Nga Ferdinand Dervishi
Vendimi i Byrosë Politike: “Çamët të dërgohen me forcë në Greqi, për të luftuar kundër Monarko-fashistëve”!
Memorie.al / Në vitin 1944, të mbërritur me mijëra në Shqipëri, çamët nuk do të gjenin një mikpritje, siç mund ta dëshironin mes vëllezërve të të njëjtit gjak. Shtetit komunist i Enver Hoxhës, rezulton dhe vërtetohet të mos e ketë kuptuar realitetin e ri të krijuar e, të mos e ketë marrë seriozisht domethënien e shpërnguljes nga Greqia të rreth 20-25 mijë njerëzve, në pikë të hallit. Sidomos në këndvështrimin politik, shpërngulja nuk është konceptuar, duke u trajtuar vetëm si një bezdi e madhe financiare, e strehimit dhe ushqimit.
Për pasojë mijërat e refugjatëve çamë, u sistemuan në disa kampe të ndërtuar me shpejtësi dhe në rastin më të mirë, futën kokat në çadra ushtarake të ndihmave amerikane dhe britanike, të cilët nisën të paguanin edhe për ushqimin e nevojat e tjera të tyre.
Sipas disa raporteve amerikane, në këtë kohë të hartuara nga kreu i misionit në Shqipëri, Jakobs, një pjesë e mirë e tyre flinin jashtë, ndërsa, një pjesë tjetër, në çadra.
Për të lehtësuar sadopak barrën e qeverisë shqiptare, por edhe për t’i bërë një parapritë një angazhimi eventual të Enver Hoxhës, për të përzënë minoritetin grek nga Shqipëria për baraspeshë, amerikanët u detyruan të sillnin ndihma, jashtë kuotës për Shqipërinë, në shumën rreth 1.5 milionë dollarë.
Një masë e kotë, pasi Enver Hoxha dëshmohet të jetë pajtuar shumë shpejt me faktin e kryer të masakrës dhe shpërnguljes së popullsisë çame, nga grekët. Më tej mosinteresimi, është edhe më tepër i dokumentuar. Udhëheqësi i komunistëve shqiptarë, vërtetohet të ketë ngritur zërin për shpërnguljen e çamëve, vetën në dy raste:
Në vitin 1945, kur thirri në një takim anëtarët e misioneve ushtarake të huaja, me qëllim për t’u kërkuar ndihma, dhe një vit më pas, më 1946-ën, këtë radhë në Konferencën e Paqes në Paris, ku e përdori çështjen politikisht.
Që Enver Hoxha nuk kishte asnjë koncept të qartë politik për çështjen, këtë e provon edhe tentativa për t’i përdorur refugjatët çamë si mish për top, në arealin e Luftës Civile të shpërthyer në Greqi.
Duke pasur informacion për shpartallimin e formacioneve të gueriljeve komuniste greke, përballë forcës së bashkuar të Qeverisë Greke, me britanikët e amerikanët, të cilët i ndihmonin me mjete të sofistikuara ushtarake, Enver Hoxha, për pak sa nuk nënshkruan një gafë të pafalshme.
Prova gjendet në proces-verbalin e një mbledhjeje të turpshme të Byrosë Politikë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, që daton më 25 mars 1949, ku vendoset që meshkujt çamë, që mund të mbanin armë, të merreshin me forcë dhe të dërgoheshin përtej kufirit, për të luftuar në krah të gueriljeve komuniste greke.
Në atë mbledhje, anëtarja e Byrosë, Liri Belishova, ankohet dhe deklaron se; vetëm 30 çamë kanë pranuar që të shkojnë në luftë dhe se anëtarët e Partisë Komuniste të Shqipërisë, e kanë marrë këtë çështje pa entuziazëm.
Ndërsa Mehmet Shehu, tenton t’i japë jetë një zgjidhjeje sipas stilit të tij. Ai propozon që çamët të merren forcërisht dhe të dërgohen në Greqi, për të luftuar në krah të gueriljeve komuniste.
Ja një pjesë nga fjala e tij: “Këtë duhet ta bëjmë pa e diktuar kush, brenda një nate, se ndryshe na ikin. Tani, të mos përdorim forcën me ta, se janë shtetas të huaj. Tani t’u themi komiteteve të Partisë se rretheve, ta lënë këtë çështje në heshtje dhe brenda një nate, t’i shpiem në kufi”.
Fatmirësisht historia nuk e ka dokumentuar realizimin e një krimi të tillë. Duket sovjetikët, të cilëve shqiptarët vendosën t’u kërkonin një konsulencë, nuk e kishin aprovuar.
Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të PPSH-së, 25 mars 1949
LIRI BELISHOVA: Në bazë të vendimit të Byrosë Politike, janë dërguar poshtë disa shokë çamë, për të rekrutuar elementë refugjatë çamë, për në Ushtrinë Demokratike Greke.
Në mbledhjen e Partisë, është thënë açik, kurse me të tjerët nuk është folur, por kanë dekonspiruar anëtarët e partisë dhe populli e ka marrë vesh, prandaj deri tani vetëm 30 veta kanë kërkuar që të shkojnë dhe anëtarët e partisë, e kanë marrë këtë çështje pa entuziazëm.
Anëtarët e Partisë, nuk e kanë pritur mirë dhe reaksioni ka punuar për vetën e tij, ai e ka përgatitur terrenin për vete. Janë marrë refugjatët grekë ne 2-3 raste dhe me forcë, për të shkuar atje.
Përgjithësisht çamët, nuk duan të venë në Greqi. Parulla është se s’kemi besim tek grekët, duam të rrimë në Shqipëri, ose na lini të shkojmë në Turqi, Çamërinë nuk e duam. Duhet të shohim se çfarë masash duhet të marrim. Këtu duhet të marrim dhe një vendim për anëtarët e partisë, që kanë shfaqur këto tendenca se është situata e vështirë.
Ka disa propozime nga shokët çamë, që të bëhet mobilizim i detyruar dhe të merren disa masa kundër elementëve reaksionarë. Thonë gjithashtu që të bëhet një mbledhje me anëtarët e partisë që janë çamë, ku të marrë pjesë dhe një i deleguar i Komitetit Central, por unë s’jam dakord, që të përzihet partia jonë me këtë punë.
BEDRI SPAHIU: Ne kemi punuar që ata të kenë të drejtën e mobilizimit për këtu, ata janë shtetas grekë. Në Greqi kanë nevojë për ushtarë, të qe e mundur të shkonin me agjitacion, do të ishte më mirë, po në këtë mënyrë çamët, nuk do të venë në Greqi. Edhe nga ana ndërkombëtare, nuk ka ndonjë gjë, veç të mos duket dora jonë, por të bëhet natën. Për këtë mund të pyesim sovjetikët.
MEHMET SHEHU: Petrit Shahini nga Elbasani thotë, se me rastin e mobilizimit çamëve, elementët reaksionarë kanë filluar të flasin keq për Partinë Komuniste Greke, etj. Po t’i lëmë kështu çamët, partia diskreditohet nga këta reaksionarë.
Ne me këtë rast zbulojmë, se masën çame nuk e kemi në kontroll. Të përdoren kështu, njerëz të dërguar tek ata nga partia jonë, është një shenjë proteste, kundra qeverisë sonë.
Këtu kuptohet se sa larg është partia jonë, nga këto masa. E rëndësishme është, të veprohet me këta armiq të reaksionit. (gjithë anëtarët e tjerë janë dakord për këtë propozim të shokut Mehmet), pastaj të shihet cilët janë ata elementë anëtarë partie, që i kanë trajtuar kështu të dërguarit tanë.
Këta të përjashtohen nga partia dhe të dërgohen në kamp. (shokët e tjerë janë dakord dhe më këtë propozim). Për elementët e tjerë, po të merren me forcë, punë e vështirë nga pikëpamja ndërkombëtare, ky është i vetmi rrezik, po, përndryshe, ne e bëjmë brenda një nate.
Këtë duhet ta bëjmë pa e diktuar kush brenda një nate, se ndryshe na ikin. Tani të mos përdorim forcën me ta, se janë shtetas të huaj. Tani t’iu themi komiteteve të partisë së rretheve, ta lënë këtë çështje në heshtje dhe brenda një nate, t’i shpihem në kufi.
TUK JAKOVA: Në këtë rast të shihen cilët janë njerëzit e poshtër. Këtyre, monarko-fashistët ju kanë bërë njëmijë poshtërsi dhe nuk duam të venë të luftojnë, për vendin e tyre.
MEHMET SHEHU: Ne t’ju themi, të mos i lënë në një repart.
TUK JAKOVA: Ata shokë nuk kemi si i dërgojmë, të kthehen dhe të merren masat që tha Mehmeti.
MEHMET SHEHU: T’jua shtrojmë dhe sovjetikëve nga pikëpamja ndërkombëtare. Për familjet e tyre, ju kemi dhënë toka dhe le t’i punojnë.
HYSNI KAPO: Këto veprime që tha Mehmeti, të bëhen.
BEQIR BALLUKU: Këta të arrestohen dhe të venë të punojnë në Lozhan, ku është vendi shumë i përshtatshëm. /Memorie.al
(AQSH, F. 14/AP, V.1949, D.16, fleta 14)