Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
KREU VI
Përsëri në det, si dikur
Konti Bazi
“Kapidon-o djal’i ri-e merr dylbit’ edhe shiko…”!
…Sapo pata filluar jetën e detit në anijet prej druri, që në krahasim me anijet e kohës, mund t’i krahasoje me anijet e ilirëve. Vetëm një busull manjetike që rrëfente Veriun e vërtetë me 20° gabim, qe e vetmja pajisje lundrimi. Por kapitenët e atyre barkave, qenë ujq deti, shumica ulqinakë dhe dihet se ulqinakët, kanë tradita të lashta detare.
U nisëm nga Shëngjini drejt Sarandës, një ditë nëntori të vitit 1972, me kapitenin ulqinak, Vehbi Luli, një kapiten i moshuar, që si dhe ndonjë tjetër ulqinak, e pat kaluar me kohë moshën e pensionit, por punonte ende në det. Qemë duke kaluar pranë Karaburunit, tek vendi që detarët e quajnë “Shpella e Haxhi Aliut”, kur pashë kapiten Vehbiun, tek derdhte një filxhan vaj ulliri në det, sikur po kryente një ritual pagan.
Qeshi, si i zënë në faj kur e kuptoi që e pashë: – “Ke dëgjuar për piratin Haxhi Aliu, po?! Ka qenë pirat dhe kapiten i zoti shumë… dhe me shpirt të madh, detar i vërtetë…eh, sa histori kallëzohen për të?! Ka qenë traditë ndër anijet shqiptare, sa herë kalonin pranë këtij vendi, me derdhë në det nji shishe vaj ullini, a një shishe venë dhe pak bukë, në kujtim të shpirtit të Haxhi Aliut, që e vranë këtu. Kush e vrau?!
Turku a, greku a, nuk u mur vesh, çka dihet me siguri është se i gjallë nuk ra në dorë të tyre, qe burrë Haxhi Aliu, shqiptar i hershëm…eh, janë humbur boll tradita të mira që patëm dikur, mua më ka mbetur ky zakon, qysh kur lundroja me kapiten Xhemal Bazin, me Kontin Bazi…! Kush është konti Bazi?! Ta kallëzoj vetë, e kam pasë njohur mirë, kam punuar kushedi sa vite me të…! Veç ti, mos i kallëzo kujt, që më pe duke derdhur vaj në det, se më merr në qafë, ashtu, t’pastë baba. Merr shërbimin tani? Hajt pra, shkojmë në timonieri dhe ta kallëzoj historinë e kontit…”!
“Prej Ulqini, në fillim të viteve ’20-të, zbriti në Shkodër e ma vonë në Durrës, një grua me dy bijtë e saj; Xhemalin dhe Muharremin. Daja i djemve, pasanik, merrej me tregti detare dhe kishte dhe një anije të vetën, i mori dy nipat e vet në punë, si detarë në atë anije. Djemtë, si ulqinakë, e kishin detarinë në gjak, daja qe mjaft i kënaqur prej tyre, por shumë koprac, mjaftohej të mbante motrën e vet, nënën e nipave me bukë dhe kaq. Rrallë u jepte ndonjë lek nipave.
Kaluan vite. Daja vendosi të ndërtonte një anije të re në Trieste. Ngarkoi të madhin, Xhemalin, të merrej me mbikëqyrjen e punimeve. Dhe Xhemali i mbikëqyri punimet….si për vete… manovroi nëpërmjet njohjeve, ryshfeteve dhe dokumentet e anijes së re, i bëri të gjitha në emrin e tij, si pronar i anijes. Vitet që pat punuar për llogari të dajës, e patën rritur para kohe, pat mësuar të gjitha hilet e dajës dhe të tregtisë.
Ma parë duhet të them se dy vëllezërit, qenë krejt të ndryshëm nga njëri tjetri: ndërsa Muharremi qe i shtruar, i bindur, pa fjalë, aspak dyshues, duke qenë vetë njeri i ndershëm, kujtonte se edhe të tjerët qenë si ai; Xhemali, qe krejt e kundërta e vëllait; rebel, dyshues në gjithçka, kur thonë qe djegur prej qullit dhe i frynte edhe kosit; i ndershëm me të ndershmin, i pamëshirshëm me të pabesin.
Veç kësaj, Xhemali kujdesej shumë edhe për paraqitjen e tij; ndiqte modën, rruhej çdo ditë, ndiqte me kujdes jetën artistike të qyteteve ku shkonte, zgjidhte me kujdes rrethin shoqëror dhe me mprehtësinë që e karakterizonte, pat arritur të kishte edhe miq me emër të shtresave të larta….! Kështu pra, erdhi dita që anija e re përfundoi së ndërtuari dhe daja u paraqit me një kapiten të ri, sepse pat menduar ta pushonte nga puna nipin kryeneç…! Kam qenë atje atë ditë, si sot më kujtohet, erdh daja me kapadaillëk:
– Xhemal, faleminderit prej teje, ke punuar deri sot për mua, ta di për nder, por kaq qe, ti njeh njerëz boll e, nuk mbetesh pa punë, merr plaçkat e tua dhe largohu qysh tani prej anijes sime’!
Xhemali qeshi nën buzë dhe u përgjigj pa ju dridh hiç qerpiku:
– Gabohesh zotni! Por nuk më thatë, cili jeni ju që pretendoni se jeni pronar i anijes sime?! Unë kam dokumenta që provojnë këto që them, të depozituara tek noteri dhe Kapiteneria e Portit! Ju zotni, mbi ç’baza ngrini këtë pretendim? Oh, ç’më bane me qeshë…. Pronar’!
– Jam daja jot, mor haram e paç bukën time! Të kam nip, mor qen!
– Jooo, nuk më ke trajtuar kurrë si nip, gjakun ma ke pi, mua edhe vëllait tim, prandaj nuk të njoh për dajë! Ke 10 – 15 vite, që s’na ke paguar asnjë rrogë! Turp të kesh! Tani ikë me të mira prej pronës time, se përndryshe do të lajmëroj policinë’!
Kështu u bë pronar i anijes Xhemal Bazi. Nga që pat vuajtur vetë prej dajës-pronar, njerëzit që punonin për të, i trajtonte si njerëz të familjes, rrogat i paguante gjithmonë rregullisht, veç kësaj bënte edhe dhurata për ekuipazhin, me raste festash zyrtare dhe fetare. Dhe fitonte, fitonte më shumë se të tjerët, sepse luante kontrabandën dhe fitimi qe shtuar në prag të Luftës Dytë Botërore. Vazhdonte pasurohej Xhemali, por ama jetën e jetonte deri në fund!
Në det, as jetën e vet s’e kursente për të fituar, asgjë s’e trembte ulqinakun e ri, as moti i keq, as anijet e shpejta policore, që e ndiqnin për ta arrestuar. Në tokë ama, ia luante fenë, si Konti i Montekristos jetonte, për qejf nuk i kursente paret, si konti…! Aaa, shef ti, dolëm te Konti…! Në Trieste Xhemali, pat zënë miqësi me shoferin e kryetarit të Bashkisë së qytetit, të cilin e paguante për të marrë ndonjë informacion që i duhej dhe e përdorte jo rrallë, si shofer personal. Një ditë shoferi i tha:
– Xhimi, këtë të shtunë, jepet ballo e madhe për parinë e qytetit nga Bashkia. Do të jenë edhe plot miq të huaj…!
Xhemalit i ndritën sytë:
– Më siguro një ftesë, se ta shpërblej mirë…!
– Ftesën e siguroj unë, – tha shoferi, – Por si ta shkruajmë, me ç’emër, me ç’titull do të paraqitesh, në ballo do të vinë edhe nga familja Mbretnore Savoja, protokolli ka rëndësi, nuk është ballo bamirësie, ku mund të marrin pjesë edhe marinarë edhe Duka i Aostës në një vend…!
– Ke të drejtë, në listën e të ftuarve dhe në ftesën time do të më shënosh me emrin Konti Bazi, nga Shqipëria, më thuaj sa para të duhen për këto punë dhe për të shtunën, po nuk erdhe vetë, më dërgo një makinë tjetër.
Të shtunën, në orën e caktuar për ballon e mbrëmjes, në pallat u paraqit një djalosh simpatik, me mustaqe të zeza, i veshur me kostum kombëtar shqiptar: me tirq, xhamadan dhe me plis në krye. Te hyrja rojet e ndaluan: – Zotëri? Duhet të jeni pajisur me ftesë, përndryshe nuk mund të hyni, na vjen keq, kështu është rregulli…! Xhemali nxori ftesën. Rojet e nderuan me qëndrim “gatitu”, një nëpunës me uniformë i ngarkuar me paraqitjen e të ftuarve, njoftoi hyrjen e tij me ton ceremonial: – Zotërinj! Na nderon me pjesëmarrjen e tij, Konti Bazi nga Shqipëria”!
…Kapiten Vehbiu ndezi një cigare tjetër dhe vazhdoi: – “La nam Xhemali atë natë, nam la! I pashëm po, i ri po, me kostumin kombëtar pastaj…i la pa mend të gjithë, merr vesh ti! Të gjithë burrat me frak, me papijon, ky shkoi me tirq e xhamadan! Dhe qe në qendër të vëmendjes në atë ballo, ça Kontër e Dukë e Markezë e pekmez, thu ti?! Damat lakmonin të tërhiqnin vëmendjen e Kontit Bazi! Burrat kërkonin të njiheshin me të!
Në ballo merrte pjesë dhe një konteshë e re spanjolle, që i iku mendja për Xhemalin, me zor arriti të vallëzonte një herë me të, u kënaq shumë kur mësoi se Xhemali, qe pronar dhe kapiten anije: “Ua! Si babi im! Edhe babai im është pronar i disa anijeve dhe ka lundruar në të gjithë botën! Ne shumicën e kohës banojmë në Kadiks, ke qenë?! Po? Sa mirë do të jetë, sikur të vish përsëri! Do të më pëlqejë shumë, sikur të takohemi atje! Edhe babait tim, do t’i pëlqente të njiheshit bashkë…”!
Nga njohjet e asaj balloje, njohja me konteshën e re spanjolle la më shumë gjurmë te Xhemali, shkëmbyen adresat dhe përshëndeteshin shpesh me letra të gjata, ose pusulla të shkurtra, shkurt, i pat zënë qymyri të dy, me njëri tjetrin…! Rini, rini hesapi…! Nejse, kaluan ca muaj, do ketë qenë viti ’38 a ’39, Xhemali doli nga porti i Oranit në Algjerinë franceze. Më shumë se gjysmën e mallit të ngarkuar, e kishte kontrabandë, kur del në det të hapur, shikon se po e ndiqte një anije e doganës franceze, shumë më e shpejtë, se anija e Xhemalit.
Keq puna, kishte hall tashti, t’i afrohej sa më shumë Tanxherit, që në ato vite ishte; porto-franko, port i lirë, pa dogana domethënë, kishte dhe plot miq atje…! Kur e pa që s’kishte shpëtim, vendosi të bënte hapin e fundit, të mos e kapnin me presh në dorë, vendosi të mbyste anijen dhe lëshoi sinjalin SOS. E arrestuan Xhemalin. Keq puna. Sado pa fakte, por rrezikonte të hante disa vite burg, vetëm me dyshime. Avokati arriti të siguronte lirimin me kusht, por duheshin para. Para Xhemali me vete s’kishte. Dorëzanë s’kishte kush t’i bëhej atje. Për fat, qe një gazetar i një gazete të madhe spanjolle, që mori lajmin e arrestimit të kontrabandistit të rrezikshëm shqiptar dhe e botoi lajmin në gazetën e tij spanjolle, bashkë me njoftimin që duheshin kaq para, për lirimin e menjëhershëm të tij.
E lexon atë gazetë menjëherë spanjollja e Xhemalit, vrap në bankë, merr gjithë paret që lypeshin, m’e nxjerrë Xhemalin prej burgu dhe të nesërmen gardiani lajmëron Xhemalin, se qe i lirë. Te dera përjashta, e priste kontesha me lot në sy: “Sa nuk më pushoi zemra, kur e mora vesh arrestimin, e shkreta unë… të dua! Tani do të shkojmë në Kadiks, do të martohemi, babi im ka anije plot, mos u mërzit për anijen që humbe!
Xhemali i puthi dorën me mirësjellje, i fshiu lotët asaj dhe me ton të qetë i tha: – ‘Ju jam shumë mirënjohës zonjushe, sjellja juaj ju nderon dhe mua më ka prekur jashtë mase, por më vjen keq, nuk mund të martohem kështu me ju. Më duket sikur po më bleni, me paratë tuaja. Më jepni vetëm dy javë kohë dhe do t’ju kthej borxhin, me gjithë kamat-vonesat. Vetëm dy javë. Do të vi vetë në Kadiks, te ju. Fjalën e nderit. Mirupafshim’.
Eheee, ka patur burra atëherë or çun! Jo lang groshe! Jo legena, si sot! – psherëtiu kapiten Vehbiu dhe vazhdoi: – Kështu pra, si-mbas fjalës, në krye të dy javëve, shkon Xhemali në Kadiks. Lau borxhin. Edhe i thotë konteshës: – ‘A ka mundësi të më presë sot babai juaj? Do të isha i lumtur të njihesha me të…’?! Atë ditë Xhemali i kërkoi dorën e vajzës Kontit. Në krye të muajit u bë dasma…”!
Pa u ndjerë patën kaluar orët e shërbimit dhe në timoneri u fut K.M., që bënte stazhin si kandidat partie. Kapiten Vehbiu, ndërroi menjëherë temë: – “Mos shko majtas! Jepi edhe 5 gradë djathtas! Anija kur ra në det, i tha detarit: më mbro nga toka, të të mbroj nga deti! Ashtu shko…”! Dhe mua më shkeli syrin me domethënien e fshehtë; “ruhu prej këtij”.
Pas nja dy javësh, në fillim dhjetori ’72, sa lashë shërbimin 24 orësh në Portin e Durrësit, e dija se më priste im atë te ish- Bar-Bufe Ylli, si gjithmonë. E gjeta ulur në një tryezë pranë dritares. U përqafuam. “Pres të vijë Hilmi Hoxha. E kam lënë qysh dje. Sa mori vesh që do të vije ti, ‘do vi patjetër, tha’…ja, erdhi…”!
I miri, i paharruari Hilmi, gjithnjë buzagaz: – “E mor Maks? Të paska pri deti! S’paskeni porositur ende”?!
Erdhën kafet dhe fërnetët. Gjeta rastin dhe e pyeta Hilmiun, që ishte si enciklopedi për mua, në gjithçka që kishte të bënte me Durrësin dhe durrsakët…!
– “Ke dëgjuar, kur ishe i ri, të flitej për Kontin Bazi”?
– “Pooo, ka qenë me nam, Xhemal Bazi! Ja njeh vëllain?! Muharremin?! Zotni burrë, por Xhemali ka qenë ndryshe, si ta them, ka qenë si personazh filmash…! Di që ra në dashuri me një konteshë spanjolle, dikush thotë konteshë italiane, por jeton në Spanjë edhe sot. Po ty, kush të ka folur për të?! Ah, Vehbiu! e njoh, është një komunitet i madh ulqinakësh në Durrës, janë shumë të lidhur me njëri tjetrin, si gjithmonë dhe janë njerëz të mirë, punëtorë, detin e njohin.
Muharremi prej të vëllait që është në Spanjë, e kanë lënë të punojë vetëm brenda vendit. Bëri njëherë një udhëtim jashtë shtetit, nuk e di… ’64, a ’65, nejse, qe oficer me anijen “Skënderbeu”, ke pa ti, ç’është fati?! Duke lundruar në ngushticën e Gjibraltarit, trrak! – defekt në motor “Skënderbeu”. Morën leje për të hyrë në portin e Kadiksit. Vjen në anije kapiteni i portit, me gjithë Xhemal Bazin.
Pyeti Xhemali për të vëllain, kishte mall mor burrë, vëlla! Nja 25-30 vjet pa u parë…! Një shenjë dha komisari, e fshehën Muharremin, e mbyllën në kabinë…! Jo, i thanë nuk e njohim Muharremin…qe lundrimi i fundit jashtë shtetit për atë, e njoh, e njoh, njeri punëtor, familjar, duhet të ketë edhe një djalë në moshën tënde, Zenel më duket e quajnë…! Po Xhemali ka qenë pirat…”!
Shënim – një nip i Kontit Bazi, që takova në Durrës para disa vitesh, më tha se kontesha ishte italiane, nga qyteti i Triestes (fjalët se është spanjolle, janë legjenda urbane) dhe ka qenë gjallë deri vonë.
Konakry, Guinea franceze
Gjatë viteve kur punoja si detar, më ka qëlluar të shkoja edhe në vendet afrikane, në Algjeri, Marok, Egjipt dhe pas vitit ’92 në Sudan, Xhibuti, Guine (Konakry), Benin dhe Nigeri. Në muajin shtator të vitit 1992, isha oficer I-rë me anijen “Vlora”, në Konakry. Porti ishte jo dhe aq i madh, gjetëm atje një anije holandeze, një franceze dhe një greke. Pasi mbaruam formalitetet e zakonshme portuale dhe bëmë gati anijen për shkarkim, vërshuan drejt anijes sonë, dhjetëra e dhjetëra njerëz me fytyra të mjeruara, që lypnin për të ngrënë. Të këputej shpirti t’i shihje.
Oficeri i policisë së Portit, pasi mbaroi formalitetet e zakonshme, i tha kapitenit Halim Milaqi dhe mua si oficer I-rë: “Mos u shqetësoni, në anije do të keni një polic, që do t’i ndalojë të hipin në anije, është rregull i portit dhe po deshët, dërgoj nja dhjetë policë dhe i largojmë me dhunë njerëzit e grumbulluar”!
E kundërshtuam “ndihmën” e tij. Shumica e tyre vinte nga Sierra Leone, ku rebelët komunistë, vrisnin cilindo që s’bashkohej me ta. Pamë anijet e tjera, askush prej atyre të mjerëve, nuk guxonte t’u qasej, policët i mbanin larg anijeve, duke i goditur me shkopinj.
Ndërkaq detarët e Vlorës, kishin filluar t’u jepnin ushqime të ndryshme njerëzve. Dhe kjo ndodhte tri herë në ditë, mëngjes, drekë, darkë. Shumë nga njerëzit tanë, hanin vetëm gjysmën e ushqimit, pjesën tjetër ua jepnin atyre poshtë. Asnjë nuk largohej duarbosh. Ditën e dytë, më zuri syri një grua me foshnje në krah. Nuk mundej të merrte asgjë, të tjerët e shtynin dhe s’e linin të afrohej. E thirra të hipte në anije. Polici vendës, që ishte me shërbim në anije, ndërhyri: “Jo, jo, jo, nuk lejohet, po erdhi lart, unë do ta zbres me shkelma poshtë”!
– “Provo ta prekësh dhe do të zbresësh ti me shkelma nga anija”, – i thashë i vendosur. Zbrita dhe e ndihmova gruan e mjerë me gjithë foshnjën, të hipte lart, e shoqërova te menca dhe i thashë kuzhinierit Hysen Tafa, t’i sillte për të ngrënë asaj dhe qumësht për fëmijën.
Ditën e tretë, më erdhi në kabinë ndihmës kuzhinieri, Haxhi Kuqi që kishte detyrë të bënte bukët. Ishte i dërsitur, i lodhur, gjithë nerva…! Hodhi çelësat mbi tryezën time: “Po më del shpirti! Ti e di se krahun e majtë, e kam me probleme, zakonisht bëj një furrë bukë, për dy ditë, po jo dy furra bukë çdo ditë! Vdiqa o burrë i dheut! Apo s’është dhe vapë! Gjej njeri tjetër ta bëjë, unë jap dorëheqjen…”!
– “Ulu Xhike, qetësohu dhe fol shtruar. Si e ke hallin?! Do një kafe?!
– “Mirë, po e pi një kafe”.
– “Cilit ia ke vënë syrin, të marrësh ndihmës”?
– “Po më dhe Hamdi Bakallin ndihmës, jemi në rregull bashkë. Miell kemi sa të duash, kush vjen me lyp bukë, s’kemi për ta lënë të vdesë urie”.
– “Pi kafen dhe shko thuaji Bakes, deri sa të jemi këtu, ka për të qenë ndihmësi yt”.
I kam falënderuar edhe atëherë si epror i tyre, kuzhinierin Cen Tafa, sot pronar te “Mediterraneo” në Durrës dhe Haxhi Kuqin, bukëpjekësin, kanë qenë ata që janë lodhur më tepër se të tjerët në atë port. Dhe jo vetëm në Konakry, por edhe në porte të tjerë afrikane. Vendësit na përshëndetnin me lot në sy, kur “Vlora” largohej nga porti i tyre.
Kuzhinieri Cen Tafa, përkujdeset për Ismailin, një djalë nja 12-13 vjeç. I bleu tesha të reja, e ushqente si ta kishte birin e vet. Ismaili është nga Sierra Leone, prindët, vëllezër e motra, të gjithë njerëzit, ia kanë vrarë rebelët komunistë, Ismaili mbuluar nga gjaku i të vetëve, u hoq si i vdekur dhe mbijetoi. I mbetur njeri pa njeri dhe i rrethuar nga dashuria e gjithë ekuipazhit, i donte të gjithë dhe ai, por Cenin, e shihte si të qe babai i tij.
Ditët e fundit para largimit nga Konakry, Ceni ndjehej keq për fatin e Ismailit, shkoi dhe iu lut kapiten Halimit, që ta merrte me vete në Shqipëri Ismailin e vogël. Përgjigja e kapitenit ishte e prerë: jo, sepse nëse zbulohej nga autoritetet vendase, gjoba për anijen, do të ishte mjaft e kripur.
Edhe sot po t’i kujtosh Ismailin, Cenit, përmallohet: “Kot e pyta Halimin, duhej ta kisha fshehur në anije, kush do ta merrte vesh, pastaj, të gjithë e donin çunin…ehhh, do ishte rrit tani, do ta kisha martu si çunin tem, eh, i shkreti Ismail, kushedi nga bohet…”?!
Kemi ndarë bukën e gojës me ata njerëz të mjerë. Detarët e shteteve të tjerë, paguheshin të paktën dhjetë herë më tepër se ne ato vite. Por vetëm rrogën, kishin më të lartë se ne. Jo shpirtin. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016