, nëpër miniera e nëpër galeri, e pse? Sepse mendonin ndryshe, mendonin të jetojnë të lirë, në vendin e tyre. Sa e sa të rinj të reja, të quajtur kulak, e lanë rininë kooperativave, ku puna e tyre vlerësohej me pikë, nuk paguheshin me lekë, për punën që bënin, por me pikë, u vyshkën para kohe, nga puna e rëndë e nga padrejtësia.
Sapo mbarova provimin e fundit të maturës, po ecja korridorit duke kërkuar një klasë boshe, nuk doja të flisja me njeri, doja të rrija vetëm, hapa derën e një klasë, nuk kishte njeri, mbylla derën e, po rrija i mërzitur, sigurisht unë e dija se çfarë më priste, një njeri që bënte apel dy herë në ditë, nuk mund të kishte iluzione për vazhdim studimesh, por çuditërisht njeriu shpreson, shpresa vdes e fundit thonë. Dy shkumësa qëndronin mbi tavolinë e, mora njërin e qëllova dërrasën e zezë, dera u hap dhe profesori: “E, çfarë bën Mirakaj? Pse gjuan me shkumës”?!
“Më fal profesor, se është hera e fundit që unë prek shkumës…”- mbylli derën e u largua, ndeja dhe pak e, u drejtova për në shtëpi në Savër. Qëndrova disa ditë pushim dhe fillova të bëj analizat për punë, mbasi i mbarova shkova e u regjistrova në një brigadë pune. Mbaj mend se më rekomanduan shokët, ata që kishin filluar punë para meje se, nëse të thonë: “Cilën brigadë do… thuaj në të tretën, ajo brigadë ka brigadier një burrë të mirë shumë, është njeri i ndershëm, komunist nga Skrapari, quhet Qani Ganiu”.
Gjatë periudhës 25 vjeçare në bujqësi, dy brigadierë mbaj mend që ishin njerëzorë e, shumë të sjellshëm me punëtorët, Qani Ganiu e, Petref Kurtin, dy njerëz të ndershëm, ata që i kanë njohë besoj se janë dakord me mendimin tim. Një ditë përpara se të filloja punën, u mora me pregatitjen e veglave, lopatën, shatin, këto ishin kryesoret për ne punëtorët. Koha kur unë fillova punë për të parën herë, ka qenë vjeshtë, në këtë periudhë më tepër punëtorët përqendroheshin në pastrim kanalesh. Të nesërmen, mbasi bëra apelin e policisë, u nisa për në punë. Brigadieri më tha: “Simon, më vjen keq që për ditën e parë të punës, do të them të shkosh në pastrim kanali, nuk ka punë tjetër”.
“Ku është ky kanal”, – e pyeta? “Është afër, në të dalë të sektorit anës rrugës”. Nuk i kisha mbushur të njëzetat e, duhej përballur me një punë kaq të rëndë. Shkova në shtëpi, hëngra bukë, mora lopatën e një bidon me ujë, vura kapelen e kashtës në kokë, që ma kishte bërë motra, e u nisa. Rruga ishte gjithë lëvizje, shikoje burra që nxitonin për në punë, të gjithë me kapelet e kashtës në kokë e, lopatat në krahë, gratë vendosnin mbi kapelet e kashtës, një napë të bardhë, për t’u mbrojtur nga dielli. U afrova kanalit, ai ishte i thellë tre metra, e i gjerë nja katër metra, baza poshtë ishte një metër edhe me ujë, punëtorët ishin rreshtuar njëri mbas tjetrit të zhveshur, në brekë e kanatjerë, ishte vapë.
Ula lopatën e bidonin e ujit të cilin e mbulova me bar që mos të ngrohej shpejt, zbrita poshtë, isha me çizme, gati sa nuk më hyri uji, kanali kishte dhe shushujza, çfarë tmerri thashë…! Nuk na u ndanë shushujzat. Seit Poda, që kisha afër, më tha: “Bëj prita, kullo ujin, pastaj fillo pastrimin e kanalit”. Ashtu bëra dy prita në një largësi tre metra, njëra nga tjetra dhe fillova me lopatë të kulloj ujin, më mori kohë shumë, nuk kisha eksperiencë. Seiti nuk kishte kohë me humbë, se duhej bërë norma, e shikoja, mezi i dallohej fytyra nga balta që i binte kur mbushte lopatën, për ta hedhur sipër mbi bankinën e kanalit! “Kush e di si do bëhem unë” – thashë me vete.
Mbas pak fillova pastrimin, ishte shumë e vështirë, lopata mbushej, merrja ta hidhja në bankinë, ishte e pa mundur, nuk shqitej, e lopata më merrte krahun me vete. Desha ta le fare, por më vinte turp. Dola lart e piva pak ujë e, u futa përsëri në kanal, shikoja që të gjithë pastronin lopatën me krusë, pastaj e lagnin, që mos të ngjitej balta, unë nuk kisha krusë, mungesë eksperience, gjeta një copë teneqe e, fillova të pastroj lopatën e të heq baltën, që ishte ngjitë si mastiç e, fillova të lag lopatën me ujë.
“Merre nga pak, – më tha Seiti: – mos e mbush shumë lopatën, se nuk e hedh dot se është larg”! – e djersët i shkonin çurg.
“Faleminderit i them”… – fillova të ndjek këshillën e, të mbushja pak lopatën e, rrija me krusë në dorë, fytyra dhe trupi më ishin rënduar nga stërpikat e baltës. Po të më shihte njeri, nuk do më kishte njohur, ashtu ishin bërë të gjithë. Si i pa eksperiencë, unë isha bërë më shumë pis, se balta më kishte hyrë në buzë. Gjatë punës ndjeva një pickim, kur ngrejë këmbën më ishte ngjitur një shushunjë, bëra gabim që i kisha hequr çizmet, se më pengonin në lëvizje. Një shok që kisha afër, më pa që po bërtisja, ngaqë më ishte ngjitur shushuja e më tha:
“Prit se kam një sapun”! – doli nga kanali shkoi të çanta mori një sapun e, vuri të koka e shushunjës dhe e shkëputi nga këmba, gjaku filloi të rridhte, e fshiva me kanatjerë, dola nga kanali e nuk u futa më atë ditë. Me ujin që më kishte mbetur, lava fytyrën që pothuajse ishte mbuluar nga stërpikat e baltës, lava dhe këmbët, mora lopatën e bidonin, e u nisa për shtëpi. “Ika! – i thashë Seitit, – nuk po vazhdoj më u lodha, të lutem po erdhi brigadieri, thuaj arsyen e largimit”, – ai ma bëri me dorë e, vazhdoi punën.
Puna më eci disi, bëra nja 7 metra, por normën nuk e bëra dot, duhej të bëje 10 metra. Nuk zgjati shumë mos bërja e normës, se unë u bëra nga punëtorët më të rregullt e, më të fortë. Por dita e parë, më ka mbetur në kujtesë, kur lopata më merrte me vete. Punova plot 25 vjet në bujqësi, punë të ndryshme. Periudhën më të gjatë të punës në Savër,e bëra me Llambi Kokalin, kunatin e motrës, i cili nuk jeton, por në kujtesën time ka mbet i gjallë njeri model.
Kam punuar edhe me Thanas Kuqeshin e Kosta Guvelin, Vasil Llajon, etj. Ndërsa në Gjazë, treshja ishte; Simoni, Gjon Markagjoni e Xhevit Matjani, që të dy nuk jetojnë, u ndanë nga kjo botë para kohe, në kujtesën time e të atyre që i kanë njohtë, nuk do vdesin kurrë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016