-Hysni Kapo refuzoi projektin që do sillte miliona dollar fitime vendit, kurse Luan Struma, që bëri racionalizimin, “u shpërblye” me një fletë- kampi, në plazhin e qytetit të tij dhe me një fletë-lavdërimi-
Memorie.al / Një impiant 3 milion dollarësh, do ta kishte shndërruar vendin tonë në eksportuesin më të madh të bikromatit në Evropë. Teknologjia e vjetër dhe mungesa e vizionit të pushtetarëve të regjimit komunist, nuk bënë të mundur që Uzina Kimike në Porto – Romano, të ecte me hapin e kohës. Mundësitë për ta shndërruar vendin në eksportuesin kryesor të bikromatit në kontinentin tonë, nuk u morën parasysh duke e shndërruar Kimiken, në gjigantin ndotës të Durrësit. Shumë prej punonjësve të saj mbartën për gjithë jetën mbi shpinë, pasojat e sëmundjeve të shkaktuara nga kimikatet dhe procesi teknologjik primitive.
Mungesa e vizionit dhe politika e vetizolimit të vendit gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri, u ndje në mënyrë të drejtpërdrejtë në industri. Durrësi trashëgoi në mesin e dy Luftërave Botërore, punishte, reparte, impiante dhe fabrika me teknologji perëndimore. Kryesisht ato ishin italiane dhe i dhanë qytetit bregdetar premisat e para, të ndërtimit të zonave industriale. Paralelisht me sjelljen e makinerive për prodhimin e tullave dhe atë të linjave për Nish-Gomën dhe Plastikën, në Durrës u hapën edhe linja për prodhimin e kimikateve, të gjitha me teknologji e pajisje italiane.
Zhvillimet politike të pas viteve 1944, bënë që investitorët italianë të largoheshin dhe linjat, pronat, makineritë e kapitali në tërësi, të shtetëzoheshin. Një politike e tillë e futi në një situatë të ndërlikuar industrinë, ndërsa ajo kaloi në kolaps në vitet ‘85-90-të të shekullit të kaluar. Teknologjia e vjetër, e mbetur në Shqipëri, nuk mund të përballonte kërkesat dhe nevojat e industrisë me kimikate, ndërsa refuzimi nga ana e shtetit, i ndërtimit të një impianti për prodhimin e 10 mijë tonëve në vit kripë bikromati, e degradoi industrinë kimike në Porto-Romano.
Specialistët kanë thënë se impianti modern Italian, që mund të kushtonte jo më shumë se 2.5 milion dollarë në atë kohë, e shlyente veten, investimin, brenda 1 viti e gjysëm, ndërkohë që vendi ynë bëhej eksportues i rëndësishëm dhe me shumë përfitim, në tregun evropian e atë botëror. Nëse do të instalohej impianti italian, Kombinati Kimik në Durrës, do të siguronte në vit 15 milion dollarë të ardhura, vetëm nga tregtimi i bikromatit, i cili shitej me 1500 dollarë toni. Të tjera fitime do të vinin nga kimikatet, të cilat hidheshin si mbeturina në fabrikën e Porto-Romanos, pasi nuk kishte impiant përpunimi.
Ndërsa një ide e tillë nuk u pranua në atë kohë, shteti shqiptar ka shpenzuar miliona dollarë pa asnjë lloj rendimenti, në përpjekjet për të prodhuar lindan. Impianti dhe centrifuga e linjës së përparuar japoneze, që ka kushtuar rreth 2 milion dollar, shkoi më kot ashtu si miliona dollarë të tjerë, për shkak të vullnetit të munguar të palës shqiptare, për të bashkëpunuar me specialistë të huaj.
Sot në Shkozet dhe në Porto Romano, kanë mbetur ende rrënojat e objekteve të prodhimit të kimikateve, kurse nga godina tek lagjja nr. 1, pranë shëtitores “Taulantia”, nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Pas viteve 1995. vendi ynë importon të gjitha llojet e kimikateve, pasi Uzina Kimike në Porto-Romano, u rrënua plotësisht duke mos mundur të mbajë efektive as linjën e prodhimit të fikseve të zjarrit.
Linjat e kimikes
NISH (Ndërmarrja Industriale Shtetërore) e Kimikes, është hapur në vitet ’30-të të shekullit të kaluar, në Shkozet të Durrësit, nga investitorë italianë. Pikësëpari impianti i thjeshtë, prodhonte oksigjen për nevojat e asaj industrie shumë të vogël si dhe për shërbimet spitalore. Italianët, duke përfituar edhe nga afërsi me Durrësin, në atë periudhë, shfaqën interesim në drejtim të ngritjes së industrisë në këtë qytet, që gjendej diku rreth 80 milje larg, nga brigjet italiane. Ata, në bashkëpunim me tregtarë vendës, ndërtuan në Shkozet impiantin e parë të oksigjenit, për të vazhduar linjën në një godinë në lagjen nr. 1 të qytetit dhe një të tretë në Porto Romano.
Pas viteve 1950-të, bërthama e kësaj punishte në Shkozet, me një teknologji të kohës, ishte Xhevdet Laze. Për disa vite punishtja funksiononte në përbërje të Ndërmarrjes së Ujërave, nga e cila u nda në vitet 1952. Pikërisht në këtë, kohë Laze sajoi edhe një fabrikë tjetër oksigjeni në Shkozet. U bashkuan në të njëjtën godinë, impianti italian dhe ai që u ndërtua nga Laze, duke ruajtur vetëm linjën e oksigjenit. Laze ishte specialist i njohur asokohe, jo vetëm në Durrës. Në moshën 24-vjeçare, u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë, ndërsa u bë pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga diktatori Enver Hoxha, në vizitën e tij në Moskë për takimin me Stalinin.
Tek një godinë e vogël në “Vollga”, pranë vendit ku sot janë pishinat, u ngrit reparti i prodhimit të sulfat-aluminit, kimikat që shërbeu si lëndë e parë për fabrikën e letrës, në Kavajë, Lushnje dhe Lezhë. Por sulfati i aluminit, ishte shumë i domosdoshëm edhe për depot e ujit të pijshëm dhe për puset që shërbenin për furnizimin me ujë të banorëve të fshatrave. Sulfati realizonte precipitimin e mbeturinave në fund të depos e të posit, duke mbajtur nën kontroll pastërtinë mekanike të ujit. Lënda e parë ishte kaolinë, që merrej në Korpulth të Pukës dhe përzihej me acid e ujë.
Fabrikat e kimikes në Durrës, prodhonin edhe lëndë e kripëra të tjerë, si dhe esenca të bojërave të ndryshme për ngjyrosje. Madje, pati një repart më vete, për bojën anelinë për ngjyrosje, repart tjetër për bikromatin, squfurin, sulfatin e aluminit, lindanin dhe pesticide të tjera. Madje në fillimet e saj, tek Ndërmarrja e Kimikes, paketohej edhe një ilaç X, për larje rrobash, lëndë që vinte nga importi e, paketohej në sasi më të vogla në Durrës. Impianti i Shkozetit, është cilësuar në atë kohë nga kryeministri Mehmet Shehu; “themelues i industrisë kimike shqiptare”. Zgjerimi i tij erdhi hap pas hapi. Oksigjeni i duhej shumë industrisë dhe shëndetësisë.
Rreth viteve 1960-të, një i tillë, por jo për prodhimin e oksigjenit, u hap në Porto Romano. Atje kishte disa objekte të ndërtuara nga italianët. Krahas objekteve për fabrikën, u ndërtuan edhe godina dykatëshe banimi 3+1, për punonjësit. Gjatë kohës së investimeve italiane në Durrës, në Porto-Romano u hap një fabrikë e lëkurëve. Investitorët qenë kujdesur për t’u ndërtuar punëtorëve banesa familjare, kuzhinë, dyqane dhe infrastrukturë të përshtatshme për kohën. Bikarbonati, ishte lënda e parë për të regjur lëkurën, ndaj u përgatit edhe impianti përkatës.
Vendi ynë ishte shumë i pasur në nëntokë dhe kromi, lënda e parë për të prodhuar bikromatin, gjendej gjithandej. Por bikromati, për shkak të mungesës së teknologjisë, importohej me 1500 dollarë për ton. Specialistët e Kimikes në Porto-Romano, nisën të mendojnë për të prodhuar vetë këtë kimikat të rëndësishëm dhe me shumë vlerë, në tregun botëror. Përzierja e kromit, sodës së Vlorës, acidit sulfurik të Laçit dhe gurit gëlqeror nga Gomsiqe e Pukës, në kushte industrial, e bënin lehtësisht të mundur prodhimin e bikromatit. Por teknologjia në Porto-Romano qe shumë primitive, pasi furra e pjekjes së kromit, ngjante me atë të pjekjes së tavave.
Kromi që të piqej donte jo më pak se 1100 gradë, ndryshe nuk ndodhte oksidimi, proçesi që e kthente atë nga 3 në 6 valent. Por temperatura e pjekjes matej me sy dhe kjo e vështirësonte shumë prodhimin e një kimikati cilësor. Matja me sy, bëhej nga specialistë me shumë përvojë. Ata duhet të ruheshin e të tregonin në mënyrën më maksimale, intuitë e dëshmi të aftësive të rralla profesionale, pasi kalimi i kësaj temperature, bënte që të ndodhte proçesi i kundërt. Masivi, llava e kromit merrte një ngjyrë të veçantë dhe vërehej me shumë vëmendje e përgjegjësi. Por ky lloj vrojtimi, nuk ishte cilësor.
Me kalimin e kohës dhe rritjes së nevojës për bikromat, u gjet një pajisje për të matur temperaturën e proçesit të pjekjes. Fabrika siguroi një pirometër, që maste me saktësi temperaturën me anë të një gypi. Gjatë proçesit teknologjik, duhej acitifik i solucionit dhe PH, kërkohej të shkonte në 3.8. Kjo qe një tjetër vështirësi matjeje, pasi letra lakmuese, ka shkallëzime të plota dhe nuk kapte fraksionet. Pra lakmuesi maste 2, 3, 4,… dhe jo 2.10, 2.20, 2.30. Pastërtia e prodhimit ishte rreth 40 %, shifër e ulët dhe krejt e papërshtatshme, për tregun e huaj.
Këmbëngulja e specialistëve bëri të mundur të gjendej një solucion që maste PH, duke kapur çdo fraksion dhe kjo e rriti cilësinë, duke e çuar atë në nivelin botëror. Palush Bozo, ishte specialisti që i dha shtytje këtij proçesi, duke e bërë kripën e bikromatit, të kërkuar në tregun e jashtëm. Por prodhimi vazhdonte të ishte aq i ulët, saqë nuk plotësonte kërkesat e vendit. Deri para kësaj gjetje, kimikati përdorej për gjeologjinë, sondat e të cilave ndryshkeshin e dëmtoheshin, në toka bazike. Ky kimikat, u përdor edhe në industrinë e lëkurës, por në të dy rastet, me fare pak leverdi.
Nga ana tjetër, po për shkak të teknologjisë së vjetruar të kohës, fabrika nxirrte si të pavlerë shumë nënprodukte. Kimikja në Porto-Romano, prodhonte edhe kimikate për bojë, por bojërat me bazë të ndryshme, nuk ishin cilësore. Bojërat kanë pretendim ndaj dritës dhe ujit. Rënia në kontakt me ujin e dritën, e zbardhte, e çngjyroste materialin, e shpëlante atë. Edhe bojërat, lëndë të parë për t’u prodhuar kanë kromin, pasi në saj të tij boja ruante ngjyrën dhe merrte shkëlqim shumë të mirë. Pikërisht këtë material fabrika e hidhte si mbeturinë, vetëm sepse nuk kishte proçesin teknologjik.
Por kjo mbeturinë jashtë vendit, kushtonte 3000 dollarë për ton. Kjo shtyu inxhinierët dhe specialistët në fabrikë, të mendonin për ta përpunuar këtë mbeturinë, si dhe për të shtuar sasinë e prodhimit të bikromatit. Deri në vitet 1960, në Kimiken e Porto- Romanos prodhohej deri në 40 ton kimikat i tillë në vit, ndërsa industria dhe ekonomia shqiptare, kishte nevojë për më shumë se 250 ton në vit. Në sajë të novatorizmit të specialistëve, u bë e mundur që të ndërtohej një tip i ri furre, për pjekje.
Proçesi teknologjik konsistonte në montimin e dy tubave të gjatë, të cilat rrotulloheshin nga një ingranazh, ndërsa tubat kishin edhe pendencë. Nga njëra anë futej materiali, kurse në krahun tjetër, futej flaka për ta pjekur. Këta specialistë kërkonin që krahët, tubat të ishin 25 m. të gjatë, ndërsa drejtuesit skeptikë. e miratuan projektin duke ia shkurtuar krahët në 12 metër. Ndonëse specialistët nuk ishin të kënaqur me këtë lloj “lëshimi”, ata e ndërtuan nyjen dhe me anë të kësaj gjetjeje të veçantë. 3-fishuan prodhimin e bikromatit duke e çuar në 120 ton në vit.
Impianti i lindanit
Qeveria shqiptare ka shpenzuar një lum me dollar. për të ndërtuar impiantin e prodhimit të lindanit. Në fillim, ky kimikat nisi të prodhohej në Shkozet, tek reparti që u ndërtua nga italianët. Impianti kishte tuba inoksi dhe kazanë të emaluar. Mulliri i blojës, ishte prodhuar në Gjermaninë Perëndimore, filtopresa në Itali dhe centrifuga në Japoni. Por linja nuk qe cilësore, pasi nuk u mbyll qarku i prodhimit, sipas teknologjisë së kërkuar. Prodhimi qe i pakët dhe me shumë probleme në linjë.
Kjo bëri që të këmbëngulej për një repart të ri për lindanin dhe u zgjodh Porto-Romano, atje ku disa vite më vonë do të ndërtohej fabrika e uzina me një gamë të gjerë repartesh e linjash. Në Shkozet, nuk funksionoi thuajse fare hallka e prodhimit, ndonëse u shpenzuar mijëra dollarë dhe për të bërë një provë të dytë, u vendos që linja të transferohej në veri të Durrësit. U kryen shumë prova, por të gjitha dolën thuajse pa sukses. Lindani, kishte teknologji shumë delikate.
Vetëm katër shtete në të gjithë botën prodhonin linden, ndaj vendi ynë do e kishte shumë të vështirë, madje të pamundur të qëndronte në këtë listë. Bota i ndërtonte këto impiante në zona periferike, të thella, të pabanuara, pasi çlironin ndotje, helme, gazra dhe kishin ndikim negativ në tokë, tek bimët, kafshët dhe njerëzit. Impianti iu mor çekëve, të cilët e hoqën, pasi teknologjia shkaktonte ndotje. Specialisti çek, një ndër inxhinierët më të mirë të fushës, i cili e vizitoi nga afër këtë linjë, kërkoi që pala shqiptare, ta mbyllte sa më parë repartin. Sipas tij, teknologjia për lindanin, ishte e ndërlikuar dhe e pamundur për t’u realizuar në Durrës, me ato kushte që ishin në atë kohë.
Centrifuga japoneze e impiantit ishte prej inoksi dhe kushtonte shumë shtrenjtë, 2 mijë dollarë. Lindani duke qenë agresiv i njohur dhe i prodhuar me një teknologji jo të standarteve të kërkuara, e dëmtonte këtë pajisje. Një herë në gjashtë muaj, Kimikja detyrohej të blinte centrifugën, duke shpenzuar 4 mijë dollarë në vit, vetëm për këtë pajisje. Çekia e kishte hequr atë për shkak se kishte nisur revolucionin ekologjik, ndërsa linja u vendos në periferi të Durrësit, në një terren të hapur dhe krejt të pambrojtur. Kështu në ditë me erë nga veriu, qyteti ndotej nga era e keqe dhe pluhuri i këtij helmi, që ishte kancerogjen.
Shpenzimet e mëdha për ta mbajtur këtë linjë, nxitën disa specialistë të mendojnë për të zgjatur jetën e centrifugës. Luan Struma, e veshi centrifugën nga brenda, duke bërë që kjo pajisje nga gjashtë muaj, të jetonte tre vite, duke i kursyer ndërmarrjes shuma të mëdha. Struma “u shpërblye” me një fletë- kampi, në plazhin e qytetit të tij dhe me një fletë-lavdërimi. Por fabrika e prodhimit të lindanit, nuk pati asnjë lloj suksesi. Miliona dollarë të shpenzuar, nuk e futën dot prodhimin në proçesin teknologjik modern, ndërsa lindani u dergj në natyrë, duke rrezikuar jetën e banorëve të zones, si dhe duke ndotur ajrin, tokën dhe ujërat nëntokësore.
Fikëset e zjarrit
Në Kimiken e Porto-Romanos, janë prodhuar edhe fikëse zjarri. Ky lloj proçesi u bë i mundur, shumë vite pasi qe ndërtuar fabrika. Ka qenë ndërhyrja e Hekuran Isait, ministër i Brendshëm në atë kohë, që i dha shtysë mendimit të specialistëve. Deri në atë kohë, fikëset importoheshin dhe kjo e rëndonte buxhetin e Ministrisë së Brendshme. Ndaj u pa e arsyeshme të diskutohej ndërtimi i tyre, në Kimiken e Durrësit. Specialisti kimist Shkëlqim Kokomani, e mori përsipër të përgatiste repartin e fikëses. Fillimisht u konsultua me një katalog që vinte nga jashtë dhe më pas siguroi të gjitha materialet e duhura. Fikësja konsistonte tek përgatitja e shkumës, që duhet të shërbejë për të izoluar flakën. Kjo ishte edhe pjesa më delikate e teknologjisë së prodhimit.
Kokomani u interesua në Ndërmarrjen Ushqimore, për të mësuar se ku gjendej lënda që shërbente si shkumë tek pastat, të cilat e mbanin atë edhe për një muaj pa u tretur. Ai mësoi se shkuma prodhohej nga një bimë e quajtur çuen dhe që rritej në sasi të mëdha në Ersekë, pa qenë e nevojshme të kultivohej. Bima kishte diametër sa një laps, me rrënjë jo të thella, ndërsa nuk ishte helmuese. Pasi grumbullohej e pastrohej, futej në furrat e pjekjes dhe masivi i zbutur bëhej shkumë.
Specialistët në Kimiken e Porto-Romanos, prodhuan kështu shtatë lloj fikësesh. Këtë mjet e kishin të nevojshme kombinatet, punishtet, administratat, zyrat, shkollat, spitalet, autokombajnat, automjetet, autobusët dhe çdo shtëpi. Pra tregu ishte i gjerë dhe me shumë leverdi. Në Porto-Romano prodhoheshin fikëse, që nuk e përçonin rrymën elektrike, fikës i thatë, me pluhur dhe me solucion. Pra, përveç bikromatit, sulfatit të aluminit, lindanit, squfurit, bojërave, pesticideve të ndryshme, në Porto-Romano u prodhuan edhe fikëset.
Incidentet
Në vitin 1967, në repartin e prodhimit të fishekzjarreve ndodhi një incident i rëndë. Përgjegjës reparti në këtë punishte të vogël, ishte Hajdar Ferra. Pjesa më e madhe e të punësuarve ishin gra, të cilat nuk kishin ndonjë përgatitje, kualifikim të veçantë edhe pse reparti ishte shumë delikat, pasi punohej me barut. Incidenti ndodhi si pasojë e shpërthimit të barutit të thatë, nga pakujdesia e treguar gjatë proçesit teknologjik. Shumë gra morën lëndime të rënda, ndërsa gjashtë prej tyre, nuk mundën t’i shpëtonin vdekjes. Ngjarja alarmoi të gjitha strukturat e shtetit dhe qeveria vendosi të ndërpresë prodhimin e fishkezjarreve, linjë e cila nuk ka funksionuar më që nga ajo kohë, duke bërë që ky lloj artikulli të importohej.
Pak kohë pas këtij incidenti, një tjetër ngjarje e rëndë do të ndodhte dhe pikërisht në një nga magazinat e punishtes së Kimikes, aty ku humbën jetën gjashtë gra. Man Kadiu dhe Iliaz Kolari, njëri mekanik e tjetri saldator, u bënë shkaktarë të këtij incidenti. Në njërën nga kthinat e objektit ku përgatiteshin fishekzjarre, ishte depozituar e gjithë sasia e barutit. Dhoma qe e mbyllur. Dritaret gjithashtu qenë thuajse të izoluara, për të mos lënë dritën të futej brenda, ndërsa ishte urdhëruar që askush të mos lejohej për t’u futur në atë magazinë.
Mekaniku e saldatori e thyen këtë urdhër, duke u përballur me një fatkeqësi të madhe. Ata kërkonin një karton dhe për ta gjetur u futën nga dritarja e dhomës ku mbahej baruti. Pasi morën një copë të tillë, u kthyen për të marrë edhe një pjesë tjetër, veprim që ishte fatal për jetën e Kadiut, ndërsa presioni i shkaktuar gjatë shpërthimit të barutit e goditi Iliaz Kolarin, duke e përplasur në anën tjetër. Ai ra në një gropë gëlqereje dhe pas shumë kohësh gjendja e tij shëndetësore u përmirësua.
Kushtet e punës
Fabrika, e cila në vitet 1988, u transformua në një kombinat të madh, numëronte rreth 1.200 të punësuar, aq sa kishte Plastika në Shkozet. Kushtet e punës ishin shumë të këqia, ndërsa edhe vet godina, ishte e papërshtatshme. Atje mungonte ajrimi, proçesi ndodhte thuajse në natyrë, veshjet ishin të papërshtatshme, ushqimi i keq dhe i pakët. Punëtorëve u jepeshin çizme, doreza, kapelë e xhup, një herë në vit dhe 0.5 litër qumësht pluhur të tretur, në ditë. Por era e keqe, temperatura e lartë, materiali shumë i dobët i rrobave të punës dhe mungesa e ajrosjes, e bënin edhe më të vështirë punën, ndërsa punëtorët u prekën nga një sërë sëmundjesh.
Organet e frymëmarrjes, ato të tretjes, lëkura, sytë dhe mushkëritë, ndëshkoheshin ditë pas dite nga kimikatet. Kjo rriti numrin e personave që kërkonin ndihmë mjekësore, si dhe të mjaft personave që largoheshin nga frontet e punës në Kimike, në pamundësi për ta përballuar. Gratë në fabrikën e Kimikes në Porto-Romano, punonin me 2 e 3 turne. Një pjesë shërbenin edhe tek furra e oksidimit të kromit. Termperatura ishte shumë e lartë dhe kjo përhapej gjithandej për shkak se teknologjia ishte e prapambetur.
Për të dalluar gratë që punonin në Kimike, nuk ishte shumë e vështirë, pasi përgjithësisht ato kishin hundët e shpuara, sikur të kishin futur bizën, për të vënë vathë. Kjo ndodhte me ato gra, që shërbenin pikërisht tek furra. Duke punuar edhe turni i tretë, pas mesnate, ato shtriheshin me rradhë pranë furrës dhe ashtu i zinte gjumi. Për shkak të llojit të proçesit, gjatë frymëmarrjes, ato thithnin edhe gazrat. Këto të fundit kishin veti shpuese, duke i dëmtuar ato tek hundët.
Vizitat në Kimike
Kimikja e Durrësit, është vizituar nga disa delegacione të vendeve mike me Shqipërinë. Një prej tyre, ishte delegacioni hungarez. Ai kishin mbërritur në vendin tonë, në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjeve për shkëmbime tregtare. Pala shqiptare u kërkoi hungarezëve, të afronin për industrinë vendëse bikromat, të prodhuar në Hungari. E gjithë sasia për nevojat e industrisë shqiptare, importohej asokohe. Delegacioni i huaj i bëri të ditur autoriteteve shqiptare, se ata ishin bërë gati t’ia kërkonin Shqipërisë këtë ndihmë, duke u justifikuar me faktin se Shqipëria, kishte sasi shumë të mëdha kromi. Ata mendonin se vendi ynë, kishte bërë përpara në teknologjinë e përpunimit të kromit. Biseda me hungarezët do të shërbente për specialistët, si një tjetër mundësi për të ndërhyrë në përmirësimin e proçesit teknologjik.
Në vitin 1976, Hysni Kapo, asokohe sekretar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, u ul për të biseduar me specialistët dhe drejtuesit e Kimikes në Porto-Romano. Çështja kryesore ishte rritja e kapacitetit prodhues të bikromatit, kimikatit të kërkuar shumë në tregun botëror dhe me leverdi të madhe ekonomike. Ishin dy oferta të bëra nga të huajit. Njëra vinte nga Italia, e cila afronte ndërtimin e një impianti modern për kohën, që do të prodhonte 10 mijë ton në vit. Tjetra vinte nga Rumania, e cila afronte një linjë të tillë, por me prodhim vjetor, deri në 3 mijë ton.
Specialistët kërkuan që qeveria shqiptare, të shikonte mundësinë për të investuar në instalimin e teknologjisë italiane ,duke e bërë vendin një nga eksportuesit më të rëndësishëm në Evropë dhe më gjerë. Impianti italian, veç prodhimit të bikromatit, do të përpunonte edhe atë pjesë të madhe materiali që hidhej si mbeturinë, ngase vendi ynë nuk kishte mundësi përpunimi. Kjo e shtoi edhe më shumë interesimin e specialistëve, të cilët prisnin t’i jepnin zgjidhje afatgjatë, përpunimit të këtyre lëndëve.
Në sajë të një përllogaritjeve, impianti do ta shlyente vlerën e investimit fillestar, për një periudhë jo më të gjatë se një vit e gjysëm. Specialistët tregojnë se Hysni Kapo, pasi mësoi se për të instaluar këtë impiant Italian, duheshin rreth 3 milion dollarë, nuk e vijoi më tej bisedën, edhe pse eksporti i bikromatit, do i sillte miliona dollarë fitim vendit. Pikërisht mungesa e një largpamësie të tillë, bëri që ky impiant të mos vinte kurrë në Shqipëri, duke e lënë kështu Kimiken e Porto- Romanos, me një teknologji shumë të prapambetur. Memorie.al
Marrë nga durreslajm.al