Nga Blendi Fevziu
Pjesa e parë
Memorie.al / Piktori, publicisti, studiuesi dhe arkitekti i mirënjohur Maks Velo, në një intervistë për Blendi Fevziun në emisionin e tij të përjavshëm të Tv Klan, “Opinion”, rrëfen gjithçka për jetën e tij. Arkitekt, piktor, shkrimtar, studiues, Velo ndalet që nga ardhja në jetë në Paris, vala e përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit dhe arrestimit e, deri në koleksionin e mrekullueshëm, prej një mijë veprash që disponon.
Arkitekt, piktor, shkrimtar? Cili do të ishte përcaktimi më i mirë, që unë mund të përdor për ju?
Unë nuk i kam bërë këto gjëra, në kuptimin, as për falsitet, as për pasuri. Nuk mund t’i ndaj. Unë kam kaluar një aktivitet si studiues, kam shumë botime, kam shumë artikuj, rreth 20 artikuj i kam vetëm për artin popullor.
Zoti Velo, jeni i lindur në Paris, me mama me nënshtetësi amerikane, por dardhar në thelb. Një miksim shumë i çuditshëm…?
Në Dardhë kanë qenë 22 piktorë ikonografë dhe kishin një atelie në malin Athos në Greqi. Një nga ata paraardhësit e mi, ka qenë një nga këta priftërinjtë ikonografë. Gjyshi, nga ana e babait, kishte një sharrë në Janinë, prisnin trupa dhe i shisnin në qytet. Babai studioi në “Zosimea” dhe pastaj në Athinë, mbaroi universitetin për Mjekësi dhe u kthye.
Tani të marrim gjyshin e mamasë. Në vitin 1900, ikën mërgimtarët e parë nga Korça, në Amerikë. Ishte Koli Kristofori, që është dhe shqiptari i parë që ka prekur tokën amerikane, bashkë me 17 të tjerë dhe mbas tyre, shkuan dhe nga fshatrat, e nga të parët ka qenë gjyshi nga ana e mamasë. Mamaja lindi në Boston dhe erdhi vajzë në Dardhë, për të kaluar dhe disa kohë.
Dardharë që niseshin drejt Amerikës, pa pasur një informacion për të, besoj…?
Po, sigurisht, përderisa ishte grupi i parë. Babai punonte mjek në Korçë dhe në kohën e Zogut, drejtoria e Shëndetësisë, nuk kishte asnjë okulist në Shqipëri. Ndaj dhe e çuan në Paris, për specializim. Në këtë kohë vjen Dr. Kristidhi nga Manastiri. Sidoqoftë, babai bëri specializimin në Paris dhe unë linda gjatë kohës që ai bëri specializim, pra ishte dhe vëllai tjetër.
Po më pas, babai yt, ka banuar në Tiranë, apo në Dardhë?
Jo. Kur u kthyem nga Franca, u kthyem në Korçë, prapë, dhe ishte mjek në spitalin e Korçës. Gjithë ato vite i kaluam në Korçë, pushtimin italian, luftën.
Mbani mend diçka nga ajo kohë?
Po, sigurisht. Madje kisha fotografi, që m’i nxorën dhe në gjyq, isha i vogël, me italianët.
Dhe përse vlente kjo fotografi në gjyq?
Për të më thënë, që isha fashist…!
Në ç’moshë ishe në atë kohë?
Atëhere isha 4 vjeç.
Si ishte Korça, që ju mbani mend në rininë tuaj të hershme?
Në fakt, Korça ishte një qytet me disa vlera të rëndësishme, të trashëguara. Domethënë, atje kishin shumë rëndësi të gjitha festat fetare.
Kishte mëri midis myslimanëve dhe ortodoksëve?
Që të jem i saktë, nuk ishte problemi nëse kishte mëri, por që kishte një disnivel të theksuar. Nga lumi dhe nga ana tjetër, shihej disniveli i ndryshimit, të mënyrës së jetesës. Pastaj ishte një pazar shumë i mirë, shumë i bukur, shumë i gjallë, me gjithë zejet, ishin hanet, ishin gjashtë hane.
Si ishte Korça e atyre viteve?
Korça e atyre viteve, ishin qytet me një jetë shumë borgjeze, me Birra “Korçën”, me Kafene “Kursalin”, me koncertet që jepeshin.
Kishte “Kursal” dhe në Korçë?
Po kishte.
A ka ndonjë domethënie fjala “Kursal”?
Duhet të jetë ndonjë emër kafeje, ku shkonin këta jashtë në Athinë ose në Romë dhe e sillnin. Pastaj, me rëndësi ishin dy kinema, “Maxhestiku” dhe “Lluksi”. “Lluksi” u dogj dhe ngeli “Maxhestik”, që më vjen keq që u transformua si sauna. Aty shihnim filmat.
Cila ishte shtysa që ju çoi drejt studimeve për arkitekturë?
E para, që këtu sa u çelën institutet. Ishin çelur Pedagogjikët në 1947-‘48 dhe atëhere filluan u çelën me ndihmat e ruseve: Bujqësori, Mjekësori dhe Inxhinieria, këto të treja. Meqenëse unë jashtë, nuk mund të shkoja dot.
Pse nuk mund të shkoje jashtë?
Nuk mund të shkoja dot, se ishte puna e biografisë.
Cili ishte problemi juaj me biografinë, babi juaj kishte qenë mjek?
Po, por ishte një mjek, të cilin e kishin dënuar dy herë. Një herë Petrit Dumja, me çetat e Kolonjës dhe një herë se kishte marrë ilaçet, që kishte blerë dhe i vendosi në qilar. Nuk i dorëzoi e ia konfiskuan, edhe e dënuan. Domethënë, ishte një njeri jo i Partisë, ishte i tërhequr, e çuan në Maliq, në Këlcyrë, në Burrel, mezi e kthyen, pra nuk ishte i parë me sy të mirë.
Përse zgjodhët arkitekturën?
E para, nuk ishte arkitekturë, por ishte Instituti Politeknik, ishte Inxhinieri Ndërtimi dhe ne, disa, që ishim më të mirë, unë dhe Petraq Kolevica, te kursi ynë dhe të tjerë, na specializuan për arkitekturë.
Kishit ndonjë pasion ju, personalisht, për të?
Sigurisht që kisha, sepse unë vizatoja, vizatoja që i vogël. Madje, isha akoma student, kur kam bërë ekspozitën e parë në korridoret e gjimnazit “Qemal Stafa”, që është tani. Aty tek korridoret kam bërë punët, që i ekspozova në Berat, Gjirokastër, Sarandë, duke shkuar atje. Kështu që, ishte hera e parë, që një student, ekspozonte diçka dhe pastaj ekspozitën tjetër, e bëra tek Tora e Durrësit, se më çuan në Durrës dhe aty e restaurova Torën. Pastaj bëra në Tiranë.
Ju thatë se e kishit shumë të vështirë të shkonit me shkollë jashtë, për arsye të biografisë. A menduat që duke u marrë me art, me biografinë që kishit ju, mund të kishit më shumë probleme?
Ti mua më njeh mirë dhe unë jam një njeri i pasionit. Unë nuk kam shumë logjikë, në kuptimin e zgjedhjes së këtyre gjërave. Çdo gjë e kam bërë me pasion, as nuk e kam bërë për fitim, për poste, për grade, etj. Pra, mua më çonte pasioni drejt çdo gjëje dhe u dogja nga pasioni.
Si u dogje nga pasioni?
U dogja, sepse shkova në Spaç, është gati si ai ferri i kuçedrës.
A e keni mësuar ndonjëherë, përse shkuat në Spaç, ka shumë njerëz që shprehën sot, se nuk e dinë shkakun real, pse janë burgosur…?!
Siç të thashë, unë gjithmonë kam vepruar me instinkt dhe që nga viti ’64, kam vizatimet e para abstrakte, që i kam, se shpëtuan, disa se i kisha në Francë, e i mora në vitin ‘92.
Si i niset në Francë?
I nisa me një profesor francez, që jepte shkollë tek Gjuhët e Huaja.
Ishte e mundur kjo në atë kohë?
Tani, unë shkova atje dhe e takova në oborr. Kaq ishte e mundur dhe i nisa e, i mora në vitin ‘92.
Ju pritet afro 20 vjet…?!
Po. Pra, unë u mora me art abstrakt dhe u mora me analizën e artit primitiv shqiptar, sepse ajo m’u duk gjëja, ku unë mund të merrja diçka. Domethënë, etnografia, gurët e punuar, furrat, druvarët, këngët, etj.
Ju keni pasur edhe një koleksion, nuk e di nëse e keni ende?
Kam pak, kam disa gjëra dhe iu dhashë koleksionit të grumbullimit të skulpturës popullore. Pra, çdo gjë që ishte primitive në Shqipëri, mua më tërhiqte dhe nga kjo nxirrja, dhe këto, po t’i shohësh tani, nuk janë vetëm figura primitivë, që vijnë nga një burim i largët. Kjo më bëri që të mpiksem dhe të konsolidohem që në ‘64-ën. Unë bija gjithmonë në sy dhe një pjesë e këtyre artistëve, me detyra të posaçme, i dinin të gjitha me saktësi se çfarë kisha unë në sirtar. Në fakt, kur më arrestuan…!
Ata dinin me saktësi dhe çfarë kishit ju në shtëpinë tuaj?
Po, të gjitha gjërat.
Sigurimi?
Po.
Pra ju keni qenë në ndjekje të vazhdueshme, deri nga njerëz të afërm?
Vazhdimisht, sepse ishin të gjitha bisedat, të gjitha gjërat, ishin 10 vjet, 15 vjet. Që nga ’60-ta.
Dhe ku u arrestuat?
Në 1978, më 14 tetor.
Pra, për 18 vjet, afërsisht, ju keni qenë në ndjekje. A e ndjenit ju këtë ndjekje, këtë kërcënim?
Unë ndjekjen e ndieja, por gjithmonë njeriu ka një shpresë, që kjo është kot, që ata do të kuptojnë, se unë nuk kam asnjë gjë të keqe, se realisht nuk kisha asnjë gjë të keqe. Punoja shumë dhe është një pjesë e punës dhe nuk ka se si, e para. E dyta, që unë këto gjëra, nuk i bëja me imponim, nuk i varja mureve, i kisha në shtëpi, nuk kishte asnjë gjë.
Por, pastaj precipitoi…! Po të shohësh materialet e fundit të mbledhjeve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë të tmerrshme, janë njerëz përbindësha dhe t’i shohësh me radhë, se si ato akuzojnë dhe pastaj kapën ata që akuzohen.
Cili ishte kërcënimi, që ju i sillnit shoqërisë shqiptare?
Kërcënimi ishte ky: Shoqëria jonë ka pasur një dozë ligësie dhe e ka, në një masë shumë të madhe.
Edhe e ka ende?
E ka akoma. Në një mase shumë të madhe, një bërthame ligësie.
Në atë kohë e ka pasur më shumë?
E ka pasur më shumë!
Ku shfaqet?
Sepse atëhere mund të realizoje këtë gjë, tani nuk e realizon dot aq shumë.
Ku shfaqet kjo ligësi?
Unë këtë e kam përballur tek kolegët. Unë kam disa vizatime të ’64-ës, që janë me rëndësi, jo vetëm për mua, por për historinë e pikturës sonë dhe asnjë nuk vjen ta blejë në galeri. Asgjëkund nuk blen dot nga ato dhe ata e dinë këtë, ja ligësia. Përveç spiunimit që më bënë, dolën 13 artistë atje, që më akuzonin me sallën plot. Gjyqi im ishte i vetmi gjyq me artistë, që u bë me publik. As Mihallaq Luarasi, as Edison Gjergo, të gjithë, askujt nuk i është bërë gjyqi në publik. Gjyqet bëheshin në një dhomë. Kurse gjyqi im në Tiranë, u bë në publik me ftesa.
Ju u arrestuat në 14 nëntor 1978. Ku ishit momentin e arrestimit?
Dola nga shtëpia, po shkoja në trotuar, te trotuari i Demnerit, atje ku është tani bixhozi, aty më ka thirrur nga mbrapa hetuesi, Dhimitër Shkodrani dhe më morën.
E mendove, që në momentin e parë, që po të arrestonin?
Po, po, e dija.
Dhe ku iu çuan?
Direkt në qeli.
Sa kohë qëndruat në qeli?
Gjashtë muaj. Deri në prill të 1979, kur u bë gjyqi.
Këto gjashtë muaj në qeli, ishit vetëm, apo me njerëz të tjerë?
Isha vetëm pesë muaj, kur u mbyll dosja, pastaj më futën dy veta. Një pilot, të cilit i kishte ngjarë një aksident me avion dhe Gjergj Peçin.
Cila ishte akuza?
Akuzat, ato i formulonin në një mënyrë që të goditeshe, që po të kishe ndonjë gjë atje, ta varje veten në moment. Ishte shumë e rëndë.
Cila ishte akuza konkrete, që ju bënë?
Konkrete ishte; “kundër vijës së Partisë, kundër artit të realizmit socialist, i degjeneruar, shoqërisht i dëmshëm”.
I pranuat këto akuza?
Nuk i pranova në asnjë gjyq. Domethënë, ajo salla ka qenë plot.
Në ç’datë ju nxorën në gjyq?
Në 16 prill 1979, gjashtë muaj pas arrestimit.
Mund të ma tregoni, se si nisi?
Gjyqi u bë në gjykatën te “Rruga e Durrësit”, në katin e sipërm dhe ishte me ftesa. Erdhi mamaja, por nuk e lejuan te futet. E lejuan vetëm kur u dha vendimi. Gjatë të gjithë seancës, nuk e lejuan. Ishin 13 dëshmitarë.
Cilët ishin këta?
Shumica ishin artistë.
Miqtë të tu, apo jo?
Gjithë miqtë e mi. Madje dy i kisha pasur studentë, u kisha dhënë mësim. Madje, i kundërshtova sa munda. Skena kishte nga më absurdet. Prokurori thoshte – “Vang Gongu”, edhe unë i thosha: “Zoti prokuror, nuk thuhet ashtu, por Van Gogu”. Më thoshte mua, duke vënë në tavolinë një kokë të Xhelardos, në dru: “Ja çfarë ka bërë i akuzuari”.
I thosha unë: “Kjo nuk është puna ime, por e mjeshtrit popullor”. – “Ti ia ke mësuar ta bëjë kështu”?! vazhdonte ai. – “S’ka se si t’ia mësoj unë atij, se nuk dëgjon ai, edhe sikur t’ia mësoj”. Me një fjalë skena qesharake, absurde. Ngrinin vizatimet e mia, që ishin nja 100 punë, që ua tregonin sallës dhe ajo që nuk e harroj kurrë, që u dha vendimi dhe tërë salla duartrokiti me ovacion.
Kjo ishte një gjë e zakonshme në atë kohë…?
Gjë e zakonshme, po, por një gjë shumë e poshtër.
E kujtoni ende këtë duartrokitje?
Gjithmonë, sa herë më dalin përpara të gjithë artistët, janë fals të gjithë.
Si janë fals të gjithë?
Janë fals, janë njerëz pa vlerë.
A ju ka qëlluar, që kur keni dalë nga burgu të përballeni me ndonjë prej atyre njerëzve, që ju kanë akuzuar?
Po, jam përballur. Për shembull, me një dëshmitar që ka qenë Dhimitër Trebicka, ish-drejtori i Galerisë Arteve, dhe më tha; “Maksi, unë, tha, nuk isha mirë nga mëndtë e kokës”. I thashë, po të ishe drejtor, ishe mirë, po mos ishe mirë nga mëndtë e kokës, nuk do të ishe drejtor i Galerisë. Po ti për drejtor ishe ne rregull dhe për të lëshuar dëshmi kundër meje, nuk ishe në rregull?!
A ke ndjerë ndonjëherë dëshirën për t’u hakmarrë, në një mënyrë apo në një tjetër, ndaj tyre?
E kam këtë dëshirë, që të gjithë të dinë se kush janë ata, se çfarë kanë thënë ata.
Cilat ishin akuzat e tyre, pak a shumë?
Akuzat këto ishin…: “Maksi na ka folur në mësim për artin modern. Ky njeri është i degjeneruar, ky mbron Perëndimin, shikojini punët. Ky gratë shqiptare i bën nudo”.
I bënit me të vërtetë nudo?
Po kisha bërë atje në Institut, tek Akademia. Ishte modelja që pozonte dhe kur kishte pozuar për studentet, kisha bërë edhe unë, nuk kisha bërë gjëra të tjera, përveç asaj. Po ishte problemi, se ata thoshin për mua; “Ky ishte kundër gruas shqiptare, kundër emancipimit. Është me Kinën, me Bashkimin Sovjetik, me Amerikën”.
Të lexosh marrëzitë e ekspertizës, së bërë nga Kujtim Buza, Foto Stamo e, Skënder Milori, janë… sa që njëherë në Mineapolis në Minesota, ia dhashë kryetarit të Bashkimit të Gazetarëve të Minieapolis. Ishim në një barbeky dhe ia dhashë të lexonte vendimin e gjyqit dhe më tha, se kjo nuk është e mundur, ti e ke bërë vetë këtë. Nuk arrinte ta besonte…!
Sa vjet u dënuat me këto?
Maksimumi me këtë nen, merrje 10 vjet burg dhe dua t’ju them, që në Bullgari, në këtë kohë, neni i agjitacion-propagandës, ishte 2-3 vjet. Te ne, ishte 3 deri në 10 dhe atje ishin 30 të dënuar. Këtë të fundit, e kam lexuar tek “Ylli i Dritës”, një studim i një akademiku bullgar.
Sa vjet ndenjët në burg?
Bëra 8 vjet burg në Spaç.
Në momentin e arrestimit, u dëmtua koleksioni që ju kishit?
Po, po, sigurisht. Ata vajtën në mënyrë barbare. Ishte Kujtim Buza, ai që bëri seleksionimin, si me thënë. Domethënë, që nuk i morën të gjitha, u morën ato që ishin armiqësore. Një kamion të tërë morën, një kamion “Zis”, që e kisha përpara në hetuesi, e sa herë shkoja atje, i shihja ato punët e mia të hedhura. Tërë jeta ime e hedhur dhe pastaj me vendim gjyqi, u dogjën.
Ju vinte keq kur i shihnit, megjithëse në ato kushte, kur iu kërcënohej jeta, kjo ishte një dhimbje më e vogël?
Megjithatë, të vjen keq, sepse zvogëlohet ajo që ti ke dashur dhe që ke punuar duke e parë të përbaltur. I dogjën të gjitha këto punë.
Pra nga koleksioni juaj, i atyre punëve moderne të asaj kohe, nuk ka mbetur më asgjë?
Jo, ato i dogjën. Shpëtuan disa. Ishte një përballë zyrës së ruajtjes të këtyre të konfiskuarave: ishte zyra e Përmbarimit dhe një përmbarues, e njihte atë zonjën që punonte atje, Rupo Sako, dhe, siç më tha vetë, mbas punës, kur mbaronte, një nga ato, e fuste në çantë.
Dhe t’i ktheu më pas?
Më ktheu gjysmat.
Cila ka qenë jeta në burgjet shqiptare të asaj kohe? Ju keni qenë në burg nga viti 1978, deri në 1986?
Gjithmonë ka një raport ndërmjet jetës normale, jashtë, dhe burgut. Ky raport shfaqet në të gjitha format, me godinën, me rregullat, me ushqimin, me jetesën, me revista.
Kam lexuar ne një nga librat tuaj, mbas viteve ’90-të, ku thoshit, se; momenti me i lumtur, ishte apeli i mëngjesit. Si mund të ketë njeriu kënaqësi, nga apeli i mëngjesit?
Tani duhet ta përcaktoj, qe aty bëheshin dy apele gjate ditës, sepse ishte një tarrace e madhe, që e kishte bërë Shkëlqim Bumçi këtë dhe në të cilën nuk lejoheshim të hipnim gjate ditës, vetëm gjatë kohës së apelit. Por apeli zgjaste derisa mblidheshin njerëzit, kërkoheshin.
Sa veta ishin ne Spaç gjate asaj kohe?
Kur vajta unë, ishin 800, kur ika nga aty, ishin gati 1300. Maksimumi Spaçi ka arritur në 1380 vetë.
1400 veta dhe sa metra katrorë?
Ishin vetëm dy pallate dhe arritëm në një dhomë 52 veta.
Në ç’përmasa dhoma?
Në 3 kate dhoma ishte 10 metra, me 4 dhe na u zvogëlua, deri në 80 centimetra gjerësia e, deri në 60 centimetra, që arriti në fund.
Çfarë ishin njerëzit e tjerë, që ishin në një dhomë me ju?
Tani nuk është mirë të m’i bësh këto pyetje, sepse unë i kam thënë dhe kam krijuar një farë reaksioni. Domethënë, është problemi që, këtë shtesën që bënë ata, e bënë në një mënyrë shumë të justifikuar dhe që jep rezultate deri më sot. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm