Nga Lek Pervizi
Pjesa e pestë
ODISEJA E PAFAJSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Memorie.al / Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullijt që njihën si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkambor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjës së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjvë Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.
Bombardimet ajrore
Në Bolonja Valentini qëndroi i strehuem pranë familjes të së fejuemës. Në kushte ilegale, gjithnjë ne rrezik për t’u arrestue. Gjatë kësaj kohë, forcat aleate që kishin zbarkue në Siçili, gjetën një qëndresë të fortë nga trupat gjermane, dhe iu desh që të pushtonin pëllëmbë për pëllëmbë, territorin që mbante anmiku. Kështu që me kët front të ri të luftës, që e përfshiu Italinë gjatë dy vjetëve, italianët u gjetën para realitetit të hidhun që përban një luftë si ajo, që zvaritej për gjatë territorit të tyne. Për ata pikërisht tani fillonte e keqja me e madhe. Bombardimet u shtuen dhe kudo nuk shikoje gja tjetër, veçse vuejtje e mjerime, mungesa dhe shregullime të çdo lloji, vdekje e tragjedi.
Valentini dilte jashtë shumë rrallë, vetëm kur paraqitej ndonjë nevojë e domosdoshme. Dy herë rrezikoi të arrestohej. Një ditë kur kishte hy në një dyqan për me ble një paqetë cigaresh, iu afruen dy milicë, që duke e shikue në fytyrë, se ai e kishte moshën që kërkohej për t’u rithirrë në shërbim ushtarak, siç paraqitej në afishet e shumta që mbushnin muret e xhamat e lokaleve, mbasi nuk kishte as dokument letër-njoftimi, e morën dhe e çuen në një rrugicë qorre, ku ishin grumbullue qindra të rinj që ruheshin nga agjentë fashistë këmishëzezë, të armatosun deri në dhambë.
Disa ruenin nga dritaret për rreth me armët të drejtueme mbi turmën, ku ishte përfshi dhe Valentini. Për fat, para se ta fusnin në grumbullin e të tjerëve, prej ku do t’ishte zor me dalë, kalon aty një kapiten që e njihte, shok shkolle, i cili kishte pranue me bashkëpunue me milicinë fashiste të Musolinit.
Kur e pa Valentinin, menjëherë ndërhyni dhe e liroi. Një herë tjetër, policia kishte bllokue rrugët për të arrestue disa njerëz të dyshimtë, por kishin harrue me ruejt kishën, ku Valentini u fut dhe doli nga një derë e dytë, në anën tjetër të rrugës. Me ramjen e Musolinit në korrik, italianët kishin kujtue se ma e keqja kishte kalue dhe se do të vinin ditë ma të mira, ndërsa ajo ngjarje po sillte kaos, anarki e shkatërrime.
Në ato kondita, Valentini dhe Gori vendosën të martohen zyrtarisht. Martesa u ba si në komunë, ashtu dhe në kishën e lagjes. Ky vendim u muer nga të dy të rinjtë, tue konsiderue rreziqet e mëdha që vinin nga bombardimet e përditshme, që shkaktonin rrënime e vdekje. Se pakut, në qoftë se fati i tyne ishte me përfundue nën rrënojat e bombave, te vdisnin si burrë e grue.
Shkruen Valentini në shënimet e tij, se bombardimet ndiqnin njeni tjetrin, dhe se dy tri herë, ai vetë kishte qenë në rrezik të vritej, kishte shpëtue kot. Një herë që ai e ndjeu zhurmën e madhe të skuadriljeve të «kalave fluturuese», desh të futej në një strehim aty afër stacionit, por ndërroi mendje e vrapoi deri te një pallat i madh, ku po hynin njerëzit, sepse ishte dhanë sinjali i alarmit nga sirenat. Por, nga që kishte shumë njerëz, përsëri vrapoi ma tutje dhe hyni në të parin strehim që gjeti, kur sapo nisi bombardimi. Bombardimi ishte shumë i rëndë dhe kaloi në tri valë. Kur ranë sirenat e largimit të rrezikut, dhe të strehuemit dolën jashtë, çka me pa…?!
Pikërisht në pallatin ku desh të hynte, që e kishte strehimin që zgjatej deri në rrugë, e mbahej si strehimi ma i sigurte, aty kishte ra një bombë njëtonëshe, që e kishte tejshpue rrugën e betonin, duke ba kërdinë në të strehuemit e shkretë. Thoshte Valentini, ç’me pa…?! Copa krahësh e duersh, kambësh e kafkash. I del para syve, thoshte, mbi asfaltin e rrugës, i hedhin nga duhma e shpërthimit, shumë larg plasjes, krahu delikat i një vajze, me me gjithë orën e dorës në puls. Tmerr…!
Por rrezikun ma të madh do ta kalonte te shtëpia ku rrinte me familjen e grues. Ishte natë e njerëzit kishin ra me fjetë. Kur, ja krisen sirenat e të gjithë u turrën poshtë shkallëve, për t’u strehue në bodrumet. Bombardimi vazhdoi gjatë dhe ato i ndienin tronditjet e mëdha, që shkatonin bombat që po binin aty afër. Kur ranë sirenat e kalimit të rrezikut, e u nisën me dalë, e panë vetën të bllokuem. Ishin shembë pallatet për rreth dhe e kishin bllokue strehimin e tyne. Rrezik të vdisnin të asfiksuem nga mungesa e ajrit. Ishin shtri të gjithë përdhe, të velanitun. Valentini kishte mundë me durue ma tepër, ndërsa e shoqja tashma pushonte në krahët e tij e, mezi merrte frymë.
E ama ishte shtri për tokë si e vdekun. Ashtu dhe njerëz të tjerë. Çaste dramatike! Të pafuqishëm për çdo veprim, vetëm prisnin, mos dikush u vinte në ndihmë. Dhe ja, për fatin e tyne, u dëgjue zhurma e pistoletave të shpimit, dhe pas pak, fishkëllima e ajrit qe nisi të hyje nga një vrimë që kishin hap punëtorët. Kjo e bani me mendue Valentinin.
Në këtë gjendje lufte që nuk i dihej fundi, a nuk do t’ishte ma mirë me u kthye në Shqipni, ku i kishin thanë se ishte krijue nji qeveri kombëtare, dhe siduket kishte qetësi? Një shok i tij i shkollës, që e kishte takue rastësisht, i kishte tregue, se ç’bante ai aty? Të atin e kishte Ministër të Mbrojtjes. Pasunitë e shtëpitë i kishin atje. Ai vetë do të nisej sa ma parë, por i duhej të shkonte në Torino, ku kishte të shoqen.
Udhёtim pa kthim
Përveç bombardimeve, ai ishte në rrezik të kapej prej gjermanëve ose fashistëve. Pas disa ditësh, vjen dhe e takon një shok tjetër, Nuri Nuçi, i cili po nisej me të shoqen për në Shqipni. Edhe ky i foli si i pari. Valentinit iu mbush mendja, por si me ia ba për dokumentet? Në bashkëpunim me Nuriun, qё njihte njё person qё merrej me fallsifikime, u pajisёn me pasaporta si studentë, me emna të tjerë nga ato që kishin. A do ti, se iu dha e drejta nga vetë komanda gjermane dhe morën vizat e rregullta. Edhe Nuriu ishte martue me një italiane, të cilën do ta merrte me vete. Kështu u vendos. Ne fakt Valentini, desh të ia mbushte mendjen Gorit, që ajo të mos nisej me të, por ta priste në Bolonja, ku ai, sapo të mbaronte lufta, do të vinte ta merrte. Gori nuk pranoi dhe kështu ata vendosën të merrnin udhëtimin për në Shqipni, të dy bashkë. U nisën në muajin gusht 1944.
Në rrugëtimin e tyne u ndalën në Verona, ku Gori kishte një motër të martueme, me drejtorin e filiales së Mondadorit. Burrë e grue u munduen me ua mbush mendjen, të mos shkonin në Shqipni. Bile të qëndronin tek ata, sa te donin, deri sa te merrte fund ajo lufte e mallkueme. Por jo! Fati i tyne ishte tashmë i caktuem. Fatit nuk i ikën dot. U ndanë nga miqtë, me shumë mërzi.
Sikur ua ndiente zemra, se nuk do shiheshin ma kurrë. I hypën trenit e sosën në Vjenë, ku u desh të paraqiten në polici. I priti një oficer gjerman, të cilit i thanë se kishin vazhdue studimet në Universitetin e Napolit, por nuk mund të shkonin, sepse atje ishin trupat aleate. Prandaj ma mirë për ta, ishte me u kthye në vendin e tyne, në Shqipni.
– “Mirë, – u kishte thanë ai oficeri, – por deri në ditën e nisjes, jeni të detyruem me u paraqitë çdo ditë. Dhe mund të niseni, vetëm kur të na vijë autorizimi. Ndërkaq ata filluen të marrin informata, mbi gjendjen në Shqipni, nga shqiptarё qё ishin largue qё andej, sepse në Itali, nuk kishin pasë asnjë mundësi me marrë vesh gja, ku as radio, as shtypi, nuk jepnin lajme për Shqipninë.
Pas dy javësh, morën vesh se kishin ardhë aty disa shqiptarë. Shqiptarët që takuen u treguen, se se gjendja atje ishte si mos ma keq. Nuk mjaftonte lufta kundra pushtuesit, por kishte nis lufta midis kundërshtarëve politikë, pra lufta civile, e shkatueme nga komunistët, për me marrë pushtetin, ku kishin fillue me ba krime.
Nga sa dëgjuen, ata vendosën me u kthye dhe prandaj shkuen në Konsullatën italiane, ku u thanë se pa autorizimin e policisë gjermane, nuk mund të ktheheshin në Itali. Shkuen në Polici dhe e takuen po atë oficerin e parë, me shpresë se do t’i lejonin me u kthye në Itali. Oficeri i priti me nji nënqeshje ironike:
– “Mbasi nuk doni të vazhdoni udhëtimin e nisun, jeni të detyruem, me zbatue ligjet në fuqi të shtetit tonë. Prandaj do tё punoni ku të ju caktojnë autoritetet vendore. Në qytet nuk ka vende pune, prandaj duhet te shkoni të katërt si jeni, me punue në fabrikat tona në periferi të qytetit, ku do të paguheni mirë të shtunën e çdo jave. Nesër në mëngjes, pres përgjigjen përfundimtare». Sipas informatave që morën, fabrikat bombardohëshin vazhdimisht, nga flota ajrore amerikane. Të nesërmen shkuen e i thanë atij oficerit të policisë, se ata s’kishin nevojë me punue, sepse kishin me se të jetonin. Ai u përgjigj në mënyrë të preme:
– “Ju në këtë çast duhet të zgjidhni, ja me vazhdue udhëtimin për në Shqipni, ja, në të kundërtën, brenda tre ditëve, due të ju shoh të regjistruem në fabrikat ku do të caktoheni. Nuk ka tjetër zgjidhje”.
Po tё kishin qenё pa gratё, ata do tё kishin pranue tё punonin nё ato fabrika, e tё shtynin ditёt, pёr tё gjet njё mundёsi qё tё ktheheshin nё Itali, edhe në forma tё fshehta e, me çdo lloj mjeti, deri dhe me kambё. Lajmet qё kishin marrё pёr Shqipninё, ishin tepёr tё kёqija. Por s’kishte tjetër zgjidhje. Kёshtu qё u detyruen, t’i në-shtroheshin situiatёs e t’i komunikonin atij oficerit se, përsa morën vesh ata, preferonin të vazhdonin udhëtimin.
Oficeri shtoi se ata duhet të prisnin «Leje-kalimin» që duhet të vinte nga kushedi se ku. Ajo «leje-kalimi» erdhi pas dy muajve, gjatë të cilëve iu desh të shisnin disa sende me vlerë tё grave, për të shty ditët ne atë qytet të bukur e madhështor. Por që s’u doli mikpritës. Për bela Valentini, s’kishte asnjë njohuni për miq e t’atit, as adresë, as emna.
Që patjetër do t’i kishin ndihmue, se ishin me detyra të nalta. Njeni prej tyne, deri dhe feldmarëshall. Po kush se?! U nisën. Morën trenin për Zagreb. Qyteti ishte mjaft i bukur e, ndahej në qytetin e vjetër e, qytetin e ri. Ky i fundit kishte shumë ndërtime të stilit vjenez, bile teatri, ishte nji kopje e teatrit të «Operës» së Vjenës. Nuk dalluen shenja shkatërrimi, siç ishin mësue me pa në Itali, sepse Zagrebi nuk e kishte njohë luftën, veçse dukej si një qytet i braktisun, sepse kishte pak qarkullim njerëzish.
Nuk munden me vazhdue për në Belgrad, sepse urat e trenave ishin shkatërrue prej aviacionit amerikan. Prandaj të nesërmen, u kthyen në Vjenë, prej ku u nisën për në Budapest, ku treni u ndal dhe pastaj u nis në drejtim të një nyje hekurudhore në veri të Jugosllavisë, për në Esseg, e prej këtu, në Belgrad. Në Esseg u detyruen me zbrit, pse kishte alarm ajror, por pjesa ma e madhe e ushtarakëve, ndejti në tren. Avionët kaluen mbi zonën për me shkue me goditë objektiva të tjerë. Kështu pas pak u nisën përsëri, dhe arritën në Belgrad. Belgradi ishte katandisë në gërmadha.
Mungonin dritat, uji, gazi e çdo gja. Gjatë atyne tre ditëve që ndejtën aty, takuen disa italianë që i këshilluen të mos shkonin në Shqipni, sepse atje, ishte ma keq se në Jugosllavi. Belgradi ishte rrënue nga bombardimi i aviacionit gjerman, në ditë e para të pushtimit. Të gjithë ato shkatërrime, ishin shkaktue në një natë të vetme. Sipas banorëve, në atë natë kishin humbë jetën mbi 27 mijë njerëz. E tmerrshme. Për çudi, i vetmi grataçiel i qytetit, prej 20 katesh, kishte qendrue në kambë, i paprekun. Qyteti ishte krejt bosh. Rrallë dukej ndonjë kalimtar.
Krejt ndryshe nga këshillat e italianëve, pas tre ditëve qëndrimi mes gërmadhave të Belgradit, të dy çiftet u nisën drejt Shkupit, me qëllim që me kalue në Greqi e, me sosë në Athinë. Plani ishte mendue mirë, por fati do tё vendoste ndryshe. Pas 40 km., u desht të zbrisnin, sepse ura hekurudhore mbi lum, ishte prishë nga bombardimet. U desh me kalue lumin me kambë e, me arritë në qytetit Kralievo. Ma vonё do tё kujtoheshin se kishin gabue. Ata duhet tё ishin kthye me trenin nё Shkup, ku mund tё qëndronin e tё gjenin njё mёnyrё, pёr me kalue nё Greqi. Por nё atё situatё, sikur truni u ishte bllokue. Pastaj edhe gjendjes nё Shqipni, s’i jepnin fort randёsi. Nё fund tё fundit, do kishin tё banin me shqiptarё.
Aq ma tepёr se ata vinin pothuej si tё huej, nga qёndrimi i gjatё nё Itali pёr studime. Pastaj si oficerё akademistё, ata ishin nё gjendje, t’i shёrbenin atdheut. Komunistёt shqiptarё, do ta kishin ruejt njё far burrnie, me e marrё parasyshё përgatitjeёn e tyne. Kёshtu si mbetёn nё rrugё, të katërt siç ishin, menduen të shkonin në qendër të qytetit. E gjeten krejt bosh. Hynë në një lokal mjaft të madh, i mbushun me karrika e tavolina. Vendosen me kalue natën aty, duke bashkue tavolinat e duke i mbajt fare pranë valixhet. U kishin thanë se në atë krahinë, lufta vllavrase ishte e rrebtë midis dy palëve politike, komuniste e nacionalistë. Sa që kur kalonin andej repartet gjermane, nuk i trazonte njeri.
Atë natë nuk i zuni gjumi, nga frika se mos vinte kush me i vjedh. Të nesërmen dolën në rrugën kryesore, me shpresë mos kalonte ndonjë mjet gjerman. Banorët u kishin thanë se pikërisht në atë periudhë, kalonin shpesh mjete ushtarake gjermane. Pritën një kohë të gjatë aty, deri sa erdhi një kollonë gjermane qe u ndal. Kamionët ishin pothuaj bosh e, me pak personel. Siç dukej e siç thoshin njerëzit, po shkonin me marrë trupa e materiale në Shqipni. Të gjithë tashma e dinin, se gjermanët po tërhiqeshin, ndonëse me shumë ngadalësi. Njё gja tjetёr ishte se mjetёt gjermane, nuk shkonin pёr nё Greqi, qё do tё kishte qenё njё zgjidhje e favorshme pёr ta, pёr tё kalue nё Itali. Sikur ishin me tё vёrtetё nё dorё tё fatit, qё i drejtonte, ose ma mirё me thanё; u impononte tё vepronin nё kundёrshtim me dёshirёn e tyne.
Valentini e Nuriu, u paraqiten te komandanti me gradën kolonel, të cilit i treguan se donin të shkonin në Shqipni. Ai nuk kishte fol fare, por u kishte tregue me gisht një mjet, ku ata u sistemuen. Pas nji ore, autokollona ishte nis. Deri atëherë, me përjashtim të dy rasteve alarmi ajror, në tokën hungareze, ku ishin detyrue të zbrisnin dhe të shpërndaheshin ndër kaçubet e ferrat, e pastaj të hipnin përsëri në tren, nuk kishin kalue asnjë rrezik, nga ndonjë sulm ajror. Kësaj radhe, pas dy orë udhëtim, andej nga mbramja, një avion gjuejtës i bardhë, sigurisht anglez, u duk pas një kodrine. Kollona u ndal e të gjithë zbritën, tue kërkue ndonjë vend për t’u fsheh.
Kur gjuajtësi filloj të mitralojë, Valentin me Gorin ishin fsheh pas trungut të një peme. I dëgjuen fishkëllimat e plumbave që u kalonin afër, duke ngrit pluhun e copa dheu për rreth. Avioni kaloi në anën tjetër për t’u kthye, dhe çifti gjithashtu kaloi në anën tjetër të trungut. Gjermanët iu përgjigjen me mitralozat e tyne dhe me pushkë. Kësaj here plumbat kaluen ma afër e njeni, kishte shpue peliçen e Gorit, por ajo nuk e kishte kuptue. Gjuejtsi kaloi dhe nja dy herë andej këndej, e pastaj u zhduk. Nja katër a pesë mjete ishin damtue, një kishte marrë flakë, dhe dy ushtarë ishin plagos, por jo randë.
Nuk shkoi vonë dhe autokolona u nis. Vetëm pas një ore, Gori e pa vrimën në peliçen e saj prej astragani, që ishte një provë e rrezikut që kishin kalue. Udhëtuen gjithë natën, por me frikë mos sulmoheshin nga ndonjë grup partizanësh, që vepronin në ato anë.
Ma ne fund arritën ne Prizren. Këtu morën vesh shumë gjana, por nuk kishin tjetër mundësi kthimi. Ndërkohë, Valentini u njoh me disa prizrenas që kishin ndigjue për babën e tij, kur kishte qenë në Kosove, për organizimin e ushtrisë dhe të forcave vullnetare kosovare, në mbrojtje të kufijve verior të shtetit etnik, i krijuem pas pushtimit të Jugosllavisë nga ana e gjermanëve. Ata i folën me admirim e vlerësim për gjeneralin, siç e thirrnin, dhe i ndihmuen katër udhëtarët, për ato dy ditë që u desht të qëndronin aty. Patën fat të hypin në një tjetër kamion gjerman dhe pas dy dit udhëtimi me ndalesa e pengesa, arritën në Shkodër. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016