Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE
(Persona publikë, viktima të diktaturës, ngjarje të tjera)
Memorie.al / Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
Argumentet shkencore për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri, që duhet të transferohen në Greqi (Analizë antropologjike mjekoligjore dhe sipas legjislacionit ndërkombëtar)
Në ekzaminimet e eshtrave njerëzore për qëllime të ndryshme: mjeko-ligjore, historike, antropologjike, arkeologjike, etj., një rol me rëndësi ka respektimi i një sërë rregullash dhe parimesh etike.
Ato përshkruhen me hollësi në literaturën mjeko-ligjore dhe të osteologjisë forensike bashkëkohore dhe janë zbatuar nga ana jonë në të gjitha ekzaminimet identifikuese të mbetjeve humane në vendin tonë, të rasteve kriminale dhe zbulimit të viktimave të regjimit komunist, apo të ndonjë rasti të veçantë të mbetjeve të ndonjë ushtaraku italian të vrarë në luftën Italo – Greke 1940-1941.
Kohët e fundit në Shqipëri janë kryer zhvarrimet e kufomave të pazbuluara deri tani të ushtarëve grekë, të vrarë në luftën Italo-Greke të viteve 1940 – 1941. Kryerja e këtyre veprimeve, është mbështetur në një marrëveshje midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë, e shoqëruar me krijimin e një komisioni të përbashkët, të pasuar me këqyrjet identifikuese nga disa mjekë specialistë grekë, si dhe mjekë ligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Etika e osteologjisë antropologjike mjekoligjore në ekzaminimet e mbetjeve të ushtarëve grekë të luftës Italo-Greke 1940-1941
Zbulimi i varreve të panjohura dhe identifikimi i mbetjeve të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri, në luftën Italo-Greke të viteve 1940-1941, përbën pa dyshim një çështje që i takon shkencës së osteologjisë antropologjike mjekoligjore, ku duhen respektuar gjithashtu një sërë parimesh etike që jepen me hollësi në literaturën bashkëkohore përkatëse. Këto rregulla etike, ne i kemi pasur parasysh gjatë ushtrimit nga ana jonë, për një kohë shumë të gjatë të këtyre lloje ekzaminimesh.
Cilat janë këto aspekte etike dhe a janë marrë ato në konsideratë në këto identifikime mbetjesh kockore që drejtohen nga ana e mjekëve ligjorë Grekë, apo të specialistëve të tjerë të huaj të caktuar prej tyre?
Siç dihet, etika në përgjithësi shqyrton rregullat e sjelljes, që në rastin e osteologjisë antropologjike mjeko-ligjore, duhen respektuar në këto ekzaminime kockore.
Por nuk duhet harruar fakti, se ekspertët e osteologjisë humane forensike gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre gjenden zakonisht nën presionin e rreptë të mediave, brenda një kuadri të caktuar ligjor, politik, social dhe ekonomik, ku të dhënat e këqyrjeve të tyre mund të keqinterpretohen, apo shtrembërohen.
Prandaj, ata në punën e tyre duhet të udhëhiqen më shumë në të dhënat shkencore, duke shmangur spekulimet, supersticionet, interesat politike apo ekonomike.
Nga ana tjetër, doktori osteolog mjeko-ligjor, duhet t’i shmanget kapërcimit të njohurive të tija, të pasuara me dhënien e rezultateve të gabuara. Pra, ai, këto vlerësime në lidhje me përcaktimin e origjinës humane të eshtrave, moshës, seksit, shtatit, racës, identifikimit individual, duhet t’i kryejë brenda kufijve të këtyre njohurive në mbështetje të disiplinës që përfaqëson.
Gjithashtu, ai duhet të vërë në dukje kufizimet dhe pasaktësitë e metodave që ka përdorur. Në të kundërtën, ai mund të arrijë në konkluzione të pasakta.
Në literaturë përmendet konflikti në Azinë Juglindore, i shoqëruar me vdekjen e qindra-mijërave njerëzve, midis të cilëve bënin pjesë edhe shumë ushtarakë Amerikanë. Nga këta, viktimat që nuk u kthyen ose nuk u arritën të gjenden, u konsideruan si persona të humbur në veprime ushtarake, ose “missing in action” (MIA).
Në vitin 1972, një helikopter Amerikan ‘AC-130’ u rrëzua në Laos dhe 13 ushtarakët amerikanë që udhëtonin me të, u shpallën si persona të humbur në veprime ushtarake. Dhjetë vite më vonë, nga gërmimi i vendit ku kishte ndodhur përplasja e helikopterit pas rrëzimit, u zbuluan 50.000 copa kockash, ku më e madhja prej tyre ishte 13 cm. e gjatë dhe shumica ishte me madhësi rreth 1 cm.
Pas ekzaminimit osteologjik mjeko-ligjor, i mbështetur vetëm në përshkrimin anatomik të eshtrave, u shpall identifikimi pozitiv i mbetjeve skeletike të 13 viktimave, të cilat ju dërguan familjeve për varrimin e tyre.
Por të afërmit e viktimave i kundërshtuan rezultatet e këtij identifikimi. Për këtë arsye, u krye një ekzaminim i ri nga një ekip tjetër specialistësh, i cili vërtetoi se konkluzionet e ekspertimit të parë, në lidhje me moshën, seksin dhe racën e viktimave, kishin qenë të gabuara, sepse ishin kryer duke kapërcyer kufijtë e kompetencave të tyre.
Pra, mungesa e njohurive, pasaktësia e metodave të përdorura, mund të shpjerë në shkelje të parimit të paanshmërisë, i cili duhet ta karakterizojë specialistin osteolog mjekoligjor.
Përveç kësaj, këta specialistë duhet të jenë të pavarur në punën e tyre, d.m.th., nuk duhet t’u përkasin palëve të çështjeve që mund të jenë në konflikt midis tyre.
Në ekzaminimet e fundit për identifikimin e mbetjeve të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke të viteve 1940-1941, ka mjaft dyshime që këto parime etike të mos jenë respektuar siç duhet.
Kështu, kryerja e tyre nën drejtimin e specialistëve Grekë, që kanë interes që të identifikojnë sa më shpejt dhe sa më shumë bashkëkombas të tyre të vrarë në këtë luftë, mund të ketë ndikuar që të mos jetë zbatuar parimi i paanshmërisë.
Ky dyshim shtohet edhe më shumë nga fakti që në këto këqyrje u përfshin në fillim edhe eshtrat e fshatit Kosinë të rrethit të Përmetit.
Këto eshtra të ekzaminuara shumë vite më parë, nga dy prej ekspertëve mjeko-ligjorë më me përvojë të vendit tonë, për të cilat pretendohej se ishin të ushtarëve grekë, të vrarë në luftën italo-greke 1940 – 1941, ato rezultuan se i përkisnin kryesisht grave dhe fëmijëve shqiptarë. Pra, një skandal i vërtetë.
Specialistët grekë, tani ka shumë mundësi të jenë ndikuar më shumë sesa duhet nga interesat politike në lidhje me pretendimet greke ndaj vendit tonë, gjë që mund të ketë çuar në kapërcimin e kompetencave shkencore të tyre, mosrespektimit të parimit të paanshmërisë dhe për këto arsye nuk përjashtohet mundësia që këto të jenë shoqëruar me identifikime të gabuara të këtyre rasteve.
Për këtë dëshmoi në fillim edhe nxitimi i tyre në varrimin sa më të shpejtë të këtyre mbetjeve, në varrezat që janë ndërtuar tashmë në Shqipëri.
Edhe për analizën e ADN-së që është deklaruar se është përdorur nga pala Greke gjatë këtyre ekzaminimeve, shpesh jepen opinione nga disa prej specialistëve më të shquar të antropologjisë mjeko-ligjore, sipas të cilave jo rrallë, kjo metodë u jep familjarëve të viktimave shpresa të pabazuara, gjë që bën që të shmanget përdorimi i metodave të tjera shkencore të identifikimit.
Përveç kësaj, metoda e ADN-së mund të shoqërohet me gabime të shumta laboratorike nga kontaminimet e shumta eventuale, përdorimit të standardeve joadekuate, ngatërrimit të mostrave. Për këtë arsye në këto rrethana do të jetë e detyrueshme të përdoren edhe metodat tradicionale identifikuese.
Në praktikën tonë të gjatë shumëvjeçare të antropologjisë mjeko-ligjore, ne kemi këqyrur me dhjetëra raste të çështjeve kriminale, identifikime të viktimave të regjimit komunist, raste civile të transferimit të varrezave, përfshirë edhe raste të identifikimit të mbetjeve të dëshmorëve të Luftës Nacional çlirimtare, apo edhe të disa ushtarakëve italianë, të vrarë në luftën italo-greke 1940-1941.
Për secilin nga këto ekspertime të panumërta antropologjike mjekoligjore, ne kemi punuar një kohë shumë të gjatë me javë dhe me muaj, duke kryer këqyrje dhe matje antropologjike të panumërta për përcaktimet e shumta që bëhen në këto raste, duke përfshirë edhe dëmtimet e kockave për së gjalli ose, pas vdekjes, etj.
Ndërsa për veprimet që po kryhen tani për mbetjet e ushtarëve grekë të vrarë në luftën italo-greke të viteve 1940-1941, ne nuk kemi asnjë dijeni nëse janë kryer ose jo, këto ekzaminime të hollësishme antropologjike, dyshim ky që shtohet edhe nga nxitimi i palës greke, që u tregua në fillim, për një varrim sa më të shpejtë të këtyre mbetjeve në tokën shqiptare.
Pra vihet re një mungesë transparence nga ana e palës greke në veprimet e saj, gjë që ka penguar një peer review (vlerësim i punës nga një ose më shumë specialistë të tjerë me kompetenca të ngjashme me ato të atij që e ka kryer këtë punë), duke penguar kështu vendosjen e një standardi publik për këto ekzaminime.
Përveç kësaj, kjo marrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk është e rregullt, sepse këto zhvarrime që po kryhen i përkasin luftës Italo-Greke të viteve 1940-1941. Ushtarët Grekë janë vrarë në përleshje apo në beteja me ushtarët Italianë. Prandaj në këtë marrëveshje ka qenë e detyrueshme edhe përfshirja e palës Italiane.
Ne mendojmë se për këto raste, duhet të kryhet një ri ekzaminim i ri, nga specialistë të pavarur, të caktuar nga një organizëm ndërkombëtare që merret me këto probleme, siç ka vepruar p.sh., ICRC (International Committee of Red Cross), që u përfshi si ndërmjetës neutral midis palëve luftuese, në konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollah, në korrik 2008.
Vetëm kështu, duke u zbatuar me përpikëri parimet etike të Osteologjisë Antropologjike Mjeko-ligjore, kjo shkencë do të arrijë të përmbushë misionin e saj kryesor, për të cilin një studiues shprehet se: “eshtrat konsiderohen shpesh si dëshmitarët tonë të fundit dhe më të mirë, që nuk gënjejnë dhe nuk harrojnë kurrë (bones are often our last and best witnesses, they never lie, and they never forget).
Në këtë mënyrë do të bëhet një vlerësim human sa më i drejtë i mbetjeve të ushtarëve grekë të rënë në luftën e viteve 1940 – 1941, duke u respektuar njëkohësisht ndjenjat e të afërmve dhe popullit grek ndaj tyre.
Arsyet e moslejimit të varrimit të mbetjeve të ushtarëve Grekë në Shqipëri
Çështja e vend-varrimeve të mbetjeve të ushtarëve të vrarë në luftërat e ndryshme, diskutohet gjerësisht në kohën e sotme, sepse respektimi i personave të rënë në luftë i bën shumë të ndjeshëm njerëzit që i vizitojnë monumentet dhe varrezat përkujtimore ku prehen mbetjet e tyre.
Sot në të gjithë botën ka shumë memoriale dhe varreza të tilla, që i bëjnë të njohur të rënët në luftë. Nga ana tjetër, mosrespektimi i të vrarëve në beteja ushtarake krijon ndjenja dëshpërimi në popujt e vendeve të ndryshme.
Për këtë ekziston edhe një legjislacion i pasur ndërkombëtar, ku vendin kryesor e zënë konventat e Gjenevës (GC) dhe protokollet shtesë të tyre (Protocol additional to the Geneva Convention of 12 August 1949).
Sipas tyre, vendet në konflikt duhet të përpiqen të lehtësojnë kthimin e mbetjeve të të vrarëve me kërkesën e palës që i përket ose, të afërmve të viktimave.
Në fakt, gjatë përgatitjes së draftit të GC1 dhe GC2, u kërkua nga disa delegacione që, mundësia e transferimit të trupave në vendet e tyre, mos të përmendej, sepse ata donin që luftëtarët e tyre, të varroseshin në teatrin e luftës, ku ata kishin rënë.
Disa të tjerë kërkuan madje që të gjendej një shkak thelbësor që i vdekuri të varrosej në vendin ku ishte vrarë. Për të vendosur një balancë midis këtyre pikëpamjeve të kundërta, kjo çështje u la fakultative.
Por në GC III dhe GC IV përmendet vetëm varianti i kthimit të eshtrave në vendin e tyre. Kështu, p.sh. këto vitet e fundit, në SHBA-ës, po kthehen mbetjet e ushtarëve nga Korea e Veriut, të vrarë në luftën e Koresë, në vitin 1950, apo mbetjet e ushtarëve amerikanë të panjohur, të vrarë në Francë, në Luftën e Dytë Botërore.
Pra, tendenca e përgjithshme sot, në bazë të këtij legjislacioni është që këto mbetje mortore të transferohen në vendin e origjinës së tyre. Për këtë arsye, marrëveshja ndërshtetërore Shqipëri – Greqi, që i jep të drejtë shtetit grek të ndërtojë varreza kolektive në tokën Shqiptare, është shumë e padrejtë, në dëm të sovranitetit dhe dinjitetit të vendit tonë.
Siç u përmend më lart, gjatë përpilimit të konventës së Gjenevës, ndërtimi i varrezave të ushtarëve të një vendi tjetër, në vendin ku ishin vrarë, kërkohej të kishte një arsye thelbësore, që në rastin e ushtarëve grekë të luftës 1940-1941, për palën greke kjo arsye, do të ishte pikërisht ajo që këto varreza të shërbenin në të ardhmen, si pika mbështetjeje të pretendimeve greke ndaj pjesës jugore të Shqipërisë.
Kjo u vërtetua edhe nga ngjarja e varrezave greke në fshatin Bularat të Shqipërisë, para disa vitesh, ku ekstremistët grekë, arritën të kryejnë një mësymje të armatosur kundër policisë Shqiptare, duke pasur si pretekst “nderimet për ushtarët e rënë”.
Argumentet kryesisht historike që kundërshtojnë ndërtimin e këtyre varrezave kolektive greke në vendin tonë janë disa:
– Ushtria greke në tokën shqiptare në luftën italo-greke të viteve 1940-1941, u fut për ta pushtuar pjesën e jugut të vendit tonë, sepse Greqia gjithmonë më parë ka pasur si qëllim të aneksoj jugun e Shqipërisë, i ashtuquajtur “Vorio Epir”.
Prandaj këta ushtarë grekë të rënë në këtë luftë, nuk kanë asnjë të drejtë morale të prehen në tokën shqiptare. Në të kundërtën, varret e tyre në të ardhmen mund të kthehen në vende pelegrinazhi në Shqipëri, për përkrahësit grekë të “Vorio Epirit”.
– Nga ana tjetër, nuk dihet nëse këta ushtarë grekë të vrarë,e kanë shprehur dëshirën përpara vdekjes së tyre, për t’u prehur në Shqipëri, apo në mungesë, të saj, kjo dëshirë të jetë shprehur nga familjet e tyre.
– Përveç kësaj, në këtë marrëveshje ndërshtetërore, nuk është zbatuar një nga parimet kryesore të marrëdhënieve midis vendeve sovrane: reciprociteti, sipas të cilit në këtë rast, edhe në tokën greke, sidomos në pjesën veriore të saj, të hapen varreza të ushtarëve shqiptarë, të vrarë në po atë luftë, apo në mungesë të tyre, të popullsisë çame të masakruar dhe vrarë nga grekët, në atë periudhë kohore, gjatë spastrimit etnik nga trojet e tyre.
Prandaj, duhet që sa më shpejt marrëveshja midis shteteve tona për këto varreza të shfuqizohet nga ana e shtetit tonë, sikurse ndodhi në Estoni, ku në bazë të një vendimi qeveritar, u prishën varrezat e ushtarëve rusë të rënë atje, në luftë kundër Gjermanisë Naziste, sepse për popullin estonez, çlirimi i vendit të tyre prej fashizmit nga ushtarët sovjetikë, konsiderohej si fillim i një pushtimi të ri.
Vetëm në këtë mënyrë, do bëhet e mundur që mbetjet kockore të këtyre varrezave greke, pas një ekzaminimi të ri nga një ekip i paanshëm, të dërgohen për t’u varrosur me nderimet dhe respektin përkatës në vendin e tyre në Greqi, gjë që padyshim do të ndikonte pozitivisht edhe në marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016