Nga Julia GJIKA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në shkurt të vitit 2011, një shqiptar mik i familjes sonë, zoti Evgjen Merlika, më dërgoi një fletë të gazetës “New York Times”, në të cilën ishte fotografuar vajza e tij Edira, në daljen nga sfilata e firmës “Ralph Lauren”, për të cilën ajo punon. Fotografi ishte Bill Cunningham, 82-vjeçari reporter më i njohur i kësaj gazete. Mu mbush zemra me gëzim, për faktin që një vajzë e re shqiptare, tërhoqi vëmendjen e tij e, akoma më tepër më lindi kurioziteti të di diçka më tepër për këtë vajzë, për të cilën pata lexuar disa rrjeshta, në kujtimet e babait në librin e botuar në Shqipëri, “Një jetë në diktaturë”. Nëpërmjet babait u lidha me Edirën e zbulova, që ajo punon si menaxhere në fushën e modës, që në vitin 2000, pasi u laureua në Universitetin ‘Bocconi’, në Milano.
Deri tani që shkruhemi bashkë, çfarë shihni si suksesin tuaj më të madh, në punë, në jetë?
-Suksesi im më i madh është familja ime, e sidomos djali, dhurata e Zotit. Në fushën e punës, besoj se ka qenë sukses të arrij të depërtoj me nder e punë serioze, në ambiente që janë zakonisht, shumë të mbyllura e snobiste. Për më tepër, duke qenë shqiptare, e duke kujtuar sa i keq ishte opinioni për shqiptarët, në vitet që un fillova punën n’Itali.
Kam arritur të kem çaste të bukura, si ditën që ‘Valentino’ vuri në sfilatë fustanin që kërkova un, kur takova Ralph Lauren për herë të parë, kur princesha Rosario e Bullgarisë, zgjidhte veshjet me mua ose, kur prita princeshën Mary të Danimarkës, në showroom. Sa i përket punës, jam e lumtur, sepse të gjithë ish- eprorët e mi, do të donin të punonim përsëri bashkë, e kemi lidhje të fortë.
Shqetësoheni kur punët nuk u shkojnë, ashtu si ju i projektoni?
-Pak po, por pastaj e mbledh veten, e kërkoj të kuptoj shkakun. Kur kupton shkakun, shpesh ke në dorë zgjidhjen e problemeve.
A kini sakrifikuar ndonjëherë?
-Sigurisht dhe kjo më ka bërë më të fortë. Sakrifica është shkollë jete. Kur jetonim në Latina, ndihmoja prindërit, gjatë fundjavës, në pastrimin e zyrave. Puna e ndershme, ka pasur gjithmonë një vend të rëndësishëm, në edukimin tonë.
Gjatë universitetit, jetoja me shumë pak para, si shumë studente, pra nuk mund të arrija të bleja shumë gjëra, edhe ushqime për të ngrënë, por mendoja gjithmonë, se çfarë nuk mund t’a bleja kur studioja, do ta bleja kur të punoja.
Kur u vendosët në qytetin Latina, si ju pritën italianët, çfarë ndihme konkrete patët?
-Kur ikëm nga Shqipëria shkuam në Itali, ku na priti vëllai i gjyshit tim, d.m.th., djali i Mustafa Merlikës, që kishte ikur për arsye shëndetësore jashtë Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai dhe bashkëshortja e tij na pritën në Latina, ku jetonin prej vitesh.
Unë ika vetëm me gjyshen, kurse pjesa tjetër e familjes, erdhi një vit më vonë. Italianët qenë të dashur me ne, sidomos njerëzit e kishës, e pastaj ata që u bënë shokë të prindërve të mi. Për mua viti i parë ishte traumatik. Programet e shkollës ishin shumë të vështira.
Unë vija nga një botë tjetër, nuk kisha studiuar letërsi italiane, anglishten, greqishten e vjetër apo, latinishten. Të tjerët disa nga këto lëndë, i kishin bërë më përpara. Ditën e parë që më panë, mbetën të çuditur sepse, prisnin një zezake (nuk kishin dëgjuar kurrë për Shqipërinë, mendonin se ishte shtet në Afrikë).
Kur dëgjuan që unë nuk kisha bërë ato lëndë, filluan të qeshnin, të bindur se nuk do t’ia delja dot. Por si thotë Alfieri; desha, gjithmonë desha, desha me shumë forcë, e kështu, pas 5 vjetësh, mbarova shkollën me notat më të larta, shumë më mirë se gjithë ata, që qeshnin me mua. Shqipja më ndihmoi shumë, për greqishten e latinishten. Gjyshja më ndenji afër, e studioi me mua çdo ditë, vëllai i gjyshit, më ndihmoi me anglishten.
Mësuesit habiteshin se si një shqiptare, mund të përkthente nga latinishtja pa fjalor, më mirë se italianët, që e kanë praktikisht gjuhën e tyre e, se si mund të njihja disa autorë të huaj, më mirë se mësuesja ime e letërsisë.
Si ka ndihmuar trashëgimia kulturore? Çfarë vlerësoni nga kultura e popullit shqiptar, nga Kruja e të parëve, pastaj nga Milano?
-Kureshtja është një nga elementët kryesorë që, besoj, se më kanë bërë të eci përpara. Këmbëngulja e puna, pa u kursyer kurrë, pa e dhënë veten për të lodhur, kanë gjithashtu pjesën e vet. Nuk e di nëse këto mund të jenë cilësi të një populli, apo më tepër vetjake.
Fatkeqësisht, qytetin e Krujës, për të cilin kaq herë pata dëgjuar të flitej, e pashë vetëm pak kohë para se të largohesha nga Shqipëria, e ndjenja që më lindi, qe më tepër emocioni, për faktin se po shihja ku kanë lindur e janë rritur stërgjyshi e stërgjyshja, për historinë e jetës së tyre, të lidhur me këtë qytet, jo të jetës sime.
Milano, ashtu si Parisi, Londra, Gjeneva, Stambolli, Roma, Madridi, Barcelona, Moska, St. Peterburgu, Athina, New York, etj., qenë për mua zbulimet që pata fatin të bënja. Këta qytete më mësuan sa i rëndësishme është qytetërimi e, ku arrijnë popujt që kanë pasur fatin të jenë djepa kulture.
Kultura përkthehet në dashuri për vendin, pra në arkitekturë e të gjitha artet vizive, në respekt për njeriun e, gjithçka lidhet me mënyrën për t’a bërë jetën sa më të këndshme e të bukur, duke ngritur vlerat e mirëqenies e të shpirtit.
Qyteti im i preferuar është Parisi. Magjia e ‘Place Vendome’ në orën tre të natës, kur është e vetmuar e pa njeri, më ka shoqëruar për vite, kur kthehesha nga zyra në hotel, gjatë javëve që punoja në Paris. Mund të vazhdoj me një listë të gjatë. Londra është një tjetër mrekulli.
Herën e parë që shkova isha 20 vjeçe, e vendi i parë ku shkova, qe muzeumi ‘Victoria e Albert’, për të parë seksionin e kostumeve. Sa herë që mundem, kudo të jem, vrapoj në muzeumet, për të parë kostumet, artin, historinë.
Akoma nuk kam pasur rastin të shoh Muzeun Etnografik të Tiranës, por njoh kostumet tona kombëtare. Janë një pjesë e rëndësishme e traditës, që duhet të mirëmbajmë e vlerësojmë. Më vjen keq që Shqipëria, në vrapimin drejt “modernizimit”, harroi të mbrojë si duhet traditën e saj historike dhe arkitekturën. Duke parë disa nga qytetet tona, duket sikur jemi pa rrënjë.
Ç’ keni dëgjuar prej prindërve, për rrënjët tuaja familjare?
-Prindërit kanë qenë gjithmonë shumë të kujdesshëm me ne fëmijët, përsa i përket historisë së kaluar familjare. Në fillim, kur sapo fillova të kuptoj, vura re se në kopsht, na flisnin për historinë e vendit, në mënyrë krejtësisht të ndryshme nga çfarë dëgjoja në shtëpi.
Pak nga pak, pas arrestimit të babit, e kuptova që e vërteta ishte ajo që dëgjoja në shtëpi e unë, si fëmijë, duhej t’a mbaja të ndrydhur atë të vërtetë e, të mos flisja për të me askënd jashtë familjes.
Jashtë shtëpisë përjetohej adhurimi për komunizmin, brenda saj urrejtja për të. Sa më tepër rritesha, aq më interesante ishte të dëgjoja historinë e familjes sonë e të miqve të saj, nga goja e gjyshes e gjyshit apo, e miqve.
Sa herë që ata flisnin, unë strukesha mbi divan, për të mos humbur as edhe një fjalë. Ishte një histori e mbushur me dinjitet, dashuri për kombin, për kulturën, ndershmëri, respekt, sakrifica. Sa e ndryshme ishte jeta për të cilën ata flisnin para burgim-internimeve, nga ajo që jetonim ne!
Vitet e vështira në internim, besoj kanë pasur edhe momente gëzimi?
-Gëzimi më i madh ishte harmonia e pamasë që zotëronte në shtëpi. Gjyshja, gjyshi, babi, mami, un, motra dhe vëllai, ishim 7 vetë, që formonin një familje të përsosur, pa zënie, pa mërí, vetëm dashuri e zemërgjerësi, ndaj njëri tjetrit. Kjo ka qenë mburoja që na mbronte nga klima e tmerrshme e luftës së regjimit komunist, kundrejt nesh.
Pra edhe për ju në ato vite aq të vështira, paska pasur një hektar qiell, ditë me paqe qiellore?!
-Disa çaste mbetën në mëndje si mrekullira të Zotit për ne: kthimi i babit nga burgu dhe lindja e vëllait, së bashku me vdekjen e Enver Hoxhës. Si mund të harroj çastin e parë kur pashë detin, në moshën 10 vjeçare?!
Sa herë që mblidheshim me dajat ose, familjen e xhaxhit të babit, ishte festë. (Nuk ndodhte që të afërmit e tjerë të vinin shpesh, sepse kishin frikë). Për të mos folur për ditën kur e lashë Shqipërinë, për të ardhur në Itali, në shtator 1990.
A mund të më tregoni ndonjë moment nga më të dhembshurit, ose më të shëmtuarit, që u ka mbetur në mëndje?
-Me momentet e trishtuara, lista do të bëhej tepër e gjatë. I pari çast, ishte ai kur arrestuan babin. Isha shumë e lidhur me të e kur e morën, e nuk kthehej më në shtëpi, besoj se kam përjetuar një nga traumat e para të jetës. Pastaj shpërngulja në Grabjan, në një mbas dite tetori, sipër rimorkios së një kamioni dhe stërgjyshja e ulur mbi një stol, me fytyrë të trishtuar.
Sëmundja e motrës, menjëherë pas arrestimit të babit, që e detyronte nënën të shkonte në këmbë, deri në spitalin e Lushnjes, (distanca me qytetin, ishte 18 km.) për të ndenjur afër fëmijës së saj motake. Kujtoj me dhimbje ditën që e sollëm në shtëpi Elenën (ky është emri i motrës sime të vogël, me emrin e së cilës, prindërit përjetësuan gjyshe Elenën). Kishte harruar si të shtrihej në shtrat, e vetëm thërriste mamin e vet.
Më ka mbetur në kujtesë dita, kur na erdhi në kamp lajmi i vdekjes së nënës së gjyshe Elenës në Itali, e pas 6 muajsh, lajmi tjetër, ai i vdekjes së vëllait të kësaj gjysheje të paharrueshme. Akoma i kam në vesh rënkimet e saj, kur kuptoi që tashmë të dashurit e vet në Itali, nuk jetonin më. Ishte përshëndetur për të fundit herë me ta në vitin 1943, kur ishte 23 vjeçe, e kishin kaluar plot 38 vite pa i parë, e pa u dëgjuar zërin.
Çaste të hidhura ka pasur gjithashtu, kur në Grabjan, fëmijë të vegjël na ngacmonin mua e motrën, me fjalë kundër familjes e babit tim, që ishte në burg; kur na tërhiqnin flokët, na shanin, na fyenin e na pështynin, vetëm për të na poshtëruar. Un isha vetëm 6 vjeçe, motra ime Elena, 4.
Mbaj mënd se një ditë, mbas disa vitesh që ishim në Grabjan, u ktheva në shtëpi duke qarë me dënesë, sepse një djalë, bir i një familjeje komuniste, nga të parat e fshatit, më kishte ndalur e më kishte thënë fjalë të tmerrshme, për mua e familjen…!
Atëherë nëna më tha: “Kur ti qan, i bën ata të lumtur, mëso të mos qash”! Një tjetër herë, po i njëjti djalë, më ndali para një pallati, kur po shkoja tek mësuesi im, herët në mëngjes, të merrja çelësat për të hapur klasën për pastrimin. M’u kujtuan fjalët e nënës, shtrëngova dhëmbët dhe eca para për të treguar se nuk isha trembur. Ai ma bllokoi rrugën, duke nxjerrë këmbën para meje.
Unë e pashë në sy e, nuk di se si e gjeta forcën, për t’i dhënë një shqelm e, për t’i a mbathur vrapit. Që atëherë nuk më ngacmoi më. Edhe të tjera herë më është dashur, të fitoj respekt duke përdorur forcën time. Shpesh herë e pyesja veten: “Pse këta njerëz gjenin kënaqësi, kur silleshin aq ashpër e poshtërsisht ndaj nesh. Ndaj njerëzve që nuk u kishim bërë asnjë të keqe”?
Nuk dua t’u kujtoj kohët e vështira që keni kaluar në fëmijërinë tuaj, por mendoj se është edukative për lexuesit të dihen se si i keni kapërcyer disa momente të vështira. Kam dëgjuar se gjyshja juaj Elena, lutej për të gjithë ju. Ç’kujtoni ju, nga kjo gjyshe heroinë, nga babai juaj i paepur, nga nëna juaj e sakrifikuar?
-Gjyshja ime lutej shumë. Lutja ishte e vetmja armë që i kishte mbetur. Feja e besimi i saj i madh, mendoj që e kanë mbajtur gjallë, në ato vite të vështira. Shpesh herë, kur ishte vetëm, (ajo besonte se ishte vetëm, por unë e strukur aty e dëgjoja), ajo fliste me nënën e vëllain e vet, sikur ata të ishin afër saj.
Kujtimet për gjyshen janë shumë, e ndoshta, një ditë do të kem kohë, të shkruaj diçka për të. Ajo ishte tepër e ndryshme, nga shoqëria në të cilën jetonim. Më kujtohet se me sa edukatë e respekt sillej, me çdo njeri që takonte. Kur shkonim tek radha e çezmës, për të mbushur ujë, përshëndeste e, kur fliste me gratë e tjera, i quante ato zonja.
Nuk i harroj dot fytyrat e këtyre grave, që nuk kishin dëgjuar kurrë të quheshin zonja, por vetëm shoqe. Ka shumë episode të tjera, që do t’i mbaj për librin tim, disa që ishin shumë qesharake, por të gjitha tregojnë që gjyshja ime, vinte nga një botë tjetër, e çfarëdo që ajo bënte, kjo gjë dilte në pah.
Ajo e kishte merak të madh edukatën e mbesave, sidomos sjelljen tonë dhe formimin kulturor. Një ditë e dëgjoja që i thoshte gjyshit: “Petrit, po rriten vajzat, e nuk dinë të luajnë në piano”?! I vinte keq që komunistët e ndanë nga pianoja e saj e dashur, po akoma më keq i vinte, që mbesat e saj nuk patën mundësi të mësonin pianon, si ajo.
Babai im gjithashtu, ka qenë e është një person shumë i veçantë. Mësimet e tij, i merrnim drejtpërsëdrejti nga shembulli i tij. Sa dashuri për kulturën në familje! Sa shumë e turpshme, na mësuan, që është injoranca, asgjë nuk e justifikon atë. Babai e kishte shumë të qartë, që leximi ishte dera drejt kulturës, prandaj na nxiste gjithmonë drejt tij.
Biblioteka në shtëpi ishte e madhe, e un mund të lexoja çfarë të doja. Isha 9 vjeçe, kur fillova të lexoja vepra të Hygoit, Stendalit, Kadaresë dhe ‘Komedinë Hyjnore’, me vizatimet e Gustav Dores. Shumë bisedime bëheshin ndërmjet gjyshërve dhe prindërve për tema kulturore, e ne fëmijët, duhej vetëm të dëgjonim. Memorie.al
Marrë nga gazetadielli.com