Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Konferencës së Partisë për Tiranën e cila u mbajt në Kinema “Punëtori” nga data 14 deri më 19 prill të vitit 1956, ku disa organizata partie si ajo e Kinostudios “Shqipëria e Re”, “Zëri i Popullit”, Radio-Tirana, etj., ngritën probleme të shumta lidhur me hendekun e madh që ishte krijuar në mes funksionarëve të lartë e udhëheqjes së PPSH-së, me popullin e thjeshtë, si dhe privilegjet e shumta që kishin anëtarët e Byrosë Politike dhe ministrat e qeverisë.
Kush ishin delegatët që lëshuan akuzat e para ndaj udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe ndryshimi i situatës që ishte krijuar pas ardhjes së Enver Hoxhës nga Vlora dhe hyrjes së tij në sallë, i cili u prit me duartrokitje dhe ovacione të gjata nga pjesa më e madhe e të pranishmëve. Cilat ishin akuzat që Enveri iu bëri disa delegatëve që i kishin dhënë tonin asaj konference dhe roli i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, që u vu në shërbim të Enverit…?!
Z. Budo, kush u etiketuan si krerët kryesorë të asaj konference?
Përveç Hulusi Spahiut, Pajo Islamajt e Peço Fidhit edhe ne 18 shokët që përmenda më lart që ishim delegatë në konferencë, u shpallëm armiq, tradhtarë dhe antiparti nga rezolucioni i Konferencës dhe ajo u bë edhe zyrtarisht nga një shkresë tepër sekrete ku shefi i sekretariatit të K.Q të PPSH-së Haxhi Kroi, i referohej Byrosë Politike sipas udhëzimit të Sekretarit të K.Q. dhe anëtarit të Byrosë Politike Rita Markos, i cili na stigmatizonte si të tillë. Desha të theksoj se Enver Hoxha, që me ardhjen e tij në sallën e Konferencës, e kuptoi se kritikat që ishin bërë aty, nuk ishin kritika të veçuara të këtij apo atij të pakënaquri apo karrieristi, por pakënaqësi dhe zemërim i akumuluar që përfshinte jo vetëm komunistët por dhe masat e gjëra të popullit. Në këtë kuadër dhe punimet e asaj konference ngjallën një interes të madh sepse opozita që bëhej ishte e një lloji të veçantë. Këtë e kuptoi Enver Hoxha, i cili u shqetësua si kurrë ndonjëherë dhe angazhoi aty, ministrin e Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiun që ndërhyri aty me metodat që dinte ai.
Cilat ishin ndërhyrjet e Kadri Hazbiut?
Kadri Hzbiu i cili menjëherë i doli në mbrojtje Enver Hoxhës, m’u drejtua mua duke më thënë; të dilja në podium dhe të përgjigjesha për ato që kisha bërë, ku sipas tij kisha përgatitur përpunuar e instruktuar diskutimet e shokëve Vehip Demi dhe Iljaz Ahmeti. Ai m’u drejtua: Cilat janë arsyet që ti personalisht i ke përgatitur diskutimet atyre, duke i udhëhequr që të vjellin vrer kundër partisë? Me atë gjë Kadriu kujtonte se në personin tim do të zbulonte një të ashtuquajtur komplot kundër partisë dhe shtetit.
Si u përgjigjët ju?
Unë ju përgjigja, se ajo që tha ai nuk ishte aspak e vërtetë. Po të njëjtën gjë u ngrit e tha dhe Vehip Demi. Pas kësaj Kadriu vazhdoi të më pyeste dhe akuzonte se çfarë kisha biseduar me Iljaz Ahmetin, për çështjen e Konferencës dhe bisedën që kisha bërë me Pëllumb Dishnicën përpara monumentit të Stalinit. Unë pranova se e kisha takuar Pëllumbin, por që nuk kisha diskutuar asgjë kundër Partisë. Duke mos u kënaqur me përgjigjet e mia, u ngrit Manush Myftiu dhe më pyeti se; cili ishte mendimi im, në lidhje me qëndrimin e Hulusi Spahiut në ambasadën jugosllave.
Kjo akuzë, që është thënë shpesh në lidhje me atë konferencë, a ka ndonjë të vërtetë, pra për çfarë bëhej fjalë?
Bëhej fjalë se gjatë një darke në atë ambasadë, Hulusi Spahiu që kishte qenë i ftuar, kishte thënë: Të ngremë një dolli për “Heroin e Popullit” dhe masovikun e Shqipërisë, shokun Tuk Jakova. Unë ju përgjigja: Nuk e di se çfarë ka thënë e bërë Husuli Spahiu, më mirë pyeteni vetë atë. Në këtë moment e mori fjalën vetë Enver Hoxha, i cili ju drejtua platesë: E shihni këtë Ihsan Budon, ky është një kurajoz i madh, ai bën çmos që të dijë gjithçka. Pas fjalëve të Enverit, me të njëjtën pyetje u bombarduan dhe shokët Vandush Vinçani, Nesti Zoto, Vehip Demi, Iljaz Ahmeti.
Pati presione të tjera në adresën tuaj?
Duke parë qëndrimin tim të palëkundur, natën e katërt të konferencës, udhëheqja e lartë pasi studio rrethanat se kush ishin miqtë e mi, caktoi Abdyl Këllezin e Kiço Ngjelën, duke menduar se si shokë që i kisha, do të më mbushnin mendjen që të bëja autokritikë. Pasi bëmë një shëtitje natën nga kinema ”Punëtori” tek hotel “Dajti”, unë iu thashë se nuk kisha asnjë ndërhyrje nga jashtë dhe se ajo gjë vinte nga një padrejtësi që ndodhte në aparatet e partisë dhe shtetit. Me dy miqtë u ndava duke pasur secili pikëpamjet e veta. Por kjo nuk mbaroi me kaq, sepse gjatë ditëve të tjera të Konferencës, Kadri Hazbiu me njerëzit e tij të Sigurimit na bënë një presion të madh psikologjik.
Konkretisht, çfarë…?
Të gjithë ne delegatët që konsideroheshim si frymëzuesit e organizatorët e asaj konference, u gjendëm përpara një survejimi të rreptë të punonjësve të Sigurimit. Mua personalisht me ndiqnin shtatë punonjës të Sigurimit. Këtë gjë Kadriu e bënte duke menduar se do të zbulonte fijet e ndonjë komploti të madh armiqësor. Ky survejim, nuk është asgjë përpara një plani që kishte hartuar për ekzekutimin e të gjithëve ne personave që ishim futur ne listat e Sigurimit, si organizatorët e asaj konference, ekzekutim që do të bëhej brenda në sallën e Konferencës. Këtë e kam mësuar shumë vite më vonë në 1994-ën, nga Gjergj Balla, i cili ka punuar deri vonë si portier i Bashkisë së Tiranës. Gjergji më ka thënë: ”Unë në atë kohë që zhvillohej Konferenca Partisë e Tiranës, kam qenë me detyrë në Gardën e Republikës, mua dhe disa gardistë të tjerë, na hoqën mënjanë dhe na instruktuan e na veshën me rroba civile, na armatosën e pastaj na futën në Konferencë. Secilit prej nesh, i caktuan nga një person që ata dyshonin se ishte antiparti, që në një moment të caktuar e sipas shenjës që do të na jepej, ne do t’i vritnim”.
Po ndaj të tjerëve a pati pyetje në sallë?
Po, Kadriu ju drejtua Njazi Jahos duke e pyetur: “Në ç’platform bazohet diskutimi yt, ti shoku Njazi je përgatitur, por mund të jesh i ndikuar”? Njaziu me gjakftohtësi ju përgjigj: “Po, jam bazuar në platformën e Partisë dhe jam ndikuar nga Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”. Për ta thyer Njaziun, e pyetën më pas se çfarë kishte biseduar me Kristo Themelkon, gjatë punimeve të Konferencës. Nisur nga fakti që Themelko njihej dhe ishte dënuar si filo jugosllav, Konferenca atë pyetje e priti me habi.
Si i’u përgjigj Njaziu?
Njaziu u përgjigj: “Kësaj pyetje nuk i përgjigjem, se është provokacion”. Pas tij u çua Kristo Themelko, i cili tha: “Nuk është e vërtetë se jemi takuar, pra asgjë s’është biseduar”. Kjo përgjigje krijoi ilaritet e të qeshura në sallë se siç thonë: ”U mbars mali dhe polli një mi”. Përveç këtyre, gjatë konferencës u bënë dhe shumë pyetje dhe ndërhyrje të tjera si p.sh. me Iljaz Ahmetin, Vehip Demin e Nesti Zoton (Drejtorin e Kinostudios) të cilët i akuzuan si armiq filo-jugosllav që ishin ndikuar nga Radio ”Zëri i Amerikës” dhe Radio ”Londra”.
Është thënë se në atë Konferencë ka pasur një rol parësor dhe Bedri Spahiu?
Këtë e kam dëgjuar dhe unë, sepse për shumë vite në leksione partie dhe kumtesa të ndryshme që e dënonin Konferencën e Tiranës, thuhej se ajo ishte rezultat i një komploti titisto-hrushovian, dhe një orvatje që synonte rrëzimin e udhëheqjes e restaurimin e kapitalizmin. Në këto leksione arrihej deri aty sa të akuzonin Bedri Spahiun, si pjesëmarrës të asaj konference, në një kohë që Bedri Spahiu me pranga në duar nga banka e të akuzuarit shprehej: “Nuk kam patur lidhje me ata të Konferencë së Tiranës, por jam kundra diktaturës së Enver Hoxhës dhe më vjen keq që nuk u ndodha në atë sallë midis atyre trimave”.
Çfarë u bë me ju pas konferencës?
Pas përfundimit të Konferencës së Partisë për Tiranën, materialet e saj u punuan nëpër organizatat bazë të partisë dhe për të gjithë ne që rezolucioni i Konferencës na kishte shpallur si anti-parti, armiq e tradhtar, u dha urdhër nga lart që të diskutoheshin dhe të mbahej qëndrim nga organizatat përkatëse. Në këtë kontekst më thirrën në organizatën ku bëja pjesë dhe megjithëse orientimi ishte që të më përjashtonin nga partia, organizata bazë më mbrojti me fanatizëm. Nisur nga qëndrimi i saj, edhe i deleguari i Komitetit Qendror, Shefqet Peçi, nuk e përdori autoritetin e tij për t’ju imponuar organizatës, megjithëse ai e dinte urdhrin që Sekretari i Komitetit Qendror, Rita Marko, me shkresën tepër sekrete, Nr.27 datë 24.4.1956, nëpërmjet shefit të sekretariatit të Komitetit Qendror, Haxhi Kroit, më kishte shpallur si person antiparti. Me gjithë këtë dokument, organizata vendosi vetëm me një vërejtje në kartën e regjistrimit.
Me kaq u mbyll ndëshkimi ndaj jush?
Jo nuk u la me kaq, sepse më datën 5 maj 1956, unë, Njazi Jaho, Vehip Demi, Nesti Zoto etj., u thirrëm në mbledhjen e Byrosë të Komitetit të Partisë të Tiranës, se duhej kryer formaliteti i përjashtimit tonë nga partia. Edhe aty pata debate të ashpra me sekretaren e dytë të K.P, pasi më pyetën se me kë isha takuar në hotel “Dajti” gjatë ditëve të Konferencës dhe kush kishte ardhur në shtëpinë time ato ditë. Pas këtyre debateve ku unë nuk pranova asgjë, më njoftuan se më kishin përjashtuar nga partia. Para se të largohesha nga detyra, shkova në Ministri për t’u takuar me shokët e punës. Aty kisha dëshirë që të dija dhe mendimin e dy këshilltarëve sovjetik që punonin me ne, Klemenkos dhe Budinkovit. Mirëpo kisha shumë frikë t’i takoja, se në ato rrethana që ndodhesha, mund të më quanin agjent të sovjetikëve. Sidoqoftë e gjeta rastin dhe u takova. Ata më pritën me përzemërsi dhe më thanë: I kemi marrë vesh të gjitha, prandaj ti mos u mërzit, se ke punuar shumë mirë dhe për këto që ndodhën, nuk jeni ju fajtor. U përshëndetëm dhe nuk u pashë kurrë më me ta.
Pas kësaj a patët pasoja të tjera?
Përjashtimi nga partia ishte masa e parë që i paraprinte të tjerave që ishin masat shtetërore. Më pas më shkarkuan nga të gjitha funksionet e më përjashtuan nga organizata e Frontit Demokratik e Bashkime Profesionale. Pas kësaj më pushuan gruan dhe motrën nga puna e më nxorën dhe nga shtëpia. Nga Tirana në fillim më dërguan nëndrejtor ndërmarrje në Bulqizë. Atë ditë që pushkatuan Dali Ndreun, Liri Gegën dhe Petro Bollatin, në nëntor të 1956-ës, arrestuan dhe Pajo Islamin që e kishin çuar të punonte në Kurbnesh dhe në vend të tij më dërguan mua si të internuar. Pasi më lanë ca kohë të punoja si normist, më pas më caktuan punëtor.
Si rrodhi më pas jeta juaj në Kurbnesh?
Edhe aty në qytezën e Kurbneshit ku isha i internuar familjarisht së bashku me gruan dhe dy fëmijët e vegjël, në çdo hap që bëja isha nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Mirëpo dhe në ato situata tejet të vështira ku ndodhesha, përsëri nuk na linin rehat në hallin tonë. Kështu me 15 shkurt 1963, pasi kisha bërë 7 vite e 6 muaj internim, më rrethuan shtëpinë organet e Sigurimit të Shtetit. Kryetari i Degës së Brendshme të Mirditës, me të cilin debatova ashpër, më arrestoi dhe me një “Gaz”-69, më nisën në Rrëshen. Aty pas raportimit të nënkryetarit, kryetari i Degës filloi të bërtiste: “Ç’e keni sjellë këtu këtë revizionist hrushovian e armik të betuar të partisë e pushtetit popullor”?! Më pas më futën në zyrën e Kryetarit, ku bashkë me zëvendësin e tij, ishin dhe dy të tjerë të panjohur për mua, që kishin ardhur nga Ministria e Brendshme.
Ç’a ju thanë ata që kishin ardhur nga ministria, a folën?
Njëri prej tyre e mori fjalën dhe më tha: “Kemi ardhur t’ju takojmë juve, një fat i madh ju pret. Personalisht për ju interesohet shoku Kadri. Ai na ka dërguar ne t’ju bëjmë disa pyetje nga ku varet se do të përgjigjeni sinqerisht”. Urdhëroni e flisni ju thashë unë. Në fillim e mori fjalën ai që dukej si kryesori e filloi të më pyeste: “E njihni Bedri Spahiun, Tahir Kadarenë, Hulisi Spahiun, Pajo Islamin, Peço Kagjinin, Kleo Bezhanin, Njazi Jahon, Taho Sajkon, Zihni Muçon e të tjerë”?!
Si u përgjigjët ju?
Po, ju përgjigja, që të gjithë i njohë dhe kam pasur shoqëri të ngushtë me ta. Pas fjalëve të mija, ata u shpërfytyruan dhe filluan të më bërtisnin, duke thënë se ata janë tradhtar dhe anti-parti. Më pas e mora përsëri fjalën dhe ju thashë se ju kisha dhënë atë përgjigje dhe konsideratë që kishte pasur edhe partia për ta. Pas kësaj ju drejtova përsëri: “I thoni Kadri Hazbiut që t’i thotë të vërtetën Partisë për mua, gjë që se ka bërë deri më sot”. Pas fjalëve që thashë, situata u acarua shumë dhe më urdhëruan që të dilja nga ajo zyrë dhe të futesha tek ajo e nënkryetari. E kuptova se ata donin të lidheshin me telefon me Tiranën, për të marrë udhëzime.
A ju thirrën më aty te ajo zyrë ku ishit?
Pas pak më thirrën përsëri dhe më thanë: “Me ty mbaruam, të porosisim të përpiqesh të reflektosh e për çka të pyetëm të shkruash dhe t’ja dërgosh Degës së Punëve të Brendshme këtu në Rrëshen”. Unë ju përgjigja se nuk kisha gjë tjetër për të thënë. Ata më thanë të largohesha, por unë e kundërshtova urdhrin e tyre, duke ju thënë se aty kisha ardhur i arrestuar dhe isha i vendosur të qëndroja në burg. Ju thashë se në ato kushte që ndodhesha unë në Kurbnesh, burgu do të ishte më i mirë për mua, sepse të paktën bukën e kisha të sigurt, kurse në Kurbnesh ajo na mungonte, sepse më kishin lënë pa punë. Kështu u mbyll ajo bisedë me ta dhe unë mora rrugën nëpër natë për në Kurbnesh, ku gruaja dhe fëmijët prisnin të tensionuar. Ndërkaq shumë nga shokët pjesëmarrës në Konferencën e Partisë, ishin arrestuar ose internuar.
Ju thirrën përsëri?
Po, më 7 dhjetor të vitit 1963, teksa punoja në ambientet e jashtme të Fabrikës së Pastrimit të Bakrit (nuk kisha të drejtë të hyja brenda në fabrikë), më njoftuan nga Dega që duhej të paraqitesha në Tiranë, se më kërkonte udhëheqja. Sipas udhëzimeve të Degës, me datën 8 dhjetor, erdha në Tiranë në Ministrinë e Brendshme, takova tre miqtë e ngushtë: Banush Goxhaj, Filat Muço e Ali Shtinon, të cilët u sollën shumë mirë me mua dhe më bënë thirrje që të reflektoja, duke më thënë që më kishin thirrur për të më ndihmuar të kthehesha në Tiranë. Unë u përpoqa t’i bindja se problemi im nuk ishte ashtu siç e paraqisnin ata. U ndava me ta pasi më thanë se të nesërmen më priste për takim në zyrën e tij në Komitetin Qendror, vetë shoku Hysni Kapo.
E takuat Hysni Kapon dhe përse ju kishte thirrur?
Të them të drejtën i befasuar nga kjo surprizë e çuditshme, pranova që të shkoja në takim. Para takimit isha shumë i emocionuar. Novruz Malindi, më shoqëroi deri tek shoku Hysni. Ai më priti me përzemërsi dhe pasi më pyeti për familjen më tha: “Nga të dhënat që kemi, ju keni qëndruar shumë mirë dhe Partia ka menduar që t’ju lëvizi nga Kurbneshi dhe do të ngarkohesh me detyrë shtetërore”. Pas fjalëve të tij, ju drejtova: Kam qenë anëtar partie nga 1942-shi e i burgosur politik nga fashizmi. Hysniu ma ndërpreu fjalën duke dashur që unë të mos vazhdoja më tej, e u përpoq të më bindte të reflektoja, e të mos kujtoja të kaluarat. Pasi biseduam dhe ca, u ndava me shokun Hysni, duke mos u pajtuar me ato që ai referoi. Pas kësaj më thanë të paraqitesha në Ministrinë e Brendshme, ku gjeneral-major, Nevzat Haznedari, me një harbutëri m’u drejtua dhe më tha: “Çfarë kërkon ti, mor i poshtër, armik e këlysh i revizionizmit e i Hrushovit”, dhe më pas urdhëroi që të më nisnin për në Rrëshen, duke thënë: “Ti je qen dhe atje do të kalbesh”.
Çfarë bëtë pas fjalëve që ju tha Haznedari?
Dola nga ministria dhe kërkova që të nisesha për në Rrëshen, por asnjë makinë nuk më merrte. Sipas rregullave që kishim ne të internuarit, u paraqita përsëri në Drejtorinë e Tiranës, ku oficeri i rojës u lidh me ministrinë dhe më shoqëroi përsëri për atje ku më priste Haznedari me kolonel Zavalanin. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë para katër orëve, ata u ngritën në këmbë dhe më përqafuan, duke u sjellë shumë miqësisht me mua. Më pas ata më thanë: “Harroje Konferencën e Tiranës dhe mblidh mendjen e përpiqu të reflektosh, sepse partia do t’u lëvizi nga Kurbneshi, për të ngritur në një detyrë. Për këtë ju ka thirrur Hysni Kapo me urdhër të atij dhe bënë me dorë nga fotografia e Enverit që ishte e varur në mur”.
Për çfarë ju thirrën?
Qëllimi i ftesës sime nga ata, ishte për të më rehabilituar duke më ngarkuar me detyra shtetërore dhe më 20 janar 1964 më thirri Kryetari i Komitetit Shtetëror të Grumbullimit, sh. Spiro Pano, i cili me përzemërsi më tha: “Me urdhër të udhëheqjes, je caktuar Drejtor në një Fermë Bujqësore.
Si iu përgjigjët ju?
Unë refuzova në mënyrë kategorike dhe u nisa për në Kurbnesh. Me të mbërritur, Drejtori i Fabrikës më tha të dorëzoja lopatën se isha pushuar nga puna. Pas një letre që i bëra Hysni Kapos, lidhur me qëndrimin e Sigurimit të Shtetit karshi familjes sime, më pranuan përsëri në punë dhe nisën të më trajtonin disi më mire, duke më caktuar normist në sektorin e Pusit në Kurbnesh. Në mars 1972-it në kundërshtim me vullnetin tim, më nxorën në pension me pagë minimale, që e mora me shumë vështirësi.
Me daljen në pension besoj se nuk kishit më probleme?
Jo, me daljen në pension rifilluan më keq hallet e mia, sepse më 25 qershor 1977, pasi kisha bërë 25 vite internim në Kurbnesh, më arrestuan si “armik” me akuzën: “agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit popullor” dhe të lidhur me hekura më nxorën para popullit të Kurbneshit për të më demaskuar. Gjyqi u bë te kinemaja e Kurbneshit dhe u dënova me 10 vite burg politik. Në kuadrin e një amnistie, u lirova nga burgu në 1982-in dhe shkova përsëri pranë familjes në Kurbnesh, ku vazhdoja të isha gjithë kohës nën survejimin e Sigurimit. Unë qëndrova në Kurbnesh deri në fundin e 1990-ës, duke u kthyer në Tiranë pas 35 vitesh largimi./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016