Nga Lek Pervizi
Pjesa e njëmbëdhjetë
ODISEJA E PAFAJSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Memorie.al / Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.
Burgu i vjetër
Burgu i vjetër ishte shumë ma i madh dhe dhomat ishin ma të gjana e me dysheme prej betoni. Nuk kishte shtretër dhe të burgosurit e shkretë, kur shtriheshin natën, ishin aq të shtrënguam sa që nuk mund të kthenin trupin në gjumë e sipër. Në një nga këto dhoma. rrinin të stivosun rreth njëqind vetë.
Për klerikët katolikë (nga besimet e tjera nuk kishte fare), duke dashun t’i izolonin, nga frika se mos infektonin njerëzit me doktrinën ose me metodat e tyne, kishin sajue një lloj qelie të mbyllun pa dritare e, vetëm me një vrimë në derë, ku nuk mund të kalonte as dora.
Të tjerët që nuk ishin akoma të marrun në pyetje, nja pesëmbëdhjetë vetë, rrinin në dhomën e Valentinit.
Kishte kalue ma se një javë, nga koha kur u transferue në Burgun e Madh, kur e shoqja i çon një letër Valentinit, me anë të një nga dy rojet e mira që quhej Remzi, ku i thoshte se do të merrte një leje të posaçme për takim. Pas tre ditësh e thërret roja e takimeve dhe duke i hap derën e hekurt e, i thotë se gruaja e priste në sallonin sipër.
U ngjit shkallëve dhe u gjet para Gorit që iu hodh menjëherë në qafë duke qa nga përmallimi, pas dy vjetësh që kishin kalue të ndamë. Nuk mundi të hapte gojën, për sa kohë ishte përqafue me Valentinin, deri sa u hap një derë dhe u duk drejtori i cili desh të tregohej i sjellshëm dhe i bani me hy në zyrën e tij, ku zunë vend dhe filluen me bisedue. Nuk dihet nëse drejtori e merrte vesh italishten, sidoqoftë vazhduan të flasin pa ndërhymjen e tij.
Ndër të tjerat ajo i përsëriti që ishte i domosdoshëm riatdhesimi i saj, që do t’i jepte mundësi të dilte nga burgu. Nuk kishte zgjidhje tjetër, ma të mirë. Çfarë mund të banin ata me atë fat, që i kishte katandisë në atë gjendje të mjerueshme e, të pa shpresë? Gori kur u ndanë, i tha se po t’i dilte leja për riatdhesim, do të merrte përsëri një leje speciale, për t’u takue me të, dhe u nda prej tij, duke qa me ngashërim. Shokët e burgut kishin ndodhë në oborrin e vogël dhe e kishin ndjekë skenën me emocion, sepse tashmë dihej prej të gjithëve, se Valentini ishte nji viktimë krejt e pafajshme e fatit, që e kishte sjellë në Shqipni, në kohën ma të mbrapsht që mund të mendohej.
Nga ky takim Valentin e kishte kuptue, se asaj do t’i jepej leja e riatdhesimit, për ta largue njëherë e mirë prej tij. Dhe sipas opinionit, të shoqnisë së burgut, me largimin e grues, edhe ai, Valentini, nuk do të pësonte ndonjë dënim të rëndë. Tashmë ajo punë kishte marrë rrugë, dhe Valentini e ndjente veten ma çliruem, nga pesha shpirtnore që e kishte sjellë të shoqen në Shqipni në atë gjendje katastrofike, ku, ndër të tjerat, familja tyne ishte shpërbë.
Një gjyq vërtet special
Siç e kemi thanë, Valentini do t’ishte një shoqnues i gjithë ngjarjeve që ndodhën në burgjet e Shkodrës, nga viti 1944 e, deri në fund tё 1946-ës, ku qëndroi dy vjet i padenuem, tue prit e përcjell me dhjetëra e qindra qytetarë e, malësorë të ndershëm e të pafajshëm që torturoheshin, pushkatoheshin ose dënoheshin me burg, sipas vendimeve të gjyqeve speciale ose, gjyqeve të popullit.
Në ato ditë u mor vesh se kishin arrestue shumë njerëz, ma të shumtit klerikë katolikë, që gjoja paskëshin krijue një organizatë subversive kundër evolucionare. E hapën lajmin se u ishte gjet një sasi e madhe armësh e municionesh të fshehun nën lterët e Kishës së Madhe, fakt që do të kishte randue gjendjen e të arrestuarve. Sigurisht se për të burgosurit, që ma tepër se kushdo tjetër, i njihnin metodat e veprimet e komunistëve, këto lajme që vinin nga jashtë, ishin krejtësisht të pabesueshme. Por «masa» i besonte, pra nji pjesë e mirë e popullit, e mashtrueme dhe e dehun nga propaganda komuniste.
Këto ngjarje të reja, u shërbenin për të gjallnue bisedat e tyne. Nuk kaloi shumë kohë dhe u muer vesh, se i ashtuquejtuni “Gjyq Special“, do t’i hapte përsëri dyert në Kinemanë “Rozafat“. Kësaj radhe ishte fjala për Klerin Katolik dhe të tjerë që do të implikoheshin në atë proces. Filluen seancat ku do të gjykoheshin nja njëzet vetë, ndër ta; dy misionarë italianë, At Gjon Fausti e At Jak Gardini, dhe shqiptarët At Gjon Shllaku, At Daniel Dajani, etj. Dy italianët jetonin në Shqipni prej shumë vjetësh, dhe jepnin mësim në Liceun e Jezuitëve të Shkodrës. Të tjerët i përkisnin Klerit Katolik Shqiptar, ma e shumta e tyne xhakoj e ndonjë laik.
Si zhvillohej procesi gjyqësor, tashmë e dinin të gjithë. Po e njëjta histori: Akuza të shpikura këmbë e krye, të cilave u shtoheshin deklaratat false te dëshmitarëve të rremë. Në fund të javës përfundonte gjithçka, me ma tepër se gjashtë dënime me vdekje dhe të tjerë me dënime të rënda me burg. Të dy misionarët që ishin më të vërtetë njerëz të shenjtë, u dënuan me vdekje, bashkë me dy priftë shqiptarë.
Nuk kaloi shumë dhe i çuan e i pushkatuan me gëzimin e madh të “masës popullore”, siç e quanin atë grup njerëzish të dehun nga propaganda komuniste. që i konsideronte ato të dënuem të shkretë, si prototipat e kriminalitetit.
Deri në atë gjendje e kishte katandisë popullin! Por merita kryesore për atë arritje fatzezë, i takonte udhëheqësit të regjimit, dhe pikërisht djallit vetë, Enver Hoxhës, i cili deri në thellësi të mendjes së tij perverse, ushqehej me urrejtje të tillë, sa që tue mos pasë mundësi me i shfarosë të gjithë katolikët, ai do të shpallte ateizmin shtetnor, megjithëse ai vetë. ishte bir i një hoxhe, siç ishte Stalini, bir i nji prifti.
«Babë» Stalini, me të «birin» Enver, nuk mund të mos ushqeheshin nga të njëjtat ndjenja kriminale, e sadizëm gjakatar. Si me veprue ndryshe?! Shumë thjeshtë: për me eliminue përgjithmonë fenë katolike, i duhej te sakrifikonte fenë e tij dhe atë ortodokse, një far shëmbëllimi me Sansonin me Filistejtë. Por për një vendim të tillë, nuk ishte koha e përshtatshme, atë vendim djallëzor, do ta linte për ma vonë.
Menjëherë pas të ashtuquajturit zhdukje të asaj organizate subversive të “armatosun”, që paskej qenë e udhëhequr nga ato të dy misionarët italianë tetëdhjetëvjeçar, i erdhi radha një grupi tjetër të burgosurish politikë ndër të cilët, ishte dhe një ish- agjent famëkeq i Sigurimit, që quhej Pierin Kçira.
Salla e kinemasë ishte mbush plot e përplot me popull, që dallohej për zhurmën e madhe, i gatshëm me himnizue “idhullin” e tyne, të cilit tue bërtitë si të marrë, i falnin vjet nga jeta e tyne. Një masë e egërsueme që nuk përtonte me përplas këmbët mbi dyshemenë, tue kërkue me thirrje ritmike, dënimin me vdekje të të gjithë të pandehurve. Por kësaj radhe të pranishmit, nuk mund te përfytyronin se çfarë do të ndodhte me grupin e të pandehurve të rij. Kur erdhi radha e Pierin Kçirës, ky ishte çue dhe ishte afrue befasisht te mikrofoni, ku me një za bumbullues e të qartë, deklaroi pa qenë i lejuem të flasë, pra shpejt e shpejt, që mos vallë e pengonin dhe ia hiqnin mikrofonin.
– «Popull i Shkodrës, Kleri Katolik, nuk asht aspak fajtor për veprime kundër shtetit, prandaj procesi i tyne, ka qene vetëm një kurdisje. Ata janë krejtësisht të pafajshëm. Armët që u gjetën nën lter, i kam vendos unë vetë me duart e mija, me urdhën të krerëve të partisë dhe të Sigurimit».
Pjerini përfundoi tue deklarue, se e gjithë kjo ishte kurdisë për të eliminue Klerin Katolik dhe botën katolike shqiptare. Pierini arriti të flasë aq shpejt, sa që kur policët mbërritën aty për të hjek mikrofonin, ai e kishte mbarue fjalimin. U ul krejt i kënaqun mbi stolin e tij, sepse tashmë e ndiente veten të liruem nga ajo peshë e rëndë, që shpirti i tij ishte dashtë të duronte deri në ato çaste. Prandaj e ndjente veten të gatshëm, me u paraqitë para Zotit, me ndërgjegje të pastër. Ai e dinte shumë mirë, se së shpejt ai do te nisej për në botën tjetër. E pushkatuan menjëherë, bashkë me disa të tjerë.
Episodi i Pierinit ra si një bombë e vërtetë dhe e papritur, që e tërboi së tepërmi kreun e regjimit. Ai incident duhej te mos kishte ndodhun. Disa njerëz të Sigurimit, e hëngrën për këtë pakujdesi të madhe, që demaskonte vetë sistemin bolshevik, që kishte mbërthye Shqipnin në kthetrat e terrorit.
Pas fjalës së Pierin Kçirës, në gjithë sallën kishte ra nji heshtje e madhe, sa ndihej edhe fluturimi i mizës. Por pastaj filloi përsëri poterja, me britma shurdhuese, të drejuem kundër atij njeriu që kishte pasë atë guxim të madh, për të ia përplasë e demaskue publikisht poshtërsitë e Sigurimit e të gjykatave, që ishin prova ma e gjallë e padrejtësive, mashtrimeve e falsifikimeve ma të dënueshme që mund të përfytyroheshin dhe që e karakterizonin sistemin komunist, që bota Perëndimore nuk arrinte të njihte e të kuptonte.
Mjerisht kështu funksionoi gjatë 47 vjetëve, drejtësia e padrejtë dhe false e atij regjimi. Edhe të pandehurit e kësaj seance gjyqësore, morën dënime të rënda.
Kur grupi i të dënuemve doli jashtë, i përcjellun nga policia, mbi to u lëshue masa, për me i mbyt me duart e saj, veçanërisht kundër Pierinit, por policia nuk i lejoi. Pra ato njerëz ishin të bindun, se Pierini kishte ba deklarata false, aq ishin të dehun nga propaganda Partisë Komuniste, që gjente në to tokën pjellore për të hedh farën e keqe të saj.
Edhe ky grup e pagoi me gjashtë të pushkatuam, ndër ta Pierin Kçira, që e tregoi veten se ishte burrë trim e i vendosun, si një shqiptar i vërtetë. I gënjyem dhe i lidhun me partinë e Sigurimin, këta e kishin përdor për të kurdisë planin e armëve të fshehuna në kishë. Por pas gjyqit të misionarëve italianë e pritave shqiptar, që pastaj u pushkatuan, Pierini e kuptoi se kishte hy në rrugë të gabueme, duke u ba shërbëtor i djallit. Kështu, tue mos e tregue veten për asnjë çast, karshi Sigurimit, se ishte i aftë për gjeste trimërie e vetëmohimi, priti daljen në gjyq për të shfajsue veten, tue thanë të vërtetën para popullit Shkodran e, për të demaskue kurdisjet e poshtërsitë e një regjimi që e mbante pushtetin, për të ba krime mbi krime të ligjerueme gjoja me gjykata e prokurori, të gjithë në shërbim të terrorit e të kriminalitetit, të një udhëheqësi psikopat e pervers. Mjer Shqipnia e mjer shqiptarët!
Llesh Marashi
Në një pasdite tё javёs funidt tё janarit, ndërsa të gjithë ishin shtri tue u marrë me mendimet e tyne, nga jashtë erdhi nji zhurmë zanash e britmash, që hynte nga dritarja e vogël, nalt mbi faqen e murit. Valentini vendosi me pa e tue hip me mbi kurrizin e një shokut, mundi me dallue një turmë të madhe, partizanë e partizane, që vinin rrugës me shumë popull mbrapa, tue shoqnue dy njerëz të lidhun, të mëdhenj e mjekrosh, sigurisht malësorë të arratisun të malit, që i kishin kap.
Ato dalloheshin mbi gjithë të tjerët për nga shtati, dhe ishin të ruejtun nga njerëz të Sigurimit, të armatosun deri në dhëmbë. Sigurisht do t’ishin njerëz të rëndësishëm, për deri sa ishte grumbullue gjithë ai popull rreth tyne, tue brit e sha, e tue i thur lavde partisë, qeverisë e diktatorit. Rruga bënte kthesë dhe turma mori drejtim andej dhe u zhduk. Valentini zbriti. Kush do t’ishin ato të dy malësorë e, si me e marrë vesh?
Për mos me ra në sy të spiunëve, Valentini porositi një nga shokët e tjerë, të pyeste kushërini e Remzisë, që bënte shërbim aty. Morën vesh se ishte fjala, për major Llesh Marashin dhe një t’afërt të tij, që i kishin kapë atë mëngjes, pas një luftimi të shkurt afër Koplikut.
Llesh Marashi, siç dihet ishte ai që andej nga mesi i shtatorit 1945, kryesoj kryengritjen Malësisë tё Madhe, që quajt e Koplikut, 7 km. larg nga Shkodra, me qëllim pastaj me i ra Shkodrës. Me shpresë se do të çoheshin edhe krahinat e tjera përreth, gja që nuk ndodhi dhe kryengritja dështoi. Lleshi me të vetët u detyruan të fshiheshin përsëri në malet e tyne, të ndjekur nga forca të shumta komuniste të dergueme drejt nga Tirana, për t’i asgjesue, nën komandën e Mehmet Shehut, super-krimineli i dytë pas Enverit.
Me kët rast, Mehmeti vendosi një shtetrrethim pesë ditor në Shkodër, ku u arrestua me qindra vetë, dhe pati pushkatime të shumta pa gjyq. Valentini vetë, e kishte shpӫtue pothuaj kot, sepse mund t’ishte eliminue nga ndonjӫ komandant ose komisar brigade, apo thjesht njӫ partizan, pa urdhӫn e dijeni tӫ askujt, as tӫ vete Mehmet Shehut.
Ma vonë ata morën vesh se Llesh Marashi, me nipin Rrok Kanti dhe kushrinin, Pjetër Bajraktari, që rrinin fshehun prej gati një vit e gjysmë në një shpellë, në një faqe të një mali shkëmbor, mjaft e zorshme me u diktue dhe arrit. Furnizoheshin me ushqime nga njerëz shumë besnikë, që kur afroheshin lëshonin za kafshës së pyllit. Shumë rrallë dilte ndonjëherë i nipi, Rrok Kanti, për kontroll, një e ri i pashëm, i fuqishëm dhe shumë i zhdërvjelltë, që ishte shque në luftime, kundër forcave komuniste.
Shpella ishte në një vend të fshehtë, shumë të sigurt, që as që mendohej se mund të zbulohej. Por me sa duket ndonjë spiun, do të ketë vërejt lëvizjet e njerëzve që çonin ushqime, sado që ato mundoheshin mos me ra në sy.
Kur forcat e Sigurimit e rrethuan vendin, komandanti kishte kërkue dorëzimin e tyne, por në atë çast nipi i Lleshit, Rroku, ishte lëshue pas një shkëmbi e, kishte fillue pushkën. Në të shtënat e para, mbetën të plagosun dy ushtarakë e megjithëse Lleshi i thërriste nipit, Rrok Kantit, që të pushonte zjarrin, ai nuk donte të ia dinte dhe vazhdonte me luftue, me trimni të pashoqe.
Por rrethimi sa vinte e shtrëngohej ma tepër, dhe Rroku e pa se i kishin mbet pak fishekë, atëhere mori vendimin e fundit, ma mirë me vra veten, se sa me ra në dorë të komunistёve, kështu që e drejtoi revolverin drejt gjoksit e gjuajti. Ndërkaq komandanti i thirri Lleshit që të dorëzoheshin, se nuk kishte tjetër rrugëdalje. Lleshi ishte përgjigj, se po t’ishte për atë, ai nuk do t’ishte dorëzua kurrë, por mendonte për jetën e nipit edhe te kushërinit, pra të Rrokut e të Pjetrit. Në qoftë se ai i garantonte jetën e tyne, atëhere ai do të dorëzohej.
Në këtë rast, Lleshi nuk dinte asgjë për Rrokun, qё ishte vetëvra. Komandanti, pasi ishte konsultua me komisarin u përgjigj; që e pranonin atë kusht. Kështu Llleh Marashi e Pjetër Bajraktari, u dorëzuan dhe i sollën në Shkodër. Veç atёherё Llesh e mori vesh, se Rroku ishte vra (gjoja), dhe ishte pendue pёr dorёzimin. Rrokun e gjetën të shtrim, me një plagë të madh në gjoks e shumë humbje gjaku, dhe e kujtuan të vdekun. Por komandanti ishte afrue dhe kishte vërejt se ai ishte akoma gjallë, prandaj kishte dhanë urdhën, që të përgatisnin me do drunj një far lese, për ta ulë deri në një vend, ku vinte makina. Kështu u veprue dhe Rrokun e mori një makinë dhe e çoj në spitalin e Shkodrës, ku e operuan urgjentisht, duke e shpëtue nga vdekja.
Pasi u shërue, Rrokun e morën në hetuesi, për me nxjerrë nga ai informata të nevojshme, veçanërisht për axhën, por më kot, ai nuk pranoi kurën e kurës, duke përballue edhe metodat e torturave.
Pёr tё pёrmbush kёtё ngjarje, Lesh Marashin e mbajtёn njё kohё tё gjatё nё qelitё e burgjeve, pothuaj njё vit, ashtu tё izoluem. Por me sa dihet, nuk asht torturue. Mendohet se donin ta thyenin e ta bënin pёr vete, tue i premtue edhe ndonjё post me rëndësi. Kjo, thuhёj se si me anё tё tij, regjimi komunist, do ta kishte tё lehtё, tё asgjёsonte tё gjithё tё arratisunit e veriut, e kryesisht ata me peshё e influencё nё popull, si; Mark Gjomarku, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari, e tё tjerё. Sigurisht se Llesh Marashi, u tregue i pamposhtur. Atё e ekzekutuan me varje midis Shkodrёs, me 1946-ën.
Të burgosurit nuk ia falnin aktin e dorëzimit. Një figurë si ai dhe për ma tepër ushtarak, si Llesh Marashi, s’duhët të ishte dorëzua gjallë, në dorë të partizanëve leckaman. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016